
Libri “Jeta e Muhammedit s.a.v.s. ” është pjesë e librit “Debaça Tefsirul Kuran” (Hyrje në komentimin e Kuranit), të shkruar nga Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi r.a.. “Jeta e Muhammedit s.a.v.s.” është përkthyer në gjuhë të ndryshme. Në gjuhën shqipe e përktheu z. Samad Ghori, ndërsa z. Muhamet Peci dhe z. Rexhep Hasani e redaktuan. Përveç këtyre, për kontributin e dhënë vlen të përmenden edhe z. Shahid Ahmadi, z. Javaid Iqbal Nasiri dhe znj. Kudsia Ghori, të cilët e ndihmuan përkthyesin gjatë krahasimit të tekstit shqip me origjinalin. Allahu i shpërbleftë të gjithë me të mira. Amin
Muhammedi s.a., emri i Profetit të Islamit, edhe titulli i tij shoqërojnë shkurtesat “sa” që përfaqësojnë lutjen në gjuhën arabe “selallahu alejhiveselam”, që do të thotë “paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të”. Emrat e profetëve të tjerë përcillen me shkurtesat “as”, pra “alejhiselam”, që do të thotë “paqja qoftë mbi të”. Kurse shkurtesat “ra ” vijnë pas emrave të sahabëve, të besimtarëve që patën shoqërinë e ndonjë profeti dhe ato përfaqësojnë “radijAllahu anhu/anha/anhum”, domethënë “Allahu qoftë i kënaqur me të/ta”.
Vargu (ajeti)“Bismilahirrahmanirrahim” (Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit) që i referohet Kuranit Famëlartë konsiderohet si ajeti i parë i çdo kapitulli (sureje). Në disa tekste, nuk shënohet si ajeti i parë, dhe lexuesi duhet të ketë parasysh se ajeti i cituar në këtë libër, në tekste të tjera do të gjendet në një ajet më parë.