
Kryelutje për të kërkuar falje
Hazret Burejdah r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se ai që bën këtë lutje për të kërkuar falje, në mëngjes ose në mbrëmje e nëse vdes atë ditë ose atë natë, hyn në xhenet.
O Allah! Ti je Zoti im. Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Teje. Ti më krijove. Ndërsa unë jam robi Yt. Po mbaj premtimin dhe fjalën time me sa kam mundësi. Më mbro nga e keqja që kam bërë. E pranoj para Teje bekimin Tënd që kam dhe e pranoj para Teje edhe gjynahun tim. Prandaj, më fal mua, sepse askush nuk i fal gjynahet përveç Teje.[1]
Lutje për të kërkuar falje dhe mëshirë
Hazret Ebu Musa Eshariji r.a. na përcjell këtë lutje të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.:
O Zoti im! Më fal gabimet e mia, paditurinë time, teprimin tim në çdo çështje që Ti e di më mirë se unë. O Allah! Më fal gabimet që kam bërë me vetëdije apo pavetëdije, shakatë e mia të padenja dhe çdo gjë që kam bërë!
O Allah! Më fal mëkatet që kam bërë në të kaluarën dhe që do të bëj në të ardhmen, që i kam fshehur apo i kam zbuluar! Ti je Përparuesi, Ti je Tërheqësi dhe për çdo gjë Ti je i Plotfuqishëm.[2]
Një lutje me shumë ndikim për të kërkuar falje
Hazret Hilal Ibni Jesari r.a. ka dëgjuar prej gjyshit të tij që, kushdo që i kërkon falje Zotit me anë të kësaj lutjeje, Allahu do t’ia falë mëkatet, edhe sikur ato të jenë sa shkuma e detit:
I kërkoj falje Allahut. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Atij, të Gjallit, të Qëndrueshmit. Unë kthehem i penduar tek Ai.[3]
Një lutje shumë e bukur për të kërkuar falje për mëkatet
Hazret Xhabiri r.a. tregon: Një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe tha: Mëkatet e mia janë të pafundme! I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e bëri që ta përsëriste tri herë këtë lutje dhe më pas i tha: “Mund të çohesh. Zoti t’i ka falur mëkatet”. Ajo lutje është:
O Allah! Falja Jote është më e madhe sesa mëkatet e mia dhe mëshira Jote është më shpresëdhënëse sesa vepra ime.[4]
Lutje për mëshirë dhe falje
Hazret Ajshja r.a. na përcjell këtë lutje të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.:
O Allah! Më fal, më mëshiro dhe më bashko me Mikun më të Madh.[5]
Shënim: Sipas disa rrëfimeve, në ditët e fundit të jetës së tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vazhdimisht thoshte pjesën e fundit të kësaj lutjeje, që është:
Po shkoj drejt Mikut më të Madh!
Lutje për të kërkuar falje
Hazret Amr Ibni Shuejbi r.a. ka dëgjuar gjyshin e tij duke thënë: Hazret Xhibraili a.s. ishte shumë i gëzuar kur zbriti dhe solli këtë lutje nga qielli. Ai i erdhi Profetit s.a.v.s. dhe i tha: O Muhammed! Allahu i Madhërishëm më ka dërguar me një dhuratë për ty, e cila është një thesar i Arshit në formën e kësaj lutjeje:
O Ti që shfaq të bukurën dhe mbulon të shëmtuarën! O Ti që nuk e kap gjynahqarin dhe nuk e zbulon atë. O Toleruesi më i mirë! O Falës i madh! O Mëshirues krahëhapur! O Shoqëruesi i çdo pëshpëritjeje! O Pikëdorëzimi i çdo ankese! O Bujar në falje! O i Madhërishëm në mirësi! O Nismëtari i bekimeve, përpara se ato të përcaktohen. O Zoti ynë! O Udhëheqësi ynë! O Miku ynë! O Kulmi i dëshirave tona. Të kërkoj, o Allah, të mos ma djegësh trupin me zjarr![6]
Hazret Ajshja r.a. rrëfen: “Një natë, kur nuk e gjeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në shtrat, u shqetësova. Fillova ta kërkoja në errësirë duke prekur me duar andej-këtej dhe më në fund e gjeta, ndërkohë ai ishte në sexhde dhe po bënte këtë lutje:
O Allah! Më fal mëkatet e mia, edhe ato që kam fshehur, edhe ato që kam zbuluar”.[7]
Sipas rrëfimit të Ebu Hurejras r.a., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në sexhdet e tij bënte këtë lutje:
O Allah! Më fal të gjitha mëkatet e mia, edhe të voglat, edhe të mëdhatë, edhe të parat, edhe të fundit, edhe të fshehtat, edhe jo të fshehtat![8]
Hazret Ajshja r.a. rrëfen:
Një natë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. nuk e gjeta në shtëpi. Duke e kërkuar shkova deri në xhami, ku e gjeta në sexhde. Gjunjët i kishte të ngulura në dhé dhe po lutej:
O Allah! Kërkoj mbrojtjen e pëlqimit Tënd nga mospëlqimi Yt; të faljes Tënde nga ndëshkimi Yt. Kërkoj mbrojtjen Tënde prej Teje. Nuk mund ta përmbledh lavdërimin Tënd. Ti je ashtu siç e ke përshkruar Veten Tënde![9]
Hazret Abdullah Ibni Omeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. çdo ditë në mëngjes e në mbrëmje bënte disa lutje. Njëra prej tyre është edhe kjo:
O Allah! Të kërkoj shëndet në këtë botë dhe në përtejbotën. O Allah! Të kërkoj falje dhe shëndet në besimin tim e në botën time, në familjen time e në pasurinë time. O Allah! M’i mbulo dobësitë dhe më dhuro paqe prej shqetësimeve të mia. O Allah! Mbromë nga para e nga mbrapa, djathtas, majtas e nga sipër dhe kërkoj mbrojtjen e madhështisë Sate nga prekja e ndonjë ndëshkimi nga poshtë.[10]
Nëna e besimtarëve, Hazret Umi Selma r.a., rrëfen:
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ma mësoi këtë lutje për ta bërë në mbrëmje:
O Allah! Në ardhjen e natës Sate, në largimin e ditës Sate, në kohën kur më vijnë thirrjet e Tua, në momentet e namazeve për Ty, të kërkoj të më falësh mua.[11]
Një lutje shumë e përulur dhe përgjëruese në fushën e Arafatit
Hazret Abdullah Ibni Abasi r.a. tregon se gjatë haxhit të fundit, në mbrëmjen e Arafatit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri këtë lutje:
O Allah! Ti më dëgjon dhe e sheh gjendjen time. Ti e di të fshehtën dhe të dukshmen time. Asgjë nga gjërat e mia nuk është e fshehur nga Ti. Ndërsa unë jam i varfër, lypës, kërkues i strehimit dhe i ndihmës Tënde, i ndrojtur, i frikësuar dhe pranues i fajit tim. Po të lyp siç lyp një nevojtar. Po qaj para Teje si një mëkatar i poshtër dhe po të lutem siç lutet një i verbër, i frikësuar.
Koka ime është e ulur para Teje, për Ty po më lotojnë sytë, trupi im është gjunjëzuar para Teje dhe për Ty kam vënë hundën në tokë. O Allah! Mos më bëj të pafat kur të lutem Ty dhe trego dashuri e mëshirë ndaj meje, o Ti që je më i miri për t’u lutur dhe më Bujari se kushdo tjetër![12]
Lutje për të kërkuar falje për haxhinjtë e Shtëpisë së Allahut
Hazret Ebu Hurejrah r.a. përmend lutjen e mëposhtme të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që ai kishte bërë për haxhinjtë:
O Allah! Fali haxhinjtë dhe ata, për të cilët haxhinjtë Të kërkuan falje.[13]
Lutje gjatë recitimit të Kuranit Famëlartë për faljen mëkateve
Hazret Ajshja r.a. tregon se pas zbritjes së sures 110 En-Nasr, kurdoherë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e recitoi këtë sure, iu përgjigj ajetit:
“Përkujtoje lavdinë e Zotit tënd dhe kërkoji falje Atij”,
duke thënë:
“I Shenjtë je Ti, o Zoti ynë, me gjithë lavdinë Tënde. O Allah! Më fal mua”.[14]
Lutje për faljen e mëkateve në namazin e natës
Hazret Ajshja r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur zgjohej gjatë natës, bënte këtë lutje:
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. I Shenjtë je o Allah! Të kërkoj falje për gjynahun tim dhe kërkoj mëshirën Tënde! O Allah! Më shto diturinë! Mos më devijo zemrën pasi më ke udhëzuar dhe më dhuro mëshirë prej Vetes! Ti je me të vërtetë Dhuruesi i madh![15]
Hazret Abdullah Ibni Abasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur çohej për namazin e tehexhudit, bënte këtë lutje:
O Allah! E Jotja është lavdia. Ti i bëre të qëndrojnë qiejt, Toka dhe gjithçka që gjendet në to. E Jotja është lavdia. I Yti është sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet në to. E Jotja është lavdia. Ti je drita e qiejve dhe e Tokës dhe e gjithçkaje që gjendet në to. E Jotja është lavdia. Ti je Mbreti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet në to.
E Jotja është lavdia. Ti je i Vërteti. Premtimi Yt është i vërtetë, takimi me Ty është i vërtetë, fjala Jote është e vërtetë, xheneti është i vërtetë, zjarri është i vërtetë, profetët janë të vërtetë, Muhammedi është i vërtetë dhe Ora është e vërtetë.
O Allah! Ty t’u dorëzova, Ty të besova, te Ti u mbështeta, nga Ti anova, me ndihmën Tënde u përballa me armikun dhe Ty të solla çështjen për gjykim. Më fal mua edhe atë që kam bërë më parë, edhe atë që do të bëj, edhe atë që e fsheha, edhe atë që e zbulova. Ti je Nismëtari dhe Përmbyllësi. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje.[16]
Duke treguar rreth lutjeve që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bënte në fillim të namazit të tehexhudit, Hazret Ajshja r.a. thotë se Profeti s.a.v.s. çohej në këmbë dhe thoshte nga 10 herë: Allahu Ekber, Elhamdulil-lah, Subhanallah, Lailaha il-lallah dhe 10 herë kërkonte falje prej Zotit. Më pas bënte disa lutje të tjera.[17]
Hazret Asimi r.a. rrëfen: “Pyeta Hazret Ajshen r.a. se si e fillonte i Dërguari i Allahut s.a.v.s. namazin e natës. Ajo m’u përgjigj: Më ke pyetur për diçka, për të cilën nuk më ka pyetur askush para teje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur çohej për të falur namazin, përsëriste nga 10 herë Subhanallah, Elhamdulil-lah dhe Estagfirullah dhe më pas bënte këtë lutje”:
O Allah! Më fal! Më udhëzo! Më ushqe! Më jep shëndet! Më mbro nga shtrëngimi në ditën e kiametit![18]
Me kërkesën e Hazret Ebu Bekrit r.a. i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mësoi këtë lutje, që ai ta bënte në namaz:
O Allah! Kam shkelur shumë veten time dhe askush nuk m’i fal mëkatet përveç Teje. Andaj më dhuro faljen Tënde dhe më mëshiro! Ti je me të vërtetë Mëkatfalësi, Mëshirëbërësi.[19]
Hazret Shedad Ibni Eusi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bënte këtë lutje në namazet nafile:
O Allah! Po të lutem për qëndrueshmërinë në të gjitha çështjet, për vendosmërinë në sjelljet e drejta. Më mundëso të falënderoj për bekimin Tënd e të të adhuroj Ty në mënyrën më të bukur. Po të lyp zemër të sinqertë, gjuhë të drejtë dhe çdo të mirë që Ti di. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga çdo ligësi që Ti di dhe kërkoj faljen për çdo mëkat timin që Ti di.[20]
Lutje për falje gjatë natës së Kadrit
Hazret Ajshja r.a. e pyeti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: “Nëse gjej Natën e Kadrit, ç’lutje duhet të bëj?” Ai i tregoi këtë lutje:
O Allah! Ti Je Falës, shumë Bujar. Të pëlqen falja. Më fal mua![21]
Lutje gjatë namazit për faljen e mëkateve
Hazret Ajshja r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në rùku e në sexhde bënte edhe këtë lutje:
O Allah! O Zoti ynë! I Shenjtë je Ti me gjithë lavdinë Tënde! O Allah! Më fal mua![22]
Hazret Aliu r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur thoshte tekbirin (Allahu Ekber) për të nisur namazin, lutej me këto fjalë:
E ktheva vëmendjen time duke ia përkushtuar Atij që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe unë nuk jam ndër idhujtarët. Namazi im, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime me të vërtetë janë për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka ortak. Për këtë jam urdhëruar dhe jam ndër të bindurit. O Allah! Ti je Sunduesi. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. Ti je Zoti im e unë robi Yt. I kam bërë padrejtësi vetes dhe e pranoj gjynahun tim. Prandaj, më fal të gjitha gjynahet e mia, sepse askush nuk mund të m’i falë gjynahet përveç Teje.
Udhëzomë për virtytet më të mira, sepse askush nuk mund të më udhëzojë për këtë përveç Teje. Largomë nga veset, sepse askush nuk mund të më largojë nga ato përveç Teje. Kam ardhur te Ti dhe ky nder më erdhi prej Teje. E gjithë mirësia është në duart e Tua, kurse e keqja nuk mund të jetë prej Teje. Jam me Ty dhe vij drejt Teje. Ti zotëron bekime e madhështi. Ty të kërkoj falje dhe te Ti kthehem i përulur.[23]
Hazret Ebu Hurejrah r.a. rrëfen: “Pyeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: “Shoh që qëndroni i heshtur midis tekbirit dhe recitimit të sures El-Fatiha. Çfarë thoni gjatë kësaj kohe?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. më tregoi këtë lutje:
O Allah! Më largo nga mëkatet e mia, ashtu siç e ke larguar Lindjen nga Perëndimi. O Allah! Më pastro nga mëkatet e mia, ashtu siç pastrohet papastërtia nga rroba e bardhë. O Allah! Laji me ujë, borë dhe akull mëkatet e mia![24]
[1]. Buhariu, Kitabud-da’vat, bab ma jekulu idha asbaha.
[2]. Buhariu, Kitabud-da’vat, bab keulin-Nebij s.a.v.s. “Allahumag-firli”.
[3]. Ebu Daud, Kitabul-vitr, bab fil-istigfar.
[4]. Mustadrik Hakim, vëll. 1, f. 728.
[5]. Buhariu, Kitabul-magazi, bab mardin-Nebij s.a.v.s.
[6]. Mustadrik Hakim, Kitabud-dua, vëll. 1, f. 545.
[7]. Muslimi, Kitabus-salat, bab ed-dua fis-suxhud.
[8]. Muslimi, Kitabus-salat, bab ma jekulu fir-ruku, ues-suxhud.
[9]. Po aty.
[10]. Ebu Daud, Kitabul-adab, bab ma jekulu idha asbaha.
[11]. Tirmidhiu, Kitabud-da’vat, bab duai umi salma.
[12]. Maxhmauz-zavaid, Hejthmi, vëll. 3, f. 560; El-Muxhamul-Kebir, lit-Tibrani, vëll. 11, f.174.
[13]. Mustadrik Hakim, vëll. 1, f. 441.
[14]. Buhariu, Kitabut-tefsir, suretun-Nasr.
[15]. Ebu Daud, Kitabul-adab, bab jekulur-raxhul idha ta’ra minel-lejl.
[16]. Buhariu, Kitabut-tehexhud, bab et-tehexhud bil-lejl.
[17]. Nisai, Kitab kijamil-lejl, bab dhikr ma jesteftihu bihil-kijam.
[18]. Nisai, Kitab kijamil-lejl, bab ma dhakara ma jesaftihu bihil-lejl.
[19]. Buhariu, Kitabud-da’vat, bab dua fis-salat.
[20]. Tirmidhiu, Kitabud-da’vat, bab fi men-jekraul-Kur’an endal-manam.
[21]. Tirmidhiu, Kitabut-da’vat, bab 85.
[22]. Buhariu, Kitab sifatis-salat, bab dua fir-ruku.
[23]. Muslimi, Kitabus-salatil-musafirin, bab ed-dua fi salatil-lejli ue kijamihi.
[24]. Buhariu, Kitab sifatis-salat, bab ma jekulu ba’det-takbir.
Image: © Kamelia Ilieva|Shutterstock