Pas tre vjetësh, pashë një ëndërr të dytë tronditëse. Koha nga ëndrra e parë, në vitin 1992, ishte rrokullisur me shpejtësi, duke lënë vit për vit ndonjë ngacmim të lehtë në shpirtin tim, si: meditime mbi krijimin e gjithësisë, mbi krijimin e njeriut, fatit tim, momentet e bukura dhe të vështira, njohja e anës së mirë dhe e asaj të keqe, e pushtetit si në Shqipëri dhe më gjerë, për vetë detyrën që kisha. Këto më maturuan edhe më shumë.
Një frymëzim i brendshëm më nxiti që të mbroja një gradë shkencore me temën për kërcënimet që u vinin institucioneve delikate të shtetit shqiptar dhe vetë shoqërisë shqiptare nga krimi i organizuar, mafia dhe korrupsioni. Ky studim ishte i pari në llojin e tij në Shqipëri (viti 1995). Në fillim u prit me nënvleftësim nga disa ekspertë, por shumë shpejt do të ishte një deduksion i fortë për ngjarjet që do të ndodhnin në vitet 1997 dhe deri më sot. Pikërisht nga kjo punë studimore, e kuptova se nuk ishte më imja, por ishte një dhuratë hyjnore që më orientonte sa më drejt për ngjarjet që do të pasonin më vonë. Nëpërmjet saj do të paralajmëroja për një të keqe të madhe që do të dukej në horizontet e sistemit demokratik në Shqipëri, ku sapo ishim nisur.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni e kanë në themelin e tyre mëkatin e lakmisë, që e dëbon njeriun nga parajsa e vërtetë duke e hedhur në ferr. Ky mëkat e ka shoqëruar njerëzimin që nga krijimi i tij e deri më sot, duke shkaktuar aq shumë fatkeqësi. Në vazhdimësi pasioni i lakmisë për pushtet dhe para ka marrë përmasa të papara. Ai është bërë motori i së keqes, shkaktari i luftërave, i intrigave, i tradhtive, i vrasjeve, i krimeve, i padrejtësive dhe i përplasjes mes popujve dhe shteteve.
Megjithëse Zoti i ka ndëshkuar disa herë si shoqëritë dhe elitat për këtë dukuri negative, gjendja ndryshonte përkohësisht, për t’u keqësuar më vonë shumëfish. Në këtë kohë që po jetojmë, lakmia ndaj jetës materiale ka marrë përmasa të frikshme, aq sa korrupsioni dhe krimi janë bërë natyrë e shoqërisë. Shembulli më tipik është edhe vendi im, ku krimi, korrupsioni gati po e lodh dhe nëpërkëmb shoqërinë tonë të brishtë. Sa më shumë që kjo e keqe po përhapet, aq më shumë ndëshkimi dhe mallkimi po na përfshin të gjithëve, duke na kërcënuar me ndonjë ndëshkim hyjnor.
Kur e kisha harruar ëndrrën e parë, papritur një ëndërr tjetër do të më trondiste.
Ishte fillimi i vitit 1997. Në Shqipëri ishte përhapur me shpejtësi një fenomen i paparë më parë, ku dhjetëra firma fantazmë grumbullonin para me kamatë të lartë. Pjesa më e madhe e popullsisë u turr të hidhte paratë në këto firma, duke shitur shtëpi e bagëti, me qëllim që të fitonin sa më shumë para. Kjo çoi në falimentimin e tyre dhe zemërimin e njerëzve. Pikërisht në këtë kohë, unë u njoftova me një ëndërr nga Zoti i Madh.
Cila ishte ëndrra?
M’u duk sikur po qëndroja buzë detit, në brigjet e Himarës, ndërsa te disa ekrane televizive po shfaqeshin lajme se unë dhe Presidenti i Republikës, i cili ishte i veshur me kostum të zi, po udhëtonim. Po ngjitnim malin e Llogarasë në Vlorë, por mali nga i gurtë po bëhej baltë. Sapo afroheshim të kalonim qafën e Llogarasë, mes baltës na sulmoi një kope me qen të zinj, të bardhë dhe laramanë nga çdo anë. Presidenti më tha: “Bujar, do të na hanë qentë!” I thashë: “Mos ki frikë sa je me mua, se unë nuk kam frikë nga qentë!” Ai, për një çast, u rrëzua në tokë. Unë u hodha duke i vënë duart nën kokë që të mos vritej. Ai më tha: “Më sill të pi pak ujë”. Këtu mbaron ëndrra ime.
Më vonë kjo ëndërr tregoi një lidhje domethënëse me ngjarjet që do të ndodhnin në Vlorë. Qentë e zinj, të bardhë dhe laramanë ishin turmat e pakënaqura, pa dallim politik, ndërsa balta do të simbolizonte vështirësinë që kaluam. Presidenti do të rrëzohej nga pushteti, por do të mbijetonte për t’u kthyer sërish.
Kur ia tregova këtë ëndërr një politikani të moshuar e me përvojë, ai më tha: “Kjo është e vërtetë”. Ai që ditën tjetër ndryshoi kryekëput qëndrimin në sjelljen e tij politike, duke dalë kundër politikës së qeverisë së kohës. Skema e ëndrrës që pashë pothuajse u realizua me përpikëri:
Revolta nga pakënaqësia e humbjes së parave nisi në Vlorë. Ajo u përhap në bregdetin e Himarës, ku atje u ngritën në revoltë si kundërshtarët politikë, edhe njerëz të pushtetit dhe populli i thjeshtë. Vështirësitë erdhën duke u rritur deri në rrëzimin e qeverisë dhe largimin e Presidentit. Vendi kaloi në kaos. Bandat shkatërruan e dogjën objektet ushtarake dhe shtetërore, vodhën armët dhe municionet, duke i shkaktuar Shqipërisë me mijëra të vrarë që vazhdojnë dhe sot, si dhe dëme të pariparueshme. Mes këtij kaosi edhe unë u ndodha dy herë para dy sprovave të mëdha, në pragun e humbjes së jetës: një herë në shkurt të vitit 1997 në Vlorë dhe në Përmet, në mars të vitit 1997. Në të dyja rastet ishte një dorë e padukshme që më shpëtoi jetën. Histori, për të cilat duhet kohë t’i përshkruaj…
Ngjarja e vitit 1997 ishte një ndëshkim dhe shenjë nga Zoti i Madh, ngaqë u teprua në përdorimin e kamatës. Kurani i Shenjtë thotë:
“Ata që hanë kamatën nuk mund të qëndrojnë, veçse si ai të cilin e ka shtangur djalli me prekjen e tij.”[1]
Pikërisht kështu u ngritën njerëzit, si i marri kur preket nga djalli. Kjo është një habi e madhe. Në Kuranin e Shenjtë thuhet se Zoti ka disa mënyra komunikimi me qenien njerëzore:
“Nuk është e mundur për një njeri që Allahu t’i flasë atij, përveçse me anë të shpalljes ose mbrapa një perdeje ose atij t’i dërgohet (prej Allahut) një i dërguar (pra, engjëll), i cili i shpall atij me urdhrin e Tij për çfarë të dojë Ai. Sigurisht, Ai është shumë i Lartë, shumë i Urtë.”[2]
Njëkohësisht kjo ëndërr ishte një shenjë nga Zoti i Madh për kombin tim, që ishte përfshirë në një veprim të tillë duke shkelur porositë e Perëndisë. Tashmë mesazhet që më vinin, po kalonin nga një dyshim në besim të plotë. Fillova t’i vlerësoja ëndrrat si mesazhe e sinjale hyjnore që më dërgoheshin. Ishin shenja të qarta që vinin nga një botë e padukshme, nga një arkiv kozmik. Ato shenja ishin misteri që po më mundonte. Qenia ime po ndryshonte dita-ditës, duke iu afruar misterit, të padukshmes, që më qetësonte dhe më turbullonte njëkohësisht. Sigurisht që në fillim arsyeja e logjika nuk i pranonte, por e ndjeja që ishte diçka jashtë arsyes e logjikës, një shtegdalje jashtë realitetit dhe hamendësisë.
Këto ëndrra të rralla e paralajmëruese më bënë të studioja si Librat e Shenjtë, ashtu dhe shkencën bashkëkohore. Bibla dhe Kurani më treguan se ëndrrat e vërteta kanë qenë bashkudhëtare të njerëzve, sidomos të atyre që ishin të lidhur fort me Krijuesin. Shpesh ato kanë qenë edhe lajmërime për të ardhmen. Mendelejevi[3] e plotësoi tabelën e elementeve kimike bazuar në një ëndërr që pa, me gjithë punën e gjatë sistematike që bëri mbi elementet. Por, sa e sa veprime, shpikje e zbulime të tjera ka që janë bërë nga ëndrrat.
Një kapitull i tërë në Kuranin e Shenjtë, kaptina e dymbëdhjetë me radhë “Jusuf”, merret me trajtimin e një ëndrre, nëpërmjet së cilës projektohen fatet e shumë njerëzve dhe të popujve dhe që zbatohet në jetën e kësaj bote me një simbolikë të veçantë. Nga kjo kaptinë, dalin rreth 40 mësime të vlefshme.
Hazret Mirza Ghulam Ahmedi[4] bën një interpretim të shkëlqyer mbi diktimin hyjnor, frymëzimin, ëndrrat dhe vizionet. Ai thotë:
“Botën e Tij të çuditshme, Zoti i Madhërishëm e ka ndarë në tri pjesë, që janë:
- Bota lëndore, që përjetohet përmes syve, veshëve dhe shqisave të tjera trupore dhe përmes mjeteve të tjera të jashtme.
- Bota e fshehtë, të cilën mund ta kuptojmë me anë të mendjes dhe të arsyes.
- Bota e fshehtë pas botës së fshehtë, e cila është kaq e hollë dhe kaq e paarritshme për mendjen njerëzore, saqë pakkush e di për të.
Kjo e treta është një botë tërësisht e padukshme. Si e tillë, mendja njerëzore nuk ka aftësi ta rrokë, përveçse me hamendje. Njeriu informohet për këtë botë vetëm përmes vizionit (keshf), shpalljes (vahji) ose frymëzimit (ilham), dhe jo me ndonjë mjet tjetër.
Është e qartë që praktika e Zotit është që Ai i ka dhënë njeriut një sërë shqisash dhe aftësish për të zbuluar dy botët e para. Në të njëjtën mënyrë, që njeriu ta zbulojë edhe botën e tretë, Ai Bujar Absolut i ka lënë një mjet, që është shpallja, frymëzimi dhe vizioni. Ky mjet nuk ndërpritet tërësisht në asnjë kohë. Ata që plotësuan kushtet e tij, gjithmonë e kanë gjetur atë, dhe të tillët, përgjithmonë do të vijojnë ta gjejnë atë.
Njeriu është krijuar për zhvillime të pakufishme dhe edhe Zoti i Madhërishëm është tërësisht i Pastër nga të metat, nga koprracia dhe nga tërheqja. Ky është një argument i fuqishëm që tregon se mendimi se Zoti i Madhërishëm që ka krijuar në zemrën e njeriut dëshirën për të zbuluar të tria botët, ta ketë privuar atë tërësisht nga mjetet dhe arritjet e botës së tretë, është një mendim shumë i papastër. Me këtë argument, … njerëzit e mençur që besojnë se, ngaqë Zoti është tejet Bujar, dera e komunikimit nëpërmjet frymëzimit është gjithmonë e hapur. Ata nuk e kufizojnë këtë bekim për ndonjë shtet a vend të caktuar. Po, e kufizojnë me rrugën e drejtë, ndjekja e përpiktë e së cilës ua mundëson këtë bekim. Sepse për të arritur një qëllim të caktuar, është e nevojshme të ndjekësh edhe rrugën e duhur që të çon tek ai qëllim. Njerëzit e vërtetë e ndjekin fuqimisht këtë rrugë dhe e gjejnë atë dhe bekimet e saj. Çudirat e kësaj bote të tretë janë të panumërta. Dhe dy botë të tjera në krahasim me këtë janë si grimca përpara diellit. Të këmbëngulësh që të njohësh tërësisht sekretet e kësaj bote me anë të forcës së mendjes, është njësoj sikur të mbyllësh sytë dhe të këmbëngulësh t’i shohësh gjërat e dukshme përmes veshëve” (“Surma Çashma-e-Arje”, “Ruhani Khazain”, vëll. 2, fusnotë, 175-177; “Essence of Islam” vëll. 2, f. 32-34.)
Në një ëndërr të vërtetë, unë jam njëkohësisht në dy vende, në krevatin tim dhe në një realitet tjetër, krejt i ri dhe i paparë asnjëherë më parë, gjë që nuk e konceptoj dot me arsyen dhe vetë arsyeja nuk e arrin dot atë. Pra, realiteti i ëndrrës i kapërcen kufijtë e arsyes dhe shikohet nga një zbulesë hyjnore përtej këtij realiteti. Por realisht shkenca sot e pranon indirekt një gjë të tillë. Sipas fizikës kuantike, një ngjarje kuantike në një vend mund të ndikojë në të njëjtën kohë në një ngjarje tjetër kuantike në distanca galaktike (Alain Aspect) grimcat “entangled”.
Sipas arsyes, asnjë person dhe realitet objektiv nuk mund të jetë në një kohë në dy vende. Shkenca e sotme, sidomos kur fizika kuantike po mbizotëron kudo si teoria më sfiduese e të gjitha teorive, ka studime, se ëndrrat, telepatitë, intuita dhe inspirimet kanë rol mjaft të madh mbi realitetin fizik dhe po bëhen përherë e më shumë objekt i studimit të shkencës kuantike. Sipas Profetit të Islamit, Muhammedit a.s.:
“Ëndrrat domethënëse janë një e dyzetegjashta pjesë e profecisë”.[5]
Ëndrrat domethënëse të kalojnë nga një gjendje e kësaj bote në një tjetër botë të pakonceptueshme; nga qenia jonë, te një komunikim që të shpie drejt Krijuesit.
Më vonë, ëndrrat do të bëheshin për mua orientimi kryesor, si për ngjarjet në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë për ndryshimet e pushteteve e fatet e drejtuesve në krye të shtetit, por dhe me përmasa botërore, si ato të luftës në Irak e në vendet arabe, për krizën ekonomike e të tjera.
Ëndrrat vazhdojnë të jenë tek unë pararojat e ngjarjeve që ndodhin, ose do të ndodhin. Ato janë për mua ca thërrime nga sofra e pafundme profetike që kanë shijuar Profetët e vërtetë. Kjo është një nga përvojat më të habitshme e ndoshta më të rrallat që kam patur në jetën time e që kanë ndryshuar krejtësisht edhe mënyrën e konceptimit të botës.
Ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi. Shteti u shkërmoq. U krijua një qeveri provizore deri në zgjedhje të reja. Unë i kërkova kryeministrit dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i zëvendësit të Shërbimit Sekret Shqiptar. Dola në një jetë të lirë; pa lekë, pa mbrojtje. Në harkun kohor të tre muajve, Zoti më kishte shpëtuar tri herë nga vdekja e sigurt (të gjithë të burgosurit ishin arratisur nga burgjet). Isha pa zanat, pasi profesioni i ushtarakut ishte më i përbuzuri, me një familje mbi shpinë për ta mbrojtur dhe ushqyer. Por, për habinë time, ndihesha tepër i lehtësuar dhe i qetë. M’u krijua një neveri e madhe për politikën. Ndoshta ngaqë e kisha parë nga këndvështrimi i një kamere të fshehtë dhe më dukej si paria e Perandorisë së Romës kur shikonte barbarinë e ndeshjes midis gladiatorëve dhe dëfrehej me vrasjet e tyre nga lozha e Koloseut. Vendosa të mos merresha kurrë me politikë. Politika, thoshte babai im i ndjerë, është si qymyri, nëse nuk të djeg, do të të nxijë.
Në këtë moment e ndjeva që isha para sprovave të mëdha të jetës dhe instinktivisht kërkova Zotin. Ideja e Krijuesit nuk më ndahej. Më shoqëronte ngado. Sa më shumë besoja te Zoti, aq më shumë shtoheshin sprovat. Më ndërroi jetë nëna ime e dashur. Më arrestuan bashkë me ish-ministrin e mbrojtjes dhe atë të brendshme, si dhe disa drejtues të lartë, për krime kundër njerëzimit, një akuzë e rreme dhe e padrejtë, që me vullnetin e Zotit, u detyruan të na lironin pas dy muajsh. U bënë protesta të fuqishme në të gjithë vendin për mbrojtjen dhe lirimin tonë. U bëmë gati gjysmë heronj dhe persona publikë.
Një ngjarje e çuditshme më ndodhi në burg. Duke kërkuar të lexoja ndonjë libër, gjeta diku të hedhur, një kopje të Kuranit. Ajo që arrita të lexoja atë natë, se ditën tjetër ma morën, ishin shënimet e një të burgosuri të dënuar me vdekje, i cili tregonte se e kishin dënuar pa të drejtë dhe thoshte se shteti dhe drejtësia ishin një ndërtesë me shtylla druri ku mizat dhe minjtë, (pra njerëzit në institucione) po e brenin nga çdo anë dhe se kjo ndërtesë do të rrëzohej, siç dhe ndodhi, por i burgosuri ndoshta ishte pushkatuar. Ai kishte cituar një ajet të Kuranit:
“Sigurisht, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe dhembshurinë si ajo që u tregohet të afërmve, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju të reflektoni.”[6]
Shumë vonë, do të gjeja një komentim me plot spiritualizëm të këtij ajeti nga një njeri i Zotit:
Ky ajet përmban tri urdhëresa dhe tri ndalesa, të cilat trajtojnë shkurtimisht të gjitha fazat e zhvillimit moral dhe shpirtëror të njeriut, si në aspektin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ. Ndër urdhëresat, drejtësia është shkalla e parë e që nënkupton që njeriu duhet t’i trajtojë të tjerët me drejtësi, siç ai dëshiron të trajtohet prej të tjerëve. Nderin ta lajë me nder dhe mirësinë me mirësi. Shkalla e dytë është ajo e mirësisë (arab. ihsan), pra, t’u bëjë mirësi të tjerëve, pavarësisht nga sjellja që ata kanë ndaj tij. Por, Kurani nuk ndalon këtu. Ai të nxit të arrish edhe shkallën e tretë, të kesh dhembshurinë si ajo që u tregohet të afërmve. Nëse në shkallën e dytë, njeriu pret ndonjë falënderim për mirësinë që i bën tjetrit, në këtë shkallë, ai bëhet tërësisht vetëmohues, ushqen dashurinë amënore për të tjerët, pra si një nënë që ka dhembshuri ndaj fëmijës, që nuk pret asnjë falënderim prej fëmijës. Atëherë mirësia bëhet pjesë e qenësishme e besimtarit. Ky është kulmi i zhvillimit moral për të. Këto tri faza përbëjnë anën pozitive të zhvillimit moral të njeriut. Pjesa e dytë e ajetit e ndalon njeriun nga tri anët negative, që i rendit nga më pak e dëmshmja deri te më e dëmshmja. Fjala arabe fahsha nënkupton imoralitetin, ligësinë e fshehur, e cila i sjell dëm vepruesit. Fjala munker nënkupton ato të këqija që edhe njerëzit e tjerë mund t’i shohin, i cilësojnë si të shëmtuara dhe i dënojnë, edhe pse ata vetë nuk pësojnë humbje të madhe prej tyre. Kurse dhuna është shkalla më e lartë e ligësisë, me të cilën vepruesi u shkakton dëm dhe dhimbje edhe të tjerëve. Kështu këto tri fjalë të thjeshta mbulojnë ligësinë dhe të keqen në të gjitha format e saj.
Në këtë mënyrë, ky ajet përbën gjithë planin mësimor të përsosmërisë shpirtërore, me ndjekjen e të cilit, njeriu mund të arrijë në nivelin e shtatë, ku zhvillimi i tij përsoset. Njerëzit që janë të zhytur në llumin e ligësive të kategorisë dhunë, duke u munduar kalojnë në baltën e veprës së shëmtuar. Pastaj nga atje, nëse përpiqen mund të dalin për të kaluar në pluhurat e imoraliteteve. Kur pastrohen edhe nga ato, do të gjenden në stepën e drejtësisë. Kur ecin më lart, dalin në lëndinën e mirësisë dhe, nëse përparojnë akoma më shumë, do të mbërrijnë në mirësinë amënore, në një kopsht ku rrjedhin lumenj e burime. Më tej shtrihet vetëm xheneti.[7]
Referenca
[1] Kurani i Shenjtë, 2:276.
[2] Kurani i Shenjtë, 42:52.
[3] Dmitri Mendelejev (1834-1907).
[4] Themeluesi i nderuar i Xhematit Musliman Ahmedia, i cili është Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu. Jetoi mes viteve 1835-1908.
[5] Sahih el-Bukhari, kitab “Et-Ta’bir”, bab “Ru’ja es-salihatu xhuz’un min sitteti ve erba‘ine xhuz’en minen-nubuvveti”, hadithi nr. 6986.
[6] Kurani i Shenjtë 16:91.
[7] “Kurani i Shenjtë arabisht-shqip, me komentim të shkurtër”, “Islam International Publications”, përkthim nga Samad Ahmed Ghori, botues “Xhemati Musliman Ahmedia i Shqipërisë”, Tiranë, 2023, f. 441, nën ajetin 16:91.