![kontrolli analiza zgjidhja](https://www.ahmadiyya-islam.org/al/wp-content/uploads/sites/3/2016/01/kontrolli-analiza.jpg)
Mund të lindë pyetja se si mund të njohim përkufizimet e gjynaheve dhe mëkateve të ndryshme. Përgjigjja e parë është po ajo që dhashë më parë: Mësojini prej mësuesit! Por ngaqë edhe prej mësuesit nuk mund t’i mësoni të gjitha hollësitë, do t’ju tregoj edhe një mënyrë tjetër: Zoti i ka dhënë njeriut natyrë të tillë, e cila e lejon të bëjë një vepër të caktuar (të keqe), por të njëjtën gjë kur dikush tjetër e bën para tij, e bën të irritohet dhe ta urrejë tejmase. Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a. thoshte se ai kishte pyetur një herë një vjedhës – A nuk ju duket e keqe vjedhja? Dhe vjedhësi i qe përgjigjur:
– Pse do të na dukej e tillë?! Nuk i marrim gjërat kollaj, por i fitojmë me djersë duke vënë veten në rreziqe shumë të mëdha.
Kalifi i parë ndërroi bisedë dhe pas një farë kohe, sërish e pyeti:
– Po si e ndani me bashkëvjedhësit atë që fitoni?
– Kemi edhe argjendar në klanin tonë, – tha vjedhësi. – Atij ia japim të gjitha stolitë qofshin ar apo argjend, të cilat ai i shkrin dhe pastaj ne i ndajmë në hise për secilin.
– Po kur ju vjedh argjendari diçka nga stolitë, çfarë i bëni? – e pyeti Kalifi r.a..
– Po pse? Ia ka dhënë gjë i ati?! Po na bëri një gjë të tillë, ia këpusim kokën atij vjedhësi të poshtër! – ia ktheu ai.
Ky shembull tregon se si njeriu sheh veprat e tij me një shikim tjetër dhe ato të të tjerëve me një tjetër. Andaj, mëkatin nuk duhet ta përkufizoni duke u bazuar në atë që ju thotë vetja juaj, por ta përkufizoni duke parë veprat e të tjerëve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrini të shihni edhe lajthitjet më të vogla. Përkufizimin e bërë duke parë mëkatet e të tjerëve kur do ta aplikoni për vete, do të kuptoni se shumë gjëra që bëni pa vrarë fare mendjen, i konsideroni si mëkate të mëdha për të tjerët. Kjo është një metodë e lehtë dhe e shkëlqyeshme për ta kuptuar thelbin e mëkatit dhe duke e përdorur këtë, ka shumë pak gjasa të gaboni.