Paprekshmëria e tekstit të Kuranit Famëlartë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Paprekshmëria e tekstit të Kuranit Famëlartë

Ndryshe nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, teksti i Kuranit të Madhërishëm është  ruajtur në tërësi që nga shpallja e tij deri më sot. Shpalljet e Kuranit u mësuan përmendësh nga es’habët si dhe u shkruan menjëherë sipas zbritjes së tyre. Kurani i Madhërishëm iu shpall Muhamedit s.a.v.s nga Zoti i Lartësuar për një periudhë të gjatë prej 23 vjetësh. Këto shpallje u përcollën nga engjëlli Xhibrili te Muhamedi s.a.v.s, i cili ia mësonte këto ajete përmendësh dhe e bënte t’i përsëriste ato.

Qysh prej fillimit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përdori dy metoda për ruajtjen e tekstit të Kuranit. Ato ishin të mëvetësishme që njëkohësisht ishin edhe plotësuese për njëra-tjetrën. Këto dy metoda ishin mësimi i tij përmendësh si dhe shkrimi i tekstit t; tij. Këto metoda jo vetëm që siguronin përcjelljen dhe kalimin e shpalljes në mënyrë të pavarur, por ato gjithashtu shërbenin si kontrolle të brendshme që garantonin ruajtjen e përpiktë të tekstit.

Traditat Islame tregojnë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte caktuar disa mësues kryesorë, të cilëve ai u mësonte personalisht ajetet kuranore. Në këtë mënyrë, u ruajt edhe drejtshqiptimi i mesazhit. Këta mësues pastaj ndihmonin muslimanët e tjerë që të mësonin përmendësh pjesë të shpallura të Kuranit. Përveç kësaj, ajetet e shpallura të Kuranit, recitoheshin gjatë pesë faljeve të përditshme. Kështu që mësimi përmendësh u bë mënyra kryesore e përcjelljes dhe transmetimit të shpalljeve të Kuranit Famëlartë. Mund të thuhet se teksti i Kuranit u gdhend në zemrat e njerëzve, ashtu siç e përshkruante bibla si profeci:

“Por kjo është besëlidhja që do të vendosë me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve”, thotë Zoti: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im” [Jeremia 31:33]

Kështu që mënyra e të mësuarit Kuran përmendësh doli si mënyra e vetme dhe më efikase për ruajtjen e shpalljes së Kuranit. Jo vetëm kaq, madje edhe metoda në të cilën Kurani u shpall është plotësisht në përputhje me profecinë e Isaias sipas së cilës ligji i ri do të zbritej si:

“Sepse ka një urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu dhe pak atje”. Në fakt do të ndodhë që me buzë që bëlbëzojnë dhe me një gjuhë tjetër Zoti do t’i flasë këtij populli.” [Isaia 28:10-12]

Ndryshe nga kjo mënyrë, Kurani u ruajt edhe në shkrim, menjëherë pas zbritjes. Traditat Islame tregojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte caktuar pesëmbëdhjetë kopjues që ruanin tekstin e Kuranit në formën e të shkruarit ashtu siç Profeti u diktonte atyre. Kjo metodë e të ruajturit do të shërbente si mbështetje për mënyrën e parë.

Një herë në vit gjatë muajit të Ramazanit, Xhibrili a.s. recitonte gjithë Kuranin, që ishte i shpallur deri atëherë Muhamedit s.a.v.s. Pasi përfunduan shpalljet kuranore në ramazanin e fundit të jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s., Xhibrili a.s. irecitoi Profetit s.a.v.s.gjithë Kuranin dy herë. [Buhari, fadail-ul-Kuran]

Kjo praktikë e të kënduarit Kuran çdo vit gjithashtu shërbente për të vendosur shpalljet e Kuranit zbritur deri atëherë sipas një renditjeje.

Në momentin e vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, numri i personave që kishin mësuar gjithë Kuranin përmendësh kalonte mbi njëqind mijë. Ashtu siç po rritej numri i personave që po pranonin fenë Islame, po rritej gjithashtu procesi i të mësuarit Kuranin përmendësh. Kurani u përhap nëpër hapësira të reja përmes procesit të të mësuarit përmendësh, si një metodë që siguroi ruajtjen e tekstit origjinal në formën e tij të pacenuar. Gjatë kalifatit të Ebu Bekrit r.a. (kalifi I pas vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.),  më shumë se 500 hafizë (persona që dinin Kuranin përmendësh) u vranë në një luftë. Kjo ngjarje tragjike u bë shkas për të shpejtuar procesin e mbrojtjes së shpalljeve të Kuranit në formën e shkruar si një metodë alternative për ruajtjen e fjalës së Zotit. Pas kësaj ngjarjeje, Hazret Ebu Bekri r.a. caktoi një komision dhe e ngarkoi me detyrën e mbledhjes së shpalljeve Kuranore në një libër të vetëm. Saktësia dhe përpikëria e tekstit të këtij libri u shqyrtua dhe u kontrollua nga es’habët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, të cilët kishin ruajtur gjithë Kuranin në kujtesën e tyre si dhe në dorëshkrime. Mbledhja e këtij teksti në formën e një libri u përfundua brenda dy viteve që nga vdekja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Hazret Osmani r.a., kalifi III urdhëroi të njëjtin komision për përgatitjen e shtatë kopjeve të Kuranit. Pasi që u shqyrtuan imtësisht për saktësinë, këto kopje u shpërndanë gjatë gjithë botës Islame. Disa nga këto kopje ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Njëra nga ato, gjendet edhe sot në Muzeun Kombëtar të Turqisë që shërben për përqasje dhe krahasim me tekstin e Kuranit të sotëm nga autoritete kryesore. Pasi që u përgatitën kopje të reja të Kuranit në botën Islame dhe u shpërndanë kudo në botën Islame, atëherë Hazret Osmani r.a. konsideroi të domosdoshëm asgjësimin e materialeve origjinale, sepse:

Për shkak të veçantisë së tyre, ata mund të nderoheshin nga njerëzit deri në shkallën e adhurimit, duke dëmtuar esencën e Islamit.

Ato mund të cenoheshin dhe mund të shërbenin si mjet për mashtrim nëse do të binin në duar të armiqve.

Duke përqasur mbledhjen e Dhjatës së Vjetër dhe Dhjatës së Re me Kuranin Famëlartë, plani hyjnor bëhet më i qartë. Muslimanët pa asnjë lloj dyshimi dhe ngurrimi mund të deklarojnë se Kurani është i njëjtë kudo në botë, madje edhe në detajet më të hollësishme. Ai është i njëjtë ashtu siç i ishte shpallur Profetit Muhammed s.a.v.s dhe ishte mbledhur nga Hazret Ebu Bekri r.a. në libër të vetëm. Enciklopedia Britanike me burime të tjera të pavarura vërteton këtë fakt dhe pranon deklaratën e muslimanëve. Autenciteti i Kurani është i ruajtur përtej çdo lloj dyshimi të vockël. Kjo duhet të ishte ashtu, sepse vetë Zoti kishte premtuar për ruajtjen dhe paprekshmërinë e çdo fjale të Kuranit. Siç deklaron:

Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë. [el-Hixhrr 15:10]

Krahas shkrimeve të tjera të shenjta Kurani Famëlartë gjithashtu gëzon veçorinë unike e të qenit plotësisht shpallje gojore. Kjo në vetvete është një garanci që Kurani as nuk do të pësojë as ndryshimet e as shtesat. Të gjithë studiuesit jo-mysliman që kanë shqyrtuar autencitetin e Kuranit, arrijnë në përfundimin se ai është varianti i së njëjtës shpallje hyjnore që Muhammedi s.a.v.s, kishte mëtuar që ka marrë nga Zoti. Kjo garanci për mbrojtjen e integritetit dhe paprekshmërinë e Kuranit Famëlartë nuk kufizohet vetëm ruajtja e tekstit por ajo përfshin të gjithë faktorët që luajnë rol në ruajtjen e Kuranit si një burim i përsosur i udhëzimit hyjnor për njeriun e të gjitha kohërave. Për shembull, këtu garantohet që gjuha e Kuranit gjithashtu do të mbetet një gjuhë e gjallë në përdorim, me qëllim që të mos haset asnjë vështirësi në përcaktimin e të kuptuarit të Kuranit. Arabishtja sot ka një shtrirje më të gjerë në botë, dhe numri i atyre që përdorin gjuhën arabe është qindra herë më i lartë se sa ka qenë në kohën e zbritjes së Kuranit. Madje i Dërguari i Allahut s.a.v.s kishte paralajmëruar se në krye të çdo shekulli, Zoti i Madhërishëm do të ngrejë dikë, ndër ndjekësit e tij, që do t’u parashtrojë botës mësimet e Kuranit sipas nevojës së asaj kohe. Këto veçori e dallojnë Kuranin nga të gjitha shkrimet e tjera, pra e të pasurit integritetin e tekstit origjinal, ruajtjen e gjuhës dhe udhëzimin e vazhdueshëm hyjnor.

Thirrja e Kuranit është në fuqi edhe sot edhe pse i kanë kaluar 1400 vjet. Mosprania e variantit tjetër të Kuranit është një dëshmi e gjallë për mbrojtjen e tij hyjnore. Z. Bukaille (Bucaille) në librin e tij “Bibla, Kurani dhe shkenca” vërteton këtë fakt. Ai shkruan:

“Nëse ne shqyrtojmë pikëpamjen e studiuesve muslimanë, atëherë ne mësojmë që ata e paraqesin Kuranin në mënyrë krejtësisht tjetër. Pothuaj katërmbëdhjetë shekuj më parë, në një vend të vetmuar meditimi, afër Mekës, Muhammedi mori mesazhin e parë nëpërmjet kryengjëllit Xhibril. Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, mesazhi i parë u paraprij nga shpallje të tjera të njëpasnjëshme që zgjatën gjatë një periudhe njëzet vjeçare. Ato, jo vetëm që u shkruan gjatë jetës së Profetit, por u mësuan përmendësh në zemrat e ndjekësve të parë dhe më vonë nga shumë të tjerët që u mblodhën rreth tij. Pas vdekjes së Profetit, të gjitha këto materiale u bashkuan në formën e një libri, që paskëtaj u njoh si Kuran. Ai mban vetëm fjalën e Zotit dhe përjashton çdo shtesë njerëzore. Dorëshkrimet që ne posedojmë dhe që datojnë që në shekullin e parë të Islamit, vërtetojnë integritetin dhe paprekshmërinë e tekstit të sotëm.”

 

“Ekuivalenti i ungjijve në fenë Islame janë hadithet. Këto janë thëniet e mbledhura të Muhammedit dhe rrëfimet rreth veprave të tij. Ungjijtë nuk na përcjellin diçka tjetër përveç historisë së Jezusit. Përmbledhja e parë e haditheve u përpilua disa dekade pas vdekjes së Muhammedit, ashtu siç ungjijtë u shkruan disa dekade pas Jezusit. Në të dyja raste, ato mbartin pasqyrimin njerëzor ndaj ngjarjeve që ndodhën në të kaluar.”

 

“Kurani nuk ka asnjë gabim shkencor.”

Në përfundim, ne mund të themi që Tevrati (Dhjata e Vjetër) nuk është krejtësisht i njëjtë siç ka qenë në kohën e Musait (Moisiut) si dhe librat e tjerë të Dhjatës së Vjetër gjithashtu kanë pësuar rishikime të shumta si dhe ndryshime, kjo sepse shumë ndër fjalët dhe lokucionet që gjendeshin në versione të mëparshme janë ndryshuar në botimet e mëvonshme. Mund të jetë e rastësishme që shumë nga këto fjalë apo pjesë të ndryshuara janë po ato që muslimanët kanë përdorur në mbështetjen e mendimeve të tyre. Pavarësisht mospërputhjeve midis varianteve të ndryshme, Dhjata e Vjetër akoma na paralajmëron shpalljen e ligjit të ri nga Zoti për të përudhur breza të rinj.

Saktësia  e integriteti absolut i Biblës mund të përshkruhet më së miri duke cituar nga parathënia a Versionit Standard të Rishikuar, e cila e cilëson atë si rindërtimi më i besueshëm i ngjarjeve bazuar mbi opinionet më të mira të studiuesve më të aftë.

Ndërsa në anën tjetër Kurani qëndron i vetëm në paprekshmërinë dhe integritetin e tij absolut. Saktësia e tij është përtej çdo lloj dyshimi. Ky fakt është vërtetuar e pohuar nga shumë studiues të pavarur dhe mund të konstatohet edhe sot duke përqasur atë me një nga kopjet e tij të para.

Studiuesi i famshëm skocez Sir William Muir, i cili njihet për veprat e tij rreth historisë së Islamit, Profetit s.a.v.s. dhe Kuranit Famëlartë, është një ndër orientalistët më të shquar, që kanë studiuar Islamin përmes burimeve të tij origjinale. Por, pavarësisht kontributeve të tij letrare, ai kritikohet për njëanshmëri në shkrimet e tij propagandiste në mbrojtjen e bindjes krishtere si dhe për odium theologicum (lat. d.m.th. urrejtje teologjike) për shkak të qëndrimeve të tij armiqësore ndaj fesë Islame.

(Powell, Avril A. (2010). Scottish orientalists and India: the Muir brothers, religion, education and empire. Boydell & Brewer. ISBN 978-1-84383-579-0.)

Ai edhe pse iu përmbajt idesë, se Kurani është fjala e Muhammedit s.a.v.s., pavarësisht nga të gjitha përpjekjet, nuk arriti të gjente asnjë ndryshim në të. Dëshpërimi i tij pasqyrohet në fjalët, me të cilat ai mbyll kritikën e tij rreth autenticitetit të Kuranit. Ai shkruan:

“Atë që kemi, edhe pse mundësisht e korrigjuar vetë prej tij, përsëri është i njëjtë siç e ka lënë…”.

“Unë, me bindje të plotë, mund të pohoj se çdo varg në Kuran është autentik dhe krijim i pandryshuar i vetë Muhammedit.” “… përndryshe ne kemi çdo siguri, qoftë të brendshme apo të jashtme, se teksti që posedojmë ne, është i njëjti që Muhammedi vetë kishte parashtruar dhe përdorur”.

(Muir, Sir William, The Life of Mohammad, botuar në Edinburgh, 1912 f. XXVII])

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp