Hapja
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Parathënie
  2. Hapja
  3. Mënyra për të arritur njohjen e Zotit
  4. Dëgjoni me vëmendje
  5. Lutja, përpjekjet dhe tregimi i një dervishi
  6. Kur mund të sjellë fryt lutja pa përpjekje?
  7. Përpjekjet e duhura janë kusht për të pasur sukses
  8. Tri kërkesa për njohjen e Zotit
  9. Një akuzë që ngrihet kundër fesë Islame dhe përgjigjja ndaj saj
  10. Dy rrugë për të gjetur sukses
  11. Njohja e Zotit ka lidhje me zemrën, e jo me gjuhën
  12. Mjetet për ta zbuluar qenien e Zotit – Krijo ngjashmëri me Të
  13. Krijoni atributet e Zotit në veten tuaj
  14. Mënyrat për të krijuar atributet e Zotit brenda vetes
  15. Më së pari, duhet t’i dini atributet e Zotit
  16. Si mund të arrijmë atributet e vërteta të Zotit?
  17. Si mund të dallosh të mirën dhe të keqen?
  18. Tri kategoritë e të mëkatuarit
  19. Trajtimi mjekësor i disa sëmundjeve shpirtërore
  20. Ilaçi për të shpëtuar nga mëkatet
  21. Kushti i parë për ta njohur Zotin është pendesa
  22. Shtatë elemente të rëndësishme të pendesës
  23. Këshilla të rëndësishme për të pastruar llogarinë e vjetër dhe për të bërë mirësi në të ardhmen
  24. Vlera e mendimit
  25. Një tregim i bukur
  26. Metoda e dytë për pastrimin shpirtëror
  27. Metoda e tretë për të pasur atributet Hyjnore
  28. Metoda e katërt dhe e pestë
  29. Njohja e Zotit: Metoda e gjashtë dhe kontrolli
  30. Tri nënkategori të kontrollit të pjesshëm
  31. Katër grupe të veprave të mira
  32. Një mënyrë e lehtë për të kontrolluar veprat
  33. Realiteti i përgojimit
  34. Si mund të njohim përkufizimet e gjynaheve të ndryshme?
  35. Njohja e Zotit: Metoda e shtatë, e teta, e nënta dhe e dhjeta
  36. Ngjarja e një njeriu të Zotit
  37. Qëndrueshmëria është e domosdoshme për lutjen
  38. Dallimi midis vetëpëlqimit dhe vlerësimit të vetvetes
  39. Njohja e Zotit: Metoda e njëmbëdhjetë dhe një tregim i bukur
  40. Nivelet e njohjes së Zotit
  41. Rreth autorit
Related Contents from Topics
kurani

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit
Lavdërojmë Atë dhe i dërgojmë selavate të Dërguarit të Tij fisnik.

(Fjalim i mbajtur në Xhelsa Salanën[1] e Kadijanit të Indisë, më 16 mars 1919)

Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Ai është i Vetëm dhe i Pashoq. Gjithashtu, dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Pas kësaj, kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar.

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.

Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve; të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit; Sunduesit të ditës gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të kërkojmë ndihmë. Udhëzona në rrugën e drejtë. rrugën e atyre që i bekove, që nuk tërhoqën zemërim dhe që nuk devijuan. (Amin!)

Praktika ime në kohën e Xhelsa Salanave, gjatë viteve të kaluara ka qenë që ditën e parë të Xhelses, zakonisht jepja ato këshilla që janë të nevojshme për reformën tek anëtarët e Xhematit në përgjithësi. Ndërsa ditën e dytë, ligjëroja për ndonjë çështje shkencore, që gjithashtu synon lartësimin e anëtarëve të Xhematit. Por sivjet, për shkak të disa ngjarjeve, mendova se do të jetë më mirë të ligjëroja për ndonjë çështje shkencore jo në ditën e dytë, por që ditën e parë, me kusht që mendimi im të jetë i përbashkët me mendimin e Zotit. Ndërsa në ndryshim nga vitet e mëparshme, kur ditën e parë flisja për çështje të ndryshme, këtë vit për to do të flas ditën e dytë të mbledhjes. Kështu që sot jam para jush për të folur për një çështje shumë të rëndësishme.

Por, para se të filloj, desha t’ju tregoj se për një kohë të gjatë kam qenë shumë i sëmurë. Veç kësaj, para pak ditësh m’u desh të udhëtoja deri në Lahor, ku vazhdimisht për shumë ditë kam folur për fe, dhe po ashtu kam dhënë edhe dy ligjërata atje. Këto më kanë shkaktuar shumë lodhje, madje edhe tani jam në gjendje jo të mirë shëndetësore. Për këtë arsye, nuk e shoh veten që të mund të mbaj fjalim edhe për dy apo tri orë, edhe pse më përpara flisja për ndonjë çështje për katër-pesë orë pandërprerë. Së dyti, më duket se edhe zëri im nuk mund t’i arrijë të gjithë. Do të përpiqem me gjithë mundësinë që më dha Zoti, që të flas me zë sa më të lartë, në mënyrë që të gjithë të më dëgjojnë. Por, nëse dikush nuk arrin të më dëgjojë, atëherë ai le të mendojë se kështu është caktuar prej Zotit. Ai i mundëson kujt të dojë dhe sprovon kë të dojë. Askush nuk mund të ndeshet me dëshirën e Tij, andaj çdo njeri duhet ta parapëlqejë dëshirën e Zotit mbi dëshirën personale. Do të mundohem t’ju tregoj sa më mirë çështjen që kam zgjedhur sot. Le të bëhet ajo që dëshiron Zoti.

Xhelsa Salanat e kaluara, kisha folur sipas dijes sime për tema si “Përkujtimi i Zotit”, “Realiteti i ëndrrave”. Por sot dëshiroj të flas për një temë, të cilën duhet ta dijë çdo njeri. Madje, kjo temë është aq e rëndësishme, saqë askush nuk mund të shpresojë dot për shpëtimin pa e njohur këtë. Fjalimet e mia të para kanë qenë për nënçështjet. Por, fjalimi i sotëm është për çështjen kryesore dhe themelore. Më vjen keq që për të folur rreth kësaj teme jam këtu para jush në një gjendje të dobët shëndetësore saqë s’kam fuqi ta shtjelloj gjerësisht. Edhe tani, për shkak të takimeve të shumta me njerëzit e për shkak të pluhurit, kaq shumë po më dhemb koka saqë edhe sikur ta lëviz, ndiej sikur do të më çahet nga dhimbja, edhe pse kam pirë ilaçet para së të vija këtu. Por, në dashtë Zoti, do t’jua përcjell këtë mesazh, i cili për çdo musliman është i pari dhe i fundit.

Ditët e fundit, gjatë sëmundjes, disa herë edhe për gjashtë orë vazhdimisht kam pasur luhatje në zemër. Kjo më ndikoi shumë dhe më ngjalli dëshirën në zemër t’ju tregoj diçka që është shumë e rëndësishme si për ju edhe për mua. Në atë kohë mendova që përmes Mesihut të Premtuaras Zoti na bëri shumë favore të mëdha; na nxori nga një gropë e errët dhe na ngriti mbi një minare të dritës. Megjithëkëtë, ende duhet të bëni shumë përpjekje për ta mësuar atë që Mesihu i Premtuaras dëshironte t’ju jepte, i cili gjendet edhe në Kuranin Famëlartë. Në atë kohë, sipas të gjitha gjasave dukej se më ishte afruar momenti i fundit, i vetmi shqetësim që kisha në zemër, ishte pikërisht ai që Xhemati ynë ende nuk arriti në atë nivel, ku Mesihu i Premtuaras dëshironte ta shikonte. Prandaj, në ato momente, të cilat i konsideroja si momentet e fundit të jetës sime, jam lutur: O Zoti im, kaloje këtë shqetësim dhe dhuroji Xhematit tonë atë dritë dhe njohje, që fitojnë vetëm robërit e Tu të pastër”. Zoti im ma dëgjoi lutjen dhe po mua më dha mundësinë që t’jua tërheq vëmendjen ndaj detyrave tuaja. Ai më mundësoi që t’ju tregoj se cili është qëllimi kryesor i jetës sonë dhe në çfarë drejtimi i Dërguari i Zotit dëshiron të na çojë.

Rreth kësaj teme kisha filluar të flas edhe më parë në disa fjalime, domethënë rreth temës se si mund ta njohim Zotin, por nuk e kisha shtjelluar deri në fund. Kisha mbajtur vetëm katër fjalime dhe rashë sëmurë e pastaj, gjatë gjithë kohës, u detyrova të qëndroja larg Kadijanit. Kur u ktheva në Kadijan, përsëri u sëmura dhe rrjedhimisht kjo temë mbeti pa trajtuar. Por, edhe sikur ta përfundoja, prapë mendoj se ajo nuk është e tillë që nuk mund të përsëritet edhe një herë. Zakonisht kur shihet se njerëzit kanë filluar të veprojnë sipas ndonjë këshille, ajo s’ka nevojë të përsëritet. Por, derisa njerëzit nuk e praktikojnë atë, atëherë gjithmonë ka nevojë që ajo të rimerret.

Ju thashë që sot nuk mund të flas gjatë. Por, mendoj se edhe sikur t’ju shpjegoj shkurtimisht, do të ndiej se e kam kryer përgjegjësinë time para Zotit dhe mund të pohoj se jua kam përcjellë mesazhin. Pastaj nëse njerëzit nuk e praktikojnë, faji është i tyre e jo imi. Andaj, nëse Zoti do të më japë fuqi, sot do të lirohem nga përgjegjësia ime.

Rëndësia e njohjes për Zotin

Çështja e njohjes së Zotit është aq e rëndësishme saqë asnjë njeri nuk mund të thotë se ai s’ka nevojë të dëgjojë për këtë temë. Çdo njeri ka nevojë për të. Shumë njerëz, madje ankohen se ata nuk e gjejnë atë kënaqësi dhe lumturi, që vjen si rrjedhojë e besimit. Thonë: “Ne falim namazet, agjërojmë, bëjmë haxh, japim zekat, japim edhe sadaka e lëmoshë, lutemi, por megjithatë nuk e arrijmë atë nivel ku mund ta gjejmë kënaqësinë e vërtetë”. Njerëz të tillë lypin që atyre t’u jepet ndonjë recetë përmes së cilës ata të mund ta njohin Zotin. Padyshim që kjo është një çështje e rëndësishme, saqë njeriu është krijuar pikërisht për këtë dhe ky është dallimi kryesor midis atij dhe krijesave të tjera. Nëse ai nuk e arrin këtë, atëherë ai bëhet më keq se shtazët, pasi shtazëve nuk iu dha kjo aftësi dhe si të tilla, nuk u kërkohet asnjë llogari. Pra, njohja e Zotit është e detyrueshme për çdokënd dhe pa të, njeriu nuk mund të përsoset.

Xhematin tonë, njerëzit kanë një dëshirë të flaktë për ta gjetur dashurinë e Zotit, aq shumë saqë dëshirojnë që çdo grimcë e trupit të tyre ta shohë manifestimin e Tij. Por megjithëkëtë dëshirë të flaktë e të sinqertë, ka të tillë që nuk e arrijnë njohjen e Zotit dhe shpesh ankohen për këtë. Shumë nga ata kalojnë net duke qarë dhe, edhe gjatë ditëve shumë kohë kalojnë në përpjekje për ta gjetur Zotin. Por prapëseprapë ata nuk e arrijnë qëllimin. Edhe pse përpiqen e orvaten, nuk e gjejnë të Dashurin e tyre. Dyert e njohjes së Tij nuk u hapen ende dhe ata gjithnjë ndiejnë një perde midis tyre e Zotit.

Pyetja që shtrohet është se cilat janë rrugët dhe mjetet, përmes të cilave mund ta heqësh këtë perde e mund ta arrish qëllimin. Pas këtyre përpjekjeve, nganjëherë ndodh që disa njerëz dëshpërohen aq shumë saqë përfundojnë në bindjen se s’ka Zot hiç. Nëse dikur ata përpëliteshin për ta gjetur Atë, tani e mohojnë krejtësisht. Ata thonë: “Neve na ishte thënë se përmes fesë Islame ne mund ta gjenim Zotin. Ne u përpoqëm me të gjitha mundësitë tona, por nuk e gjetëm. Kjo tregon se nuk ka Zot. Nëse do të kishte, patjetër do ta gjenim Atë”.

Pra, shumë njerëz duan ta njohin Zotin, aq shumë saqë netët i kalojnë duke qarë dhe ditët i kalojnë si ajo nënë që ka humbur fëmijën e saj, mallëngjehen aq shumë sikur bota u është bërë prush, prapëseprapë nuk e arrijnë njohjen e Zotit. Dikush mund të thotë se edhe pas kaq shumë përpjekjesh, ky është rezultati, atëherë nuk ka Zot, ose edhe sikur të ketë, të paktën Ai nuk gjendet nga njerëzit. Por të dyja mendimet janë të gabuara. Realisht, ka rrugë dhe mjete të caktuara për të arritur ndonjë gjë të caktuar. Para se të hedh dritë mbi ato rrugë dhe mjete, të cilat duke i ndjekur mund ta arrijmë Zotin, dëshiroj të qartësoj se çfarë do të thotë ta njohësh Zotin. Shpesh njerëzit thonë se ata nuk arrijnë ta njohin Zotin, ndërkohë nuk e dinë me të vërtetë se çfarë do të thotë njohja e Zotit. Ata vetëm e kanë dëgjuar këtë fjalë nga baballarët e tyre dhe kaq. Ndaj, është e rëndësishme ta shpjegoj edhe këtë çështje.

Çfarë do të thotë irfan dhe ma’rifet?

Irfan dhe ma’rifet[2] janë fjalë të gjuhës arabe, të cilat pothuajse janë edhe sinonime. Ato kanë një dallim nga fjala ilm (dije). Dija (ilm) mund të arrihet edhe pa përpjekje por njohja (irfan) jo, ndonëse edhe këto dy fjalë nganjëherë përdoren si sinonime. Në fakt, njohja gjithmonë është e kushtëzuar me meditim dhe përpjekje. Mund të themi se nëse dija është diçka e rëndomtë, njohja është e veçantë. Prandaj në gjuhën arabe thuhet  domethënë “ai e ka njohur Zotin e tij”, por nuk thuhet “Zoti e ka njohur robin e Tij”. Në rastin e dytë përdoret fjala dije, pasi Zotit, për të njohur dikë, nuk i duhet meditim apo mundim.

Kështu që, ta njohësh Zotin do të thotë të meditosh, të mendosh dhe pastaj të aftësohesh për ta njohur Atë. Njohje për diçka do të thotë t’i dish gjërat e saj të veçanta që e dallojnë atë nga të tjerat. Për shembull nëse thuhet se Zejdi e ka njohur Bekrin, kjo do të thotë se Zejdi ka kuptuar mirë se çfarë vetish të veçanta ka Bekri, që të tjerët mbase nuk i kanë. Në të njëjtën mënyrë, ta njohësh Zotin do të thotë të njohësh atributet që ke lexuar në Librin e Tij, siç thuhet për shembull: Zoti është i Gjithëmëshirshëm, Mëshirëplotë, Bujar, Mbulues, Mëkatfalës, etj. të gjitha këto të arrish t’i gjesh e t’i dëshmosh në qenien e Zotit. Njohje nuk do të thotë që të dish vetëm se Zoti i ka ato atribute, sepse këto i di çdo musliman. Nëse njohja e Tij do të ishte vetëm kaq, çdo njeri mund të bëhej njohës (arif) i Tij. Njohës i Tij është vetëm ai që e ka njohur Atë duke dëshmuar atributet e Tij të veçanta.

Për shembull, nëse dikush e di se si është fytyra e filanit, si janë adetet e tij, vetitë e tij, sa është gjatësia e tij, si vishet ai, do ta njohë menjëherë sapo e takon. Kështu është edhe njohja e Zotit. Nuk duhet vetëm t’i dimë atributet e Zotit, por t’i dëshmojmë ato në qenien e Zotit. Por, mjerisht shumë njerëz as nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë kjo njohje e Zotit. Nëse do t’i pyesësh ata, jo 99 për qind e tyre, por as 999 në një mijë nuk mund të tregojnë saktësisht. Shembulli i tyre është si i atij që përpiqet të gjejë diçka në errësirë, por pa e ditur se çfarë po kërkon. Në këtë rast, edhe sikur ta gjejë atë, së cilës vetëm ia ka dëgjuar emrin por që nuk di aspak se si është ajo, çfarë vetish ka, atëherë edhe duke e parë, ai nuk mund ta njohë atë. Madje ka mundësi ta largojë mënjanë dhe të fillojë të kërkojë diçka tjetër.

Për shembull nëse dikush dëshiron të takojë Zejdin por nuk di se ku banon ai, se si duket ai e se cilat janë adetet e tij, atëherë edhe sikur të kalojë vetë Zejdi para tij, ai nuk mund ta njohë atë. Në të njëjtën mënyrë, edhe ata që nuk dinë aspak se çfarë do të thotë njohja e Zotit, në radhë të parë nuk meritojnë ta kenë njohjen e Zotit ose ta takojnë Zotin, dhe së dyti, edhe nëse do të dëshmojnë ndonjë atribut të Tij, nuk mund ta vlerësojnë drejt dhe mundet që edhe sikur të kalojnë pranë Zotit, të mos e vënë re fare qenien e Tij.

Po, nëse adhurojmë Zotin pa e njohur Atë?

Ata që pa e kuptuar mirë se çfarë do të thotë njohja e Zotit, nisen në kërkim të Tij, i shëmbëllejnë tamam atij njeriu, për të cilin është thurur ky tregim. Thuhet se një herë, një njeri teksa kalonte rrugës, dëgjoi një vjershë që dikush po i këndonte një dashnoreje të bukur. I thanë se ajo ishte aq e bukur saqë tërë bota u çmend pas saj. Rrugëtari në fjalë mendoi se nëse e tërë bota është dhënë pas asaj, atëherë pse ai jo. Pra, edhe ai filloi ta lëvdonte e t’i këndonte duke shprehur dhimbjen e largësisë nga ajo. Ai ishte mësues në një shkollë. Një ditë, një shok i tij shkoi në shkollë për ta takuar, ku mori vesh se ka shumë ditë që ai nuk vjen fare. Atëherë ai shkoi te shtëpia e tij dhe i tha shërbëtores ta lajmëronte se ka ardhur shoku i tij për ta takuar. Ajo tha se shefi nuk takonte askënd prej disa ditësh, sepse është në gjendje depresioni dhe traume.

Atëherë, ai tha – Shko dhe përmendja emrin tim. Nëse prapë nuk vjen, do të kthehem. Ajo shkoi dhe ia tregoi. Mësuesi i tha ta fuste brenda në shtëpi. Shoku i tij u habit duke parë se sa shumë ishte dobësuar ai. E pyeti shkakun e kësaj gjendjeje.

“Kam pësuar një tronditje të rëndë!” – iu përgjigj ai.

“Po pse? A të ka vdekur ndonjë i afërm?” – e pyeti shoku.

“Jo, të afërmit le të vdesin, por më vdiq dashnorja!”

Shoku e pyeti: “Kush ishte ajo? E ku banonte?”

Ai u përgjigj: “Eh, nuk ia di emrin, as adresën e as pamjen”.

“Atëherë si ke rënë në dashuri me të?” – e pyeti i habitur.

Ai tha: “Kisha dëgjuar se të gjithë e donin, po ashtu, kisha dëgjuar shumë këngë që i qenë kënduar asaj, edhe unë fillova ta doja. Por, një ditë dëgjova dikë që këndonte se ajo i kishte hipur një gomari dhe kishte shkuar diku, por nuk ishte kthyer më as ajo e as gomari. Me siguri duhet të ketë vdekur, sepse s’kishte nevojë që të qëndronte atje kaq gjatë. A kuptove tani se në ç’traumë jam?!”

Shoku i tij shprehu vetëm pikëllim për gjendjen e tij e u çua për t’u larguar. Kështu që, ka edhe njerëz të tillë që vajtojnë se nuk po e gjejnë Zotin, por ata as nuk kanë haber se çfarë është Zoti e çfarë do të thotë ta njohësh Zotin. Ata kujtojnë se të dish për Zotin e ta njohësh Atë janë dy gjëra të barabarta. Atributet e Zotit janë përmendur në Kuran e në hadithe, të cilat çdokush që i lexon, mund t’i dijë. Ndërsa për sa i përket dijes gjithëpërfshirëse për Zotin, kjo nuk është arritur deri tani, as që mund të arrihet ndonjëherë. Kjo tregon se njohja e Zotit me të vërtetë është krejtësisht diçka tjetër, dhe ajo është që atributet e Zotit që njeriu di, t’i zbulojë në qenien e Zotit e t’i njohë. Kjo quhet njohje e Zotit dhe kjo ka emërtime të ndryshme.


[1]     Në mbledhjen vjetore.

[2]     Në arabisht, për njohjen e Zotit, përdoret fjala “irfan” a “ma’rifet”.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp