Jeta e Hazret Omerit (r.a.)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
omeri

Allahu i Madhërishëm dërgoi të Dërguarin e Tij savs si bartës i lajmeve të gëzuara dhe si alarmues dhe e pajisi me një libër të përsosur, rreth të cilit u shpreh duke thënë:

Elif Lâm Râ. Unë jam Allah. Unë Shikoj. Ky është një Libër të cilin ta kemi shpallur ty (o Muhamed), me qëllim që t’i nxjerrësh njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd. [Ibrahim 14:3]

Kuptimet semantike e parësore të këtij ajeti u vërtetuan dhjetëra herë gjatë jetës së të Dërguarit të Allahut savs me prurjen e ndryshimeve të mëdha shpirtërore në qenien e njerëzve të thjesht përmes shoqërimit të tij. Një revolucion i gjerë përmbysi gjithë Gadishullin Arab duke shkulur  të gjitha ligësitë shekullore që e gërryenin përbrenda shoqërinë njerëzore, dhe në vend të saj vuri pastërtinë e lartësinë morale dhe shpirtërore. Pra, ardhja e Islamit rishkroi fatin e njerëzimit dhe vuri gurthemelin e ndërgjegjes, fisnikërisë, devotshmërisë, dëlirësisë dhe virtytësisë në shkallën më të lartë. Tek sahabët e Profetit të shenjtë savs hasim shembujt më të shkëlqyeshëm të transformimit shpirtëror. Shfaqjen më të përkryer të këtij transformimi e gjejmë te Hazret Umer ibn el-Hattab ra.

Kur i Dërguari i Allahut savs shpalli se ishte profet i Zotit dhe filloi predikimin e fesë Islame, Umeri e kundërshtoi fort duke qëndruar krah për krah me Ebu Xhehlin. Në kohën kur Myslimanët përballeshin me përndjekje, persekutim dhe tirani barbare nga ana e kundërshtarëve Kurejsh, i Dërguari i Allahut savs iu përgjërua Zotit me këtë lutje:

O Allah! Përforcoje Islamin me njërin nga këta dy: Me Amr ibn Hashamin (Ebu Xhehlin) ose me Umer bin el-Hattabin.[1]

Ebu Xhehli mbante një urrejtje e armiqësi të thellë kundër Islamit dhe Profetit të shenjtë savs. Ai ishte njeri i moshuar dhe mendimet e tij kundër Islamit ishin mjaft të palëkundura. Dëshira për të pasur pasuri dhe influencë e tërhiqte shumë. Për sa i përket Umerit, duke qenë luftëtar trim, gojëtar i shquar dhe arbitër i zgjuar në raste konflikti, ai i galvanizonte njerëzit. Por, si Ebu Xhehli edhe Umeri i ri ndiqte të njëjtën rrugë.

Jeta e hershme

Umeri lindi në Mekë në fisin e Benu Adit. Ky fis kishte rolin e ndërmjetësuesit në konfliktet brenda fiseve. Babai i tij Hattab bin Nufejl ishte i njohur për zgjuarsinë e tij, ndonëse  ishte idhujtar i përbetuar dhe njeri i pamëshirshëm.

Në kohën e injorancës[2], analfabetizmi ishte shumë i përhapur në Arabi, por Umeri që në moshën rinore mësoi të lexonte dhe të shkruante. Sipas traditave të Kurejshëve, ai mësoi kalorësinë dhe mundjen që nga adoleshenca. Ai ishte shtatlartë dhe i fuqishëm fizikisht. Umeri ra ishte gojëtar i lindur dhe i zgjuar me një personalitet të fortë. Ai u bë tregtar dhe bëri disa udhëtime drejt Romës e Persisë ku u takua me njerëz intelektualë madje edhe pati mundësi të shohë nga afër kulturën dhe jetën e tyre shoqërore.

Pranimi i Islamit

Kur Profet Muhammedi savs u bëri thirrje njerëzve që ta pranojnë mesazhin e Islamit, për t’i kushtuar bindje, nënshtrim e fisnikëri vetëm Allahut, shumëkush e kundërshtoi, ndërsa një pakicë e pranuan këtë. I Dërguari i Allahut savs ua ngjalli besimin dhe bindjen e jashtëzakonshme, saqë zemrat e tyre dëshmuan këtë, duke u betuar para Profetit të shenjtë savs se “babai e nëna sakrifikofshin për ty”. Ata dorëzuan tërë qenien e tyre para Allahut. Sigurisht, që kjo do të shkaktonte pakënaqësi në mesin e prijësve të fuqishëm të fisit Kurejsh, përfshirë Ebu Xhehlin e Umer bin el-Hattabin. Ndikimi dhe përhapja e mesazhit të Muhammedit savs sfidonte pozitën dhe autoritetin e prijësve. Kjo bëri që gjithë prijësit e fisit Kurejsh, të mblidheshin dhe të hartonin plane për ta ndaluar këtë ndryshim. Duke qenë më me zë ndër të gjithë ata, duhej që Ebu Xhehli e Umer bin El-Hattabi të kurdisnin intriga për të sulmuar mu te burimi i gjithë kësaj andralle. Umeri, i mbushur me tërë mllef e zemërim, u ngrit dhe u nis me shpatë të zhveshur drejt Profet Muhammedit savs për ta vrarë atë dhe për ta mbyllur kapitullin e Islamit një herë e përgjithmonë. Rrugës ndeshi një të njohur, i cili e pyeti se ku po shkonte ai? Umeri iu përgjigj: “Unë po shkoj për të vrarë Muhammedin sepse ai ka përçarë fisin Kurejsh, ka çnderuar traditat tona dhe ka shkelur nderin e fesë të zotave tanë”. Këmbësori i tha: “Më mirë shikoje shtëpinë tënde, sepse tashmë edhe motra jote Fatima është bërë fshehurazi myslimane”. Me të dëgjuar këto fjalë, zemërimi i tij u rrit edhe më shumë, dhe vazhdoi rrugën me ngut për në shtëpinë e motrës. Kur Umeri iu afrua pragut të shtëpisë, Fatimeja dhe burri i saj Seid bin Zejd po dëgjonin këndimin e Kuranit nga Habab bin Ereti ra. Kur Umeri trokiti në derë, motra e tij menjëherë fshehu fletët e Kuranit si dhe Hababin. Kur ajo ia çeli derën, Umeri e pyeti me zemërim të madh: “Kam dëgjuar se keni pranuar besimin e Muhammedit!”. Me të thënë këto fjalë, Umeri kapi kunatin e tij Seidin dhe duke e hedhur atë përdhe filloi ta rrihte. Fatimeja për të ndaluar Umerin hyri mes tyre, por Umeri i dha asaj një shuplakë të fortë. Goditja ishte aq e fortë saqë i shkaktoi  gjakderdhje. Duke parë motrën e vet në këtë gjendje, Umeri u skuq nga turpi dhe filloi ta ngushëllonte. Umeri ia kërkoi fletët e Kuranit për t’i lexuar. Ato mbanin ajetet e para të Kuranit:

Tâ, Hâ. Tejjib , Hadi. O (Profet) i pastër dhe udhërrëfyes i përsosur. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), që të mundohesh, por ai është kujtesë për atë që i frikësohet (Allahut). Ai është zbritur nga Krijuesi i Tokës e i qiejve të lartë. I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit.  [Tâ Hâ 20:2-6]

Sigurisht, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua. [Tâ Hâ 20:15]

Me të lexuar këto ajete, zemra e Umerit u mbush me lartësinë dhe madhështinë e Kuranit. Të gjitha dyshimet e luhatjet u zhdukën përnjëherë dhe ai u shpreh: “Sa të mahnitshme dhe madhështore janë këto fjalë.” Me të thënë këto, zemra e tij sikurse dëshmoi se në të vërtetë vetëm Ai, i Cili ka dhënë këtë porosi, meriton të Adhurohet. Umeri, tashmë i iluminuar dhe ndriçuar shpirtërisht, tha “Më shpini te Muhammedi”. I pushtuar nga emocionet, Umeri, akoma me shpatë të zhveshur, trokiti në derën e Dare Erkemut, ku ishte strehuar i Dërguari i Allahut savs asokohe. Duke parë Umerin në këtë gjendje, sahabët ngurronin t’ia  hapnin derën. Atëherë Profeti i shenjtë savs urdhëroi: “hapni derën”. Dera u hap. Umeri me shpatë të zhveshur hyri brenda. I Dërguari i Allahut savs iu afrua Umerit dhe duke shtrënguar mantelin e tij i tha: “O Umer me çfarë qëllimi ke ardhur këtu? Pasha Zotin! Unë shikoj se ti nuk je krijuar për ndëshkimin e Zotit”. Umeri iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam ardhur për t’u bërë mysliman”. Duke dëgjuar këto fjalë, Profeti i shenjtë savs nga gëzimi ngriti një slogan të fortë “Allahu Ekber”. Edhe sahabët e ndiqnin Profetin me slogane derisa zëri filloi të jehonte nga kodrat e Mekës.

Ardhja e Umerit ra nuk ishte më pak se një fitore madhështore. Ai ishte njëzet e shtatë vjeç kur pranoi Islamin. Ishte shumë i gjatë aq sa dallohej kollaj në turmën e njerëzve. Ishte i shogët me fytyrë kuqërreme. Një luftëtar i pashembullt që shfaqte kulmin e guximit, trimërisë dhe zemërimit me një valë emocionesh.

Një herë kur kujtonte ditën që kishte pranuar Islamin tha: “Atë natë kur isha bërë mysliman, mendova për armikun më të ashpër të të Dërguarit të Allahut savs që të shkoja tek ai dhe t’i thosha se jam bërë mysliman. Më ra ndërmend Ebu Xhehli. Pra, mëngjesin tjetër vajta te shtëpia e tij dhe i rashë derës. Ai doli dhe më priti me fjalët ‘Përshëndetjet më të përzemërta, o nip. Çfarë të solli këtu?’ Unë iu përgjigja ‘Kam ardhur që të të njoftoj ty se i besoj Allahut, të Dërguarit të Tij dhe konsideroj se ajo çfarë ka sjellë ai është e vërteta.’ Ai përplasi derën dhe më tha ‘Të mallkoftë Zoti ty dhe atë që ke sjellë’.

Ditën tjetër, Umeri ra vajti në qendër të Mekës dhe shpalli para të gjithëve se e kishte pranuar Islamin. Deri atëherë Islami ishte predikuar fshehurazi, sepse myslimanët i frikësoheshin përndjekjes, por që nga ajo ditë doli nëpër rrugë dhe më në fund zbriti në zemrën e Mekës, pra në Qabe. Abdullah ibn Masudi ra shprehet: “Ne nuk mund të faleshim në Qabe, derisa Umeri u bë mysliman. Ai kundërshtoi kurejshët gjer sa kreu faljen dhe ne u falëm me të.

Abdullah bin Umeri rrëfen: “Kur babai im u kthye në fenë Islame, ai pyeti: “Kush është më i miri për të bërë shpallje publike para Kurejshëve?” Iu përgjigja se ishte Xhemil bin Ma’mar el-Xhumahi. Ai shkoi tek ai ndërsa unë isha me të. Ndonëse isha në moshën fëmijërore, kuptova gjithçka që pashë. Ai vajti te Xhemili dhe e pyeti se a dinte që Umeri ishte bërë mysliman dhe kishte pranuar fenë e Muhamedit. Pasha Allahun, ai sapo kishte mbaruar së thëni se Xhemili u ngrit duke zvarritur mantelin e tij përtokë. Babai im e ndiqte atë, kurse unë babanë tim, derisa Xhemili qëndroi aty ku Kurejshët mblidheshin për takimet e tyre rreth Qabesë. Ai bërtiti me gjithë forcë ‘Umeri u tërhoq!’ Babai im gërthiti ‘Ky është gënjeshtar. Unë jam bërë mysliman dhe unë dëshmoj se s’ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij!.’ Disa veta sulmuan babanë tim dhe kjo përleshje vazhdoi derisa dielli arriti në zenit. Atëherë Umeri ra u tha: “Bëni çfarë të doni. Pasha Allahun! Në se ju do të ishit treqind veta, ne prapë do të kishim luftuar për këtë çështje me të njëjtën këmbëngulje.”

Pas pranimit të Islamit, Umeri ra hoqi dorë nga gjithçka që pengonte afrimin e tij me Zotin dhe Profetin e shenjtë savs. Ai u largua nga errësira e injorancës dhe iu nënshtrua plotësisht Profetit të shenjtë savs. Edhe Profeti iu afrua; ai e shoqëronte, i merrte këshillat dhe përdorte aftësitë e tij për misionin e Islamit.

Shpërngulja (Hixhreti) nga Meka

Në vitin 622 i Dërguari i Allahut savs kishte vendosur që myslimanët të shpërnguleshin nga Meka për në Medinë, një qytet që ndodhej 340 km në veri të Mekës. Ebu Selmah Abdullah bin Ashali ra ishte i pari që emigroi dhe pastaj myslimanët e tjerë filluan të largoheshin nga Meka. Hazret Ali bin Ebi Talibi ra rrëfen se nuk ka njohur dikë tjetër që është shpërngulur sheshazi nga Meka, përveç Umerit ra. Kur ai vendosi për t’u shpërngulur, mori shpatën e tij, rregulloi harkun e shigjetat dhe u nis drejt Qabesë me devenë e tij. Pas tevafit dhe kryerjes së faljes, shpalli para të gjithëve se po shpërngulej dhe u nis.[3]

Kur i Dërguari i Allahut savs mbërriti në Medinë, ai vendosi që të ndërtonte një xhami. Kështu edhe Umeri shkonte çdo ditë nga Kuba në Medinë për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Për të rehabilituar emigrantët e Mekës, i Dërguari i Allahut savs vendosi vëllazëri midis myslimanëve të Mekës dhe të Medinës, ku çdo emigrant apo muhaxhir bashkohej me vëllanë mysliman të Medinës apo me ansarin. Kjo vëllazëri ishte e pashembullt në historinë njerëzore, sepse fortësia dhe dashuria e ndërsjellët i tejkalonte edhe lidhjet e gjakut. Në këtë mënyrë, Umeri ra u lidh me Itban bin Malikun. Duke qenë tregtar, Umeri ra shumë shpejt filloi të merrej me tregti në Medinë, ndërsa kohën e lirë kalonte në shoqërinë e Profetit të shenjtë savs.

Pavarësisht se muhaxhirët u asimiluan shumë shpejt në Medinë, mallëngjimi për atdheun e tyre –  Mekën, bëhej gjithnjë e më i fortë. Ata kujtonin të afërmit e tyre, të cilët i kishin lënë mbrapa, pasurinë e pronat, dhe përndjekjet e egra të Kurejshve ndaj tyre. Në këtë kohë Kurejshit kishin filluar përgatitjet për luftë kundër myslimanëve. 

Pjesëmarrja në betejë

Në vitin e dytë pas hixhretit, pra në vitin 623, kurejshët e Mekës përgatitën një ushtri të madhe për të shkatërruar e shpartalluar myslimanët. Atëherë 13 vjet pas themelimit të Islamit, Allahu e bëri të lejuar për myslimanët që të luftonin për vetëmbrojtje. Kjo ishte beteja e Bedrit në të cilën, përballë 1000 kurejshëve të pajisur dhe të armatosur mirë, qëndruan dhe fituan 313 myslimanë. Myslimanët, që deri atëherë kishin sakrifikuar të afërmit e pasurinë e tyre, tani fill pas thirrjes së Profetit savs, iu betuan që do të jepnin edhe jetën për të mbrojtur Islamin. Fitorja në fushën e Bedrit shënoi një kapitull të ri në historinë e Islamit. Umeri ra mori pjesë pothuajse në të gjitha betejat kryesore, si në Bedr, Uhud, Ahzab, Hejber, Hunejn, ndërsa për të përballuar shpenzimet e ekspeditës së Tubukut, Umeri ra kontribuoi duke dhënë gjysmën e pasurisë. Ai nuk humbiste asnjë shans për të sakrifikuar pasurinë e tij në rrugën e Allahut.

Në luftën e Uhudit disa shigjetarë myslimanë braktisën pozitat e tyre, të cilat ua kishte caktuar vetë i Dërguari i Allahut savs, në kërkim të plaçkave të luftës, duke rrezikuar edhe jetën e Profetit savs. Duke përfituar nga rasti, një skuadër ushtarësh sulmuan ushtrinë myslimane duke iu shkaktuar dëme të mëdha. Në këtë moment kritik, Umeri ra bashkë me Ebu Bekrin ra dhe sahabët e tjerë formuan një vijë mbrojtëse rreth Profetit të shenjtë, savs i cili ishte plagosur dhe e shpurën në një vend të sigurt. Umeri ra bashkë me sahabët e tjerë luftoi me armikun duke e zmbrapsur plotësisht.

Pas betejës, kur të dyja palët grumbullonin të plagosurit e tyre dhe sahabët lidhnin plagët e Profetit të shenjtë savs, Ebu Sufjani, nën perceptimin e shtrembëruar, mendoi se i Dërguari i Allahut savs ishte vrarë. Ai bërtiti me zë të lartë “U’lu hubul”, (“O Hubul! Qofsh i lartësuar”). Profeti i pyeti sahabët: “Pse nuk përgjigjeni?” Umeri ra i tha: “Si të përgjigjemi?”. Profeti iu përgjigj: “Thuaj! Allahu a’la ve exhel”, (“Lartësia e madhështia i takojnë vetëm Allahut”). Atëherë Ebu Sufjani tha: “Lenal U’zza vela U’zza lekum”, (“Ne kemi U’zza[4] ndërsa ju nuk e keni”). Atëherë i Dërguari i Allahut savs i tha Umeritra që të përgjigjej: “Allahu maulana vela maula lekum”, (“Allahu është përkrahësi ynë, ndërsa ju s’ keni asnjë përkrahës”). 

Vdekja e të Dërguarit të Allahut savs

Sahabët e donin të Dërguarin e Allahut savs më shumë se veten. Momenti më i vështirë, që ata përjetuan, ishte kur Profeti i shenjtë savs u nda nga jeta. Ata kurrë nuk kishin menduar se i dashuri i tyre do të largohej prej tyre. Pikëllimi e brenga për vdekjen e Profetit savs ishte e papërballueshme. Sahabët gati-gati u trullosën nga dhimbja dhe mbetën pa mend. Edhe Umeri ra ishte i mendimit se i Dërguari i Allahut savs ishte gjallë, veçse ishte larguar përkohësisht dhe do të kthehej së shpejti për të ndëshkuar hipokritët. Madje Umeri ra ngriti shpatën e zhveshur dhe tha se ai do t’ia presë kokën atij, i cili guxon të shprehë se i Dërguari i Allahut savs ka ndërruar jetë. Atëherë Ebu Bekri ra iu drejtua sahabëve duke thënë se nëse dikush i besonte Profetit të shenjtë savs, le të besojë se ai ka ndërruar jetë, por nëse dikush beson Allahun, le të kuptojë se Allahu është i Gjallë dhe i Gjithëpranishëm. Pastaj recitoi këtë ajet:

Muhamedi nuk është veçse i Dërguar, para të cilit gjithë të dërguarit tjerë kanë vdekur. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu me siguri do t’i shpërblejë falënderuesit. [Ale-Imran 3:145]

Thuhet se atë moment, Umeri ra porsa dëgjoi fjalët e Ebu Bekrit, kuptoi se Profeti i shenjtë savs me të vërtetë ishte larguar përgjithmonë. Pikëllimi i humbjes ishte i tmerrshëm për Umerin ra, sepse e kishte dashur Profetin savs më shumë se çdo gjë tjetër. Me të dëgjuar këto fjalë ai u rrëzua përdhe nga trysnia e emocionit.[5]

Kalifati i Umerit (r.a.) 634-644

Jeta e Hazret Umerit ra është një kapitull i rëndësishëm në historinë e Islamit. Çdo rresht i këtij kapitulli përmban ndryshime dhe fitore madhështore, saqë për t’i arritur këto, kombeve të ndryshme u duhen shekujt të tërë. Ndikimi i Kuranit të Shenjtë dhe trajnimi nga i  Dërguari i Allahut savs i dhanë personalitetit të Umerit ra një ngjyrim të tillë që sot, pas shumë shekujve, periudha e kalifatit të tij vështrohet me respekt e nder në respektimin e drejtësisë, të drejtave dhe lirive njerëzore etj. Kishte punuar në ngritjen e dinjitetit të gjinisë femërore në shoqëri apo në nismat për mirëqenien e popullit, përpjekjet e tij në përhapjen e njëjësisë së Zotit dhe përkushtimin ndaj Tij. Njihen orvatjet e tij për arsimim e studim, hapja e shkollave e institucioneve për të përgatitur dijetarë, gjykatës dhe administratorë të denjë. Pra Hazret Umeri ra ndërtoi xhami e medrese në vendet ku ishte  futur islami, dhe të cilat i shndërroi në qendra kryesore të arsimit, shkollimit dhe edukimit e të cilat më vonë u bënë vatrat themelore të qytetërimit Islam. Vetëm numri i xhamive, të cilat shërbenin si institucione kryesore të arsimit dhe njohjes së rregullave fetare, kishte arritur dymbëdhjetë mijë gjatë kalifatit të Umerit ra.[6]

Gjatë periudhës së tij Iraku, Persia, Siria, Egjipti, etj. u përfshinë në perandorinë myslimane. Qytetërimi Islam, të cilin i Dërguari i Allahut savs kishte mbjellë në shkretëtirën shkëmbore të Arabisë, tashmë ishte shndërruar në një pemë të gjerë e të fuqishme, nën hijen e së cilës kombe, gjuhë dhe kultura të ndryshme formonin një përzierje jashtëzakonisht të bukur. Zakonet e ritet e injorancës u shkrinë dhe u zhdukën plotësisht, ndërsa civilizimi dhe kultura Islame lulëzoi e u përhap me hov të shpejtë në Arabi dhe jashtë saj. Sahabët, të cilët i kishte mësuar, edukuar dhe përgatitur vetë Profeti i shenjtë savs, kur u caktuan në vende të ndryshme sipas rangjeve shoqërore apo administrative, ata u bënë pishtarët e dijes, ndriçimit dhe iluminizmit. Shumë shpejt kombe të ndryshme filluan të bashkoheshin nën flamurin e Islamit, duke e përvetësuar kulturën Islame, moralin, virtytet, diturinë, artin, studimin e shkencës, etj. Ky ishte rasti i parë kur bota dëshmoi vëllazërinë e bashkësinë mbarënjerëzore.

Umeri ra bëri përpjekje të veçanta për të përhapur Kuranin dhe mësimet e tij. ‘Si rezultat i përpjekjeve të Umerit ra, mësimi i Kuranit u bë shumë i njohur. Lexuesit e Kuranit ishin aq shumë sa nuk numëroheshin, ndërsa numri i hafizve[7] kishte arritur në mijëra. Hazret Ebu Musa Esh’eri ra kishte shkruar në përgjigje të një letre se vetëm në ushtrinë time janë treqind hafizë.”[8]

Thuhet se Kalifi i myslimanëve, Umeri ra vishte një këmishë e cila ishte e arnuar në më shumë se 30 vende. Ushqimi ishte fare i thjeshtë. Edhe në atë kohë kur njerëzit pushonin, Umeri ra nga ndjenja e përgjegjësisë, rrinte i angazhuar në çështjet e Kalifatit. Mbante një qilim prej gjetheve të palmës ku shtrihej për të pushuar. Kur delegacionet vinin në Mekë, ata kërkonin kështjellën e Umerit ra, ndërsa atyre u jepej përgjigje se Umeri ra nuk kishte ndonjë kështjellë, por banonte në një shtëpi të thjeshtë.

Umeri ra u bë kalifi i dytë i të Dërguarit të Allahut savs pas vdekjes së Ebu Bekrit ra në Xhemadial thani 13 hixhri (gusht 634). Umeri ra i qëndroi besnik modelit të Profetit të shenjtë savs ndoqi besnikërisht sjelljet e paraardhësit të tij. Por, me guximin dhe forcën e tij karakteristike ai i nënshtroi perandoritë e mëdha persiane e bizantine.

Zgjerimi i perandorisë Islame

Myslimanët kishin bërë disa luftëra me ushtritë persiane dhe kishin fituar pjesën perëndimore të perandorisë. Tani perandor i ri Jezdgirdi kishte filluar përgatitjet për një beteje vendimtare për t’i zmbrapsur myslimanët nga territori i tyre. Për të përforcuar ushtrinë myslimane, Hazret Umeri ra diskutoi me Shuranë (këshillin) dhe caktoi Sa’d bin Ebi Vekasin ra për udhëheqjen e ushtrisë. Kur ushtria u nis nga Medina, Hazret Umeri ra këshilloi Sa’din duke i thënë:

“Allahu të keqen nuk e prapëson me të keqen, por atë e prapëson me të mirën. Të gjithë, qoftë nga shtresa e lartë apo e ulët, janë të barabartë para Tij. Dijeni se sjellja e të Dërguarit të Allahut savs është e vetmja mënyrë për të vepruar. Ju po niseni për një mision historik dhe mund t’ia dilni mbanë vetëm duke ndjekur të vërtetën. Ngulitni virtyte të larta në veten tuaj si dhe në shokët tuaj.”

Lufta u zhvillua në fushën e Kadisisë, ishin 28000 ushtarë mysliman përballë  120000 ushtarëve persianë. Hazret Sa’di ra merrte udhëzime të vazhdueshme nga kalifi dhe vepronte sipas tyre. Lufta zgjati katër ditë, në të cilën myslimanët treguan trimëri të pashoqe duke mposhtur armikun që ishte katërfish më i madh në numër. Kjo luftë ishte vendimtare në historinë islame, sepse jo vetëm që shkatërroi perandorinë Persiane, por gjithashtu i dha Islamit një vrull të fuqishëm. Në vitin 643 e gjithë Persia ra në sundimin e myslimanëve.

Përveç perandorisë persiane, në gusht të vitit 636 myslimanët nën udhëheqjen e Ebu Ubejdah ibni Xherrahut ra fituan betejën e Jarmukut dhe kështu morën Sirinë nga perandoria Romake.

Pas fitores së Sirisë Halid bin Velidi ra dhe Ebu Ubejdahu ra, ia vunë rrethimin qytetit Jerusalem. Shumë shpejt banorët ranë dakord për të bërë marrëveshje me palën myslimane. Për të shkruar këtë marrëveshje kalifi i myslimanëve Hazret Umeri ra vajti në Jerusalem dhe siguroi banorët se jeta e tyre dhe  pronat e tyre  do të  jenë të  sigurta. Kishat e sinagogat vazhduan shërbimet e tyre, ndërsa çdokush gëzonte lirinë fetare.

Në vitin 638 myslimanët fituan Egjiptin nga Romakët nën udhëheqjen e Amr bin el-Asit ra ndërsa në vitin 640 Aleksandaria, qyteti i fundit në dorën e Romakëve u bashkua me perandorinë Islame.

Më 27 të Dhul Hixhasë të vitit 23 hixhri (7 nën. 644) periudha madhështore e kalifatit të Umerit mbërriti  fundin e saj me vdekjen e tij në moshën 61 vjeçare. Një skllav persian me emër Lu Lu Firoze i ishte ankuar për keqtrajtim nga pronari i tij. Kalifi e hetoi  këtë rast dhe gjeti se pronari nuk kishte vepruar ashtu, prandaj nuk e përfilli atë. Ditën tjetër kur Umeri ra ishte në xhami për namaz, skllavi e sulmoi duke e goditur gjashtë herë me thikë. Hazret Umeri ra ndërroi jetë nga plagët e rënda. Para se të vdiste, ai kishte caktuar një komision të përbërë nga sahabët e shquar për të caktuar kalifin e ardhshëm.

Pozita e Umerit r.a.

Fuqia e Umerit ra rridhte përmes dy elementeve të rëndësishme, pra nga frika e Allahut dhe dashuria për Profetin e shenjtë savs. Ai trembej aq shumë nga përgjegjësia e kalifatit sa që nuk përdorte asgjë nga financat e shtetit. Madje ai nuk e merrte as vajin nga thesari publik për të ndezur fenerin në shtëpi. Ndihma financiare që ai merrte nga thesari, mezi i plotësonte nevojat elementare. Njëherë dikush i tha: “Ju duhet t’i shtoni të ardhurat tuaja.” Hazret Umeri iu përgjigj: “I Dërguari i Allahut savs na ka lënë një model për të ndjekur dhe më duhet ta ndjek atë.”

Umeri ra gjithmonë fliste të vërtetën. Një herë i Dërguari i Allahut savs tha: “Umeri gjithmonë flet të vërtetën, pavarësisht të jetë e rëndë dhe pavarësisht nëse mbetet i vetmuar e pa përkrahje.” Pothuaj çdo natë ai dilte në rrugicat e Medinës për të parë nga afër shqetësimet e qytetarëve, qëndronte në kufijtë e qytetit deri në orë të vona duke pritur korrierët që t’i sillnin lajmet, ndërsa po ky Umer ra një pjesë të natës ra ia kushtonte adhurimit të Allahut me përgjërime të ngashëryera.

Hazret Amr bin el-As  rrëfen se unë e pyeta të Dërguarin e Allahut savs ‘O i Dërguar i Allahut! Kush është më i dashur për ju nga njerëzit?’ Ai tha: Aishja. Unë i thashë ‘Po i Dërguari i Allahut! Prej burrave? Tha: babai i saj. Unë e pyeta: po pas tij? Tha ‘Umer bin el-Hattabi.’ Pastaj përmendi persona të tjerë.[9]

Kur Hazret Umeri ra u sulmua në tentim për vrasje, ai e kuptoi nga plagët e rënda se nuk mund të jetojë më. Prandaj, thirri djalin e tij Abdullahun dhe i tha që të shkonte tek Aishja ra dhe t’ia përcillte selamin e tij dhe t’i kërkonte leje për t’u varrosur bashkë me dy shokët e tij. Abdullahura u paraqit para Aishes ra dhe i tregoi mesazhin e Umerit ra. Aishja ra u përgjigj se atë vend e kishte caktuar për vete, por sot po i jepte epërsi Umerit mbi veten. Pra, kur Abdullahu u kthye me përgjigjen e Aishes dhe ia tregoi Umerit, gëzimi i tij ishte i pafund. Umeri tha: “Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut. Për mua nuk ka gjë më të rëndësishme se kjo”.

Ibne Abbasi ra rrëfen se bashkë me ata që kishin ardhur për të përcjellë xhenazen e tij, ishte njëri që thoshte “O Umar! Allahu qoftë i kënaqur prej teje. Unë gjithmonë kam dashur që Ai të të shoqëronte ty me shokët e tu. Sepse gjithmonë e kam dëgjuar Profetin savs duke thënë “Ebu Bekri, Umeri dhe unë…, Ebu Bekri, Umeri dhe Unë bëmë këtë, apo Ebu Bekri, Umeri dhe Unë u nisëm …”, prandaj edhe unë dëshiroja që Allahu të të bashkonte ty me miqtë e tu.” Ibne Abbasi ra rrëfen kur e ktheva kokën për të parë se kush fliste, pashë se ai ishte Hazret Ali bin Ebi Talib ra.

Thënie të Hazret Umerit 

“Ruhuni nga teprica e pasurisë së kësaj bote që lehtëson jetën tuaj, ashtu siç i frikësoheni mosbindjes ndaj Allahut. Në gjykimin tim, duhet frikësuar më shumë nga paraja se sa mëkati, sepse paraja e shpie njeriun drejt shkatërrimit në mënyrë të pandjeshme duke përdorur çdo lloj joshjeje.”[10]

Hazret Mesihu i Premtuar alehiselam shkruan duke treguar pozitën e lartë të Hazret Umerit ra:

“Saddiku ra dhe Faruku ra janë prijës të shquar e të denjë të Allahut. Ata janë si male të larta. Ata ftuan banorët e qyteteve apo të vendeve të shkreta drejt së vërtetës, derisa zëri i tyre mbërriti deri në vendet më të largëta. Periudha e kalifatit të tyre është shënuar nga frytet e arritjes së Islamit dhe e pajisur me aromën e sukseseve e arritjeve. Ndonëse në periudhën fillestare të Ebu Bekrit ra Islami ishte rrethuar nga sfidat e vështirësitë e shumta, madje, ushtritë keqdashëse po përgatiteshin për ta sulmuar këtë vargan të dobët, por duke parë besimin e Siddikut ra Allahu i Plotfuqishëm erdhi vetë në ndihmë të tij dhe e nxori këtë thesar të çmuar nga gremina e rrezikut.” [11]


[1].  Tirmidhi, numri i hadithit 3682,

[2].  Në terminologjinë Islame koha para Islamit njihet me termin “koha e injorancës”.

[3]  ‘Fat’hul bari’ vëll. 7 f. 261, cituar nga ‘Sehih-ut-Tauthik’ f. 31

[4]U’zza është emri i idhullit, të cilin

e adhuronin mekasit (banorët e Mekës).

[5].  Buhari, kitabul menakib

[6]‘Feslul Hatab fi sirah Ibnul Hattab Amirul Mominin Umer bin el-Hattabra nga dr. Ali Muhammad es-Selabi www.slaaby.com

[7].  Hafiz: Hafizi quhet ai që ka mësuar përmendsh gjithë Kuranin.

[8].  Sejrus-Sahaba, vëll I, f. 147

[9].  El-Ehsanuu fi Sahih ibn Haban 15/309

[10]El Khulafa el-Rashidin nga dr. Ahman Zidan, f. 97. Islamic Inc. Publishing & distribucion, ISBN 977-265-221-8, Kajro, Egjipt

[11]. Sirrul-Khilafa, Rruhani Khezain vëll. 8.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp