O ju të gjithë që e llogaritni veten në Xhematin tim! Në qiell do të llogariteni në Xhematin tim vetëm atëherë kur me të vërtetë do të ndiqni rrugët e takvasë. Andaj, kryejini namazet tuaja të pesë vakteve me kaq shumë frikë e përulësi, sikur ta shihni Zotin e Madhërishëm dhe plotësojini agjërimet tuaja për hir të Zotit me besnikëri. Çdokush që përmbush kushtet e zekatit, ta paguaj zekatin dhe ai që ka obligim haxhin dhe që nuk ka ndonjë pengesë, le ta bëjë haxhin. Bëni mirësi duke e zbukuruar atë dhe hiqni dorë nga ligësia duke treguar neveri ndaj saj. Mbajeni mend mirë! Asnjë vepër që është e zbrazët nga takvaja, nuk mund të arrijë tek Zoti. Rrënja e çdo mirësie është takvaja. Andaj, nuk u prish edhe vepra, së cilës nuk iu prish kjo rrënjë.
Është e domosdoshme që ju të sprovoheni përmes një sërë brengash dhe vështirësish, ashtu siç u sprovuan besimtarët e mëparshëm. Prandaj, kini kujdes! Të mos rrëshqitni. Toka nuk mund t’ju dëmtojë asnjë fije, nëse keni lidhje të fortë me qiellin. Sa herë që do të dëmtoheni, dëmi do t’ju vijë nga duart tuaja, e jo nga duart e armikut. Nëse juve ju ikën i gjithë nderi tokësor, Zoti do t’ju japë një nder të përjetshëm në qiell. Andaj, ju mos e lini Atë.
Është e sigurt që ju do të lëndoheni dhe do t’ju mohohen shumë nga shpresat tuaja. Por ju mos u brengosni në këto raste, sepse Zoti juaj ju sprovon nëse jeni apo jo të qëndrueshëm në rrugën e Tij. Nëse doni që edhe engjëjt në qiell t’ju lëvdojnë, pranoni lëndimet e jini të gëzuar; dëgjoni sharjet dhe falënderoni; shikoni dështimet dhe mos u shkëputni nga Zoti.
Ju jeni Xhemati i fundit i Zotit, andaj, tregoni atë vepër të mirë, që është e skajshme në lartësinë e saj. Çdokush nga ju që do të bëhet i ngathët, do të flaket nga Xhemati si diçka e neveritshme, do të vdesë i dëshpëruar dhe nuk do ta dëmtojë Zotin aspak. Unë ju njoftoj me shumë gëzim që Zoti juaj me të vërtetë ekziston. Edhe pse të gjithë janë krijesat e Zotit, por Zoti zgjedh njeriun, i cili zgjedh Zotin; Zoti i afrohet atij, i cili i afrohet Zotit dhe Zoti nderon atë, i cili e nderon Zotin.
Ejani tek Zoti, duke drejtuar zemrat dhe duke pastruar gjuhët, sytë dhe veshët tuaj, sepse Ai do t’ju pranojë.