Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Dobi shpirtërore të agjërimit

Nga: Rabeeb Mirza, Dublin, Irlandë

Muslimanët anembanë botës agjërojnë përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Gjithmonë ngrihet pyetja në lidhje me çështjen se cili është qëllimi i agjërimit? Cilat janë dobitë shpirtërore që arrin njeriu përmes këtij udhëtimi të mundimshëm që zgjat një muaj.

Fillimisht, ne duhet të kuptojmë domethënien e fjalës Ramazan. Ramazani, muaji i nëntë i kalendarit Islamik, ka prejardhje nga fjala Arabe Ramadan që rrjedh nga folja (رَمِضَrrameda). Disa shprehje Arabe na ndihmojnë të kuptojmë domethënien e kësaj fjale. P.sh. رَمِضَ النَّھَارُ (rramedan- nehãr) do të thotë që dita është bërë shumë e nxehtë. رَمِضَ الرَّجُلُ (rramederr- rrexhul) do të thotë njeriut i janë djegur këmbët nga toka që është bërë shumë e nxehtë. Po kështu (rramedas sâimu) do të thotë që gjatë agjërimit brendësia e agjëruesit bëhet më e nxehtë për shkak të etjes që i jep temperatura e lartë.

Kështu që, nga kjo pikëpamje, Ramazani quhet i tillë sepse:

  • Agjërimi gjatë këtij muaji shkakton të nxehtët dhe përvëlim të brendshëm për shkak të etjes.
  • Adhurimi dhe përkushtimi ia përvëlojnë njeriut gjurmët e mëkateve.
  • Adhurimi dhe përkushtimi në këtë muaj ushqejnë zemrën me dashurinë e ngrohtë të nevojshme për Krijuesin e tij dhe krijesat e tij. [1],[2]

Në lidhje me këtë paraqitje të përmbledhur të kuptimit leksikor të fjalës Ramazan, do të tregojmë disa referenca nga Kurani, thëniet e Profetit Muhamed sa dhe nga shkrimet e Hazret Mirza Ghulam Ahmedit as, Mesihu i Premtuar dhe themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, në lidhje me dobitë shpirtërore të Ramazanit.

Zoti i Plotfuqishëm thotë në Kuranin Famëlartë:

“O ju që besuat! Ju obligohen agjërimet ashtu siç u ishin obliguar atyre që ishin para jush, që të bëheni të druajtur.[3]

Në pjesën e fundit të këtij ajeti Kuranor, Zoti i Plotfuqishëm u thotë besimtarëve se praktika e të agjëruarit është cilësuar si një mjet për të fituar devotshmërinë. Por çfarë është devotshmëria? Devotshmëria është rrënja e çdo virtyti dhe vepre të mirë. Fjala Arabe për devotshmërinë është اِتَّقَاء[It-tikã]. Kjo fjalë dëshmon faktin se një person që orvatet të përvetësojë çdo virtyt, rrjedhimisht ruhet nga çdo lloj veprimi i keq. Andaj, kur njeriu e ndjek ashtu siç duhet shtegun e virtyteve ai përfundimisht fiton afërsinë e Allahut të Plotfuqishmit, i cili është qëllimi më kryesor i agjëruesit. Faktikisht, sipas ajetit të lartpërmendur agjërimi ka qenë i këshillueshëm në të gjitha disiplinat fetare, shpallur në dispozitat hyjnore. Një proverb i famshëm persian thotë:

Të folurit pak, të ngrënit pak dhe të fjeturit pak janë tipare të profetëve.

Prandaj, njeriu që agjëron, ndjek njëherazi gjurmët e profetëve dhe përpiqet të fitojë devotshmërinë.

I Dërguari i Allahut sa ka thënë,

“Ka shpërblime shpirtërore përkatëse për të gjitha adhurimet dhe veprat e mira. Shpërblimi përfundimtar ose më kryesor që pret personi i cili agjëron vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut është vetë Allahu.”[4]

Kjo është arseja që gjatë muajit të Ramazanit, përpjekje e veqantë bëhet dhe Muslimanët japin më të mirën e tyre jo vetëm që të jenë të rregullt në namazet me xhemat, por gjithashtu të dedikojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre për të recituar Kuranin dhe për të falur namaze vullnetare.

Në një vend tjetër, Profeti Muhammed sas ka thënë:

“Agjërimi është mburojë. Prandaj, agjëruesi duhet të largohet nga bisedat e papëlqyeshme dhe të pahijshme e nëse dikush grindet me të, ai duhet t’i përgjigjet atij thjesht duke thënë “Jam i agjërueshëm.” Betohem për Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, se era e gojës së agjëruesit është më e dashur te Zoti i Plotfuqishëm se era e myshkut. Zoti i Plotfuqishëm thotë se agjëruesi ka hequr dorë nga ushqimi, pijet, dëshirat dhe lidhjet martesore për hirin Tim. Agjërimi është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të, dhe shpërblimi për devotshmërinë është dhjetëfish.”[5]

Pa marrë parasysh a është i detyrueshëm apo i vullnetshëm, agjërimi ka specifika të veta. Prandaj, muaji i Ramazanit në këto rrethana është një periudhë e trajnimit intensiv që synon vlera të dobishme. Heqja dorë për disa orë çdo ditë gjatë një muaji nga ushqimet dhe pijet e lejueshme të cilat mbështesin jetën dhe marrëdhëniet intime bashkëshortore, të cilat sigurojnë vazhdimësinë e jetës njerëzore, është një ushtrim mjaft i vlefshëm për të fituar durim dhe qëndrueshmëri. Agjërimi bëhet një mjet që siguron pranimin më të madh të lutjeve. Megjithatë, i gjithë qëllimi i një praktike të tillë rigoroze është tërheqja e kënaqësisë së Allahut.

Agjërimi gjithashtu ka një aspekt simbolik. Gjatë agjërimit adhuruesi demonstron që nëse gjatë përmbushjes së detyrës së tij të nënshtrimit të plotë ndaj vullnetit të Allahut, nëse i kërkohet që të vërë jetën e tij në rrezik ose të sakrifikojë interesin e tij apo të pasardhësve të tij, nuk duhet të ngurrojë për të bërë një gjë të tillë. Një zbatim i rreptë i këtillë të rregullave, i praktikuar për një muaj të tërë, çdo vit duhet të sigurojë që pjesëmarrësi gjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit, në mënyrë të vazhdueshme të arrijë përvetësim më të madh të vlerave morale dhe shpirtërore.[6]

Përveç kësaj, pjesës më të pasur të shoqërisë, i mundësohet që duke agjëruar, ajo të përjetojë periudhën e urisë dhe etjes. Prandaj, siç tregojnë edhe transmetimet, se gjatë muajit të Ramazanit, shqetësimi dhe kujdesi i të Dërguarit të Allahut sas për të varfrit, nevojtarët, të sëmurët dhe jetimët, shfaqeshin si një furtunë e papërmbajtshme dhe ndjenjat e tij të mëdha të bamirësisë nuk njihnin kufi.

Thjesht të hequrit dorë nga ushqimi apo pija nuk do të na sjellin asnjë dobi, në qoftë se ne nuk do të rrimë larg nga çdo formë e të folurit gënjeshtra gjatë agjërimit. Profeti Muhammed sas ka thënë:

“Ai i cili heq dorë nga ushqimi dhe pija gjatë periudhës së agjërimit por nuk largohet nga të folurit gënjeshtra, i ka shkaktuar vetes uri dhe etje të panevojshme.” [7]

Fjala që përdoret për gënjeshtrën në arabisht ështëاَلزُّور (Ez-Zur). Përveç kuptimit parësor, kjo fjalë gjithashtu nënkupton: veprat e këqija, mjete të paligjshme, korrupsion, falsifikim, shtirje ose harxhim i kohës në çështje të padobishme.

Është e qartë se  agjërimi është një ushtrim shpirtëror, nëpërmjet të cilit njeriu heq dorë nga gjërat që i do thjesht për të fituar afërsinë e Krijuesit të tij.

Në lidhje me muajin e Ramazanit, Kur’ani Famëlartë thotë:

“Muaji i ramazanit është ai në të cilin u zbrit Kurani si udhërrëfyes për njerëzit dhe me shenjat e qarta që përbëhen nga shpjegimet e udhëzimit dhe çështjet dalluese (të së vërtetës nga e rrema).” [8]

Hazret Mirza Ghulam Ahmedi as sqaron këtë ajet të Kuranit duke shkruar:

“Muaji i ramazanit është ai në të cilin u zbrit Kurani si udhërrëfyes për njerëzit…”. (2:186) tregon madhështinë e muajit të Ramazanit. Sufijtë kanë shkruar se ky muaj është i mrekullueshëm për ndriçimin e zemrës. Ëndrrat e bekuara përjetohen shpesh në këtë muaj. Adhurimi e pastron shpirtin ndërsa agjërimi e ndriçon zemrën. Pastrimi i shpirtit do të thotë që njeriu çlirohet nga epshi i Nefsit Am-mâreh (gjendja morale e njeriut që e nxit për të bërë keq). “Ndriçimi i zemrës do të thotë se për të parë Zotin, na çelet dera e ëndrrave të bekuara.” [9]

Kur ne studiojmë historinë e Islamit shohim se fillimi i shpalljes së Kur’anit Famëlartë filloi në muajin e Ramazanit. Më pas, çdo vit gjatë këtij muaji, engjëlli Xhebraili as i përsëriste pjesët e Kur’anit bashkë me të Dërguarin e Allahut sas që ishin zbritur deri atëherë. Ky proces vazhdoi gjatë gjithë jetës së Profetit sas. Gjatë Ramazanit të fundit në jetën e Profetitsas, Xhebraili as dy herë e kishte përsëritur recitimin e plotë të Kur’anit Famëlartë bashkë me Profetin sas.

Pra, në përputhje me këtë praktikë, muslimanët në mbarë botën i kushtojnë kohë recitimit të Kur’anit gjatë Ramazanit dhe sidomos përpiqen për të përfunduar recitimin e tij të plotë gjatë këtij muaji të bekuar. Një tjetër mjet për plotësimin e recitimit të tij të plotë është nëpërmjet një namazi vullnetar, i cili falet pas namazit të Jacisë gjatë Ramazanit dhe është i njohur si namazi i teravisë. Në këtë namaz, çdo ditë recitohet një nga tridhjetë pjesët e Kuranit nga një Hafiz, dhe kështu, një recitim i plotë i Kur’anit të Madhërishëm mund të arrihet gjatë Ramazanit.

Prapë, në qoftë se dikush të analizojë muajin e shenjtë të Ramazanit, ai do të zbulojë se të gjitha veprimtaritë fetare zgjerohen në mënyrë që një musliman të jetë në gjendje për t’u shtuar dhe përparuar në spiritualitetin e tij.

I Dërguari i Allahut sas ka thënë:

“Kur arrin muaji i Ramazanit, dyert e Xhenetit hapen dhe dyert e Xhehenemit mbyllen, ndërsa djajve u vihet pranga.” [10]

Në një vend tjetër Profeti sas ka thënë:

“Ai që agjëron në muajin e Ramazanit me besnikëri dhe me dëshirën e sinqertë për të fituar kënaqësinë e Allahut të Plotfuqishëm, atij do t’i shlyhen të gjitha mëkatet e mëparshme. Ai që mbetet besnikërisht i zgjuar gjatë natës duke pritur Natën e Kadrit (dmth natën e përcaktimit në të cilën një adhurues dëshmon pranimin e lutjeve) dhe duke kërkuar pëlqimin e Allahut të Plotfuqishëm, atij i falen të gjithat mëkatet e mëparshme.” [11]

Ajo që ne mësojmë nga thëniet e Profetit Muhammed sas është se muaji i Ramazanit është gjithashtu muaj i mëshirës dhe faljes së Zotit, i çlirimit nga mëkatet, i pendimit dhe i mbrojtjes nga forca të djallëzuara. Pra, kur mëshira e Allahut të Plotfuqishëm zbret dhe njeriut i jepet mundësi për të shfaqur fuqinë e të bërit vepra të mira, dhe ato vepra të mira rrjedhimisht arrijnë shkallën e pranimit, atëherë i hapen dyert e Xhenetit. Kjo gjithashtu krijon hallka të pafundme të zhvilimit dhe progresit shpirtëror e moral. Mbani mend! Ai që nuk e ndjek ‘udhërrëfyesin’ e përshkruar për muajin e Ramazanit, nuk do të marrë pjesë kurrë nga bekimet e tij dhe kështu ai dështon siç kishte thënë edhe Profeti Muhammed sas:

“Mjerë për atë person, i cili përjetoi Ramazanin por nuk arriti dot të çlirohej nga mëkati para se të kalonte muaji.” [12]

Për ata që janë të sëmurë apo fizikisht e kanë të pamundur të agjërojnë apo janë në udhëtim, përjashtohen nga agjërimi dhe duhet të japin Fidja-në (që është një kontribut monetar si një mënyrë e shlyerjes, dhe shpenzohet vetëm për mirëqenien e njerëzve të varfër dhe nevojtarëve), me qëllim që edhe ata të përfitojnë nga bekimet e këtij muaji. Personat që mund të plotësojnë ditët e mbetura të agjërimit, duhet të agjërojnë sipas rregullave para se të vijë Ramazani tjetër.

Mesihu i Premtuar as ka thënë:

“Feja që nuk kërkon asnjë mundim e përpjekje, nuk mund të quhet fe.”

Ai as më tutje tha:

“Një person, zemra e të cilit ngazëllehej nga ardhja e Ramazanit, por nuk mundi të agjërojë për shkak të sëmundjes, vlerësohet si i agjërueshëm në qiell”. [13]

Për ta përmbledhur këtë temë, po parashtrojmë një citat nga shkrimet e Hazret Mirza Ghulam Ahmedit, Mesiu i Premtuar as, i cili e përmbledh shkëlqyeshëm të gjithë domethënien e vërtetë të agjërimit. Ai shkruan:

“Duhet të mbahet në mend se agjërimi nuk do të thotë vetëm që një person duhet të privojë veten nga ushqimi dhe pijet për një periudhë të caktuar. Gjatë agjërimit njeriu duhet të angazhojë veten tërësisht në përkujtimin e Zotit. I Dërguari i Allahut sas angazhohej jashtëzakonisht shumë në adhurim gjatë muajit të Ramazanit. Gjatë atij muaji njeriu duhet të heqë dorë nga angazhimet e të ngrënit dhe të pirit, dhe duke e veçuar veten nga këto nevoja, njeriu duhet të përqendrohet plotësisht kah Zoti. I pafat është ai, të cilit i janë dhuruar të mirat materiale dhe ai nuk i kushton vëmendje ushqimit shpirtëror. Ushqimi material ia forcon trupin, ndërsa ushqimi shpirtëror ia mban shpirtin dhe ia mpreh aftësitë shpirtërore. Kërkojeni Mirësinë e Zotit, sepse të gjitha dyert çelen nga Mirësia e tij.” [14]

 

E shqipëroi: Shkëlqim Bytyçi

Referenca

  1. Malik Ghulam Farid M.A, Dictionary of the Holy Qur’an, (2006), f. 343.
  2. Holy Qur’an w/Five Volume Commentary (1988), 239-240.
  3. Kurani Famëlartë, Sureja el-Bakareh, 2:184.
  4. Hazrat Muhammad Zafrullah Khanra, “Fasting: Fourth Pillar of Islam,” The Review of Religions Mar. 1994.
  5. Buhariu, Kitab-us-Saum, Bab-u-Fadl-is-Saum.
  6. Hazrat Muhammad Zafrullah Khanra, “Fasting: Fourth Pillar of Islam,” The Review of Religions Mar. 1994.
  7. Buhariu, Kitab-us-Saum, Bab-u-Malam Jada’ Kaul-az Zure wal-A’mala bihi fi-saum.
  8. Kurani Famëlartë, Sureja El-Bakarah, 2:186.
  9. Hazrat Mirza Ghulam Ahmadas, Gazeta el-Badr, Vëll. 7, f.52
  10. Buhariu, Kitab-us Saum, Babu bal jukala Ramadana aw shahra Ramadan.
  11. Buhariu, Kitabu-Fadle Lailatil-Qadr, Babu Fadle Lailatil-Qadr.
  12. Tirmidhiu, Kitabu-Da’waat ‘Ar-Rasul-il-Allah Salallahu ‘Alayhi Wasallam, Babu Qauli Rasulillahi Salallahu ‘Alayhi Wasallam “Raghima Anfu Rajulin”.
  13. Hazrat Mirza Ghulam Ahmadas, Malfuzat, Vël.2, f.564.
  14. Speeches to Jalsa Salana (1906), 20.

http://reviewofreligions.org/11882/the-spiritual-benefits-of-fasting-2/