
Është meritë e Kuranit ndaj botës që tregoi dallimin mes gjendjeve instinktive dhe gjendjeve morale. Ai e nxori njeriun nga gjendjet instinktive për ta sjellë më pas në moralet e larta, por jo vetëm. Pas kësaj shkalle vjen shkalla e gjendjeve shpirtërore. Kurani ia hapi dyert e njohjes së pastër për të arritur në këtë shkallë dhe më pas qindra mijëra njerëz i pruri tek ajo. Në këtë mënyrë, ai parashtroi mësimet e të tria shkallëve me përsosuri, gjë që e kemi shpjeguar më herët. Pra, ngaqë Kurani i përmbledh në mënyrë të përsosur të gjitha mësimet e nevojshme për edukimin shpirtëror, ai deklaroi se mësimi fetar u përsos. Siç e thotë:
اَلۡیَوۡمَ اَکۡمَلۡتُ لَکُمۡ دِیۡنَکُمۡ وَ اَتۡمَمۡتُ عَلَیۡکُمۡ نِعۡمَتِیۡ وَ رَضِیۡتُ لَکُمُ الۡاِسۡلَامَ دِیۡنًا 1
“Sot, kam përsosur fenë tuaj për ju dhe jua kam plotësuar bekimin Tim dhe kam pëlqyer Islamin për ju si fe”. Kjo do të thotë se shkalla më e lartë e fesë është ajo që gjendet në kuptimin e Islamit pra, të bëhesh tërësisht i Zotit, të kërkosh shpëtimin tënd në asgjësimin e vetvetes (e nefsit) dhe jo në ndonjë metodë tjetër dhe këtë nijet dhe qëllim ta provosh me vepra. Këtu përfundojnë të gjitha arritjet. Andaj, Zotin që nuk e kanë treguar dot të mençurit, e ka treguar Kurani.
Kurani tregon dy metoda për të arritur njohjen e Zotit. Metoda e parë është ajo që ia ndriçon dhe forcon mendjen njeriut në gjetjen e argumenteve të logjikshme, duke e shpëtuar njeriun nga gabimi. Metoda e dytë është ajo që do ta përmendim pak më poshtë, duke iu përgjigjur pyetjes së tretë, në dashtë Zoti i Madhërishëm.
[1] “Sot, kam përsosur fenë tuaj për ju dhe jua kam plotësuar bekimin Tim dhe kam pëlqyer Islamin për ju si fe.” (El-Maide 5:4).