
Adhurimi i Zotit në shpellën Hira
Profeti Muhammed s.a.v.s. tani i kishte kaluar të tridhjetat. Dashuria ndaj Zotit në zemrën e tij i shtohej vrullshëm, aq sa e detyroi të largohej nga ligësitë, mëkatet dhe çoroditjet e shoqërisë mekase dhe të futej në një shpellë të vogël, që gjendej dy apo tri milje larg qytetit, midis shkëmbinjve, për të adhuruar Zotin e Lartësuar. Hatixhja r.a. i përgatiste ushqim për disa ditë,[1] të cilin ai e merrte me vete, dhe ditë e natë kalonte duke adhuruar Zotin e Lartësuar nën ata dy-tre gurë të shpellës Hira.
Shpallja e parë Kuranore
Profeti s.a.v.s. kishte mbushur moshën dyzet vjeç, kur një ditë po në atë shpellë përjetoi një vizion (keshf), në të cilin ai pa një njeri, që iu drejtua duke thënë: “Lexo!”. “Nuk di të lexoj”, iu përgjigj Profeti Muhammed s.a.v.s.. Ai e përsëriti për herë të dytë, për herë të tretë dhe më në fund e bëri t’i përsëriste këto vargje[2]:
Këto ishin pikërisht ajetet e para të Kuranit që përmes shpalljes i zbritën Profetit Muhammed s.a.v.s..
Kuptimi i tyre është:
o Muhammed, lexoji gjithë botës mesazhin hyjnor në emrin e Zotit tënd që të krijoi ty dhe gjithë krijesat. Është Ai Zot që krijoi njeriun në atë mënyrë që zemra e tij mban farën e dashurisë ndaj Tij dhe ndaj krijesave të Tij. O Muhammed, lexoji gjithë botës që Zoti yt, i Cili është më i Nderuari, është me ty. Ai që krijoi penën për t’ia mësuar dijen njeriut dhe që ka vendosur t’ia mësojë gjërat që ai nuk i di.
Këto pak fjalë të Kuranit Famëlartë i përfshijnë të gjitha mësimet që do t’i zbrisnin Profetit Muhammed s.a.v.s. në të ardhmen. Në të vërtetë, ato mbanin bërthamën e reformimit botëror. Komentimi i tyre do të vijë gjatë komentimit të Kuranit Famëlartë, por këtu ato i kemi përmendur, sepse lidhen me një ngjarje shumë të rëndësishme të jetës së Profetit s.a.v.s., dhe po ashtu, edhe për Kuranin Famëlartë ato përbëjnë një gurthemel. Kur Profetit Muhammed s.a.v.s. iu zbritën këto ajete, ai u frikësua nga barra e rëndë me të cilën po ngarkohej prej Zotit të Lartësuar. Dikush tjetër po të kishte këtë rast, edhe mund të marrosej nga krenaria që Zoti i Plotfuqishëm i paska besuar një punë kaq të rëndësishme. Profeti Muhammed s.a.v.s. dinte të kryente punë, por nuk dinte të krenohej me të. Pas kësaj shpalljeje, i shqetësuar dhe i frikësuar, ai shkoi te Hatixhja r.a.. Kur ajo e pyeti se çfarë i kishte ndodhur, Profeti Muhammed s.a.v.s. ia rrëfeu gjithçka dhe tha: “Si mund ta mbajë këtë barrë një njeri kaq i dobët si unë?” Hatixhja r.a. iu përgjigj:
Pasha Zotin jo! Këtë mesazh Ai nuk ta ka dërguar që të ngelesh i dështuar dhe që Ai të të lërë ty. Si është mundur që Ai të sillet me ty në këtë mënyrë?! Ti je ai që i bën mirësi farefisit, u ngre barrën të vetmuarve dhe të papërkrahurve, ti ripërtërin ato virtyte që ishin zhdukur nga ky vend, ti mirëpret mikun dhe ndihmon të tjerët në kauzat e tyre të drejta. Vallë, a mund ta sprovojë Zoti edhe një njeri të tillë?! [3]
Pastaj, ajo e çoi Profetin Muhammed s.a.v.s. te kushëriri i saj Uerka bin Neufeli, i cili ishte bërë i krishterë. Sa e dëgjoi ngjarjen, ai tha: “Ky është ai engjëll që i kishte zbritur edhe Musaitas”.[4] Ai i referohej paralajmërimit biblik që gjendet në librin Ligji i përtërirë, kapitulli 18, vargu 18.[5] Kur e morën vesh këtë lajm Zejdi, robi i liruar i Profetit Muhammed s.a.v.s., i cili ishte afërsisht tridhjetë vjeç, dhe Aliu, djali i xhaxhait të Profetit, që ishte njëmbëdhjetë vjeç, që të dy iu bindën Profetit s.a.v.s., menjëherë.
[1] Buhariu, Kitab bed’il-uehi, bab kejfa kana bed’a el-uehju.
[2] Kurani Famëlartë 96:2-6.
[3] Buhariu, Kitab bed’il-uehi, bab kejfa kana bed’a el-uehju.
[4] Po aty.
[5] “Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj”. (Ligji i përtërirë 18:18) [Përkthyesi]