
Marrim shembullin e përgojimit. Nëse nefsi juaj ju thotë se kurrë nuk keni bërë përgojim, nuk duhet ta pranoni mendimin e tij. Së pari, duhet t’i shqyrtoni mirë veprat tuaja e pastaj nëse sërish ju rezulton se nuk e keni bërë këtë gjynah, atëherë të lypni shpjegimin e përgojimit se çfarë është ai në të vërtetë. Gjatë shpjegimit, shumë herë do të dalë se ju nuk e keni kuptuar përgojimin siç duhet dhe prandaj mendonit se kurrë nuk e keni bërë atë. Ka shumë njerëz që rrëfejnë të metat e të tjerëve para dikujt dhe kur t’i pyesni se pse përgojojnë, ju përgjigjen: “Nuk po gënjejmë!” Kjo tregon se ata nuk e dinë fare se çfarë është përgojimi. Ata mendojnë se nëse thonë të pavërteta rreth dikujt është përgojim, por në fakt kjo quhet gënjeshtër. Përgojimi është që të flasësh prapa krahëve për dikë gjëra që janë të vërteta.
Kështu që, një njeri që mendon se përgojimi është të flasë prapa krahëve për dikë gjëra të paqena, kur lexon në Kuran – mos përgojo – ai pandeh se nuk përgojon, por nëse do ta mësojë përkufizimin e vërtetë të përgojimit e ta krahasojë atë me gënjeshtrën, do të kuptojë se ai përgojon. Disa njerëz justifikohen duke thënë: – Këtë që po themi rreth filanit, mund t’ia themi edhe ballë për ballë. Pra, sipas tyre përgojimi është diçka që nuk mund të thuhet drejtpërdrejt, kurse në të vërtetë, nëse ata do t’ia thonë edhe drejtpërdrejt, bëjnë gjynah të dyfishtë: së pari duke e përgojuar vëllanë e tyre, e së dyti, duke e lënduar në zemër. Të metën që Zoti i ka fshehur dikujt, zbulimi i saj është gjynah dhe Profeti Muhammedsa thotë:
“Zoti i mbulon një të metë atij, i cili i mbulon dikujt tjetër ndonjë të metë”.[1]
Pra, shumë njerëz bëjnë përgojime, sepse nuk kanë dijeni të saktë rreth këtij mëkati.
[1] Tirmidhiu, Ebuabul-birri ues-silah, bab ma xha’a fis-setri alal-muslimina.