Dashuria për Allahun në jetën dhe në vdekjen e Profetit Muhamed a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Dashuria për Allahun në jetën dhe në vdekjen e Profetit Muhamed a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Ngjarjet që tregojnë dashurinë hyjnore të Profetit Muhammed s.a.v.s. janë të panumërta. Në të vërtetë, çdo veprim dhe çdo episod i jetës së tij dëshmon se në zemrën e tij dallgëzonte përherë një oqean dashurie për Allahun.

Dashuria hyjnore e Profetit Muhammed s.a.v.s. e reflektuar në Betejën e Uhudit

Një pamje shumë e fuqishme e kësaj dashurie dhe e këtij zjarrmi shpirtëror shihet qartë në Betejën e Uhudit, ku shfaqet një formë e veçantë, e thellë dhe e jashtëzakonshme e dashurisë hyjnore.

Në një transmetim thuhet se Hazret Bera r.a. rrëfen:

“Në ditën e Uhudit u përballëm me idhujtarët. Profeti s.a.v.s. caktoi një grup shigjetarësh dhe emëroi Hazret Abdullahun r.a. si komandant të tyre. Ai i porositi duke theksuar:

‘Mos u largoni nga vendi juaj. Edhe nëse shihni se ne kemi triumfuar ndaj tyre, mos u largoni; dhe edhe nëse shihni se ata po triumfojnë ndaj nesh, mos vini për të na ndihmuar.’”

Pra, qoftë në fitore apo në humbje, ju nuk duhet ta lini vendin tuaj.

Në vazhdimin e ngjarjes, aty ku arrin kulmi i këtij rrëfimi, shfaqet qartë se çfarë zelli të jashtëzakonshëm për dashurinë hyjnore kishte Profeti s.a.v.s. Transmetuesi thotë:

“Kur përplasja u zhvillua, armiku u tërhoq dhe iku, aq sa unë pashë gratë idhujtare duke ikur drejt maleve. Ato kishin ngritur rrobat mbi këmbë dhe byzylykët e tyre në këmbë po shkëlqenin. Atëherë disa myslimanë filluan të thërrisnin:

“Plaçkën e luftës, plaçkën e luftës!”

Hazret Abdullahu r.a., komandanti i shigjetarëve, u përpoq t’i ndalte dhe u tha:

“Profeti s.a.v.s. më ka porositur që të mos lëvizim nga vendi ynë.”

Por ata nuk e dëgjuan. Kur e lanë kodrën dhe u drejtuan për të mbledhur plaçkën e luftës, Allahu u largua prej tyre, domethënë ata nuk e gëzonin më ndihmën e Zotit. Lufta mori kthesë. Armiku sulmoi sërish dhe shtatëdhjetë myslimanë ranë dëshmorë.

Gjatë kësaj kohe, Profeti fisnik s.a.v.s., së bashku me disa sahabë, kishte gjetur strehë në shpatin e malit. Ebu Sufjani u ngjit në një vend të lartë dhe thirri me zë të lartë:

“A është Muhammedi mes njerëzve?”

Profeti s.a.v.s. urdhëroi: “Mos iu përgjigjni.”

Pastaj ai pyeti:

“A është mes jush biri i Ebu Kuhafës?”

Sërish Profeti s.a.v.s. tha: “Mos iu përgjigjni.” Pastaj tha: “A është mes jush Ibn Hattabi, Umeri?”

Kur nuk erdhi asnjë përgjigje, Ebu Sufjani tha:

“Të gjithë janë vrarë. Sikur të ishin gjallë, do të ishin përgjigjur.”

Në këtë çast, Hazret Umeri r.a. nuk arriti të përmbahej dhe thirri:

“O armik i Allahut, ke gënjyer! Allahu e ka mbajtur gjallë atë që do të të poshtërojë ty!”

Atëherë Ebu Sufjani brohoriti: “Lavdi Hubelit!”

Kur e tha këtë, Profeti s.a.v.s. u shqetësua shumë dhe tha: “Përgjigjuni atij!”

Sahabët e pyetën: “Çfarë të themi?”

Ai tha: “Thoni: Allahu është më i Larti dhe më i Madhi!”

Ebu Sufjani tha: “Ne kemi Uzzën, ndërsa ju nuk keni Uzza.”

Profeti s.a.v.s. tha: “Përgjigjuni atij.”

Ata pyetën: “Çfarë të themi?”

Ai tha: “Thoni: Allahu është Ndihmëtari ynë, ndërsa ju nuk keni asnjë ndihmës.”

Pra, kur u prek çështja e nderit të Allahut dhe e dashurisë për Të, Profeti s.a.v.s. nuk u merakos aspak për jetën e tij, duke i urdhëruar sahabët t’i përgjigjeshin armikut. Deri më parë, për arsye urtësie dhe strategjie, ai i kishte urdhëruar të heshtnin, por sapo u ngrit slogani i shirkut dhe u cenua madhështia e Allahut, ai urdhëroi menjëherë që të jepej përgjigje.

Profeti s.a.v.s. pranoi poshtërim për vete, por kurrsesi jo për Allahun

Hazret Musleh Maudi r.a. ka shkruar gjithashtu për këtë ngjarje historike. Ai thotë:

“Ata sahabë r.a. që kishin qenë rreth Profetit s.a.v.s. të cilët qenë sprapsur nga kundërshtarët, tani ishin grumbulluar sërish pranë Profetit s.a.v.s.. Ata e morën trupin e tij të bekuar dhe Ubejda bin El-Xherahu r.a., njëri prej tyre, me dhëmbët e tij e nxori me forcë gozhdën që ishte ngulur në kokën e Profetit s.a.v.s.. Nga kjo, Ubejdasë i ranë dy dhëmbë. Pas pak çastesh, Profetit iu kthye vetëdija.”

Siç ju thashë më herët, nga plagët e shumta, Profeti a.s. kishte humbur vetëdijen.

“Sahabët r.a. menjëherë dërguan kumtues në të gjitha anët që t’i mblidhnin muslimanët.”

Pra, armiku e kishte përhapur lajmin se Profeti meadhAllah kishte rënë dëshmor.

“Ata filluan të grumbulloheshin dhe më pas Profeti s.a.v.s. së bashku me ta, shkoi në rrëzë të malit. Ndërkohë erdhi Ebu Sufjani, kryekomandanti i ushtrisë së mohuesve, dhe thirri me zë të lartë:

“Ne e vramë Muhammedin!”

Profeti nuk iu përgjigj, nga droja se armiku nëse zbulonte të vërtetën, do ta sulmonte përsëri dhe muslimanët e plagosur sërish do të bëheshin gjahu i tij. Kur nuk shkoi asnjë përgjigje nga ushtria islame, Ebu Sufjani besoi se mendimi i tij ishte i vërtetë. Pastaj, ai përsëri thirri me zë të lartë:

“E vramë edhe Ebu Bekrin!”

Profeti s.a.v.s. e urdhëroi edhe Ebu Bekrin që të mos i përgjigjej. Pastaj Ebu Sufjani tha:

“E vramë edhe Umerin!”

Umeri ishte një njeri i flaktë dhe donte t’i përgjigjej se me bekimin e Zotit ishin mirë dhe ishin gati për të luftuar edhe një herë, por Profeti s.a.v.s. e ndaloi edhe atë duke i thënë që të mos i fuste në vështirësi muslimanët e tjerë.”

Pra, në atë situatë tejet të brishtë, nëse armiku do të sulmonte sërish, ushtria muslimane do të përballej me humbje të mëdha.

“Mohuesit tashmë ishin të bindur që kishin vrarë themeluesin e Islamit, krahun e tij të djathë dhe atë të majtë. Nga gëzimi, Ebu Sufjani dhe shokët e tij lëshuan parullën:

اُعْلُ هُبَلُ۔ اُعْلُ هُبَلُ۔

“Lavdi i qoftë idhullit Hubul, Lavdi i qoftë idhullit Hubul!”.

Profeti Muhammed s.a.v.s., që deri në atë çast kishte heshtur e madje i kishte ndaluar të flisnin edhe Ebu Bekrin e Umerin, në mënyrë që ata pak muslimanë të lënduar që kishin mbetur të mos martirizoheshin, nga kjo parullë e mohuesve nuk e përmbajti veten dhe me zë të lartë u kërkoi sahabëve: “Pse nuk po i përgjigjeni?”. Ata thanë: “Si t’i përgjigjemi o i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?” Për t’u treguar se ata po gënjenin dhe lavdia nuk i takonte Hubulit, Profeti s.a.v.s. i urdhëroi që të thërrisnin:

اللَّهُ أَعْلَى وَأَجَلُّ! اللَّهُ أَعْلَى وَأَجَلُّ!

“Allahu është më i Larti dhe më i Nderuari; Allahu është më i Larti dhe më i Nderuari”.

Në këtë mënyrë, Profeti s.a.v.s. ia dha armikut lajmin që ai ishte ende gjallë. Kjo përgjigje kryelarte dhe e guximshme ndikoi kaq fort në zemrat e mohuesve, saqë ata mbetën të shtangur dhe shpresat e tyre u rrëzuan përnjëherë. Edhe pse para tyre ishte një grusht muslimanësh, të lënduar e të dërrmuar, të cilët, logjikisht, mund të vriteshin fare lehtë, ata nuk e morën dot guximin. Të kënaqur nga aq fitore që kishin marrë, ata u kthyen potershëm në Mekë.”

(“Jeta e Muhammedit s.a.”, Tiranë, 2013, f. 112 – 114)

Profeti s.a.v.s. mbrojti njëshmërinë e Allahut nga çdo shenjë shirku

Profeti Muhammed s.a.v.s., për shkak të dashurisë së tij të thellë për Allahun, nuk lejonte që në asnjë rrethanë të shfaqej qoftë edhe hija më e vogël e shirkut. Në një transmetim thuhet se Hazret Ibn Abasi r.a. rrëfen se një person i tha Profetit s.a.v.s.:

“Si të dojë Allahu dhe si të duash ti.”

Profeti s.a.v.s. reagoi menjëherë dhe tha:

“Më paske barazuar mua me Allahun!”

Pastaj shtoi: Thuaj ‘si të dojë vetëm Allahu’. Pra, nuk duhet të lejohet as edhe një nuancë e vogël shirkut. Disa njerëz, nga padituria, përdorin shprehje të tilla si “çfarë të dojë Allahu dhe ti”, ndërkohë që kjo formë shprehjeje është e gabuar. Po, mund të thuhet se “çfarë të dojë Allahu” dhe se “me bekimin e Allahut dhe me lutje” mund të ketë do të ketë bekim, sepse kjo hyn në kufijtë e lutjes. Por të thuash “çfarë të duash ti”, është gabim, sepse vetë Profeti s.a.v.s. e ka kundërshtuar këtë me ashpërsi.

Paralajmërimi i Profetit s.a.v.s. kundër adhurimit të varreve

Një shqetësim i vazhdueshëm i Profetit s.a.v.s. ishte që njerëzit të mos i shndërronin varret në vende adhurimi. Fatkeqësisht, sot shohim se ndodh e kundërta: disa myslimanë shkojnë te varret e “shenjëtorëve” dhe fekirëve, bëjnë sexhde dhe i vlerësojnë ato si vende adhurimi, ndërkohë që Profeti s.a.v.s. e ka ndaluar qartë shndërrimin e varreve në xhami.

Hazret Aishja r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s., gjatë sëmundjes së fundit, në të cilën edhe ndërroi jetë, (pra, në momentet e fundit të tij) tha:

“Allahu e mallkoftë hebrenjtë dhe të krishterët, sepse ata i shndërruan varret e profetëve të tyre në faltore.”

Hazret Aishja r.a. thotë:

Sikur Profeti s.a.v.s. të mos e kishte thënë këtë paralajmërim, varri i tij do të ishte lënë i hapur, por kam frikë se njerëzit do ta shndërrojnë atë në faltore. Për këtë arsye, nuk ka asnjë vend të hapur atje. Pra, për këtë arsye u morën masa që të mos ndodhte kjo.

Edhe sot, autoritetet kanë vendosur rrethime dhe barriera për të parandaluar çdo formë shirku. Të paktën këtë punë ata e kanë bërë të saktë, sepse Profeti s.a.v.s. kishte urrejtje të thellë ndaj shirkut.

Shpallja e njëshmërisë së pastër të Allahut dhe refuzimi i çdo përngjasimi me Allahun

Ka një transmetim tjetër që shpalos Njëshmërinë e Allahut. Hazret Ibn Ebi Ka‘bi r.a. rrëfen se idhujtarët i thanë Profetit s.a.v.s.:

“Na trego prejardhjen e Zotit tënd.”

Atëherë Allahu shpalli:

Kul huvallahu ehad. Allahus-samed. (Kurani i Shenjtë, surja 112)Thuaj: Ai është Allahu, i Vetmi. Allahu është i Pavaruri. Ai nuk ka lindur dhe as nuk është lindur, sepse çdo gjë që lind, vdes, dhe çdo gjë që vdes, ka trashëgimtar. Ndërsa Allahu i Lartësuar nuk vdes, nuk ka trashëgimtar dhe nuk ka asnjë të barabartë me Të.

Rrëfimtari thotë: Nuk ka asgjë të ngjashme me Allahun, as të barabartë dhe as të krahasueshme me Të.

Profeti s.a.v.s. nuk linte asnjë rast pa përmendur dhe pa e theksuar Njëshmërinë e Allahut. Nga çdo fjalë e tij pikonte dashuria për Allahun. Çdo situatë, çdo shprehje e tij tregonte se zemra e tij ishte e mbushur plot me dashurinë e Allahut dhe se aty nuk kishte vend për asgjë tjetër.

Edukimi i umetit për ta lidhur çdo bekim vetëm me Allahun

Hazret Zejd bin Khalid Xhuheni r.a. rrëfen se, pas një shiu që ra natën në Hudejbije, Profeti s.a.v.s. u fali njerëzve namazin e sabahut. Pasi e përfundoi namazin, u kthye nga njerëzit dhe tha:

“A e dini çfarë ka thënë Zoti juaj?”

Allahu ua di njerëzve gjendjen e zemrës. Mund të kishin krijuar mendime të ndryshme duke parë shiun. Andaj, Allahu ia tregoi të Dërguarit të Tij. Duke iu përgjigjur pyetjes së Profetit s.a.v.s., njerëzit thanë:

“Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”

Profeti s.a.v.s. tha:

“Allahu thotë: Disa prej robërve të Mi u zgjuan si besimtarë ndaj Meje, ndërsa disa tl tjerë si mohues.”

Ai shpjegoi se ata që thanë: “Na ra shi me bekimin dhe mëshirën e Allahut”, janë besimtarë ndaj Allahut dhe mohues të yjeve. Ndërsa ata që thanë: “Ra shi për shkak të filan ylli”, janë mohues ndaj Allahut dhe besimtarë ndaj yjeve.

Në atë kohë, adhurimi i yjeve ishte i përhapur dhe disa njerëz, për shkak të edukimit të mangët, e lidhnin shiun me yjet.

Kështu, Allahu i Madhërishëm i tha Profetit s.a.v.s. – O Muhammed, (s.a.v.s.), ashtu siç ti e kupton më së miri njëshmërinë e Allahut, mësojua edhe besimtarëve të tu se me çfarë hollësie ata duhet ta pranojnë njëshmërinë e Tij në çdo çështje; të kenë besim dhe bindje të thellë për njëshmërinë e Tij.

Shpëtimi dhe humbja varen nga besimi në njëshmërinë e Allahut

Hazret Xhabiri r.a. transmeton se një njeri erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut, cilat janë dy gjëra që e bëjnë të detyrueshme Xhenetin dhe Xhehenemin?”

Profeti s.a.v.s. u përgjigj:

“Ai që vdes duke mos barazuar asgjë me Allahun, do të hyjë në Xhenet. Ndërsa ai që vdes duke barazuar dikë a diçka me Allahun, do të hyjë në zjarr.”

Kjo përgjigje është e mjaftueshme edhe sot për këdo që pyet se çfarë është shirku.

Shirku i fshehtë dhe rreziku i mbështetjes në shkaqe

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka shpjeguar se shirku nuk është vetëm adhurimi i hapur i dikujt tjetër përveç Allahut, por edhe mbështetja e tepruar në shkaqe:– mbështetja në vetvete,– mbështetja në aftësitë personale,– mbështetja në pasuri,– mbështetja në familje, fis apo fëmijë.

Çdo gjë në të cilën njeriu mbështetet duke e lënë Allahun në plan të dytë, dhe mbështetet pa e përmendur Allahun, përbën shirk. Prandaj, duhet të bëjmë vazhdimisht vetë-analizë, që të mbrohemi nga shirku dhe të forcojmë dashurinë për Allahun në zemrat tona.

Çfarë është shirku i vogël?

Profeti s.a.v.s. e shpjegoi me detaje shirkun diku tjetër. Në një transmetim, Mahmud bin Lebidi r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s. tha:

“Gjëja për të cilën kam më shumë frikë për ju është shirku i vogël.”

Sahabët pyetën: “O i Dërguari i Allahut, çfarë është shirku i vogël?”

Ai u përgjigj:

“Të bësh diçka për t’u dukur.”

Në Ditën e Gjykimit, Allahu do të thotë: “Shkoni tek ata për të cilët bënit veprat tuaja në dynja, dhe shikoni nëse do të gjeni ndonjë shpërblim prej tyre.”

Veprat e bëra për t’u dukur, për të kënaqur njerëzit dhe jo Allahun, janë thellësisht të urryera nga Allahu, sepse ato nuk burojnë nga sinqeriteti dhe dashuria për Të.

Prandaj, edhe ne duhet të bëjmë vetë-kontroll të thellë në këtë mënyrë mbi veprat tona, sepse në botën tjetër nuk do të na vlejë asnjë ndërmjetësim i rremë. Ajo që ka vlerë është vetëm bekimi i Allahut, ndjekja e Sunetit të Profetit s.a.v.s., bindja dhe pasimi i tij. Sepse vetë Allahu ka thënë:

“Fat-tebi‘uni juhbibkum Allah.” Pra, Allahu e urdhëroi Profetin të deklarojë (“… më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë ju”.) (Kurani i Shenjtë 3:32)

Xhihadi, maturia dhe përkushtimi i plotë ndaj Allahut

Në një hadith transmetohet nga Hazret Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Allahu i Madhërishëm ka marrë përsipër për atë person që del në rrugën e Tij se ose do ta kthejë atë me shpërblimin dhe me plaçkën e luftës që ka fituar, ose do ta fusë në Xhenet, me kushtin që atë e ka nxjerrë për xhihad, besimi ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarve të Tij”

Pra, ky është kushti që robi të bëjë xhihad për shkak të besimit të fortë në Allah dhe në të Dërguarit e Tij.

Pastaj Profeti s.a.v.s. tha:

“Nëse nuk do të kisha frikë se do ta rëndoja umetin tim, do të shkoja me çdo njësi ushtarake. Dëshira ime është që të vritem në rrugën e Allahut, pastaj të ringjallem, pastaj të vritem përsëri, pastaj të ringjallem dhe përsëri të vritem.”

Këtu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka shprehur hapur dëshirën e tij të thellë për sakrificë në rrugën e Allahut.

Ekuilibri i artë: dashuria dhe maturia; ndjenja dhe arsyeja

Në shpjegimin e këtij hadithi, Hazret Sejid Ualiullah Shah Sahib shkruan:

Fjalët e Profetit s.a.v.s. që:

لَوْلَا أَنْ أَشُقَّ عَلَىٰ أُمَّتِي

“sikur të mos kisha frikë se do ta rëndoja umetin tim” tregojnë se ai tashmë e dinte shumë mirë se sahabët kishin një dëshirë jashtëzakonisht të madhe për ta ndjekur atë në çdo gjë. Shumica e tyre kishin etje të thellë për ta imituar dhe pasuar Profetin s.a.v.s.

Në modelin e tij, në shembullin e tij të përkryer, kishte një forcë të tillë tërheqëse dhe ndikimi, saqë vetë Profeti s.a.v.s. duhej të tregonte kujdes në veprat e tij, që ato të mos merrnin një formë të tillë që ta vinte umetin në vështirësi dhe ngarkesë të tepërt. Nëse ai do ta bënte çdo gjë detyrim, umeti do të binte në vështirësi. Prandaj ai tha se, nganjëherë, nuk vepronte në një mënyrë të caktuar vetëm për të mos e rënduar umetin.

Sejid Ualiullah Shah Sahib shkruan më tej se dashuria e Profetit s.a.v.s. për Allahun ishte e jashtëzakonshme, madje edhe kundërshtarët e tij e përmendnin këtë dashuri me shprehjen:

“Ashike Muhammedun Rabbehu” (Muhammedi ka rënë në dashuri me Zotin e tij), por krahas kësaj dashurie, ai kishte edhe një kontroll të plotë mbi veten dhe arsyen. Arsyeja nuk e la asnjëherë vetëm.

Kjo përmban një mësim të madh për ata që, në veprat e tyre, bien në teprime. Të ecësh verbërisht pas emocioneve nuk është as shenjë e imanit të përsosur dhe as ndonjë virtyt i lartë. Disa njerëz thonë: “Ne kemi ndjeshmëri fetare, do ta bëjmë këtë apo atë.” Por Allahu është i matur dhe i pëlqen gjërat që qëndrojnë në rrugën e mesme. Pikërisht kjo rrugë e mesme është kulmi i mirësisë, sepse në të ka luftë me nefsin. Kështu, këtu bashkohen edhe dashuria për Allahun, edhe përpjekja kundër nefsit.

Profeti Muhammed s.a.v.s., me shembullin e tij, na tregoi një rrugë ku: dashuria për Allahun është në kulm; dëshirat e tij gjithashtu janë në kulm; ndjenja e sakrificës gjithashtu është në kulm; por njëkohësisht ka edhe arsye, maturi dhe ekuilibër, sepse edhe kjo është urdhër i Allahut.

Refuzimi i ndihmës së idhujtarëve dhe mbrojtja e pastërtisë së besimit

Në një transmetim tjetër thuhet se Profeti s.a.v.s. e urrente marrjen e ndihmës nga idhujtarët. Hazret Aishja r.a. rrëfen se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli drejt Bedrit dhe arriti në Harretu’l-Uebra, rreth tre milje në perëndim të Medinës, u takua me një burrë të njohur për guximin dhe trimërinë e tij. Kur sahabët e panë, u gëzuan duke menduar se ai do të bashkohej me ta në luftë.

Ai i tha Profetit s.a.v.s.:

Kam ardhur të shkoj me ty, të marr pjesë dhe të të ndihmoj.”

Profeti s.a.v.s. e pyeti:

“A beson në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij?”

Ai u përgjigj: “Jo.”

Atëherë Profeti s.a.v.s. tha:

“Kthehu, sepse unë nuk marr ndihmë nga një idhujtar.”

Hazret Aishja r.a. tregon se ai u largua, por më pas, kur arritën te Shaxherah, një vend rreth shtatë milje nga Medina, pranë Dhul-Hulejfes, aty ku i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lidhte ihramin, ai erdhi përsëri dhe tha të njëjtën gjë. Profeti s.a.v.s. i tha sërish:

“Kthehu, sepse unë nuk marr ndihmë nga një idhujtar.”

Pastaj ai u kthye edhe një herë dhe e takoi Profetin s.a.v.s. në Bejda, përtej Dhul-Hulejfes, në rrugën mes Mekës dhe Medinës. Edhe aty Profeti s.a.v.s. e pyeti:

“A beson në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij?”

Këtë herë ai tha: “Po.”

Atëherë Profeti s.a.v.s. i tha:

“Atëherë eja, tani mund të vish me ne.”

Kjo tregon se, në çdo rrethanë, dashuria dhe ndjeshmëria ndaj Allahut nuk e lejojnë që të merret ndihmë nga një idhujtar, sidomos për një çështje që bëhet krejtësisht për pëlqimin e Allahut dhe për fenë e Tij.

Frika nga Allahu, istigfari dhe përkushtimi i vazhdueshëm në adhurim

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:

“Shikojeni të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: çfarë njohjeje kishte për Allahun, çfarë kujdesi tregonte dhe sa shumë i druhej Allahut.

Edhe pse ai ishte njeriu më i përsosur, i pastër nga çdo lloj mëkati, dhe Allahu ishte Mbrojtësi i tij, megjithatë ai gjithmonë i druhej Allahut. Ai bënte mirësi mbi mirësi, vepra mbi vepra të larta, pa pushim. Çështja e mëkatit as që mendohej fare për të. Megjithatë, duke marrë parasysh madhështinë dhe pavarësinë e Allahut, ai e shihte veten gjithmonë të varur nga mëshira e Tij dhe vazhdimisht bënte istigfar dhe pendesë.

Hazret Ebu Hurejra r.a. transmeton se:

سَمِعْتُ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَقُولُ: وَاللَّهِ إِنِّي لَأَسْتَغْفِرُ اللَّهَ وَأَتُوبُ إِلَيْهِ فِي الْيَوْمِ أَكْثَرَ مِنْ سَبْعِينَ مَرَّةً.

Ky hadith është marr nga Buhariu.

E kam dëgjuar Profetin s.a.v.s. kur tha: “Pasha Allahun, unë kërkoj falje nga Allahu dhe kthehem me pendesë tek Ai më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë.”

Në gjuhën arabe, numri “shtatëdhjetë” përdoret edhe për të shprehur shumësinë, pra shumë herë, pa numër.

Dashuria e Profetit s.a.v.s. për Allahun ishte e tillë saqë gjuha e tij ishte gjithmonë e angazhuar në përmendjen e Allahut. Hazret Aishja r.a. dëshmon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e përmendte Allahun në çdo gjendje.

Pra siç tregojnë hadithet, dhe siç e shpjegoi edhe Hazret Musleh Maudi r.a., që në çdo çast Profeti e përmendte Allahun.

Dhikri më i lartë dhe thjeshtësia e jetës së Profetit s.a.v.s.

Hazret Semure bin Xhundub r.a. transmeton se Profeti s.a.v.s. ka thënë:“Katër fjalë janë më të mirat nga të gjitha fjalët. Me cilëndo që të fillosh, nuk ka dëm.” Ato janë:

  1. SubhanAllah,
  2. Elhamdulilah,
  3. La ilahe il-lAllah,
  4. Allahu Ekber.

Domethënë:

  1. I pastër nga çdo e metë është Allahu
  2. Lavdia është e Allahut
  3. Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut
  4. Allahu është më i madhi

Këto fjalë janë burim bekimesh dhe mirësish, nëse njeriu i mban gjithmonë parasysh, qoftë duke folur apo duke punuar.

Hazret Abdullah bin Bisr r.a. transmeton se një beduin i tha Profetit s.a.v.s.:

“Rregullat e Islamit dhe veprat e mira janë shumë për mua. Më trego diçka së cilës t’i përmbahem fort.”

Beduinët i bënin edhe pyetje të tilla Profetit s.a.v.s..

Profeti s.a.v.s. i tha:

“Le të mbetet gjuha jote gjithmonë e angazhuar në përmendjen e Allahut.”

Tha:

لَا يَزَالُ لِسَانُكَ رَطْبًا مِنْ ذِكْرِ اللَّهِ عَزَّ وَجَلَّ.

“Le të mbetet gjuha jote gjithmonë e angazhuar në përmendjen e Allahut.”

Në një transmetim tjetër, Hazret Xhabiri r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s. ka thënë:

Dhikri më i mirë është La ilahe il-lAllah dhe lutja më e mirë është Elhamdulilah.”

Në një hadith tjetër, Hazret Ebu Umame r.a. transmeton se Profetit s.a.v.s. ka thënë:

Mua m’u ofrua nga Allahu që lugina e Bet’hasë, në Mekë, të shndërrohej në ar. Por iu luta:

“O Zoti im, më mirë le të jem një ditë i ngopur e një ditë i uritur. Kur të jem i uritur, do të lutem dhe do të të përgjërohem Ty; e kur të ushqehem dhe të ngopem, do të të lavdëroj dhe do të të falënderoj Ty.”

Pra, Profeti s.a.v.s. nuk deshi pasuri, por deshi një jetë, në të cilën gjithmonë ta kujtonte Allahun. Të mos ndodhtë që pasuria e tepërt do ta largonte nga përmendja e Allahut.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka shpjeguar se varfëria dhe thjeshtësia e jetës së Profetit s.a.v.s. nuk ishin për shkak se Allahu nuk i kishte dhënë, përkundrazi, Allahu i kishte dhënë shumë. Por për shkak të dashurisë dhe përmendjes së vazhdueshme të Allahut, ai zgjodhi një jetë të thjeshtë. Megjithatë, ai nuk i mohonte mirësitë: hante edhe ushqime të mira, shijonte begatitë e lejuara dhe për këto e falënderonte Allahun.

Falënderimi i menjëhershëm i Profetit Muhammed s.a.v.s. ndaj Allahut në çdo gëzim

Në një transmetim tjetër thuhet se Hazret Ebu Bekre r.a. rrëfen:

Sa herë që Profetit Muhammed s.a.v.s. i ndodhte diçka e gëzueshme ose i jepej ndonjë lajm i mirë, ai menjëherë binte në sexhde për të falënderuar Allahun.

Falënderimi i vërtetë i takon vetëm Allahut dhe kjo është kërkesa e domosdoshme e dashurisë për Të dhe e adhurimit të Tij: që robi, sapo të përjetojë një mirësi apo gëzim, të përkulet menjëherë para Tij dhe t’i shprehë mirënjohjen Atij.

Dorëzimi i plotë tek Allahu para gjumit

Hazret Bera bin Azib r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Kur të shkosh në shtrat, merr abdes, ashtu siç merr abdes për namaz. Pastaj shtrihu në anën e djathtë dhe bëj këtë lutje.”

Përkthimi i këtyre lutjeve është kjo:

“O Allah! Ty ta dorëzova veten time. Nga Ti e drejtova fytyrën time. Te Ti e solla çështjen time. Te Ti u mbështeta duke shpresuar e duke u druajtur ndaj Teje. Nuk ka strehë dhe nuk ka shpëtim nga Ti përveç Teje. Besova në Librin që ke zbritur dhe në Profetin që ke dërguar.”

Profeti s.a.v.s. shtoi:

“Nëse e lexon këtë lutje dhe atë natë ndërron jetë, do të vdesësh me natyrën e pastër.”

Pastaj tha:

“Bëji këto fjalë fjalët e tua të fundit.”

Transmetuesi thotë se ai tha:

“Do t’i mësoj përmendësh këto fjalë,” dhe, duke i përsëritur, shtoi:

وَبِرَسُولِكَ الَّذِي أَرْسَلْتَ.

“Dhe në të Dërguarin Tënd që ke dërguar.”

Atëherë Profeti s.a.v.s. e korrigjoi dhe i tha:“Jo, thuaj kështu:

وَبِنَبِيِّكَ الَّذِي أَرْسَلْتَ.

‘dhe në Profetin Tënd që ke dërguar’.”

Kujtesa e vazhdueshme e vdekjes dhe gatishmëria për takimin me Allahun

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:

Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk ishte asnjëherë i pavëmendshëm ndaj vdekjes. Frika dhe madhërimi ndaj Allahut ishin aq të thella tek ai, saqë çdo natë flinte me bindjen se ndoshta pikërisht atë natë do të vinte vdekja dhe do të duhej të paraqitej para Allahut.

Prandaj, ai jetonte si një udhëtar që pret trenin në çdo çast. Një njeri i tillë nuk përfshihet në punë që janë të vështira për t’u lënë, sepse mendon se treni mund të niset nga çasti në çast. Kështu edhe Profeti s.a.v.s. ishte gjithmonë gati për të shkuar tek i Dashuri i tij. Çdo frymë që kalonte, ai e shihte si rezultat të bekimit të Allahut dhe e mbante gjithmonë vdekjen para syve.

Lutjet e Profetit s.a.v.s. para gjumit dhe pas zgjimit

Hazret Huzejfe r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s. kishte shprehi që, kur shtrihej në shtrat, vendoste dorën nën faqe dhe thoshte:

“O Zoti im, me emrin Tënd jetoj dhe me emrin Tënd vdes.”

Kur zgjohej nga gjumi, thoshte:

“Lavdia i takon Allahut që na ringjalli pas vdekjes sonë dhe tek Ai është kthimi ynë.”

Nga kjo kuptohet se Profeti s.a.v.s., çdo natë para se të flinte, e mbyllte llogarinë e veprave të tij dhe i lutej Allahut që, edhe nëse vdiste, jeta dhe vdekja e tij të ishin vetëm në emrin e Tij. Kur zgjohej, falënderonte Allahun për mirësinë e Tij, sepse nga ana e vet ai e konsideronte veten të shkëputur nga kjo botë, ndërsa ringjalljen dhe vazhdimin e jetës e shihte vetëm si bekim të Allahut.

Ashtu siç kjo lutje dëshmon se ai e kujtonte vazhdimisht vdekjen, po ashtu edhe lutja pas zgjimit është dëshmi e së njëjtës gjë.

Dorëzimi i plotë tek Allahu në çdo çast të jetës

Në një lutje tjetër shfaqet qartë se Profeti s.a.v.s. e konsideronte çdo çast të jetës së tij si çastin e fundit. Kur shtrihej për të fjetur, ai e zgjidhte përfundimisht çështjen e tij me Allahun, duke u bërë gati për çdo ndryshim.

Hazret Bera bin Azib r.a. transmeton se, kur Profeti Muhammed s.a.v.s. shtrihej në shtrat, ai shtrihej në anën e djathtë dhe thoshte:

“O Zoti im, unë ia dorëzoj shpirtin tim Ty. Tërë vëmendjen time e kthej nga Ti. Çështjen time e vendos në duart e Tua dhe kërkoj strehë tek Ti. Pres të mirën nga Ti dhe i druhem madhështisë dhe pavarësisë Sate. Nuk ka strehë dhe nuk ka shpëtim nga zemërimi Yt përveçse duke kërkuar strehë po tek Ti. Unë besoj në Librin që Ti ke zbritur dhe në të Dërguarin që Ti ke dërguar.”

Këtë lutje ai ua mësoi edhe të tjerëve, por vetë ishte shumë i rregullt në praktikumin e saj.

Llogaria shpirtërore para gjumit: mësimi i madh i Profetit s.a.v.s.

Hazret Musleh Maudi r.a. shkruan:

Tregtarët kur mbyllin dyqanet e tyre në darkë, bëjnë llogaritë për ta parë fitimin dhe humbjen, por kur vjen puna te llogaria me Allahun, shumëkush fle pa e pastruar atë.

Ndërsa Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte një njeri i zgjedhur: nga mëngjesi deri në mbrëmje ai ishte i angazhuar në përmbushjen e detyrave të Allahut, jo vetëm për veten e tij, por edhe duke mbikëqyrur mijëra të tjerë që të përmbushnin detyrimet e tyre ndaj Allahut. Megjithatë, para se të flinte, ai i mbyllte sytë ndaj të gjitha veprave dhe adhurimeve të tij dhe, me përulësi të plotë, qëndronte para Zotit të tij sikur të mos kishte bërë asgjë. Ai nuk flinte derisa ta dorëzonte plotësisht shpirtin e tij në duart e Allahut, derisa të shpallej i lirë nga dynjaja dhe gjithçka që ka ajo, dhe derisa të vendoste dorën e vet në dorën e Allahut.

Dashuria ndaj Allahut dhe vlera e përmendjes së Tij

Në një transmetim thuhet se Hazret Enes bin Malik r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Të ulesh me ata që përmendin Allahun nga namazi i sabahut deri në lindjen e diellit, është më i dashur për mua sesa të liroj katër skllevër nga pasardhësit e Hazret Ismailit; dhe të ulesh me ata që përmendin Allahun nga namazi i ikindisë deri në perëndimin e diellit, është më i dashur për mua sesa të liroj katër skllevër.”

Kjo tregon se, për shkak të dashurisë për Allahun, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u jepte përparësi atyre që e duan Allahun dhe që e përmendin Atë, madje edhe ndaj pasardhësve të Hazret Ismailit, ndaj të afërmve dhe farefisit të tij. Skllavëria e njerëzve mund të durohet, por ndarja nga përmendja e Allahut nuk mund të durohet. Si është e mundur që aty ku përmendet Allahu, ku flitet për dashurinë e Tij, ai të largohet nga ai kuvend? Sa madhështore është kjo dashuri hyjnore! Një dashuri që ai e mbolli te njerëzit dhe që vetë e kishte arritur në kulmin e saj.

Vdekja më e dashur: me gjuhën në përmendjen e Allahut

Pastaj, duke i këshilluar pasuesit e tij që të qëndrojnë gjithmonë të zhytur në dashurinë dhe përmendjen e Allahut, ai tha:

“Veprimi më i dashur tek Allahu është që vdekja jote të të gjejë në atë gjendje që gjuha jote të jetë e angazhuar në përmendjen e Tij.”

Përmendja e Allahut: më e lartë se pasuria dhe lufta

Në një transmetim tjetër thuhet se Hazret Ebu Derda r.a. tregon se Profeti s.a.v.s. ka thënë:

“A t’ju tregoj për një vepër që është më e mira nga të gjitha, më e pastra te Zoti juaj, ajo që i ngrit më së shumti shkallët tuaja dhe që është më e mirë për ju sesa të shpenzoni ar e argjend, madje edhe më e mirë sesa të përballeni me armikun, ku ju t’ua prisni qafat atyre dhe ata t’ua presin qafat juve?” (pra edhe në situatë, ku ndeshesh fort me armikun në fushëbetejë, të cilën quaje xhihad nëse do), por ka diçka më të mirë se kjo:

Sahabët e tij r.a. thanë: “Patjetër që po!”

Atëherë Profeti s.a.v.s. tha:

“Kjo është përmendja e Allahut.”

Pra, përmendja e Allahut është më e madhe se çdo lloj xhihadi. Sot, fatkeqësisht, disa njerëz e quajnë xhihad prerjen e qafave, madje jo të armiqve, por të vetë njerëzve të tyre, gjë që është mëkati më i madh. Ndërsa mësimi i vërtetë është ky që po përmendet këtu.

Përmendja e Allahut: shpëtim nga dënimi

Hazret Muadh bin Xhebel r.a. tregon se Profeti s.a.v.s. ka thënë:

“Nuk ka asgjë që ta shpëtojë njeriun nga dënimi i Allahut më shumë se përmendja e Allahut.”

Pra, nëse ke kujtuar Allahun, Allahu i Madhërishëm të shpëton nga shumë dënime.

Fjalët më të dashura për Profetin s.a.v.s.

Për shkak të dashurisë së tij për Allahun, përkujtimi i Allahut ishte gjëja më e dashur për të Profetin s.a.v.s.. Prandaj në një transmetim thuhet se Hazret Ebu Hurejra r.a. rrëfen se Profeti s.a.v.s. ka thënë:

“Nëse unë them: Subhanallah (I pastër është Allahu), Elhamdulilah (të gjitha falënderimet janë për Allahun), La ilahe il-lallah (nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut) dhe Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi), kjo është më e dashur për mua sesa çdo gjë mbi të cilën lind dielli.”

Kjo ishte ndjenja e dashurisë hyjnore, aq sa edhe në çastet e fundit të jetës, në gjuhën e bekuar të Profetit s.a.v.s. ishte emri i të Dashurit të vërtetë.

Zgjedhja e fundit: Miku më i madh

Për këtë arsye, Hazret Aishja r.a. tregon se Profeti s.a.v.s. thoshte, në gjendje shëndeti, se asnjë profet nuk vdes pa e parë më parë vendin e tij në xhenet; pastaj atij i jepet zgjedhja. (Pra, Hazret Aishja r.a. tha se këtë Profeti e tha në kohën kur gëzonte shëndet. Pastaj, ajo thotë) Kur iu afrua koha e vdekjes së Profetit s.a.v.s., koka e tij e bekuar ishte mbi kofshën time. Ai humbi ndjenjat për një çast, pastaj u përmend, ngriti shikimin nga çatia e shtëpisë dhe tha:

اللَّهُمَّ الرَّفِيقَ الأَعْلَىٰ

“Allahumme er-refik el-a‘la”“O Allah, Miku im më i Madh.”

Ajo thotë: e kuptova se tani ai nuk do të na zgjidhte më ne, por Allahun. E kuptova se kjo ishte ajo për të cilën na kishte folur më parë në kohën kur ishte mirë me shëndet: zgjedhja tani i ishte dhënë dhe ai po zgjidhte Allahun.

Hazret Aishja r.a. tregon se fjalët e fundit që Profeti s.a.v.s. shqiptoi ishin:

اللَّهُمَّ الرَّفِيقَ الأَعْلَىٰ

“Allahumme er-refik el-a‘la.”(“O Allah, Miku im më i Madh.”)

Çastet e fundit dhe përmendja e Allahut

Në një vend tjetër, Hazret Aishja r.a. thotë:

“Një nga mirësitë e Allahut për mua është se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë në shtëpinë time, në ditën time, mes kraharorit tim dhe kockës sime të qafës; dhe se Allahu bashkoi pështymën time me pështymën e tij në çastin e vdekjes.”

Ajo shpjegon:

Abdurrahmani erdhi me një misvak në dorë, ndërsa unë po e mbështesja Profetin s.a.v.s.. Vura re se ai po e shikonte misvakun dhe, duke ditur se atij i pëlqente misvaku, i thashë:

“A ta marr për ty?”

Ai bëri shenjë me kokë se “po”.

Ia dhashë, por ai e ndjeu të fortë.

“A ta zbus për ty?”, i thashë.

Ai përsëri bëri shenjë me kokë që “po”.

E zbuta dhe ia dhashë. (Pra, Hazret Ajshja r.a. e futi në gojë dhe e zbuti misvakun). Para tij kishte një enë me ujë, të vogël ose të madhe (rrëfimtari nuk e ka të sigurt për përmasat e enës); ai e fuste dorën në ujë, e fërkonte fytyrën e tij të bekuar dhe thoshte:

لَا إِلٰهَ إِلَّا اللَّهُ، إِنَّ لِلْمَوْتِ سَكَرَاتٍ.

“Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut; vërtet vdekja i ka vështirësitë e veta.”

Pastaj ngriti dorën dhe tha:

فِي الرَّفِيقِ الأَعْلَىٰ

“Te Miku im më i Madh!”

Më pas dora e tij ra dhe ai ndërroi jetë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Allahu i Madhërishëm i kishte dhënë të Dërguarit s.a.v.s. zgjedhjen në çastet e fundit: nëse dëshiron, qëndro në botë, nëse dëshiron, kthehu tek Unë. Profeti s.a.v.s. iu lut:

“O Zoti im, dua të vij tek Ti.” Fjalët e fundit me të cilat shpirti i tij i pastër u ndaj ishin:

بِالرَّفِيقِ الأَعْلَىٰ

Që do të thoshte:

“Nuk dua të qëndroj më këtu; dua të shkoj tek Zoti im.”

Kështu, ai u paraqit para Allahut të Madhërishëm.

اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَىٰ مُحَمَّدٍ وَعَلَىٰ آلِ مُحَمَّدٍ، وَبَارِكْ وَسَلِّمْ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ.

Allahumme salli ala Muhammedin ve ala ali Muhammed, ve barik ve sellim, inneke hamidun mexhid.

(O Allah, lartëso Muhamedin dhe popullin e Muhammedit, bekoje dhe dërgoji selam atij. Pa dyshim ti i Lavdishëm, i Madhërishëm!)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via