Pse ishte përdorur shpata nga muslimanët?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
shpata xhihadi

Nuk është e drejtë që në këtë kohë, për të përhapur besimin e vërtetë dhe rrugën e drejtë, të ndërmerren luftëra fizike, sepse shpata nuk mund të tregojë bukuritë e së vërtetës, përkundrazi, i shpie akoma më shumë në fshehtësi e paqartësi. Ata që kanë mendime të tilla, nuk janë miq por armiq të Islamit. Ata kanë karakter krejtësisht të ulët, jetë të pandershme, vullnet të epur, zemra të ngrysura, mendje të përcipta dhe me natyra të errëta. Ata u krijojnë kundërshtarëve të Islamit mundësinë për të bërë një akuzë, me të cilën edhe mund ta fitojnë të drejtën, sepse sipas tyre, Islami ka nevojë për xhihad për përparimin e tij, por kjo është një fyerje që i bëhet Islamit. Feja që ka forcën e mjaftueshme për të provuar vërtetësinë e saj me argumente të logjikshme, me dëshmi të besueshme dhe me shenja qiellore, nuk ka fare nevojë të përhapë vërtetësinë e saj përmes dhunës dhe nën kërcënimin e shpatës. E nëse ndonjë fe nuk e ka këtë cilësi dhe për ta mbuluar dobësinë e saj, përdor shpatën, nuk na nevojitet asnjë argumentet tjetër për të dalë në përfundim se ajo është e rreme. Me shpatën e vet ajo copëtohet.

Një fe që përdor shpatën në vend të argumentit, është e rreme.Me shpatën e vet ajo copëtohet. Click to Tweet

Por edhe akuza: “Nëse Islami nuk e lejon xhihadin, përse në fillimet e tij ka përdorur shpatën?”, nuk është e drejtë, madje, dëshmon paditurinë e akuzuesve. Ata nuk e dinë se Islami në asnjë mënyrë nuk e lejon imponimin për përhapjen e besimit. Shikoni sa qartë është shprehur ky ndalim në Kuran:

 “Nuk ka imponim në fe”.[1]

Shtrohet pyetja: “Përse atëherë ishte përdorur shpata?” Përgjigja është se njerëzit e egër arabë që nuk gëzonin asnjë kulturë e respekt, ishin bërë armiq të Islamit e të muslimanëve. Kur atyre u ishin paraqitur argumente të qarta të Njëshmërisë së Zotit e të vërtetësisë së Islamit, u ishte bërë vërejtje që njeriut si njeri nuk i ka hije të adhurojë gurët, madje është një gabim i hapët dhe është edhe në kundërshtim me njerëzimin, atëherë ata nuk kishin asnjë përgjigje të këtyre pyetjeve racionale. Duke e parë këtë, njerëzit e mençur filluan të anojnë nga Islami. Vëllai iu nda vëllait, biri babait. Atëherë, për ta shpëtuar fenë e tyre të rreme, arabët nuk gjetën asnjë taktikë tjetër përveçse t’i ndalonin njerëzit nga Islami me ndëshkime nga më të ashprat. Krerët e Mekës së shenjtë si Ebu Xhehli e të tjerë, praktikisht vepruan në këtë mënyrë.

Ata që e njohin historinë e fillimit të Islamit, e dinë shumë mirë se sa shumë masakra kishin bërë kundërshtarët në Mekë dhe sa shumë të pafajshëm kishin vrarë barbarisht, megjithatë, njerëzit nuk reshtnin së pranuari Islamin. Kjo për arsye se edhe një naiv e kuptonte se sa i pastër dhe i logjikshëm ishte Islami përballë idhujtarisë së tyre. Dhe kur nuk e arritën suksesin që deshën me këtë mënyrë idhujtarët, vendosën që përfundimisht ta vrisnin Profetin Muhammedsa. Zoti e shpëtoi Profetinsa dhe e çoi në Medinë, por kundërshtarët e ndoqën për ta vrarë dhe kurrsesi nuk donin të hiqnin dorë nga plani i tyre. Pikërisht në këto rrethana, çfarë i kishte mbetur Islamit përveçse të ndërmerrte vetëmbrojtje kundër këtyre sulmeve e t’i ndëshkonte agresorët e padrejtë?! Si përfundim, betejat e Islamit nuk synonin përhapjen e besimit, por mbrojtjen e jetës së muslimanëve. Çdokush me një mendje të shëndoshë, a mund të pranonte se Islami ishte i paaftë për të provuar racionalitetin e njëshmërisë së Zotit para idhujtarëve të egër?! Vallë, a mund të besojë ndonjë i mençur që Islami të ishte kaq i mundur prej argumenteve të idhujtarëve që adhuronin gurët e sendet dhe që ishin të zhytur në gjithfarë prapësish, saqë kërkonte t’ia arrinte qëllimin përmes shpatës?! Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga këto mendime, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të jenë të vërteta. Ndërsa ata që i drejtuan Islamit akuza të tilla, ndoqën vetëm rrugën e padrejtësisë për të fshehur të vërtetën.

Është e vërtetë se ashtu sikurse hoxhallarët morën pjesë në këtë padrejtësi, edhe priftërinjtë nuk mbetën më mbrapa se ata. Këta të fundit, duke ngritur akuza të tilla, mendimet e hoxhallarëve të përciptë i ngulitën thellë në mendjen e popullit, aq sa njerëzit kuptuan se përderisa hoxhallarët e tyre lëshonin dekretin e xhihadit, dhe priftërinjtë e ditur po ashtu e ngrinin të njëjtën akuzë, feja e tyre me të vërtetë e lejuaka xhihadin! Eh, ç’akuzë e rëndë, bazuar në këto dy dëshmi! Vallë, ç’padrejtësi i bënë Islamit?! Nëse priftërinjtë nuk do të vepronin në këtë mënyrë, por të tregoheshin të sinqertë duke iu përmbajtur së vërtetës, e të pohonin se hoxhallarët në fjalë nxorën një dekret prej naivitetit e injorancës dhe se situata me të cilën u përball Islami në fillim, që e kërkonte xhihadin, nuk ekziston më, vetëm atëherë mund të shpresohej se ky shpërfytyrim i xhihadit do të ishte zhdukur nga bota. Por mjerisht, në vend që të punonin me mend, ata iu rrëmbyen vrullit të dëshirave, andaj, nuk e kuptuan të vërtetën.

Për shkak të veprimeve terrorizuese e vrasjeve të shumta të të pafajshmëve, disa nga arabët në sy të Zotit të Madhërishëm meritonin dënimin me vdekje dhe është e vërtetë se për kriminelët e tillë, kishte dalë një dekret, sipas të cilit, ata meritonin këtë lloj dënimi. Por, edhe këtyre njerëzve u ishte siguruar një mundësi shpëtimi, që atyre t’u falej jeta, po të pranonin besimin. Mbase, kundërshtarët e përciptë u mashtruan nga ky dekret dhe nuk e kuptuan se kjo nuk ishte dhunë, por ishte një mundësi shpëtimi për ata që meritonin dënimin me vdekje. Ta quash dhunë një veprim të tillë, është naivitet i madh! Ata e meritonin këtë dënim, jo sepse ishin mohues, por sepse ishin vrasës. Zoti i Mëshirshëm e dinte më së miri se të tillët e kishin kuptuar mirë vërtetësinë e Islamit, andaj mëshira e Tij kërkonte që edhe këtyre kriminelëve t’ua mundësonte shansin e volitshëm të amnistisë. Edhe kjo provon se Islami kurrsesi nuk synonte që të vritej ndokush, madje të shpëtonin edhe ata që meritonin të vriteshin për shkak të vrasjeve të shumta që kishin bërë.

Vështirësi të tilla, në atë kohë, Islami haste vazhdimisht. Kaq shumë të vrerosur ishin fiset kundër Islamit, saqë çdokush që pranonte Islamin, i cilitdo fisi të ishte, i shkreti ose vritej ose i vështirësohej jeta aq sa i bëhej skëterrë. Në këto rrethana, Islamit iu desh të zhvillonte edhe beteja paqeruajtëse. Përveç këtyre dy situatave, edhe në atë kohë plot vështirësi, Islami nuk e përkrahu luftën. Islami në asnjë mënyrë nuk kishte si qëllim të luftonte për hir të besimit, por atij i ishte imponuar lufta. Pra, gjithçka që kishte bërë ai në kuadër të luftës, e kishte bërë për qëllim sigurie dhe vetëmbrojtjeje. Por mjerisht, hoxhallarët e përciptë i veshën një petk tjetër kësaj problematike, duke u krenuar me një veprimtari të turpshme e gjakderdhëse. Ky nuk është faji i Islamit, por i atyre të përciptëve te të cilët, gjaku i njeriut nuk vlen as sa gjaku i bagëtive. Të tillët ende nuk janë ngopur me gjakderdhje, madje pikërisht për këtë qëllim, ata po presin një Mehdi (udhëheqës) gjakatar. Me veprime dhe qëndrime të tilla, ata po tentojnë t’u sigurojnë të gjithë popujve provën se Islami, për përhapjen e tij, gjithnjë është mbështetur te dhuna dhe mizoria, mendim ky që nuk ka asnjë grimë vërtetësie.

Unë shoh se disa nga hoxhallarët e sotëm ende nuk janë ngopur me këtë degradim me të cilin po përballet Islami, përkundrazi, me besimet e tyre gjakderdhëse, po përpiqen ta zhysin Islamin akoma më thellë në humnerë. Por dijeni që Zoti nuk do ta lejojë që Islami të bëhet shënjestër e akuzave dhe shpifjeve të tilla. Kundërshtarët e paditur më kot vijojnë të ngulin këmbë në pohimin e tyre të gabuar se gjoja Islami si në fillim, edhe më vonë ka përdorur shpatën për të shtuar numrin e besimtarëve të tij. Tani është koha dhe ora kur duhet ta shporrim këtë mendim të gabuar nga zemrat e njerëzve, e jo ta lejomë që të rrënjoset akoma më shumë. Nëse dijetarët muslimanë bien në ujdi që të punojnë për ta larguar këtë mendim nga zemrat e atyre muslimanëve që vuajnë nga egërsia, do t’i bëjnë një favor shumë të madh popullit dhe jo vetëm kaq, por falë tyre do të zbulohen mirësi të shumta të Islamit para botës. Rrjedhimisht, gjithë nervozizmi që kanë kundërshtarët e Islamit për shkak të keqkuptimeve të tyre, do të largohet dhe ata do të fillojnë ta shohin Islamin me një sy të pastër dhe kështu shumë shpejt do të përfitojnë nga ky burim i dritës.

Nëse hoxhallarët bien në ujdi që të largojnë mendimin e xhihadit me armë nga zemrat , do t’i bëjnë një favor shumë të madh popullit Click to Tweet

Vrasësit kush mund t’i afrohet? Çdokush i ka frikë. Sidomos fëmijët dhe gratë llahtarisen vetëm duke parë fytyrën e tij të egër. Kurse një jomusliman, as nuk guxon të bujë te një person i tillë, duke menduar se ky i fundit mbase nga lakmia për t’u bërë ghazi, edhe mund ta vrasë atë. Sepse ka edhe njerëz nëpër zonat kufitare, të cilët mendojnë se mund ta gëzojnë xhenetin me të gjitha bekimet e tij vetëm me një veprim të shpejtë: duke vrarë ndonjë të pafajshëm. Sa e turpshme është kjo për muslimanët, kur popujt e feve të tjera që janë fqinjë me ta, nuk ndihen në paqe dhe në zemrat e tyre nuk presin ndonjë mirësi prej muslimanëve! Shembuj të tillë ndeshim shpesh, kur një jomusliman përballë këtij besimi të fshehur të muslimanëve, tregohet i frikësuar dhe i tmerruar.

Unë personalisht jam dëshmitar i një pamjeje të tillë. Në mos gaboj, ishte data 20 nëntor e vitit 1901, kur na erdhi një anglez këtu në Kadijan, ndërkohë shumë nga anëtarët e Xhematit tonë ishin mbledhur. Tek po zhvillohej një diskutim fetar, anglezi në fjalë erdhi dhe qëndroi diku në cep. Me shumë respekt e ftuam që të dilte përpara dhe të ulej pranë nesh. U njohëm me të dhe mësuam se ai ishte një udhëtar anglez që kishte shëtitur edhe Arabinë dhe këtu kishte ardhur që të bënte foto të anëtarëve të Xhematit tonë. Kështu që, e ndihmuam në punën e tij dhe me shumë dashamirësi i kërkuam të qëndronte disa ditë te ne. Por kuptuam se ai frikësohej. Ai na tregoi se kishte parë shumë muslimanë që vrisnin të krishterë në mënyrë të pamëshirshme. Madje, na rrëfeu edhe disa ngjarje të tilla të frikshme që kishin ndodhur në Bagdad. I shpjeguam me shumë butësi e respekt se ky Xhemat që quhet “Xhemati Ahmedia”, është tërësisht kundër besimeve të tilla dhe i urren fort ata që bëjnë krime. Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ndaj njerëzimit, ky Xhemat ka marrë përsipër t’i çrrënjosë këto lloj besimesh. Vetëm pas kësaj bisede, miku anglez u qetësua dhe bujti me gjithë dëshirë një natë te ne.

Qëllimi i përmendjes së kësaj ngjarjeje është që të tregojmë se besime të tilla të muslimanëve në lidhje me xhihadin, të cilat, në fakt, janë krejtësisht të pabaza, u kanë sjellë mjaft dëme popujve të tjerë dhe njëherësh i bënë ata të ushqejnë paragjykime dhe antipati ndaj Islamit. Edhe atë pak dashamirësi e simpati që ata e ruajnë për muslimanët, e kanë vetëm për ata që nuk e ndjekin fenë si hoxhallarët dhe që nuk i zbatojnë aspak parimet e Islamit. Pra në këtë mënyrë, një antipati e thellë është ngjallur ndaj muslimanëve, shkaku i së cilës, për fat të keq, janë vetë ata. Vallë, a mund të përfytyrohet ndonjë gjynah më i madh sesa ky që një botë e tërë po privohet nga bekimet islame për shkak të dijetarëve të tillë e të nxënësve të tyre?! Një fe që nuk arrin të vendosë mësimin e saj në zemrat e njerëzve përveçse me tehun e shpatës, a mund të jetë prej Zotit?! Feja e vërtetë është ajo që përdor si shpatë karakteristikat, fuqinë dhe argumentet e veta të pathyeshme e të mos jetë nevojtare e ndonjë shpate prej hekuri.

Pikërisht ky përkeqësim po kërkon gjithnjë e më shumë një Reformator. Nëse mendojmë thellë, shohim se Islami po kalon në një gjendje të rrezikshme, ashtu sikurse dielli që thuajse është i gjithi i eklipsuar. Veprimet e muslimanëve të ngjallin veç keqardhje. Ata kanë sajuar disa “hadithe” që ua dëmtojnë rëndë gjendjen morale dhe që janë në kundërshtim të plotë me ligjet e caktuara prej Zotit. Për shembull, një ndër ligjet e Zotit është që njerëzve t’u sigurohen tri të drejtat e tyre: nuk duhet të vrasin asnjë të pafajshëm, nuk duhet t’i njollosin nderin askujt dhe nuk duhet t’i rrëmbejnë pasuri askujt. Por shohim se ka disa muslimanë, të cilët i shkelin të tria këto porosi. Të tillët as nuk druhen për t’i marrë jetën një të pafajshmi. Hoxhallarët e tyre të përciptë kanë lëshuar edhe vendime, sipas të cilave, u lejohet të marrin dredhisht ose të rrëmbejnë gratë e atyre që i quajnë qafirë e të pafe e më pas t’i bëjnë gra për vete. Po ashtu, sipas tyre, nuk ka asnjë gjynah nëse u marrin jobesimtarëve pronë e pasuri tinëzisht e vjedhurisht. Kjo të bën të mendosh se me klerikë të tillë, që lëshojnë vendime të tilla në një fe të caktuar, një rrezik shumë i madh po i kanoset asaj feje! Hoxhallarët që nuk synuan asgjë tjetër përveç interesit të tyre të ulët, sajuan vendime të tilla, për t’ia atribuuar më pas Zotit dhe të Dërguarit të Tij. Sigurisht, hoxhallarëve të tillë do t’u mbetet e gjithë barra e mëkateve që bëjnë njerëzit naivë e të egër. Në fakt, ata janë ujq, por shfaqen me petkun e qengjave për të mashtruar; janë helm, por veten e quajnë antidotë të shkëlqyer; janë dashakëqij të skajshëm ndaj Islamit dhe krijesave të Zotit; zemrat i kanë të zbrazëta nga mëshira e dashamirësia, por e fshehin veten e tyre; bëjnë vaze tinëzare duke marrë parasysh vetëm synimet vetjake; nëpër xhami dalin me veshje dëlirësie, por përbrenda ruajnë vese të fëlliqura. Kjo paraqitje nuk është e ndonjë vendi, qyteti apo sekti të caktuar, por e një grupi njerëzish që gjenden në të gjithë botën muslimane e që quhen dijetarë, të cilët nën xhyben e tyre përpiqen maksimalisht për t’u shtirur si qytetarë e për t’u quajtur shumë të pafajshëm e të shenjtë, por veprat e tyre dëshmojnë se cilët janë e çfarë janë. Ata nuk duan që fisnikëria dhe dashamirësia e vërtetë të përhapen në botë, pasi kjo i dëmton.

Shkurt, Islami këto ditë është i mbërthyer nga probleme të mëdha. Shumica e shpirtrave kanë vdekur, pasi nuk ndihet te ta asnjë shenjë lëvizjeje drejt mirësisë. Ata e kanë braktisur maturinë. Ndër ta, ka një grup që adhuron varre dhe bën tevaf rreth tyre, ashtu siç bëhet tevafi rreth Qabes. Ata besojnë se shpirtrat e dervishëve të tyre janë aq të plotfuqishëm, sikur Zoti t’u ketë dhuruar të gjitha forcat e Tij. Shumicën e faltoreve do të gjeni pikërisht pranë ndonjë varri dhe dervishin e asaj faltoreje duke u mësuar nxënësve të tij ta adhurojnë atë. E kur t’i kërkoni ndonjë keramet, do t’ju rrëfejë mijëra keramete të atij që është duke pushuar në varr, pa ju dhënë asnjë dëshmi. Sipas tyre, thelbi i Islamit është adhurimi i varreve dhe se të gjithë muslimanët e tjerë që nuk e kapin këtë thelb, janë të devijuar.

Islami po kalon në një gjendje të rrezikshme, ashtu sikurse dielli që thuajse është i gjithi i eklipsuar. Click to Tweet

Ky ishte një grup që mori rrugën e njërit skaj, por ka edhe një grup tjetër që ndoqi rrugën e skajit tjetër, i cili kaloi çdo kufi në mohimin e bekimeve shpirtërore, aq sa ata nuk i japin asnjë vlerë jo vetëm të qenët evlija, por edhe profetizmit. Mrekullitë kategorikisht i mohojnë, madje i përqeshin dhe i nënçmojnë. Kurse shpalljen hyjnore (uehi-në) e quajnë mendim të vetë profetit, që ky i fundit, sipas tyre, e paraqet me aftësinë e tij mjeshtërore. Çdo profeci që nuk mund të rroket nga mendja njerëzore dhe që i përket tërësisht sferës së të padukshmes, sipas tyre është e pamundur. Shkurt, ata thonë se askujt nuk i zbret ndonjë shpallje hyjnore, as mrekullitë e profecitë nuk kanë ndonjë të vërtetë, kurse varret janë veçse pirgje dheu, që nuk përbëjnë asnjë lidhje me shpirtrat e të varrosurve; ringjallja e të vdekurve është vetëm një përrallë primitive dhe se interesimi ndaj botës tjetër është marrëzi; e gjithë zgjuarsia është që të gëzojnë marifete për të fituar botën, madje të ndjekin e të bëhen si ata që natë e ditë angazhohen për botën dhe për çështjet e saj.

Këto qëndrime të skajshme nuk janë vetëm në lidhje me profetizmin dhe botën e përtejme. Te muslimanët, edhe në çështjet shoqërore, vërejmë qëndrime të skajshme. Nuk ka maturi as në biseda, as në punë, as në moral, as në martesë, as në divorc, as në kursim, as në shpenzim, as në zemërim, as në mëshirë, as në ndëshkim e as në falje. Shkurt, këtë popull e shohim në një vorbull të çuditshme mëdyshjesh ku injoranca dhe devijimi shfaqen deri në pafundësi. Nëse deri këtu ka ardhur gjendja e këtij populli që doli përpara botës me pishtarin e teuhidit e të rrugës së mesme, atëherë çfarë të themi e si të vajtojmë për popujt e tjerë!


[1].  Kurani Famëlartë 2:257.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp