Beteja e Mu'tes dhe profecia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics
Beteja e Mu'tes

Kur Profeti Muhammed s.a.v.s. u kthye nga vizita e Qabes, i kishin filluar t’i vinin lajme që në kufirin e Sirisë, fiset e krishtera arabe, në ndikim të nxitjeve nga hebrenjtë dhe nga mohuesit, po përgatiteshin për të sulmuar Medinën. Profeti s.a.v.s. dërgoi një njësi prej 15 vetash që t’i hetonin pëshpëritjet. Me të mbërritur në kufi, ata panë që me të vërtetë aty po mblidhej një ushtri. Në vend që të ktheheshin e ta njoftonin Profetin s.a.v.s., ata i pushtoi ndjenja e thirrjes drejt besimit, që në atë kohë, ishte shenjë dalluese e një besimtari. Ata vazhduan përpara me guxim, dhe u bënë ftesë që të vinin në Islam.

Por si mund të ndikoheshin nga mësimi i njëshmërisë së Zotit, ata të cilët, duke u ndikuar nga nxitjet e armikut, synonin ta sulmonin e ta fitonin vendin e Profetit s.a.v.s.?! Përkundrazi, pasi e dëgjuan mësimin e Islamit, nga të katër anët, ata ngrehën dhe shkrehën harqet drejt muslimanëve, ndërsa këta të fundit, kur panë që thirrjes së tyre nuk i përgjigjeshin me argumente, por me shtiza, nuk u arratisën dhe nuk e shpëtuan veten nga qindra dhe mijëra ushtarë, por si muslimanë të vërtetë, që të pesëmbëdhjetët, u rreshtuan për t’u ballafaquar me qindra e mijëra, derisa ranë dëshmorë. Profeti Muhammed s.a.v.s. deshi të dërgonte një ushtri tjetër për t’i ndëshkuar ata që bënë një mizori të tillë, por ndërkohë, ai u njoftua që ushtria që ishte mbledhur atje, u davarit, prandaj, për pak kohë, ai e shtyu planin.

Gjatë kësaj periudhe, Profeti Muhammed s.a.v.s. i dërgoi një letër kreut të fisit Gesan, që ishte guvernator i Basrasë, i caktuar nga qeveria bizantine, ose mbase vetë Kejserit të Bizantit. Me gjasë, letra në fjalë përbënte ankesë për ndodhinë e sipërpërmendur, që disa fise siriane përgatiteshin për një sulm në zonat e muslimanëve dhe se ata, pa arsye, vranë pesëmbëdhjetë muslimanë. Letra ishte dërguar nëpërmjet një sahabi të quajtur El-Hereth. Duke udhëtuar drejt Sirisë, ai u ndal në një vend që quhet Mu’te, ku u takua me Serxhilin, një kryetar të fisit Gesan, i cili ishte një autoritar i caktuar prej Kejserit.

Serxhili e pyeti El-Herethin se ku po shkonte dhe se mos ishte ai kumtuesi i Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ai ia tregoi të vërtetën, për të cilën, Serxhili e kapi menjëherë, e lidhi me litar dhe ushtroi dhunë mbi të deri në vdekje. Historia nuk e tregon këtë ngjarje me hollësi, megjithatë, ajo tregon se vrasësi duhet të ishte një ndër krerët e ushtrisë që kishin vrarë pesëmbëdhjetë muslimanët. Pyetjen që i bëri muslimanit, tregon se ai kishte frikë se Profeti Muhammed s.a.v.s. do të ankohej te Kejseri që njerëzit e tij sulmonin muslimanët, prandaj, me siguri, ai ishte trembur se mbreti do ta merrte në përgjegjësi. Kështu, ai ndjeu që shpëtimi i tij do të ishte vetëm nëse e vriste kumtuesin, në mënyrë që të mos transmetohej as kumti, e as të bëhej hetimi. Por, Allahu i Lartësuar nuk lejoi që qëllimet e tij të këqija të plotësoheshin.

Profecia e Profetit s.a.v.s. për betejën e Mu’tes

Profetit s.a.v.s. disi i erdhi lajmi i vrasjes së Herthit r.a.. Për ta dënuar këtë, si dhe vrasjen e mëparshme, ai dërgoi një ushtri drejt Sirisë prej tre mijë muslimanësh, nën komandën e Zejd ibni Harithasë r.a. (që ishte skllav i tij i liruar për të cilin u përmend në jetën mekase të Profetit s.a.v.s.). Profeti s.a.v.s. porositi:

Zejdi do të jetë komandanti i ushtrisë. Por nëse ai martirizohet, Xhafer ibni Ebi Talibi do të marrë vendin e tij. Nëse edhe ai martirizohet, Abdullah ibni Revaha do të bëhet komandant. E nëse edhe ai martirizohet, atëherë muslimanët të zgjedhin njërin prej tyre si lider.

Në kohën kur Profeti s.a.v.s. po jepte këtë porosi, ndër të pranishmit qe dhe një hebre, i cili u shpreh:

“O Ebul Kasim (Muhammed s.a.v.s.)! Nëse je profet i vërtetë, atëherë këta të tre patjetër do të vriten, sepse Zoti i Lartësuar plotëson fjalën që del nga goja e profetëve të Tij”.

Pastaj hebreu iu drejtua Zejdit r.a. dhe tha:

“Po të them të vërtetën. Nëse Muhammedi është profet i vërtetë i Zotit, ti kurrsesi nuk mund të kthehesh i gjallë”. Zejdi r.a. iu përgjigj: “Unë daç të kthehem, daç mos të kthehem, Muhammedi s.a.v.s. është i Dërguari i vërtetë i Allahut”.[1]

Porosia e Profetit s.a.v.s. për ushtrinë

Të nesërmen në mëngjes, ushtria u nis dhe Profeti s.a.v.s. dhe sahabët dolën për ta përcjellë. Ishte hera e parë që gjatë jetës së Profetit s.a.v.s., po shkonte një ushtri muslimane kaq e madhe dhe për një çështje kaq të rëndësishme nën komandën e dikujt tjetër. Profeti s.a.v.s. teksa po ecte me ushtrinë, i jepte këshilla të nevojshme, derisa mbërriti jashtë Medinës, në pikën nga e cila ai kishte hyrë në të, një vend ku zakonisht medinasit vinin për të përcjellë mysafirët e tyre. Profeti u ndal dhe u tha:

“Ju këshilloj të keni takvanë e Allahut dhe të silleni mirë me gjithë muslimanët. Nisuni për luftë me emrin e Allahut dhe luftoni me armiqtë tuaj e të Zotit. Kur do të mbërrini në Siri, atje do të gjeni njerëz që përkujtojnë Zotin nëpër faltore. Mos u përplasni me ta e as mos i trazoni. Në vendin e armikut, mos vritni asnjë grua, as fëmijë, as të verbër, as të moshuar dhe mos pritni as ndonjë pemë e mos rrëzoni as ndonjë ndërtesë”.[2]

Pas këtyre këshillave, Profeti s.a.v.s. u kthye dhe ushtria muslimane u nis drejt Sirisë, ushtri e cila, ishte e para e nisur nga Islami kundër krishterimit.

Martirizimi i Hazret Xhaferit dhe i Abdullah Ibni Revahasë r.a.

Kur ajo mbërriti në kufirin e Sirisë, mori vesh që edhe Kejseri kishte ardhur atje, bashkë me njëqind mijë ushtarë rumë dhe afërsisht po aq ushtarë të fiseve të krishtera arabe. Muslimanët deshën të vendoseshin atje ku ishin e ta njoftonin Profetin s.a.v.s., që ai t’u dërgonte përforcime të reja nëse donte, ose t’i dërgonte ndonjë këshillë. Teksa po diskutohej kjo çështje, Abdullah ibni Revaha r.a. u çua i pasionuar dhe tha:

“O popull, ju ishit nisur nga shtëpitë tuaja për të rënë dëshmorë dhe tani po frikësoheni pikërisht nga kjo gjë. Ne nuk luftojmë me njerëzit për shkak të forcës dhe numrit tonë, por luftojmë me armiqtë për ta ndihmuar atë fe, që Zoti i Lartësuar na e ka zbritur. Çfarë do të ndodhë nëse armiku është i shumtë në numër! Në fund të fundit, ne patjetër do të kemi njërën prej dy të mirave: ose do t’i mbizotërojmë, ose do të biem dëshmorë në rrugën e Zotit”.

Njerëzit kur e dëgjuan, thanë se Ibni Revaha r.a. kishte shumë të drejtë. Menjëherë u dha urdhri për të marshuar përpara. Kur vazhduan më tutje dhe panë që ushtria bizantine po u vinte përballë, u rreshtuan në vendin e quajtur Mu’te. Beteja u ndez. Shumë shpejt, Zejd ibni Haritha r.a., komandanti i muslimanëve u vra dhe flamurin e ushtrisë e mori Xhafer ibni Ebi Talibi r.a., djalë i xhaxhait të Profetit s.a.v.s.. Xhaferi r.a. kur pa që ushtria e armikut po gëlonte drejt muslimanëve, të cilët, për shkak të numrit të tyre të vogël, nuk do të mund t’i bënin ballë, si një luan i ndërsyer ai u hodh nga kali i tij dhe ia preu këmbët:

të paktën unë nuk do të arratisem nga kjo fushëbetejë, sepse parapëlqej vdekjen sesa arratinë,

ishte ky mesazhi që Xhaferi r.a. u dha të gjithëve me veprimin e tij. Në fakt, kjo ishte një praktikë arabe. Ata ia pritnin këmbët kuajve, në mënyrë që kuajt, duke mos pasur kalorësin e vet, të mos vraponin si të tërbuar e të mos çrregullonin ushtrinë. Pas një luftimi të shkurtër, Xhaferit iu pre dora e djathtë, por ai vazhdoi ta mbante flamurin, me dorën e majtë. Kur ia prenë edhe atë, ashtu me krahët e gjymtuar e mbështolli flamurin me gjoksin e tij dhe qëndroi në fushëbetejë, derisa u martirizua. Atëherë, sipas porosisë së Profetit s.a.v.s., Abdullah ibni Revaha r.a. e mori flamurin dhe vazhdoi të luftonte me armikun gjersa ra dëshmor edhe ai. Në këtë situatë tejet të vështirë, muslimanët as nuk kishin mundësi të këshilloheshin për të caktuar ndonjërin prej tyre si komandant, nën trysninë e fortë të ushtrisë së fundbotshme të armikut, ata gati do ta linin fushëbetejën, kur dikush e nxiti Halid ibni Uelidin r.a. të dilte përpara. Ai e mori flamurin dhe vazhdoi të luftonte me armikun deri në muzg.

Halidi si “shpata e Allahut”

Të nesërmen Halidi r.a. doli me ushtrinë e tij, të dërrmuar e të plagosur, për t’u ballafaquar sërish me armikun. Por, atëherë ai përdori një taktikë: pjesën e prapme të ushtrisë e kaloi para dhe të përparmen e kaloi mbrapa; të djathtën në të majtë e të majtën në të djathtë dhe kështu, duke këlthitur e bërtitur, muslimanët dolën në atë mënyrë që armiku të kujtonte se atyre u erdhën përforcime. Kundërshtari filloi të sprapsej, kështu që Halidi r.a. e shpëtoi ushtrinë islame dhe e solli në Medinë.[3]

Lajmin e kësaj ngjarjeje, përmes shpalljes hyjnore, Zoti i Lartësuar ia kishte treguar të njëjtën ditë Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ai mblodhi të gjithë muslimanët në xhami. Pasi hipi në mimber, i lotuan sytë. Ai tha:

“O njerëz, dua t’ju njoftoj rreth luftëtarëve të betejës. Ata u nisën nga këtu dhe u rreshtuan përballë armikut. Gjatë betejës, së pari u vra Zejdi, prandaj, lutuni për të. Pas tij, flamurin e mori Xhaferi dhe e sulmoi armikun, gjersa u vra edhe ai, prandaj, lutuni edhe për të. Pastaj, flamurin e mori Abdullah ibni Revaha dhe drejtoi ushtrinë me trimëri të jashtëzakonshme, por edhe ai u martirizua, prandaj, lutuni edhe për të. Pas tij Halid ibni Uelidi e mori flamurin, të cilin unë nuk e kisha caktuar si komandant. Ai vetë e mori përsipër këtë detyrë, megjithatë, u shfaq si një ndër shpatat e Zotit. Me ndihmën e Tij, ai do të kthehet i sigurt me ushtrinë muslimane”.

Ishte ky fjalim i Profetit s.a.v.s., që e shqoi Halidin r.a. ndër të gjithë muslimanët me emrin “shpatë e Allahut”.[4] Ngaqë ai kishte pranuar Islamin vonë, disa sahabë talleshin me të, herë me shaka, herë edhe duke u debatuar. Në një rast të tillë, ai u fjalos me Abdurrahman ibni Eufin r.a., i cili iu ankua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. i tha Halidit: “Pse e lëndon atë që i shërben Islamit që nga beteja e Bedrit? Edhe sikur të shpenzosh arin sa mali i Uhudit, nuk mund të gjesh prej Zotit të Lartësuar shpërblimin që ka fituar ai”. Halidi iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., këta më ngacmojnë dhe edhe unë u përgjigjem”. Profeti s.a.v.s. u tha:

“Mos e lëndoni Halidin, sepse ai është një ndër shpatat e Zotit që Ai ka ngrehur për shkatërrimin e mohuesve”.[5]

Ky paralajmërim u plotësua fjalë për fjalë vetëm brenda disa vitesh.

Më në fund, Halidi r.a. e solli ushtrinë në Medinë. Sahabët, që nuk kishin marrë pjesë në këtë betejë, u ngjitën ushtarëve të porsaardhur llagapin “të arratisur”. Me këtë donin t’u thoshin se nuk duhej të ktheheshin, por të vriteshin atje në luftë. Por, Profeti s.a.v.s. tha: “Jo, këta nuk janë të arratisur, por janë ushtarë, që vazhdimisht e sulmojnë armikun”. Me këto fjalë, ai parashikoi luftëra të ardhshme që muslimanëve do t’u duhej të bënin me Sirinë.


[1]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, f. 75.
[2]  Es-siratul-Halabija, vëll. III.
[3]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Egjipt, 1935, f. 75.
[4]  Buhariu, Kitabul-magazi, bab gezueti Mueta.
[5]  Esadul Gabah, vëll. II, Rijad, 1285 Hixhri, f. 94.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp