Holokausti bërthamor - Profeci Kuranore
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

(Komentimi i Kuranit)

Ndër paralajmërimet Kuranore, në lidhje me shpikjet e epokës sonë, janë disa që kanë rëndësi të madhe dhe vlerë globale. Njëra syresh është profecia që flet për rrezikun kërcënues së holokaustit bërthamor.

Kjo profeci është bërë në një kohë, kur njeriu as në imagjinatën e tij më të largët nuk mund të përfytyronte dot një shpërthim bërthamor. Por, siç do të ilustrojmë më poshtë, ka disa ajete të Kuranit Famëlartë, të cilat qartazi flasin për grimca të parëndësishme, që janë përshkruar si depo të energjisë së pamasë, sikur zjarri i ferrit është mbyllur brenda tyre. Sado e çuditshme që mund të duket, kjo është saktësisht ajo që është përshkruar fjalë për fjalë në ajetet që pasojnë:

Kurani-104-2-10

Mjerë për çdo përqeshës, shpifës,
që grumbullon pasuri dhe e numëron,
duke menduar se ajo pasuri do ta bëjë të pavdekshëm!
Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në “hutamah”.
E kush mund të të shpjegojë ty se çfarë është “hutamah”?
Ajo është zjarri i Allahut, djegës i vazhdueshëm,
që godet befasisht në zemrat.
Është mbyllur në kolona të zgjatura flakëruese, për t’u përdorur kundër tyre. (El-Humazah 104:2-10)

Ky kapitull i shkurtër kuranor, është përmbledhje e ngjeshur me formulime të shquara, të cilat shkojnë përtej arritjes së mendjes njerëzore të asaj epoke. A nuk është e çuditshme të lexosh që njerëzit mëkatarë, për të cilët flitet se do të flaken në hutamah, që do të thotë grimca më e vogla, si ato që ne shikojmë në një rreze drite që kalon përmes një hapësire gjysmë të errët?!

Sipas fjalorëve autentikë arabë, fjala hutamah zotëron dy kuptime rrënjësore:

E para është hatamah, që do të thotë “të thërrmosh” ose “të grimcosh në thërrmiza jashtëzakonisht të vogla”, dhe e dyta është hitamah, që do të thotë “thërrmiza më e vogël e parëndësishme”. Kështu hitamah, është rezultat i arritur i diçkaje që grimcohet në përbërësit e tij më të vegjël.

Të dyja kuptimet e sapopërmendura mund të aplikohen saktësisht në çdo thërrmijë jashtëzakonisht të vogël, e cila ka arritur kufijtë e ndarjes së saj të mundshme. Duke qenë se ideja e atomit nuk kishte lindur njëmijë e katërqind vjet më parë, zëvendësuesi më i përafërt për të, mund të jetë vetëm “hutamah”, që tingëllon gjithashtu në mënyrë intriguese e afërt me atomin. Njeriu befasohet nga deklarata shokuese se ai do të hidhet në hutamah në një kohë, ndërkaq një tjetër deklarim edhe më i çuditshëm vjen në zgjimin e tij.

Duke shpjeguar fjalën hutamah, Kurani Famëlartë flet për një zjarr flakërues, i ndërtuar brenda vetvetes dhe i kufizuar në kolona të zgjatura. Kjo shkon më tej, duke deklaruar që kur njeriu do të hidhet brenda në të, ky zjarr do të kërcejë menjëherë drejt zemrës së tij, sikur të mos ekzistonte fare kafazi mbrojtës i kraharorit.

Kjo nënkupton se natyra e këtij zjarri do të jetë plotësisht ndryshe, që mund të vrasë zemrën menjëherë, përpara se ai të mund të djegë trupin. Sigurisht, asnjë zjarr i njohur nga njeriu në atë epokë nuk mund të përshkruhet si i tillë.

Sidoqoftë, këta nuk janë të vetmit elementë befasues rreth këtij përshkrimi, kjo që pason është edhe më e çuditshme. Për zjarrin që është përmendur këtu, thuhet se është i mbyllur në kolona që janë të zgjatura dhe ky zjarr është duke pritur kohën e caktuar të tij për t’u hedhur ndaj njeriut.

Çuditë janë shfaqur njëra pas tjetrës, në një hapsirë kaq të ngushtë, me anë të pak fjalive të thjeshta të kësaj sureje. Së pari, deklarimi se do të vijë koha kur njeriu do të hidhet në thërrmijën më të vogël, pastaj përshkrimi i kësaj thërrmije të vogël dhe çfarë përmban ajo. Ajo përmban një lloj zjarri, që mbahet i mbyllur në disa enë të vogla që mund të shfaqen si kolona të zgjatura.

Hedhja e njeriut në këtë thërrmijë të vogël nuk do të thotë se do të hidhet një njeri i vetëm në të. Njeriu është përmendur si një emër i përgjithshëm dhe hedhja tregon nënshtrimin e tij në këtë vuajtje, në të cilën ai do të ndëshkohet. Kjo u bë e konceptueshme vetëm në epokën bashkëkohore, kur njeriu ka zbuluar sekretin e atomeve dhe rezervave të energjisë së jashtëzakonshme që ato përmbajnë. Kjo është epoka, kur energjia e gjendur në thërrmijat më të vogla shpërthen dhe gllabëron zona të gjera që shtrihen prej mijëra miljesh katrore. Çdo gjë që gjendet brenda rrezatimit të saj, gllabërohet, njeriu dhe gjithçka. Prandaj, ajo çka dukej kaq e pavërtetë 1400 vjet më parë, sot është bërë një realitet i rëndomtë, të cilin edhe fëmijët e vegjël mund ta kuptojnë.

Shprehja më hiperbolike e çudisë, nuk arrin të konceptojë drejt madhështinë e kësaj profecie. Jo më pak i çuditshëm është fakti se njerëzit e asaj epoke nuk arritën ta njohin rëndësinë e kësaj sureje të shkurtër, El-Humazah, përndryshe ndikimi i saj do të bëhej në besimin e tyre, e jo vetëm t’u mbetej në zemrat. Logjika nuk e pranon sesi  këto formulime të çuditshme nuk u vunë re prej tyre dhe ikën të pasfiduara nga ata. Ndoshta, ata besuan se këto ajete nuk aplikohen në ngjarje të kësaj bote, por lidhen me mbretërinë misterioze të jetës së përtejme. Shumë komentues, thjesht kanë shmangur qoftë edhe një përpjekje për të shpjeguar këto ajete. Pak prej tyre që ndërmorën këtë sfidë, e shkarkuan vetveten duke e lidhur, në mënyrë arbitrare, përmbajtjen e këtyre ajeteve me kohën e ringjalljes. Kështu, duke mos depërtuar thelbin e tyre, ata as nuk janë përpjekur t’i zbërthejnë këto ajete.

Midis orientalistëve perëndimorë, Seli (Sale) ndeshi të njëjtën dilemë sesi ta përkthente fjalën hutamah, fjalë për fjalë. Ai thjesht përmend një numër të madh njerëzish që hidhen në hutamah, pa përkthyer el-hutamah aspak. Kjo nuk la rrezik për anglisht folësit për të shprehur mosbesimin e tyre për pamundësinë se si njerëzit të hidheshin në një thërrmijë të vogël. Duke qenë se ata nuk do të kishin idenë se çfarë ishte hutamah, ata do të ishin të lirë të përfytyronin një sallë të madhe me zjarr që digjet, të quajtur hutamah (thërrmija më e vogël). Kjo strategji e Selit e shpëtoi atë nga sikleti i këtij përkthimi. Por në të njëjtën kohë, ai nuk arriti ta konceptonte drejt këtë profeci të çuditshme.

Zjarri i përshkruar në këtë ajet (energjia), qoftë një konflagracion këtu në tokë, ose një zjarr rrezatues në botën e përtejme, nuk mund të ngjeshet aspak në një hapësirë të vogël të më të voglës së thërrmizave. Por kjo nuk është e vetmja dilemë që duhet të kenë ndeshur Seli dhe komentues të tjerë më të hershëm. Si është puna me zjarrin, që është futur në kolona të gjata të vogla, një skenar më se i pamundur për t’u konceptuar deri në agimin e epokës atomike? Kjo gjëegjëzë e çuditshme duket e zgjidhur përfundimisht me çdo pjesë të vendosur në vendin e saj të duhur.

Vetëm nëse dikush njeh përshkrimin shkencor sesi një shpërthim atomik zhvillohet dhe çfarë ndryshimesh ndodhin brenda masës bërthamore, mund të kuptojë plotësisht domethënien e shprehjes kuranore të “kolonave të zgjatura”. Ekspertët bërthamorë përshkruajnë gjendjen e një mase kritike që është gati të shpërthejë, si diçka që zgjatet dhe rreh me presion të madh të ndërtuar brenda saj. Ky presion shkaktohet nga shtrirja e bërthamave para se ato të shpërthejnë dhe në këtë proces, një element me peshë të lartë atomike ndahet në dy elementë me peshë më të vogël atomike. Shuma totale e peshës atomike e elementëve të formuar rishtazi, është më e vogël se pesha atomike e elementit bazë, normalisht referuar si një metal i rëndë. Sasia e vogël e peshës atomike humb në këtë proces kthehet në energji. Ky nuk është i vetmi model i një bombe atomike, por ne kemi zgjedhur këtë të thjeshtin për të përshkruar procesin e kolonave të zgjatura.

Duke iu kthyer çështjes se si ky zjarr mund të hidhet drejt e në zemër, përshkrimi shkencor është më poshtë:

Në momentin e shpërthimit, sasi të mëdha rrezesh gama, neutrone dhe rreze X lëshohen përnjëherë. Rrezet X e ngrenë temperaturën menjëherë në lartësi meteorike, duke krijuar një top të madh prej zjarri që ngrihet me shpejtësi e duke arritur shpërthimin e nxehtë atomik të jashtëzakonshëm. Kjo është një shtjellë zjarri që përfundon si një kërpudhë gjigante që duket nga të gjitha anët.

Së bashku me neutronet, rrezet X gjithashtu shpërndahen anash në të gjitha drejtimet, duke shkaktuar nxehtësi shumë të madhe që djeg gjithçka në rrugën e tyre. Shpejtësia me të cilën ky front i nxehtë lëviz është mbi shpejtësinë e zërit, i cili gjithashtu krijon valë goditëse. Por, shumë më shpejt dhe më depërtues se kjo, janë rrezet gama, të cilat e kalojnë frontin e nxehtë me shpejtësinë e dritës. Ato përhapen kaq shumë valë-valë, saqë forca e valëzimit të plotë të tyre, godet zemrat duke shkaktuar vdekjen. Kështu, vdekja nuk është shkaktuar nga nxehtësia e madhe e prodhuar me rrezet X, por është energjia e tmerrshme e rrezeve gama ajo që shkakton vdekjen e menjëhershme. Kjo është pikërisht ajo që është përshkruar në Kuran.
holokausti-berthamor1-parashikim-i-kuranit
Sërish, në suren El-Duhan, (Tymi), Kurani përshkruan një re vdekjeprurëse, që përfshin një tym rrezatues vdekjesjellës:

 Kurani-44-11-12

“Andaj, ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, që t’i mbulojë njerëzit: “Ky është dënim i dhembshëm!” (Ed-Duhan 44:11-12)

Natyra e kësaj reje është cilësuar më tej nga ajetet e mëposhtme:

Kurani-77-30-34

“Lëvizni përpara drejt asaj që e mohuat! Shkoni drejt hije tridegëzimesh, e cila nuk bën hije e as nga flaka nuk të shpëton. Ajo hedh shkëndija të mëdha si kala, të cilat sikur të ishin deve të verdha.” (El-Mursilat 77:30-34)

Fjalët “lëviz përpara” tregojnë që njerëzimi do të mbartet gradualisht në një epokë ku do të përballet me këtë fatkeqësi, të një reje munduese, që nuk afron strehë apo mbrojtje. Hijet sigurojnë qetësi dhe strehë. Retë qëndrojnë midis nesh dhe nxehtësisë së ndritshme të diellit. Në ajetin e mësipërm, nuk përmendet dielli, por vetëm një zjarr, nga ndriçimi  i të cilit, kjo hije nuk siguron mbrojtje. Përkundrazi, hija e kësaj reje bëhet një mjet i transmetimit të mundimit të zjarrit që e emeton atë. Asgjë nën hijen e saj, nuk është e shpëtuar. Ky qartësisht është përshkrimi i resë radioaktive. Ngjarja e përshkruar do të hedhë flakë të mëdha të një pamjeje të verdhë, të mugët, flakë të cilat janë të ngjashme me kështjellat dhe kanë gjithashtu pamjen e deveve. Ndoshta këtu nuk është vetëm ngjashmëria e ngjyrës së devesë, por edhe forma e gungës së saj, e cila është vënë në dukje.

Njerëzit e shekullit të pestë, nuk do të kishin qenë në gjendje të kuptonin domethënien e një reje të tillë vdekjeprurëse apo tymi. Duhet të ketë qenë jashtë mundësisë së të kuptuarit të tyre. Gjithsesi, sot ne dimë për shpërthimet atomike dhe mund të kuptojmë imazhet e reve radioaktive që ato prodhojnë. Ky përshkrim fatal i referohet gjithashtu një ajeti tjetër në Kuran, i cili thotë si më poshtë:

Kurani-77-16

“Mjerë mohuesit në atë ditë!” (El-Mursilat 77:16)

“Ajo ditë”, mund t’i referohet ditës së gjykimit, por kjo i referohet edhe një kohe këtu në tokë, kur ata që nuk pranojnë të besojnë në shenja hyjnore, do të mundohen nga një tym që hedh një hije vdekjeprurëse mbi gjithçka që gjendet nën të. Do të jetë një hije, që do të lëvizë nga një vend në tjetrin, duke mos sjellë qetësi, por vetëm një hije plot me agoni. Kjo do të jetë epoka, kur pasi kemi qenë dëshmitarë të këtij ndëshkimi hyjnor me përmasa kolosale, më në fund njeriu do të kthehet nga Zoti duke u lutur që ai t’i bëjë nder për ta shpëtuar atë nga një ndëshkim i padurueshëm. Por, kur zemërimi i Allahut pushton njerëzit, koha për falje dhe shpëtim, thuajse ka mbaruar. Kështu Kurani i Shenjtë shpjegon:

Kurani-44-14-15

Si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta, por ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është i mësuar (nga të tjerët), (madje) i çmendur”?! (Ed-Duhan 44:14-15)

Paralajmërime profetike janë dhënë për ta zgjuar njeriun për rrezikun e fatkeqësive, të cilat janë veçse pasojë të çmendurisë së tij. Profecitë e përmendura më lart lidhen qartësisht me epokën tonë. Ato flasin për ngjarje, që ishin plotësisht të panjohura për njerëzit e epokave të mëparshme. Dikush çuditet nëse implikimet e plota të të gjitha këtyre profecive janë zbuluar nga Zoti te Profeti Muhammed s.a.v.s. me çdo hollësi. Por qartësia me të cilën ai përshkruan ngjarjet e ardhshme, lë një përshtypje të fortë, sikur ai i sheh si një shfaqje profetike e skenuar në paradhomën e fatit. Megjithatë, shoqëria njerëzore duhej të presë për më shumë se një mijë vjet përpara se këto profeci të fillonin të realizoheshin. Kështu që, transferimi real i këtyre ngjarjeve, nga mbretëria e së padukshmes te ajo e së dukshmes, u bë e mundshme vetëm në epokën bërthamore.

Përmasat e katastrofës bërthamore janë të tmerrshme. Megjithatë, pak vëmendje i është kushtuar nga njeriu investigimit dhe identifikimit të rrënjëve që ndodhen në themel të kësaj të keqeje. Shikimi i njeriut rrallë depërton përtej sipërfaqes së gjërave që ai shikon. Pak njerëz mund të depërtojnë brenda vetes për të zbuluar pamjen e fshehur të qëllimeve të këqija. Kjo është një lloj verbërie që është e lidhur veçanërisht me shtrembësinë te njeriu. Sa herë që ai vetë është i përgjegjshëm që shkakton vuajtje dhe përhap të keqe rreth tij, ai nuk do të identifikojë dorën e tij pas tyre.

I tillë është zinxhiri i katastrofave të impaktit global që ne po ekzaminojmë. Një shkencëtar shpjegon dukurinë bazë të shpërthimit bërthamor vetëm në masën e shkaqeve materiale dhe fizike. Por, kur mjete të tilla shkatërrimtare e të jashtëzakonshme janë përdorur për të bërë kërdinë me paqen e njeriut, nuk duhet fajësuar shkencëtari që krijoi ato. Shkaku bazë gjendet diku tjetër. Janë fuqitë e mëdha të botës, të cilat janë përgjegjëse në mënyrë të pandryshueshme për vendimet e tilla mizore dhe të pandjenja të një madhësie të jashtëzakonshme. Megjithatë, pavarësisht nga madhësia e tyre, ato nuk janë më shumë se thjesht pengje në duart të vullnetit kolektiv plotësisht egoist të masave.

Kurani Famëlartë ndonëse flet për ngjarje shkencore me saktësi të madhe, nuk merr rolin e një udhëzuesi shkencor të thjeshtë. Më saktë janë shkaqet imorale të sjelljes njerëzore të shtrembëruar, ndaj të cilave ai tërheq vëmendjen tonë. Kjo shpjegon dukurinë e një mekanizmi të shkrepjes së vërtetë, por përqendron vëmendjen tonë, jo te këmbëza, por te gishti që e tërheq atë. Ky është qëllimi i paralajmërimeve Kuranore. Si i tillë, ai shpall vazhdimisht se për gjithë shëmtinë bërë ndaj njeriut, është vetë njeriu që duhet të fajësohet. Kështu, masat parandaluese, sipas Kuranit, lidhen me reformimin e natyrës njerëzore. Ai deklaron se nëse njerëzit ndryshojnë sjelljen e tyre dhe reformojnë vetveten, në përputhje me Udhëheqjen Hyjnore, kjo do të krijonte klimën e shëndoshë të nevojshme për mbijetesën e drejtësisë dhe respektimin e rregullave.

Drita e fenerit të profecive Kuranore tregon qartë çfarë shkëmbinjsh të shmangen dhe çfarë rrugësh të ndiqen. Por sa e vështirë është për ata që drejtojnë anijen e punëve njerëzore t’i vënë veshin paralajmërimit dhe të lëvizin anijen nëpër shanset kërcënuese drejt parajsës së sigurt të paqes. Pikërisht këtu gjendet shkaku kryesor i katastrofës. Pa një analizë kritike dhe realiste të sjelljes njerëzore, në çdo nivel të veprimtarisë së tij, asnjë zgjidhje e qëndrueshme dhe funksionale,  nuk mund të konceptohet për problemet që ndesh njeriu sot. Në termin më të thjeshtë, kjo gjendet në rehabilitimin e vlerave bazë njerëzore, si e vërteta, ndershmëria, integriteti, drejtësia, respektimi i rregullave, shqetësimi për të tjerët, ndjeshmëria për vuajtjet e njerëzve, madje edhe kur ata nuk kanë lidhje, dhe një angazhim i përgjithshëm ndaj së mirës. Hiqi këto si faktorë nga marrëdhëniet njerëzore dhe prit të të pushtojë katastrofa. Ky është i vetmi konkluzion logjik.

Sureja El-Kamer, (kapitulli 54) e shpjegon këtë me referencë në historinë e popujve të mëparshëm që nuk u vinin veshin paralajmërimeve të dhëna ndaj tyre nga lajmëtarët hyjnorë të kohës së tyre. Si pasojë, ata njëherë e përgjithmonë, u bënë dëshmitarë të fundit tragjik që u ishte premtuar atyre dhe pendimi i tyre i vonuar ishte i pavlerë. Dobia e vetme nga paralajmërimi i dhënë ishte për brezat e ardhshëm që t’ia vënë veshin. Kurani Famëlartë, kështu, vë gishtin në tragjedinë e tyre, në mënyrë që brezat që vijnë të mund të mësojnë artin e jetës nga vdekja e paraardhësve të tyre.

Kurani-54-5-6

Sigurisht që atyre u kanë ardhur lajmet e rëndësishme, ndër të cilat është edhe një paralajmërim alarmant dhe një urtësi e përsosur. Por paralajmërimet nuk u bëjnë dobi. (El-Kamer 54:5-6)

Nëse njerëzit, nuk nxjerrin mësime, atëherë ata janë të vetmit që duhen fajësuar për pasojat katastrofike që i presin ata.

Holokausti bërthamor, të cilit ne i referohemi, është diskutuar në suren TaHa (kapitulli 20) në lidhje me pasojat përfundimtare të tij. Me nënkuptim, ajeti gjithashtu bën të qartë se do të jetë egoizmi dhe arroganca e fuqive të mëdha të botës së kohës, që do të copëtohen, ndërsa njerëzimi si i tillë, nuk do të asgjësohet.

Ajeti përkatës parashikon qartësisht se kjo nuk do të jetë një pikë e mbarimit për njerëzimin si i tillë. Kjo do të jetë vetëm forca e fuqive politike arrogante që do të shkatërrohet dhe do të rrafshohet për toke. Nga varret e tyre do të ngrihet rendi i ri botëror. Superfuqitë në dukje si male do të bëhen pluhur dhe do të rrafshohen, sikur në një shkretëtirë të madhe rëre. Ju nuk do të dalloni ndonjë të ngritur apo të ulur në peizazhin e tyre.

Kurani-20-106-109

Kur të të pyesin ty për malet, thuaj: “Ato do t’i bëjë hi e pluhur Zoti im, dhe do t’i shndërrojë në një fushë të shkretë, në të cilën nuk do të shohësh as ndonjë vend të ngritur apo të ulur. Atë ditë, ata do të shkojnë pas thirrësit, i cili nuk ka asnjë shtrembësi. Zërat do të ulen para të Gjithëmëshirshmit dhe ti nuk do të dëgjosh përveç pëshpëritjes. (TaHa 20:106-109)

Do të jetë Zoti Niveluesi i Përsosur, dora e të Cilit, do të shkaktojë këtë transformim të çuditshëm. Malet janë thjesht metafora që tregojnë shtetet e fuqishme, kombet dhe popujt. Kurani Famëlartë parashikon se sapo që egoizmi i tyre të jetë shkatërruar dhe ata të jenë përfundimisht të përulur dhe të drejtuar, vetëm atëherë ata do të jenë të përshtatshëm të përgjigjen ndaj më të përulurit të thirrësve drejt Zotit, thirrës, i cili nuk ka shtrembësi në vetvete.

I tillë shkatërrim, siç është përshkruar këtu, mund të rezultojë nga një holokaust me madhësi të qindra shpërthimeve bërthamore, i cili nënkupton se njeriu nuk do të nxjerrë mësim, derisa fryma e arrogancës së tij do të duhet të përkulet nga e tërë pesha e kësaj përmase. Bashkë me këtë mesazh të trishtë të paralajmërimit, ka edhe një mesazh të lavdishëm të shpresës, që njerëzimi përfundimisht do të mbijetojë dhe do të futet në një epokë të re të dritës. Njeriu do të mësojë të ndreqë mënyrat e tij të sjelljes, nëse jo sa më parë, të paktën pas testimit të disa prej rezultateve të çmendurive të tij dhe të mosbindjes së tij ndaj Zotit.
holokausti-berthamor2-parashikim-i-kuranit
Në një sure (kapitull) tjetër, Kurani flet për ndryshimet kryesore klimatike dhe gjeografike të një natyre kaq të tmerrshme saqë do të bëjë pamjen e shumë pjesëve të tokës, vendeve dhe kontinenteve tërësisht të shkretuara. Kjo ndoshta lidhet me pasojat e holokaustit që ne sapo kemi diskutuar. Para kësaj, të njëjtat toka konsideroheshin midis pjesëve më të bukura dhe më piktoreske të botës, në mënyrë unike të pasura me një bukuri marramendëse. Sa do të dëshironim që nga të gjitha profecitë Kuranore, kjo e fundit të paktën të mos duhet të realizohet. Kjo dëshirë, sigurisht nuk është shenjë e mungesës së respektit ndaj paralajmërimeve profetike të Kuranit. Kjo thjesht buron nga besimi ynë i patundur në mirënjohjen e përgjithshme të Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mirëbërësit.

Të gjitha paralajmërimet, sado kategorike që mund të duken, janë të kushtëzuara nga përgjigja e njeriut. Shembulli i popullit të Jonës, që u kursyen nga zemërimi i paracaktuar i Zotit, pasi ata u kthyen tek Ai me pendim të thellë, ndez flakën e shpresës për ne sot. Pavarësisht nga fakti se nuk ka justifikim të vërtetë për optimizëm, për sa i përket rënies së vazhdueshme të vlerave morale njerëzore, është shpresa e vetme mbi të gjitha, tek e cila njeriu mund të mbështetet. Pjesa tjetër është një natë e frikshme e një dëshpërimi të plotë. Por, mjekimi për sëmundjet e tyre të rrënjosura thellë, nuk gjendet më në duart e mesihëve johyjnorë. Ky gjendet vetëm në duart e Zotit, por vetëm nëse duart tona janë ngritur në lutje para Tij. Ndoshta ne po flasim një gjuhë të vështirë për njeriun bashkëkohor për të kuptuar. Ajo bie ndesh me atë çka veshët e tij janë akorduar për të dëgjuar. Allahu e di më mirë!

(Mirza Tahir Ahmad, “Revelation, Rationality, Knowledge and Truth” (“Shpallja Hyjnore, arsyetimi, dija dhe e vërteta”)  f. 613-624, UK, 1998)

Përkthyen në shqip:
Çapajev Zera,  Samad Ghori

Lexoni profeci të tjera të Kuranit për këtë kohë

Lexoni profecinë rreth DEXHALLIT dhe shkatërrimeve që ai do të bënte

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp