Libri tronditës | Kurani i Shenjtë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Libri “Udhëtim drejt dritës dhe dashurisë” nga Bujar Ramaj, i paraqitur mbi një tavolinë në një ambient të ngrohtë leximi.

Kështu ngadalë-ngadalë nisa të meditoja tashmë për shumë gjëra të dukshme, por edhe të padukshme. Krahas librave të tjerë, fillova të lexoja edhe libra me përmbajtje fetare. Diskutoja me shumë miq tashmë jo vetëm për letërsinë, filozofinë, artin, shkencën, politikën, por edhe më gjerë, sidomos për Krijuesin. Unë kisha lexuar shumë libra, madje leximi ishte pasioni im kryesor gjatë gjithë jetës sime. Kjo më bëri më hulumtues për të kërkuar dituri në religjion, që me thënë të drejtën, për vetë rrethanat e jetesës në periudhën e diktaturës komuniste. ishin pothuajse shumë të kufizuara.

Nisa të lexoja Biblën. Në fillim, Ungjillin, i cili më tërhoqi dhe më befasoi. Më vonë lexova Dhiatën e Vjetër. Një ditë, një mik, me të cilin diskutonim për shumë probleme, më pyeti: “A e ke lexuar Kuranin?”

”Jo, kam një kopje në shtëpi, por nuk i kam kushtuar rëndësi”,– iu përgjigja unë.

“Lexoje”,– më tha,- “pasi ai i vërteton dhe përmban si Ungjillin dhe Dhiatën e Vjetër dhe ai është një rikthim te feja e babait të profetëve, Abrahamit”.

Para se të nisja të lexoja Kuranin brenda vetes ndjeva një dëshirë dhe kënaqësi. Më dukej se do të zbuloja një mister që më mundonte prej disa kohësh. Kurani është jetë dhe jo literaturë. Prandaj, vështirësitë largohen sapo e vështrojmë këtë libër, jo vetëm si një mënyrë e të menduarit, por si një mënyrë e të jetuarit. Ai është një sistem i habitshëm letrar, ligjor, moral, shkencor, abstraksion, alegori, matematikë, e mbi të gjitha fetar, i pamundshëm në të krijuar, i pamundshëm për ta kundërshtuar, i pamundshëm për ta imituar, një këshillë dhe paralajmërues për të gjithë.

Që të lexosh këtë libër, më së pari duhet një përgatitje shpirtërore, sepse në leximin e parë mund të të duket një mospërputhje midis arsyes dhe problemit që trajtohet në Kuran. Duke qenë se ky libër është një zbulesë hyjnore, në të ka përshkrime, të cilat i kërkojnë lexuesit, përveç arsyes, edhe ndjesi shpirtërore, pasi i takojnë një rrafshi përtej së padukshmes. Ky çelës jepet me dëshirën e Zotit nëpërmjet një inspirimi të veçantë. Por, kur ky inspirim pushton vetëdijen tonë, kënaqësia që merr nga ky libër është e paperceptueshme.

Ai është një libër, që nuk mundesh ta lexosh me thellësi, nëse nuk ke zbuluar kodin dhe sistemin e kuptimit të tij. Por, kur arrin të futesh me kënaqësi në thellësitë e tij, kënaqësia dhe drita që merr është një habi, një qetësi e ëmbël, gati-gati si një dehje nga lumturia. Asnjë libër tjetër nuk ma kishte falur këtë ndjesi. Ose më kishte dhënë ndjesi të përkohshme, por e pamundur ta lexoja prapë. Ndërsa Kuranin mund ta lexosh disa herë, mund ta lexosh gjithë jetën. Dhe sa herë ta rilexosh, kuptimi dhe kënaqësia rritet pa mbarim.

Shumë miq më thonë: “Kur nisim ta lexojmë Kuranin, ai na lodh, nuk e kuptojmë, thjesht e nisim, por nuk e lexojmë”. Ky është një mister. Por, me kalimin e kohës, kam kuptuar që ky libër ka disa rregulla për ta lexuar dhe kuptuar. Ndoshta duhet një autorizim hyjnor për ta kuptuar. Kjo është e shkruar në këtë libër:

“Kur ti reciton Kuranin, Ne bëjmë një ndarje të fshehtë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në ahiret (botën e përtejme).”[1]

Kjo do të thotë se ata, që nuk besojnë në botën e përtejme, kanë një perde të padukshme, e cila nuk u jep mundësinë e kënaqësisë dhe kuptimit të tij. Pra, është ai rrafsh i asaj bote përtej së padukshmes që nuk e kapim dot me arsye. Mbi të gjitha duhet ta fillosh (leximin e Kuranit) pa asnjë paragjykim, me qëllimin e mirë, me dëshirë dhe duke kuptuar e respektuar disa kode të tij.

Habia  (Veçantia) e këtij libri është se ai përngjan me një ndërtesë, ku mbahen thesaret madhështore, por që të futesh në këtë ndërtesë duhet të zbatosh disa kode matematikore dhe të plotësosh disa kushte, ose e thënë sot me gjuhën e kibernetikës: fjalëkalime, kode, çelësa. Në fakt, nga përvoja njerëzore sidomos e dijetarëve dhe e shkencëtarëve të mëdhenj, zbulimi i mistereve, i sekreteve, i ligjësive të realitetit, si fizik edhe spiritual, nuk është gjë tjetër, por deshifrimi i kodeve të fshehura dhe vënia e tyre në praktikë. A nuk është gjuha e folur dhe shkrimi një kod i përbërë nga shkronjat? A nuk është matematika një kod numrash e aq më tepër që misteri i kombinimit të numrave vazhdon akoma, sidomos i numrave të papjesëtueshëm, siç është 7, 11, 17, 19. Ose misteri i π,[2] ose raporti (mesi) i artë 1.618 që është kodi i harmonisë në thellësi e gjerësi të materies dhe fenomeneve? A nuk është tabela e Mendelejevit një kod? Po notat muzikore? Po kodi gjenetik apo gjurmët e gishtave? Shembuj me radhë mund të përmendim në pafundësi. E gjithë përpjekja jonë është zbulimi i kodeve, prandaj dhe përpjekjet e fundit të shkencës për të kuptuar gjithësinë dhe grimcën më të vogël është përpjekje e kuptimit të kodeve të tyre. Kurani dhe gjithë librat hyjnorë kanë të fshehur kodin e të kuptuarit të tyre.

Si parantezë po ju prezantoj me një zbulim të rastësishëm që mund të jetë dhe një trill i mendjes sime. Le ta marrim si një humor numerologjik ose si një gjetje interesante të numrit 11. Kjo më intrigoi ta studioja më thellë, duke më futur në kufijtë e reales dhe të së magjishmes, midis numerologjisë dhe fakteve, midis lojës dhe të vërtetës.

Planeti u habit me ngjarjen trishtuese, terrorizuese dhe shokuese të 11 shtatorit 2001 mbi qendrën tregtare në SHBA. Të dyja kullat përbënin numrin 11; më 11 mars 2004 ndodhi goditja e sulmit terrorist mbi trenat në Spanjë; më 11 korrik 2006 sulmi terrorist mbi trenat në Mumbai të Indisë; më 11 korrikun e 1995-s ndodhi pushkatimi i mbi 8000 myslimanëve në Srebenicë të Bosnjë- Hercegovinës; më 11 mars 2011 në Japoni ndodhi tërmeti shkatërrimtar dhe cunami. Partia Komuniste e Shqipërisë është shpallur realisht më 11.11.1941, pas tri ditë debatesh në grupet komuniste në Tiranë; çlirimi i Shqipërisë u shpall më 29 (2+9=11).11.1944 (numri 44 pjesëtohet me 11). Republika Socialiste u shpall më 11 janar 1945; diktatori Enver Hoxha fitoi në Plenumin e 11-të 1948-s, duke ndëshkuar të gjithë kundërshtarët; Enveri nisi luftën për zhdukjen e elitës komuniste, në fushat e kulturës, ushtrisë, politikës me festivalin e 11-të të Radio Televizionit të Shqipërisë në fillim të viteve ’70-të; diktatori vdes më 11 prill 1985 duke mbajtur pushtetin fiks 44 vjet (1941-1985), numër ky që pjesëtohet me 11, dhe vdiq në moshën 77-vjeçare (numër që pjesëtohet me 11).

Në Kuranin Fisnik, kaptina me numrin 11 quhet “Hud”, e cila trajton kujtesën për të gjitha ndëshkimet kryesore apokaliptike, që Zoti i ka dërguar racës njerëzore që nga krijimi i saj, për shkak se krijuan kaos dhe çrregullim në tokë, u bënë mizorë dhe u dhanë pas kënaqësive të shfrenuara, u bënë mëkatarë. Në Kuran, numri 11 përmendet vetëm një herë, në ëndrrën e Profetit Jusuf (Jozef) për 11 yjet, ose 11 vëllezërit e tij, që të kapur nga demonët dhe zilia e fusin në pus për ta mbytur vëllanë e vogël (Jusufin), por e shpëton vetëm kujdesi i Zotit. Dhe, më së fundi, habia e magjisë së lojës së futbollit që sot ka marrosur pothuajse tërë globin. Kjo lojë përbëhet nga 11 lojtarë dhe ndëshkohen nga penallti që i ka 11 metra. Sot kjo lojë është magjia e tregut më të madh botëror, të miliarda njerëzve që e ndjekin dhe miliona që humbasin ose fitojnë në bastet sportive. Humbja në bastet sportive, pra i ashtuquajturi “bixhozi më i zi” është bërë sot mallkim për miliona njerëz në botë, që humbasin shtëpitë, familjen e një pjesë shkojnë deri në vetëvrasje. Pra, numri 11 na paraqitet si numër i ngarkesës djallëzore, i magjisë, i zilisë, i punës së djajve dhe shenjë ndëshkimi. A mundet që terroristët, të cilët kryejnë këto akte më datën 11, t’i dinë apo të kenë lidhje me magjinë e numrit 11, apo është krejt e rastësishme? Le ta konsiderojmë historinë e numrit 11 një trill të mendjes sime. Zoti e di më mirë.

Shumë nga pohimet e Kuranit, që në kohën e zbritjes së tij ishin “jashtë ligjësive të natyrës”, më vonë janë vërtetuar nga shkenca ose teknologjia e avancuar.

Për shembull, Kurani na inkurajon për lutje, për të cilën vazhdimisht pohon se ajo ndikon, pa qenë të pranishme mjetet materiale. Nëse  lutja pranohet, me vullnetin e Zotit krijohen mjetet që shkaktojnë pranimin e saj. Por, lutësi nuk ka ndërhyrë fizikisht në asnjë grimcë të natyrës. Si mund të kenë marrë sinjal vallë grimcat në natyrë? Natyrisht, Krijuesi i tyre u dërgoi sinjale. Por, në ç’mënyrë, vallë? Sot shkenca ka vërtetuar që ekziston edhe komunikimi kuantik. Siç është fenomeni entangled për komunikimin e grimcave me shpejtësi të madhe në çdo distancë në tokë e në gjithësi.

Kështu, edhe mrekullitë që janë përmendur në Kuranin e Shenjtë, duke iu referuar Profetëve të ndryshëm, mund të jenë ligjësitë e natyrës në nivel kuantik, për të cilat ata Profetë, me dijen që u dha Zoti, profetizuan përpara popujve të tyre. Kështu, ky nivel kuantik është me ndërhyrje hyjnore. Kjo e bën Kuranin të pamundur për ta krijuar e ndryshuar, informacion që i takon fushës kuantike ose thelbit të gjërave dhe fenomeneve.

Kurani është një kod kryesor më vete, në të cilin fshihen kode të pafundme. Mbi të gjitha në Kuranin e Shenjtë, nëse do të thelloheni në dije, aty gjendet kodi i njohjes së gjithësisë dhe të jetës, që kur e kupton mrekullohesh dhe nuk lodhesh së lexuari dhe së kuptuari. Ndoshta Krijuesi e ka ndërtuar të tillë që, mendja njerëzore të thellohet në botën dhe fenomenet që e rrethojnë, prandaj shpesh në Kuran porositet se këtë e kuptojnë ata që meditojnë mbi krijimin, që thellohen në dije, që zbërthejnë shenjat Tona… Po marrim shembullin e ujit, që është baza e jetës:

“Ata që mohuan a nuk e kanë parë se qiejt dhe toka kanë qenë të mbyllura dhe Ne i hapëm ato dhe çdo gjë të gjallë krijuam përmes ujit?! A nuk besojnë?!”[3]

Në këtë thënie fshihet historia e krijimit të universit (Big Beng), duke u nisur nga grimca, krijimi i planeteve, tokës, e deri te krijimi i ujit, krijimin e çdo gjëje të gjallë dhe jetës, zbulime këto që shkenca e ka zbuluar në shekujt e fundit. Kurani, duke evidentuar se uji krijoi të gjitha gjallesat dhe bimësinë, na mëson se nga uji u krijua jeta dhe nga jeta, njeriu.

“Sigurisht, Ne e krijuam njeriun prej sperme të përbërë, (që) Ne ta sprovojmë atë. Ndaj e bëmë dëgjues (dhe) shikues.”[4]

Pra, nga një pikë uji e përbërë, një përbërje e dy gameteve ku janë të gdhendura ADN-të, ekzistenca e Zotit, skema e formimit të njeriut dhe të gjithë sistemeve të tij, që nga truri e deri te sistemi imunitar, përfshirë edhe vetëdijen, që ne ta perceptojmë këtë botë, nëse nuk ka ujë, s’ka jetë, s’ka perceptim, universi bëhet pa kuptim.

Kurani i Shenjtë, me një dije të thellë, na tregon se si u krijua uji, sistemi i tij ciklik, zbritjen e tij me masë në formë shiu, rezervimin në tokë, avullimin, krijimin e reve që mbartin ujin dhe zbritjen prapë në formë shiu, pamundësinë tonë që ta rezervojmë atë në kohë të gjatë.

“Dhe dërguam erërat e ngarkuara (me ujë), zbritëm ujë prej qiellit dhe jua sollëm për të pirë. Ju nuk mund ta rezervonit atë.”[5]

Nëse ke vendosur të lexosh Kuranin, duhet të përdorësh një kod mbrojtës, një fjalëkalim për të parandaluar ndërhyrjen e dreqit që shkakton lodhje të syve e që heq dëshirën për ta lexuar. Formula për t’u mbrojtur nga kjo ndërhyrje është shprehja: “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim”, që do të thotë: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar”. Pastaj lexon fjalëkalimin që fillon Kurani “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rahim” që në arabisht ka vetëm 19 shkronja, por që, pasi u lirove nga djalli, të merr nën mbrojtjen e të Gjithëmëshirshmit. Kjo shprehje kuranore është një kod që shërben si çelësi i derës së parë për t’u futur në këtë ndërtesë të thesarit madhështor, pa qenë i ndikuar nga ndërhyrjet djallëzore.

Pra, pasi ke thënë fjalëkalimin “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rahim”, që është porta e parë për t’u futur në këtë libër, kalon në kapitullin e parë të tij, që është një kod tjetër me numrin 7, që për habinë tonë titulli i këtij kapitulli e ka emrin “El-Fatiha (Çelësi)”. Surja e parë në Kuran është matematikisht e hartuar në atë mënyrë që sfidon dhe ndal matematikanët më të mëdhenj në botë. Tash e çmojmë faktin që, kur e recitojmë kaptinën e parë “Çelësin” gjatë lutjeve tona të përditshme, diçka ndodh në gjithësi, duke na vendosur në kontakt me Krijuesin tonë. Rezultati është një ndjesi lumturie e përsosur. Ky kapitull ka shtatë rreshta dhe është kuintesenca e gjithë Kuranit. Gjatë  recitimit me sinqeritet të këtyre vargjeve, ndoshta ndodh një fenomen kozmik, një lidhje e qenies njerëzore me elementët marrës të Zotit. Sigurisht, nëse lutjet thuhen me shumë sinqeritet dhe përkulje para Zotit, ato nisin të realizohen. Ndoshta ky fenomen kozmik ka të bëjë me ndonjë ndërthurje të shtatë rreshtave që ka ky kapitull me shtatë qiejt që përmenden në Kuran, të shtatë vrimave marrëse-dhënëse që kemi në kokë (sytë, veshët, hunda dhe goja), ose: dy sy, dy veshë, dy vrima hunde dhe goja. Pasi e kemi bërë këtë kalim të koduar, pra të kaptinës “El-Fatiha”, hyjmë në sallën kryesore të ndërtesës kuranore, në të cilën ndodhen xhevahiret e diturisë, që në fillim të kësaj kaptine[6] të parashtrohet një kontratë, ku lexuesit i diktohen gjashtë kushte, të cilat janë:

– Kurani është libër që s’ka dyshim në të;

– Të besuarit në të fshehtën, të padukshmen;

– Kryerja e lutjeve të përditshme, namazi;

– Dhënia nga çdo gjë që ke (pasuri, fitim, dituri);

– Besimi në Kuran dhe në të gjithë librat hyjnorë që kanë ardhur, si: Tevrati (Tora), Zeburi (Psalmet), Inxhili (Ungjilli);

– Bindja plotësisht për ekzistencën e botës së përtejme, përjetësisë.

Nëse nuk e nisni leximin duke pasur parasysh këto kushte, atëherë do të jeni në dyshim të vazhdueshëm për atë çka lexoni. Ky është një fenomen tjetër që ndodh, për ata që nuk zbatojnë këto kushte dhe si pasojë, ka lodhje dhe moskuptim gjatë leximit.

Nëse i zbatoni kushtet, atëherë e kuptoni se Kurani është një sistem rregullues i të gjithë njerëzimit për ta ngritur atë nga nivelet e ulëta natyrale, në nivelet e larta spirituale. Është  një urtësi e pafundme ku njeriu gjen referenca të pafundme të diturisë dhe kupton pse ka ardhur në këtë botë, ç’rol ka në këtë gjithësi, cili është misioni i tij në këtë jetë dhe si duhet të sillet dhe të kërkojë Krijuesin? Kurani është dritë e dijes, drita që ndriçon të gjitha fushat e dijes që njeriu përvetëson në jetë, është pikërisht kjo dritë që çon në zbulesën e enigmës si nga shkencëtari, artisti, shkrimtari, dijetari dhe cilido që bën përpjekje në kuptimin e shenjave që Krijuesi ka krijuar. Kurani është këshillues:

“Ky Kuran nuk është gjë tjetër veçse një këshillë për tërë njerëzimin”.[7]

Ai këshillon se cila është e mira dhe e keqja. Pra, është këshillë për të gjithë në këtë botë dhe në tjetrën, këshillë se cila është e vërteta dhe cila është gënjeshtra, këshillë se si duhet të përsoset njeriu, është udhëzues pasi tregon rrugët e shpëtimit me qëllim fitimin e përjetësisë. Ai është paralajmërues:

“Ky (Kuran) është një lajm i madh”.[8]

Kurani është i tillë, sepse paralajmëron për një ditë ku të gjithë njerëzit do të gjykohen për të gjitha veprimet e tyre. Kurani është mëshirë, sepse kushdo që e lexon me sinqeritet këtë libër mbulohet nga një përjetim i veçantë dashurie dhe mirësie, si dashuria e mirësia e nënës. Kurani është kushtetutë e botës, sepse në të ka jo vetëm kodin moral të njerëzimit, por të gjitha kodet ligjore dhe procedurale për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit dhe vendosjen e drejtësisë së vërtetë. Kurani është një bori alarmi për ata që nuk besojnë dhe këshillë, dritë, paqe dhe mëshirë për ata që e besojnë.

Një habi ndodh pasi mbaron leximin e Kuranit. Të duket sikur ke kaluar një jetë, ku fillimi është pranvera ose rinia jote dhe fundi, dimri ose pleqëria. E ke filluar me diturinë e një fëmije dhe e mbaron me urtësinë e një të moshuari, ku paralajmërohesh për botën e përtejme nëse do të jesh në ferr apo në parajsë. Atëherë nis e reflekton.

Kurani i Shenjtë në kapitujt e fundit, sipas meje, paralajmëron dhe profetizon për karakteristikat e fundit të jetës të çdo personi që nuk beson, si dhe për vetë epokën e fundit të njerëzimit, që mund t’i quajmë shenjat e fundit, nëse këto shenja i ka ndonjë person, grupim ose shoqëri le ta dijë se janë paralajmërime tronditëse që kërkojnë reflektim. Disa nga ato shenja janë:

Së pari, paralajmërohet për një tërmet të fuqishëm, si pasojë e prishjes së ekuilibrit natyror. Për këtë, Kurani i Shenjtë sjell shembullin e një fisi që bënte shkatërrime në tokë dhe ishte i shfrenuar. Ai përmendet si shkatërrimtar dhe vrasës i gjallesave në disa kapituj në Kuran:

“…kujtojini bekimet e Allahut dhe mos bëni trazira në tokë si çrregullues.”[9]

“Themudët mohuan për shkak të tërbimit të tyre,

…Atëherë Zoti i tyre i goditi në mënyrë të njëpasnjëshme për shkak të mëkatit të tyre, derisa e rrafshoi (vendin).”[10]

Populli Themud u godit nga një tërmet i rëndë dhe ata mbetën të vdekur në shtëpitë e tyre. Zoti na ruajttë nga ky ndëshkim tani kur fuqitë e mëdha, oligarkët po e ndotin dhe shkatërrojnë natyrën.

Së dyti, kur njerëzit fillojnë të mos respektojnë rregullat hyjnore dhe rregullat morale kalojnë në një gjendje shtazarake ose gjendjen më të ulët, gjendje kjo që sjell një prishje totale të ekuilibrit të shoqërisë:

“Sigurisht, Ne e krijuam njeriun në gjendjen më të mirë të zhvillimit.

Më pas, e kthyem në gjendjen më të ulët (kur nuk beson).”[11]

A po e jetojmë këtë kohë, që nga një qenie e përkryer shumica kanë kaluar në gjendjen më të ulët ose shtazarake?

Së treti, njerëzit do të kapërcejnë kufijtë dhe caqet:

“Dëgjoni! Njeriu patjetër rebelohet. Sepse e kujton veten të pavarur.”[12]

Njeriu mendon se është i pavarur në sjellje, në drejtësi, në abuzimin e pushtetit, në marrëdhëniet shoqërore, familjare, në ngrënie e pirje, në veshje dhe në shumë aspekte të tjera. Kjo ndodh kryesisht kur njeriu ndien se është i vetëmjaftueshëm dhe se të gjitha sukseset janë meritë e tij dhe jo e Krijuesit. Kufijtë janë rregullim i ekuilibrit në të gjitha fushat, në atë organik dhe inorganik, tokësor dhe kozmik, një kalim kufiri kozmik mund t’i sjellë katastrofë njerëzimit, kështu nëse dielli ul kufirin e nxehtësisë, atëherë toka kthehet në akull. Dhe kalimi i kufijve njerëzore sjell rebelime, luftëra, degjenerim…

Së katërti, mosmirënjohja ndaj Zotit:

“Pa dyshim, njeriu është shumë mosmirënjohës ndaj Zotit të tij. Dhe, pa dyshim, ai vetë është dëshmitar për këtë. Dhe, pa dyshim, ai është fort i dashuruar me pasurinë.”[13]

Kjo gjendje nuk ka nevojë për koment. Po jetojmë në këtë epokë të errët ku mosmirënjohja dhe gara për pasuri me babëzi është bërë trend i shoqërisë.

Së pesti, përhapja e shpifjes dhe e përqeshjes, ku ka si pasojë luftën:

“U shkatërroftë çdo përgojues (dhe) shpifës, që grumbulloi pasuri dhe e numëroi atë. Ai mendon se pasuria e tij do t’i japë përjetësi.”[14]

Kjo do të thotë se epoka e fundit do të karakterizohet nga përqeshja ndaj besimit dhe të varfërve, do të ketë shumë shpifje dhe përgojime, dallime racore, etnike dhe fetare. Tendenca e njerëzve do të jetë në shumicë për fitimin e pasurisë dhe të parave duke braktisur besimin, duke menduar se ato para do t’i bëjnë të përjetshëm. Dënimi do të jetë i tmerrshëm ku parashikohet, sipas ajeteve në vijim, një holokaust bërthamor:

“Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në “hutamah”. E kush mund të të shpjegojë ty se çfarë është “hutamah”? Ai është zjarri i Allahut, djegës i vazhdueshëm, që godet befasisht në zemrat. Është mbyllur në kolona të zgjatura flakëruese, për t’u përdorur kundër tyre”.[15]

Këto ajete flasin qartazi për grimca të parëndësishme, që janë përshkruar si depo të energjisë së pamasë, sikur zjarri i ferrit është mbyllur brenda tyre. Ky paralajmërim u bë në një kohë kur njeriu, as në imagjinatën e tij më të largët, nuk mund të përfytyronte dot një shpërthim bërthamor. Kështu e komentoi këtë sure Hazret Mirza Tahir Ahmad, Allahu e mëshiroftë, Kalifi i Katërt i Xhematit Musliman Ahmedia.

Së gjashti, pakujdesia ndaj namazit dhe mosndihmesa karshi nevojtarëve:

“u mjerofshin namazfalësit, të cilët janë të shkujdesur ndaj namazeve të tyre; të cilët vetëm shtiren; dhe ndalojnë (edhe) nevojat më elementare.”[16]

Ky fenomen ka lidhje me dhënien përparësi të formës e të dukjes. Sot është shumë i përhapur në botën islame, përjashtuar myslimanët ahmedianë, të cilët përqendrohen në namaze sidomos në zgjatjen e sexhdeve, janë modestë, japin çdo muaj një shumë të konsiderueshme si zekat. Por, Kurani i Shenjtë paralajmëron me fjalën “Mjerë!”, pra, këtu përfshihen të gjithë ata myslimanë që janë të pakujdesshëm në namazet e tyre dhe nuk japin rregullisht në rrugën e Zotit.

Së shtati, epoka e fundit do të karakterizohet me shterpësi:

“Pa dyshim, Ne të dhuruam Keutherin (bollëkun e të mirave). Andaj, fal namazin për hir të Zotit tënd dhe (po për hir të Tij) bëj kurban. Pikërisht armiku yt do të mbetet farësosur.”[17]

Në epokën tonë ekzistojnë fenomene, që ne po i hasim si në Perëndim, ashtu edhe në vendin tonë. Shterpësia ka bërë që të pakësohen dramatikisht lindjet e fëmijëve, bëhen martesa mes të njëjtit seks, ka devijime mbiseksuale, mosmartesa si fenomen shoqëror në rritje… Kjo kërkon që besimtarët të shtojnë lutjet dhe të bëjnë sakrifica.

Duke e lexuar dhe studiuar Kuranin kupton se kjo botë ka një lidhje vertikale, para se ta ketë dhe horizontale. Duke qenë se çdo dije e ka burimin nga dija hyjnore, është e domosdoshme të lexosh librat hyjnorë për të kuptuar dijen tokësore. Të gjitha burimet e dijes kanë frymëzim hyjnor, pavarësisht se qenia njerëzore i kupton apo nuk i kupton. Nuk ka asnjë dije para librave e porosive të Perëndisë. Nuk ka asnjë qytetërim, pa konceptin e projektin hyjnor. Njeriu ka nevojë t’i shikojë gjërat nga lart në fillim, ose e thënë më ndryshe t’i shikojmë në këndvështrimin hyjnor. Kështu, nëse flasim për librat që i kanë rezistuar më shumë kohës, janë librat që kanë një frymëzim të thellë hyjnor, si: veprat e Homerit, Eskilit, Shekspirit, Dantes, Gëtes e të tjerë. Për shembull, në veprën e Homerit ka një analizë dualiste të shkëlqyer që ka vërtetësi hyjnore: kemi një Helenë, e cila tradhton burrin (pavarësisht dashurisë) dhe një Penelopë, e cila i qëndron burrit tepër besnikërisht; për Helenën ka një fund tragjik, për Penelopën ka një fund të lumtur dhe triumfues; tradhtia e Helenës shkaktoi një luftë, tradhtia greke me kalin dhuratë shkaktoi një rrënim total të Trojës; kemi një Akil të fortë dhe një Akil që ka një pikë të dobët, e kështu me radhë. Dualizmi në Kuran është ligjësi: natë~ditë, jetë~vdekje, trup~shpirt, dritë~errësirë, dashuri~urrejtje…

Kurani e përdor fjalën dije (‘ilm) dhe variantet e saj në më shumë se 750 vende. Dija mund t’i referohet zbulesës, historive të profetëve, koncepteve të njeriut apo botës natyrore. Në pothuajse çdo rast, dija i referohet diçkaje më të madhe dhe më thelbësore sesa thjesht informacioni. Ajo shërben si një “shenjë” (ajet), që njerëzit inteligjentë duhet ta deshifrojnë, duke kërkuar jo vetëm të zgjerojnë perceptimin e dikujt për botën në të cilën jetojnë, por edhe të ngulisin një ndjenjë të përgjegjësisë morale dhe të drejtimit shpirtëror te ne. Dija e vërtetë të çon në besim dhe virtyt, sepse të gjitha njohuritë janë në fund të fundit një referencë për burimin e të gjitha gjërave. Pa e ditur atë burim, nuk mund të ketë një njohuri të vërtetë dhe të plotë të gjërave, siç ka thënë Aristoteli: “Nuk mund të dimë përfundimin pa e ditur shkakun”. Meqë Zoti është shkaku i shkaqeve dhe burimi i të gjitha përfundimeve, të gjitha njohuritë e vërteta lidhen pazgjidhshmërisht me njohjen e Tij si Krijues. Kjo është arsyeja pse Kurani krijon një lidhje të fortë mes dijes, besimit dhe virtytit. Arritja e dijes së vërtetë është një përpjekje serioze dhe kërkon angazhim intelektual dhe shpirtëror. Kjo është mënyra se si njeriu shkon nga informacionet në dije, nga dija në urtësi dhe nga urtësia në virtyt dhe në përsosje shpirtërore. Kjo është e rëndësishme për t’u kujtuar në një kohë kur ne mendojmë në një mënyrë tepër arrogante se ne i kemi të gjitha “informacionet” në një ekran kompjuteri ose celulari, por që, në fund të ditës, ky informacion zerohet. Ky ekran, pa marrë parasysh sa shumëngjyrësh apo i saktë është, s’mund të na japë dije, dituri dhe virtyt.

Shpesh mendoja se mos isha indoktrinuar, apo isha sugjestionuar nga ky libër, mos po merresha me një dogmë. Por, fakti që kisha lexuar aq shumë libra në këtë jetë dhe rrallë kisha lexuar një libër dy herë, përveç atyre të detyruar në shkollë, ndërsa Kuranin e kam lexuar disa herë, e kam lexuar me dëshirë shumë të madhe, dhe duke nxjerr vazhdimisht shënime dhe mësime të reja, kuptova se ky libër ishte mrekulli. Kurani nuk është thjesht një libër. Ai është një teori e përhershme për një revolucion shpirtëror të pandalshëm në lartësimin e qenies njerëzore, të ngjisë njeriun nga gjendja e tij natyrore, që është gjendje si e egër, në lartësitë e moraleve të larta dhe prej andej tek oqeani i pakufishëm i spiritualitetit. Kurani përmban projektin reformues të njerëzimit në të gjitha fazat e tij. Kurani nuk është thjesht një libër fetar. Ky libër i përfshin të gjitha: fenë, mënyrën e të konceptuarit të botës, të drejtën, moralin, mënyrën e të jetuarit, jetën, meditimin etj.

Për shumë probleme që qenia njerëzore nuk i ka kuptuar ose akoma nuk i kupton, gjatë leximit të Kuranit sqaron gjithçka që ka lidhje me të gjitha fushat e dijes. Kurani me dhjetëra herë porosit:

“Këtu ka shenja për ata që kanë dije.”[18]

Ndërsa kur është shumë e rëndësishme thekson:

“Vetëm të mençurit e kuptojnë”.[19]

Pra, Kurani nuk ta jep frytin e gatshëm, por nënkupton porosinë se vetëm dija është çelësi i kuptimit të kësaj bote dhe përtej saj, dhe vetëm duke kërkuar dije shkon drejt së vërtetës, duke hequr vellon e iluzionit dhe hamendësisë. Nobelisti në fushën fizikës, Dr. Abdus Salami pohon se shtatëqind e pesëdhjetë ajetet kuranore (pothuajse 1/8-ta e Kuranit) nxit besimtarët për të studiuar natyrën, për të përsiatur e për të shfrytëzuar arsyetimin në kërkimin përfundimtar dhe për ta bërë kërkimin e diturisë dhe të kuptuarit shkencor si pjesë thelbësore të shoqërisë. Këtu qëndron dhe mrekullia e tij. A mund të jetë dogmë një libër i tillë? Zoti ju ndihmoftë kur ta lexoni dhe ta përjetoni Kuranin!

Referanca

[1] Kurani i Shenjtë, 17:46.

[2] Numri π (pi) fillimisht është përkufizuar si raporti i perimetrit të një rrethi me diametrin e tij, tani ai ka përkufizime të ndryshme ekuivalente dhe shfaqet në shumë formula në të gjitha fushat e matematikës dhe fizikës. Afërsisht është e barabartë me 3.14159.

[3] Kurani i Shenjtë, 21:31.

[4] Kurani i Shenjtë, 76:3.

[5] Kurani i Shenjtë, 15:23.

[6] Kurani i Shenjtë, kaptina El-Bekare, 2:1-6:

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.

Elif.Lam.Mim. (Unë jam Allahu, më i Dijshmi).

Ky është Libri. Nuk ka mëdyshje në të. Është udhëzim për ata që kanë druajtje, që besojnë në të padukshmen, falin namazin dhe shpenzojnë nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë; që besojnë në atë që të është shpallur ty dhe në atë që është shpallur para teje dhe edhe ahiretin e besojnë bindshëm.

Pikërisht këta janë në udhëzim prej Zotit të tyre dhe pikërisht këta janë të suksesshmit.”

[7] Kurani i Shenjtë, 38:88.

[8] Kurani i Shenjtë, 38:68.

[9] Kurani i Shenjtë, 7:75.

[10] Kurani i Shenjtë, 91:12, 15.

[11] Kurani i Shenjtë, 95:5-6.

[12] Kurani i Shenjtë, 96:7-8.

[13] Kurani i Shenjtë, 100:7-9.

[14] Kurani i Shenjtë, 104:2-4.

[15] Kurani i Shenjtë, 104:5-10.

[16] Kurani i Shenjtë, 107:4-6.

[17] Kurani i Shenjtë, 108:2-4.

[18] Kurani i Shenjtë, 3:191.

[19] Kurani i Shenjtë, 2:270.

Keni pyetje?
Shpërndaje
Share via