A jemi brenda një projekti?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Libri “Udhëtim drejt dritës dhe dashurisë” nga Bujar Ramaj, i paraqitur mbi një tavolinë në një ambient të ngrohtë leximi.

Zoti thotë në Kuranin e Shenjtë:

“A nuk reflektuan në shpirtin e tyre (që) Allahu nuk krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithçka që gjendet mes tyre, por vetëm se me vërtetësi dhe për një afat të caktuar?! Njëmend, shumica e njerëzve janë mohues të takimit me Zotin e tyre.”[1]

Kur lexon Kuranin e Shenjtë kupton se projekti i Zotit përfshin dy nivele. I pari është i kufizuar dhe është projekt i kësaj bote që jetojmë, me plot informacion e dije, ndërsa i dyti është përjetësia e konceptuar pa fund, por me shumë pak dije për të.

Le të njihemi sadopak me projektin e kësaj bote: Duke vënë në shërbimin e njeriut gjithçka në qiej e në tokë, Zoti tregon se ka një projekt të Tij, mbi të cilin është ngritur gjithësia dhe krijimi ynë. Ky projekt është shumë i dukshëm, por që ta zbulosh atë, duhet të meditosh shumë mbi krijimin e gjithësisë dhe krijimin tonë:

“Nuk bie ndonjë fatkeqësi në tokë, e as në jetën tuaj, përveçse të jetë e shkruar në një Libër, përpara se Ne ta shfaqim atë. Kjo për Allahun është e lehtë.”[2]

Ti kthehemi vetes sonë. Në tërë këtë larmi të qenieve të gjalla, qenia jonë si njeri është më e përkryera, më e bukura dhe më e formësuara:

“Sigurisht, Ne e krijuam njeriun në gjendjen më të mirë të zhvillimit.”[3]

“Ai krijoi qiejt dhe tokën me vërtetësi, ju dha trajtë, dhe sa trajtë të bukur ju dha.”[4]

Të gjitha qeniet janë kokëposhtë, ecin me katër këmbë ose zvarriten. Askush nuk e ka formën më të qëndrueshme me dy këmbë, pasi shpendët që qëndrojnë mbi dy këmbë kanë krahë. Qenia njerëzore, jo vetëm që është me dy këmbë, jo vetëm që është më e bukura, por Krijuesi na ka dalluar nga të gjitha gjallesat, duke na dhënë mendjen, gjënë më të përsosur mbi të gjitha krijesat, të paperceptueshme, pa përmasa, jashtë shpejtësisë së dritës dhe ligjësive që na rrethojnë. Kjo është një mrekulli. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja kur Perëndia, në momentin e krijimit, pasi e pajisi me mendje, i tha Ademit: “Trego emërtimin e sendeve!” Kjo shkaktoi xhelozinë e iblisit/shejtanit, i cili nuk iu bind Perëndisë kur Ai e urdhëroi që t’i përulet këtij krijimi të përsosur, por mbi të gjitha me mendje.

Është e habitshme si në veprat e Shekspirit gjejmë shumë paralelizma me Kuranin. Ai, në veprën e tij, “Hamleti”, shkruan:

“Çfarë vepre është njeriu! Sa bujar nga arsyeja! Sa i pakufishëm nga zotësitë! Nga shtati dhe nga lëvizjet, sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm! Nga veprimi si engjëll! Nga kuptimi si Perëndi! Xhevahir i botës! Kurora e gjërave të gjalla! …Kuintesencë prej pluhuri!”[5]

Sa më shumë që thellohesha në studimin e Kuranit, e kuptoja se ne jemi brenda një projekti gjigant, të përsosur, të paimagjinueshëm, në pafundësi, të projektuar nga arkitekti më suprem, i Gjithëdijshmi, Zoti i qiejve dhe i tokës:

“Nuk i krijuam qiejt, tokën dhe gjithçka që gjendet mes tyre, përveçse me vërtetësinë dhe për një afat të caktuar.”[6]

“Njerëzit ishin një popull i vetëm, më pas ata ranë në kundërshti. Po të mos ishte lëshuar vendimi (për caktimin e tyre), do të ishte vendosur mes tyre për atë që ata kundërshtojnë njëri-tjetrin.”[7]

Në tërë materien që na rrethon, të dukshme dhe të padukshme, ekziston një ndërveprim i mistershëm, madje edhe në mënyrën se si sillen planetët, galaktikat, gjithësia e deri te grimcat elementare të padukshme qëndron një fuqi organizuese:

“Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë”.[8]

Fizikani i madh amerikan, Heinz Pagels, thotë:

“Mendoj se gjithësia është një mesazh i formuluar me një kod, një kod kozmik, dhe se detyra e njeriut dhe shkencës qëndron në deshifrimin e këtij kodi”.[9]

Është detyrë e njeriut që ta kuptojë këtë projekt gjigant, këtë mesazh sekret, ku çdo atom, çdo copëz, çdo fragment ekziston në masën që merr pjesë në një kuptim universi, në një ndërthurje të materies, energjisë dhe informacionit. Duket sikur Kurani na jep idenë se gjithçka është e projektuar dhe e programuar deri në detajet më të vogla, duke qenë pjesë e një rrjete ndërthurjesh pa mbarim, nga i vetmi Autor.

Sigurisht që në këtë projekt ndërhapësinor njeriu ka një ndërthurje dhe palosje kozmike që nga momenti i krijimit, formësimit, funksionimit, ndërtimit dhe qëllimit. Në enigmën e këtij kodi kozmik, njeriu ndoshta është pasqyra ku Autori, që e ka krijuar këtë projekt, do të japë diçka nga autorësia dhe konturet e mesazhit hyjnor. Nëse njeriu ka bërë të gjitha përpjekjet e tij dhe vazhdon edhe sot për njohjen e hapësirës, ka bërë shumë pak përpjekje për njohjen e vetvetes. Me gjithë përpjekjet gjigante për studimin e gjithësisë, dija jonë është shumë e paktë mbi të, por akoma më e paktë është njohja e shpirtit tonë. Midis gjithësisë dhe njeriut ka një ndërthurje të habitshme: kemi një gjithësi me galaktika, yje të pafund, planetë dhe satelitë, meteorë dhe hapësira të pafundme. Kemi një dritë misterioze, që ndriçon gjithë këtë univers. Kemi një sistem informacioni ndërplanetar që funksionon. Një sistem diellor e një tokë me të gjitha mrekullitë dhe bukuritë e jetës së gjallë. Nga ana tjetër, kemi një njeri me karakteristika fizike, si: kokë, duar, këmbë, zemër, mushkëri, mëlçi, sy, veshë, gojë, sistem të qarkullimit të gjakut, sistem eshtëror, sistem nervor, sistem imuniteti etj. Por kemi edhe produkt, që duket i papërcaktuar qartësisht, si: dije, mirësi, dashuri, trimëri, shpresë, nostalgji, sinqeritet, urrejtje, ego, lakmi, mizori, frikë, gënjeshtër, pabesi, hipokrizi, mburrje, aftësi, urtësi etj., Të gjitha këto që ndriçohen nga një dritë misterioze, së cilës i themi “shpirt”.

Nëse analizojmë mënyrën e krijimit të gjithësisë dhe të njeriut ka një përafrim të habitshëm.

Së pari, nëse gjithësia, sipas teorisë së Big Beng-ut, është e krijuar nga një përplasje me ngarkesë shumë të lartë tërheqjeje dhe shpejtësie shumë të madhe të dy grimcave, në kushte specifike boshllëku e temperature, në praninë e një grimce të quajtur Higgs[10] (ose Grimca e Zotit[11] siç e quajnë shkencëtarët) dhe që është shoqëruar me një shpejtësi të paimagjinueshme në krijimin e planetëve dhe gjithësisë, në krijimin e sistemeve të tërheqjes dhe shtyrjes, sistemet e ndërthurjes reciproke, të sistemit tonë diellor e mbi të gjitha në sistemin e krijimit të jetës në tokë, të kushteve të jashtëzakonshme për jetesë dhe shumë sisteme të tjera që rregullojnë ekuilibrin kozmik.

Nga ana tjetër, edhe krijimi i njeriut bëhet nga përplasja dhe tërheqja e dy bërthamave embrionale:

“Andaj, njeriu le të shohë se me se është krijuar? Është krijuar me një ujë që përhidhet.”[12]

“A nuk ishte ai thjesht një pikë sperme që u hodh?! Më pas u bë ngjizje gjaku, e atëherë (Zoti) e krijoi dhe e përsosi.”[13]

Në kushte specifike trupore, në praninë e një rastësie të mistershme, ku nga miliona spermatozoide, njëri gjen rrugën për te veza dhe që në momentin e përplasjes me njëri-tjetrin, nisin zbërthimet kimike të krijimit me shpejtësi të mijëra e miliona qelizave, që do të bëjnë nga asgjëja një trup të mrekullueshëm me të gjithë sistemet e funksionimit të tij: sistem të qarkullimit të gjakut, sistemin nervor, sistemin e imunitetit, sistemin urinar, sistemin e muskujve, sistemin e tretjes…, nga zemra te truri, nga syri te mendja e që çdo gjë të funksionojë si një mrekulli, e paimagjinueshme, dhe se brenda këtij trupi, do të jetë prezenca e një copëze të mistershme të Zotit, e quajtur shpirt.

Habia qëndron se, ashtu siç janë vënë në funksionim ligjësitë e sistemet në materien kozmike, si një kurdisje a inspirim me llogari precize, ashtu edhe trupi i njeriut ka këtë lloj kurdisje që nuk varet nga njeriu. Kështu që, askush nuk e di se si u vu në funksion: jeta në tokë, zemra, sistemi nervor, qarkullimi i gjakut, mendja, ndjesitë e shumë organe të tjera të brendshme që pushojnë vetëm në vdekje.

Së dyti, drita është shpirti i gjithësisë, që mbart informacion, ndriçim dhe energji. Brenda unitetit dritë~gjithësi ekziston ligji shkak~pasojë. Jashtë shpejtësisë së dritës ka gjendje tjetër. Kështu edhe te njeriu, shpirti dhe mendja mbartin dritë hyjnore, informacion dhe energji, dhe brenda unitetit trup~shpirt ekziston jeta. Jashtë këtij uniteti ka gjendje tjetër, vdekje – kalim në një dimension tjetër.

Enigma, që i mundon shkencëtarët sot, është se cilat kanë qenë ligjësitë para shpërthimit të Big Beng-ut, ku sipas tyre fillon koncepti i kohës dhe hapësirës:

“E gjithë historia e shkencës nuk është gjë tjetër veçse të kuptuarit progresiv të faktit se ngjarjet nuk zhvillohen në mënyrë arbitrare, por ato pasqyrojnë një rregull të përcaktuar… Mund të ketë një numër të madh modelesh të gjithësisë me kushte fillestare të ndryshme që të gjitha u binden ligjeve të njëjta. Duhet të ekzistojë ndonjë parim që dallon një gjendje fillestare, pra një model që përfaqëson gjithësinë tonë”.[14]

Pikërisht ky model, sipas meje, ndodhet në krijimin tonë si njerëz. Le ta vazhdojmë arsyetimin: shkenca arsyeton se brenda vrimave të zeza duhet të ekzistojë një singularitet dhe përkulje e pafundme e hapësirë~kohë, që i ngjan Big Beng-ut në fillim të kohës, ku parashikimi për të ardhmen reduktohet në zero, pasi vrimat e zeza fshehin shikimin tonë nga horizonti i ngjarjes (d.m.th. kufiri hapësirë~kohë), nuk ka informacion pasi mungon drita.

E njëjta gjë ndodh me krijimin tonë, ku në kuptimin e figurshëm: vrima e zezë është mitra, në të cilën errësira brenda saj fsheh vështrimin tonë nga horizonti i ngjarjes, tërheqja midis dy trupave mashkull dhe femër është në maksimum dhe energjia që lëshohet është maksimale si në shpërthimin e Big Beng-ut, të dyja grimcat qelizore, spermatozoidi dhe veza femërore në çastin e përplasjes fillojnë një zbërthim me shpejtësi, që më vonë shkon me miliona kur nis krijimi i trupit, ose e thënë troç krijimin e universit njerëzor. Enigmë është edhe krijimi i mendjes njerëzore në fillimin e jetës, ku njeriu i porsalindur nuk ka kujtesë dhe koncept mbi kohën dhe hapësirën. Pra, për të kuptuar se cilat ishin ligjësitë në fillimin e krijimit të gjithësisë, le të studiojmë ligjësitë e krijimit tonë para përplasjes spermatozoid-veza femërore, krijimi brenda mikrogjithësisë së barkut femëror, dalja nga barku i nënës në makrogjithësinë e jetës së dynjasë dhe, pastaj, një ditë do të ketë një fund për një rilindje të re. Le të shikojmë këtë model që Krijuesi e ka projektuar te ne. Le të studiojmë se cilat janë ligjësitë e krijimit të trupit dhe shpirtit në trupin njerëzor?

Kurani i Shenjtë thekson se në krijimin tuaj dhe të gjithësisë ka argumente për ata që meditojnë thellë. A kemi në këto dy krijime një ngjashmëri dhe një ndërthurje kozmike? Pa dyshim që po!

Në të dyja këto krijime, pra, të gjithësisë dhe njeriut, ka një dualizëm perfekt, dy grimca, dy gamete që krijojnë një zinxhir të pafund, një dualizëm që është në themel të materies dhe të tërë krijimit.

Kurani i Shenjtë thotë:

“… nga çdo gjë krijuam çifte, që të reflektoni.”[15]

“I Shenjtë është Ai që krijoi çifte të çdollojshme, prej atyre që nxjerr toka, prej vetes së tyre dhe prej asaj që ata nuk dinë.”[16]

“… Ai që krijoi çifte të çdo lloji …”[17]

Dualizmi është thelb konceptual i Kuranit: trupi dhe shpirti, nata dhe dita, drita dhe errësira, e mira dhe keqja, kënaqësia dhe dhimbja, jeta dhe vdekja, mashkulli dhe femra, dashuria dhe urrejtja, jeta tokësore dhe ajo qiellore, parajsa dhe skëterra, atomi dhe elektroni, poli pozitiv dhe ai negativ, grimca dhe antigrimca. Kështu mund të përmendim në pafundësi çiftet dualiste. Por, ajo që është shumë domethënëse në Kuran, është se ai nënkupton ndërthurjen me njëra-tjetrën të këtij dualizmi. E thënë më ndryshe, nuk mund të ekzistojë njëra pa tjetrën dhe se uniteti i të dyjave jep të tërën. Jep ekuilibrin e përsosur. Ky është ligji themelor, mbi të cilën ngrihet gjithë ekzistenca në tokë dhe në qiell, në të gjithë gjithësinë. Është ky dualizëm, që u përmend pak më lart, që jep rezultatin zero të energjisë totale të gjithësisë, pra dualizmi i energjisë pozitive që përfaqësohet nga materia dhe asaj negative që përfaqësohet nga fusha gravitacionale, japin ekuilibrin e përsosur të gjithësisë. Është ky dualizëm që jep ekuilibrin e përsosur të natyrës, të jetës së gjallë. Dualizmi i atomit me elektronin deri në pafundësi ndarje dualiste që japin unitetin e materies. Mbi të gjitha është një dualizëm kompleks trup~shpirt, nga uniteti i të cilit rrjedh jeta njerëzore, që është një mrekulli më vete. Një koncept jashtë mendjes sonë, në këtë projekt gjigant të Krijuesit.

A nuk është uniteti i trupit dhe i shpirtit kuptimi i jetës së njeriut? Nëse shpirti shkëputet, trupi nuk ka më vlerë. Pra, jeta mbaron, ka vetëm vdekje. Kalohet në një zinxhir tjetër dualist. Kështu si grimcat me ngarkesë negative dhe pozitive, që asgjësojnë njëra-tjetrën, ashtu dhe brenda qenies njerëzore ndodhin asgjësime energjie; qeliza që lindin dhe vdesin në një ditë janë me miliona. Po kështu, dashuria asgjëson urrejtjen, bujaria lakminë, përulësia arrogancën, durimi zemërimin etj. Ndërthurja dhe ndërpalosja midis krijimit të gjithësisë dhe krijimit të njeriut në këtë projekt gjigant të Krijuesit duket edhe në raportet trup~shpirt.

Trupi vjen prej tokës. Ka vetitë e tokës, ngjyrat e tokës, ushqehet prej tokës, tërhiqet prej tokës, qëndron mbi tokë, është i dukshëm si toka dhe cilido produkt i trupit përfundon në tokë. Pra, tendenca dhe kahu i trupit është toka dhe kur ai mbaron funksionin e tij të jetës e përfundon në tokë.

E kundërta ndodh me shpirtin, i cili është një produkt hyjnor. Shpirti ka cilësi të hyjnisë, ushqehet duke kujtuar e lutur Zotin, ka lidhje me dritën, dijen, dashurinë, urtësinë, dëgjimin, ndijimin, mendjen dhe informacionin. Vetë i padukshëm dhe produkti i tij është i padukshëm. Kahu i tij është qielli, tërhiqet prej tij dhe atje është fundi i tij në përjetësi.

Shpirti, që të ndihet shpirt, ka nevojë për elementet e dritës, të ndjesisë, nuhatjes dhe dëgjimit. Këto së bashku me mendjen e kontaktojnë duke lëvizur në hapësirë e në kohë për të marrë kontakt me Krijuesin. Por, për të vënë kontakt me Krijuesin, nevojitet që të “përsërisni shtatëshen” thuhet në Kuran. Shtatëshja është kapitulli i parë i quajtur “Çelësi (El-Fatiha)”, që ka shtatë ajete (vargje):

“Ne të kemi dhënë një shtatëvargësh të përsëritur…”.[18]

Ky shtatëvargësh, te një besimtar i përkushtuar, përsëritet minimalisht tridhjetë herë në ditë. Pjesa e trupit, që ka lidhje direkt me gjithësinë, është koka, me formë sferike (planet më vete) dhe me shtatë elemente: dy sy, dy veshë, dy vrima të hundës dhe një gojë: Habia vazhdon me shtatën: në traditën e përshkrimit të ylberit dallojmë shtatë ngjyra; shkalla muzikore diatonike ka shtatë nota dhe alfabeti shqip ka shtatë zanore. Këto përkime më tërheqin si simbolikë e numrit shtatë. Të gjitha këto kanë lidhje me shtatë qiej dhe përfundimisht nga sjellja e secilit shpirt, përfundimi është ose në shtatë nivelet e Parajsës ose në shtatë nivelet e Ferrit, siç cilësohet në Kuran. Pra, jemi prapë brenda një kodi me numrin shtatë ose brenda një projekti të dizajnuar me kujdes e saktësi të habitshme.

Të gjitha këto elemente janë instrumentet e mendjes, mbi të cilat merr dhe jep produktin e saj. Mendja ka një shëmbëlltyrë me konceptin e Perëndisë:

“Ai është i Pari, i Fundit, i Dukshmi dhe i Fshehti; dhe Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.”[19]

Mendja nuk ka as fillim dhe as mbarim, është e dukshme dhe e padukshme, lëviz mbi shpejtësinë e dritës, thyen rregullat dhe ligjësitë e kësaj bote duke dalë jashtë shpejtësisë së dritës dhe konceptit kohë~hapësirë. Ajo është magazinë informacioni për gjithë diturinë e njeriut. Si drita, mendja, nota muzikore dhe tingulli zanor kanë lidhjen me hapësirën. Konkluzion është se, në këtë projekt gjigant të Perëndisë, ne kemi një ndërthurje të habitshme me gjithësinë dhe një palosje kozmike. Brenda nesh është qielli dhe toka, drita dhe errësira, të caktuar për një mision të veçantë, të cilin njeriu mban mbi vete, drejt të padukshmes, drejt Krijuesit tonë:

“Allahu krijoi qiejt dhe tokën me të vërtetën, që të shpërblejë çdo shpirt për atë që ka punuar, dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.”[20]

Pikërisht kur e kuptova këtë madhështi të krijimit tim dhe këtë rol madhështor në këtë gjithësi të pafundme, meditova: Kush jam unë në këtë gjithësi, kur toka para diellit është sa një majë gjilpëre, kur dielli në raport me një nga miliardat e galaktikave është si një thërrmijë pluhuri në një stadium? Po Zoti, që i ka krijuar dhe zotëron gjithçka?! Sa e pakonceptueshme është madhështia!

Më rrëqethet trupi kur kujtoj se sikur të pushonte për një çast dielli, ne do të ishim gurë akulli në hapësirë. Sikur dielli të lëshonte vetëm pak më shumë nxehtësi, toka ime do të ishte një lëmsh i zjarrtë. Sikur ajri të mungonte vetëm me një përqindje të vogël, ne do të përpëliteshim si bagëti që sapo i kanë therur. Sikur graviteti të ndërpritej për një çast, ne do të fluturonim në hapësirë si plehrat e hedhura nga një ndërtesë e lartë. Sikur uji të ndërpritej për pak orë, ne do të përpëliteshim si peshku në zall. Sikur një anomali të ketë në qelizën e parë të krijimit, ne do të dilnim mostra të kësaj toke. Sikur…

Sa mosmirënjohës që jemi, o Zot!

Kur u njoha me ndëshkimet e tmerrshme, të cilat Perëndia ka bërë mbi të parët tanë që nga populli i Noes (Profeti Nuh a.s.) e deri më sot, për të këqijat që raca njerëzore ka bërë dhe bën, dhe kur u njoha nga Kurani se çfarë tmerre na presin në ditën e gjykimit nëse nuk ndjekim rrugën e drejtë, thashë: “O Zot! Nuk mundem më!”

“Po qeshni dhe nuk po qani?! Dhe jeni të shkujdesur?! Bëjini sexhde Allahut dhe adhuroni!”.[21]

Ky ishte momenti kur unë vendosa t’i përulem vetëm Zotit tim:

“Shenjat Tona i besojnë vetëm ata, të cilëve kur u jepet mësim me anë të këtyre (shenjave), bien në sexhde, lartësojnë Zotin e tyre duke e lavdëruar Atë dhe nuk bëhen mendjemëdhenj.”[22]

Imagjinoni përuljen time të parë në xhami. Një person, i cili mbante gradën e gjeneralit, një person që vinte nga një krahinë ku krenaria dhe kapardisja ishte në natyrën e njerëzve, duhet të përulej, e aq më tepër të bënte sexhde, duke vënë ballin dhe hundën në tokë.

Ky ka qenë momenti më i bukur i kthesës rrënjësore të jetës, duke qenë i bindur dhe i nënshtruar plotësisht Krijuesit tim, që është më i Larti, më i Ndrituri, i Gjithëdijshmi, i Gjithëfuqishmi, Sovrani Absolut, Njohësi i së dukshmes dhe i të padukshmes, më i Hirshmi…

Në çastin e sexhdes, ndjeva që nuk i përkisja më vetes. Shumë teprime nga vetja ime ranë si gjethet që bien në vjeshtë. Përkuljen time para Zotit me përulësi në shpirt, e ndieja që më lartësonte sa më shumë që i përkulesha. Në faljen time e ndjeva se isha ushtari më i bindur i Kryegjeneralit që komandonte qiejt dhe tokën dhe çka midis tyre. Ai më kishte mbuluar me mëshirën e Tij, një gjendje krejtësisht tjetër. Pushtoi qenien time, një ndjesi që do të shkonte në kufijtë e lumturisë e që do të vinte vazhdimisht në ngritje të përhershme. Kjo ishte rilindja ime, dhurata më e madhe e jetës sime. Kush mund ta përshkruante më së miri ndjesinë time, sesa një nga njohësit më të mëdhenj të Zotit e të spiritualizmit, siç është Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, i cili pohon:

“Sa fatkeq është ai njeri që ende nuk di se ai ka një Zot, i cili ka fuqi mbi çdo gjë! Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdolloj bukurie gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh nëse e gjen duke dhënë edhe jetën. Dhe ky rubin është me vlerë ta blesh edhe sikur të kushtojë sa e gjithë qenia jote. O të humbur, vraponi drejt këtij burimi se do t’jua shuajë etjen. Ky është burimi i jetës që do t’ju shpëtojë. Ç’të bëj unë? Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar? Me çfarë daulleje t’i njoftoj njerëzit se Ky është Zoti i tyre? Dhe me çfarë ilaçi t’ua kuroj veshët që ata të fillojnë të dëgjojnë?[23]

Ndoshta këtë kënaqësi kanë ndierë profetët dhe dijetarët e mëdhenj, të cilët rrinin me orë të tëra duke adhuruar Zotin Madhështor.

Lavdi o Zoti im!

Referenca

[1] Kurani i Shenjtë, 30:9.

[2] Kurani i Shenjtë, 57:23.

[3] Kurani i Shenjtë, 95:5.

[4] Kurani i Shenjtë, 64:4.

[5] Uilliam Shekspir, “Hamleti”, shqipërues: Fan S. Noli, botues “Vëllezërit Tafa”, Tiranë 2009, Fq. 84.

[6] Kurani i Shenjtë, 46:4.

[7] Kurani i Shenjtë, 10:20.

[8] Kurani i Shenjtë, 10:62.

[9] Heinz R. Pagels, “The Cosmic Code: Quantum Physics As the Language of Nature”, botues: “Dover Publications, Inc.”, Mineola, New York 1982, fq. 343.

[10] E mori këtë emër sipas shkencëtarit britanik Peter Higgs, fitues i çmimit “Nobel për Fizikë” më 2013, së bashku me François Englert.

[11] “Grimca e Zotit” apo “The God Particle: If the Universe Is the Answer, What Is the Question?” është emri i librit të fizikanit dhe nobelistit amerikan, Leon M. Lederman (Çmimi Nobel për Fizikë 1988). Libri u botua më 1993, në bashkautorësi me Dick Teresi-n.

[12] Kurani i Shenjtë 86:6-7.

[13] Kurani i Shenjtë 75:38-39.

[14] Stiven. V. Hoking, vepra e cituar, fq. 121-122.

[15] Kurani i Shenjtë, 51:50.

[16] Kurani i Shenjtë, 36:37.

[17] Kurani i Shenjtë, 43:13.

[18] Kurani i Shenjtë, 15:88.

[19] Kurani i Shenjtë, 57:4.

[20] Kurani i Shenjtë, 45:23.

[21] Kurani i Shenjtë, 53:61-63.

[22] Kurani i Shenjtë, 32:16.

[23] Mirza Ghulam Ahmed, “Arka e Nuhut”, Tiranë, 2020, fq. 50.

Keni pyetje?
Shpërndaje
Share via