Mos u frikësoni nga mallkimet e dynjasë, por nga mallkimi i Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Mos u frikësoni nga mallkimet e kësaj bote, por nga mallkimi i Zotit

Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s.
mallkimi i zotit mallkimi i allahut

Mos u frikësoni nga mallkimet e kësaj bote, sepse ato zhduken shumë shpejt porsi tymi dhe ato nuk mund ta bëjnë ditën natë. Madje, frikësohuni nga mallkimi i Zotit që bie prej qiellit dhe atij që i bie, ia shkul rrënjën në të dyja botët. Ju nuk mund ta shpëtoni veten duke u shtirur, sepse Ai Zot që është Zoti juaj, depërton deri në thellësinë e zemrës së njeriut. A mund ta mashtroni Atë? Prandaj, bëhuni të drejtë, të çiltër, të pastër e të kulluar. Nëse ju ka mbetur qoftë një grimë errësire në shpirt, ajo do t’jua largojë gjithë dritën tuaj. Dhe nëse keni mburrje a dukje në ndonjë qoshe të vetes suaj, ose keni vetëpëlqim a dembeli, atëherë nuk jeni të denjë të pranoheni.

Të mos ndodhë që ju të mashtroni veten vetëm me disa gjëra tuajat, duke menduar se e keni bërë gjithçka që kishit për të bërë. Sepse Zoti dëshiron që ta sillni ndryshimin e plotë në qenien tuaj. Ai ju kërkon një “vdekje”, pas së cilës, Vetë Ai do t’ju “ringjallë”. Prandaj, pajtohuni me njëri-tjetrin sa më shpejt dhe faluani gabimet vëllezërve tuaj, sepse keqbërës është ai që nuk tregohet i gatshëm për t’u pajtuar me vëllain e tij. Ai do të shkëputet, sepse krijon përçarje. Lëreni vetveten në çdo formë dhe lërini pakënaqësitë me njëri-tjetrin. Edhe kur të keni të drejtë, jini të përulur në sjelljen tuaj sikur ju keni pasur faj, në mënyrë që të faleni nga Zoti. Mos i vini “dhjamë” shpirtit tuaj, sepse nga dera që ju jeni thirrur, nuk mund të hyjë një njeri “i dhjamosur”.

Sa fatkeq është ai që nuk i pranon këto fjalë, që buruan nga goja e Zotit dhe ia tregova unë. Nëse dëshironi që Zoti të kënaqet me ju në qiell, bashkohuni me njëri-tjetrin porsi dy vëllezër në një bark të vetëm. Më i nderuari mes jush është ai që i fal më shumë gjynahet vëllait të vet dhe më fatligu është ai që insiston dhe nuk ia fal, andaj ky i fundit nuk bën pjesë tek unë. Frikësohuni shumë nga mallkimi i Zotit, sepse Zoti është shumë i Shenjtë dhe shumë Sedërmadh. I ligu nuk mund të gëzojë afrimin me Zotin. Mburraveci nuk mund të gëzojë afrimin me Zotin. Mizori nuk mund të gëzojë afrimin me Zotin. Tradhtari nuk mund të gëzojë afrimin me Zotin. Dhe çdokush që nuk ka sedër për emrin e Tij, nuk mund të gëzojë afrimin me Të. Të gjithë ata që lëshohen pas botës, si qentë, milingonat ose hutat, dhe rrinë rehat vetëm për këtë botë, nuk mund të gëzojnë afrimin me Të.

Çdo sy i papastër është larg prej Tij. Çdo zemër e papastër është larg prej Tij. Ai që është në zjarr për hir të Tij, do të shpëtojë nga zjarri. Ai që qan për hir të Tij, do të qeshë. Ai që shkëputet nga bota për hir të Tij, do ta gjejë Atë. Ju me zemër të sinqertë dhe me vërtetësi dhe angazhim të plotë bëhuni mik i Zotit, që edhe Ai të bëhet Miku juaj.

Mëshironi nëpunësit, bashkëshortet dhe vëllezërit tuaj të dobët, që edhe ju të mëshiroheni në qiell. Bëhuni sinqerisht të Atij, që edhe Ai të bëhet juaji. Bota është vatër e mijëra gjëmash dhe njëra prej tyre është edhe murtaja. Andaj, hidhni hapin e vërtetë pranë Zotit, që Ai t’jua largojë këto gjëma. Asnjë gjëmë nuk bëhet në tokë, derisa nuk vjen urdhri nga qielli. Po ashtu, asnjë gjëmë nuk mund të largohet, derisa nuk zbret mëshira nga qielli. Andaj, në jeni të mençur, kapni rrënjën e jo degën.

Nuk ju ndaloj të përdorni ilaçet dhe mjetet, por ju ndaloj të besoni në to. Përfundimisht do të ndodhë ajo që do Zoti. Nëse dikush ka forcën [e besimit], le ta dijë se pozita e mbështetjes ndaj Zotit është më e madhe se çdo pozitë tjetër.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp