Metoda e leximit dhe e studimit të Kuranit të Shenjtë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
metoda e studimit të kuranit

Sipas asaj që kuptoj unë, këto janë metoda për të kuptuar Librin e Zotit.

  1. Lutja. T’i kërkoni Zotit të Madhërishëm mendimin e pastër dhe dijen e vërtetë. Kurani i Shenjtë na mëson:

metoda e studimit të kuranit“O Zoti im! Më shto dijen mua!”[1]

Kurse për lutjen, janë të nevojshme: ushqimi i pastër, veshja e pastër, vullneti i fortë dhe qëndrueshmëria.

  1. Të përpiqeni duke qenë brenda Zotit vetëm për të gjetur pëlqimin e Tij dhe për të arritur tek e vërteta, siç Ai tha:

metoda e studimit të kuranit“Ata që përpiqen duke qenë brend Nesh, Ne patjetër ua tregojmë rrugët Tona.”[2]

  1. Meditimi. Kura i Famëlartë thotë:

metoda e studimit të kuranit“A nuk thellohen në Kuran, apo i kanë zemrat të kyçura?!”[3]

Dhe tha:

metoda e studimit të kuranit“… ka shenja për të mençurit. Ata që kujtojnë Allahun në këmbë, ulur dhe kur janë (shtrirë) në ijët e tyre dhe thellohen …” (Ali-Imran 3:191-192)

  1. Të keni bindje të pastër, fjalë të pastra, vepra të pastra dhe qëndrueshmëri gjatë skamjes, sëmundjes, orvatjeve dhe vështirësive. Këtë përmbledhje Kurani e quan takva. Shikoni ajetin e sures El-Bekare që fillon me fjalët:

“Mirësia nuk është të ktheni fytyrat tuaja nga Lindja apo Perëndimi …”[4]

Dhe një pjesë të takvasë, Zoti e përmendi edhe në fillim të sures El-bekare, siç tha: “Besojnë në të padukshmen”. Njeriu me takva është ai që lutet dhe sipas vullnetit dhe fuqisë së tij përpiqet për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve, duke qenë dashamirës të tyre. Dhe pikërisht për takvanë Allahu i Madhërishëm thotë:

metoda e studimit të kuranit“Kijeni druajtjen ndaj Allahut (takvanë), dhe Allahu do t’ju mësojë.”[5]

Por njeriu që i pëlqen vetja e tij, privohet nga kuptimet e ajeteve të Zotit, siç tha Ai:

metoda e studimit të kuranit“Ata që bëhen mendjemëdhenj në tokë pa të drejtë, Unë do t’i largoj nga ajetet e Mia.”[6]

  1. Kuptimet e Kuranit të Shenjtë duhet t’i shikoni në radhë të parë në vetë Kuranin e Shenjtë.
  2. Për asnjë fjalë të Kuranit të Shenjtë, nuk duhet të nxirrni asnjë komentim që bie ndesh me vetë Emrat [atributet] e Allahut, me Shenjtërinë e Tij dhe me Lartësinë e Tij.
  3. Duhet të kesh parasysh sunetin e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe kuptimet t’i nxirrni pa dalë nga vija e tij.
  4. Nuk duhet t’i kundërshtoni praktikat e Allahut që janë të vendosura.
  5. Kuptimet që nxirrni për fjalët e Kuranit, nuk duhet të jenë kundër gjuhës arabe dhe kundër frazeologjisë arabe.
  6. Për pjesën që flet në mënyrë të përgjithshme, duhet të përpiqesh që të mos i cenosh kuptimet e përgjithshme.
  7. Kuptimi nuk duhet të jetë kundër dritës së zemrës.
  8. Nuk duhet të jetë kundër haditheve të sakta e të vërtetuara.
  9. Për të gjetur kuptimet e Kuranit, u referohen edhe librave të mëparshëm
  10. Kuptimet e Kuranit mund të zgjidhen edhe nëpërmjet ndonjë shpalljeje (vahji ose ilahmi) të vërtetë të Zotit.

Nëse ju jap shembuj të secilës pikë, do të bëhet një libër i madh dhe disa nga pikat e lartpërmendura nuk u vijnë në përdorim njerëzve të zakonshëm. …[7]

***

Metodat për të arritur dijet e Kuranit të Shenjtë i ka treguar Vetë Allahu i Madhërishëm. Ai tha:

metoda e studimit të kuranit“I Gjithëmëshirshmi (i) mësoi Kuranin (njeriut).”[8]

I Gjithëmëshirshmi është atribut i Allahut, pra, është karakteristika e të Gjithmëshirshmit, që t’i mësojë Kuranin e Shenjtë njeriut. Se çfarë gjërash nevojiten për për këtë punë, edhe këtë e ka treguar Vetë Zoti i Madhërishëm.

metoda e studimit të kuranit“Kijeni druajtjen ndaj Allahut (takvanë), dhe Allahu do t’ju mësojë.”[9]

Pra, njeriu që ka druajtje, Zoti i Madhërishëm i dhuron dijet dhe njohuritë Kuranore dhe druajtja ndaj Allahut është një mjet për të pasur dijet Kuranore.

Në një ajet tjetër thotë:

metoda e studimit të kuranit“Ata që përpiqen duke qenë brend Nesh, Ne patjetër ua tregojmë rrugët Tona.”[10]

Pra, duhet përpjekje e vazhdueshme duke pasur takvanë ndaj Zotit. Andaj, Allahu i Madhërishëm është Vetë Mësuesi i dijeve të Kuranit dhe metodat për të thithur këtë bekim dhe begati të të Gjithëmëshirshmit janë takvaja dhe përpjekja në rrugën e Allahut.

Unë kam provuar një metodë, e cila është që së pari duhet të krijosh në zemër dëshirë dhe etje të sinqertë për të gjetur dijet Kuranore, të përsosësh takvanë tënde dhe të lutesh për këtë dhe në këtë formë të fillosh studimin e Kuranit të Shenjtë, sipas metodës që vijon:

Leximi i parë

Zgjidh një përkthim të Kuranit të Shenjtë, një përkthim që është fjalë për fjalë, ku të mos ketë gjëra shtesë nga njeriu dhe ta lexosh vetë. … Çdo ditë, pa bërë mungesë, duhet të lexosh një pjesë të Kuranit, sipas mundësisë. Të thellohesh në kuptimet e fjalëve të tij.

Gjatë këtij leximi, aty ku flitet për Ademin dhe Shejtanin, shiko në veten tënde: a i përngjan Ademit apo Iblisit? Musait apo Faraonit? Ke cilësitë e “jehudive” apo të të nënshtruarve?

Po kështu, kur lexon, duhet të ndiesh frikë nga ajetet që flasin për ndëshkim e t’i kërkosh mbrojtje Allahut nga ai; të gëzohesh nga ajetet e mëshirës dhe të lutesh për të marrë mëshirën Hyjnore.

Çdo ditë duhet t’i dërgosh salavate Profetit Muhammed s.a.v.s., të bësh lutje, t’i kërkosh falje Allahut, e të thuash: “Nuk ka fuqi tjetër përveç Fuqisë Sate, o Allah!” Në këtë mënyrë, ta mbarosh leximin e parë. Gjatë këtij leximi, duhet të mbash dhe një fletore për të shënuar tema të vështira.

Leximi i dytë

Gjatë leximit të dytë, tregoji bashkëshortes ato që mëson, duke besuar se Kurani i Shenjtë është zbritur për ju të dy, bashkëshortja në daç të të kushtojë vëmendje apo jo. Pra, duhet të zgjerosh studimin më shumë sesa që ishte gjatë leximit të parë.

Gjatë këtij leximi, të shohësh herë pas here shënimet që ke mbajtur në fletoren në leximin e mëparshëm. Kështu ta përfundosh leximin e dytë. Do të shohësh që shumë nga tema të vështira që nuk ishin të qarta gjatë leximit të parë, do të të zgjidhen. Edhe gjatë leximit të dytë, të mbash një fletore më vete.

Leximi i tretë

Në të njëjtën mënyrë, të nisësh leximin e tretë dhe në përhapjen e këtij leximi të përfshish fëmijët, njerëzit e tjerë të familjes, fqinjët etj., por ata që nuk të kundërshtojnë. Krahaso herë pas here fletoren e parë e të dytën. Do të shohësh që gjatë këtij leximi shumë gjëra do të të qartësohen edhe më tej. Sërish, mbaj një fletore më vete edhe gjatë këtij leximi.

Leximi i katërt

Pas leximit të tretë, në leximin e katërt përfshij edhe njerëzit e tjerë të rrethit shoqëror në përgjithësi. Pra, tregoua njerëzve që të dëgjojnë. Nëse ata ngrenë akuza, përgjigju në rast se i di, përndryshe shënoji pyetjet e tyre në fletore. Më pas lutju Allahut të Madhërishëm duke ndier dhimbje në zemër që Ai t’i mësojë përgjigjet e akuzave.

Leximi i pestë

Gjatë leximit të pestë përfshij në diskutime gjithë njerëzit e tjerë, qofshin muslimanë apo idhujtarë, qofshin besimtarë apo mohues. Do të kesh begatinë dhe bekimin e Allahut dhe Ai do të të mësojë një pjesë të konsiderueshme të Kuranit të Shenjtë dhe ty do të të hapen vërtetësi të imëta dhe njohiri të thella të Fjalës së Hyjnore.

Këtë metodë e kam provuar unë. Prandaj, kushdo që ka dashurinë ndaj Kuranit dhe ka etje për të pasur dijet e Kuranit dhe është i sinqertë në dëshirën e tij, mund ta provojë këtë recetë, sepse do të ketë rezultat.[11]

***

Mbajeni mend! Mësoni Kuranin e Shenjtë që ta praktikoni atë. Me këtë synim, kur ta hapni Kuranin e Shenjtë dhe ta lexoni përkthimin e saktë, nga fillimi deri në fund, shikoni vazhdimisht se cilit grup i përkisni ju: atyre që Allahu i ka bekuar apo atyre që tërhoqën zemërimin e Allahut dhe atyre që devijuan?

Analizoni se çfarë kërkoni të bëheni. Krijoni një dëshirë të sinqertë në zemër për t’u bërë ndër ata që i ka bekuar Allahu dhe për këtë lutuni shumë. Ndiqni rrugët që ka caktuar Allahu për t’ju përfshirë në bekimin e Tij dhe ndiqini ato vetëm e vetëm për të fituar pëlqimin e Allahut.

Në këtë mënyrë, edhe sikur ta lexoni suren El-Fatiha, ju them me bindje se do ta kuptoni sekretin për të cilin u zbrit Kurani i Shenjtë. Më pas, është punë e Allahut të Madhërishëm t’ju tregojë kuptimet e thella, njohuritë e imëta dhe vërtetësitë e pastra të Kuranit të Shenjtë. Kjo njëkohësisht është një metodë edhe për të bërë përpjekje në rrugën e besimit.[12]

(Marrë nga “Hakaikul-Furkan”, vëll. 1, Kadijan, 2005, f. 1 – 4)


SHËNIM nga redaksia:

Mendimin tuaj në lidhje me këtë temë, mund të na dërgoni me mesazh, me tekst ose me zë, përmes aplikacionit Whatsapp, Viber ose Telegram në këtë numër:

00355 69 464 4888

Zoti ju shpërbleftë!


[1] Ta.Ha. 20:115.
[2] El-‘Ankabut:71.
[3] Muhammed 47:25.
[4] Ajeti i plotë është: “Mirësi nuk është të ktheni fytyrat tuaja nga Lindja apo Perëndimi, por mirësi i cilësohet atij që beson në Allahun, ditën e ahiretit, engjëjt, Librin dhe profetët; që, duke pasur dashuri ndaj Tij, u jep pasuri të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve, dhe për lirimin e të robëruarve; që fal namazin dhe jep zekatin; (mirësia është e atyre) që përmbushin premtimin kur premtojnë, që janë të durueshëm gjatë vështirësive, brengave dhe gjatë luftës. Pikërisht këta janë që përvetësojnë të vërtetën dhe pikërisht këta janë të devotshëm (pra, që kanë takva).” (El-Bekare 2:178).
[5] El-Bekare 2:283.
[6] El-A’raf 7:147.
[7] Dibaça Nuruddin f. 8, 9; Revista “Tesh’hidhul-Edh’han”, muaji shtator, 1913.
[8] Er-Rahman 55:2-3.
[9] El-Bekare 2:283.
[10] El-‘Ankabut 29:70.
[11] Gazeta “Al-Hakam”, Kadijan, 7 tetor 1913, f. 6.
[12] Gazeta “Al-Hakam”, Kadijan, 24 prill 1904, f. 12.

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp