Investimi, fajdeja dhe Islami
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Hazret Mirza Tahir Ahmadi, Kalifi i Katërt i Xhematit Mysliman Ahmadia, merrte pjesë në  takime, në mjaft raste, ku anëtarët e xhematit dhe të tjerët i shtronin pyetje të ndryshme. Këtu poshtë po paraqesim përgjigjet e dy pyetjeve që iu drejtuan në një seancë që u zhvillua në Nasir Baagh, qendra e Xhematit Mysliman Ahmadia në Gjermani, më 11 shtator të vitit 1993. Ky material u botua për herë të parë në shkurt të 1994 në revistën Review of Religions.

 Pyetje:

Në Islam është shumë e rëndësishme të mos grumbullosh paratë por ti mbash ato në qarkullim. Si i shpjegon Islami investimet e parave në bursën financiare te sistemi kapitalist?

 Përgjigje:

Sistemi financiar i Islamit punon përmes disa parimeve të tjera, dhe para se të gjeni përgjigjen e pyetjes suaj, ju duhet ta kuptoni këtë sistem. Për të tërhequr kapitalin që mund të ushqejë mekanizmin lëvizës të ekonomisë, ekzistojnë vetëm dy mundësi – të shpërndash dhe të qarkullosh paratë, që ato të vënë në lëvizje motorin e ekonomisë dhe ta mbajnë atë gjithmonë në lëvizje.

Një mënyrë është ta shpërblesh kapitalin me përfitime, për të nxitur më shumë investime dhe më pas, për ta shfrytëzuar atë sipas dëshirës, që do të thotë se në shoqëri ekzistojnë dy mjete – ai i vogli është tërheqja e magnatëve kapitalistë, ndërsa ajo e fuqishmja dhe më e përhapura është tërheqja e shoqërisë së tërë. Nxjerrja e parave, nga përfitimet e një shoqërie dhe pastaj për drejtimin e tyre në kanalet e industrisë, kërkon krijimin e magnatëve bankarë, dhe këta magnatë ushqehen nga dëshira dhe lakmia e njerëzve për të fituar përfitime mbi paratë e tyre. Parimi kryesor që qëndron në themel të këtij sistemi është që paraja “pjell fëmijë”, domethënë ajo krijon paratë vetvetiu.  Besohet që ajo vetë zotëron këtë aftësi. Islami e hedh poshtë këtë nocion. Një herë Profeti i shenjtë savs iu përgjigj një pasuesi që ia kishte kërkuar shpjegimin e interesit. Profeti u shpreh: “A paraja jote pjell para”, domethënë nëse ajo rri kot, a mund të shumëfishohet dhe të shtohet vetvetiu? Sigurisht përgjigjja ishte “JO”.

Nga kjo ne mësojmë që Islami e konsideron pasurinë si element i palëvizshëm në një ekonomi. Vërtet një element, por i mpirë, që mund të luajë rolin pozitiv si dhe atë negativ, duke u varur prej atij që e përdor.  Prandaj, paraja duhet të jetë e pleksur në mënyrë të harmonishme me vlerat njerëzore, para se të japë rezultate të dëshiruara. Nëse ato vlera nuk janë të dobishme, dhe paratë bien në duart e njerëzve të papërgjegjshëm, ahere paratë do shkojnë kot, dhe gjithë kapitali do të kthehet në asgjë. Në rastin tjetër, nëse përdoruesit e parasë janë mjaft të zgjuar, që mund të shfrytëzojnë atë në dobinë e ekonomisë, atëherë ata do të nxjerrin përfitime, por përfitimet e atij personi, që derdh lekë në bankë etj. për këtë qëllim, do të jenë pak dhe të caktuara. Ato nuk do t’i ngjajnë një rezultati aspak. Nëse dikush merr paratë tuaja, me kusht që do t’ju japë interesin por dështon duke humbur çdo gjë, atëherë ai, ose duhet t’ju rikthejë atë që ju takon gjatë gjithë jetës ose të shpallë  falimentimin e tij. Kështu që ky sistem gjithashtu preket nga lloj-lloj mashtrimesh dhe këtë ne e hasim në jetën e përditshme në Europë. Në Angli, veçanërisht këto ditë, kjo metodë është shumë e përhapur dhe mashtruesit po e përdorin këtë për të nxjerrë përfitime, dhe për të gëlltitur para të shumta dhe në fund deklarojnë se kanë falimentuar. Kështu me këta njerëz fundoset edhe ekonomia e miliona njerëzve.

Islami nuk pranon tezën që paraja riprodhohet vetvetiu. Islami përkrah zotërimin e aksioneve, një marrëveshje me anë të së cilës kreditori do të marrë pjesën në rezultatet përfundimtare. Nëse rezultati është i keq, atëherë edhe ai do të pësojë humbje, por nëse ai shënon fitime, edhe ai do të përfitojë prej tyre. Tashti, kjo kërkon vendime të matura dhe të kujdesshme, nga ana e kreditorit, dhe standarde të larta të ndershmërisë dhe moralit në veprimtarinë ekonomike, përndryshe ky sistem nuk mund të veprojë. Kështu që rrje-dha e këtij sistemi gjithmonë do t’i sjellë dobi shoqërisë; në treg do të mbeten vetëm ata që kanë fituar reputacionin e ndershmërisë dhe kanë famë të mirë. Të tjerët, thjesht do të zhduken. Ky është qëndrimi i Islamit.

Por pjesa e dytë e pyetjes mbetet ende për t’u përgjigjur: “Si do ta detyrojë Islami kapitalin, të depozitohet në kanale të ekonomisë?”

Islami e fut në punë metodën e vendosjes së taksës progresive mbi kapitalin e bllokuar. Andaj, sipas tij, kapitali është krijuar për të çuar përpara zhvillimin dhe forcimin e ekonomisë  dhe askush nuk ka të drejtë ta pengojë atë. Nga kjo del, që kapitali është pronë e përbashkët e gjithë kombit. Ai mund të jetë pronë individuale, derisa t’i shërbejë një qëllimi. Kur ai ngel së qarkulluari atëherë ai duhet gjobitur. Sistemi Islamik i Zekatit i përgjigjet pikërisht kësaj detyre, dhe i ngjan taksës që vihet mbi kapitalin e bllokuar (që nuk qarkullon).  Sipas Islamit, nëse kapitali që u takon individëve, nuk u shërben projekteve ekonomike, atij i ulet vlera për atë individ, çka do të thotë, që individët i paguajnë kombit çmimin e ndalimit dhe pengimit. Kështu që ata detyrohen të derdhin kapitalin e tyre në ekonomi, dhe aty, siç kam shpjeguar edhe më parë, duhen njerëz më të ndershëm dhe më të ndërgjegjshëm, mjaft kompetent dhe të aftë, që të shfrytëzojnë kapitalin dhe të nxjerrin përfitime prej tij.

Tani, nëse kthehemi në të kaluarën dhe vështrojmë historinë e Islamit, ju do të mësoni që edhe atëherë kishte gjithashtu njerëz të ndershëm dhe fisnikë që ishin si të thuash, “kapitalistë” më të mëdhenj, që investonin kapitalin për dobinë e ekonomisë. Hazret Imam Abu Hanifa (Allahu e mëshiroftë), një nga juristët më të nderuar në Islam, sistemi i ligjeve i të cilit sot ndiqet nga një shumicë dërrmuese myslimane, ishte edhe tregtar i zgjuar. Njerëzit i jepnin paratë për tregti. Disa lëshonin qese të mbushura me lekë te pragu i derës së tij me mesazhin, që “të lutemi për Zotin, investojini këto dhe na jepni nga përfitimet. Prandaj, nëse ai i përdorte ato para, ai gjithashtu u jepte përfitimet e tyre. Në përgjithësi, njerëzit përfitonin nga zotësia dhe përvoja e tij  dhe kështu ndodhi në shumë raste të tjera. Në sistemin ekonomik të Islamit inkurajohet ndershmëria, ndërsa sistemi që bazohet në interes, dhe që e vë pandershmërinë dhe aftësinë e mashtrimit në krye.

Gjithsesi, mendoj që kjo pyetje kërkon më shumë shqyrtim  dhe hulumtim, në një aspekt të veçantë. Përparimi ose paleverdishmëria krahasuese midis këtyre dy sistemeve të kundërta, del në shesh gjatë krizës financiare, ashtu siç e pamë në Angli. Ato firma që veprojnë mbi kapitalin e huazuar me interes, falimentojnë gjatë krizës financiare. Nuk ka asnjë mundësi për mbijetesën e tyre, sepse ato detyrohen të shlyejnë borxhet, ndonëse  nuk fitojnë asnjë lek dhe as nuk përfitojnë nga borxhet. Ndërsa Islami mban një qëndrim krejt të kundërt. Nëse ai që merr borxh nuk i shfrytëzon paratë dhe nuk fiton prej tyre, dhe gjatë krizës financiare detyrohet të ulë prodhimin, atëherë në këtë situatë, edhe kreditori duhet të mbartë barrën e vështirësisë. Kreditorit nuk do t’i jepet asgjë. Këtyre firmave, do t’u jepet më shumë kohë që të marrin veten sërish, tamam si ato kafshë, që bien në letargji gjatë dimrit. Kështu që sistemi i paraqitur nga Islami siguron mundësinë e letargjisë dhe rimëkëmbjes, ndërsa sistemi kapitalist perëndimor nuk ka masa të tilla.

Pyetja e mëposhtme gjithashtu ishte bërë për të njëjtin rast, dhe andaj është vazhdim i përgjigjes së mëparshme dhe kjo i përgjigjet sistemit kapitalist perëndimor dhe përkon me çështjet bashkëkohore.

Pyetje:

Përse Islami ndalon përdorimin e interesit?

Përgjigje:

Kjo është një pyetje e shkurtër që kërkon përgjigje të hollësishme, dhe kam frikë se nuk kemi kohë të mjaftueshme në këtë takim për të trajtuar vetëm këtë pyetje. Meqë nuk mund ta shpjegoj në mënyrë shteruese, por do të përpiqem të jap përgjigje më të qartë ndonëse të shkurtër.

Kjo pyetje nuk u përket vetëm nevojave individuale, por çështja e interesit dhe ndalimit të tij në Islam, ka një shtrirje më të gjerë si dhe një ndikim më të thellë. Të gjitha sistemet financiare që veprojnë me interes, quhen sisteme kapitaliste. Të gjitha këto kanë mangësi të brendshme, por jo vetëm disa, por ato mangësi janë të shumta, dhe gjithmonë i çojnë njerëzit drejt vuajtjeve dhe mjerimit, pavarësisht që ata nuk do të kenë marrë pjesë në këtë sistem në mënyrë të drejtpërdrejt. Unë mund të flas me hollësi mbi këtë çështje, dhe mund t’ju jap një shembull për ta shtjelluar pikëpamjen time.

Shoqëria e cila merr hua me interes, në një farë mënyre shpenzon të ardhmen e saj në të tashmen. P.sh. kam nevojë për para që të blej një makinë luksoze, për të qëndruar në një hotel të rehatshëm, për të pasur një shtëpi ose ndonjë send tjetër luksoz, ndërkohë që shkalla e të ardhurave të mia është shumë e vogël, kurse dëshirat janë të papërmbajtura dhe të pakufizuara. Unë nuk mund të pres derisa të kem fituar mjaft, për të realizuar dëshirën time, kurse sistemi i interesit më jep mundësi të marr borxh nga bankat. Në fakt duke vepruar kështu, unë po marr hua nga e ardhmja ime, kështu që me kalimin e kohës, bëhem më i varfër dhe dikur bëhet pothuajse e pamundur të laj borxhin që kisha marrë. Tani ky nuk është më problem individual. Tani dhe më tutje, ky shndërrohet në një problem kombëtar dhe vijon të bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar.

Industritë që lulëzojnë mbi këtë sistem, në fakt, plotësojnë nevojat e ditës, ose të një viti, dhe zhvillohen mbi kërkesat që nuk janë të vërteta, por janë ngritur në mënyrë artificiale. Pas pak kohe, fuqia blerëse dobësohet pak nga pak derisa ajo arrin në rrugë qorre. Shtetit i shter fuqia blerëse, gjersa vetë shlyerja e borxhit bëhet një problem për gjithë kombin. Industritë e ndiejnë rëndë këtë zbythje si dhe tregtia në tërësi. Si rrjedhim, në raste të tilla, shfaqet kriza ekonomike.

Tani, ato vende që tregtia e tyre ka shtrirje të gjerë në vende të huaja, për t’u mbështetur gjatë këtyre krizave financiare, mund t’ia dalin mbanë përkohësisht. Por kur një sërë vendesh bien njëherazi në krizë, atëherë është pothuajse e pamundur që këto vende me ekonomi artificiale të gjejnë mbështetje. Kriza financiare që u shfaq së fundi në Angli, në fakt, ishte parashikuar prej meje para disa vjetësh, në një fjalim që mbajta në Sallën e Mbretëreshës Elizabeth II, kur tregova qartazi që sistemi i tyre i interesit do t’i fundosë në thellësitë më të mëdha që ata do t’i kishin përfytyruar. (Shih Islam’s Response to Contemporary Issues [Përgjigjja e Islamit ndaj problemeve bashkëkohore] nga Hazret Mirza Tahir Ahmadi, botoi El-Shirkatul Islamiah). Ndodhi pikërisht ashtu dhe ky problem do të zgjerohet edhe më shumë.

Për shkak të ndryshimeve politike në Evropën Lindore, kriza financiare i kurseu ata për pak kohë. Por nuk dua të shkoj në thellësi, për të shpjeguar ato motive që shkaktuan këtë vonesë. Por ajo do të shfaqet medoemos. Tregjet e jashtme do të mbeten të kufizuara. Fuqia e tyre blerëse po soset. Kanë thithur boll gjakun e Afrikës, që ajo tani vuan nga anemia, bile nga anemia vdekjeprurëse.

Nëse gara për të siguruar tregje të jashtme që zhvillohet në Europë nuk merr fund, po zëmë brenda pesë vjetësh, do të kuptoni që sa i thellë është ky problem dhe sa kërcënues do të bëhet ky rrezik. Vetë Gjermania është në fazën e rindërtimit të ekonomisë së saj, duke thithur një shumicë dërrmuese gjermanësh nga pjesa lindore. Ndër ta ka punëtorë që kanë njohuri dhe aftësi teknike në shkallën më të lartë, që deri tani janë paguar shumë pak. Tani ata janë pjesa e ekonomisë së gjerë gjermane, dhe gëzojnë të njëjtin trajtim, prandaj pas një goditje fillestare, niveli i prodhimit do të rritet në mënyrë të vrullshme, aq shumë, saqë Europa do të ngjethet duke përfytyruar skenën e ekonomisë së përforcuar gjermane. Pikërisht atëherë do të nis gara serioze për të gjuajtur tregjet e reja.

Gjithashtu, Rusia e atëhershme nuk do të jetë Rusia e sotme, që ende po rreket të rimëkëmbet midis tronditjeve të forta pas rrëzimit të komunizmit. Rusia po rigrupon forcat. Ekonomia e saj do të ripërtërihet. Gjendja e Rusisë së sotme, më kujton veprën madhështore të Miltonit, Parajsa e rifituar, në të cilën forcat e djallit, pas goditjeve fillestare, rigrupohen për të rifituar parajsën. Prandaj, mos mendoni që Rusia është jashtë garës.

BRSS-ja (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) është vend i madh, ose është një grumbull vendesh, ekonomia e të cilëve është e fuqishme që të tejkalojë shumë vende evropiane. Por pasi të kalojnë periudhën e rimëkëmbjes duke kaluar në sistem kapitalist, do të zhvillohen një varg ngjarjesh siç kanë ndodhur në Gjermani. Tani silleni nëpër mend gjendjen e një Evrope me fuqinë blerëse që po pakësohet, me problemet e shumta financiare dhe me një konkurrim që gjithnjë po rritet. Kriza të tilla gjithmonë përfundojnë me luftëra dhe ky është parimi themelor që kurrë nuk mund të shpërfillet.

Pikërisht, duke e pasur parasysh Kurani i Madhërishëm kur ndalon përdorimin e kamatës ose interesit, ai deklaron: “Nëse nuk do të hiqni dorë nga kamata atëherë bëhuni gati për luftë me Allahun dhe me të Dërguarin e Tij”! domethënë sistemi hyjnor do të veprojë kundër jush, dhe ju do të detyroheni të kaloni në gjendjen e luftës. Pra, kjo ishte përgjigjja më e shkurtër që mund të kisha paraqitur para jush, por ende mbeten shumë gjëra që duhen shpjeguar.

Image: Courtesy of GotCredit; Under Creative Commons.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp