Fuqia e lutjes | ngjarje besimnxitëse të pranimit të lutjes
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Fuqia e lutjes

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë rreth temës “Fuqia e lutjes” që u mbajt nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 26.01.2018

Mesihu i Premtuar a.s. ka përshkruar filozofinë dhe fuqinë e lutjes me këto fjalë:

Kur një foshnjë qan me të madhe dhe shpërthen në dënesë nga uria, vetvetiu qumështi nis të gufojë në gjinjtë e nënës. Foshnja nuk di të lutet e disa herë nëna nuk e ndien këtë, por të qarat e foshnjës e nxjerrin qumështin në gjinj. Vallë, ngashërimet dhe lutjet tona të përvajshme nuk mund të tërheqin asgjë prej Zotit? Sigurisht, ato nuk kthehen bosh, por ata që kanë sy të shastisur, dhe shtiren si të ditur dhe filozofë, nuk shohin dot asgjë. Nëse njeriu përsiatet rreth filozofisë së lutjes, duke e krahasuar me lidhjen që ka foshnja me nënën e saj, lutja do t’i duket shumë e lehtë dhe më e volitshme.

Me mëshirën e Zotit, shumica e muslimanëve ahmedianë, qofshin të rriturit apo të vegjlit, dinë që nëse Zotit i përkulemi me përulësi të plotë, dhe i ngashërehemi me mallëngjim, Ai u përgjigjet lutjeve tona dhe i largon hallet tona. Shpesh, mrekullitë e tilla i habisin edhe të tjerët.

Anëtarët më shkruajnë se si kishin mbetur pashpresë dhe kishin rënë në një gjendje dëshpëruese ku u ishte shuar çdo rreze gëzimi. Në këtë gjendje, ata u përkulën para Zotit, dhe Ai u largoi hidhërimin aq mrekullisht, saqë u shtoi jo vetëm besimin por i afroi më pranë Tij. Sot, dua të ndaj me ju, disa nga ngjarjet e tilla besimnxitëse që anëtarët më kanë shkruar.

Fuqia e lutjes

Hazret Mirza Masrur Ahmedi Kalifatul Masih V (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) duke mbajtur hutben e xhumasë

Bie shi në mes të vapës

Para disa vjetësh banorët e fshatit Khera Acharwal, në Penxhab të Indisë vuanin nga thatësira e madhe. Mungesa e gjatë e shiut kishte bërë që niveli i ujit kishte rënë ndjeshëm. Shumica e fshatit që ndjekin besimin hindu, iu lutën muelimit tonë që të bënte lutje për shi. Banorët ishin bindur që pas lutjes së hoxhës ahmedian do të bjerë shi patjetër. Muelimi ynë para se të fillonte lutje, u shpjegoi banorëve atributet e Zotit dhe kushtet e pranimit të lutjes në fenë islame.

Allahu i Madhërishëm pranoi lutjen e robit të Tij, dhe vetëm brenda dy-tri orëve ra një shi i rrëmbyeshëm. Kjo ngjarje bindi gjithë fshatin që Zoti pranon lutje, dhe ata u shprehën njëzëri që shiu ra nga lutja e hoxhës ahmedian.

Banorët e ishullit dëshmojnë fuqinë e lutjes

Amir i Fixhisë ka shkruar se ai duhet të nisej për në Tuvalu, një ishull i vogël që ndodhej pranë Fixhisë. Duke folur me misionarin e ishullit, mësoi që ishulli kishte kaluar një kohë të gjatë pa reshje. Meqë jeta në ishull varet nga uji shiu, andaj para se të nisej për turne, Amiri i Fixhisë më shkroi, dhe ndër të tjera më kërkoi që të lutesha për shi. Kur mbërriti në Tuvalu, pothuaj të gjithë banorët iu ankuan për thatësi. Duke parë gjendjen alarmante, ne njoftuam që në sexhden e fundit të namazit të jacisë, do të lutemi për shi.

Lutja jonë tërhoqi mëshirën e Zotit, dhe atë natë ra shi dhe kjo u përsërit 3-4 herë gjatë qëndrimit tonë atje, edhe pse departamenti i meteorologjisë nuk parashikonte asgjë të tillë. Kudo që shkonim, njerëzit na shprehnin mirënjohje që shiu kishte rënë nga lutja jonë. Madje, peshkopi i kishës katolike e cilësoi këtë mrekulli si bekim i Zotit dhe pranimi i lutjeve të Kalifit dhe anëtarëve të xhematit ahmedia, sepse ato reshje ranë përkundër çdo spekulimi apo parashikimi, dhe në kohën kur duheshin më së shumti. Kjo ngjarje jo vetëm që forcoi besimin e ahmedianëve, por mbeti një shenjë e qartë për vërtetësinë e Mesihut të Premtuar a.s.

Fuqia e lutjes

Disa herë rënia e shiut bëhet shenja e pranimit të lutjes dhe nganjëherë pushimi i tij bëhet mrekullia e Perëndisë. Ndonëse jomuslimanët pranojnë apo jo Islamin, ata pajtohen se Zoti i Islamit dëgjon lutje dhe u përgjigjet robërve të Tij.

Kur shiu ndaloi…. ngjarje e çuditshme

Abdullah sahibi është mualimi i xhematit në Gini Besau, i cili është një shtet i vogël afrikan. Ai shkruan se “Për të përcjellë mesazhin e xhematit, ne shkuam në fshatin Senqang Kangsa. Banorët ishin mbledhur dhe dëgjonin ligjëratën tonë, por papritmas filloi shiu i madh. Rrapëllimat shurdhuese të shiut të rrëmbyer nuk i lejonin të pranishmit të dëgjonin zërin tim. Njerëzit po tregoheshin të padurueshëm dhe mezi prisnin për t’u larguar.

Atëherë iu luta Zotit se o Allah! Ky shi po bie me lejen Tënde, por ai nuk më lejon të përcjell mesazhin Tënd. Sa e mbarova lutjen, Allahu e ndaloi shiun, dhe unë vazhdova me thirrje. Pas ligjëratës sime, 150 persona që ishin të pranishëm, e pranuan njëzëri thirrjen tonë dhe u anëtarësuan në xhemat”.

Kjo ngjarje e pushimit të shiut menjëherë pas lutjes, nëse forcoi besimin e mualimit tonë, po ashtu i bindi edhe njerëzit që Zoti ynë dëgjon lutjen dhe u përgjigjet. Shumë syresh dyshojnë për praninë e Zotit me alibinë që derisa nuk e shohin dot me sy, andaj nuk ia pranojnë as ekzistencën. Por, Zoti i Gjithëpranishëm shpërfaqet e manifestohet me anë të fuqive të Tij. Ata njerëz që vetëm para pak kohe donin të largoheshin për shkak të shiut, ndenjën deri vonë madje pranuan edhe Ahmediatin pasi që dëshmuan shenjën e Zotit.

Shiu pushon pas lutjes

Misionari i Bandundusë, Hafiz Muzamil sahibi ka shkruar që ai bashkë disa ahmedianë ishte nisur drejt një fshati për teblig. Rrugës i zuri shiu i madh, dhe për shkak të rrëshqitjes dhe rrugës së pashtruar u bë i pamundur vazhdimi i udhës. Ne u detyruam të bënim ndalesë në një vend dhe bashkërisht bëmë dua se o Allah! Ki mëshirë ndaj nesh, sepse po shkojmë për të përcjellë mesazhin e Mesihut Tënd. Largona çdo pengesë nga rruga jonë. Njerëzit që i kishim njoftuar më parë, po na prisnin.

Allahu menjëherë na pranoi lutjen dhe shiu që dukej sikur nuk do të pushonte fare, u ndal papritmas. Ne ishim merakosur se si do të mbërrinim në vendtakim, por fuqia e Zotit ndryshoi gjithçka dhe mbërritëm në fshat në kohë dhe organizuam programin e tabligut dhe terbijettit.

A keni porositur edhe motin …?

Një ngjarje tjetër që tregon gjithashtu pushimin e shiut me anë të lutjes, ka shkruar Vehab Tejeb sahibi, misionari nga Zvicra. Ai shkruan se xhemati kishte blerë një truall në zonën Zekhvil për ndërtimin e xhamisë. Kishim planifikuar një program ndërfetar për promovimin e paqes, dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe politikanët do të mbillnin pemë në shenjë solidariteti. Por, ditën që do të zhvillohej ky eveniment, parashikohej si një ditë me vranësirë të plotë. Meqë i gjithë programi do të zhvillohej jashtë, organizatorët ishin të shqetësuar. Ata më shkruan gjithashtu për lutje.

Kur erdhi dita e eventit, filloi shi i rrëmbyeshëm qysh prej mëngjesit.Retë e zeza kishin pushtuar qiellin, dhe në horizont nuk dukej asnjë shenjë për pushimin e shiut.

Por, lutjet u përgjigjën dhe vetëm një orë para se të fillonte programi, shiu pushoi tërësisht dhe u shfaq dielli. Kryetari i komunës duke marrë fjalën, nuk fshehu dot habinë e tij dhe u shpreh që a mos keni porositur dhe kohën për eventin tuaj? Përfaqësuesit e xhematit iu përgjigjën që ne besojmë në lutje, dhe Kalifi ynë është gjithashtu lutur për këtë eveniment. Ne ishim bindur që Zoti do të na ndihmojë. Kështu programi përfundoi me sukses dhe media e përçoi gjerësisht mesazhin e xhematit. Sigurisht, nuk kishim porositur për motin e as që e bëjmë dot, por ulim kryen para Zotit të Plotfuqishëm, të cilit i nënshtrohet çdo gjë.

Kam zgjedhur disa ngjarje të tjera të pranimit të lutjes, jashtë temës së ndryshimit klimatik. Zoti ynë nuk është vetëm Zoti i kohës, por atributet e Tij janë të panumërta. Ai dëgjon çdo lutje dhe shfaq fuqinë e Tij sipas nevojës.

Fuqia e lutjes shpëton nënën dhe foshnjën

Abdul Metin sahibi, Mualimi ynë nga Benini, ka shkruar që një anëtar i ri e lajmëroi që bashkëshortja e tij shtatzënë është e sëmurë dhe i kërkoi që të vinte për ta ndihmuar. Mualimi ynë e mori gruan me vete, dhe mbërritën menjëherë në shtëpinë e tyre. Bashkëshortja e tij ishte në prag të lindjes, por meqë kishte ethe me të dridhura, i ishte tkurrur qafa e mitrës, dhe rrjedhimisht po shfaqej vështirësi në lindje. Kjo ishte hera e tretë që i ndodhej kështu, dhe në dy raste të mëparshme, për të shpëtuar nënën, ishin sakrifikuar fëmijët.

Mualimi e ngushëlloi dhe i tha që në raste të tilla, ne bashkë me përpjekje bëjmë edhe lutje, dhe i shkruajmë Kalifit tonë. Por, meqë nuk kemi kohë, do të bëjmë lutje këtu. Pastaj, ai duke paraqitur emrat e bukur të Allahut, dhe duke i dërguar salavate të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., filloi lutje. Pasi që përfundoi lutje, i fryu ujit, që iu dha gruas shtatzënë. Kjo praktikë u përsërit 2-3 herë. Kur u kthye bashkëshorti i saj pas herës së tretë, i ngazëllehej fytyra dhe tha: Allahu më ka shpëtuar bashkëshorten dhe më ka falur një djalë. Pranimi i lutjes i ka shtuar këtij anëtari aq shumë besim në Allah dhe në pranimin e lutjes, saqë për çdo çështje ai i lutet Zotit me mallëngjim dhe ngashërim.

Lutja i kthen nga vdekja

Amir i Kenisë ka shkruar që kryetar i një xhemati ishte i sëmurë rëndë. Kur e vizituam për të mësuar për shëndetin e tij, ai tregoi se kishte marrë përgjigje negative nga dy spitale dhe gjendja i ishte aq e rëndë, saqë në çdo çast mund të vijë lajmi i keq. Sëmundja e kishte zbehur, ia kishte marrë gjallërinë e fuqinë dhe ia kishin venitur shpresat. Unë u përpoqa t’i jap zemër dhe t’i lehtësoja dhembjen duke porositur që të mos hiqte dorë nga lutja. Pas një jave, kur mualimi ynë shkoi atje për të udhëhequr namazin e xhumasë, e vizitoi edhe atë. Gjendja e tij po përmirësohej.

Ata morën edhe përgjigjen time se Allahu do ta shërojë plotësisht dhe kështu ndodhi. Ai u shërua nga sëmundja dhe mori përsëri fuqinë e shëndetin, dhe ka filluar veprimtarinë e mëparshme. Pas lutjes, Zoti i dha një jetë të re, dhe kjo i ka shtuar besimin.

Shërim nga damllaja

Amiri lokal i provincës Karnataka të Indisë ka shkruar që kryetarit të një xhemati i ra damllaja. Ai u shtrua menjëherë në spital, por doktorët refuzuan të bënin ndërhyrje për shkak të rrezikshmërisë së lartë. Ata më shkruan për lutje, dhe morën edhe përgjigjen se Zoti e shëroftë. Pas një muaji, kur ai iu nënshtrua ekzaminimit, të njëjtët doktorë u shtangën nga habia sepse atij nuk i kishte mbetur asnjë shenjë nga sëmundja. Kjo ishte vetëm mëshira e Allahut që ai u shërua tërësisht.

Ngjarje e çuditshme nga Belgjika

Hafiz Ihsan Sikander sahibi, Misionari në Belgjikë ka shkruar për një ahmedin Daud sahibi i cili ishte sëmur rëndë. Gjendja e tij ishte rënduar aq shumë saqë nuk i funksionin mëlçia, mushkëria dhe veshkat. Gjendje u përkeqësua akoma kur pësoi një sulm kardiak në spital, madje frymëmarrja i realizohej nëpërmjet furnizimit artificial me oksigjen. Dita ditës u shuheshin shpresat të afërmve, derisa ata njoftuan paraprakisht administratën e xhematit që t’i marrin masat për xhenazhen. Misionari i xhematit më shkroi për lutje, dhe u bëri thirrje gjithë anëtarëve që të luten për shëndetin e Daud sahibit.

Më vonë delegacioni i xhematit e vizitoi në spital. Mjeku që mbikëqyrte rastin e tij ishte habitur, sepse pacienti i tij tregonte përmirësim që nuk ishte më pak se një mrekulli. Ilaçet që më parë nuk i pranonte trupi, kishin filluar të jepnin rezultat. Tashmë gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet rregullisht. Misionari i tha mjekut që kjo mrekulli është rezultati i lutjes dhe Zoti i ka dhënë një jetë të re.

Dua të përmend disa ngjarje të tjera, që kanë shërbyer për të forcuar lidhjen e anëtarëve me xhematin dhe kalifatin, si dhe u kanë shtuar besim në Allah.

Hajduti dorëzon baterinë e vjedhur

Latif sahibi është mualimi i xhematit në rajonin Morogoro të Tanzanisë. Ai ka shkruar se dikush kishte vjedhur baterinë e panelit diellor të xhamisë. Kur anëtarët mësuan për këtë grabitje të nesërmen, ata vendosën ta mos denonconin në polici, sepse ata thjesht do të regjistrojnë ngjarjen dhe kaq. Më mirë t’i përulemi Zotit dhe lutjen tonë t’ia drejtojmë Atij. Tashmë i gjithë fshati kishte mësuar për këtë ndodhi, dhe muslimanët joahmedianë gjithashtu dinin që ahmedianët janë lutur që Zoti të dënojë hajdutin dhe atyre t’ua kthejë baterinë e vjedhur. Ata bisedonin që lutja e ahmedianëve gjithmonë pranohet, prandaj hajduti nuk ka rrugëdalje. Le të shikojmë se si ndëshkohet ai.

Mezi kishte kaluar një ditë që personi që kishte vjedhur baterinë, e lë fshehurazi para derës së kryetarit të xhematit. Pra, Allahu dëgjoi lutjen e ahmedianëve, ndërsa muslimanëve joahmedianë gjithashtu u shtua besimi në lutje.

Kjo ngjarje tregon që hajdutët e Afrikës gjithashtu i frikësohen Zotit. Ndërsa në Pakistan as hoxhallarët nuk i druajnë Zotit. Ata i shkelin nëpërkëmbë porositë e Zotit, dhe u kundërvihen me një guxim të tepruar. Kësisoj njerëzish kanë ndezur përçartje në Islam. Allahu i mëshiroftë dhe e ruajttë popullin musliman nga këta prijës të korruptuar. Amin

Lutja ndryshon situatën në favor

Misionari i Gini Karakrisë ka shkruar që një djalosh me emrin Sulejman kishte shprehur dëshirë për të dedikuar jetë në shërbim të xhematit. Administrata duke shqyrtuar kërkesën e tij, vendosi që ai të regjistrohej në Xhamia Ahmedia në Sierraleon. Ai pranoi këtë vendim dhe nisi përgatitje për regjistrim. Prindërit e tij akoma nuk kishin pranuar xhematin, prandaj ne i ftuam në shtëpinë e misionit, që të marrim edhe pëlqimin e tyre për këtë çështje. Ata fillimisht shprehën kënaqësinë për dëshirën e djalit të tyre, megjithatë kërkuan dy ditë kohë për të kthyer përgjigje.

Ata shkuan te hoxha i tyre, i cili ua mbushi mendjen kundër xhematit, dhe si rrjedhojë të dy prindërit denoncuan kundër xhematit në komisariatin e policisë. Përveç të tjerash, ata akuzuan që Xhemati Ahmedia është një sekt jomusliman, që indoktrinojnë rininë me dhunë, urrejtje e fanatizëm etj.

Kjo akuzë ndonëse tërësisht e pabazë, e kishte shqetësuar gjithë xhematin. Misionari më kishte shkruar për lutje. Unë e kisha porositur që xhemati të përdorë të gjitha mjetet ligjore, por njëkohësisht të vijojnë pandërprerë lutjet e tyre. Kur policia nisi hetime, dhe mësoi rreth Xhematit, dhe mori literaturë dhe fletëpalosje të ndryshme, komisari i policisë jo vetëm që përjashtoi denoncimin, por u shpreh që Islami që prezantoni ju është aq paqësor, i bukur dhe i drejtë saqë dua të mësoj më shumë rreth këtij xhemati dhe kam dëshirë të anëtarësohem në të.

Ngjarje e çuditshme e një peshkatari afrikan

Mustenser sahib, misionari i Malit ka shkruar që gjatë këtij viti ne u kishim bërë thirrje anëtarëve të xhematit për të marrë pjesë në Xhelsa Salana. Meqenëse vendi ku zhvillohet xhelsa është katërqind kilometra larg tyre, andaj shumica e anëtarëve e kanë të vështirë të bëjnë një udhëtim kaq të gjatë dhe të përballojnë shpenzimet që arrijnë dhjetë mijë franka për një person sipas monedhës vendase. Jahja sahibi është një anëtar i xhematit, i cili merret me peshkim. Ai gjuan peshk në lumë dhe pastaj i shet në treg. Vitin e kaluar ai mezi kishte arritur të kursente para të që mjaftonin për biletën e një personi.

Meqë vjet ai kishte qenë në xhelsa, prandaj kishte vendosur që sivjet të merrte pjesë bashkëshortja e tij. Misionari e përgëzoi për nijetin e pastër, megjithatë e nxiti të shkonte edhe ai. Madje, ai e këshilloi për të bërë lutje që Zoti ta ndihmonte atë për të zënë aq shumë peshk, saqë t’i sigurohen mjetet për shpenzime.

Një natë para se të niseshin për xhelsa, ai në orën 8 të darkës erdhi në shtëpinë e misionit. Në dorë mbante një peshk të madh që peshonte rreth 12 kile. Ai tregoi se në mëngjes kur hodha rrjetë në lumë, bëra lutje që o Zot! Nesër do të niset grupi për xhelsa Salana, ndërsa unë ende nuk kam siguruar paratë e biletës. O Allah! Derisa nijeti im është i pastër, ndihmomë të marr pjesë në Xhelsa. Pra, kur shkova në iqindi, për të nxjerrë rrjetën, e gjeta këtë peshk. Sapo kisha dalë nga lumi që njëri më dha 18 mijë frank sefa për këtë peshk. Unë i kam marr leje atij që t’ju tregoja këtë peshk. Kështu jo vetëm që u siguruan paratë e biletës por na mbetën pak.

Fuqia e lutjes zgjidh problemin e një ahmediani

Idriz Travre sahibi ka shkruar një ngjarje që tregon se si Allahu pranon lutjen e ahmedianëve dhe u forcon bindje dhe lidhje me Kalifatin. Në 2008, vitin jubilar të qindvjetorit të Kalifatit, kur kisha udhëtuar në Gana dhe kisha marrë pjesë në Xhelsa Salana, Idriz sahibi gjithashtu ka qenë në Xhelsa. Ai merrej me sektorin e pularisë. Gjatë kohës që merrte pjesë në Xhelsa Salana, u përhap një sëmundje që shkaktoi ngordhjen e gjithë shpendëve. Ai kishte marrë borxh për këtë biznes. Huadhënësi ishte kundërshtar i xhematit, prandaj kur mësoi që jam ahmedian dhe isha në Xhelsa Salana kur ndodhi kjo fatkeqësi, ai u mbush me mllef ndaj meje.

Kur u ktheva nga Xhelsa, ai më çoi mesazh që t’i ktheja njëqind e pesëdhjetë mijë franka brenda një jave. Unë u shqetësova shumë sepse nuk kisha para me vete. Druhesha që të mos më poshtërojë për shkak të lidhjes sime me xhematin. Tërë natën kalova duke bërë lutje se o Allah! Më ndihmo dhe largoma këtë hall. Kam shkuar në xhelsa vetëm nga dashuria ndaj Kalifit.

Fuqia e lutjes

 

I pushtuar nga hidhërimi, kur rashë në gjumë pashë një ëndërr të bukur. Pashë që grumbulloja kokrrat e drithit që kishin rënë nga një kamion. Në ëndërr pashë edhe vendin, ku qëndronte kamioni. Në mëngjes shkova në atë vend. Nuk gjeta kamionin, por pashë disa kokrra drithi që kishin rënë andej-këtej. Kur u përkula për t’i marrë ato, pashë një qese të zezë. Kur e hapa, gjeta njëqind e tetëdhjetë mijë franka brenda saj. Unë fola me njerëzit që rrinin aty pranë dhe ata më thanë se kamioni ka ndenjur gjithë natën atje dhe që në mëngjes është nisur për në Senegal. Unë i njoftova se kam gjetur një sasi parash, dhe ai që e ka humbur le të më kontaktojë mua. Por, nuk doli asnjë pronar.

Kaluan disa ditë derisa erdhi huadhënësi, dhe më kërkoi me kokëfortësi paratë e tij. Unë i thashë të qetësohej, sepse Zoti më kishte zgjidhur problem, dhe kështu i shleva borxhin. Kanë kaluar aq shumë vite, por akoma nuk ka dalë njëri që të më kërkojë paratë.

Pranohet lutja e muslimanëve për një jo-musliman

Nganjëherë pranimi i lutjes bëhet argument për jomuslimanët se Zoti i Islamit është i Gjallë që dëgjon dhe pranon lutjen e robërve. Mirza Afzal Ahmed sahibi ka shkruara nga Kanadaja që për të organizuar një takim ndërfetar, një grup i xhematit ishte nisur drejt një qyteti në Perëndim të Vankuverit. Duke shfletuar numëratorin telefonik, ne thirrëm një zotëri sik. E përshëndetëm dhe i kërkuam takim për të diskutuar për një takim ndërfetar. Ai na ftoi në gosti në shtëpi dhe na priti me shumë përzemërsi. Madje, na lejoi të falnim namazin e drekës dhe iqindisë në shtëpinë e tij, dhe na premtoi për çdolloj ndihme nga ana a tij.

Para se të ndaheshim, na tregoi që djali i tij ka tri vajza, dhe na kërkoi me përulësi që të luteshin se Zoti t’i dhurojë dhe një djalë. Ne aty për aty bëmë dua për të. I thamë që do t’i shkruajmë edhe Kalifit tanë që të lutet për ju. Pas një vit e gjysmë, ai më mori në telefon. Ishte shumë i lumtur sepse Zoti i kishte falur një nip.

Bindje dhe vepra të mira janë kusht për pranimin e lutjes

Mesihu i Premtuar a.s. ka nënvizuar që shembujt për pranimin e lutjes, mund të gjejmë në ligjin e natyrës. Zoti në çdo kohë dërgon shembuj të tillë për njerëzit. Për të provuar vetë pranimin e lutjes, njeriu duhet të plotësojë disa kushte. Kushti i parë i domosdoshëm për pranimin e lutjes është bindja dhe veprat e mira. Robi që i lutet Zotit, ndërkohë nuk e ka pastruar besimin e vet dhe nuk i ka përmirësuar veprat, ka vënë Zotin në provë.

Nëse njeriu synon të pastrojë bindjet nga shtrembërimi dhe të forcojë gjendjen e tij shpirtërore, pikë së pari ai duhet t’ia nënshtrojë veprat pëlqimit të Zotit. Nuk mundet që në një anë, të tregohemi të pakujdesshëm ndaj namazit apo të mos përmbushim as porositë elementare, ndërsa për çdo vështirësi, t’i drejtohemi Zotit. Çfarë është vepra e mirë? Ajo është shkalla kur njeriu u përgjigjet të drejtave të Zotit dhe të krijesës së Tij. Zoti u përgjigjet lutjeve, kur robi arrin këtë shkallë. Allahu na mundësoftë t’i ndjekim porositë e Zotit në jetën tonë dhe t’u përmbahemi parimeve të ibadetit dhe lutjes. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem