Kush jane ahmeditë? Kush janë kadijanitë? Fakte nga Themeluesi Ahmedi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
kabe Haxhi umra

Çfarë kërkon Zoti nga ju në besimin tuaj?

Gjithçka që Zoti dëshiron në besimin tuaj është që Zoti është një dhe Muhammedi s.a.v.s. është Profeti i Tij; ai është Vula e Profetëve; më i larti i të gjithëve, tanimë pas tij nuk ka asnjë profet, përveç atij që është i veshur me mantelin e tij, duke qenë një hije e tij, sepse shërbëtori nuk është i ndarë nga padroni, porsi dega që nuk është e ndarë nga trungu i vet…

Dijeni që Isai biri i Merjemes ka ndërruar jetë dhe varri i tij gjendet në lagjen Khanjar, Srinagar të Kashmirit. Zoti i Lartësuar në Librin e Tij të Madhërishëm ka njoftuar për vdekjen e tij… Unë nuk jam mohues i madhështisë së Hazret Isait a.s., ndonëse Zoti më njoftoi mua që Mesihu i Muhammedit është më i lartë se Mesihu i Musait. Në të vërtetë, unë e respektoj jashtëzakonisht shumë Mesihun, birin e Merjemes, sepse në aspektin shpirtëror, jam Khātemul-khulefā [Vula e kalifëve], ashtu siç Mesihu biri i Merjemes ishte Khātemul-khulefā për umetin e Bijve të Izraelit.

Në umetin e Musait, biri i Merjemes ishte Mesihu i Premtuar dhe në umetin e Muhammedit unë jam Mesihu i Premtuar. Prandaj, unë e respektoj atë me emrin e të cilit kam ardhur. Ngatërrestar dhe shpifës është ai që më akuzon që unë nuk e respektoj Mesihun birin e Merjemes. …

Kush është në Xhematin tim dhe kush jo?

Pas këtyre, e përsëris që ju të mos mjaftoheni me Bej’atin [besëlidhjen] sipërfaqësor, sepse kjo nuk vlen për asgjë. Zoti ju sheh zemrat dhe në bazë të atyre do t’ju trajtojë. Dëgjoni, unë po lirohem nga përgjegjësia e kumtimit, duke ju thënë se mëkati është një helm, mos e konsumoni atë. Mosbindja ndaj Zotit është një vdekje e fëlliqtë, ruhuni prej saj. Lutuni që t’ju vijë forca. Ai që gjatë lutjes nuk beson se Zoti është i Plotfuqishëm për çdo gjë, me përjashtim të asaj që është kundër Fjalës së Tij, nuk është prej Xhematit tim.

Ai që nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe mashtrimi, nuk është prej Xhematit tim. Ai që është i mbërthyer në lakminë e kësaj bote dhe nuk e shikon fare ahiretin, nuk është prej Xhematit tim. Ai që me të vërtetë nuk i jep përparësi besimit mbi botën, nuk është prej Xhematit tim. Nuk është prej Xhematit tim edhe ai që nuk pendohet thellësisht për çdo mëkat dhe për çdo vepër të keqe, si pirja e alkoolit, bixhozi, shikimi i ndaluar, tradhtia, mitëmarrja dhe çdolloj shpërdorimi. Ai që nuk kryen namazet e pesëvaktëve, nuk është prej Xhematit tim.

Ai që nuk rri i angazhuar në lutje dhe nuk e përkujton Zotin me përulësi, nuk është prej Xhematit tim. Ai që nuk e lë shoqërinë e keqe që ndikon negativisht tek ai, nuk është prej Xhematit tim. Ai që nuk i respekton prindërit e vet dhe nuk u bindet në të gjitha çështjet, të cilat nuk bien ndesh me Kuranin, dhe që është i pakujdesshëm në përkushtimin ndaj tyre, nuk është prej Xhematit tim. Ai që nuk sillet butësisht dhe mirësisht me bashkëshorten si dhe me njerëzit e saj, nuk është prej Xhematit tim. Ai që privon fqinjin edhe nga të mirat e vogla, nuk është prej Xhematit tim. Ai që nuk dëshiron ta falë atë që i ka bërë keq dhe mban urrejtje për të, nuk është prej Xhematit tim. Çdo burrë që e tradhton gruan e vet dhe çdo grua që tradhton burrin e vet, nuk është prej Xhematit tim.

Ai që shkel premtimin e bërë gjatë Bej’atit në ndonjë aspekt, nuk është prej Xhematit tim. Ai që me të vërtetë nuk më pranon mua si Mesih të Premtuar dhe Imam Mehdi, nuk është prej Xhematit tim. Ai që nuk është i gatshëm të më bindet mua në çështjet e njohura, nuk është prej Xhematit tim. Ai që qëndron në shoqërinë e kundërshtarëve, duke pranuar atë që thonë ata, nuk është prej Xhematit tim.

Çdokush që bën marrëdhënie të jashtëligjshme, çdo keqbërës, pijanec, vrasës, vjedhës, kumarxhi, tradhtar, ryshfetçi, zhvatës, mizor, gënjeshtar, mashtrues dhe ai që rri me ta, ai që shpif ndaj vëllezërve dhe motrave, ai që nuk pendohet për veprat e tij të këqija dhe që nuk heq dorë nga shoqëritë e mbrapshta, nuk është prej Xhematit tim.

Të gjitha këto janë helme, dhe duke i konsumuar këto, ju kurrsesi nuk mund të shpëtoni dot. Errësira dhe drita nuk mund të bashkohen në një vend. Çdokush që ka karakter të pështjellë dhe që nuk është i pastër me Zotin, kurrsesi nuk mund të gëzojë bekimin që u jepet zemërpastërve. Sa fatlumë janë ata që pastrojnë zemrën e vet dhe arrijnë të heqin çdolloj papastërtie duke lidhur besën e besnikërisë me Zotin e tyre, sepse ata kurrsesi nuk do të shkatërrohen. Nuk është e mundur që Zoti t’i turpërojë ata, sepse ata janë të Zotit dhe Zoti është i atyre. Ata do të shpëtojnë nga çdo gjëmë. I pamend është ai që armiqësohet me ta, sepse ata janë në prehrin e Zotit dhe Zoti qëndron në mbështetje të tyre. Kush besoi në Zot? Vetëm ai që u përngjau këtyre.

Po kështu, i pamend është edhe ai që ndjek një të ligë, sepse edhe ai do të shkatërrohet. Që kur Zoti ka krijuar qiellin dhe tokën, kurrë nuk ka ndodhur që Ai të ketë shkatërruar, të ketë shpartalluar dhe të ketë asgjësuar të dëlirët. Përkundrazi, Ai gjithmonë ka treguar mrekulli në favor të tyre, dhe do të tregojë edhe tani.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp