
Shikoni se si ai njeri nëse do ta pranonte këshillën e nxënësit të tij, do të shkatërrohej e të humbte gjithçka pikërisht në çastin kur kishte mbetur shumë pak kohë që atij t’i pranoheshin të gjitha lutjet. Prandaj, besimtari kurrë nuk duhet të dëshpërohet, madje gjithmonë duhet të hedhë hapa përpara e të mos dorëzohet edhe sikur të shohë dështim. Padyshim, ai duhet të reflektojë e të shqyrtojë se cilat janë shkaqet e dështimit të tij dhe të largojë nëse shikon se ka ndonjë dobësi, por kurrsesi nuk duhet të dëshpërohet nga bekimet e Zotit të Madhërishëm.
Disa që dorëzohen thonë se veprat e tyre nuk gjejnë ndonjë rezultat. Unë u them se nëse nuk shohin ndonjë rezultat, s’ka problem. Le ta vazhdojnë detyrën e tyre, sepse në përfundim patjetër do të fitojnë. Shikoni sesi Allahu i Lartësuar tregon se besimtarët gëzojnë sukses duke iu mbështetur Atij. Bëhet fjalë për kohën kur njerëzit i frikësonin muslimanët duke u thënë:
اِنَّ النَّاسَ قَدۡ جَمَعُوۡا لَکُمۡ فَاخۡشَوۡہُمۡE gjithë bota është mbledhur kundër jush. Ku janë ato parashikime të fitoreve?! Frikësohuni tani!
Nga fjalët e tyre, muslimanët u forcuan akoma më shumë në besim, sepse ata e kishin marrë edhe këtë parashikim, që armiku do t’i sulmonte me të gjitha forcat e tij e do të bënte çmos për t’i shtypur, por ai nuk do të kishte sukses. Andaj, atyre që i frikësonin, ata iu përgjigjën
فَزَادَہُمۡ اِیۡمَانًا ٭ۖ وَّ قَالُوۡا حَسۡبُنَا اللّٰہُ وَ نِعۡمَ الۡوَکِیۡلُ(Le të bëhet armiku ynë kushdo qoftë) neve na mjafton Allahu dhe Ai është Mbështetësi më i mirë. Nuk i druhemi asgjëje, derisa i mbështetemi Atij.[1]
Nga ky ajet nxjerrim përfundimin se sa më i fortë të jetë sulmi, aq më shumë duhet të tregohet i fortë edhe besimtari. A keni vënë re se ai që është i sëmurë fizikisht, nuk heq dorë nga mjekimi edhe pse nuk përmirësohet. Madje vazhdimisht përpiqet për të gjetur ilaç gjersa të gjejë ilaçin e duhur ose të vdesë. Kështu duhet të bëjnë edhe të sëmurit shpirtërorë dhe, nëse sëmundja e tyre rëndohet, duhet të përpiqen akoma më shumë. Nëse gëzojnë sukses gjatë përpjekjeve, kanë gjetur gjithçka. Nëse vdesin duke u përpjekur, prapëseprapë Zoti do t’ua anashkalojë gabimet sadopak, për shkak të përpjekjes së tyre. Por, nëse heqin dorë fare nga përpjekja e vdesin në këtë gjendje, atëherë çfarë gjëje tjetër mund të pësojnë përveç ndëshkimit.
Prandaj, njeriu gjithnjë duhet të jetë i angazhuar në përpjekje e të mos dorëzohet duke u dëshpëruar. E shohim edhe te nxënësit ose studentët. Disa prej tyre e arrijnë suksesin vetëm për shkak të qëndrueshmërisë së tyre. Kam dëgjuar për një hindu, i cili kishte ngelur në provim shtatë herë radhazi. Për herë të fundit u fut në provim në një kohë kur edhe djali i tij po jepte të njëjtin provim, megjithatë atij nuk i erdhi turp. E dha provimin dhe e mori.
Pra, nuk duhet të frikësoheni e as nuk duhet të nënvlerësoni veten tuaj. Me këto fjalë, nuk po ju jap mësimin e vetëpëlqimit, por atë të qëndrueshmërisë e të palëkundshmërisë. Mos thoni se nuk keni mundësi ta bëni këtë apo atë punë, por duhet të thoni se Zoti ju ka dhënë të gjitha forcat e duhura. Për besimtarët, Zoti i Madhërishëm shpreh këto fjalë:
مِنَ الۡمُؤۡمِنِیۡنَ رِجَالٌ صَدَقُوۡا مَا عَاہَدُوا اللّٰہَ عَلَیۡہِ ۚ فَمِنۡہُمۡ مَّنۡ قَضٰی نَحۡبَہٗ وَ مِنۡہُمۡ مَّنۡ یَّنۡتَظِرُKa burra të atillë ndër besimtarët, të cilët ia dolën besëlidhjes që kishin bërë me Allahun. Pra, disa prej tyre e përmbushën detyrën e tyre, e disa të tjerë janë gati ta bëjnë kur t’u jepet mundësia.[2]
Në hadith thuhet për një sahabra,[3] i cili kishte thënë:
– Sikur të isha në betejën e Bedrit, edhe unë do të luftoja me mish e me shpirt.
Nëse dëshira të tilla dalin prej zemrës, ato nuk quhen vetëpëlqim, por ato janë si tymi që del nga prushi. Edhe ai sahabra kështu ishte, sepse ai mori pjesë në betejën e Uhudit, në të cilën ishte përhapur lajmi i rremë që i Dërguari i Allahutsa u martirizua. Hazret Omerira, kur e mori vesh, u tremb dhe u ul diku. Atëherë i njëjti sahabra duke e parë Hazret Omerinra bashkë me një sahab tjetër në gjendje të traumatizuar, i pyeti se çfarë u kishte ndodhur. Thanë se i Dërguari i Allahutsa ra dëshmor.
“Nëse i Dërguari i Allahutsa është martirizuar, çfarë të bëjmë ne duke jetuar në këtë botë. Ky është pikërisht momenti për të luftuar”,
duke shprehur këto fjalë, ai iu vërsul armikut dhe duke luftuar, ra dëshmor. Kur u gjet kufoma e tij, ai kishte marrë shtatëdhjetë plagë.[4]
[1] Kurani Famëlartë 3:174.
[2] Kurani Famëlartë 33:24.
[3] Enes ibn Neder (Shih: Buhariu, Kitabul-magazi, bab gezueti Uhud).
[4] Siret Ibni Hisham, vëll. 2, f. 87.