Realiteti i lutjes dhe rëndësia dhe bekimet e saj
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Realiteti i lutjes dhe rëndësia dhe bekimet e saj

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke treguar realitetin e lutjeve, thotë:

Robi i sinqertë dhe ekzistenca e një lidhjeje tërheqëse midis tij dhe Zotit të tij, përbëjnë realitetin e lutjes. Së pari, mëshira e Zotit të Lartësuar e tërheq robin drejt Vetes e më pas, tërheqjet që shkaktohen nga sinqeriteti i robit, bëjnë që Zoti t’i afrohet atij. Kjo lidhje midis tyre, në kohën kur bëhet lutja, arrin një pozitë aq të lartë, saqë shkakton rezultate të çuditshme. Kështu, gjatë një vështirësie të madhe, robi përulet para Zotit me besim të përsosur, me shpresë të përsosur, me dashuri të përsosur, me besnikëri të përsosur, me kurajë të përsosur dhe me vetëdije të plotë gris një nga një perdet e errëta të paditurisë dhe i bëhet gjithnjë më e qartë gjendja e tij e të qenët hiç. Pikërisht atje ai shikon pragun e Zotit, ku nuk shoqëron askënd e asgjë me Të. Në atë moment shpirti i tij vë kokën në pragun e Tij. Fuqia tërheqëse që i është dhuruar robit, fillon të tërheqë mirësitë e Zotit. Atëherë Zoti ndërmerr përmbushjen e kërkesës së tij dhe me efektin e lutjes së tij vë në lëvizje të gjitha mjetet e nevojshme, me të cilat, më në fund, realizohet përmbushja e kërkesës së lutësit.[1]

Shkaku i disa kategorive të mrekullisë, në fakt, është pranimi i lutjes. Burimi i mijëra mrekullive që kanë treguar profetët, si dhe i të gjitha gjërave të jashtëzakonshme që kanë treguar evlijatë  deri më sot, në të vërtetë është lutja. Efekti i lutjes shpesh ka shfaqur gjëra të çuditshme e të jashtëzakonshme të krijimtarisë së Zotit. Ajo ngjarje e çuditshme që ndodhi në shkretëtirën e Arabisë; kur brenda pak ditësh ri erdhën në jetë qindra mijëra të vdekur, të kequdhëhequrit prej brezash, morën ngjyra hyjnore; të verbrit fituan shikimin; memecët filluan të flasin për njohjen hyjnore, dhe bota përnjëherë pati një revolucion të tillë, që nuk ishte parë a dëgjuar më parë! A e dini se çfarë e shkaktoi këtë? Ishin përgjërimet gjatë netëve të errëta të dikujt që ishte përhumbur pas Allahut, që lëshuan një britmë në të gjithë botën dhe shfaqën mrekulli të tilla, saqë dukeshin të pamundura për një të paarsimuar e të papërkrahur si ai.

O Allah, zbrit mbi të dhe ndjekësit e tij bekimet dhe paqen Tënde sipas dhimbjes dhe ankthit që ai ndjeu për umetin e tij dhe hidh mbi të përgjithmonë dritën e mëshirës Sate.[2]

Duke treguar përvojën e tij në pranimin e lutjeve, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

E them edhe nga përvoja, që efekti i lutjeve është shumë më i fortë sesa efekti i tipareve të ujit apo të zjarrit. Madje asgjë nga gjërat natyrore nuk është më shumë efektive sesa lutja.[3]

Ai gjithashtu tha:

Gjatë sprovave të ndryshme shihen tipare dhe efekte të çuditshme të lutjeve. E vërteta është se Zoti ynë njihet vetëm me anë të lutjeve.[4]

Efektin dhe fuqinë e lutjes që ndjeu Hazret Mesihu i Premtuar a.s., e shprehu me këto fjalë:

Ajo lutje që bëhet pas njohjes së përsosur të Zotit dhe lind me anë të bekimit të Tij, tiparet dhe ngjyrat e saj janë krejtësisht të tjera. Ajo është një gjë vdekjeprurëse; një zjarr i ndjeshëm; një fuqi magnetike për të tërhequr mëshirën e Zotit; një vdekje që të ringjallë përfundimisht; një përmbytje e fortë, por në fund shndërrohet në varkë. Çdo problem rregullohet me të dhe çdo helm bëhet shërues me anë të saj. Të bekuar janë ata të burgosur që nuk lodhen duke u lutur, sepse do të lirohen një ditë. Të bekuar janë ata të verbër që nuk lodhen duke u lutur, sepse do të fitojnë shikimin një ditë. Të bekuar janë ata që janë varrosur, të cilët me anë të lutjes i kërkojnë ndihmë Allahut, sepse një ditë do të nxirren nga varret. I bekuar je ti që nuk lodhesh duke u lutur, kur shpirti yt shkrihet dhe sytë e tu lotojnë duke bërë lutje, mandej ajo të ngjall një zjarr në gjoksin tënd, dhe për të gjetur kënaqësinë e vetmisë të çon në kasolle të errëta e në vende të shkreta dhe të çmend e të shqetëson ty jashtë mase. Kështu ndodh, sepse më pas ti do të bekohesh. Ai Zot, drejt të cilit ne të ftojmë ty, është shumë Bujar, shumë i Mëshirshëm, shumë i Hijshëm, shumë Besnik dhe i Vërtetë, që mëshiron ata që janë të paaftë. Prandaj edhe ti bëhu besnik dhe lutu me gjithë besimin dhe besnikërinë, sepse Ai do të të mëshirojë ty.[5]

Një gjë duhet të kemi parasysh, që pranimi i lutjes bëhet në dy forma: njëra është si sprovë dhe tjetra si shenjë e sinqeritetit. Në formën e parë lutjet u pranohen edhe mëkatarëve, të pabindurve, madje edhe mohuesve, por ky pranim nuk quhet pranim i vërtetë. Ndërsa lutja që pranohet si shenjë e sinqeritetit, ka këto veçori:

Së pari, lutësi duhet të jetë njeri me takva, i qëndrueshëm në rrugën e drejtë dhe i bindur ndaj Zotit.

Së dyti, ai njoftohet për pranimin e lutjes përmes komunikimeve me Zotin.

Së treti, lutjet që i pranohen, shpesh u përkasin çështjeve që janë sa madhore, aq edhe të vështira dhe zgjidhja e tyre dëshmon se ajo nuk ishte punë njeriu, por një mrekulli e veçantë e Zotit të Madhërishëm, që Ai shfaq për njerëzit e Tij të veçantë.

Së katërti, lutjet si sprovë pranohen rrallëherë, por lutjet e njerëzve të sinqertë pranohen dendur.

Së pesti, njeriu që gëzon pranimin e lutjeve për shkak të sinqeritetit të tij, tërheq dashurinë dhe mirësitë e Zotit dhe, në të gjitha punët, Zoti bëhet Kujdestar i tij. Fytyra e tij rrezaton dritën e dashurisë ndaj Zotit, nderimin hyjnor, shijen dhe bekimet shpirtërore.

Këto janë pesë veçori që shohim fuqishëm në shenjat e pranimit të lutjeve të Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

Më poshtë paraqesim disa nga thëniet e Hazret Imam Mehdiut e Mesihut të Premtuar a.s. rreth realitetit dhe rëndësisë së lutjes.

Duke folur për disa njerëz të caktuar, ai tha:

“Ata nuk dinë realitetin e lutjes dhe janë të paditur për efektin e saj. Dhe kur shohin që dëshirat e tyre boshe nuk u plotësohen, thonë se lutja është e kotë dhe pastaj e braktisin”.[6]

Ai gjithashtu tha:

“Edhe njeriu ka një helm, siç e ka gjarpri. Shërimi i tij është lutja, me anë të së cilës hapet një burim në qiell. Ai që është i paditur në lutje është i vdekur. Ai që ka kaluar një ditë dhe një natë pa u lutur, i afrohet shejtanit. Çdo ditë duhet ta pyesni veten se “a e kam plotësuar detyrën e lutjes për sot apo jo?!”[7]

“Nëse dëshironi që ju të jeni mirë dhe të keni paqe në shtëpitë tuaja, lutuni sa më shumë! Mbushini shtëpitë tuaja me lutje, se Zoti nuk e shkatërron atë shtëpi në të cilën bëhen shumë lutje”.[8]

“Mendova që t’ju tregoj burimin e bekimeve të Zotit. Ndërkohë Zoti më njoftoi duke diktuar në zemrën time, që burimi i tyre është (ky ajet) “Ud’uni astaxhib lakum” [d.m.th. “Më thërrisni Mua, Unë do t’ju përgjigjem.” (Kurani Famëlartë 40:61)] Askush nuk mund të shpëtojë nga mëkatet, përveçse me anë të bekimit të Zotit”.[9]

“Rrënja e shenjës (mrekullisë) është lutja. Ajo është Ism-i-Azem (Emri më i lartë i Zotit) dhe mund ta ndryshojë botën krejtësisht. Ajo është arma e besimtarit dhe patjetër që është e tillë. Dhe është e sigurt që, së pari, ai duhet të kalojë në gjendjen e përvuajtjes”.[10]

“Ata që hyjnë në këtë xhemat, gjëja më e mirë që fitojnë është kjo që unë do të lutem për ta. Lutja është një gjë e tillë, që mund të lulëzojë edhe një degë të thatë dhe mund të ringjallë një të vdekur. Ajo ka shumë fuqi”.[11]

“Lutja është një gjë shumë e dobishme. Nëse do Zoti, ajo mund të bëhet edhe mjet i faljes së mëkateve. Nëpërmjet saj, dalëngadalë Zoti i tregon mëshirë lutësit. Ai që nuk i lutet Zotit, së pari i ndryshket zemra, pastaj i ngurtësohet, më pas fillon ta mohojë Atë, pastaj armiqësohet me Të dhe përfundimisht mbetet pa besim”.[12]

“Njerëzit nuk janë në dijeni për një bekim, që lëmoshat, lutja dhe bamirësia largojnë të keqen. Po të mos ishte kjo mundësi, njeriu do të shkatërrohej, edhe sikur të mbetej i gjallë”.[13]

“Nëse ndonjë fat (i keq) është ende pezull, atëherë lutja dhe sadakaja mund ta largojnë atë, pastaj Zoti me bekimin e Tij e ndryshon atë fat”.[14]

“E vetmja derë që Zoti i Madhërishëm ka lënë hapur për të mirën e krijesave të Tij është lutja. Kur një njeri hyn në këtë derë, duke qarë dhe duke u përgjëruar, Zoti Bujar e mbulon me çarçafin e pastërtisë e të dëlirësisë”.[15]

“Rruga më e mirë për të gjetur bekimin e Zotit është lutja. Ajo lutje … që bëhet me përulësi të plotë, me përvuajtje dhe me zemër të prekur, sjell bekimin e Zotit të Madhërishëm…. Edhe për lutjen e vërtetë duhet lutje”.[16]


[1]. Barakat-ud-Dua, Ruhani Khezain, vëll. 6, f. 9-10.
[2]. Barakat-ud-Dua, Ruhani Khezain, vëll. 6, f. 10-11.
[3]. Barakat-ud-Dua, Ruhani Khezain, vëll. 6, f. 11.
[4]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 147.
[5]. Lekçer Sialkot, Ruhani Khezain, vëll. 20 f. 222-223.
[6]. “Malfuzat”, vëll. 2, f. 150.
[7]. “Malfuzat”, vëll. 3 f. 591.
[8]. “Malfuzat”, vol 3, f. 232.
[9]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 333.
[10]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 202.
[11]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 100.
[12]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 628.
[13]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 201.
[14]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 24.
[15]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 315.
[16]. “Malfuzat”, vëll. 3, f. 397.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp