I titullova këto shënime “Udhëtim drejt dritës dhe dashurisë” pasi drita dhe dashuria kanë në esencë kuptimin e kësaj bote. Ato janë vetekzistenca, janë e vërteta. Drita dhe dashuria janë produkt i energjisë që mban këtë gjithësi. Drita është kulmi i shpejtësisë, kufi përtej të cilit ka tjetër koncept kohe dhe hapësire. Dashuria është forca tërheqëse, e cila mban universin dhe unitetin e qenieve të gjalla në tokë. Ajo është në qendër të krijimit të njeriut dhe krijesave të tjera. Drita është informacion. Atje ku nuk ka dritë, nuk ka informacion. Drita është baza për gjithë informacionin virtual që ne zotërojmë sot. Nga drita përcaktojmë largësinë e yjeve, të galaktikave, përmbajtjen kimike të cilitdo ylli në gjithësi, zgjerimin e gjithësisë etj.
Drita dhe dashuria janë shkëndijat që ndezin zjarrin e jetës te bimët, te ne dhe te çdo gjallesë. Së bashku me ujin, ato janë vetë jeta. Nga fraksionet e rrezatimit të dritës zbulojmë sot të padukshmet në trupin tonë dhe tek të gjitha qeniet e gjalla, sidomos në fushën mjekësore, por dhe në tërë fushat e tjera të materies në tokë e në gjithësi.
Bota nuk do të ekzistonte dhe nuk do të kishte kuptim pa dritën dhe dashurinë. Për këtë arsye, drita dhe dashuria kanë qenë fenomenet më të studiuara nga të gjithë shkencëtarët, shkrimtarët dhe artistët e gjithë botës.
Drita është një nga elementet bazë të materies. Grimcat e dritës janë më të vogla se atomi. Ato janë tullat e para të universit, mbajtëse të energjisë dhe informacionit. Duke qenë se drita është valë dhe grimcë (fotone), ajo krijon dhe shpërndan informacione si me rreze, ashtu edhe me fotone. Pra, në sajë të dritës mbartet informacioni, si: valë televizive, telefonike, radioje, radari, kompjuteri, valë satelitore etj.
Dashuria, si një forcë tërheqëse pozitive, është rregullatorja universale e shumë çështjeve dhe krijesave. Nëpërmjet saj shmanget kaosi, shkatërrimi, urrejtja dhe lufta. Nëse duam që specia jonë të mbijetojë, nëse duam t’i japim kuptim jetës, nëse duam të shpëtojmë botën dhe çdo qenie që kërkon strehim në këtë planet, dashuria është e vetmja zgjidhje.
Si në Bibël,[1] ashtu dhe në Kuranin e Shenjtë, Zoti është konceptuar si burim i dritës:
“Allahu është drita e qiejve dhe e tokës. […] Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë.”[2]
Njëkohësisht në Librat e Shenjtë, engjëjt, shpirti, dashuria, dituria dhe parajsa konsiderohen si produkt drite. Është fare e mundshme, Zoti e di më mirë, që engjëjt, këta mesazhierë të Zotit, janë produkt i dritës, ushtri e pafundme e Krijuesit për të gjitha çështjet. Ata mbajnë edhe informacionin kozmik dhe njerëzor, të cilin e magazinojnë ashtu si ne magazinojmë informacionin në një kompjuter. Aq më tepër që në Kuran, Zoti përshkruhet si Drita e qiejve dhe e tokës, dritë mbi dritat, duke qenë në gjendje që të administrojë me lehtësi cilindo informacion që ndodhet në gjithësi, në tokë dhe në çfarëdo dimensioni hapësire dhe kohe. Duke qenë se Zoti është Drita e qiejve dhe e tokës, thotë një njeri i Zotit, atëherë çdo shkëlqim që shihet në lartësi e në ultësi, qoftë në shpirtra apo në trupa, qoftë personale apo e dhuruar, qoftë e hapur apo e fshehur, qoftë mendore apo fizike, është burim i dritës së Krijuesit, është monopol i Tij.
Fenomene, që në Kuran theksohen si burim nga drita, janë: informacioni, dija dhe dashuria. Kjo lidhje e ngushtë e informacionit, diturisë dhe dashurisë me dritën i jep kuptim jetës, e ndriçon atë. Në Kuranin e Shenjtë thuhet:
“Sytë nuk e arrijnë Atë, por Ai i arrin sytë. Ai është i Mprehti, i Gjithinformuari. Juve ju kanë ardhur dritësime prej Zotit tuaj. Ai që dritësohet, e bën për veten e tij dhe ai që verbohet, e bën kundër vetes së tij.”[3]
Pikërisht në vendin ku përmenden sytë, përmendet dhe drita. Sytë janë ndërtuar mbi principin e dritës. Ata përfshijnë dhe reflektojnë atë çka drita zbulon, por nuk e rrokin dot dritën, temë e cila është e thellë për ta trajtuar. Ndoshta duke medituar thellë mbi dritën, ajo e ka inspiruar Profetin e Islamit, që të lërë si porosi një lutje, që është sa hyjnore aq edhe njerëzore, sa poetike aq edhe shkencore, sa reale aq dhe kuptimplotë për çdo epokë:
“O Allah! Bëj dritë në zemrën time, dritë në varrin tim, dritë para meje, dritë pas meje, dritë në të djathtën time, dritë në të majtën time, dritë mbi mua, dritë poshtë meje, dritë në dëgjimin tim, dritë në shikimin tim, dritë në flokët e mi, dritë në lëkurën time, dritë në mishin tim, dritë në gjakun tim dhe dritë në kockat e mia. O Allah!
Më bëj të kuptoj rëndësinë e dritës, më dhuro dritë dhe më bëj mua dritë!”[4]
Si ka mundësi që Profeti Muhammed a.s.[5], i lindur në shkretëtirën e Arabisë, në një vend ku shoqëria ishte tepër primitive, që nuk dinte shkrim dhe këndim, parashikoi me këtë thënie për dritën rëndësinë e saj në kohët moderne të zhvillimit më të lartë të shkencës? Si ka mundësi që shkroi këtë libër, me titullin “Kuran”, që hedh dritë mbi të gjitha çështjet e botës?!
Kjo enigmë i ka bërë me mijëra dijetarë, shkencëtarë, filozofë, poetë dhe studiues të binden se enigma është diku përtej Profetit, përtej këtij realiteti, duke shkuar në kërkim të Tij, duke shpresuar në takimin me Të… I lumtur është ai që e kupton dhe e kërkon Atë, Krijuesin, sepse patjetër do ta takojë.
Unë jam nisur drejt kësaj drite në një udhëtim, të cilin shpresoj ta nisin dhe shumë të tjerë. Dhe (ky udhëtim) do t’ju japë një dritë, me të cilën do të ecni:
“O Profet! Pa dyshim, Ne të dërguam ty si dëshmitar, sihariqdhënës dhe alarmues; dhe si thirrës drejt Allahut me urdhrin e Tij dhe si një diell ndriçues.”[6]
Pra, ky dallim do të jetë që neve do të na jepet një dritë, me të cilën do të ecim në të gjitha rrugët tona. Do të thotë që ajo dritë do të depërtojë në çdo fjalë dhe në çdo vepër, në çdo forcë dhe në çdo ndjenjë tonën. Madje, ajo dritë do të hyjë edhe në mendjen tonë, aq sa edhe hamendësimi ynë do të jetë plot dritë. Ajo dritë do të jetë te sytë tanë, te veshët tanë, te gjuha jonë, te fjalët tona dhe në çdo qëndrim e lëvizje tonën. Edhe mendjet tona do të veprojnë vetëm për të përhapur dritë dhe ne të gjithë do të bëhemi dritë.
Në esencë si bota materiale, ashtu edhe shpirtërore na vlerësohet si gradë drite. Bota dhe shpirti janë gradë drite.
Kurani i Shenjtë e trajton dritën edhe përtej kësaj jete duke paraqitur një vazhdimësi shkallësh ngritjeje të pafundme:
“… drita e tyre do të vrapojë përpara tyre dhe në të djathtën e tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Na plotëso dritën tonë dhe na fal. Pa dyshim, Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë.”[7]
Unë po përpiqem të jem një qiri i ndezur në flakën e dritës hyjnore. Le të jetë cilido nga ne një qiri i ndezur në këtë dritë hyjnore për të përhapur të mirën e të ndalojmë të keqen në këtë botë, që po bëhet çdo ditë e më tepër mizore; le të jemi pishtarë të vërtetë të dijes, të paqes, të dashurisë, të mirësisë dhe të drejtësisë, që e mira të ndriçojë botën; le të digjemi si qiriri për këtë mision të shenjtë që na ka ngarkuar Zoti.
Në këtë epokë, ku errësira po e pushton dritën, le të ndezim sa më shumë qirinj të dashurisë dhe mirësisë për ta mbajtur dritën hyjnore të ndezur e të ndritur në zemrat dhe mendjet e njerëzve.
Ndoshta, poeti ynë mistik Naim Frashëri e ka kuptuar këtë mision madhështor, kur shkroi në shekullin XIX vargjet:
“Në mes tuaj kam qëndruar,
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.Do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.Kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur,
jam i gjall’ e jam ndë jetë,
jam në dritët të vërtetë…”[8]
Referenca
[1] “Perëndia është dritë…”, Dhiata e Re, Letra 1 e Gjonit, kapitull 1, citati 5, cituar sipas: Bibla, Diodati i Ri, përkthimi 1991-94, botues: “Shoqata Shqiptare e Biblës”, Tiranë, korrik 1995, fq. 278.
[2] Kurani i Shenjtë, 24:36.
[3] Kurani i Shenjtë, 6:104-105.
[4] Xhami‘u et-Tirmidhi, kitab “Ed-Da’vat”, bab “Ma jekulu idha kame minel-lejli iles-salati”, hadithi nr. 3419, cituar sipas librit: “Thesari i lutjeve”, autor: Hafiz Muzaffar Ahmad, përkthyes: Samad Ghori, botues: “Islam International Publications Limited”, Tiranë 2016, fq. 104.
[5] a.s. është shkurtesë për fjalët arabe alejhis-selam, që do të thotë: paqja qoftë mbi të, pra mbi Profetin Muhammed (570 – 632) në këtë rast. Më tej, në libër do të përdoret çdo herë pas emrit të Profetit të Islamit, ose profetëve të tjerë si: Ademi (Adami), Musai (Mojsiu), Isai (Jezu Krishti) etj.
[6] Kurani i Shenjtë, 33:46-47.
[7] Kurani i Shenjtë, 66:9.
[8] Poezi e botuar fillimisht në vëllimin me poezi për fëmijë “Vjersha për mësonjëtoret të para”, shtypur nga shoqëria “Drita”, Bukuresht 1886, fq. 3-4.