Si mund të bëhemi robër të të Gjithëmëshirshmit në Ramazan?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Si mund të bëhemi robër të të Gjithëmëshirshmit në Ramazan?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Si mund të bëhemi robër të të Gjithëmëshirshmit në Ramazan?

وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِى عَنِّى فَإِنِّى قَرِيبٌ ۖ أُجِيبُ دَعْوَةَ ٱلدَّاعِ إِذَا دَعَانِ ۖ فَلْيَسْتَجِيبُوا۟ لِى وَلْيُؤْمِنُوا۟ بِى لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ ‏

Përkthimi i këtij ajeti është si vijon:

“Kur robërit e Mi të pyesin rreth Meje, Unë pa dyshim jam afër. I përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai Më lutet. Prandaj, edhe ata le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, që të udhëzohen”.[1]

Me mirësinë e Allahut të Madhërishëm, po kalojmë muajin e Ramazanit. Ky është një muaj, në të cilin Allahu i Madhërishëm fal mëshirës së Tij të veçantë, i pranon lutjet dhe ka deklaruar se lutjet e bëra në këtë muaj, arrijnë në gradën e pranimit. Gjatë këtij muaji, Allahu lejon që burimi i mëshirës së Tij të rrjedhë fuqimisht sepse në këtë muaj, çdo veprim i njeriut kryhet për të arritur kënaqësinë e Allahut, deri në atë masë saqë njeriu kufizon edhe orarin e ushqimit dhe sipas urdhrit të Tij ai ha e pi vetëm në kohë të caktuara.

Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ، – رضى الله عنه – أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم قَالَ ‏ “‏ إِذَا جَاءَ رَمَضَانُ فُتِّحَتْ أَبْوَابُ الْجَنَّةِ وَغُلِّقَتْ أَبْوَابُ النَّارِ وَصُفِّدَتِ الشَّيَاطِينُ ‏”‏ ‏.‏

Allahu i Madhëruar ka thënë se në këtë muaj çelen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit, dhe shejtanit i vihen prangat.[2] Pra, jemi me fat që Allahu i Madhëruar na ka mundësuar mjete të tilla, përmes të cilave mund të arrijmë afërsinë e Tij. Por, pavarësisht se jemi të pajisur me mjete të tilla nga Allahu i Madhëruar, do të ishte një fatkeqësi e madhe nga ana jonë nëse nuk arrijmë të nxjerrim bekimet prej saj. A nuk ka në botë kurvarët, hajdutët dhe imoralët gjatë muajit të Ramazanit, të cilët i bëjnë veprat e tyre të këqija? Ata me siguri e bëjnë! Nëse shejtani i të gjithëve është i prangosur, atëherë si është e mundur që ata akoma të kryejnë këto vepra të liga? Kjo, në fakt, është një këshillë për besimtarët, për ata që dëshirojnë të fitojnë afërsinë e Allahut të Madhëruar.

Allahu i Plotfuqishëm thotë se meqenëse ju në muajin e Ramazanit, e privoni veten edhe prej atyre gjërave që janë përgjithësisht të lejuara për ju, prandaj ju përgëzoj se shejtani, të cilit në përgjithësi i lejohet të bredhë lirisht dhe i cili i kishte kërkuar afat nga Allahu për të sulmuar dhe për t’i mashtruar njerëzit nga çdo drejtim, e kam prangosur sot. Ndërsa, ata njerëz të cilët agjërojnë vetëm për hirin Tim gjatë muajit të Ramazanit, të cilët pakësojnë ushqimin e tyre trupor, por që shtojnë ushqimin shpirtëror, i kam marrë nën mbrojtjen Time.

Ashtu siç ka thënë Mesihu i Premtuar a.s. se ata (d.m.th. besimtarët) pakësojnë ushqimin e tyre fizik dhe shtojnë ushqimin e tyre shpirtëror, ose përpiqen ta bëjnë këtë, dhe kjo është vetë fryma e Ramazanit dhe agjërimit.[3]

Allahu i Plotfuqishëm e prangos plotësisht shejtanin e njerëzve të tillë. Madje, Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë se

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ، عَنِ النَّبِيِّ صلى الله عليه وسلم قَالَ ‏ “‏ يَقُولُ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ الصَّوْمُ لِي وَأَنَا أَجْزِي بِهِ

“Unë vetë bëhem shpërblimi për agjëruesin”.[4] Çfarë lajmi madhështor është ky! Prandaj, ne duhet të përpiqemi të nxjerrim dobi prej këtij muaji dhe të mundohemi për të hyrë nga secila derë e qiellit, të cilën na ka çelur Allahu i Madhëruar. Nuk duhet të jetë që ne të bëhemi prej atyre për të cilët Allahu i Madhëruar ka thënë se Ai nuk shqetësohet për ata që mbeten të uritur apo të etur.

Nëse dikush agjëron duke ngrënë syfyrin në mëngjes dhe e çel agjërimin në mbrëmje, por nuk bën asnjë vepër të mirë që priten prej tij gjatë ditës, atëherë qëndrimi i uritur dhe i etur nuk i bën dobi. A është Allahu i Plotfuqishëm i interesuar që ata të mbeten të uritur dhe të etur në këtë mënyrë?[5] Këtë mesazh e kemi marrë nëpërmjet Profetit të Shenjtë s.a.v.s..

Duhet të kalojmë jetën në përputhje me qëllimin e Ramazanit

Prandaj, ne duhet ta kuptojmë këtë frymë dhe të përpiqemi ta udhëheqim jetën tonë në përputhje me këtë; që është qëllimi i Ramazanit. Ajeti që sapo recitova del në mes të vargjeve që kanë të bëjnë me obligimin e Ramazanit, porositë e tij të ndryshme dhe që nxjerrin në pah rëndësinë e agjërimit.

Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar përmend mënyrën se si pranohen lutjet, apo i përshkruan njerëzit, lutjet e të cilëve arrijnë gradhën e pranimit. Ai përmend shërbëtorët e Zotit të Mëshirshëm dhe ata që duan të bëhen të tillë, që duan të çlirohen nga zgjedha e shejtanit dhe që duan që lutjet e tyre të pranohen. Allahu i Madhëruar që në fillim ka nënvizuar se, o i Dërguar! Kur robërit e Mi të pyesin se ku është Zoti i tyre; kur të pyesin ty me shpirt të brengosur, që i kushtohen tërërsisht Zotit të tyre, dhe kur bëjnë përpjekje të zjarrta për të arritur Allahun e Madhërishëm; atëherë Ai i thotë Profetit për t’iu përgjigjur që të mos brengosen. Unë jam pranë tyre!

Prandaj, kushti i parë që Allahu i Plotfuqishëm ka përmendur për ta arritur Atë është të bëheni rob i Allahut të Madhëruar. Nëse një person i përmbush kërkesat e duhura për të qenë rob i Zotit të Plotfuqishëm, Ai thotë se i dëgjon lutjet e tyre dhe gjithashtu e prangos djallin e tyre. Ai vjen në ndihmë sa herë që i sulmon shejtani, jo vetëm përgjatë një muaji të vitit, pra në muajin e Ramazanit.

Përkundrazi, Allahu i Plotfuqishëm thotë se Ai gjithmonë do t’i mbrojë njerëzit e tillë nga sulmet e djallit, me kushtin që ata të bëhen robër të Tij të sinqertë dhe të vazhdojnë t’u përmbahen urdhrave të Tij. Ata nuk duhet të përqendrojnë veprat e mira vetëm gjatë muajit të Ramazanit, por duhet të përmbushin vazhdimisht të drejtat hyjnore si dhe ato njerëzore, të sillen në përputhje me mësimet e Kuranit Famëlartë dhe të forcojnë besimin e tyre. Allahu i Plotfuqishëm thotë se nëse njeriu do të ketë besim dhe bindje të plotë në atributet dhe fuqitë e Tij, ai do të dëshmojë vetë se si i pranohen lutjet. Njerëzit që ndërtojnë jetën e tyre në bazë të këtyre mësimeve, janë të tillë të gjejnë udhën e drejtë.

Prandaj, me të vërtetë jemi me fat nëse arrijmë ta kthejmë këtë Ramazan në mjetin e përhershëm të pranimit të lutjeve, nëse jemi vërtet robërit e sinqertë të Allahut, nëse veprojmë sipas urdhrave të Allahut të Madhëruar dhe të cilët gjithnjë mundohen të përsosin besimin e tyre. Jemi me fat që Allahu i Madhëruar na ka mundësuar të pranojmë Mesihun e Premtuar dhe Imam Mehdiun, i cili është Imami i kësaj kohe dhe shërbëtori besnik i të Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ai jo vetëm na tregoi rrugën drejt afrimit me Allahun por edhe mënyrat që e çojnë lutjet në gradën e pranimit.

Njëherë Mesihu i Premtuar a.s. tha: “Allahu i Madhërishëm ka lënë të hapur vetëm një derë në dobi të krijimit të Tij, dhe ajo është lutja. Kur një person hyn nga kjo derë me ngashërim e përmallim, Zoti Mëshirëplotë i vesh atij patkun e dëlirësisë dhe çiltërsisë, dhe madhështia e Tij e mbizotëron atë aq sa ai largohet milje larg punëve të kota dhe veprimeve të pahijshme.”[6]

Gjendja e nevojshme për pranimin e lutjes

Pastaj, duke shpjeguar se në çfarë gjendje pranohet lutja, dhe cilat janë kushtet për pranimin e lutjes dhe cili ëshët rrugëtimi për t’u bërë robi i Allahu të Madhërishëm, ai shkruan:

“Është e vërtetë se njeriu që lutet, por nuk i bën përpjekjet, vetëm e sprovon Zotin e Madhëruar. Prandaj, është e nevojshme të harxhojmë çdo fuqi që zotërojmë, para se të bëjmë lutje. Ky është edhe kuptimi i lutjes:

اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ

Na udhëzo në rrugën e drejtë.[7]

Mesihu i Premtuar a.s. më tej thotë: “Para së gjithash, është kushti thelbësor që njeriu të kontrollojë besimin dhe veprimet e tij, sepse është praktika e Zotit të Plotfuqishëm që reforma të shfaqet në formën e mjeteve dhe Ai krijon mjetet që bëhen shkaq për reformim. Ata që thonë se ç’na duhen mjetet pas lutjes, le të ndalen në këtë pikë dhe të thellohen pak, (d.m.th. ata që pretendojnë se nëse dikush lutet, atij nuk i nevojiten më mjetet, materialet apo përpjekjet).

Mesihu i Premtuar a.s. vijon më tutje:

“Këta njerëz mendjelehtë mendojnë se lutja në vetvete është një mjet i fshehtë që vë në lëvizje edhe mjetet e tjera”.[8] Për të arritur pranimin e lutjeve dhe për t’u bërë rob i Zotit të Plotfuqishëm, është e nevojshme që njeriu së pari t’i kërkojë Allahut të Madhërishëm mirësinë e Tij, të lutet me ngashërim e përmallim të thellë për t’u bërë ndër robërit e Zotit e të bëjë përpjekje të sinqerta në këtë drejtim.

Le të lutet: “O Allah! Më bëjë prej robërve të Tu”. Kështu, le të lutet që të bëhet ndër ata të cilët janë robërit e devotshëm të Allahut, si në besim po ashtu në vepra. Megjithatë, para se të fillojnë lutje, ata duhet t’i nënshtrojnë veprat e tyre vullnetit dhe pëlqimit të Allahut, të arrijnë besimin e palëkundur dhe të bëhen të vendosur e të qëndrueshëm në këtë rrugëtim. Ata duhet të besojnë në fuqinë e Allahut se nëse do, Ai mund të kthejë qoftë edhe një grimcë rëre në ar, dhe se Ai ka fuqi që t’i përudhë njerëzit më të shthurur, dhe t’i bëjë ata robër të zgjedhur të Tij.

Atëherë, njerëz të tillë do të bëheshin ata që ecin në rrugët që do t’i shpien te Zoti i Madhëruar. Kjo temë është përmendur nga Allahu i Madhëruar edhe në Kuranin Famëlartë, se Ai i udhëzon ata që luftojnë dhe bëjnë përpjekje për të ecur në rrugën e Zotit. Allahu i Madhëruar thotë:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ وَإِنَّ اللَّهَ لَمَعَ الْمُحْسِنِينَ

Kjo do të thotë: Dhe ata që përpiqen rreth Nesh, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona. Pa dyshim, Allahu është me mirëbërësit.[9]

Pra, muaji i Ramazanit shërben pikërisht për këtë Xhihad (përpjekje). Gjatë këtij muaji, ne duhet të përpiqemi aq sa mundemi dhe të marrim pjesë në këtë Xhihad për t’u bërë ndër ata njerëz që janë robërit e vërtetë të Zotit; të bëhemi prej atyre njerëzve që gjenden gjithmonë pranë Allahut, ndër ata njerëz, lutjet e të cilëve dëgjohen dhe pranohen nga Allahu; ndër ata njerëz që u përmbahen urdhrave të Tij; ndër ata që kanë besim dhe bindje të plotë në të gjitha cilësitë e Allahut të Madhëruar; ndër ata që gëzojnë udhëzimin e Zotit; ndër ata, djalli i të cilëve është prangosur përgjithmonë.

Mirëpo, siç duket nga fjalët e Allahut të Madhëruar, së pari duhet ta shpallim këtë xhihad dhe t’i nënshtrojmë gjendjen tonë vullnetit të Allahut të Madhëruar. Mesihu i Premtuar a.s. na ka udhëzuar në majft raste rreth kësaj çështjeje me këndvështrime të ndryshme. Prandaj, në një rast, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Si mund të ndodhë që një person të cilit i mungon vullneti dhe sillet si moskokëçarës të gëzojë mirësinë e Zotit njësoj si ai, i cili e kërkon me gjithë arsye, fuqinë dhe përkushtim të plotë. Allahu i Madhërishëm ka përmendur këtë gjithashtu në një vend tjetër, kur Ai thotë:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ وَإِنَّ اللَّهَ لَمَعَ الْمُحْسِنِينَ

Kjo do të thotë: Dhe ata që përpiqen rreth Nesh, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona. Pa dyshim, Allahu është me mirëbërësit.[10]

Allahu ka përmendur shprehimisht se nuk është e mundur që një njeri shpërfillës dhe përtac të përfshihet nga Allahu në atë grup njerëzish, të cilët orvaten me të gjitha fuqitë dhe aftësitë e tyre për të arritur afërsinë e Allahut dhe bëjnë një xhihad”.

Disa njerëz ma shtrojnë këtë pyetje dhe më shkruajnë letrat duke thënë se janë lutur shumë, por nuk është plotësuar dëshira e tyre. Njerëzit e tillë janë në gabim ndërsa Allahu i Madhëruar është i pagabueshëm. Ndonëse lutësi e konsideron lutjen e tij të mirëfilltë, të sinqertë dhe të pakthyeshme, ajo mbetet e mangët në sytë e Allahut të Plotfuqishëm, dhe atij i kërkohet më shumë përpjekje. Një person i tillë duhet të rishqyrtojë edhe mënyrën në të cilën ai bën lutje.

Mesihu i Premtuar a.s. po tregon se njeriu i cili kërkon Zotin duke përdorur arsyen, përpjekjen dhe përkushtimin e tij, Allahu i Madhëruar thotë se Ai patjetër ia tregon rrugët e Tij. Kështu, ne duhet të reflektojmë nëse e kemi përmbushurt këtë porosi sipas të gjitha fuqive tona intelektuale dhe njerëzore:

فَلْيَسْتَجِيبُوا۟ لِى

“Prandaj, edhe ata le t’i përgjigjen thirrjes Sime”.[11]

Vallë, a me të vërtetë po u përmbahemi plotësisht porosive të Allahut të Madhëruar? A i kemi harxhuar të gjitha forcat tona për t’i përgjigjur çdo thirrjeje të Allahut? A u bindemi urdhrave të Tij me sinqeritet e besnikëri të plotë? Nëse përgjigja është jo, atëherë nuk kemi të drejtë të ankohemi se Allahu i Madhëruar nuk na i pranon lutjet.

Pra, për të arritur pranimin e lutjeve, së pari duhet të përmirësojmë gjendjen tonë, dhe të hedhim hapa drejt Zotit të Madhëruar. Ky është xhihadi (pra përpjekje e pandërprerë) që duhet të kryejmë. Njeriut as nuk i duhet të stërmundojë veten në këtë përpjekje, pasi Allahu i Plotfuqishëm është aq i dhembshur ndaj robit të Tij, saqë Ai shpërblen bujarisht edhe përpjekjen më të vogël të njeriut. Mëshira e Tij, e cila kaplon çdo gjë, e bën përpjekjen e tij, jashtëzakonisht të lehtë. Prandaj, edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka përcjellë se Allahu i Madhëruar ka thënë:

عَنْ أَنَسِ بْنِ مَالِكٍ، عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ، عَنِ النَّبِيِّ صلى الله عليه وسلم قَالَ ‏ “‏ قَالَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ إِذَا تَقَرَّبَ عَبْدِي مِنِّي شِبْرًا تَقَرَّبْتُ مِنْهُ ذِرَاعًا وَإِذَا تَقَرَّبَ مِنِّي ذِرَاعًا تَقَرَّبْتُ مِنْهُ بَاعًا – أَوْ بُوعًا – وَإِذَا أَتَانِي يَمْشِي أَتَيْتُهُ هَرْوَلَةً ‏”‏ ‏.‏

“Kur robi bën një hap drejt Meje, Unë bëj dy hapa drejt tij. Kur ai vjen drejt Meje duke ecur, unë i afrohem duke vrapuar.”[12]

Kështu, Allahu i Madhëruar është shumë i dashur dhe i dhembshur ndaj nesh, por kushti paraprak që duhet përmbushur është sinqeriteti dhe besnikëria.

Nëse, gjatë Ramazanit ne betohemi se do të kryejmë rregullisht namazet tona, do t’u përmbahemi urdhrave të Allahut, do të përmbushim të drejtat e Tij si dhe të krijesave të Tij dhe gjithashtu do të veprojmë sipas betimeve tona, por sapo kalon Ramazani, ne harrojmë Zotin e Madhëruar dhe urdhërat e Tij. Nëse dhënia pas çështejve materiale na ka mbizotëruar tërësisht, nuk kemi të asnjë të drejtë të ankohemi ndaj Zotit e të themi: “Ndonëse Zoti ka thënë që Ai i përgjigjet thirrësit që e thërret Atë, prandaj edhe unë i jam drejtuar Atij me përgjërimet e mia, gjatë gjithë Ramazanit, por lutjet e mia nuk janë pranuar”.

Së pari, nuk duhet të harrojmë kurrë se Allahu është i Gjithdijshëm. Ai është në dijeni se robi i kishte bërë premtime edhe përpara se do t’i qëndrojë besnik, por ai i shkeli ato. Robi i tillë tashmë var shpresat vetëm prej veprave të mira të kryera gjatë Ramazanit. Allahu i Madhëruar sillet me njerëzit e tillë si të dojë. Megjithatë, mundet gjithashtu që Allahu i Plotfuqishëm të praonjë disa nga lutjet e njerëzve të tillë, me qëllim që ata të kuptojnë se Allahu u përgjigjet lutjeve dhe kështu ata të priren për t’iu nënshtruar Atij.

Allahu i Madhëruar kurrë nuk sillet me padrejtësi ndaj njerëzve, përkundrazi, Ai gjithmonë ështi i gatshëm t’i përfshijë ata në dashurinë e Tij të pashtershme. Kur njeriu i kthehet Atij dhe i nënshtrohet Atij me bindje të plotë, kjo e gëzon Zotin më shumë sesa një nënë e cila të ketë gjetur fëmijën e saj të humbur. Kur robi i kthehet përfundimisht pragut të Tij, Zoti gëzohet më shumë se ai udhëtar i cili të ketë humbur devenë e tij në shkretëtirë, e cila mbante të gjitha gjërat e tij, dhe pastaj ta ketë gjetur atë prapë.[13] Kështu, këta shembuj na janë dhënë nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) për të na mësuar se deri në çfarë mase gëzohet Allahu i Madhërishëm për robin që i afrohet duke u penduar. Jemi ne që në një anë veprojmë me shpërfillje në përmbushjen e të drejtave të Zotit, dhe në anën tjetër ankohemi se Allahu i Madhëruar na ka pranuar lutjeve tona.

Prandaj, të gjithë duhet të analizojmë veten në këtë aspekt. Ne gjithashtu duhet të zotohemi për ta ktyher këtë Ramazan në një mjet për të kërkuar e arritur Zotin e Madhërishëm; do të përpiqemi të veprojmë sipas urdhrave të Tij; ta vazhdojmë këtë Xhihad për të kërkuar dashurinë dhe afërsinë e Allahut, pavarësisht në çfarë rrethanash gjendemi dhe pa marrë parasysh sa do të zgjatet kjo përpjekje; po ashtu të vazhdojmë të orvatemi për të fuqizuar besimin tonë. Nëse me të vërtetë kemi arritur këtë gjendje, do të dëshmojmë domosdoshmërisht mrekullinë e pranimit të lutjes. Këto nuk janë thjesht pretendime gojore, por shumë njerëz e kanë arritur këtë gradë në të kaluarën, dhe vazhdojnë ta bëjnë edhe sot. Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Që nga shpallja e këtij ajeti, kanë kaluar plotë 1300 vjet dhe nuk ka dyshim se që atëherë, çdo person që u përpoq në dritën e mesazhit të përcjellë në këtë ajet, ka përfituar nga premtimet.

لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا

Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona.[14]

Ata vijojnë të përfitojnë tani dhe do të vazhdojnë të marrin dobi në këtë jetë edhe në të ardhmen”.[15]

Prandaj ne duhet të përpiqemi të jemi ndër ata që përfitojmë nga këto bekime të Allahut të Madhëruar. Ne kurrë nuk duhet të lejojmë që Xhihadi ynë të zvogëlohet; qoftë xhihadi ynë për të arritur kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, xhihadi i respektimit të urdhrave të Allahut të Madhëruar, xhihadi i ndjekjes së urdhrave të Kuranit Famëlartë që janë më shumë se 700, xhihadi për të përsosur besimin, apo Xhihadi për të përvetësuar cilësitë e Allahut të Madhëruar. Çdo hap i yni le të na çojë përpara dhe ky Ramazan të bëhet guri kilometrik në rrugëtimin e këtij Xhihadi. Unë do të shtjelloj këtë temë dhe do të ndriçoj disa aspekte të saj, përmes shkrimeve të Mesihut të Premtuar a.s.. Kjo temë është e tillë që duhet ta dëgjojmë vazhdimisht me vëmendje. Nëse ajo bëhet vërtet pjesë e jetës sonë, ne mund të sjellim një transformim në botë. Hazret Mesihu i Premtuar (as) thotë:

“Pra, ne shohim përditë që në jetën e kësaj bote çdo punë e jona sjell një pasojë dhe ajo pasojë është punë e Zotit të Madhërishëm. I njëjtë është ligji edhe për botën e besimit. Siç na tregon qartë Zoti i Madhërishëm në dy shembujt që vijojnë:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ وَإِنَّ اللَّهَ لَمَعَ الْمُحْسِنِينَ

فَلَمَّا زَاغُوا أَزَاغَ اللَّهُ قُلُوبَهُمْ ۚ

Për ata që përpiqen maksimalisht duke kërkuar Zotin, vepra Jonë e sigurt kundrejt kësaj vepre të tyre është që Ne ua tregojmë rrugët Tona. [16] Po ashtu, ata që morën shtrembësinë dhe nuk deshën të ndiqnin rrugën e drejtë, vepra Jonë që u përgjigjet veprës së tyre është që Ne ua shtrembërojmë zemrat”[17].[18]

Ky është një tjetër këndvështrim i paraqitur nga Mesihu i Premtuar a.s.:

“Allahu i Plotfuqishëm thotë se nëse ju përpiqeni të arrini rrugën Time, si rezultat fitoni shpërblimet dhe bekimet tona. Por, mos harroni se ka edhe aspekte të kundërta. Nëse ju i shmangeni rrugës së Tij, do t’ju shtrembërojnë zemrat. Jo vetëm që nuk do t’ju pranohen lutjet, shmangia e rrugës së Allahut, do t’ju çojë në prehrin e shejtanit. Një person që gjendet në prehrin e shejtanit, shkatërron jetën e tij jo vetëm në këtë botë por edhe në ahiret. Prandaj, nëse në njërën anë kjo thënie jep një sihariq përgëzues, nga ana tjetër përmban një paralajmërim nga Allahu i Madhëruar.”

Duke shpjeguar më tej, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan në një vend:

“Njeriu përjeton gjendje të ndryshime shpirtërore. Zoti i Plotfuqishëm në fund ua largon dobësinë shpirtrave të dëlira dhe si uratë u dhuron pastërtinë dhe aftësinë për të bërë veprat e mira. Në këtë fazë, njeriu i konsideron të papëlqyeshme, të gjitha ato veprime që Zoti i Madhëruar i ka quajtur të padëshirueshme dhe ai fillon të dojë ato rrugë që janë të pëlqyera te Zoti i Madhëruar. Në atë shkallë, atij i dhurohet një forcë e tillë që atij i zhduket çdolloj dobësie dhe atij i jepet një dëshirë e tillë këmbëngulëse pas së cilës nuk mund të ketë asnjë përtesë. Atij i falet një druajtje e tillë pas së cilës nuk mund të ketë ligësi. Në këtë gjendje Zoti bujar bëhet aq i kënaqur saqë njeriu i tillë nuk mund të gabojë më. Megjithatë, një dhunti e tillë i jepet vetëm pas një kohe të gjatë.

Në fillim, për shkak të dobësive të tij, njeriu ndeshet me lëkundje të forta dhe shpeshherë nuk ia arrin qëllimit; por përfundimisht pasi e gjen të sinqertë, atë e tërheq fuqia hyjnore (d.m.th. fuqia e Allahut të Plotfuqishëm e tërheq atë drejt vetes). Pikërisht këtë e përmend Allahu kur thotë:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ

D.m.th. dhe ata që përpiqen rreth Nesh, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona.

Mesihu i Premtuar a.s. e shpjegon këtë në arabisht:

نثبِّتُهُم على التقوى والإيمان و نَهدِيَنَّهُم سُبُلَ المَحَبَّةِ وَ العِرفان و سَنُيَسِّرُهُم لِفِعلِ الخَيْرات وَ تَركِ العِصيَان[19]

d.m.th. “Ne i bëjmë ata të qëndrojnë të palëkundur në druajtje e besim dhe me siguri do t’i udhëzojmë ata drejt rrugëve të dashurisë dhe njohjes. Ne do t’u mundësojmë atyre aftësinë për të bërë vepra të mira dhe për të braktisur mosbindjen.”

Siç e kam përmendur më herët, Mesihu i Premtuar a.s. na ka dhënë disa porosi që përcjellin aspekte të tjera të ajetit

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ

dhe kështu ai na ka hapur dritaret e dijes dhe të njohjes. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka përshkruar skicën e natyrës njerëzore dhe ka shpjeguar se njeriu nuk mund të qëndrojë gjithmonë statik e i pandryshuar. Brenda natyrës së tij, ai gjithmonë ndeshet me ulje e ngritje, megjithatë, një person me natyrë të çiltër nxjerr mësimet nga gabimet, pendohet, kërkon falje, i nënshtrohet Zotit të Madhëruar dhe ndien keqardhje për shkak të dobësisë së tij. Pas këtij zgjimi, ai nis sërish Xhihadin për të kërkuar Allahun e Madhëruar. Në këtë pikë, robi tërheq dashurinë e Allahut, i ngjall faljen e mëshirën dhe kështu Zoti sikur vjen me vrap drejt robit të Tij. Ai i dhuron robit fuqinë e dëlirësisë dhe të virtytit. Kur robit i ngjallen cilësitë e devotshmëri dhe të virtytit, fal mëshirës së Allahut, atëherë çdo veprim i tij synon kënaqësinë e Zotit të Madhëruar. Njeriu çlirohet nga barra e dobësisë dhe plogështisë dhe hedh hapa në shtegun e drejtësisë, kështu fiton mbrojtje nga mëkatet.

Njeriu i cili ka fituar një kënaqësi të tillë nga Allahu i Plotfuqishëm, nuk kryen më gabime të tilla që do të tërhiqnin pakënaqësinë e Zotit. Mesihu i Premtuar a.s. më tej thotë:

“Mirëpo, që të arish këtë gjendje, duhet të bësh përpjekje të pandërprera e këmbëngulëse”.

Pra, kjo nuk mund të arrihet me përpjekje të përkohshme, por me punë që bëhet me vazhdimësi, e cila rezulton me përvetësimin e virtyteve dhe pranimin e lutjeve, të cilat bëhen pjesë të jetës. Në një rast tjetër, Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Ne do t’ia tregojmë rrugët Tona atij, i cili orvatet e përpiqet në rrugën Tonë”. Ky është një premtim. Zoti na ka mësuar edhe një lutje

إِهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ

“Na udhëzo në rrugën e drejtë”. Prandaj, robi duhet ta mbajë parasysh këtë dhe të lutet me mall e përgjërim e të shpresojë për t’u bërë ndër ata, të cilët kanë arritur ngritje dhe urtësi shpirtërore, dhe jo prej atyre të cilët ndërrojnë jetë duke qenë të paditur e të verbër”.[20]

Për ta arritur këtë pozitë, nëse Allahu i Plotfuqishëm e udhëzon robin në rrugën e Tij, edhe robi gjatë recitimit të sures el-Fatiha duhet ta përsërisë lutjen إِهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ “Na udhëzo në rrugën e drejtë”.

Është përmendur një ngjarje për një plak nga Kadiani dhe si përjetonte ai gjatë faljes së namazit. Transmetuesi thotë se një herë një sahab i Mesihut të Premtuar a.s. po qëndronte në namaz në një cep të xhamisë Mubarek. Ai po lutej me mallëngjim dhe përgjërohej me një zë të përvajshëm. Ai qëndroi në këmbë për një kohë mjaft të gjatë duke lidhur duart dhe duke u falur. Më lindi kureshtja ta kundroj nga afër e ta dëgjoj ato murmurimë lutjesh që ai bënte nëpër dhëmbë. Kur i iu afrova, dëgova se ai po përsëriste vetëm këto fjalë me mall: إِهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ. إِهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ “Na udhëzo në rrugën e drejtë” “Na udhëzo në rrugën e drejtë”

Kjo është ajo lutje, që njeriu duhet ta bëjë shpesh për të arritur udhëzimin. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Me të vërtetë, Allahu ka premtuar që njeriu i cili e kërkon Atë, me shpirt të pastër dhe qëllim të sinqertë, Allahu i zbulon rrugët e udhëzimit dhe njohjes, siç ka thënë:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ

Dhe ata që përpiqen rreth Nesh, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona. Pa dyshim, Allahu është me mirëbërësit. (Kurani Famëlartë 29:70)

Kuptimi i frazës “ata që përpiqen nëprmjet nesh” është se njeriu duhet të përpiqet me sinqeritet e dashamirësi, duke pasur synim të vetëm që të gjejë Zotin”. (Pra, njeriu i tillë nuk ka në mendje ndonjë interes të kësaj bote dhe qëllimi i tij i vetëm është të gjejë Zotin e Plotfuqishëm me sinqeritet të plotë.) Por, nëse një njeri e kërkon atë në mënyrë tallëse dhe shpotitëse, gjendja e tij është vërtetë për t’u ardhur keq, sepse ai do të përfundojë keq e do të mbetet i privuar. Prandaj, duke pasur parasysh këtë parim të shenjtë themelor, nëse përpiqeni me zemër të sinqertë dhe të bëni lutje vazhdimisht, të dini se Allahu është Falës dhe Mëshirues. Por, nëse njeriu nuk i kushton asnjë vëmendje Allahut, të dini se Ai është i Plotfuqishëm e i Vetëmjaftueshëm, prandaj edhe Allahu nuk e përfill atë”.[21]

Pastaj Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Në të gjitha çështjet e kësaj bote, njeriu fillimisht duhet të ushtrojë përpjekje. (d.m.th. për sa u përket punëve të kësaj bote, njeriu duhet të bëjë përpjekje, si p.sh. në jetën e përditshme, kur njeriu i lëviz këmbët, atëherë Allahu i Plotfuqishëm ia bekon punët. Në të njëjtën mënyrë, vetëm ata mund të arrijnë suksesin në rrguën e Zotit, të cilët bëjnë përpjekje e orvatje të sinqerta. Për këtë arsye Allahu ka thënë:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ

“Prandaj, njeriu duhet të bëjë përpjekje të sinqerta, sepse përpjekja është rruga drejt suksesit”.[22]

Kështu, nëse i ushtrojmë të gjitha përpjekjet tona për të arritur qëllimet e kësaj bote, atëherë pse nuk i bëjmë të gjitha përpjekjet për të gjetur shtigjet që na çojnë te Zoti? Pse njerëzit mendojnë se nëse yshtim një formulë magjike, do ta gjejmë menjëherë Zotin e Plotfuqishëm ose se Ai do t’i pranojë lutjet tona?”

Edhe këtu është përmendur e njëjta çështje për ata që thonë se nuk u janë pranuar lutjet. Të tillë njerëish fillimisht duhet të analizojnë veten e tyre. Nuk mundet që rruga për tek Allahu i Plotfuqishëm të jetë e lehtë dhe e thjeshtë, ndërsa për t’i arritur objektivat materiale ai duhet të heqë mundime të mëdha. I njëjti parim mbizotëron në të gjitha çështjet.

Nuk vjen asnjë ndryshim pa ndihmën hyjnore

Në lidhje me përpjekjen për të krijuar një lidhje me Allahun e Madhëruar, Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar në një vend:

“Ata që përpiqen në rrugën e Allahut, përfundimisht udhëzohen në rrugën e drejtë. Ashtu sikur një farë nuk mbin, derisa nuk është kujdesur apo vaditur siç duhet, madje ajo kalbet e tretet në dhe, në të njëjtën mënyrë, nëse nuk bëni çdo ditë këtë betim dhe nuk i luteni Zotit për ndihmë, nuk ka për të ardhur kurrë mëshira e Zotit, dhe pa ndihmën hyjnore, nuk pritet të bëhet asnjë ndryshim”.[23]

Pra, ky është ligji i natyrës dhe është i nevojshëm për të gjetur rrugën drejt Allahut. Ashtu sikur një bujk, pas hedhjes së farës, nuk rri këmbëkryq, po ashtu njeriu që dëshmon se beson, nuk rri i shkujdesur e moskokëçarës, përkundrazi, i duhet të kushtojë vëmendje e të mbrojë bimët e besimit. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. më tej thotë:

“Nëse njeriu i drejtohet Allahut të Plotfuqishëm, edhe Ai i afrohet atij. Megjithatë, është e rëndësishme që nëse është e mundur, ai të mos bëjë ndonjë gabim. Nëse përpjekja e tij arrin shkallën më kulmore, në atë pikë ai do të shohë dritën e Allahut.

Ajeti وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا ۚ tregon se njeriu duhet të jetë i përkushtuar në përpjekjet e tij dhe të mos kursejë asgjë në këtë pikë. P.sh. nëse burimi i ujit, mund të arrihet në një thellësi prej 6 apo 9 metrash, njeriu nuk ka pse të ndalet vetëm pasi të ketë gërmuar vetëm gjysmë apo 1 metër. Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Në çdo detyrë, çelësi i suksesit fshihet në parimin që të mos dorëzohesh kurrë. Pastaj për këtë Umet, Allahu i Madhëruar ka premtuar që nëse një person lutet dhe e pastron veten (nga dobësitë), në qenien e tij, përmbushen të gjitha premtimet që gjenden në Kuran. (Kushdo që bën përpjekje dhe lutet ashtu siç duhej, dhe mundohet të pastrojë veten, (të gjitha premtimet që gjenden në Kuran do të përmbushen në favor të tij). Ndërsa ai që vepron në kundërshti (të këtij parimi) do të mbetet i privuar, sepse Allahu xh.sh. është më i nderuari. Sigurisht, Ai ka përcaktuar rrugët që të çojnë tek Ai, por dyert për të hyrë janë të ngushta. Vetëm ai që pi kupën e hidhur të vështirësive mund të kalojë përmes tyre (d.m.th. duhet të bëjë përpjekje). Ndërsa, ata që jepen vetëm pas jetës së kësaj bote, e vënë veten në vështirësi e vuajtje të mëdha, deri në atë masë sa që disa madje e shkatërrojnë veten për shkak të saj, por nuk duan të durojnë as pickimin e një gjembi në rrugën e Allahut. Të dini se derisa njeriu nuk tregon sinqeritetin, durimin e besnikërinë, as Allahu nuk i zbret mëshirën. Si mund të shfaqet mëshira e Allahut përballë një sjellje shpërfillëse?”[24]

Kjo është përgjigja për ata njerëz që thonë, se janë lodhur duke bërë lutje, por atyre nuk u pranohet asnjë lutje. Me fjalë të tjera, ata duan të detyrojnë Allahun e Madhëruar se do t’i drejtohen Allahut vetëm kur t’u dojë qejfi dhe kur të shtyhen nga halli dhe, mazallah, Zoti qenka i detyruar t’ua praonjë lutjet, sipas dëshirës së tyre. Ndërkohë, ne vëmë re se një rregull i tillë nuk ekziston as në çështjet e kësaj jete, dhe Mesihu i Premtuar a.s. vë në dukje këtë parim dhe thotë se përse pritet që në çështjet që kanë të bëjnë me Allahun e Madhëruar, gjithçka do të ndodhë sipas dëshirës e pa bërë asnjë përpjekje.

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Ejani drejt Allahut të Madhërishëm me sinqeritet të plotë dhe shikoni se si shfaqet dashuria e Tij.” Ai thotë: “Besimi pa vepra është si një pemishte së cilës i mungon rrjeti i ujitjes. (Një pemëtore nuk mund të lulëzojë pa ujë) Nëse kopshtari mbjell një pemë, por nuk kujdeset për ujitjen e saj, ajo pemë përfundimisht do të thahet. I njëjti parim vlen edhe për besimin.

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا pra mos u mjaftoni me përpjekje të vogla pasi rruga drejt Zotit kërkon sakrifica e mundime të mëdha. Shpirti i njeriut është krahasuar me një ka”.[25]

Kështu, Allahu i Madhëruar thotë  وَلْيُؤْمِنُواْ بِى  d.m.th. ata që më luten duhet të më besojnë Mua. Besimi do të thotë t’i përmbahesh drejtësisë në të besuarin në Allah, gjë që mund të realizosh duke përmbushur të drejtat karshi Allahut dhe krijesës së Tij”.

Edhe nëpër shtëpitë tona, nëse nuk kujdesemi për të ujitur lulet rregullisht, ato nisen të vyshken e të thahen. Prandaj, si mund ta tregohemi të shkujdesur ndaj kopshtit të besimit tonë, duke e lënë pa mbikëqyrje.

Qëndrueshmëria si tipari i njeriut të druajtur

Mesihu i Premtuar a.s. e ka shpjeguar gjithashtu këtë çështje nga një këndvështrim tjetër. Ai shkruan:

“Allahu i Madhëruar thotë se ata që luftojnë në rrugën e Tij do të jenë të udhëzuar. Kjo do të thotë se njeriu duhet të përpiqet duke iu bashkuar profetit. Përpjekja që bëhet vetëm për një ose dy orë dhe më pas ndërpritet, nuk quhet aspak përpjekje, përkundrazi Muxhahidi duhet të jetë i gatshëm të sakrifikojë edhe jetën. Kështu, qëndrueshmëria e këmbëngulja është shenjë dalluese e njeriut të drejtë”.[26]

Prandaj, nëse jemi zotuar se do t’i japim përparësi besimit tonë kundrejt të gjitha qëllimeve të kësaj bote, atëherë për t’i qëndruar besnikë zotimit tonë, është jetike që ne ta kemi parasysh atë që besimi ynë kërkon prej nesh, t’i japim përparësi asaj dhe të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur mbi të. Pastaj Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Kur një person që i druhet Allahut të Plotfuqishëm dhe përpiqet të gjejë rrugën e Tij dhe i përgjërohet me mall që t’ia dalë në krye të kësaj detyre, prandaj falë ligjit të Tij hyjnor:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا

“dhe ata që përpiqen rreth Nesh, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona”, Allahu i kap pas dore dhe u dhuron robërve prehje e paqe në zemër. Mirëpo, nëse dikush është zhytur në errësirë, i duket detyrë e rëndë të bëjë lutje dhe besimin e ka ndotur me idhujtari dhe shpikje të dëmshme, atëherë ç’rëndësie ka nëse lutet a jo dhe çfarë rezultati mund të pritet prej tyre?”

Vërejtje ndaj pendimit dhe kërkimit të faljes

Prandaj, ne duhet vazhdimisht të vlerësojmë veten nëse po kërkojmë rrugët e Allahut të Madhëruar me këtë synim dhe nëse me të vërtetë zemrat tona janë të mbushura vetëm me besimin e Zotit një. Për sa i përket Teubes (pendimit) dhe Istighfarit (kërkimit të faljes), Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Pendimi dhe Istighfari janë mjete për të arritur Allahun e Madhëruar. Allahu i Madhëruar thotë وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا nëse bëni përpjekje me të gjitha mundësitë tuaja, ju patjetër do arrini synimin tuaj. Pa dyshim, Allahu i Madhëruar nuk i mohon askujt asgjë.”[27]

Mesihu i Premtuar a.s. më tej thotë: “Nga mësimet e Kuranit, kam kuptuar se nga njëra anë Allahu i Madhëruar ka përmendur në Kuranin Famëlartë atributet e Tij të mëshirës, dhembshurisë dhe dashamirësisë dhe gjithashtu përmend se është i Gjithmëshirshmi. Nga ana tjetër Ai thotë: وَأَن لَّيْسَ لِلْإِنسَٰنِ إِلَّا مَا سَعَىٰ dhe se njeriu nuk do të ketë asgjë përveç përpjekjes së tij.[28] وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا “dhe ata që përpiqen rreth Nesh, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona” (Kuran Famëlartë 29:70)

“Kështu, Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar mirësinë e Tij me kushtin që robi të bëjë përpjekje dhe punë të pandashme. Praktika e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta), është shembull i përsosur para nesh. Mendoni pak se a kishin fituar këto grada vetëm duke bërë namaze të thjeshta? Sigurisht që jo, në fakt, kur ata për të arritur kënaqësinë e Allahut u tërhoqën nga jeta e tyre dhe u flijuan si bagëti për hir të Zotit të Madhëruar, vetëm atëherë ata arritën gradë të tilla.”

Mesihu i Premtuar a.s. më tej thotë:

“Kemi parë shumë njerëz të cilët thjesht dëshirojnë që t’i fryhen dhe kështu t’u jepen menjëherë këto grada dhe të gjejnë afërsi me Arshin e Zotit”.[29] Por, kjo nuk është e mundshme”.

Vërtet, Allahu është i Gjithmëshirshmi dhe Mëshirëbërësi, por për ata që synojnë të arrijnë besimin e përsosur, Ai ka vendosur si kusht se njerërzit duhet të përpiqen në rrugën e Tij e vetëm atëherë Ai do t’i lartësojë gradat e tyre dhe do t’u tregojë shenjat e pranimit të lutjes. Ata dëshmojnë shfaqjen e atributeve të Allahut të Gjithmëshirshëm dhe Mëshirëbërës më shumë se kurrë, ashtu siç kishin parë sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ata ishin aq të kredhur me dashurinë e Zotit, saqë nuk mund të gjeni shembullin e tyre. Nëse në këtë jetë, ata u flijuan në rrugën e Allahut, në jetën e përtejme ata fituan xhenetin dhe morën myzhde për kënaqësinë e Allahut.

Mesihu i Premtuar a.s. më tej thotë:

“Ata që i përkushtohen tërësisht Zotit të Plotfuqishëm dhe përpiqen ta gjejnë Atë me përkushtim të zjarrtë dhe me vullnet të paepshëm, mundi dhe përpjekja e tyre nuk humbet kurrë. Atyre me siguri u tregohet rruga dhe u jepet udhëzim. Ai që hedh një hap drejt Zotit me sinqeritet dhe qëllim të pastër, edhe Zoti i afrohet atij që t’ia ndriçojë rrugën. Detyra e njeriut është vetëm që të përsiatet e të reflektojë shumë dhe të rrënjosë në shpirt dëshirën për të gjetur të vërtetën. Njeriu gjithmonë duhet t’i përmbahet rrugës që Allahu i Plotfuqishëm ka zgjedhur për të për shtimin e thellimin e dijes. Nëse njeriu bëhet i pavëmendshëm ndaj Zotit, edhe Zoti e përfill atë”.[30]

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Bëni përpjekje për të përmirësuar gjendjen tuaj të brendshme. Bëni lutje gjatë namazit dhe përmes bamirësisë, veprave të mira dhe çdo mënyre tjetër përpiquni të bëheni prej atyre për të cilët ka thënë: وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا “dhe ata që përpiqen rreth Nesh”. Ashtu siç një person që vuan nga një sëmundje shkon te mjeku dhe i ndjek porositë, bën pastrimin e zorrëve, largon toksinat e helmet nga enët e gjakut dhe përdor çdolloj metode për të kuruar veten, në të njëjtën mënyrë, bëni çdo përpjekje për të shëruar veten nga sëmundjet shpirtërore. Nuk mjafton vetëm yshtja a shqiptimi i disa shprehjeve, por ndiqni të gjitha metodat e përpjekjet e meditimit që  Zoti ka përshkruar për ju”.

Pra, kjo është mënyra e cila hap rrugët që e çojnë njeriun te pragu i Allahut të Madhërishëm dhe të cilat i tërheqin vëmendjen ndaj rëndësisë së lutjeve. Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Njeriu duhet ta konsiderojë këtë jetë kaq të shëmtuar, saqë të mundohet të çlirohet prej saj. Mos e merrni këtë jetë sikur është gjithçka, pasi kjo jetë është e përkohshme dhe e neveritshme. Njeriu gjithashtu t’i përmbahet lutjes sepse kur dikush me të vërtetë bën përpjekje të duhura, dhe i shoqëron me lutje të sinqerta, atëherë në fund Allahu i Madhërishëm i dhuron shpëtim dhe e nxjerr nga jeta e mëkatit. Të dini se lutja nuk është diçka e zakonshme, madje ajo është një lloj vdekjeje. Kur njeriu e pranon këtë lloj vdekjeje, atëherë Allahu i Madhërishëm e shpëton atë nga jeta e mëkatit, dhe i dhuron atij një jetë të pastër.”

Mesihu i Premtuar a.s. më tej thotë:

“Ka shumë njerëz që e quajnë lutjen si diçka të papërfillshme. Por, duhet mbajtur mend se lutja nuk do të thotë thjesht të falësh namazin dhe pastaj të ulesh me duart e ngritura dhe të shqiptosh atë që të vjen në mendje. Njeriu nuk mund të përfitojë asgjë nga një lutje e tillë, sepse kjo formë lutjeje është sikur yshtje; e cila nuk buron nga shpirti dhe as lutësi nuk shpreh bindjen e plotë në fuqitë e Allahut të Madhëruar. Mos harroni se lutja është njëlloj vdekjeje dhe ashtu si në çastin e vdekjes, njeriu përjeton vuajtjen dhe ankthin, edhe gjatë lutjes robi duhet të shprehë ndjenja të zjarrta dhe emocione të brendshme. Prandaj, derisa njeriut i mungojnë ndjenjat e ngashërimit dhe mallëngjimit, lutja e tij nuk arrin shkallën e duhur.

Njeriu duhet të zgjohet natën dhe t’i shprehë Zotit hallet dhe vështirësitë e tij me një përgjërim të skajshëm, me turbullirë mallëngjyese dhe rënkim të përvajshëm dhe të çojë lutjen në një shkallë të tillë sikur ajo t’i ngjajë një lloj vdekjeje. Pikërisht atëherë lutja arrin në fazën e pranimit.”

Mesihu i Premtuar a.s. Thotë:

“Lutja e parë dhe më kryesore që njeriu duhet të kërkojë është të pastrohet nga mëkati. Kjo përbën bazën dhe thelbin për të gjitha lutjet e tjera, sepse po u pranua kjo lutje dhe njeriut t’i hiqen papastërtitë dhe ndyrësitë dhe ai të qëndrojë i dëlirë në sytë e Zotit të Plotfuqishëm, atëherë lutjet e tjera që ai i parashtron në lidhje me nevojat e tij personale, përmbushen vetvetiu edhe pa pasur nevojë të shprehen me fjalë. Lutja për t’u shpëtuar nga mëkati është një lutje që kërkon përpjekje dhe këmbëngulje të madhe.

Lutja më e madhe është që njeriu të lutet për veten që të pastrohet nga mëkati dhe të quhet i drejtë dhe i devotshëm në sytë e Zotit. Me fjalë të tjera, është thelbësore që njeriu së pari të heqë mbulesat fillestare që i kanë mbështjellë zemrën. Pasi t’i ketë hequr këto perde, njeriu nuk ka nevojë të bëjë shumë përpjekje për të hequr shtresat e tjera, sepse tani mëshira e Zotit e shoqëron atë dhe mijëra sëmundje shërohen vetvetiu. Kur njeriu arrin të ketë një brendësi të pastër e të kulluar dhe lidhë një marrëdhënie të vërtetë me Allahun e Plotfuqishëm, Ai bëhet vetë mbrojtësi dhe kujdestari i një personi të tillë. Dhe edhe para se njeriu të ndiejë nevojën për t’iu lutur Allahut të Madhëruar për ndonjë nevojë të tij, Allahu i Madhëruar e plotëson atë Vetë. Kjo është një çështje shumë delikate dhe e ndërlikuar dhe u zbulohet njerëzve vetëm kur ata e arrijnë këtë fazë, por para kësaj është shumë e vështirë për ta zbërthyer.

Megjithatë, kjo kërkon një përpjekje të jashtëzakonshme, sepse lutja kërkon gjithashtu përpjekje të mëdha. Ai që nuk i kushton vëmendje lutjes dhe tregoht i shkujdesur ndaj saj, edhe Allahu i Madhëruar nuk kujdeset më për të tillë dhe largohet prej tij. Ngutja e ethshme dhe nxitimi në gjykim nuk funksionojnë këtu. Zoti jep nga mirësitë dhe bekimet e Tij kë të dojë dhe kur të dojë. Një lutës nuk i takon të shprehë pakënaqësi e ta paragjykojë keq kur atij nuk i jepet diçka menjëherë. Në fakt njeriu duhet të vazhdojë të lutet duke qëndruar i palëkundur dhe duke treguar durim”.[31]

Allahu i Madhëruar na mundësoftë që t’i përmbahemi këtij udhëzimi dhe na mundësoftë të krijojmë një lidhje të fortë me Allahun e Madhëruar në këtë muaj të Ramazanit! Ai na mundësoftë ta ndjekim udhëzimin e Tij dhe të zhvillojmë besim të përsosur në Të! Na mundësoftë të dëshmojmë shenjat e pranimit të lutjeve tona dhe këto përjetime të mbetet përgjithmonë me ne; jo vetëm në muajin e Ramazanit por edhe përtej tij! Le të bëhemi vërtet robër të Allahut të Plotfuqishëm! Allahu i Madhëruar na udhëzoftë në rrugë të tilla, prej të cilave të mos devijohemi kurrë dhe na dhuroftë gjithmonë shikimin e Tij të dashur!

Allahu na mundësoftë të përmbushim betimin e besëlidhjes me Imamin e kohës! Allahu na mundëzoftë të mos privohemi kurrë nga këto bekime, që na ka falur Ai, pas pranimit të Imamit të kohës! Allahu na ruajttë nga dredhitë e kundërshtarëve tanë! Allahu na i pranoftë lutjet tona dhe i ktheftë intrigat keqdashëse të kundërshtarëve tanë kundër tyre! Allahu i dhuroftë vazhdimisht Xhematit mjetet e suksesit! Allahu na e bëftë këtë Ramazan mjet për pranimin e lutjeve! Allahu na e mundësoftë!

Lutuni gjithashtu për gjendjen aktuale të botës. Allahu i Madhëruar e ruajttë botën nga shkatërrimi dhe u dhëntë njerëzve urtësi e mendje që ta njohin Zotin, i Cili është krijuesi i tyre i vërtetë!

Pas namazit të xhumasë, do të lançoj një faqe interneti e cila është përgatitur nga MTA International, po ashtu një aplikacion, në të cilin janë përmbledhur hutbet që kam mbajtur për 313 sahabët e Bedrit. Në këtë faqe interneti, përveç shikimit të hutbeve, anëtarët mund të lexojnë gjithashtu jetëshkrimin e sahabëve të Bedrit dhe mund të vendosin faqerojtës, për ta shënuar atë që kanë lexuar. Përveç kësaj ka pyetje dhe përgjigje në formën e një kuizi në lidhje me secilin sahab. Po ashtu, ka harta përkatëse, të cilat janë të dobishme, dhe ato gjithashtu mund të shihen në këtë faqe interneti. Dikush mund të dëgjojë edhe shqiptimin arab të fjalëve të vështira. Përveç përmbajtjes që është ngarkuar deri më tani, kërkime dhe video të reja do të ngarkohen çdo javë.

Emri i kësaj faqeje është: www.313companions.org

Siç e përmenda më herët, këtë faqe interneti do ta lançoj pas namazit të së xhumasë. Allahu mundësoftë që kjo faqe të bëhet mjet dobie për njerëzit!

(Fjalimi i plotë i hutbes është botuar në gazetën “Alfazl International” të datës 29 prill 2022, në faqet 5-10).

[1] Kurani Famëlartë 2:187.
[2] Sahihu i Muslimit, Kitab: Es-Sijam, Bab: Fadlu Shehri Ramadan, hadith nr. 1079a.
[3] E përmbledhur nga “Melfuzat” vëll. 9, f. 123.
[4] Sahihu i Buhariut, Kitab: et-Tauhid, Bab: Kaulullahi Te’ala “Juridune en-jubedilu Kelamallahi, hadith nr. 7492.
[5] عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ ـ رضى الله عنه ـ قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم ‏ “‏ مَنْ لَمْ يَدَعْ قَوْلَ الزُّورِ وَالْعَمَلَ بِهِ فَلَيْسَ لِلَّهِ حَاجَةٌ فِي أَنْ يَدَعَ طَعَامَهُ وَشَرَابَهُ ‏”‏‏.‏ Sahihu i Buhariut, Kitab: Es-Saum, bab: Men lem Jeda‘ Kaulez-zuri vel ‘amele bihi fis-Saum, hadith nr. 1903.
[6] Melfuzat, vëll. 5, f. 438, botuar në 1984.
[7] Kurani Famëlartë 1:7.
[8] Melfuzat, vëll. 1, f. 24, botimi 1984.
[9] Kurani Famëlartë 29:70.
[10] Kurani Famëlartë 29:70, Berahin-e-Ahmedia, vëll. 4, Ruhani Khezain, vëll.1, f. 566-567, fusnotë nr. 11.
[11] Kurani Famëlartë 2:187.
[12] Sahihu i Muslimit, Kitab: Edh-Dhikr ved-Du’a, bab: Fadludh-Dhikri ved-Duai vet-Tekarrub ilallah, hadith nr. 2675e.
[13] عَنْ عُمَرَ بْنِ الْخَطَّابِ ـ رضى الله عنه ـ قَدِمَ عَلَى النَّبِيِّ صلى الله عليه وسلم سَبْىٌ، فَإِذَا امْرَأَةٌ مِنَ السَّبْىِ قَدْ تَحْلُبُ ثَدْيَهَا تَسْقِي، إِذَا وَجَدَتْ صَبِيًّا فِي السَّبْىِ أَخَذَتْهُ فَأَلْصَقَتْهُ بِبَطْنِهَا وَأَرْضَعَتْهُ، فَقَالَ لَنَا النَّبِيُّ صلى الله عليه وسلم ‏”‏ أَتَرَوْنَ هَذِهِ طَارِحَةً وَلَدَهَا فِي النَّارِ ‏”‏‏.‏ قُلْنَا لاَ وَهْىَ تَقْدِرُ عَلَى أَنْ لاَ تَطْرَحَهُ‏.‏ فَقَالَ ‏”‏ اللَّهُ أَرْحَمُ بِعِبَادِهِ مِنْ هَذِهِ بِوَلَدِهَا ‏”‏‏.‏
Sahihu i Buhariut, Kitab: el-Edeb, bab: Rrahmatul-veled, hadith nr. 5999.
[14] Kurani Famëlartë 29:70.
[15] „El-Hak Mubahitha Dehli”, Ruhani Hazain, vëll. 4, f. 192.
[16] Dhe (për) ata që përpiqen në rrugën Tonë, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona.” (El-‘Ankebut 29:70).
[17] “Pra, kur ata bënë shtrembëri, Allahu ua shtrembëroi zemrat.” (Es-Saff 61:6).
[18] Filozofia e mësimeve të Islamit, Tiranë, 2019, f. 137-138.
[19] Tefsir Hazret Mesih Mau’d alejhiselam, v. 3, f. 626.
[20] E përmbledhur nga “Melfuzat”, v. 1, botuar në 1984, f. 20.
[21] Melfuzat, v. 6, botuar në 1984, f. 439.
[22] Melfuzat, v. 7, botuar 1984, f. 224.
[23] Melfuzat, v. 7, botuar në 1984, f. 225.
[24] Melfuzat, v. 7, botuar në 1984, f. 291.
[25] Tafshir Hazret Mesih Mau’d alejhiselam, v. 3, f. 631.
[26] Melfuzat, v. 1, botuar në 1984, f.25.
[27] Melfuzat, v. 10, botuar në 1984, f. 107.
[28] Kuran Famëlartë 53:40.
[29] Melfuzat, v. 10, botuar në 1984, f. 205.
[30] Melfuzat, v. 10, botuar në 1984, f. 284.
[31] Melfuzat, v. 6, botuar në 1984, f. 406-407.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp