Shpëtimi i vërtetë fillon që nga kjo botë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
shpetimi nga mekati

Ka vetëm një rrugë për të shpëtuar nga mëkati e mosbindja

Tani, mund të shtrohet pyetja se nëse gjaku i Krishtit nuk mund të pastrojë njeriun nga mëkatet, siç ai me të vërtetë nuk e ka pastruar, a ka apo jo ndonjë ilaç tjetër për ta arritur këtë synim? Sepse, një jetë me mëkate është më keq se vdekja. Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, unë jo vetëm deklaroj fuqimisht, por them edhe nga përvoja dhe sprovat e mia që, në të vërtetë, që nga koha kur njeriu lindi e deri në këto ditët e fundit të botës, ka ekzistuar vetëm një rrugë për të shpëtuar nga mëkati e mosbindja, dhe ajo është që njeriu, nëpërmjet argumenteve bindëse dhe shenjave të qarta, ta arrijë atë njohje, e cila me të vërtetë ia shfaq Zotin; kur i bëhet e qartë se zemërimi i Zotit është një zjarr gllabërues; kur i shfaqet bukuria Hyjnore deri në atë masë, saqë ai bindet se çdo kënaqësi e përsosur gjendet në Zot. Pra, kur t’i hiqen të gjitha perdet, që njeriu të arrijë të shohë edhe madhështinë, edhe bukurinë Hyjnore. Kjo është e vetmja rrugë që i ndalon njeriut tundimet e nefsit, e cila domosdo i sjell një ndryshim brenda tij.

Kjo përgjigje mund të shkaktojë reagime te shumë njerëz që do të thonë: “Po ne, a nuk besojmë në Zot? A nuk kemi edhe ne frikë ndaj Zotit? A nuk e duam edhe ne Zotin? Madje, përveç disave, shumë njerëz në botë, a nuk besojnë në Zot? Përse atëherë shohim që të njëjtët njerëz bëjnë mëkate nga më të ndryshmet, përfshihen në punë të pista nga më të shumtat?” Përgjigja e kësaj është se besimi (imani) është tjetër gjë dhe njohja (irfani) është gjë tjetër dhe se ne nuk e kemi fjalën që besimtari shpëton nga mëkati, por njohësi i përsosur shpëton nga ai, pra ai që ka shijuar edhe frikën ndaj Zotit, edhe dashurinë ndaj Tij.

Dikush edhe mund të shtrojë pyetjen: “Po shejtani që ka njohje të plotë, pse nuk i bindet?” Përgjigja e kësaj është po ajo që thamë se edhe ai në asnjë mënyrë nuk e ka atë njohje të përsosur, që u jepet njerëzve të sinqertë. Është në natyrën e njeriut të ndikohet patjetër nga dija e përsosur dhe nuk i afrohet rrugës së shkatërrimit kur e sheh atë me plot llahtarinë e saj. Por besimi për të, tek e fundit, mbetet vetëm një besim. Ndërsa njohja është kur ta shohë me sy atë që ka besuar. Prandaj, është e pamundur që njohja dhe ligësia të bashkohen në një zemër, ashtu siç është e pamundur të bashkohen dita dhe nata.

Vetë përvoja juaj e përditshme ju tregon

Vetë përvoja juaj e përditshme ju tregon se kur mësoni që ndonjë gjë e caktuar është e dobishme për ju, përnjëherë anoni nga ajo. E kur mësoni se diçka është e dëmshme, menjëherë i frikësoheni asaj. Për shembull, ai që nuk e di se në dorën e tij mban arsenik, edhe mund të konsumojë pafrikë disa gramë të tij, thjesht duke kujtuar se ai mund të jetë sheqer ose ndonjë ilaç i mirë. Kurse ai që e di shumë mirë se në dorë ka një helm vdekjeprurës, nuk do të konsumojë asnjë grimcë të tij, sepse ai e di që sapo ta përtypë, do të vdesë.

Në të njëjtën mënyrë, kur njeriu fiton dije të plotë, të pastër nga çdo dyshim se Zoti ekziston, i cili të gjitha mëkatet i cilëson të ndëshkueshme, siç është vjedhja, vrasja, kurvëria, padrejtësia, pandershmëria, shirku, gënjeshtra, dëshmia e gënjeshtërt, arroganca, shtirja, të ngrënët haram, mashtrimi, përgojimi, të qenët batakçi, pabesia, pakujdesia, harbimi, mosmirënjohja ndaj Zotit dhe të qenët i pafrikë ndaj Tij, jodashamirësia ndaj robërve të Tij, mospërkujtimi i Zotit me zemër të ndrojtur, zhytja krejtësisht në dëfrimet dhe kënaqësitë e botës, shpërfillja ndaj Mirëbërësit të vërtetë, shpërfillja ndaj lutjes e përulësisë, të qenët dallaveraxhi kur shet, duke përzierë mallin me diçka tjetër, duke e peshuar më pak ose duke e shitur më lirë nga çmimi i tregut, moskujdesi ndaj prindërve, keqsjellja me bashkëshorten, mosbindja ndaj bashkëshortit, të hedhurit shikim epshor ndaj burrave apo grave të huaja, të mos kujdeset për jetimët, pleqtë, të dobëtit dhe hallexhinjtë, të mos ketë fare në konsideratë të drejtat e fqinjit e madje t’i sjellë dëm, të poshtërojë tjetrin për të provuar epërsinë e vet, të tallet me dikë ose t’i përmendë ndonjë të metë trupore për ta nënçmuar atë, t’i ngjisë nofka apo t’i thurë shpifje, të trillojë diçka në emër të Zotit, të deklarojë rrejshëm, neudhubilah, që është profet apo i dërguar prej Allahut, ose ta mohojë fare ekzistencën e Zotit, të rebelohet kundër një mbreti të drejtë e të shkaktojë trazira në vend, pra, të gjitha këto mëkate i largohen njeriut vetvetiu, pasi të ketë fituar dije që ato patjetër i sjellin ndëshkim.

“Edhe pse dimë që Zoti ekziston, prapëseprapë hyjmë në gjynahe”

Dikush prapë mund të gabojë duke pyetur se: “Edhe pse dimë që Zoti ekziston, edhe pse dimë që ndëshkohemi për mëkatet, prapëseprapë hyjmë në gjynahe dhe kjo tregon  se kemi nevojë për ndonjë gjë tjetër”. Por unë prapë i jap të njëjtën përgjigje që kam dhënë më përpara se kurrsesi nuk është e mundur, e përsëris se në asnjë mënyrë nuk është e mundur që ju, duke pasur njohje të plotë që pas mëkatit do t’ju bjerë vetëtimthi zjarri i ndëshkimit, të guxoni të mëkatoni përsëri.

Kjo filozofi është e pathyeshme

Kjo filozofi është e pathyeshme. Mendoni thellë, rishtas e rishtas. Gjithkund ku keni besim të plotë se do të ndëshkoheni, nuk bëni asnjë lëvizje kundër besimit tuaj. Më thoni pakëz, a mund ta vini dorën në zjarr? A mund të hidheni nga maja e një mali? A mund të bini në pus? A mund të shtriheni mbi shina duke ditur se treni është duke ardhur? A mund ta vini dorën në gojën e luanit? A mund të zgjasni këmbën para një qeni të tërbuar? A mund të qëndroni në një vend ku shkreptin vetëtimë e llahtarshme? A nuk dilni vrulltas nga shtëpia, së cilës po i thyhet trari ose po i rrëshqet toka për shkak të tërmetit? Kush mund të guxojë nga ju të mos brofë nga krevati, pasi ka parë një gjarpër helmues në të? Më tregoni të paktën një njeri, të cilit i digjet shtëpia e ai të qëndrojë duke mos e braktisur atë? Më thoni pra se pse veproni në këtë mënyrë? Pse u largoheni gjërave të tilla të dëmshme por nuk u largoheni mëkateve që ju përmenda pak më sipër? Cili është shkaku?

Mbani mend! Përgjigjja që një i mençur mund të japë pasi të ketë menduar thellë, është përfundimi se dija nuk është njësoj në të dyja rastet. Domethënë, për mëkatet ndaj Zotit shumica e njerëzve kanë dije të mangët. Ata i cilësojnë si të këqija, por nuk i njohin ashtu siç e njohin luanin a gjarprin dhe përbrenda në zemër ata dyshojnë se dënimet e tyre nuk janë të sigurta, madje dyshojnë edhe në qenien e Zotit se a ekziston me të vërtetë apo jo. E, edhe sikur të ekzistojë, sipas tyre, nuk dihet në mënyrë të sigurt se shpirti do të jetojë apo jo, dhe edhe sikur të jetojë, nuk dihet nëse patjetër do të ndëshkohet për mëkatet që ka bërë. Pikërisht këtë mendim e kanë shumica e njerëzve, të cilin as vetë nuk e njohin plotësisht. Por, siç u pa në shembujt e frikave që kam përmendur, të cilave ata u shmangen, të gjithë janë të bindur se po t’u afrohen atyre, vdekja është e sigurt dhe prandaj nuk u qasen. Madje, edhe sikur të gjenden rastësisht përballë tyre, u ikin duke bërtitur me të madhe. Pra, është e qartë që në lidhje me këto frika, njeriu ka bindje të plotë se do të shkatërrohet, ndërsa, në lidhje me porositë e besimit nuk e ka të njëjtën bindje, por veç dyshim. Në rastin e parë ai ka konstatime, ndërsa në të dytin vetëm përralla dhe vetëm përrallat nuk mund ta shpëtojnë atë nga mëkati.

Lirimin nga mëkati jua jep ose frika e përsosur ose dashuria e përsosu

Prandaj, sinqerisht ju them të vërtetën, edhe sikur të kryqëzohen jo një, por një mijë krishtë, prapëseprapë nuk mund t’ju dhurojnë shpëtimin e vërtetë, sepse lirimin nga mëkati jua jep ose frika e përsosur ose dashuria e përsosur, ndërsa vdekja e Krishtit, në radhë të parë, është gënjeshtër, dhe së dyti ajo nuk ka asnjë lidhje me mposhtjen e vrullit të mëkatit. Thirrini mendjes se kjo doktrinë mbetet e fshehur në errësirë, të cilën nuk e vërteton përvoja dhe as vetëvrasja e Krishtit nuk provon ndonjë lidhje me faljen e mëkateve të të tjerëve. Shpëtimi i vërtetë është që njeriu që në këtë botë të arrijë të shpëtojë nga xhehenemi i mëkateve. Mendoni një herë e mirë, a keni shpëtuar nga xhehenemi i mëkateve vetëm nëpërmjet miteve të tilla? Ose ndokush tjetër a mund të ketë gjetur shpëtimin përmes këtyre përrallave të pakuptimta që nuk kanë asgjë reale dhe që nuk kanë asnjë lidhje me shpëtimin e vërtetë?

Kërkoni në Lindje e në Perëndim! Askund nuk mund të gjeni njerëz, të cilët përmes miteve të tilla, të mund ta kenë arritur atë pastërti të vërtetë e cila ua shfaq Zotin dhe përmes së cilës, jo vetëm që fillojnë ta urrejnë mëkatin, por edhe të shijojnë kënaqësitë e vërtetësisë në formë xheneti. Në atë çast shpirti i njeriut derdhet si uji te pragu i Zotit dhe më pas atij i zbret një dritë prej qiellit, e cila i zhduk gjithë errësirën e nefsit. Ashtu siç gjatë ditës, kur hapni dritaret në të katër anët, drita e diellit natyrisht futet brenda jush, por nëse do t’i mbani të mbyllura, thjesht duke dëgjuar ndonjë mit apo përrallë, ajo dritë nuk mund të depërtojë tek ju. Për ta marrë dritën, juve ju duhet të çoheni nga vendi juaj e t’i hapni dritaret, atëherë drita vetvetiu do të hyjë brenda jush dhe do t’ju ndriçojë edhe shtëpinë. A mund të shuajë ndokush etjen vetëm duke e imagjinuar ujin? Jo. Madje, i duhet të shkojë te burimi, fytas e mbytas, e të vërë buzët tek ai, sepse kështu mund ta shuajë etjen me ujë të freskët, gjersa të ngihet.

Pra, ai ujë që mund t’ju ngijë e t’ju shuajë afshin dhe zjarrminë e mëkatit, është bindja. Përveç kësaj, nuk ka asnjë metodë tjetër nën qiell që mund t’ju shpëtojë nga mëkati. Asnjë kryq nuk mund t’ju lirojë nga mëkati. Asnjë gjak nuk mund t’ju ndalojë nga furia e ndjenjave të nefsit, sepse këto gjëra nuk kanë asnjë lidhje me shpëtimin e vërtetë. Kuptojini realitetet. Mendojini vërtetësitë. Dhe, ashtu siç provoni gjërat e kësaj bote, provojeni edhe këtë. Atëherë shpejt do të kuptoni se përveç bindjes së vërtetë, nuk ka asnjë dritë tjetër që mund t’ju lirojë nga errësirat e nefsit dhe përveç ujit të pastër të njohjes së përsosur të Zotit, asgjë tjetër nuk mund t’ju lajë ndyrësitë tuaja të brendshme dhe përveç kënaqësisë së takimit me të Vërtetin, asgjë tjetër nuk mund t’jua largojë afshin dhe zjarrminë tuaj të brendshme. Gënjeshtar është ai që ju tregon ndonjë metodë tjetër, dhe naiv është ai që dëshiron të mjekojë në ndonjë mënyrë tjetër. Të tillët, nuk mund t’ju ndriçojnë, por ju fundosin akoma më thellë në gropën e errësirës dhe nuk mund t’ju japin ujë të freskët, madje jua shtojnë akoma më shumë zjarrminë e afshin.

Asnjë gjak nuk mund t’ju bëjë dobi,përveç atij gjaku i cili, përmes ushqimit të bindjes, përftohet vetë brenda jush

Asnjë gjak nuk mund t’ju bëjë dobi, përveç atij gjaku i cili, përmes ushqimit të bindjes, përftohet vetë brenda jush. Asnjë kryq nuk mund t’ju mundësojë lirimin, përveç kryqit të rrugës së drejtë, domethënë ai i vërtetësisë dhe i durimit. Prandaj, hapni sytë dhe reflektoni se, a nuk është e vërtetë që ju mund të shihni vetëm përmes dritës e jo përmes diçkaje tjetër, dhe, mund të arrini te destinacioni vetëm përmes rrugës së drejtë e jo ndonjë rruge tjetër? Gjërat e kësaj bote i keni pranë, kurse ato të besimit i keni larg. Andaj, analizojini ato që keni pranë, që të kuptoni ligjësinë e tyre e ta aplikoni më pas mbi ato që keni larg. Sepse është një Zot që i ka përcaktuar të dyja ligjësitë. Cili nga ju mund të shohë pa sy, ose mund të dëgjojë pa veshë, ose mund të flasë pa gjuhë? Përse atëherë nuk e aplikoni të njëjtën ligjësi edhe në çështjet shpirtërore? Qoftë edhe duke i pasur sytë, a mund të qëndroni pranë ndonjë gremine tejet të thepisur? Duke i pasur veshët, a mund të mos alarmoheni nga një zë që ju njofton që ka hyrë një vjedhës? Duke e pasur gjuhën që ju aftëson për të dalluar të ëmblën nga e hidhura, a vazhdoni prapë të konsumoni ushqime të hidhëta e helmuese që jua prishin gojën, jua dëmtojnë stomakun ose ju shkaktojnë të vjella apo ndonjë alergji tjetër, duke ju shkatërruar plotësisht? Pra, nga këto organe merrni mësim që edhe për jetën shpirtërore keni nevojë t’ju jepet një dritë, që t’jua tregojë ligësinë e rrugëve të liga, e t’ju jepet një zë, që t’ju largojë nga vendi ku kalojnë vjedhësit dhe kusarët, e t’ju jepet një shije që t’ju bëjë të dalloni të ëmblën nga e hidhura, ilaçin nga helmi. Pikërisht këto janë mjetet, të cilat ju duhet t’i kërkoni për të shpëtuar nga shkatërrimi. Kurrsesi nuk është e mundur që ju, pa e pasur këtë dritë dhe duke qenë po të verbër, të mund të shpëtoni falë gjakut të dikujt.

shpetimi nga zjarri

Shpëtimi i vërtetë arrihet që në këtë botë

Shpëtimi nuk është diçka që do ta fitoni pas kësaj bote. Shpëtimi i vërtetë arrihet që në këtë botë. Ai është një dritë që zbret në zemër për të vënë në dukje se cilat janë gropat e shkatërrimit. Ndiqni rrugën e së vërtetës dhe urtësisë, sepse përmes saj do ta gjeni Zotin. Krijoni një afsh në zemër, që të mund të lëvizni drejt vërtetësisë. Fatkeqe është ajo zemër që mbetet e ftohtë. I nëmur është ai karakter që është i dëshpëruar. E vdekur është ajo ndërgjegje që nuk shkëlqen. Pra, ju mos u bëni më pak se ajo kovë, që bosh bie në pus por del e mbushur dhe mos i përngjani sitës që nuk mban asnjë pikë uji, por uji hyn nga një anë e saj dhe del nga ana tjetër. Përpiquni të bëheni të shëndetshëm dhe juve t’ju largohet temperatura helmuese e kërkimit të botës materiale, e cila jua mori edhe dritën e syve, edhe dëgjimin e veshëve, edhe shijen e gjuhës, edhe forcën e krahëve, edhe shkathtësinë e këmbëve. Shkëputni një lidhje, që ta fitoni lidhjen tjetër. Ndalojeni zemrën nga një drejtim, që ajo ta gjejë drejtimin tjetër. Përzëreni krimbin e ndyrë të botës, që t’ju dhurohet diamanti i shndritshëm i qiellit. Kthehuni te burimi juaj, i njëjti burim ku Ademi ishte ringjallur përmes shpirtit të Zotit, në mënyrë që ju të mbretëroni në të gjitha gjërat, ashtu siç pati mbretëruar ati juaj.

Dita ka kaluar. Është koha e ikindisë. Ora ka shkuar afërisht 4:00. Po afrohet nata. Dielli së shpejti do të perëndojë. Nëse doni të shikoni, shikoni që tani. Më vonë, çfarë do të mbetet për të parë? Para se të largoheni, çoni përpara ushqime të mira, e jo gurë dhe tulla. Dërgoni veshje përpara, e jo gjemba dhe kashtë. Ai Zot që i sjell fëmijës qumësht në gjirin e nënës, përpara se të lindë, në kohën tuaj dhe në vendet tuaja, ju ka dërguar një njeri, i cili si një nënë do t’ju japë qumësht me gjirin e vet. Vetëm ai do t’ju ushqejë me qumështin e bindjes, që është shumë më i shndritshëm sesa dielli dhe shumë më i shijshëm sesa çdo pije tjetër. Prandaj, nëse keni lindur të gjallë e jo të vdekur, ejani dhe vraponi drejt këtij gjiri, ku ju do të pini qumësht të freskët. Ndërsa qumështi që keni në enët tuaja, nëse nuk është i freskët, hidheni. Ai duhet të jetë ndotur nga erëra të këqija e me mikrobe që nuk arrini t’i shihni. Një qumësht i tillë nuk mund t’ju ndriçojë dot, përkundrazi do t’jua prishë shëndetin sapo të futet në trupin tuaj. Në fakt, ai nuk është më qumësht, por helm. Mos shihni me ëndje çdo gjë që është e bardhë, sepse në disa raste, e zeza është më e mirë se sa e bardha. Për shembull, flokët e zinj tregojnë rininë dhe forcën, ndërsa të zbardhurit zbulojnë pleqërinë dhe dobësinë. Në të njëjtën mënyrë, edhe “bardhësia” e shtirjes dhe dukja e mirësisë nuk vlen për asgjë. Më mirë se ajo është thjeshtësia e mëkatarit që nuk e mbulon me mashtrim mëkatin e vet. Sinqerisht ju them se ai është më afër njohjes së Zotit.

Vallë, a mund të pranojë ndonjë zemër se gjaku i Krishtit do ta bëjë atë t’i frikësohet mëkatit?

Mos besoni në gjërat që nuk janë bindëse, që nuk kanë asnjë dritë të vërtetë dhe që nuk bazohen mbi asnjë filozofi fisnike, sepse ato të gjitha janë rrugë të shkatërrimit. Nëse doni të largoheni nga mëkatet, matni dëshirat e zemrave tuaja dhe shikoni se çfarë ju kërkojnë e si mund të kuptojnë ato? Për cilin ilaç ndërgjegjja juaj ju thotë se: “ja, ky është i duhuri”? Vallë, a mund të pranojë ndonjë zemër se gjaku i Krishtit do ta bëjë atë t’i frikësohet mëkatit? Përkundrazi, bën të kundërtën, gjë që na tregon edhe përvoja, sepse ai që i mbështetet gjakut të Krishtit mendon se është i larë nga mëkati. Ndërsa atij që i jepet dija e plotë se mëkati është një helm, ai kurrsesi nuk mund të mëkatojë, sepse e di që do të shkatërrohet. Pra, prej Zotit juve ju është dërguar një njeri, i cili dëshiron t’ju çojë tek ajo dije, përmes së cilës zemrat tuaja do ta njohin Zotin dhe do ta njohin edhe helmin e mëkatit. Pastaj ju vetvetiu do t’i ikni mëkatit, si ai që ia mbath kur sheh një luan.

Qëllimi kryesor i këtij libërthi është që të përhapë mësimin dhe shenjat e Zotit në botë, në mënyrë që ata të cilët e kërkojnë shpëtimin në gjakun e në kryqin e Krishtit, të gjejnë burimin e vërtetë të shpëtimit. Shpëtimi i vërtetë nuk mund gjendet në ujëra, të cilat më pak kanë ujë e më shumë kanë baltë e turbullira. Uji që pastron zemrat, në kohën e tij zbret prej qiellit. Lumi që rrjedh furishëm me këtë ujë, nuk ka aspak baltë e turbullirë, madje njerëzit përfitojnë nga uji i tij i freskët. Ndërsa në një lumë që është i thatë, edhe ai pak ujë që qëndron i ndenjur në shtrat, nuk mund ta ruajë pastërtinë dhe ëmbëlsinë e tij, madje përzihet me papastërtinë e kafshëve. Në të njëjtën mënyrë, zemra së cilës i është dhuruar njohja e Zotit dhe bindja ndaj Tij, i shëmbëllen pikërisht lumit të furishëm, i cili vazhdimisht vadit arat. Uji i tij i kulluar dhe i ftohtë, ju freskon zemrën dhe ju shuan zjarrminë e shpirtit. Ai jo vetëm që vetë është i pastër, por pastron edhe të tjerët, duke u dhuruar urtësinë që u heq ndryshkun e zemrave, u mundëson urrejtjen ndaj mëkatit. Kurse një tjetër që i përngjan lumit që ka ujë të pamjaftueshëm, madje të turbullt, nuk mund t’i bëjë asnjë dobi, as njerëzimit e as vetes.

Zbutini zemrat tuaja, në mënyrë që t’i kuptoni këto realitete, sepse për zemërgurët, kjo është e pamundur

Prandaj, kjo është koha. Çohuni dhe kërkojeni ujin e bindjes sepse do ta gjeni. E kur do ta keni gjetur atë dhe do të jeni të mbushur me bindje, edhe ju do të rridhni lirshëm si një lumë. Largojuni mëkatit duke u pastruar nga ndyrësia e çdo dyshimi a pasigurie. Ky është uji që do t’ju lajë shenjat e mëkateve dhe do t’ju pastrojë dërrasën e kraharorit, në mënyrë që ajo të përgatitet për të pranuar shkronjat hyjnore. Ju kurrsesi nuk do të mund t’i fshihni shenjat e nefsit nga kraharori juaj, derisa nuk do ta lani atë me ujin e kulluar të bindjes. Veproni, në mënyrë që t’ju mundësohet. Kërkoni, në mënyrë që t’ju jepet. Zbutini zemrat tuaja, në mënyrë që t’i kuptoni këto realitete, sepse për zemërgurët, kjo është e pamundur. A mendoni se me të vërtetë do ta urreni mëkatin, pa ju depërtuar në zemra madhështia e Zotit, pa ju shfaqur fuqia dhe sundimi i Zotit të Gjallë dhe pa ju mbushur zemrat me dritën e bindjes? Kurrsesi jo. Ka vetëm një rrugë, vetëm një Zot dhe vetëm një ligj.

(Marrë nga revista urdu “Reveiw of Religions” vëll. 1, nr. 1, botuar në janar 1902, f. 9-30).

Shënim: Nëntitujt në këtë artikull janë vendosur nga redaksia.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp