
Rifillimi i dhunës nga mekasit
Siç u përmend pak më lart që dy apo tre muaj pas mërgimit, kur mekasit u qetësuan, krijuan një front të ri për ta kundërshtuar Islamin. Gjatë këtyre ditëve, Sad bin Muadhi r.a. kryetari i fisit Eus të Medinës vizitoi Mekën për të bërë tevaf rreth Qabes. Ebu Xheheli u zemërua kur e pa dhe tha: “Ju kujtoni që mund t’i bëni tevaf Qabes me kaq lehtësi, edhe pas strehimit të atij renegati (Profetit Muhammed s.a.v.s.)! Kujtoni që jeni të fuqishëm për ta mbrojtur dhe për ta ndihmuar atë?! Për Zotin! Po të të mos shoqëronte ty Ebu Sufjani, ti kurrsesi nuk do të ktheheshe në shtëpinë tënde!”
Sad bin Muadhi r.a. iu përgjigj:
“Pasha Allahun! Nëse na pengoni të vizitojmë Qaben, mbajeni mend, nuk do të keni paqe edhe ju në rrugën tuaj për në Siri”.
Gjatë këtyre ditëve, Uelid bin Mughira, njëri ndër krerët e Mekës, lëngonte në shtrat. Ai e ndiente që i ishte afruar vdekja. Një ditë, teksa ishin ulur pranë tij krerët e Mekës, ai shpërtheu në lot. Shokët e tij u çuditën dhe e pyetën se pse po qante. Uelidi tha:
“A kujtoni që po qaj nga frika e vdekjes?! Për Zotin, jo! Mua më pikëllon dyshimi që mos vallë feja e Muhammedit do të përhapet dhe, edhe Meka do të pushtohet nga ai!”
“Mos u shqetëso”, i tha Ebu Sufjani, “derisa të jemi gjallë, kjo nuk do të ndodhë. Ne ta garantojmë këtë”.
Këto zhvillime provojnë se armëpushimi mekas kundër muslimanëve ishte i përkohshëm. Mekasit po ngërmonin njëri-tjetrin kundër muslimanëve. Edhe ata krerë që lëngonin në shtratin e vdekjes, u merrnin premtime bashkatdhetarëve të tyre për kundërshtimin që duhej bërë ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.. Bëheshin përpjekje për ta bindur edhe popullin e Medinës që ta luftonin atë. Madje, medinasit kërcënoheshin se nëse do të refuzonin ta sulmonin Profetin s.a.v.s., mekasit, me gjithë aleatët e tyre, do t’i sulmonin, do t’i vrisnin burrat dhe gratë do t’i bënin skllave.
Masat mbrojtëse nga ana e Profetit Muhammed s.a.v.s.
Në këto rrethana, Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte përgjegjësi të mëdha, andaj nuk mund të rrinte i qetë, por i duhej të merrte masa për ta mbrojtur Medinën. Mu për këtë, ai nisi sahabët e tij me çeta të vogla, në drejtime të ndryshme përreth Mekës, në mënyrë që të informohej për planet e mekasve. Disa herë çetat muslimane ndesheshin me ato mekase dhe përlesheshin me njëra-tjetrën. Sipas historianëve të krishterë, ky ishte një provokim nga Profeti s.a.v.s..
Por dërgimi i grupeve për ta njohur situatën, pas gjithë atij persekutimi trembëdhjetëvjeçar që iu bë muslimanëve në Mekë, pas atyre intrigave të tyre për të krijuar antagonizëm midis muslimanëve dhe medinasve, dhe pas kërcënimeve të tyre për ta sulmuar Medinën, vallë a mund të quhet ngacmim?! Cili ligj i botës i ndalonte muslimanët të shpallnin luftë kundër mekasve pas gjithë barbarisë së tillë trembëdhjetëvjeçare? Vendet perëndimore, që sot e konsiderojnë veten shumë të civilizuar, a mund të fajësojnë ndonjë popull që shpall luftë kundër mizorëve, pasi t’i ketë ndodhur vetëm gjysma e asaj që u ndodhi muslimanëve në Mekë? Kur një shtet detyron popullin e një shteti tjetër të ndërmarrë vrasjen e një bashkësie njerëzish e t’i dëbojë ata nga vendi i tij, atëherë ajo bashkësi e shtypur, a nuk ka të drejtë të shpallë luftë kundër mizorëve?
Realisht, pas vendosjes së qeverisë islame në Medinë, nuk duhej ndonjë arsye më tepër për t’u dhënë muslimanëve të drejtën e luftës. Ngjarjet e Mekës u siguronin mjaftueshëm arsyen dhe të drejtën që ata të shpallnin luftë kundër mekasve. Megjithatë, Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk e bëri këtë. Ai duroi. Njëkohësisht, ai u përpoq nga ana e tij vetëm për të marrë informacione rreth intrigave të armikut. Mekasit i nxitën arabët e Medinës kundër muslimanëve, i ndaluan këta të fundit edhe për në haxh, karvanët e tyre që shkonin në Siri për tregti, në vend që të kalonin nga rruga e tyre e drejtë, filluan të kalonin nga fiset afër Medinës, dhe e gjithë kjo, për t’i nxitur ata kundër muslimanëve.
Në këtë situatë, për mbrojtjen e Medinës, edhe muslimanët e kishin për detyrë që ta pranonin këtë sfidë të luftës që u bëhej nga mekasit vijueshmërisht prej katërmbëdhjetë viteve. Asnjë njeri në botë nuk ka të drejtë të akuzojë dikë që të pranojë një sfidë që i bëhet prej dikujt.