Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
dhuna skllav burg

Kundërshtimi nga liderët mekas

Ndërsa shtoheshin gjithnjë e më shumë admirime dhe pëlqime ndaj Profetit s.a.v.s., krerët e Mekës filluan të trembeshin dhe pikërisht kjo frikë ata i mblodhi një ditë për t’u këshilluar me njëri-tjetrin dhe për të kurdisur plane parandaluese. Ata vendosën që talljet e tyre ndaj Profetit s.a.v.s. dhe bashkëmendimtarëve të tij t’i kthenin në mizori, dhunë e bojkotim të ashpër dhe praktikisht vepruan në këtë mënyrë. Meka kishte vendosur të ballafaqohej seriozisht me Islamin, sepse ajo deklaratë “e çmendur” tanimë i dukej një realitetit përparimtar, i cili përbënte rrezik për politikën e krerëve të saj, për fenë e saj, për kulturën e saj, për doket dhe zakonet e saj.

Islami po krijonte një tokë dhe një qiell të ri, përballë të cilave toka dhe qielli i vjetër i arabëve do të rrëzoheshin pashmangshmërisht. Ai nuk ishte më një zbavitje për krerët e Mekës, por bindshëm u bëhej si një çështje për jetë a vdekje. Ata e pranuan sfidën e Islamit, dhe e pranuan me të njëjtin shpirt siç e kishin pranuar kundërshtarët e çdo profeti tjetër të mëparshëm: argumentit të mos i përgjigjeshin me të njëjtën monedhë, por me shtizë e me shpatë; para mirësisë islame të mos tregoheshin të virtytshëm dhe të moralshëm, por të silleshin shpifës dhe gjuhënepërkë.

Edhe një herë nisi në botë një luftë midis islamit (bindjes) dhe mohimit. Edhe një herë ushtritë e djallit iu vërsulën engjëjve. Nga ta gjente forcën vallë ai grusht njerëzish të dobët që t’i bënin ballë kësaj lukunie të egrish! Gratë u vranë në mënyrën më të pahijshme, burrave ua shqyen këmbët më dysh, skllevërit i tërhoqën zvarrë nëpër rërë e zhavorr përvëlues dhe çjerrës, saqë lëkurat e tyre u ishin bërë si ato të kafshëve.

Shumë vonë, gjatë kohës kur Islami mbizotëronte edhe në pjesën lindore edhe në pjesën perëndimore, një herë rastësisht, Hebabit r.a., që ishte një musliman i hershëm, iu zbulua kurrizi. Shokët e tij vunë re që lëkura e tij qenkësh e vrazhdë si ajo e kafshëve dhe e pyetën të befasuar se mos po vuante nga ndonjë sëmundje. Hebabi r.a. qeshi dhe u përgjigj: “Jo, nuk është ndonjë sëmundje. Është një kujtim i asaj kohe kur mekasit vazhdimisht na zvarritnin ne skllevërit e rinj, në rërë dhe zhavorr të ashpër e të nxehtë”.

Dhuna dhe mizoria e mohuesve mekas ndaj skllevërve muslimanë

Skllevërit që e besuan Profetin Muhammed s.a.v.s. ishin nga popuj të ndryshëm. Ndër ta kishte edhe njerëz afrikanë, siç ishte Bilali r.a., edhe romak, siç ishte Suhejbi r.a.. Pastaj, ata nuk ishin vetëm nga një fe, por nga fe të ndryshme.

Për shembull, ishin edhe të krishterë si Xheberi r.a. dhe Suhejbi r.a., ishin edhe nga idhujtarët si Bilali r.a. dhe Amari r.a.. Bilalin r.a. pronarët e tij e shtrinin në rërë përvëluese dhe i vendosnin gur ose lëshonin ca çapkënë t’i shtypnin gjoksin. Bilali r.a. qe një zezak dhe ishte skllav i një pasaniku të Mekës, të quajtur Umeja bin Helef. Gjatë verës, ai e nxirrte Bilalin jashtë Mekës në pikë të zhegut dhe e shtronte të zhveshur në rërë përvëluese, i vinte përsipër gurë të mëdhenj e të nxehtë dhe i thoshte:

“Pranoje Latin dhe Uzzanë si zota dhe distancohu nga Muhammedi!”

Por ai thoshte vetëm

“Ahad! Ahad!”,[1]

domethënë Allahu është vetëm një, Allahu është vetëm një. Umeja zemërohej edhe më shumë. I vinte litar në qafë dhe ia dorëzonte vagabondëve, të cilët i porosiste që ta tërhiqnin zvarrë nëpër rrugicat e Mekës. Ai bëhej gjak nga koka gjer në këmbë, por vazhdonte të thoshte “Ahad! Ahad!”, “Zoti është një, Zoti është një”.

Shumë vonë kur Zoti i Lartësuar u mundësoi paqe muslimanëve në Medinë, kur ata gjetën lirinë për të adhuruar Zotin, Profeti s.a.v.s. Bilalin e caktoi për të thirrur ezanin. Skllavi i dikurshëm afrikan, në vend të fjalëve “Esh-heduanla ilaha il-lallah”, shqiptonte “Es-heduanla ilaha il- lallah”, atëherë disa njerëz medinas që nuk dinin se çfarë kishte hequr ai, qeshnin.

Një herë Profeti s.a.v.s. e pa vetë sesi njerëzit qeshnin për ezanin e Bilalit. Ai iu drejtua atyre duke thënë: “Juve ju vjen për të qeshur nga ezani i Bilalit, por Zoti i Lartësuar gëzohet në Arsh kur e dëgjon atë”. Padyshim, Profeti s.a.v.s. donte t’u shpjegonte se ata mund të vinin re që ai nuk mund të shqiptonte dot sh-në dhe në vend të saj thoshte s-në. Ç’rëndësi kishte sh-ja dhe s-ja? Zoti i Madhërishëm e shihte Bilalin edhe atëherë kur mekasit e shtrinin me kurriz të zhveshur në rërë përvëluese, ndërsa mbi gjoksin e tij hidheshin me gjithë opingat dhe e pyesnin: “Hë, a je në rregull tashti?!”, por ai vetëm murmuriste “Ahad! Ahad!” dhe në këtë mënyrë vazhdonte të lëshonte parullat e njëshmërisë së Zotit duke dëshmuar besnikërinë e tij ndaj Zotit të Vetëm dhe duke treguar vendosmërinë e tij në këtë besim. Prandaj, shqiptimi i tij “Es-hedu”, padyshim që ishte shumë më i çmueshëm sesa shqiptimi i rregullt “Esh-hadu” i shumëkujt.

Ebu Bekri r.a. nuk qëndroi dot heshtur kur e pa mizorinë që i bëhej Bilalit. Ai ia pagoi pronarit të tij çmimin që kërkonte dhe e liroi atë.

Në të njëjtën mënyrë, Ebu Bekri r.a. liroi me paratë e tij shumë skllevër të tjerë, ndër të cilët ishte Suhejbi, i cili më vonë duke bërë tregti u bë një ndër të pasurit e Mekës. Por edhe atëherë, kur ishte i pasur dhe i liruar, kurejshët e rrihnin pa pushim gjersa ai humbte ndjenjat. Kur Profeti Muhammed s.a.v.s. mërgoi në Medinë, edhe Suhejbi donte të mërgonte pas tij. Por mekasit e ndaluan dhe thanë: “Ti ke fituar gjithë këtë pasuri duke qëndruar në Mekë, atëherë si mund ta marrësh jashtë me vete! Nuk të lejojmë që të dalësh nga Meka”. “Po nëse t’jua lë këtu pasurinë time, a do të më lejoni të largohem?”, i pyeti Suhejbi. Ata e pranuan, ndërsa Suhejbi ia dorëzoi gjithë pasurinë e tij banorëve të Mekës dhe duarbosh mërgoi në Medinë.

Kur e takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. atje, ai i tha: Ky pazari yt o Suhejb, padyshim ka qenë më i mbarë se të gjitha pazaret e tua të mëparshme! Më përpara merrje para duke bërë pazar për gjërat e tua, por tani me ato para ke fituar besimin.

Shumica e skllevërve u treguan të patundur para mizorive, si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht, por ishin edhe disa që fizikisht u treguan të dobët. Një herë, Profeti s.a.v.s. po kalonte pranë një skllavi që quhej Amar r.a., ndërkohë ai qante me dënesa dhe fshinte lotët. “Çfarë të ndodhi?”, e pyeti Profeti s.a.v.s. “Gjëmë e madhe!”, tha Amari, “ata më rrahën dhe më lënduan pa pushim dhe nuk më lanë derisa më nxorën fjalët nga gjuha ime kundër teje o i Dërguari i Allahut dhe të mbaj anën e hyjnive”. Ai e pyeti: “Çfarë ndieje në zemër kur i thoshe këto fjalë?!” “Një besim të patundshëm”, tha Amari. “Nëse zemra të ishte bindur ty, atëherë Zoti i Lartësuar do të ta falë këtë dobësi”, e ngushëlloi ai.[2] Mohuesit e shqetësuan tej mase edhe Jasirin dhe Sumejanë, babanë dhe nënën e Amarit. Ndërsa po i lëndonin një ditë, pranë tyre kaloi Profeti Muhammed s.a.v.s. u hidhërua shumë kur e pa atë pamje dhe u tha atyre:

dhuna“Bëj sabër o familje Jasir, Zoti ju ka përgatitur xhenet juve!”,[3]

paralajmërim ky që do të plotësohej vetëm pas pak ditësh, kur Jasiri do të ndërronte jetë duke marrë goditje të vazhdueshme nga kundërshtarët, pastaj shënjestër e mizorive të tyre do të bëhej edhe bashkëshortja e tij e moshuar Sumeja. Një ditë, Ebu Xheheli i tërbuar e sulmoi Sumejanë në kofshën e saj me shtizë, e cila ia përshkoi edhe barkun dhe ajo duke u përpëlitur dha jetë.[4]

Zanbira gjithashtu ishte një skllave, të cilën Ebu Xheheli e rrahu kaq shumë, saqë asaj iu verbuan sytë.[5]

Ebu Fekiha ishte skllav i Safuan bin Umajas, dhe ky i fundit bashkë me familjarët e tij e shtrinin atë në rërë të nxehtë dhe i vendosnin gurë të rëndë, ashtu të nxehtë në gjoksin e tij, derisa i dilte gjuha nga goja. E njëjta ka qenë edhe gjendja e skllevërve të tjerë.[6]

Padyshim që kjo mizori çnjerëzore, përtej qëndresës njerëzore, u bëhej atyre që nga jashtë ishin njerëz, por nga brenda ishin engjëj. Kurani Famëlartë po i zbritej Profetit Muhammed s.a.v.s. jo vetëm në veshët e në zemrën e tij, në të vërtetë, Zoti fliste edhe në zemrat e besimtarëve. Realisht, asnjë fe nuk mund të ngrihet derisa nuk ngrihet zëri i Zotit edhe në zemrat e besimtarëve të saj të parë. Kur njerëzit i braktisin, kur të afërmit e tyre ua kthejnë shpinën, Zoti i Lartësuar u thotë në zemër: Unë jam me ju; atëherë të gjitha sfilitjet, u bëhen rehati, sharjet u shndërrohen në lutje, gurët u duken melhem. Sa shtohej kundërshtimi, shtohej edhe besimi. Mizoria arriti kulmin e saj, por edhe sinqeriteti kapërceu të gjitha modelet e gjeratëhershme.

Tortura ndaj muslimanëve të lirë

Edhe muslimanët e lirë nuk i kishin shpëtuar kësaj shtypjeje të egër. Të moshuarit dhe krerët e fiseve të tyre u shkaktonin shqetësime në mënyra të ndryshme. Osmani r.a. ishte afër të dyzetave dhe ishte njeri i pasur, megjithatë, kur kurejshët vendosën për të ushtruar dhuna kundër muslimanëve, Hakemi, xhaxhai i tij, e lidhi Osmanin r.a. me litar dhe e rrahu pamasë.

Zubejr bin el-Avami ishte një djalosh trim. Gjatë kohës së fitoreve të Islamit, ai e provoi veten si një gjeneral i kalitur. Zubejrin e shqetësonte tej mase xhaxhai i tij, i cili e mbështillte atë në një qilim dhe lëshonte tym nga poshtë derisa t’i zihej fryma dhe e pyeste: “Akoma nuk do të heqësh dorë nga Islami?” Por, ai i duronte të gjitha torturat e nuk dorëzohej dhe thoshte që derisa e kishte njohur të vërtetën, s’kishte si ta mohonte atë.

Ebu Dheri ishte një njeri që vinte nga fisi Gefar. Ai kishte dëgjuar që dikush në Mekë kishte pretenduar të ishte profet. Për të hulumtuar më shumë, erdhi në Mekë, ku banorët u përpoqën t’i kthenin mendjen duke i thënë se Muhammedi( s.a.v.s.) është i afërm i tyre dhe se ata e dinë shumë mirë që është vetëm një batakçi. Por, Ebu Dheri nuk u dorëzua dhe pas shumë përpjekjeve përfundimisht erdhi te Profeti Muhammed s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e njohu me mësimet e Islamit, të cilat ai i pranoi menjëherë, por njëkohësisht i kërkoi: “A prish punë nëse për pak kohë unë të mos i tregoj popullit tim që jam bërë musliman?”. Profeti Muhammed s.a.v.s. iu përgjigj me pohim duke thënë se nuk do të kishte ndonjë problem nëse heshtja e tij do të ishte e përkohshme. Me këtë leje Ebu Dheri u nis për t’u kthyer në fisin e tij. Tashmë e kishte mbledhur mendjen që derisa të forcohej, nuk do t’i tregonte askujt për Islamin e tij. Mirëpo, gjersa po kalonte nëpër rrugicat e Mekës, pa që krerët e qytetit thoshin fjalë fyese ndaj Islamit, të cilat ai nuk i duroi dot, madje e harroi edhe vendimin që kishte marrë pak çaste më parë dhe pa u përmbajtur deklaroi para tyre:

dhuna - shahadetiDëshmoj që Zoti është një dhe Ai nuk ka asnjë ortak dhe dëshmoj që Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij.

Me të dëgjuar këtë, të gjithë u ngritën dhe e rrahën barbarisht. Ebu Dheri kishte humbur ndjenjat, por mizorët vazhdonin ta rrihnin pamëshirë. Ndërkohë erdhi Abasi r.a., xhaxhai i Profetit Muhammed s.a.v.s., i cili deri atëherë nuk ishte bërë musliman. Ai i këshilloi që duke e torturuar Ebu Dherin në këtë mënyrë, ata vetëm vetes do t’i sillnin dëm, sepse gjithë karvanët e tyre me drithëra, në Mekë vinin duke kaluar nga fisi i Ebu Dherit, andaj, nëse fisi Gefar do të zemërohej, Meka do të vdiste urie. Vetëm atëherë ata e lanë të lirë. Ai pushoi një ditë në Mekë dhe të nesërmen sërish kaloi nga i njëjti kuvend, ku në fakt, përditë flitej kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Ebu Dheri eci më tutje dhe shkoi edhe në Qabe, edhe atje po bëhej e njëjta bisedë. Ai përsëri u ndal dhe, si një ditë më parë, edhe tani deklaroi për besimin e tij në njëshmërinë e Zotit dhe njerëzit sërish iu vërsulën dhe e sfilitën. Kjo ndodhi edhe ditën e tretë,[7] e pastaj ai u kthye në fisin e tij.


[1]  Siret Ibni Hisham, vëll. I, Egjipt, 1936, f. 339-340.
[2]  Esadul-Gabah, vëll. IV, Rijad, 1286 Hixhri, f. 44.
[3]  Siret Ibni Hisham, vëll. I, Egjipt, 1936, f. 342.
[4]  Esadul-Gabah, vëll. V, Rijad, 1280 Hixhri, f. 481.
[5]  Po aty.
[6]  Es-siratul-Halabija, vëll. I, Egjipt, 1932, f. 334.
[7]  Buhariu, Kitab manakibil-ensar, bab islami Ebi Dherr Gefari.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp