
Profeti s.a.v.s. nuk e pëlqente mizorinë as ndaj kafshëve. Thoshte se një grua nga bijtë e Izraelit ishte ndëshkuar në xhehenem sepse kishte lënë macen të vdiste urie. Po ashtu, thoshte që një njeri nga popujt e mëparshëm u fal prej Zotit vetëm sepse kishte parë një qen të etur, i cili nuk arrinte të pinte ujë nga pusi, pasi nuk i shkonte goja gjer atje, dhe ai kishte nxjerrë këpucën e tij, e kishte futur në pus për ta mbushur me ujë dhe ia kishte dhënë qenit të pinte. Vetëm për këtë mirësi të tij, Zoti i Madhërishëm i kishte falur të gjitha mëkatet e mëparshme.[1]
Abdullah ibni Mesudi r.a. rrëfen:
“Një herë ishim në një udhëtim së bashku me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Udhës pamë dy zogj pëllumbi, të cilët i kapëm. Pas pak erdhi pëllumbesha dhe kur nuk i pa ata, filloi të fluturonte gjithandej si e hutuar. Ndërkohë erdhi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe na pyeti: “Kush ia mori zogjtë kësaj pëllumbeshe? T’i lërë menjëherë që ajo të qetësohet”“.[2]
Përsëri Abdullah ibni Mesudi r.a. rrëfen:
“Një herë pamë një shpellë me milingona. Mblodhëm pak bar të thatë dhe i vumë flakën. I Dërguarit i Allahut s.a.v.s. kur mësoi rreth kësaj, nuk i erdhi mirë dhe na tha që nuk duhej ta bënim”.[3]
Dikur Profeti s.a.v.s. pa që disa njerëz i vinin shenjë një gomari në fytyrën e tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i pyeti se përse e bënin. I thanë që romakët i dallojnë me shenjë gomarët më të mirë. Profeti s.a.v.s. tha:
“Ju mos e bëni këtë gjë. Fytyra është një pjesë delikate e trupit. Nëse patjetër ju duhet t’i vini shenjë, vërini në shpinë”.
Që atëherë, muslimanët u vënë shenja në kurriz kafshëve dhe duke i parë ata, tani edhe europianët veprojnë në këtë mënyrë.
[1] Buhariu, Kitabul-madhalim, bab el-ibar alet-turuk; Buhariu, Kitabul-edeb bab rahmatun-nasi uel-bahaim.
[2] Ebu Daudi, Kitabul-xhihad, bab fi kerahijeti herkil-edu; Ebu Daudi, Kitabul-edeb, bab fi ketliz-zer.
[3] Po aty.