[Shënim i redaksisë: Disa nga titujt ndërmjetës (H2) në këtë kapitull janë shtuar për lehtësi leximi dhe nuk janë pjesë e tekstit origjinal të librit.]
Dija njerëzore dhe hapësira e së padukshmes
Dija njerëzore është e rrethuar nga të gjitha anët prej një hapësire të pakufishme të “së padukshmes”. Ajo që njeriu di për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij është si një pikëz e vogël drite, jo më e madhe se vezullimi pulsues në bishtin e një xixëllonje, e varur në mes të një oqeani të pakufishëm me errësirë të plotë. Edhe pse, me ndihmën e astrofizikës dhe të matematikës së lartë, njeriu duket se e ka shtrirë horizontin e dijes së tij deri në skajet e universit, dëshmitë faktike që sapo kanë filluar t’i arrijnë nga skajet e tij vijnë përmes sinjaleve që janë emetuar rreth tetëmbëdhjetë deri në njëzet miliardë vite drite më parë. Se çfarë mund të ketë ndodhur atje ndërkohë, ose çfarë mund të jetë duke ndodhur tani, mbetet vetëm hamendje.
Pa folur për të kaluarën dhe të ardhmen, edhe njohja e së tashmes, në pjesën më të madhe, qëndron përtej vetëdijes njerëzore. Çfarë di vërtet njeriu për ngjarjet që ndodhin përtej shtëpisë së tij, rrugës së tij, qytetit ku banon apo vendit ku jeton? Edhe sikur të gjitha mjetet e informimit të merreshin së bashku, ato nuk do të mund t’i përcillnin as një të miliardtën e asaj që ndodh në botën rreth tij.
Por as kjo nuk është e gjitha. Çfarë di vërtet njeriu për njerëzit që mendon se i njeh, qoftë ndër miqtë, qoftë ndër të afërmit e tij më të ngushtë? Të depërtosh përtej fytyrës së njeriut dhe të lexosh se çfarë fshihet në të vërtetë pas saj, nganjëherë është më e vështirë sesa të vështrosh sipërfaqen e një pellgu me ujë të turbullt, duke u përpjekur të shohësh se çfarë fshihet poshtë. Në të dyja rastet, njeriu sheh vetëm pamjet që pasqyrohen në sipërfaqe. Ndryshimi është se pellgjet nuk dinë të shtiren, nuk marrin poza dhe nuk mund të krijojnë me dashje përshtypje të rreme.
Në varësi të motit dhe të kohës së vitit, pellgjet janë pothuajse të njëtrajtshme; njerëzit jo. Ndërlikimet e psikikës njerëzore, ndryshimet e paparashikueshme të humorit dhe të sjelljes, standardet e ndryshme morale dhe filozofitë personale, prirjet dhe cilësitë e ndryshme të mendjes e të zemrës, thellësia ose cekëtia e sjelljes së tyre, janë vetëm disa prej ndryshoreve të panumërta që nuk i kanë pellgjet. Shpesh, edhe ajo që zhvillohet brenda vetë njeriut mbetet përtej aftësisë së tij për ta kuptuar.
Megjithatë, pak njerëz nxjerrin prej kësaj mësimin e përulësisë. Rrallë e kuptojnë se burimi përfundimtar i së Vërtetës dhe burimi i Dijes Absolute nuk mund të jetë tjetër veçse Krijuesi. Vetëm Ai i di fshehtësitë e krijimit të Vet. Vetëm Ai është Gjithëshikuesi, i Gjithëdijshmi, i Madhi, Supremi.
Dija është parakushti më thelbësor i çdo krijimi, qoftë ai hyjnor apo njerëzor, i madh apo i vogël. Pa një njohje të thellë të asaj që synohet të krijohet, nuk mund të realizohet asnjë qëllim krijues. Prandaj, askush nuk i njeh hollësitë dhe ndërlikimet e krijimit ashtu siç i njeh vetë Krijuesi, dhe pikërisht për këtë arsye, Gjithëdija është një prerogativë e Zotit. Një dije e përsosur dhe gjithëpërfshirëse për çdo gjë quhet Gjithëdije kur i atribuohet Zotit, duke përjashtuar çdo qenie tjetër.
Nëse Autori i Kuranit është po Ai Zot i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëpranishëm, çdo shpallje kuranore që lidhet me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen duhet të vërtetohet pa përjashtim nga faktet e konfirmuara, sapo këto të dalin në dritë. Pikërisht këtë synon trajtesa që vijon. Me ndihmën e fakteve të pakundërshtueshme, shpresojmë fuqimisht ta vërtetojmë këtë çështje.
Më parë kemi diskutuar deri diku gjerësisht rolin e shpalljes kuranore në nxjerrjen në dritë të disa prej ngjarjeve më të lashta të krijimit. Ajo nis me fillimin e kohës, kur universi shpërtheu papritur nga një vrimë e zezë. Sipas Kuranit, ai u ça vetëm me urdhrin e një Krijuesi të Plotfuqishëm. Rrëfimi kuranor për historinë e krijimit përfundon me fundin e kohës, kur universi do të zhytet përsëri në një tjetër vrimë të zezë.
Edhe për sa i përket origjinës së jetës, rrëfimi kuranor është po aq çuditërisht gjithëpërfshirës dhe i saktë. Ai përfshin të gjitha fazat e rëndësishme të evolucionit organik dhe biotik gjatë 4.5 miliardë viteve të historisë së evolucionit, deri në pikën kur ky proces kulmoi me krijimin e njeriut. Prej asaj pike e tutje, Kurani merr në trajtim historinë njerëzore në lidhje me zhvillimin e shoqërisë, të fesë dhe të qytetërimit. Ai përmend gjithashtu mundësinë e zhdukjes përfundimtare të llojit njerëzor, i cili mund të zëvendësohet nga një formë jete më e mirë dhe më e evoluar.
Gjithçka që përmendëm shkurtimisht më sipër është trajtuar gjerësisht në kapitujt përkatës të këtij libri, duke treguar se si shpallja hyjnore [zbulesa hyjnore] mund të sjellë në sferën e së njohurës pjesë të asaj që më parë ishte e panjohur. Në këtë kapitull do të tregojmë se si Kurani zbulon disa ngjarje të rëndësishme historike që qëndronin të varrosura në një të kaluar të errët. Gjithashtu do të tregojmë se si ai zbulon shumë ngjarje të së ardhmes, për të cilat askush në kohën e shpalljeve kuranore nuk mund të kishte pasur dijeni. Në mënyrë të veçantë do të tregojmë se si Kurani parashikon me saktësi arritje të mëdha shkencore të së ardhmes, të destinuara për të ndryshuar tërësisht mënyrën e jetesës së njeriut.
Faraoni në Kuran dhe shpëtimi i trupit të tij
E fillojmë me rrëfimin e një ngjarjeje me rëndësi të madhe historike dhe me domethënie fetare të përbashkët për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët. Bëhet fjalë për Eksodin e Moisiut (Musait) a.s. dhe për atë që i ndodhi ushtrisë së Faraonit që e ndiqte, pasi Moisiu a.s. dhe populli i tij kishin kaluar shëndoshë e mirë përmes deltës së rrezikshme të Nilit.
Ka edhe shumë shembuj të tjerë nga historia judeo-kristiane e së njëjtës periudhë, të trajtuar në Dhiatën e Vjetër, Dhiatën e Re dhe Kuranin e Shenjtë. Por për këtë diskutim kemi zgjedhur me kujdes vetëm ngjarjen e Eksodit, sepse ajo tregon në mënyrë të përmbledhur natyrën hyjnore të shpalljes kuranore.
Rrëfimi biblik dhe ai kuranor për fundosjen e Faraonit
Në krahasim me të, rrëfimi biblik, edhe pse regjistron historinë e kohës, duket i cekët dhe sipërfaqësor. Nga këndvështrimi i një ndjekësi të Moisiut a.s., më e shumta që ai mund të kishte parë dhe regjistruar ishte fundosja e Faraonit dhe e ushtrisë së tij, të mbuluar nga dy dallgë madhështore si male.
Çfarë i ndodhi vetë Faraonit përpara se të fundosej? Çfarë ndodhi midis Faraonit dhe Zotit në çastet kur po mbytej? Çfarë i kërkoi ai Zotit, nëse i kërkoi diçka, në çastet e fundit të jetës? Këto janë gjëra që qëndrojnë krejtësisht përtej mundësisë së çdo vëzhguesi njerëzor që shikonte nga bregu i thatë. Prandaj, gjithçka që Bibla thotë për Faraonin dhe ushtrinë që e ndiqte është se të gjithë u mbytën, pa asnjë përjashtim:
“Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur Izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre.
Por bijtë e Izraelit vazhduan të ecnin në tokë të thatë në mes të detit …”[1]
Është e qartë se, sipas këtij pohimi biblik, deti i mori të gjithë, pa përjashtuar Faraonin. Shpartallimi ishte i plotë. Në dallim nga kjo, Kurani jep për të njëjtën ngjarje rrëfimin e mëposhtëm. Dallimi është shumë i qartë:
“Dhe Ne i kaluam bijtë e Izraelit matanë detit, atëherë Faraoni dhe ushtria e tij i ndoqën të rebeluar e të armiqësuar; kur ata i zuri fundosja; ai tha: “Besova se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Atij që besuan bijtë e Izraelit dhe (edhe) unë bëhem ndër të nënshtruarit”.
Tani?! Por ti ke refuzuar deri më parë dhe ishe ndër çrregulluesit!
Andaj, sot ty ta shpëtojmë trupin, që të mbetesh shenjë për ata që vijnë pas teje. Në të vërtetë, shumica e njerëzve janë tërësisht të pavëmendshëm ndaj shenjave Tona.”[2]
Profecia për ruajtjen e trupit të Faraonit
Duhet vënë veçanërisht në dukje se, në kundërshtim me këtë pohim kuranor, rrëfimi biblik nuk lë as aludimin më të vogël për mundësinë e shpëtimit të trupit të Faraonit:
“… nuk shpëtoi asnjë prej tyre.”
Pra, deri në kohën kur Kurani përmendi shpëtimin e trupit të Faraonit, në mënyrë që brezat e ardhshëm të merrnin mësim prej tij, asnjë burim njerëzor historik nuk kishte bërë ndonjëherë një pohim të tillë.
Në kohën kur u shpall Kurani, varret e mbretërve të Egjiptit qëndronin të groposura thellë nën shtresa të njëpasnjëshme të rërës së shkretëtirës. Njerëzit e asaj kohe dinin shumë pak për shkencën e mumifikimit, e aq më pak arabët. Asnjë libër apo traditë, fetare ose tjetër, nuk kishte dhënë ndonjëherë qoftë edhe një shenjë për shpëtimin e trupit të Faraonit, e jo më të përmendte ruajtjen e mëvonshme të tij.
Rrëfimi kuranor është unik edhe për një arsye tjetër: ai nuk zbulon vetëm disa ngjarje të së kaluarës që deri atëherë ishin të panjohura për pjesën tjetër të botës, por profetizon gjithashtu se e ardhmja do ta dëshmonte vërtetësinë e pohimit të Kuranit.
Edhe vetë ideja që trupi i Faraonit, pasi ishte fundosur në rrethanat e përshkruara nga Bibla, mund të nxirrej nga uji, dukej mjaft e pamundur. Edhe sikur të nxirrej, gjendja e një trupi të tillë do të paraqiste vështirësi jo të vogla për mumifikimin e tij.
Megjithatë, pikërisht këtë pohon Kurani. Asnjë njeri nuk mund të kishte ëndërruar të bënte një pohim të tillë, në kundërshtim me dëshmitë historike që ishin të disponueshme në kohën e shpalljes së Kuranit. Gjithçka që njerëzit dinin ishte se trupi i Faraonit ishte përpirë nga deti dhe kishte humbur përgjithmonë.
Madje as grabitësit egjiptianë të varreve nuk kishin ndonjë ide se cilët faraonë, nëse kishte të tillë, ishin varrosur në Luginën e Mbretërve. Nëse Profeti s.a.v.s. do të ishte vetë autori i Kuranit, çfarë mund ta kishte shtyrë të bënte një pohim kaq të pazakontë? Ai nuk do t’i sillte asnjë dobi; përkundrazi, mund të kthehej kundër tij. Nëse do të sfidohej, Profeti s.a.v.s. nuk mund të paraqiste asnjë provë në mbështetje të pohimit të vet. I vetmi rezultat do të ishte vënia në dyshim e vërtetësisë së Kuranit.
Vetëm shumë shekuj pas shpalljes së Kuranit, toka filloi të nxirrte në dritë fshehtësitë e saj. Janë zbuluar trupat e mumifikuar të të gjithë faraonëve që mund të pretendohet se kanë qenë Faraoni i kohës së Moisiut a.s..
Nëse ai ishte Ramsesi II apo ndonjë faraon tjetër, kjo është një çështje që vazhdon të diskutohet. Por, fakti që një prej mumieve të zbuluara në Luginën e Mbretërve i përket Faraonit që u përball me Moisiun a.s., nuk vihet më në diskutim. Përfundimi i vetëm që mbetet për t’u nxjerrë është se, në kundërshtim me verdiktin e gjithë historisë së njohur botërore, ishte vetëm pohimi i shpalljes kuranore ai që u vërtetua:
“Andaj, sot ty ta shpëtojmë trupin…”[3]
Ky ishte verdikti i Kuranit, i cili tani është bërë edhe verdikti i historisë botërore.
Çfarë nënkupton shpëtimi i trupit të Faraonit?
Një kuptim i mundshëm i kësaj fjale të Zotit drejtuar Faraonit është se koha për t’i shpëtuar jetën kishte kaluar dhe se, për këtë arsye, do të shpëtohej vetëm trupi i tij i vdekur. Kuptimi tjetër i mundshëm është se koha për pranimin e besimit të tij kishte kaluar dhe, për rrjedhojë, shpirti i tij nuk do të shpëtonte. Në këtë rast, do t’i shpëtonte vetëm trupi dhe ai do të vazhdonte të jetonte si një trup pa shpirt. Sipas kuptimit tonë, Kurani synon pikërisht kuptimin e dytë.
Për ta mbështetur më tej këtë përfundim, le të shohim mënyrën se si Kurani e rrëfen këtë episod. Shprehja që ka rëndësi të veçantë është:
“Andaj, sot ty ta shpëtojmë trupin …”[4]
Është e qartë se Faraoni ishte i shqetësuar për mbijetesën e tij këtu në tokë, jo për shpëtimin e kufomës së tij. Nëse nuk do t’i shpëtonte as jeta shpirtërore, as ajo fizike, çfarë kuptimi do të kishte ky premtim? Është e qartë se Faraoni nuk po lutej që pas vdekjes t’i nxirrej kufoma nga deti.
Nëse lutja e tij u pranua qoftë edhe pjesërisht, siç duket nga Kurani, atëherë është vështirë të mendohet se atij iu shkaktua vdekja si fizike, ashtu edhe shpirtërore. Kjo do të ishte një mohim i plotë i asaj që ai kishte kërkuar. Pohimi i tij se besonte në Zotin e Izraelit duhet të ketë ardhur nga frika për jetën; prandaj, me të drejtë, ai u refuzua si i pavlefshëm. Ajo që iu premtua ishte se do t’i shpëtonte vetëm trupi, por jo shpirti.
Megjithatë, shumica e dijetarëve myslimanë këmbëngulin se lutja e tij u refuzua tërësisht dhe se premtimi për shpëtimin e trupit nënkuptonte vetëm nxjerrjen e kufomës së tij nga deti.
Edhe kjo, sipas tyre, nuk është një mrekulli e vogël, duke pasur parasysh rrethanat që përshkruajnë si Bibla, ashtu edhe Kurani. Madje, edhe premtimi se kufoma e tij do të nxirrej nga deti ishte në vetvete një mirësi e madhe ndaj Faraonit që po mbytej.
Ata argumentojnë se faraonët ishin një dinasti jashtëzakonisht krenare. Vetëm siguria se trupi i tij do të ruhej duhet t’i ketë sjellë njëfarë ngushëllimi në çastet e fundit të jetës. Por qëllimi i Zotit nuk ishte thjesht të kënaqte krenarinë e tij. Qëllimi i vërtetë ishte t’u linte brezave të ardhshëm një shenjë madhështore me domethënie të shumëfishtë, prej së cilës ata mund të përfitonin.
Sido që të përfundojë kjo polemikë – nëse vërtetohet se Faraoni në fjalë vdiq nga mbytja dhe vetëm trupi i tij u nxor nga deti, apo se ai u shpëtua nga një gjendje pranë vdekjes gjatë mbytjes – mrekullia e pohimit kuranor nuk zbehet aspak. Trupi i atij Faraoni u ruajt vërtet dhe ky fakt iu bë i njohur brezave pasardhës pikërisht siç kishte parashikuar Kurani.
Ramsesi II apo Merneptahu?
Dijetarët që besojnë se Faraoni kishte vdekur tashmë kur trupi i tij u nxor nga deti, besojnë gjithashtu se ai ishte Merneptahu, pasardhësi i Ramsesit II, dhe jo vetë Ramsesi. Kjo nënkupton se Moisiu a.s. jetoi nën sundimin e dy faraonëve dhe jo të njërit.
Sipas kësaj pikëpamjeje, Moisiu a.s. lindi kur Ramsesi II ishte tashmë mbret dhe u rrit në pallatin e tij nga një prej grave të tij besimtare, për të cilën ata mendojnë se ishte më e reja. Meqë ajo nuk kishte fëmijë, dëshira e saj për të birësuar një djalë është e kuptueshme.
Nëse e pranojmë këtë hipotezë, atëherë Moisiu a.s. duhet të jetë larguar nga Midiani për t’u kthyer në Egjipt pas vdekjes së Ramsesit II, kur Merneptahu kishte hipur tashmë në fron. Në mbështetje të kësaj pikëpamjeje ata citojnë Biblën, sipas së cilës, gjatë mërgimit të tij në Midian, Moisiu a.s. u njoftua nga Zoti se Faraoni, gjatë sundimit të të cilit ai kishte vrarë një njeri, kishte vdekur.
Në pamje të parë, ky skenar duket logjik dhe i pranueshëm, por vetëm në pamje të parë. Vdekja e një mbreti nuk e shfajëson askënd nga një krim që mund të ketë kryer. Nuk ka asnjë logjikë në këtë. Pikërisht për këtë arsye, për t’ia larguar frikën Moisiut a.s., Zoti nuk lë as aludimin më të vogël për vdekjen e ndonjë Faraoni. Përkundrazi, i thotë të mos ketë frikë, sepse Zoti do ta mbrojë atë dhe vëllanë e tij. Kjo është shumë më e arsyeshme.
Një problem tjetër është se, sipas dëshmive arkeologjike të nxjerra nga gjendja e mumies së tij, Ramsesi II, i cili vdiq në moshën e thyer nëntëdhjetëvjeçare, i kaloi tridhjetë vitet e fundit të jetës i shtrirë në shtrat, i dobësuar nga pleqëria dhe mezi në gjendje të lëvizte, ndoshta duke vuajtur nga një arteriosklerozë shumë e rëndë. Kjo gjendje mund të ketë qenë pasojë e drejtpërdrejtë e e një mbytjeje pothuajse fatale, gjatë së cilës truri mund të ketë mbetur për një kohë të gjatë pa furnizim të mjaftueshëm me oksigjen.
Ndërkohë, mërgimi i Moisiut a.s. në Midian dhe gjithë qëndrimi i tij atje zgjati vetëm tetë deri në dhjetë vjet. Në fund të kësaj periudhe, Ramsesi II nuk mund të kishte qenë më shumë se dyzet deri në pesëdhjetë vjeç. Prandaj, pohimi biblik se Zoti po priste vetëm vdekjen e Faraonit për ta ngarkuar Moisiun a.s. me misionin profetik dhe për ta urdhëruar të kthehej në Egjipt, nuk është i pranueshëm.
Për më tepër, sipas Kuranit, Faraoni tek i cili u kthye Moisiu a.s. e akuzoi atë pikërisht për vrasjen, por dukej se ngurronte të merrte masa kundër tij për shkak të shenjave hyjnore që Moisiu a.s. kishte shfaqur. Është e qartë, pra, se shpëtimi i tij nga ndëshkimi nuk erdhi për shkak të vdekjes së një Faraoni dhe ardhjes në fron të një tjetri.
Edhe jeta e Moisiut a.s. dhe e Harunit a.s. pas kthimit të tyre në Egjipt përshkruhet si në Kuran, ashtu edhe në Bibël, si tepër e pasur me ngjarje. Përballja e tyre me Faraonin duket kaq e gjatë, saqë duhet të ketë zgjatur rreth një dekadë përpara se të arrinte në përfundimin e saj. Të gjitha shenjat e përmendura nuk mund të jenë përmbledhur brenda një periudhe kaq të shkurtër sa një ose dy vjet.
Nga ana tjetër, historianët vlerësojnë se i gjithë sundimi i Merneptahut, nga dita e kurorëzimit deri në ditën e vdekjes së tij, zgjati vetëm tetë vjet ose më pak.
Për më tepër, historia e përshkruan Merneptahun si një mbret luftëtar që sulmonte vazhdimisht palestinezët, vit pas viti, ndërsa si Kurani, ashtu edhe Bibla heshtin plotësisht për ndonjë ekspeditë të tillë të Faraonit të Moisiut a.s. në tokën e izraelitëve.
Por ndoshta ky nuk është vendi për një diskutim të plotë dhe të hollësishëm të kësaj çështjeje. As nuk është e nevojshme të provohet se cili prej të dyve – Ramsesi II apo Merneptahu – ishte Faraoni i Eksodit. Për sa kohë që mumiet e tyre mbeten të ruajtura, secili prej tyre mund të dëshmojë për vërtetësinë e profecisë kuranore. Emrat e tyre, në të vërtetë, nuk kanë ndonjë rëndësi reale.
Profecitë e Kuranit që u përmbushën gjatë jetës së Profetit Muhamed s.a.v.s.
Pasi trajtuam deri diku gjerësisht disa ngjarje të rëndësishme të historisë egjiptiane në kohën e Moisiut a.s., të cilat kishin mbetur të fshehura deri në shpalljen e Kuranit, tani do t’u drejtohemi disa shpalljeve profetike të Kuranit që lidhen me ngjarje të tjera.
Ato përfshijnë fusha të ndryshme të interesit njerëzor: zhvillime shoqërore, fetare dhe politike, si edhe përparime shkencore që do të hapnin epoka të reja dhe do të ndryshonin pamjen e botës.
Disa prej këtyre profecive përfshijnë gjithashtu ndryshime të rëndësishme ekologjike dhe mjedisore që do të shkaktoheshin nga shpikjet shkencore të së ardhmes dhe nga zgjerimi i industrisë. Kurani i Shenjtë përmban një listë të gjatë profecish të tilla, kryesisht, por jo vetëm, në suret e tij të fundit.
Ky diskutim nuk synon aspak të jetë shterues. Disa nga këto profeci kuranore janë shpjeguar dhe shtjelluar më tej në shumë hadithe të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. Ne kemi zgjedhur vetëm disa shembuj profecish nga kategori të ndryshme. Profecitë që lidhen me mjetet e reja të transportit dhe ndikimin e tyre të gjerë do të diskutohen më hollësisht në fund të këtij kapitulli, për shkak të rëndësisë së tyre globale.
Profecitë për largimin dhe kthimin në Mekë
Për të ruajtur rendin kronologjik, do të fillojmë me profecitë që u përmbushën gjatë vetë jetës së Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Disa prej tyre lidhen me kthimin e tij në Mekë pas mërgimit të detyruar.
Të gjitha ajetet e tilla u shpallën përpara mërgimit të tij në Medinë dhe, kështu, profetizuan njëkohësisht si largimin e tij, ashtu edhe kthimin e mëvonshëm. Ajeti vijues është nga surja El-Kasas, e cila u shpall para Hixhretit, pra para emigrimit të Profetit s.a.v.s. nga Meka në Medinë:
“Pa dyshim, Ai që të obligoi Kuranin, do të të kthejë ty në vendkthim. Thuaj: Zoti im di më së miri atë që sjell udhëzimin, si dhe atë që është në devijim të qartë.”[5]
Të parashikohej kthimi i tij në Mekë përpara se ai të emigronte në Medinë ishte në të vërtetë një profeci e dyfishtë.
Duke pasur parasysh përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes në Mekë, që po e bënte jetën gjithnjë e më të pamundur për të dhe për ndjekësit e tij, emigrimi mund t’u duket disa lexuesve një përfundim thjesht logjik. Por nuk duhet harruar se elementi befasues i kësaj pjese të profecisë nuk qëndron te parashikimi i emigrimit. Befasia qëndron në sfidën e hapur ndaj vullnetit dhe fuqisë së mekasve, të cilët nuk ishin të gatshëm ta lejonin këtë emigrim.
Vendosmëria gjithnjë e më e fortë e mekasve për të mos e lënë Profetin s.a.v.s. të shpëtonte, e bënte edhe më të pamundur që një profeci e tillë të ishte bërë nga vetë Profeti s.a.v.s. në një kohë kur ai ndodhej në një gjendje pafuqie të skajshme.
Një tjetër premtim hyjnor, se ai do të kthehej patjetër në Mekë me të vërtetën e qartë, iu dha në ajetin vijues:
“Thuaj: O Zoti im! Më mundëso hyrje me vërtetësi dhe më mundëso dalje me vërtetësi …!”[6]
Shembulli i tretë, ku kthimi i tij përfundimtar dhe fitimtar në Mekë parashikohet që përpara se të ndodhte mërgimi, gjendet në ajetet e para të sures Er-Rum, e cila, sipas mendimit unanim të dijetarëve, u shpall para Hixhretit [mërgimit]:
“U mundën romakët [bizantët ose romakët lindorë];
në një tokë të afërt; dhe pas mundjes së tyre, ata patjetër do të triumfojnë;
brenda disa vitesh. Sundimi është i Allahut edhe më parë, edhe më pas. Atë ditë do të gëzohen edhe besimtarët (për shkak të fitores së tyre),
me ndihmën e Allahut. Ai ndihmon kë të dojë dhe Ai është Triumfuesi, Mëshirëbërësi.”[7]
Këto ajete i referohen një disfate të pjesshme territoriale që bizantinët pësuan nga persët. Ato profetizuan qartë se fitorja persiane do të ishte jetëshkurtër dhe se, brenda pak vitesh, disfata e bizantëve do të shndërrohej në fitore.
“Atë ditë do të gëzohen edhe besimtarët (për shkak të fitores së tyre), me ndihmën e Allahut.”
Domethënia e kësaj profecie për fatin e besimtarëve ishte shumë e qartë. Pak kohë pas kësaj shpalljeje, myslimanët humbën shtëpitë dhe pronat e tyre në duart e idhujtarëve të Mekës, ashtu si bizantët kishin humbur territoret e tyre në duart e idhujtarëve persianë. Sahabët e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. e kuptuan njëzëri se, pak pas fitores së bizantëve, edhe myslimanët do të rimerrnin territorin e tyre – Mekën.
Ndryshimi i vetëm midis tyre lidhej me periudhën brenda së cilës do të përmbushej profecia. Debati lindi nga shprehja bid‘i sinīn, që fjalë për fjalë nënkupton një periudhë nga tre deri në nëntë vjet.
Në entuziazmin e tyre, disa prej sahabëve vunë bast me të tjerë se do të ktheheshin patjetër sapo të kalonin tre vjet. Të tjerë ua kujtuan se kthimi mund të vonohej deri në nëntë vjet, që është kufiri i sipërm i shprehjes bid‘i sinīn.
Ngjarjet që pasuan treguan se mendimi i këtyre të fundit ishte i drejtë. Kështu, të dy premtimet u përmbushën si në shkronjë, ashtu edhe në frymë. Fillimisht bizantët rimorën territoret e humbura brenda periudhës së parashikuar dhe më pas u erdhi radha myslimanëve të ktheheshin me lavdi në Mekë, përpara përfundimit të vitit të tetë.
Profecia për Betejën e Bedrit
Një kategori tjetër profecish që u përmbushën në mënyrë të qartë gjatë jetës së Profetit të Shenjtë s.a.v.s. lidhet me sulmet e përsëritura, që mekasit dhe aleatët e tyre nga fiset nomade ndërmorën kundër myslimanëve në Medinë.
Profecia e parë e kësaj kategorie, e përmendur në ajetet vijuese, përshkruan qartë ngjarjet e Betejës së Bedrit. Në këtë përballje të parë serioze midis myslimanëve dhe një ushtrie të fuqishme dhe të organizuar profesionalisht të Mekës, forcat pushtuese u shpartalluan plotësisht dhe u detyruan të iknin në mënyrë poshtëruese përpara një force shumë më të vogël mbrojtëse myslimane:
A thonë: “Jemi një grup i bashkuar që hakmerret”?!
Sigurisht, shumica do të shpartallohet dhe do të arratiset!
Madje, atyre u është premtuar Ora (e ndryshimit), dhe Ora do të jetë shumë e rëndë dhe shumë e hidhur.[8]
Disfata shkatërrimtare që pësoi ushtria mekase ishte parashikuar qartë në ajetet e mësipërme. Ajeti i fundit thekson se sa e hidhur do të ishte ajo Orë për ta.
Krerët më të shquar, armiqtë e betuar të Islamit, të njohur gjithashtu për urrejtjen e tyre ndaj Profetit të Shenjtë s.a.v.s., ranë njëri pas tjetrit në fushën e Bedrit.
Ebu Xhehli u vra nga dy djem të rinj myslimanë; edhe Shejbeja dhe Utbeja e takuan orën e tyre të caktuar dhe u vranë brenda pak orësh. Nata ra mbi zemrat e dëshpëruara të mekasve si Dita e Kiametit. Ata u arratisën në një çrregullim të plotë.
Pikërisht kësaj disfate poshtëruese i referohet ajeti vijues i sures El-Enfal:
“Dhe (kujtoni) kur Allahu ju premtoi njërin prej dy grupeve që ai do të ishte për ju, dhe ju dëshironit të kishit pjesën që nuk ju vështirësonte ju. Kurse Allahu dëshironte ta vërtetonte të vërtetën përmes fjalëve të Tij e ta priste rrënjën e mohuesve.”[9]
Beteja e Hendekut dhe profecitë për fitoret e ardhshme
Ndër përballjet e tjera me armiqtë e Islamit që ndodhën pikërisht ashtu siç ishin parashikuar, Beteja e Hendekut ka një rëndësi të veçantë. Pikërisht gjatë kësaj beteje u parashikuan edhe disa fitore të tjera të mëdha historike, në një kohë kur vetë mbijetesa e myslimanëve ishte në rrezik.
Profecia për Betejën e Hendekut u bë për herë të parë në suren Sad, e cila pa dyshim u shpall në Mekë dhe, sipas shumicës së dijetarëve, gjatë periudhës së hershme të misionit të Profetit s.a.v.s.. Ajeti është ky:
“Edhe kjo është një ushtri e vogël, prej (atyre) grupeve që do të munden atje.”[10]
Pikërisht kësaj profecie i referohet Kurani i Shenjtë:
“E kur besimtarët i panë ushtritë, thanë: “Kjo është ajo që na kishin premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij kishin thënë të vërtetën” e kjo ua shtoi atyre vetëm besimin dhe bindjen.”[11]
Nga të gjitha betejat që u zhvilluan gjatë jetës së Profetit të Shenjtë s.a.v.s., beteja e Hendekut spikat për rreziqet jashtëzakonisht të mëdha dhe sprovat e rënda që solli për myslimanët në Medinë. Në shumë çaste, gjasat dukeshin tërësisht kundër mbijetesës së myslimanëve.
Kurani e përshkruan gjendjen e tyre kështu:
“Kur ata ju erdhën edhe nga lart dhe edhe nga poshtë, dhe kur juve ju u errësuan sytë, dhe zemrat ju erdhën në fyt, dhe po mendonit ndryshe rreth Allahut;
atje u sprovuan besimtarët dhe u tronditën jashtëzakonisht fort.
Dhe kur hipokritët dhe ata që kanë pasur “sëmundje” në zemër, zunë të flisnin: “Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na kanë premtuar asgjë tjetër përveç mashtrimit!”
Dhe kur një grup prej tyre tha: “O banorët e Jethribit! Kthehuni se nuk ka strehë për ju!” Dhe një grup prej tyre i kërkoi leje Profetit duke thënë: “Shtëpitë tona kanë mbetur të pambrojtura!”, por ato nuk ishin të pambrojtura; ata vetëm donin të iknin.”[12]
Kjo betejë mori emrin Beteja e Hendekut, sepse, kur Profetit Muhammed s.a.v.s. i mbërriti lajmi se pothuajse të gjitha fiset arabe ishin bashkuar për ta sulmuar Medinën në një përballje përfundimtare dhe për t’i dhënë fund Islamit një herë e përgjithmonë, u bë absolutisht e domosdoshme ngritja e një pengese mbrojtëse në anën e hapur të Medinës.
Numri i myslimanëve në Medinë në atë kohë ishte kaq i vogël në krahasim me ushtrinë pushtuese, saqë ishte krejtësisht e pamundur ta ndalonin armikun të hynte në qytet përmes një beteje të hapur. Prandaj, pas këshillimit, u vendos se e vetmja zgjidhje ishte hapja e një hendeku.
Duhej të hapej një hendek rreth një milje i gjatë në një terren shkëmbor jashtëzakonisht të vështirë.
Vlerësimet për numrin e myslimanëve të përfshirë në këtë punë ndryshojnë. Numri më i ulët që përmendet është shtatëqind dhe më i larti tre mijë. Sipas vlerësimit tonë, nuk mund të kenë qenë më shumë se rreth një mijë e tetëqind veta, sepse një gjë për të cilën burimet pajtohen është se çdo grupi prej dhjetë vetash iu caktuan dhjetë jardë hendek. Meqë gjatësia e tij nuk ishte më shumë se një milje, numri i myslimanëve nuk mund të ketë kaluar një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë.
Puna ishte e rëndë dhe rraskapitëse. Varfëria dhe mungesat e shumta ua rëndonin edhe më tej gjendjen myslimanëve. Kishte raste kur u duhej të punonin për ditë të tëra me barkun bosh.
Pikërisht në këtë gjendje të skajshme vështirësie, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u njoftua një herë se, pavarësisht nga përpjekjet e gërmuesve, një shkëmb i fortë nuk po çahej në asnjë mënyrë. Profeti s.a.v.s. shkoi menjëherë në atë vend.
Kur mbërriti, mori vetë kazmën në dorë dhe e goditi shkëmbin tri herë, derisa ai u ça dhe u bë copë-copë. Sa herë që e godiste, nga shkëmbi dilnin shkëndija dhe ai thërriste me zë të lartë:
Allahu Ekber! – Allahu është më i Madhi!
Në fund, sahabët e pyetën përse kishte thirrur “Allahu Ekber!” me një ton kaq triumfues.
Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u përgjigj:
“Në shkëndijat që dolën me goditjen e parë, pashë pallatet e Sirisë të Perandorisë Bizantine dhe m’u dhanë çelësat e tyre. Herën e dytë m’u treguan pallatet e ndriçuara të Persisë në Medain dhe m’u dorëzua çelësat e tyre. Kur e godita shkëmbin për herë të tretë, në shkëndija m’u shfaqën pallatet e Sanasë dhe m’u dhanë edhe çelësat e tyre.”
Historia dëshmon se pikërisht kështu ndodhi. Por çudia nuk qëndron vetëm në përmbushjen e këtyre profecive. Vetë fakti që këto profeci u bënë në kohën kur u bënë është në vetvete një mrekulli.[13]
Historia rrallë mund të paraqesë një shembull të tillë të një grupi të vogël mbrojtësish, aq të pafuqishëm dhe të pambrojtur sa ishin myslimanët, ndërsa ditë pas dite hapnin hendekun, të rënduar nga uria dhe lodhja. Kjo ishte koha kur gjendja e myslimanëve nuk mund të rëndohej më tej. Dhe pikërisht atëherë Muhammedi s.a.v.s. shqiptoi ato fjalë historike, të cilat nuk i krijoi historia. Ato krijuan historinë.
Të parashikoje fitore të tilla në një kohë të tillë mund të ishte vetëm njëra prej dy gjërave: ose përçartja e një të çmenduri, ose shpallja e Zotit nga goja e një Profeti të madh s.a.v.s..
Ai ishte më urtiploti ndër të gjithë të urtët që kanë jetuar ndonjëherë; i çmendur sigurisht që nuk ishte. Nëse ndonjëherë një profet qe bekuar të bëhej zëdhënës i Zotit, ishte pikërisht ai. Ishte goja e tij dhe ishin buzët e tij që formësonin fate dhe shpallnin vendime, ndërsa Zoti i fliste atij dhe ai fliste në emër të Zotit.
Siç kemi theksuar edhe më parë, qëllimi i kësaj trajtese nuk është të paraqesë një studim shterues të të gjitha profecive të Kuranit të Shenjtë dhe të Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Ne po përpiqemi t’i paraqesim lexuesit vetëm disa profeci të veçanta me ndikim më të gjerë.
Pasi diskutuam disa prej atyre që lidheshin me jetën e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe me periudhën menjëherë pas tij, tani do të kalojmë te një kategori tjetër profecish që lidhen me një të ardhme relativisht më të largët.
Profecia për zbulimin e Amerikave dhe për thesaret e fshehura të tokës
Është e vështirë të vendosësh se nga duhet filluar, por ndoshta nuk do të ishte e papërshtatshme të fillonim me zbulimin e Amerikave dhe me zgjerimin e botës së njohur. Ajetet përkatëse janë këto:
“Dhe kur toka të zgjerohet,
dhe të nxjerrë përjashta gjithçka që ka brenda, dhe të zbrazet,
dhe t’i vërë veshin Zotit të saj, dhe kjo për të është obligim.”[14]
Profecia që përmban ajeti i katërt u përmbush në mënyrë të dukshme me zbulimin e “Botës së Re” në fund të shekullit XV, kur më 12 tetor 1492 Kristofor Kolombi zbarkoi në një ishull të Bahamasit.
Ky ishte fillimi i fundit për banorët autoktonë të Amerikës. Por për amerikanët, ky ishte një fillim i ri, në dukje pa fund, i ngritjes së tyre dhe i sundimit mbi pjesën tjetër të Botës së Vjetër. Kjo nënkuptohet qartë në profecinë e ajetit vijues, i cili flet për tokën që nxjerr të gjitha fshehtësitë e saj dhe zbrazet.
E njëjta temë merret përsëri dhe shtjellohet më tej edhe në sure të tjera. Për shembull, ajetet 2 dhe 3 të sures Ez-Zilzal thonë:
“Kur toka të tronditet fort me tronditjen e saj;
dhe toka të nxjerrë përjashta barrët e saj;…”[15]
Parashikohet se toka do të pësojë një tronditje të fuqishme dhe do të nxjerrë metalet e saj të rënda, ndërsa njeriu do të fillojë të pyesë me habi se çfarë po i ndodh asaj.
Fjala arabe ethkal (barrët) i referohet çdo gjëje që është e rëndë. Prandaj, ta kuptojmë nxjerrjen e “barrëve” të tokës edhe si nxjerrjen e metaleve të saj të rënda nuk do të ishte një zgjerim i sforcuar i kuptimit të fjalës.
Gjithashtu, ajo mund të përkthehet edhe:
“Toka do të nxjerrë thesaret e saj të fshehura.”
Përparimet e jashtëzakonshme shkencore që kemi dëshmuar në epokën tonë nuk do të kishin qenë të mundura pa zbulimin e mineraleve të reja që toka ka nxjerrë, pikërisht siç ishte parashikuar. Hiqini ato nga llogaria dhe rrota e përparimit shkencor do të kthehej një rreth të plotë prapa. Asnjë shpikje moderne me rëndësi nuk mund të përfytyrohet pa zbulimin e qymyrit, naftës, uraniumit, plutoniumit e të tjera.
Edhe rendi kronologjik i dy profecive të përmendura më sipër përcjell një mesazh. Profecia për zgjerimin e botës së vjetër pasohet menjëherë nga zbulimi i mineraleve të reja, dhe pikërisht në këtë rend u përmbushën edhe profecitë.
Profecia për eksplorimet arkeologjike
“Kur varret do të zhvarrosen.”[16]
Sikundër patë, që ajeti i sures Ez-Zilzal, flet haptas për nxjerrjene thesareve të fshehura prej tokës, ky ajet i sures El-Infitar tregon për zbulimin e monumenteve arkeologjike.
Por nuk është vetëm ky ajet që hedh dritë mbi këtë temë. Ne e zgjodhëm këtë për shkak të natyrës së tij profetike, përndryshe, ka shumë ajete të tjera në Kuranin e Shenjtë që, në mënyrë të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejtë, tërheqin vëmendjen e njeriut për shumë qytetërime dhe civilizime të varrosura e të lashta. Ato nxisin njeriun që t’i zhvarrosë të mbeturat e tyre dhe të studiojë shkaqet që ua sollën shkatërrimin e tyre përfundimtar.
Profecitë e Kuranit për epokën moderne
Rënia e Islamit dhe ngritja materiale e botës së krishterë
Dy ajetet e para të sures El-Tekvir të poshtëshënuara, parashikojnë që Islami do të ketë pësuar rënie, para se të fillojë epoka e re:
“Kur dielli do të paloset. Dhe kur yjet do të errësohen.”[17]
Duhet të kemi parasysh se dielli dhe yjet që janë përmendur në këto ajete, simbolizojnë Islamin dhe njerëzit e tij të mëdhenj. Kurani i Madhërishëm e quan Profetin Muhammed s.a.v.s. سِرَاجًا مُّنَیْرًا “Siraxhan munira”, që fjalë për fjalë do të thotë “dielli ndriçues”, gjithashtu, duke iu referuar es-habëve të tij që përfituan nga drita e tij, Profeti Muhammed s.a.v.s. i quan yjet, të cilët, në mungesën e diellit, hedhin dritë të mjaftueshme për udhëzimin e të humburve:
اَصْحَابِیْ کَانُّجُوْمِ فَبِاَیِّھِمُ اقْتَدَیْتُمْ اِھْتَدَیْتُمْ
“Es-habët e mi janë si yje. Cilindo do të ndiqni, do të gjeni rrugën e drejtë.”[18]
Pra, kur është fjala për ndërprerjen e dritës së diellit, do të thotë rënia e Islamit, sepse Profeti Muhammed s.a.v.s. është shëmbëlltyra e tij e gjallë. Në të njëjtën mënyrë, edhe errësimi i yjeve, flet për kohën kur dijetarët e fesë islame nuk do të jenë më të aftë për ta përhapur dritën e Islamit. Ajetet që vijojnë, e mbështesin fuqimisht këtë komentim. Njëkohësisht, në mënyrë të pandryshueshme, ato parashikojnë edhe zhvillimet shkencore, politike dhe shoqërore të kësaj kohe. Nëse pjesën e parë të kësaj sureje do ta marrim në mënyrë josimbolike, atëherë pjesa e dytë ndesh në kundërshtim me të parën dhe jep një pamje të paqartë.
Pra, parashikimi i këtyre zhvillimeve të jashtëzakonshme, në fushën e dijes, do të bëhet bashkë me paralajmërimin e palosjes së diellit dhe errësimit të yjeve. Këto janë dy gjëra të ndara që aplikohen për zhvillimet e ardhshme në dy sfera të ndryshme. Me pak fjalë, pjesa kryesore e kësaj sureje, në njërën anë, flet për zhvillimin material të botës së krishtere, që historikisht do ta pasonte zbulimin e Amerikës, ndërsa në anën tjetër, dy ajetet e para japin një pamje krejtësisht kontraste që i përket fatit të fesë Islame. Pyetja që shtrohet është: Pse Islami do të fillojë të bjerë vetëm pas zbulimit të Amerikës? Nëse do ta gjejmë përgjigjen e kësaj pyetjeje, do të jetë e mjaftueshme për mbështetjen e interpretimit tonë rreth ajeteve të lartpërmendura.
Viti 1492 dhe rënia e Islamit në Spanjë
Viti 1492, siç e kemi theksuar edhe përpara, është gur kufiri më i rëndësishëm që ndan botën e vjetër nga ajo e re. A mund të provojmë gjithashtu se edhe rënia e Islamit kishte arritur në kulmin e saj pikërisht në atë vit, në mënyrë që, çdo lexues të mund ta dallojë fare lehtë lidhjen midis të dyjave? Po, ne mund ta provojmë dhe gjykimi nuk është i yni, as i ndonjë myslimani tjetër. Gjykimi është i faktit historik, që u dëshmua vetë nga historianët e krishterë. “The Chronicle of the World” (“Kronika e botës”) nënvizon faktin më dallues të atij viti lidhur me fenë islame si më poshtë:
“Pas një fushate dhjetëvjeçare, Granada, i vetmi shtet islamik që kishte mbetur në Spanjë, ka rënë në duart e ushtrisë kastiliane. Rrethimi i qytetit po festohet nga të krishterët si “dita më e shënuar dhe më e bekuar në tërë historinë e Spanjës”. Ndërkohë, myslimanët e quajtën si katastrofa më e llahtarshme që i erdhi Islamit.”[19]
“Granada, qyteti i fundit i Perandorisë myslimane të Spanjës, që i bëri ballë për dy vjet mësymjes së të krishterëve, më në fund u pushtua nga Ferdinandi dhe Isabella.”[20]
Këtu mori fund mbretëria myslimane që qeveriste Spanjën, vazhdimisht prej shtatëqind vitesh.
Pas mbarimit të sundimit politik mysliman, në vitin 1492, Kisha filloi një fushatë të organizuar për ta shfarosur Islamin. Ndonëse dominimi mysliman mbaroi në mënyrë të beftë pas një sundimi të zgjatur për më shumë se pesëqind vjetësh, ndikimi që Islami kishte ndërtuar gjatë këtyre pesë shekujve të mëparshëm, nuk mund të zhbëhej brenda një ose dy vitesh. Kishte një numër të madh Maoresh, që ishin të përhapur gjatë gjithë terrenit kodrinor jugor të Andaluzisë, që siguronin zona shumë të izoluara për Islamin. Kishte edhe një numër më të madh spanjollësh të konvertuar në Islam, që ishin jo pak të sinqertë dhe të përkushtuar në praktikimin e Islamit se sa pushtuesit e tyre nga Arabia dhe Afrika. Ishin pikërisht ata më shumë se çdo të mbetur të fesë së tyre, që provonin një irritim jo tolerant ndaj klerit të krishterë, që ishte dëshpëruar gjatë viteve për t’i shkatërruar ata ose besimin e tyre.
Ishte Khemenies apostulli më në zë i Kishës Militante, i cili,
“do të shpëtonte shpirtrat e këtyre “të pafeve” nga zjarri i ferrit, pavarësisht nëse ata e donin apo jo.”[21]
Ai fiksoi
“në mendjen e shenjtë të Isabellës, doktrinën intriguese që për ta mbajtur besimin me të pafetë po thyente besimin me Zotin.”[22]
Ai ishte
“… jo një njeri që të tërhiqej i lehtë nga qëllimi i tij. Ai nxiti Mbretëreshën të përhapte një dekret me anë të të cilit Maorëve u ishte dhënë e drejta e zgjedhjes të pagëzoheshin ose të mërgonin. Atyre iu kishin kujtuar që të partë e tyre dikur kishin qenë të krishterë dhe kjo nga pikëpamja e origjinës, ata vetë kishin lindur në kishë dhe duhet të pohonin në mënyrë të natyrshme doktrinën e saj.”[23]
Kështu filloi fillimi i fundit të Islamit në Spanjë, të cilit iu desh dyqind vjet të përshkonte rrugën e tij të vdekjes.

“Xhamitë u mbyllën, dorëshkrime të panumërta që përmbanin rezultate epokash të mësimeve maore u dogjën nga kardinali i pamëshirshëm, dhe “të pafetë” e trishtuar u kërcënuan dhe u rrahën në Paqen e Ungjillit sipas mënyrës të aprovuar tashmë nga Madhëritë e tyre katolikë, në lidhje me çifutët jo më pak të mjerë. Shumica, sigurisht u dhanë, duke e parë më të lehtë për të shpëtuar fenë e tyre dhe shtëpitë e tyre; por një shkëndijë e shpirtit të vjetër maor mbeti duke çliruar dritë midis njerëzve të kodrave të Alpuxarras …”[24]
“ … sundimtarët e Spanjës nuk ishin as të zgjuar as të ndershëm në tratativat e tyre me Maorët, ndërsa koha kalonte, ata u bënë për herë e më shumë mizorë dhe të rremë. “Të pafetë” u urdhëruan të linin kostume të tyre karakteristike dhe të mbanin kapelat dhe shiritat e të krishterëve, të hiqnin dorë nga larja dhe të adaptonin pisllëkun e pushtuesve të tyre, të linin gjuhën, zakonet, ceremonitë madje edhe emrat e tyre dhe të flisnin spanjisht, të silleshin në mënyrë spanjolle dhe të merrnin emra spanjolle.”[25]
“Ishte rezervuar për Filipin e Dytë të vinte në praktikë ligjin tiranik të cilin i ati tij, e kishte lënë mënjanë me maturi. Në vitin 1567, ai futi me forcë udhëzimin e urryer për gjuhën, zakonet etj. dhe për të siguruar vlefshmërinë e ndalimit të larjes, filloi duke rrafshuar banjat e bukura të Al-Hambrasë.”[26]
“Në dimrin e vitit 1569-70 ai (Don Gjoni) filloi fushatën e tij dhe në muajin maj kushtet e dorëzimit ishin rregulluar. Muajit midis kësaj periudhe, ishin njollosur me një lumë të skuqur gjaku. Motoja e Don Gjonit ishte “asnjë lagje”; burra, gra, fëmijë u theren me urdhër të tij dhe para syve të tij fshatrat e Alpuxarras u kthyen në kasaphanë njerëzore.”[27]
“Shumë të mërguar fatkeq, vdiqën gjatë rrugës nga uria, lodhja, ekspozimi në natyrë, të tjerët arritën Afrikën, ku mund të lypnin lëmoshë por nuk mund të gjenin tokë për të jetuar…”[28]
Është deklaruar se jo më pak se tre milion Maorë u dëbuan që nga koha e rënies së Granadës deri në dekadën e parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Kronikani arab, me pikëllim kujton këtë goditje vendimtare: ‘I Plotfuqishmi nuk u lut t’iu siguronte atyre fitore, kështu që ata u kapën dhe u therën nga të gjitha anët, deri sa më në fund u vunë përpara nga toka e Andaluzisë, katastrofa e të cilëve erdhi deri në ditët tona, në vitin 1017 Hixhri. Sigurisht Zotit i përkasin tokat dhe zotërimet dhe Ai iu jep atyre, të cilët Ai i dëshiron.’”[29]
“Maorët u dëbuan; për pak kohë Spanja e krishtere ndriçoi, si hëna, me dritë të huazuar, pastaj erdhi eklipsi dhe në këtë errësirë, Spanja po endet e sikletosur prej kohësh.”[30]
Kështu, Stanley Lane-Poole nxjerr përfundimin në historinë e tij të The Moors in Spain (“Maorët në Spanjë”). Dielli i dominimit politik mysliman në Spanjë që kishte perënduar në vitin 1492, i lënë pas, ai dukej një muzg i zymtë i përgjakur, të cilit iu desh dy shkuj që të davariste dritën e Islamit nga qielli i Spanjës dhe ta kthente atë në një natë pa yje.
Sa për iluminizmin sekular i sjellë në Spanjë nga përhapja e qytetërimit mysliman, nuk vazhdoi gjatë.
Kështu që, viti 1492 hapi dy porta njëherësh, nga njëra prej tyre, e ardhmja dominuese e krishterimit hyri me një madhështi brohoritëse në botë, ndërsa nga tjetra, doli kokëvarur e kaluara madhështore e Islamit, çdo hap i kthimit të të cilës, i shkaktonte vuajtje të padurueshme.
Lëvizja e maleve, braktisja e deveve dhe transporti modern
Ajeti i katërt flet për lëvizjen e maleve nga një vend në një vend tjetër:
“Dhe kur malet do të lëvizen.”[31]
Në terminologjinë islamike, malet simbolizojnë fuqitë e mëdha të botës. Ka shumë ajete të tjera në Kuranin e Shenjtë që flasin për malet më të njëjtin konotacion. Kështu që, me ajetin konkret, që flet për lëvizjen e maleve, ne do të fillojmë të njohim çfarë do të ndodhte në ditët e vona. Menjëherë pas rënies së Islamit, do të binte një natë pa yje, për të pasuar agimi i një dite të re, që nuk do të ishte e Islamit. Superfuqitë materiale jo vetëm që do të ngriheshin, por do të përhapnin influencën e tyre nga një territor në një territor tjetër; nga një kontinent në një kontinent tjetër, duke mbuluar kështu shtet pas shteti. Malet lëvizen në sensin e tyre vetëm në këtë mënyrë dhe ato, me të vërtetë, kanë lëvizur.
Lëvizja e maleve mund të ketë edhe një kuptim tjetër, por për këtë temë do të flasim më vonë. Tani, meqë kemi nisur të rishikojmë ndryshimet e mëdha, të cilat sipas kësaj sureje të Kuranit të Shenjtë, ishin destinuar të ndodhnin në atë kohë, ne do të shtjellojmë temën shkallë-shkallë, sipas renditjes së ajeteve të Kuranit.
Lidhur me temën e lëvizjes, kuptimi i ajetit të pestë është mjaft i qartë. Ajeti thotë:
“Dhe kur devetë, dhjetë muajsh shtatzëna, do të braktisen”[32]
Në këtë kontekst, profecia e braktisjes së deveve shpjegon qartazi, se mjetet më të shpejta e më të fuqishme të transportit do të shpikeshin në atë kohë. Skenari i lëvizjes së maleve nga një vend në një vend tjetër, domethënë përhapja e influencës së superfuqive nga një kontinent në një kontinent tjetër, lidhet drejtpërdrejt me çështjen e braktisjes së deveve.
Duhet të kemi parasysh se lëvizja e maleve nënkupton edhe transportimin e ngarkesave shumë të mëdha, si dhe përhapjen e influencës së superfuqive politike në botë. Të dyja këto, detyrimisht kërkojnë mjetet më të avancuara të transportit sesa devetë. Derisa njeriu nuk do të kishte gjetur të tilla mjete të reja transporti, do të ishte budallallëk nëse ai do t’i braktiste mjetet e tij të vjetra, sado të dobëta të ishin ato. Duke braktisur devetë, ai në asnjë mënyrë nuk mund të mbartte ngarkesa aq të mëdha si male mbi shpinën e vet.
Pra, i vetmi konkluzion që del nga ky ajet është, se mjetet shumë më të shpejta mekanike do të shpikeshin, duke i lënë jashtë përdorimit kafshët si mjet i transportit.
Mos ta harrojmë se, devetë mund të simbolizojnë vetëm mjetet tokësore të transportit. Dikush mund të thotë se përse nuk u përmendën edhe anijet, varkat, etj? Çfarë zbulimi të madh bëri Kurani, për sa i përket parashikimit të mjeteve detare? Këtyre pyetjeve do t’u përgjigjemi pak më vonë. Hëpërhë, dëshirojmë ta shohim ajetin vijues që flet për grumbullimin e të gjitha llojeve kafshëve:
“Dhe kur egërsirat do të grumbullohen.”[33]

Përmendja e grumbullimit të kafshëve, menjëherë pas braktisjes së deveve, është mjaft interesante. Kjo është një tjetër dëshmi që devetë nuk do të braktisen pavarësisht nga dobitë e tyre. Grumbullimi i kafshëve, realisht, e mbështet më tej të njëjtën ide, atë të shpikjes së mjeteve revolucionare të transportit. Sigurisht, të gjitha kafshët e egra nuk mund të transportoheshin mbi shpinën e devesë. Askush nuk mund të imagjinojë dot elefantët, rinoqerontët, gjirafat, krokodilët, balenat e kaltra, oktapodët gjigantë etj, duke udhëtuar me deve. Transportimi i tyre mund të ishte i mundur vetëm nga shpikja e mjeteve të transportit të epokës sonë. Ajeti që vijon e shtjellon akoma më shumë temën e transportit:
“Dhe kur detet do të derdhen fort (njërin mbi tjetrin).”[34]
Bashkimi i deteve: kanalet e Suezit dhe Panamasë
Fjala arabe “suxh-xhirat” që është përmendur në këtë ajet, sipas fjalorit “Lane”, mund të përkthehet në tri variante të mëposhtme:
- Dhe kur detet do të mbushen.
- Dhe kur detet do të derdhen fort njërin mbi tjetrin.
- Dhe kur deteve do t’u vihet zjarr.
Për sa i përket kuptimit të parë, detet do të mbushen do të thotë, ato do të mbushen me enët. Në këtë mënyrë, ky ajet gjithashtu mbart të njëjtin profeci që u përmend në ajetet e mëparshme. Këtë interpretim do ta shtjellojmë më shumë kur do t’i rikthehemi temës.
Momentalisht, ne do të marrim kuptimin e dytë nga tri kuptimet e lartshënuara, që flet për bashkimin e deteve. Këtë profeci e sqarojnë më shumë dy ajetet e Kuranit që vijojnë:
“Ai ka lëshuar dy dete që të takohen (një ditë), por, midis tyre ka një pengesë (tani) që nuk mund ta kapërcejnë.”[35]
“Është Ai që ka lënë të lira dy dete, njëri i pijshëm e i ëmbël, kurse tjetri i njelmët e i hidhur, në mes të tyre (tani për tani) ka një pengesë e kufi të prerë.”[36]
Këto dy pjesë të Kuranit janë marrë nga sure të ndryshme. Secila prej tyre paralajmëron ngjarje të ndryshme të bashkimit të dy deteve. Pikërisht kështu ndodhi në kohët moderne, kur bota ka dëshmuar përmbushjen e këtyre profecive në atë mënyrë që kurrsesi nuk mund t’i shkonte ndër mend njeriut të kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s. Kjo u realizua nga gërmimi i Kanalit Suez gjatë viteve 1859-1869, si dhe ai i Kanalit Panama gjatë viteve 1903-1914.
Kuptimi i tretë që jep skenarin e deteve me zjarr nuk është më pak interesant sesa i pari. Edhe këtë, në asnjë mënyrë nuk mund ta përfytyronte dot njeriu i katërmbëdhjetë shekujve të mëparshëm. Kjo ide mund t’i lindte vetëm njeriut të asaj kohe kur kishin filluar luftërat detare, në të cilat do të shkëmbeheshin sulme të forta prej zjarri. Çuditërisht, gjatë luftërave detare të kohës moderne, anijet përdoren aq shumë saqë ato sikur mbushen në det dhe të japin po atë pamje që është kuptimi i parë i ajetit konkret.
Kuptimi i tretë, pra ai i vënies së zjarrit në dete, sot realizohet me të vërtetë. Nga fuçitë e saj, nafta derdhet në det në një sasi të madhe dhe asaj, zakonisht i vihet zjarr, në mënyrë që të mos kërcënohet jeta e peshqve në ujë. Në raste të tilla, në kuptimin e plotë të fjalës, mijëra km2 të detit pushtohet nga zjarri.
Bashkimi i popujve dhe kthimi i Bijve të Izraelit
Ajeti tjetër nga sureja El-Tekvir na çon edhe më tej, duke mbartur përsëri të njëjtën ide. Kësaj radhe nuk flitet për grumbullimin e kafshëve, por mesazhi qendror i ajetit vijues është se do të bashkohen njerëzit:
“Dhe kur njerëzit do të bashkohen.”[37]
Edhe ky ajet mund të ketë tri kuptime njëherazi:
- Kur njerëzit ose popujt do të bashkohen nëpërmjet lidhjeve (traktateve) të ndërsjella.
- Kur do të bashkohen popujt e të gjithë botës.
- Kur bashkimi i popujve do të jetë i mundur falë mjeteve më të shpejta të transportit.
Secili nga këto kuptime është realizuar qartas. Vetëm në epokën tonë, traktatet ndërkombëtare praktikisht i bashkojnë të gjitha vendet e botës, pa përjashtim. Ndaj, ky interpretim është vërtetuar shumë qartë dhe nuk ka nevojë të shpjegohet më.
Në të njëjtën mënyrë, themelimi i Ligës së Kombeve, që më vonë u zëvendësua me Kombet e Bashkuara, gjithashtu është një bashkim përparimtar dhe përfundimtar i botës, siç ishte parashikuar.
Për sa i përket kuptimit të tretë të kësaj profecie, pak më lart folëm për mjete të reja të transportit që me të vërtetë tërë botën e zvogëluan në një qytet.
Para se të vazhdojmë më tej, do të jetë e udhës të ndalemi këtu për të përmendur një profeci tjetër, e cila gjithashtu ka lidhje me bashkimin e popujve. Ajo profeci flet për kthimin e Bijtë e Izraelit në Tokën e Premtuar në ditët e vona:
“Dhe pas tij, u thamë Bijve të Izraelit: “Vendosuni në këtë tokë; dhe kur të arrijë (koha e) premtimit të ditëve të vona, do t’ju sjellim të grumbulluar.”[38]
Në vitin 70 e.s., shteti i hebrenjve mori fund me shkatërrimin e Jerozalemit nga romakët. Që atëherë, hebrenjtë u shpërndanë në botë, duke u shpërngulur nga njëri vendi në tjetrin. Pikërisht kësaj diaspore unanime i referohet ajeti i Kuranit të Shenjtë, kur deklaron se një ditë hebrenjtë do të grumbullohen nga gjithë bota duke u mbledhur edhe një herë në Tokën e Shenjtë. Ky është një premtim i Zotit që do të plotësohet. Deri tani, ne kemi parë se në ç’masë u plotësua ky premtim, një ngjarje e tillë nuk ishte shënuar më parë. Në asnjë periudhë të historisë hebraike, nuk ka ndodhur më parë, siç ndodhi gjatë kohëve të fundit që ata përsëri u grumbulluan nga të gjitha vendet pas një diaspore, duke krijuar shtetin izraelit.
Të drejtat e grave në epokën e ditëve të vona
Kthehemi sërish te sureja El-Tekvir, nga e cila u larguam për pak. Le të marrim ajetin nëntë që është në vijim. Edhe ky, si dhe ajeti dhjetë na japin skicë të së njëjtës epoke, së cilës iu referuan ajetet e mëparshme nga këndvështrime të ndryshme.
“Dhe kur foshnja-femër e varrosur për së gjalli do të pyetet: për çfarë faji ishte vrarë?”[39]
Nga injoranca e tyre, disa arabë ndiheshin tepër të poshtëruar kur u lindte vajzë dhe nga turpi, kishte raste që edhe e kishin varrosur për së gjalli. Shoqëria nuk kishte asnjë të drejtë të ndërhynte në rrethana të tilla, sepse i ati gëzonte fëmijët e tij sikur të ishin pasuri.
Sipas këtij ajeti, në epokën e ditëve të vona do të sundojë ligji dhe në këtë ajet, flitet në veçanti për të drejtat e grave. Pra, Kurani nuk e parashikon vetëm një sundim të përgjithshëm të ligjit, sepse për të, mjaftonte një fjali e thjeshtë lidhur me zbatimin e ligjit. Ndërsa ajeti i Kuranit sqaron diçka më tepër, e cila nuk mund t’i shpëtojë lexuesit pa vënë re. Burrat nuk mund të kenë mundësi për të luajtur me të drejtat e grave, ky është mesazhi i fortë i këtij ajeti. Në asnjë kohë të njerëzimit, të drejtat e grave nuk morën kaq shumë rëndësi sa në epokën tonë.
Të gjitha veçoritë e ditëve të vona të zhvilluara sistematikisht nga ky kapitull i Kuranit kanë një renditje kaq harmonike, sikur të ishte një pikturë e ndonjë mjeshtri. Realisht, zhvillimet e vazhdueshme shkencore që janë përmendur në këto ajete, do të kishin lidhje shumë të ngushtë me shoqërinë dhe teknologjinë e ditëve të vona. Ajeti i tetë (të sures 81, që quhet Et-Tekvir) fliste për grumbullimin apo mbledhjen e njerëzve nëpërmjet mjeteve të ndryshme.
Shtypi modern dhe përhapja e dijes
Edhe ajeti i njëmbëdhjetë, pas përmendjes së zhvillimeve shoqërore dhe politike, flet për të njëjtën temë, por duke iu referuar mjeteve që do të bashkonin njerëzit në mënyrë akoma më të fortë, ato janë botimet e shumta të literaturës, gazetave, revistave etj. Sigurisht, të gjitha mjetet e transportit, që kemi përmendur më lart, luajtën rolin e tyre shumë efektiv për bashkimin e njerëzve në të gjithë botën, por roli i shtypit nuk mund të zëvendësohet me asnjë mjet tjetër për të bashkuar njerëzit. Nëse do ta eliminoni rolin dhe impaktin e shtypit nga kjo botë, pavarësisht nga shkurtimi i rrugëve, njerëzit edhe një herë do të izolohen tërësisht. Ajeti në vijim parashikon pikërisht për mjetet e shtypit, botimet masive dhe median:
“Dhe kur librat do të publikohen dhe shpërndahen.”[40]
Ky ajet gjithashtu bën profeci për shpikjen e shtypit modern, pa të cilin dorëshkrimet nuk mund të publikoheshin në mënyrë aq të gjerë dhe as nuk mund të shpërndaheshin.
Veç kësaj, botimi kolosal i librave gjithashtu shënon një epokë të përhapjes së dijes, shkencës dhe hulumtimit. Kurani i Shenjtë thekson kaq shumë rolin e fuqishëm të pendës saqë, ia atribuon drejtpërdrejt Zotit për t’i mësuar njeriut si të shkruajë. Ajetet që po shënojmë më poshtë janë pikërisht nga sureja (kapitulli) e parë që iu shpall Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe që prerazi deklaron:
“Lexo! Dhe Zoti Yt është më i Nderuari, i Cili me anë të penës ia mësoi; ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.”[41]
Ajetet e mësipërme, nëse lexohen në kontekst me ajetet që kemi në diskutim, na del qartë që epoka e ditëve të vona do të jetë epoka e zhvillimit dhe përparimit të dijes, epoka e institucioneve arsimimi, si shkollat, kolegjet dhe universitetet.
Ajeti i parë i Kuranit, duke bërë një hyrje, na prezanton Zotin si më i Nderuari, sepse Ai i mësoi njeriut me anë të penës, gjë që në lë të nënkuptojmë se pena do të jetë burimi i të gjithë diturisë, radhazi dija do të jetë burimi i të gjithë madhështisë dhe nderit. Këtu, nuk duhet të harrojmë se këto shpallje i kanë ardhur atij njeriu që kurrë nuk kishte mësuar të përdorte penë në jetën e tij. Ishte pena e Zotit që shkroi veprën e Kuranit, e jo pena e Muhammedit s.a.v.s. Një tjetër kuptim që del nga ky ajet është se dija do të bëhet mjeti i përftimit të fuqisë dhe se ajo do të dalë më e mprehtë se shpata.
Qielli plot me rrugë dhe eksplorimi i hapësirës
Ajeti vijues i sures Et-Tekvir parashikon se dija e njeriut do ta përshkojë edhe qiellin:
“Dhe kur qielli do të zhvishet”.[42]
Ky ajet paraqet një krahasim tragjik midis gjendjes së Islamit në atë kohë dhe ngritjes së fuqive të krishtere materiale, kur drita e diellit të Islamit do të zbehet dhe yjet e qiellit të myslimanëve do të errësohen. Ndërkohë, bota materiale jomyslimane, do të fillojë të ngjitet në lartësitë qiellore për të zbuluar sekretet e gjithësisë.
Ky skenar na kujton edhe disa ajete të tjera të Kuranit të Shenjtë, që gjithashtu parashikon një epokë, në të cilën, do të ketë qarkullim edhe në hapësirë. Më poshtë do t’i shënojmë ato ajete:
“Për qiellin plot me rrugë”.[43]
“Dhe për ato që dërgohen njëra pas tjetrës. Dhe për ato që lëvizin me shpejtësi, sikur janë shtrëngata të shpejta. Dhe për ato që propagandojnë propaganda të shkëlqyera. Dhe për ato që bëjnë dallim dhe diskriminim (midis mikut dhe armikut)”.[44]
Këto dhe kësisoj shumë ajete të tjera japin një tablo të qartë të një qielli që do të përdoret gjerësisht për qarkullimin ajror. Qielli që do të ketë rrugë, në të cilin mesazherët do të mund të fluturojnë nga një vend në një vend tjetër. Do të jetë koha e propagandës ajrore, aq gjerë saqë njeriu do të mund të fluturojë me anë të krahëve të ajrit. Pasi t’i ketë përmbushur atij ëndrra e fluturimit, njeriu patjetër do të dëshirojë ambicie të larta, do të lançojë stacione dhe posta në hapësirë për të monitoruar e mbikëqyrur çdo gjë që ndodhë në gjithësi rreth tij. Ajeti që vijon, e ilustron akoma më qartë këtë fazë të zhvillimit të njeriut në fushën e shkencës dhe teknologjisë, nëpërmjet të cilave, ai do të mund të shohë hapësirë të pafund të gjithësisë.
“Ata nuk e përgjojnë dot dhomat hyjnore të larta, dhe qëllohen nga të gjitha anët. Zmbrapsje! Për ta do të kenë vuajtje të përhershme”.[45]
Lidhur me ambicien e njeriut për ta nënshtruar hapësirën deri në skajet e saj, Kurani i bën këtë sfidë që është përmendur në ajetin që vijon.
Para së ta shënojmë ajetin përkatës, është e nevojshme të sqarojmë natyrën ligjërimore të tij. Përkthimi i tij: “O shoqëri të xhindeve dhe njerëzve” nuk bën drejtësi të duhur me mesazhin që përcjell ajeti. Fjala “xhinn” nuk shënon ndonjë qenie të përbindshme, ndryshe nga njerëzit. Sikundër e kemi sqaruar më parë (në kapituj të tjerë të librit), kjo fjalë përdoret shpesh nga Kurani për njerëzit e shtresës së lartë, karshi fjalës “en-nas” që përdoret për njerëzit e thjeshtë. Prandaj, domethënia e vërtetë e këtij ajeti do të përcillet më mirë, nëse ai do të përkthehet kështu: “O shoqëri të fuqive kapitaliste dhe o shoqëri proletariate”.
Tani, do ta shënojmë ajetin dhe përkthimin e tij që kemi marrë nga përkthimi i Kuranit, të Maulavi Sher Aliut:
“O company of Jinn and men! If you have power to go beyond the confines of the heavens and the earth, then do go. But you cannot go save with authority.”[46]
“O shoqëri të xhindeve dhe njerëzve, nëse keni fuqi të përshkoni kufijtë e qiejve dhe të Tokës, atëherë përshkojini ato! Por nuk do të mund ta bëni këtë, përveçse me një autoritet.”
Me modesti, ne do të sugjerojmë që një përkthim më i mirë i pjesës së fundit të ajetit mund të ishte “përveçse me anë të logjikës deduktive më të fortë”, që do të thotë se njeriu mund të përshkojë skajet e gjithësisë me anë të dijes së tij, edhe pse ai nuk mund të shkojë fizikisht. Kemi argumentet e mëposhtme në mbështetjen e konkluzionit tonë:
Në fakt, përkthimi në anglisht që thotë “save with authority” (përveçse me një autoritet) mund të shtrembërojë e të devijojë edhe mesazhin kryesor që mbart ajeti Kuranor. Në arabisht është fjala “sultan”, që nuk do të thotë vetëm “autoritet”, por ajo ka edhe kuptimin “mbret”, “argument i pathyeshëm” dhe “logjikë e fortë”. Kështu që, ky ajet ka kuptimin se njeriu mund të përshkojë kufijtë e gjithësisë nëpërmjet logjikës deduktive të fortë.
Ajo që është mohuar tërësisht në këtë ajet, nuk është një a dy hedhje të shkurtra në hapësirë. Por, mohohet mundësia e arritjes së njeriut deri në kufijtë e gjithësisë me trupin e tij fizik. Përveç kësaj, rreziqet që u dalin anijeve kozmike janë përmendur edhe në ajetin që vijon:
“Kundër jush do të dërgohen flakë zjarri dhe tym dhe ju nuk do të ndihmoni dot veten”.[47]
Ky ajet, me të vërtetë, jep një pamje shumë të qartë të rrezeve kozmike, e jo të flakëve të zakonshëm të zjarrit.
Luftërat botërore dhe rënia e epërsisë materialiste
Pas shpjegimit të ajetit të dymbëdhjetë të sures 81, Et-Tekvir, bashkë me ajetin sures 55, Er-Rahman, le t’i kthehemi sërish sures El-Tekvir.
Është një koincidencë e çuditshme që sapo komentuam ajetet e sures Er-Rahman që alarmojnë për sulme të vazhdueshme zjarri, dhe pikërisht e njëjta temë na parashtrohet nga ajeti i trembëdhjetë i sures El-Tekvir, që është në vijim:
“Dhe kur xhehenemi do të flakërojë”.[48]
Në këtë ajet zjarri i xhehenemit nënkupton ato luftëra që të japin përshtypje sikur u hapën portat e xhehenemit. Realisht, ky ajet është një alarm dhe ky është i vetmi komentim i mundshëm brenda kontekstit të ajeteve që komentuam dhe që japin paralajmërime më të rëndësishme të kësaj kohe. Përndryshe do jetë absurde që njeriut t’i thuhet që në një kohë të caktuar, kur do të ndodhin kësisoj ndryshimesh në këtë botë dhe në të njëjtën kohë zjarri i xhehenemit të flakërojë në ndonjë botë tjetër.
Pra, rendi i profecive, në këtë mënyrë, arrin në përfundimin e tij të logjikshëm. Zhvillimi material, sado masiv të jetë, nuk mund t’i sjellë asnjë dobi njeriut, nëse ai i fiton ambiciet materiale duke paguar pëlqimin e Zotit. Ora e ndëshkimit duhet të vijë dhe ta godasë njeriun, pavarësisht nga i gjithë përparimi i tij material. Asnjë fatkeqësi natyrore nuk do të vijë nga qielli për ta ndëshkuar kaq rëndë, saqë xhehenemi i ndezur vetë prej tij. Egoizmi i tij do t’i krijojë tensione të tilla botërore, që medoemos përfundojnë në një ferr luftërash.
Pas vëzhgimit mbi historinë e dy Luftërave Botërore, ky interpretim nuk duket më thjesht një zbërthim i hamendshëm, por kërcënim i një rreziku vërtet të rëndë. Ky shkallëzim i deritanishëm e dallon shkoqur kontrastin midis rënien tragjik të Islamit dhe ngritjen e forcave jomyslimane. Ajeti që është në diskutim, përshkruan sheshit se pushtimi global i materializmit nuk do të zgjasë përjetësisht. Rënia e të gjitha fuqive jomyslimane do të shkaktohet nga rritja e armiqësisë së tyre të ndërsjellë, që do të arrijë në kulm duke sjellë katastrofa të lemerishme, të shkaktuara vetë prej tyre. Luftërat do të pasojnë njëra pas tjetrës, herë duke u ndezur, herë duke u shuar dhe do t’i shndërrojnë në hi superfuqitë e botës e t’i bëjnë ato që të shkrumbohen vetë.
Dy Luftërat e para Botërore kanë shtypur tashmë madhështinë e pasfidueshme të këtyre superfuqive, ndërsa kombet e dobëta e të varfra relativisht kanë dalë me mendimin për të gjetur diçka nga dinjiteti i tyre të humbur. Ekuilibri ende është i mbajtur për të mos shkaktuar ndonjë fazë kritike. Por, edhe pse ngadalë, koha sigurisht që është duke ecur drejt një revolucioni global. Pikërisht ai revolucion parashikohet në Kuran që të jetë edhe revolucioni përfundimtar i Islamit. Që t’i mos mendojë dikush këto thënie si të stërzmadhuara dhe të pabaza, në kapitullin vijues, ne do të sjellim disa dëshmi të forta që do të heqin dyshimet e tilla.
Dexhxhali dhe mjetet moderne të transportit
Në bazë të shumë ajeteve të Kuranit të Shenjtë, Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. paralajmëroi haptas rezultatin përfundimtar të përplasjes botërore që do të ndodhte në ditët e vona. Këtë paralajmërim, ai e jep në kuadër të shfaqjes së Dexhxhalit, anti-Krishtit. Por, në fillim duhet të sqarojmë se figura e Dexhxhalit, siç na përcillet në hadithet (thëniet) e Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s., me të vërtetë nuk është aq përrallore siç mund të duket në pamje të parë. Ai e përshkruan Dexhxhalin sikur të përbëhej nga fuqia dhe madhështia e kombeve shumë të fuqishme.
Në të vërtetë, e gjithë epoka e ditëve të vona, sipas Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s., është epoka e anti-Krishtit. Të gjitha shenjat janë përmendur duke iu referuar atij. Njëra ndër shenjat e tij, në mënyrë specifike lidhet me mjetet e transportit të kohës moderne, për të cilat, njeriu i mëparshëm as nuk mund të imagjinonte dot. Një studim i hollësishëm i përshkrimit të Dexhxhalit, sqaron mjaft qartë se të gjitha paralajmërimet që i referohen, nuk flasin për një personalitet të vetëm.
Termin Dexhxhal që përdori Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. është një metaforë që simbolizon fuqitë madhështore të kohës moderne dhe arritjet e tij, që realisht janë një sërë kombesh të krishtere shumë të përparuara e të fuqishme në botë. Por, epërsia e tyre nuk do të zgjasë përjetësisht. Gjithashtu, me fjalë jo të paqarta, është paralajmëruar edhe rënia përfundimtare e anti-Krishtit, që i simbolizon ato kombe të epërme. Pikërisht nga gërmadhat e botës së materializmit, do të lindë përsëri dielli i Islamit duke zbuluar bukurinë e saj të ndritur dhe duke hequr perdet e dyshimit e mosbesimit, të cilat e kishin mbuluar për disa shekuj të zymtë.
Tani do të flasim përsëri për temën e mjeteve revolucionare të transportit, por kësaj radhe do të diskutojmë duku iu referuar thënieve të Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. Për shenjat e tjera të anti-Krishtit, sidomos ato që kanë rëndësi fetare, do të flasim gjerësisht, por veçmas, në një kapitull tjetër.
Mjetet e transportit qofshin tokësore, detare apo ajrore, të gjitha pa përjashtim janë përmendur në atë mënyrë që përkojnë plotësisht me komentimin e ajeteve të Kuranit që paraqitëm pak më parë. Madje, edhe çështja e lëvizjes së maleve sqarohet në mënyrë që do t’i kujtohen lexuesit vetvetiu, ajetet përkatëse të Kuranit të Shenjtë. Përshkrimi që i bëri Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. anti-Krishtit dhe gomarit të tij tipik, me të cilin ai do të udhëtojë, duhet të ketë qenë shumë i çuditshëm për njerëzit e kohës së tij. Kështu duhet të ndodhte, sepse ai vazhdimisht i referohej një gomari, ndërkohë asnjë nga cilësitë e zakonshme të gomarit nuk gjenden në të. Por, të gjitha mjetet e transportit të kohës moderne, i përgjigjen në mënyrë të përsosur këtij përshkrimi.
Vetia e përbashkët e këtyre mjeteve të transportit është se ato lëvizin përmes motorit me djegie, duke marrë energji prej zjarrit. Edhe motorët me djegie të jashtme, si lokomotivat me avull, gjithashtu varen nga zjarri. Sigurisht, kjo është vija e prerë dhe ndarëse midis mjeteve të transportit prej kafshësh dhe mjeteve revolucionare të kohës moderne, të kohës së anti-Krishtit, që njëkohësisht do ta zbulojë se ai nuk është një kafshë, por diçka jo e gjallë. Ne do t’i adresohemi me përemrin “ai”, vetëm sepse në paralajmërim, në kuptimin e plotë të fjalës, ai është përshkruar si një hajvan. Realisht, ai mund të identifikohej vetëm nga kjo shenjë. Nëse do ta njihni gomarin e anti-Krishtit, ju do të zbuloni mjetet e transportit të kohës moderne, përndryshe, do të ktheheni përsëri në epokën e gomarëve. Më poshtë, do të jepet një prezantim i përbërë që është marrë nga hadithet (thëniet e Profetit s.a.v.s.):
Ashtu si gomari i tij, edhe anti-Krishti do të jetë kaq masiv dhe gjigant, për të cilin, as në përrallat nuk duhet të ketë dëgjuar. Ai do të jetë kaq i gjatë, saqë koka e tij do të përshkojë edhe retë. Ai do të jetë kaq i fuqishëm, saqë gjithë botën mund ta nënshtrojë vetëm.[49]
Pavarësisht nga aftësitë e tij të jashtëzakonshme fizike, ai do të ketë një cen, do të jetë krejtësisht qorr me syrin e tij të djathtë.[50]
Gomari nuk do jetë vetëm mjeti personal i anti-Krishtit, por ai do të jetë në shërbim të gjithë njerëzit si një mjet i transportit. Njerëzit do të futen në barkun e tij, përmes hyrjeve të posaçme që ai do t’i ketë anash tij.[51]
Barku i tij do të jetë mjaft i ndriçuar dhe i pajisur me ndenjëse të rehatshme.[52]
Gomari do të lëvizë me shpejtësi të jashtëzakonshme duke bërë edhe rrugë të gjata vetëm në disa ditë ose orë, që mjeteve kafshore do t’u duhen disa muaj për t’i bërë.[53]
Gjatë rrugës, ai do të ketë ndalesa të rregullta. Në çdo ndalesë, do të ftojë njerëzit që të futen në të dhe të ulen para se ta rinisë udhëtimin e tij dhe gjithashtu, për çdo nisje do të njoftohen me zë të lartë.[54] Shkurt, ky gomar simbolik do të udhëtojë vazhdimisht nga vendi në vend duke iu shërbyer njerëzve si një mjet i shpejtë dhe i rehatshëm i transportit.
Pasagjerët që do të ulen në barkun e tij, nuk do t’i prekë zjarri me të cilin ushqehet gomari.[55] Kjo tregon që kabinat që do të ketë në barkun e tij, do të jenë të izoluara mirë nga zjarri.
Ky gomar do të mund të udhëtojë edhe në det dhe do të kalojë nga një kontinent në një kontinent tjetër, duke lundruar përmes valëve të detit.[56]
Gjatë lundrimit të tij në det, ai do të zmadhohet aq shumë, saqë mund të transportojë mbi shpinën e tij edhe malet me ushqim. Shpesh, ai do të jetë i përcaktuar për t’u sjellë furnizime të mëdha të ushqimit atyre kombeve të varfra që do t’i nënshtrohen vullnetit të anti-Krishtit.[57] Do t’ju kujtojmë se transporti i ngarkesës madhështore të ushqimeve ishte përmendur në ajetin Kuranor që flet me metaforë për një kohë kur malet do të lëvizin.
Ky gomar i çuditshëm di edhe të fluturojë, sepse për të është përmendur se mund të hedhë hap nga Lindja në Perëndim. Është përshkruar se një hap i këtij hajvani do të jetë në Lindje dhe hapi tjetër do gjendet në Perëndim.[58] Kjo distancë midis dy hapave të tij, tregon qartazi se ai do të ngrihet nga një kontinent dhe do të zbresë në kontinentin tjetër.
Gjatë fluturimit, ai do të lundrojë mbi retë.[59]
Në ballin e tij, ai do të bartë hënën.[60] Hëna simbolizon qartazi fenerët që shumica e mjeteve moderne e kanë.
Pas leximit të këtij përshkrimi të gjallë të gomarit të anti-Krishtit, të cilin ai do ta përdorë për pushtimin e tij në mbarë botën, do të çuditeshim nëse lexuesi ende kërkon shpjegime për ta zbuluar se kush është ai!
Me të vërtetë, kombet e krishtera të superfuqishme që janë përmendur me titullin Dexhxhal,[61] do të sundonin tërë botën një ditë. Gomari i lëvizshëm prej zjarri, që herë luan rolin e aeroplanit, herë të anijes dhe herë të trenit, duke lëvizur me shpejtësi të jashtëzakonshme, do të luante rolin kyç për pushtimin e superfuqive të krishtere në gjithë botën. Përveç spikatjes së përparësisë së shpejtësisë, në kuadër të luftës ndërkombëtare për epërsi, edhe avantazhi i peshëngritjes është përmendur në Kuran:
“Pastaj, sa i përket atij, pjatat e të cilit do të peshojnë shumë, ai do të ketë një jetë të këndshëm.”[62]
Ato kombe, sa më shumë të shtohen në peshë dhe sa më shumë të jenë të shpejta, aq më i pashmangshëm do të bëhet pushtimi i tyre në botë. Pra, vetëm pesha dhe shpejtësia e lëvizjes do të kenë përparësi në këtë rrugë drejt triumfit.
Këto profeci janë aq unike, saqë është e vështirë të gjeni shembullin e tyre në paralajmërimet hyjnore të ndonjë feje tjetër.
Përshkrimi i këtyre profecive është aq i qartë, i gjallë dhe i saktë, saqë të jep përshtypje të një piktori, i cili, me panelin e tij, paraqet atë që sheh. Pikërisht në këtë mënyrë, Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. na e paraqiti me fjalë piktoreske atë që u zbulua para syve të tij.
Me këtë, do të mbyllim diskutimin mbi serinë e profecive që përmban sureja (kapitulli) Et-Tekvir i Kuranit të Shenjtë. Tani, do t’ju paraqesim disa profeci akoma më të rëndësishme, që tregojnë karakteristika të tjera interesante të kësaj epoke. Secila nga ato profeci lidhet me një temë të ndryshme specifike dhe që janë shpalosur në sure të ndryshme të Kuranit të Shenjtë.
Referenca
[1] Bibla, Eksodi 14:28-29.
[2] Kurani i Shenjtë, 10:91-93.
[3] Kurani i Shenjtë, 10:93.
[4] Kurani i Shenjtë, 10:93.
[5] Kurani i Shenjtë, 28:86.
[6] Kurani i Shenjtë, 17:81.
[7] Kurani i Shenjtë, 30:3-6.
[8] Kurani i Shenjtë, 54:45-47.
[9] Kurani i Shenjtë, 8:8.
[10] Kurani i Shenjtë, 32:12.
[11] Kurani i Shenjtë, 33:23.
[12] Kurani i Shenjtë, 33:11-14.
[13] Fat-hul-Bari — Komentari i Sahih El-Buhariut, nga Hafiz Ahmed bin Ali Haxher El-Askalani (773–852). Kitab El-Megazi, kapitulli Ghazvetul-Hendek El-Ahzab, vëll. VII, f. 397.
[14] Kurani i Shenjtë, 84:4-6.
[15] Kurani i Shenjtë, 99:2-3.
[16] Kurani i Shenjtë, 5:82.
[17] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:2-3.
[18] Mishkatul Masabih, vol. 1, kapitulli III, Kitab El-Menakib, Bab Menakibus sehabah, botuesi “El-Mektabul Islami”, Beirut.
[19] “Chronicle of the World”, (1989) “Chronicle Communications Ltd. and Longman Group UK Ltd., f. 436.
[20] “Chronicle of the World”, (1989) “Chronicle Communications Ltd. and Longman Group UK Ltd., f. 436.
[21] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 270.
[22] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 270.
[23] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 270-271.
[24] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 271.
[25] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 273.
[26] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 273.
[27] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 278.
[28] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 279.
[29] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 279.
[30] LANE-POOLE,S. (1888) “The Moors in Spain” botimi i tetë, T. Fisher Unwin, Londër, f. 280.
[31] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:4.
[32] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:5.
[33] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:6.
[34] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:7.
[35] Kurani i Shenjtë, Surja Er-Rahman 55:20-21.
[36] Kurani i Shenjtë, Surja El-Furkan 25:54.
[37] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:8.
[38] Kurani i Shenjtë, Surja Beni Israil (Isra) 17:105.
[39] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:9-10.
[40] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:11.
[41] Kurani i Shenjtë, Surja El-Alek 96:4-6.
[42] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 81:12.
[43] Kurani i Shenjtë, Surja Edh-Dharijat 51:8.
[44] Kurani i Shenjtë, Surja El-Murselat 77:2-5.
[45] Kurani i Shenjtë, Surja Es-Saffat 37:9-10.
[46] Përkthimi i ajeteve 55:34, nga Maulavi Sher Ali.
[47] Kurani i Shenjtë, Surja Et-Tekvir 55:36.
[48] Kurani i Shenjtë, Surja El-Tekvir 81:13.
[49] Allama Ala-ud-din Ali El-Muttaki (1480-1567), “Kanz-ul-ummal”, vol. 14, f. 604 e 613, Beirut, 1979.
[50] Imam Muslim Bin El-Hajjaj Bin Muslim El-Kushairi El-Naisapuri, (821-875)“Sahih Muslim”, Kitab-ul-Fitan, Bab Dhikrid-Dexhxhal ua Sifatihi ua ma ma’ahu.
[51] Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi (1616-1698), “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.
[52] Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi (1616-1698), “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.
[53] Abdur Rrahman El-Safuri, “Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.
[54] Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi (1616-1698), “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.
[55] Allama Muhammad Bakir El-Mexhlisi (1616-1698), “Biharul Anuar”, Bab Alamati zuhurihi alejhiselam minas-sufjani wed dexhxhal.
[56] Abdur Rrahman El-Safuri, “Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.
[57] Imam Muhammad Bin Ismail El-Buhari (810-870), “El-Sahihul Buhari”, Kitabul Fitan, Bab dhikrid dexhxhal.
[58] Abdur Rrahman El-Safuri, “Nuz’hatul Mexhlis”, vol. 1, f. 109, shtypshkronja “Maimaniyyah”, Egjipt.
[59] Allama Ala-ud-din Ali El-Muttaki (1480-1567), “Kanz-ul-ummal”, vol. 14, f. 613, Beirut, 1979.
[60] Allama Ala-ud-din Ali El-Muttaki (1480-1567), “Kanz-ul-ummal”, vol. 14, f. 613, Beirut, 1979.
[61] Imam Muslim Bin El-Hajjaj Bin Muslim El-Kushairi El-Naisapuri, (821-875)“Sahih Muslim”, Kitab-ul-Fitan, Bab Dhikrid-Dexhxhal ua Sifatihi ua ma ma’ahu.
[62] Kurani i Shenjtë, Surja El-Karije 101:7-8.