Ëndrra e parë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Libri “Udhëtim drejt dritës dhe dashurisë” nga Bujar Ramaj, i paraqitur mbi një tavolinë në një ambient të ngrohtë leximi.

Nuk e di se si ndodhi, por ishte fundi i vitit 1992. Pas një festimi në Vlorë për 80-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (në këtë kohë kisha një post në qeverinë demokratike pas rënies së diktaturës) udhëtova në një qytet të vogël, buzë lumit e mes maleve, ku familja ime, me bashkëshorten dhe tre fëmijët, vazhdonte të banonte.

Ndërsa isha në një gjumë të ëmbël, afër mëngjesit, u zgjova nga një ëndërr e çuditshme me një ndjesi gati befasuese dhe të mrekullueshme. Hapa sytë. Akoma më dukej vetja midis reales dhe joreales. Për një moment mendova se kisha ardhur nga një botë krejt ndryshe, që nuk e kisha përfytyruar më parë. Një botë e padukshme. Ëndrra, që kisha përjetuar, nuk kishte lidhje me asgjë në jetën e përditshme. As me punën, as me tërë historinë dyzetvjeçare, as me jetën time disavjeçare si ushtarak, as me hallet dhe angazhimet e mia familjare dhe fisnore. Ajo ishte si një dritë sinjalizuese për atë që do të më ndodhte më vonë, një shenjë në rrugën e së padukshmes që aq shumë na mundon.

Cila ishte ëndrra?

Pata ndjesinë se isha në shtëpinë ku kisha lindur dhe kisha kaluar fëmijërinë time. Përballë shtëpisë qëndronte një ndërtesë, krejt e bardhë, në formë rrethi dhe që i ngjante një faltoreje të ndërtuar me gurë të bardhë e të gdhendur. Aty ishin grumbulluar shumë njerëz. I habitur, unë pyes dikë që po rrinte ulur aty:

“Çfarë është kjo ndërtesë?”

Një zë m’u përgjigj:

“Ky është vend i shenjtë dhe këtë vend e ke ndërtuar ti”,- duke m’u drejtuar mua.

Dhe shtoi se:

“Këtu është qendra e fshatit”.

Kjo ishte ëndrra. Megjithëse isha me sy të hapur, ajo nuk ndahej prej meje në bardhësinë e agimit me dëborë mbi qytetin mes maleve. Ëndrra ngjante akoma më e bardhë, e bardhë dhe mysafire e mistershme qiellore. Habia më e madhe qëndronte në faktin se isha rritur në një ambient antifetar, sidomos nga mosha 13 deri 40-vjeçare të jetës sime ushtarake. Nuk kisha pothuajse fare njohuri për fetë, përveç një shembulli të babait, i cili ndiqte në heshtje disa rite islame, që për mua kishin qenë përjetime kalimtare, ngaqë diktatura e kishte ndaluar me ligj të besuarit në Zot. Në memorien time, si në mjegull kisha disa imazhe nga fëmijëria; disa teqe dhe mekame që ngriheshin aty-këtu, ku ne të vegjlit merrnim sheqerka apo hanim hashure;[1] një xhami ku loznim kur ishim të vegjël. Imazhi i prishjes së saj nga diktatura, kishte ngelur si një prishje e lodrës sonë, sesa shembja e një tempulli të shenjtë. Si ka mundësi, – mendoja me vete,– që dikush si unë, që nuk kishte asnjë njohuri mbi fetë, mbi besimet, për vetë edukimin gati-gati ateist në shkollat e diktaturës komuniste ku kishte mësuar, të përjetonte një ëndërr të tillë?

Ky imazh nuk m’u shqit pothuajse gjatë gjithë ditës. Afër mbrëmjes, një oficer i repartit, që kisha përballë shtëpisë, më thirri e më tha: “Ministri i Mbrojtjes ju kërkon urgjent në telefon!” Në atë kohë nuk kishte telefona celularë. U vesha me shpejtësi dhe u nisa me mendimin se do të kishte ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë, për të cilën unë duhet të investigoja.

“Bujar”,– u dëgjua zëri i ministrit nga ana tjetër,- “duhet të nisesh urgjent në Tiranë! Do të niseni nesër në një udhëtim me Presidentin e Republikës jashtë shtetit, në Arabinë Saudite. Përgatit dhe një pasaportë të re dhe nisu!”. Kaq ishte komunikimi. Ato fjalë ngelën pezull si vetë ëndrra ime e mëngjesit.

Megjithëse sapo mbushja dyzet vjet, jashtë shtetit nuk kisha qenë asnjëherë. Dalja jashtë kufijve të Shqipërisë ishte një dëshirë e ngrirë në periudhën e diktaturës, dhe ja, papritur, kjo po realizohej me një delegacion të nivelit të lartë. Të njëjtën ditë, pasi bëra gati të gjitha pajimet e nevojshme, thirra shoferin dhe u nisëm me shpejtësi drejt Tiranës. Një koleg imi më udhëzoi se cilat ishin detyrat e mia në këtë delegacion dhe më përcolli për në aeroportin e Tiranës.

Avioni, që priste në pistën e aeroportit, ishte tepër modern dhe pronë e mbretit të Arabisë Saudite. Ky avion, pasi kishte marrë në Sarajevë Presidentin e Bosnjë dhe Hercegovinës, të nderuarin Alija Izetbegoviç, ishte kthyer të merrte dhe Presidentin e Shqipërisë. Pata rastin të merrja pjesë dhe të drekoja së bashku me ta në suitën e avionit.

As nuk mund ta mendoja se pak vite më vonë, do të lexoja librin e Presidentit Izetbegoviç, “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit”. Ky njeri do të trondiste gjithë botëkuptimin tim mbi botën. Nëpërmjet librit të tij, m’u sistemuan gjithë njohuritë e qindra librave që kisha lexuar në këtë jetë. U kthye në librin, të cilit do t’i drejtohesha disa herë për të gjykuar mbi shumë probleme të jetës, të shoqërisë, mbi të drejtën dhe moralin, mbi religjionin, artin dhe kulturën, e mbi të gjitha, mbi kuptimin përfundimtar të jetës dhe botës dualiste.

Udhëtimi mbi Mesdhe dhe mbi Detin e Kuq ishte mbresëlënës. Nata na zuri mbi shkretëtirë. Ai udhëtim m’u duk si një udhëtim në përrallat e njëmijë e një netëve. Xhide, qyteti ku ne do të qëndronim, me dritat e shndritshme ngjante me një brez xhevahiresh që ndritnin mbi shkretëtirë, një refleks i mrekullueshëm midis Detit të Kuq dhe shkretëtirës.

Pas pritjes ceremoniale u rehatuam në një ambient mbretëror të rrallë për sytë e mi, si nga rehatia, pastërtia dhe hapësira. Në këtë hapësirë rrinim vetëm unë dhe Presidenti i Republikës. Pas pak, dikush më kërkoi: “A doni të bëni një vizitë në Xhaminë e Shenjtë të qytetit të Mekës”? Në komunikimin me Presidentin, ai më tha se ky është një rast i mirë për ta vizituar këtë vend të shenjtë të të gjithë myslimanëve të botës, dhe se rrallë njerëzve u takon kjo mundësi. Pasi u lamë dhe u veshëm me rrobat e bardha, u nisëm për në Mekë. Duke ecur nëpër shkretëtirë në një autostradë të gjerë, që gjarpëronte mes kodrave të shkreta, si në një botë joreale dhe të paparë më parë. Miku që na shoqëronte, na tha se poshtë të gjitha atyre maleve të thata kishte pasuri të pashtershme.

Mbërritëm në Mekë në mesin e natës. Qyteti i Mekës e sidomos Xhamia e Shenjtë ishte krejtësisht e bardhë. Aty çdo gjë ishte e bardhë. Mermeri, ndërtesa dhe njerëzit, të veshur me të bardha. Atë mesnatë më dukej vetja si të isha mes një ëndrre dhe realitetit. Një ndjesi magjepsëse pushtoi qenien time në ritualin që po zhvilloja si rreth gurit të zi, ashtu dhe midis dy kodrave Safa dhe Merva. Unë nuk kuptoja asgjë nga ky ritual fetar, që sa e sa miliona e miliona myslimanë në botë e kanë ëndërr ta bëjnë një herë.

Vazhdimisht ndiqja nga pas presidentin dhe hoxhën, që na shoqëronte me një zë të ëmbël duke kënduar Kuranin arabisht. Në fund, hoxha na dha nga një gotë uji zemzem dhe duke bërë një lutje të gjatë për ne, tha: “Insha’Allah Zoti e ka pranuar!” Kuptova shumë pak, për të mos thënë asgjë, nga ky ritual, pasi unë nuk kisha lexuar asgjë mbi religjionet në përgjithësi dhe për Islamin në veçanti. Në diktaturë ishte e ndaluar si propaganda fetare, ashtu edhe literatura fetare.

Në fund të viteve ‘60-të, nisi një fushatë e madhe kundër besimit fetar në Shqipëri. U shkatërruan në mënyrën më barbare kishat, xhamitë dhe çdo vend i shenjtë. U ndaluan predikimet dhe ritualet fetare. U dogjën librat e shenjtë dhe literatura fetare. U ndalua propagandimi i tyre. Drejtuesit fetarë u persekutuan dhe u burgosën. U dëbua çdo institucion dhe u mbyll çdo bashkësi fetare. Dhjetëra njerëz u dënuan me burgim për pikëpamjet fetare, deri edhe me pushkatim.

Për çudi, populli jo vetëm nuk reagoi, por kishte shumë individë që morën pjesë barbarisht në shkatërrimin e tyre. Njerëzit, siç duket, duke mos e ndier në çast ndëshkimin e Zotit, nisën dhe e thelluan deri në indoktrinim ekstrem ateizmin dhe urrejtjen ndaj të gjitha besimeve, reflekset e të cilave janë të ngulitura dhe sot në të shumtën e popullsisë. Por, nëse i analizojmë ngjarjet që nga momenti i rebelimit ndaj besimit e deri më sot, bindemi për një mallkim dhe ndëshkim nga Perëndia, që pësuan si udhëheqësit e vendit, ashtu edhe populli. Fillimi i këtij mallkimi nisi fill pas shkatërrimit të institucioneve fetare.

Ja se çfarë ndodhi pas kësaj:

Një mallkim përfshiu klasën politike komuniste. Për dymbëdhjetë vjet, duke filluar nga viti 1972, e gjithë elita komuniste u vu në një grindje të vazhdueshme me njëri-tjetrin, si në: ushtri, arsim, kulturë, tregti dhe ekonomi. Si pasojë, shumica e kësaj elite u burgos, u internua, u pushkatua, duke filluar që nga gazetarët, njerëzit e kulturës e artit, drejtuesit e lartë, gjeneralët, ministrat e deri te kryeministri i Shqipërisë “i vetëvrarë”.

Shifrat ishin rrëqethëse. Diktatori sëmuret nga një sëmundje e tmerrshme që e katandisi në një fëmijë përbindësh. Mallkimi nuk ndalet këtu! Çdo njeri privohet nga prona private. Vendi zhytet në një varfëri ekstreme. Zhduken kafshët e egra, pyjet, deri te prodhimet më elementare, siç ishte: buka, frutat, zarzavatet. Ndërsa 70% e popullsisë hante vetëm bukë misri të cilësisë vetëm për kafshë, mishi ishte mbeturinë disavjeçare e magazinave evropiane. Ky mish jepej me racion. Vështirësitë arritën deri atje, saqë duheshin orë të tëra në radhë për të blerë bulmet e zarzavate të racionuara me gramë. Askujt nuk i lejohej pronë, liri mendimi apo predikimi fetar. Njerëzit u depersonalizuan, duke u futur në grindje me njëri-tjetrin. Pjesa më e madhe e adhuronte diktatorin deri në ekstazë, aq sa e kthyen në Perëndi.

Vendi u zhyt në varfëri e mjerim, të shoqëruara këto me ndëshkime të vazhdueshme. I gjithë ky njëzetvjeçar i fundit i diktaturës është analizuar dhe stëranalizuar nga shumë studiues dhe politikanë në këndvështrime të ndryshme, duke ngarkuar me faj diktaturën, por askush nuk e ka trajtuar këtë si një ndëshkim hyjnor për prishjen e institucioneve e faltoreve fetare dhe kalimin në adhurimin e diktatorit e jo të Zotit, si një ndëshkim për një udhëheqje dhe popull zullumqarësh dhe jo sipas Librave Hyjnorë. Këtë periudhë e përjetova dhe unë. Të vetmet fjalë që më kujtoheshin nga ajo kohë ishin: bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim[2], All-llahu Ekber[3] dhe La ilahe il- lall-llah[4], që i kisha dëgjuar shpesh nga babai im kur ishte gjallë, sidomos fjalët La ilahe il-lall-llah ai i përdorte aq shumë, saqë unë, në mënyrë instinktive dhe pa ditur asnjë kuptim të tyre, i përdorja. Ndieja një lehtësim, sikur zgjohesha në mëngjes ose para se të flija.

Shumë vite më vonë kuptova shumë gjëra për këtë ritual, që i plotë quhet Haxh, një ritual që është kryer me mijëra vite më parë dhe nga profeti Abraham (Ibrahim), madje akoma më parë. Haxhi është një ritual, i cili simbolizon që besimtari është gati të plotësojë të gjitha detyrimet hyjnore, që është lartësuar në besim dhe është përgatitur të takojë Krijuesin e tij. Në këtë ritual vijnë nga e gjithë bota. Është një pelegrinazh mjaft kuptimplotë. Njeriu e ka gjithë jetën një pelegrinazh, nga lindja e deri në vdekje, vetëm lëvizje, por lëvizja për në Haxh drejt Mekës mbart dhe kuptimin simbolik të ciklit të jetës, një rrotullim ciklor si gjithë ciklet e jetës: elektroni rreth atomit, toka rreth diellit, e deri te format e galaktikave, por dhe një kthim në shtëpinë më të vjetër të botës, ku ndoshta babai ynë i parë, Ademi, nisi jetën mbi këtë tokë, ku Zoti ka lënë shenjat e tij që nga Ademi a.s. e deri tek Muhammedi a.s..

“Shumë qytet magjepsës!”, i thashë shoqëruesit arab në makinë. Ai filloi të më fliste gjatë për Mekën, për profetin Muhammed a.s., për historinë e qytetit. Më tha edhe që një shkencëtar ka bërë një studim, sipas të cilit,Meka është dhe pika ku forca tërheqëse e tokës është më e madhja dhe se është qendra e botës nga pozicioni gjeografik dhe se vendndodhja e saj është në të mesmen e artë 1.62, si nga paralelet ashtu dhe nga meridianët. Për një çast m’u kujtua ëndrra, një vend i shenjtë i bardhë dhe qendra e fshatit, këtu një qytet i shenjtë e i bardhë, si dhe qendër e myslimanëve dhe e botës sipas shoqëruesit. A mos kishte lidhje gjithë ky udhëtim dhe ky qytet me ëndrrën time? Shumë pyetje sulmuan qenien time në atë moment, por unë nuk isha në gjendje t’u përgjigjesha. Duhet të kalonte kohë që gjërat të më sqaroheshin dhe të më bëheshin të qarta si vetë drita e bardhë e këtij qyteti.

Nga Meka më mbeti kujtim veshja e bardhë (ihrami), një Kuran i dhuruar nga mbreti, i shkruar me germa ari dhe një sixhade për t’u falur me pamjen e Xhamisë së Shenjtë. Pas kësaj, bëmë vizitë në Egjipt, në piramidat e vendit, një mister që më kishte munduar tërë jetën. Më vonë vizituam xhaminë e Mehmet Ali Pashës, mbretit egjiptian me origjinë shqiptare.

Nga kjo vizitë mbresëlënëse, nga ky udhëtim i parë jashtë shtetit, vizita në Mekë mbeti si një dritë e bardhë brenda qenies sime, që do të më ngacmonte shpesh në brendësi për të më drejtuar më vonë në një rrugë krejt ndryshe nga çfarë kisha përshkuar më parë. Rituali në Xhaminë e Shenjtë ishte fillimi i kësaj rruge të një drite të veçantë, që e shkëput njeriun nga një gjendje errësire në një gjendje tejet të ndritshme, në një gjendje gati lumturie, kënaqësie dhe qiellore të pashijuar më parë.

Habia vazhdoi me udhëtimin tim drejt vendlindjes dhe lidhjen e ëndrrës me realitetin. Vendi, ku unë kisha parë në ëndërr vendin e shenjtë dhe ku zëri më tha se ishte qendra e fshatit, ishte pikërisht ashtu, me një bashkim gjeometrik të ekstremeve të shtëpive në lindje-perëndim, veri-jug, qendra binte përpikërish te vendi para shtëpisë sime ku unë kisha lindur.

Habia vazhdoi me udhëtimin e dytë jashtë shtetit në Romë, ku kolegët e mi italianë më ofruan, pa kërkesën time, një vizitë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Atë jo vetëm që e vizituam nga brenda, por atje ne u ngjitëm pesëqind e ca shkallë deri në kulmin e saj, nga ku pamja e Romës ishte e mahnitshme. Kjo bazilikë dhe sheshi para saj janë qendra e besimit katolik në botë.

Kjo ëndërr përfundoi me vizitën në tri qendrat e shenjta: Mekë dhe Xhamia e Shenjtë, Romë dhe bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan, si dhe vendlindja ime; dy reale dhe një imazh. Ndoshta deri në fund të jetës sime, kjo ëndërr mund të japë shenja edhe për ndonjë ndodhi tjetër. Zoti e di më mirë!

Referenca

[1]  Ëmbëlsirë që përgatitet me grurë të zier e me sheqer, me arra, bajame, rrush të thatë, kanellë etj., dhe që hahet pasi të kalojë zija pas ditës së dhjetë të muajit Muharrem (muaji i parë i kalendarit islamik të Hixhretit/Emigrimit), në përkujtim të Tragjedisë së Qerbelasë. Festë kjo që shënohej dhe përkujtohej para dhe përkujtohet pas rënies së komunizmit në Shqipëri nga Komuniteti Bektashian.

[2] Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.

[3] Zoti është më i Madhi.

[4] Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.

Shpërndaje
Keni pyetje?
Share via