Beteja e Kadisijes dhe Beteja e Buvejbit | Ngjarje të hollësishme nga jeta e Hazret Omerit r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Beteja e Kadisijes dhe Beteja e Buvejbit | Ngjarje të hollësishme nga jeta e Hazret Omerit r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Gjatë xhumave të kaluara ne po flisnim rreth Hazret Omerit r.a., konkretisht, rreth luftërave dhe betejave që ndodhën gjatë periudhës së tij. Edhe sot do ta vijoj të njëjtën temë.

Beteja e Buvejbit

Lufta e Buvejbit u zhvillua në vitin 13 h., dhe sipas disa historianëve të tjerë, në vitin 16 h.. Në hutben e kaluar ju përmenda Betejën e Urës, që u zhvillua në Xheser, ku muslimanët humbën. Pas kësaj, Hazret Muthenna [El-Muthenna bin Haritheh esh-Shejbani r.a.] e njoftoi Hazret Omerin r.a. rreth betejës. Hazret Omeri i tha lajmëtarit:

“Kthehu te shokët e tu dhe thuaju që ushtria muslimane të qëndrojë aty ku gjendet. Së shpejti do t’u vijnë përforcime.”

Shqetësimi i Hazret Omerit nga humbja në Betejën e Urës

Hazret Omeri r.a. u shqetësua shumë nga humbja e muslimanëve në Betejën e Urës. Ai dërgoi oratorët në të gjithë Arabinë, të cilët me fjalimet e tyre plot patos do të nxisnin mbarë arabët për luftë. Fise më fise filluan t’i bashkoheshin ushtrisë për të marrë pjesë në betejën e ardhshme kombëtare. Nuk ishin vetëm fise muslimane, por edhe ato të krishtera, të cilat morën pjesë në ushtri.

Hazret Omeri r.a. dërgoi një ushtri drejt Irakut. Edhe Hazret Muthenna mblodhi një ushtri nga zonat kufitare të Irakut. Rustemi kur u njoftua për këtë, dërgoi një ushtri të tijen nën komandën e Mehranit për të luftuar kundër muslimanëve.

Të dyja ushtritë u rreshtuan te lumi Buvejb

Hira është një vend që ndodhet tri milje larg Kufës. Pranë Hirës është një lumë që degëzohet nga lumi Eufrat dhe që quhet Buvejb. Pikërisht te ky lumë u rreshtuan të dyja ushtritë. Beteja u zhvillua gjatë muajit të Ramazanit. Më vonë afër këtij vendi do të ndërtohej qyteti i famshëm i Kufës.

“Ta kalojmë ne urën, apo do ta kaloni ju?”

“Ta kalojmë ne urën, apo do ta kaloni ju?”,

pyeti Mehrani, gjenerali iranian, komandantin musliman. Hazret Muthenna iu përgjigj “Kalojeni ju urën!” Muslimanët patën përvojë të hidhur të kapërcimit të urës në betejën e kaluar, ndaj, Hazret Muthenna mendoi të udhës që këtë herë iranianët ta kalonin urën.

Muslimanët flijues me Hazret Muthenna, kryekomandantin e tyre

Hazret Muthenna rreshtoi ushtrinë e tij, duke e ndarë në pjesë të ndryshme dhe duke i caktuar secilës pjesë nga një komandant me përvojë. Hipur në kalin e tij të famshëm, të quajtur Shemus, e survejoi gjithë ushtrinë. Qëndronte te çdo flamur dhe u jepte udhëzime ushtarëve të asaj çete, duke ua nxitur njëherësh patosin për luftë me fjalët e tij të magjepsura. Ai u tha:

“Shpresoj se sot Arabia nuk do të njolloset prej jush. Pasha Zotin! Sot e pëlqej për veten time, të njëjtën gjë që pëlqej për çdo ushtar të thjeshtë mes jush.”

Pra, do të thoshte se jemi të barabartë.

Muslimanët flijues brohoritën fuqimisht duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së kryekomandantit të tyre për të cilin ishin gati të jepnin edhe jetën. Në fakt nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse ata kishin parë dhe dëgjuar çdo veprim dhe çdo fjalë të tij që dëshmonte çiltërsinë, drejtësinë dhe besnikërinë e tij ndaj ushtarëve. Hazret Muthenna u qëndroi pranë edhe gjatë rehatisë, edhe gjatë vështirësisë, dhe askush prej tyre nuk kishte mundësi t’i gjenin qoftë një padrejtësi të tij. Hazret Muthenna i dha porosinë ushtrisë:

“Do të them me zë të lartë tekbirin tri herë, që ju të jeni në gjendje gatishmërie. Me të dëgjuar tekbirin për herë të katërt, do t’i vërsuleni armikut.”

Por më pas, kur ai e tha tekbirin për herë të parë, iranianët shpejtuan dhe bënë sulmin. Duke reaguar, edhe muslimanët u nxituan dhe disa ushtarë të fisit Beni Exhel dolën nga rreshtat e tyre për t’iu përgjigjur sulmit të iranianëve. Kjo shkaktoi një çrregullim të përkohshëm në ushtrinë muslimane. Hazret Muthenna menjëherë dërgoi një njeri me mesazhin – Kryekomandanti ju jep selam! Sot mos i turpëroni muslimanët! Pas këtij mesazhi, fisi në fjalë u përmbajt.

Beteja filloi. Pas një ndeshjeje të fuqishme, ushtria iraniane u çorientua. Sipas historianëve, numri i ushtarëve të Iranit në këtë betejë ishte njëqind mijë. Në këtë betejë u vra edhe Mehrani, Kryekomandanti i ushtrisë iraniane. Kjo betejë gjithashtu quhet Jeumul-a’shar يوم الأعشار, pasi në këtë luftë kishte njëqind ushtarë të tillë, që secili prej tyre kishte vrarë nga dhjetë ushtarë të palës kundërshtare.

“Nuk duhet të luftoja kundër atyre që kishin humbur fuqinë për të luftuar me mua!”

Ushtria iraniane pasi pësoi humbjen, tentoi të ikte në drejtim të urës, që ta kapërcente lumin dhe të gjendej sa më parë në tokën e tyre të sigurt. Por Hazret Muthenna, bashkë me çetën e vet, i ndoqi dhe i rrethoi përpara se ata ta kapërcenin urën. E shkatërroi urën dhe vrau edhe shumë ushtarë iranianë.

Më vonë, Hazret Muthenna vazhdimisht shprehte keqardhje për këtë veprim të tij duke thënë:

Nuk duhet ta kisha ndjekur pas ushtrinë e humbur! Bëra një gabim shumë të madh, që nuk më përshtatet. Nuk duhet të luftoja kundër atyre që kishin humbur fuqinë për të luftuar me mua! Kurrë nuk do ta përsëris një gabim të tillë.

Ai i porositi edhe muslimanët:

O muslimanë! Edhe ju mos e bëni këtë gabim dhe në këtë çështje kurrë mos e ndiqni shembullin tim!

Këto ishin virtyte të muslimanëve! Në këtë betejë ranë dëshmorë disa nga figurat kryesore të ushtrisë muslimane, siç ishin Khalid ibën Hilali dhe Mes’ud ibën Harithe. Hazret Muthenna udhëhoqi namazin e xhenazes së të rënëve dhe tha:

Pasha Zotin! Pjesëmarrja e këtyre njerëzve në këtë betejë, luftimi i tyre me guxim e trimëri, dhe qëndresa e tyre e palëkundur ma lehtësojnë dhimbjen. Ma lehtëson dhimbjen edhe fakti që rënia dëshmorë e tyre do t’ua shlyejë gjynahet.

Trimëria e grave muslimane në Betejën e Buvejbit

Duke iu referuar betejës së Buvejbit, historianët përmendin një ngjarje, e cila rrezaton fuqishëm trimërinë e grave muslimane. Larg nga fushëbeteja në Kuvadis ishte vendosur kampi i grave dhe i fëmijëve të ushtrisë muslimane. Sapo mbaroi beteja, një çetë e ushtrisë muslimane po kthehej duke i rendur kuajt e tyre dhe, tek po i afroheshin kampit, gratë muslimane i pandehën për ushtarë të armikut, dhe menduan që po vinin t’i sulmonin ato. Me një shpejtësi rrufeje ato i rrethuan fëmijët, dhe vetë me gurë e dru nëpër duar, u rreshtuan për t’u përballur me “armikun”. Vetëm kur ushtarët iu afruan më shumë, e kuptuan se ishin muslimanë dhe jo armiq.

– Pikërisht të tilla duhet të jenë gratë e ushtrisë së Allahut! U shpreh Amr ibën Abdul-Mesih, komandanti i kësaj çete.

Ndikime të Betejës së Buvejbit

Beteja e Buvejbit mbaroi, por la pas gjurmë dhe ndikime të thella. Iranianët nuk pësuan humbjen më të madhe kundër muslimanëve sesa në këtë betejë. Një ndikim i betejës ishte që muslimanët u forcuan në shumë nga zonat e Irakut. Pushtimi i tyre në Savadin e Irakut arriti deri te lumi Tigris. Me përleshje të vogla, muslimanët arritën t’i rimerrnin edhe zonat që kishin humbur pak kohë më parë. Ushtritë iraniane e panë në dobi të tyre zmbrapsjen dhe vendosjen në anën tjetër të lumit Tigris. Pas kësaj fitoreje, muslimanët u përhapën në shumë zona të Irakut.

Beteja e Kadisijes

Në vitin 14 h., u zhvillua Beteja e Kadisijes. Kadisija ndodhet në Irakun aktual, 45 milje larg Kufës. Në vitin 14 h., gjatë periudhës së Kalifatit të Hazret Omerit r.a., u bë një betejë vendimtare midis muslimanëve dhe iranianëve pikërisht në Kadisije. Beteja rezultoi në fitoren e muslimanëve mbi Perandorinë Perse.

Kur oborrtarët persë u njoftuan për bëmat e muslimanëve, ata fajësuan Rustemin dhe Firuzanin, të cilët ishin kryekomandantë të tyre, dhe u thanë:

– Mosmarrëveshjet dhe përçarjet tuaja e dobësuan shumë Perandorinë dhe ia shtuan guximin armikut. Po të vijojmë në këtë gjendje, Irani së shpejti do të shkatërrohet. Sepse pas rënies së Bagdadit, të Sabatit (që është një vend afër Medainit), të Tikritit, (Tikriti është një qytet i famshëm 30 fersekh ose 90 milje larg Begdadit, në drejtim të Mosulit), na ka mbetur vetëm qyteti Medain. Po nuk u pajtuat ju të dy, ne së pari do t’ju vrasim ju e më pas do të gjejmë qetësinë duke u vrarë me armikun.

Rustemi dhe Firuzani, duke bërë grusht shteti, e rrëzuan Boranin nga froni, dhe në vend të tij, vendosën Jazdegirin, i cili në atë kohë ishte njëzet e një vjeç. Vunë në gatishmëri të gjitha fortesat dhe repartet ushtarake.

Hazret Muthenna e njoftoi Hazret Omerin r.a. për përgatitjet e iranianëve. Hazret Omeri iu përgjigj:

Pasha Zotin! Unë do të bëjë të luftojnë mbretërit jo arabë me prijësit dhe mbretërit arabë!

Hazret Omeri dërgoi prijës, njerëz të mençur, oratorë, poetë që të merrnin pjesë në këtë luftë. Ai porositi Hazret Muthennanë që të largohej nga zonat joarabe, dhe të vendosej në zonat bregdetare që ishin në kufi me zonat e kundërshtarëve. Ai gjithashtu e porositi të merrte në luftë edhe njerëzit e fiseve Rebia dhe Mudir. Hazret Omeri dërgoi lajmëtarë në të gjithë Arabinë për të njoftuar prijësit e fiseve që të mblidheshin në Mekë. Ngaqë po afrohej edhe koha e Haxhit, edhe Hazret Omeri u nis për në Haxh. Në Mekë ishin mbledhur prijësit nga çdo pjesë e Arabisë.

Kur Hazret Omeri r.a. u kthye nga Haxhi, në Medinë ishte mbledhur një ushtri e madhe. Ai vetë e udhëhoqi ushtrinë, caktoi Hazret Aliun si Emir të Medinës, dhe u nis. Ndalesën e parë e bëri në Serar, që është një krua 3 milje nga Medina. Thuhet se nuk ishte vendosur ende që Hazret Omeri vetë do të merrte pjesë në betejë. Ishte nisur me gjithë ushtrinë, por vendimi nuk ishte marrë ende nëse do ta udhëhiqte vetë ushtrinë muslimane në këtë betejë, apo do të caktonte dikë tjetër kryekomandant të saj.

Sidoqoftë, në Tarikh Tabari është përmendur që Hazret Omeri u këshillua me njerëzit. Të gjithë e këshilluan të shkonte në Persi duke e udhëhequr ushtrinë në këtë betejë. Hazret Omeri nuk u këshillua për këtë gjë me askënd para se të mbërrinte në Serar. Të gjithë e këshilluan të shkonte në Persi, por Hazret Abdurrahman ibën Aufi i tha të mos shkonte.

– Unë përveç të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. askujt nuk i kam thënë “ty t’u flijofshin prindërit e mi!”, por sot po ju them juve “ju u flijofshin prindërit e mi, vendimin e fundit për këtë çështje ma lini mua, i tha Hazret Abdurrahmani Hazret Omerit r.a.

Më pas, ai e këshilloi Hazret Omerin të qëndronte në Serar dhe nga këtu të niste një ushtri të madhe. I tha:

Ju keni parë se si ishte sjellja e Allahut të Madhërishëm me ushtritë tuaja në lidhje me betejat që u zhvilluan nga fillimi deri më sot. Nëse ushtria juaj do të pësojë humbje, ajo nuk do të përkthehet vetëm në humbjen tuaj. Nëse do të bini dëshmor që në fillim ose ta humbni betejën, kam frikë që muslimanët kurrë më nuk do të thonë dot tekbirin dhe as shahadetin.

Pasi u këshillua edhe me disa sahabë të mençur, Hazret Omeri r.a. thirri një mbledhje të përgjithshme, në të cilën mbajti fjalim dhe tha:

“Allahu i Madhërishëm i ka bashkuar njerëzit në Islam, dhe ka vënë dashuri për njëri-tjetrin në zemrat e muslimanëve. Islami i bëri vëllezër të gjithë. Gjendja e muslimanëve është bërë si ajo e një trupi, ku nëse një pjesë e tij ndien dhimbje, edhe pjesa tjetër e tij e përjeton. Për muslimanët është domosdoshmëri që ata të zgjidhin çështjet e tyre duke u këshilluar, sidomos me njerëzit e mençur. Kurse për njerëzit është domosdoshmëri që t’i binden asaj për të cilën u vendos pas këshillimit.

O njerëz! Do të doja të isha mes jush si një individ, sikur secili prej jush, por të mençurit tuaj më këshilluan dhe më ndaluan nga ky mendim imi, andaj, kam vendosur të mos vij me ju dhe në vendin tim të dërgoj dikë tjetër.”

Në këtë kohë Hazret Omeri po kërkonte dikë për këtë përgjegjësi, ndërkohë, i erdhi një letër prej Hazret Sa’d ibën Malikut, që gjithashtu njihet me emrin Sa’d ibën Ebi Vekkas. Ai në atë kohë ishte caktuar përgjegjës për sadakatë e Nexhdit. Hazret Omeri u kërkoi sahabëve të thoshin një njeri, të cilin ai ta dërgonte si kryekomandant të kësaj ushtrie.

– E keni gjetur njeriun, i tha Hazret Abdurrahman ibën Aufi.

– Kush është ai? E pyeti Hazret Omeri r.a.

– Luani i xhunglës! Pra Sa’d ibën Maliku, iu përgjigj Hazret Abdurrahmani

Porosi të detajuara të Hazret Omerit për udhëheqësin e ushtrisë muslimane

Edhe të tjerët e mbështetën këtë mendim. Në Tarikh Tabari është e shkruar që Hazret Omeri caktoi Hazret Sa’din Emir të ushtrisë dhe e këshilloi me këto fjalë:

“Metoda për t’i bërë shprehi veprat e mira është durimi”

O Sa’d! Mos kujto që njerëzit të quajnë dajë dhe sahab të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., sepse Allahu nuk e largon të keqen me të keqe, por me të mirë. Nuk ka asnjë lidhje mes Allahut dhe robit të Tij, përveç lidhjes së bindjes. Mbaje mend këshillën time! Ke marrë një përgjegjësi shumë të vështirë, andaj, mësoji vetes dhe shokëve të tu të bëjnë vepra të mira dhe përmes tyre ta arrini fitoren. Dhe mbaje mend! Për të mësuar çdo shprehi, ka një metodë. Metoda për t’i bërë shprehi veprat e mira është durimi! Andaj, për çdo vështirësi që ju godet dhe për çdo lëndim merrni, duroni, do të gëzoni frikë ndaj Allahut të Madhërishëm.

Më pas, Hazret Omeri r.a. i tha:

Së bashku me shokët e tu muslimanë, marshoni nga Sherafi në drejtim të Iranit.

Sherafi është një krua në Nexhd dhe Hazret Omeri e porositi Sa’din të nisej me ushtrinë e mbledhur nga ky vend. Më tej, tha:

Mbështetuni tek Allahu dhe Atij kërkojini ndihmë në të gjitha çështjet tuaja. Mbajeni mend! Ju po shkoni të përballeni me një popull që është shumë më i madh se ju në numër, që kanë armatime shumë të mëdha dhe forcën luftarake shumë të fuqishme, dhe po shkoni në zonat që janë të vështira për ju për të luftuar, edhe pse janë të lulëzuara për shkak të ujit. Shikoni, armiku është dinak dhe mos u mashtroni nga ai. Kur të mbërrini në Kadisije, do të jeni në fund të zonës malore dhe në fillim të fushave. Aty vendosuni dhe mos lëvizni nga ai vend.

Pra, Hazret Omeri po i tregonte me detaje sesi duhet të vepronin ushtritë muslimane.

Kur armiku do të mësojë mbërritjen tuaj atje, do të egërsohet, do t’ju sulmojë fuqishëm me të gjithë kalorësinë dhe këmbësorinë e tij. Në këtë rast, po bëtë qëndresën e fortë, po u treguat të palëkundur, po patët nijetin e shpërblimit prej Allahut gjatë luftës me armikun, shpresoj se ju do t’i mundni ata, në atë mënyrë që ata kurrë nuk do të arrijnë t’ju sulmojnë me të njëjtën fuqi. Edhe sikur të mblidhen sërish për të luftuar, zemrat do t’i kenë të përçara e të frikësuara.

Por nëse situata do të jetë ndryshe, (pra, nëse shikoni që jeni duke e humbur betejën), largohuni nga fushat dhe ngjituni nëpër malet tuaja më të afërta. Duke u kthyer në zonat tuaja, do t’ju rikthehet edhe guximi dhe do ta njihni edhe më mirë zonën, kurse iranianët, për shkak të mungesës së përvojës në zonat tuaja, do të ndihen të frikësuar, derisa Allahu i Madhërishëm do t’ju mundësojë sërish fitoren mbi ta.

Pra, Hazret Omeri r.a. ishte tërësisht i bindur që fitorja do të jetë e muslimanëve, dhe se edhe sikur përkohësisht do të dilte një situatë humbjeje, pas pak kohe muslimanët do ta korrnin fitoren. Të gjitha lëvizjet e kësaj ushtrie po bëheshin sipas këtyre porosive dhe sipas atyre që Hazret Omeri r.a. vazhdimisht ua dërgonte. Kështu që, Tabari shkruan:

Hazret Omeri r.a. caktoi edhe datën e nisjes së ushtrisë muslimane nga Sherafi. Ai gjithashtu porositi që pasi të mbërrinte na Kadisije, ushtrinë ta çonin në zonat mes Edhibul-Hexhenatit dhe të Edhibul-Kuvadisit, dhe ta përhapnin nga lindja në perëndim. Edhib është një zonë me gurra midis Kadisijes dhe Mugises, 4 milje nga Kadisija dhe 32 milje nga Mugisa. Me një letër të Hazret Omerit r.a. drejtuar Hazret Sa’d ibën Ebi Vekkasit, del që aty kishin dy Edhibë.

Hazret Omeri e dërgoi Hazret Sa’d ibën Ebi Vekkasin me katër mijë ushtarë muslimanë drejt Iranit. Rrugës atyre do t’u bashkoheshin dy mijë ushtarë nga Jemeni dhe dy mijë të tjerë nga Nexhdi. Po kështu, iu bashkuan ushtrisë muslimane tre mijë të tjerë të Benu Esedit dhe një mijë e shtatëqind ushtarë jemenij të fisit Esh’eth ibën Kejs Kendiut,. Në këtë mënyrë, ushtria muslimane gradualisht arriti të përbëhej nga më shumë se tridhjetë mijë ushtarë.

Rëndësia e ushtrisë muslimane që mori pjesë në Betejën e Kadisijes

Rëndësinë e kësaj ushtrie mund ta kuptojmë nga faktet që 99 sahabë në këtë ushtri ishin nga ata, të cilët morën pjesë në Luftën e Bedrit së bashku me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Sipas Tabariut, numri i tyre ishte më shumë se 70. Po kështu, më shumë se 300 sahabë ishin nga ata që morën pjesë në Çlirimin e Mekës. Sërish, 700 ushtarë ishin nga ata të cilët nuk ishin sahabë, por ishin bij të sahabëve.

Vdekja e Hazret Muthennas r.a.

Hazret Sa’d ibën Ebi Vekkasi e vendosi ushtrinë pasi mbërriti në Sheraf. Andej Muthenna bashkë me tetë mijë pranë një kroi në Dhu Ke’er, në afërsi të Kufës, po prisnin të vinin përforcimet. Gjatë këtyre ditëve, ai ndërroi jetë. Ai caktoi Beshir ibën Khesasijen zëvendës të tij.

Udhëzime të hollësishme të Hazret Omerit për renditjen e ushtrisë

Pasi mbërriti në Sheraf, Hazret Sa’di i dërgoi një letër Hazret Omerit duke përshkruar në mënyrë të detajuar gjendjen e ushtrisë. Në përgjigjen e letrës, Hazret Omeri r.a. vetë e renditi ushtrinë duke i thënë:

Ndajeni ushtrinë në atë mënyrë që mbi çdo dhjetë ushtarë, të jetë një drejtues, e më pas, caktoni një kryekomandant mbi këto dhjetë pjesë, dhe të gjithë këta nisini për në Kadisije. Batalionin e Mugira ibën Shibës mbajeni me ushtrinë tuaj.

Hazret Omeri r.a. gjithashtu e porositi Hazret Sa’din:

Më dërgoni me hollësi zhvillimet e përditshme.

Hazret Sa’di e renditi ushtrinë në bazë të udhëzimeve të Hazret Omerit dhe sërish i shkroi zhvillimet në mënyrë të detajuar.

Një drejtues mbi çdo njësi me dhjetë ushtarë ishte në bazë të strategjisë që përdorej edhe në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Në një letër tjetër, Hazret Omeri i shkruan Hazret Sa’dit:

Këshilloni edhe veten edhe ushtrinë. Durimin mos e lëshoni, sepse Zoti i Madhërishëm shpërblen në bazë të nijetit. Përgjegjësinë që keni marrë, detyrën që keni për ta kryer, kryeni me kujdesin maksimal. Kërkojini shëndet Allahut dhe shpesh përkujtojeni Atë duke thënë:

Fuqi dhe sundim nuk ka askush tjetër përveç Allahut.

Më shkruani se deri ku ka mbërritur ushtria juaj, kush është caktuar kryekomandanti i ushtrisë së armikut për të luftuar me ju etj., sepse disa udhëzime nuk arrita t’ju jepja, pasi nuk i kisha të gjitha detajet tuaja dhe të armikut. Gjendjen e ushtrisë muslimane ma përshkruani hollësisht në atë mënyrë që unë të arrij ta parafytyroj të gjithë pamjen. Kijeni frikë Allahun dhe kini edhe shpresë prej Tij dhe po tek Ai mbështetuni në çështjet tuaja. Frikësohuni nga rreziku që Allahu t’ju largojë ju dhe në vend tuajin të sjellë një popull tjetër për ta realizuar këtë punë.

Pra, gjithnjë duhet të keni parasysh se ju nuk jeni pronarë të fesë, përkundrazi duhet të keni frikë nga Allahu, në mos Ai t’ju zëvendësojë me një popull tjetër për të përmbushur përgjegjësinë tuaj, sepse dikush do ta përmbushë patjetër përgjegjësinë e fesë së Allahut.

Pasi mbërriti në Kadisije, Hazret Sa’di përsëri i shkroi hollësisht Hazret Omerit qëndrimin e ushtrisë dhe katër kufijtë e saj. Duke iu përgjigjur atij, Hazret Omeri r.a. i shkroi:

Qëndroni në vendin tuaj, derisa armiku vetë t’ju sulmojë ju. Dhe nëse arrini ta mundni armikun, marshoni drejt Medainit.

Disa detaje të kësaj beteje ju kam treguar edhe duke iu referuar Hazret Sa’d ibën Ebi Vekkasit, por është me rëndësi t’i përmend edhe këtu, duke iu referuar Hazret Omerit r.a.. Duke i zbatuar porositë e Kalifit të kohës, Hazret Sa’di qëndroi një muaj në Kadisije, megjithatë, asnjë nga iranianët nuk doli për të luftuar kundër tij. Më pas, disa njerëz të kësaj zone, i shkruan Jazdegirit, Mbretit të Iranit, duke thënë:

Arabët kanë kohë që janë në Kadisije, kurse ju nuk keni marrë asnjë masë kundër tyre. Ata na kanë shkatërruar tokat deri në lumin Eufrat, na rrëmbyen edhe bagëtitë. Nëse nuk do të na ndihmoni, ne gjithçka do t’ua dorëzojmë atyre.

Pas kësaj letre, Jazdegiri thirri Rustemin, por Rustemi tentoi ta shmangte luftën duke i dhënë justifikime të ndryshme. Ai e këshilloi mbretin të caktonte në vend të tij Xhalinusin kryekomandant të ushtrisë, por mbreti nuk ia pranoi propozimin. Më në fund, ai u detyrua ta udhëhiqte ushtrinë në këtë betejë.

Hazret Omeri i shkroi Hazret Sa’dit:

Dërgoni te Rustemi disa njerëz të mençur, xhentilë dhe trima, për ta ftuar atë për në fenë Islame. Allahu i Madhërishëm do ta bëjë këtë ftesë mjet turpërues për ta dhe fitoreje për ne. Më shkruani çdo ditë.

Duke zbatuar porosinë, Hazret Sa’di zgjodhi katërmbëdhjetë muslimanë të shquar për të dërguar si emisarë në oborrin mbretëror të Iranit, që ata t’i bënin dave Jazdegirit, Mbretit të Iranit. Në momentin kur e takuan Mbretin, emisarët muslimanë ishin në kuaj, të mbështjellë me çarçafë dhe me kamxhikë nëpër duar. I pari që foli me mbretin ishte Hazret Nu’man ibën Mekreni e më pas Mugira ibën Derara. Mugira i tha Mbretit:

Ose do të luftoni me ne, ose do të na jepni xhizjen. E keni ju në dorë të pranoni nënshtrimin duke dhënë xhizjen, ose të përgatiteni për të luftuar. Ka edhe një pikë të tretë. Nëse pranoni Islamin, jeni të sigurt në çdo mënyrë.

Jazdegiri iu përgjigj:

Po të mos ishte e ndaluar vrasja e emisarëve, unë do t’ju vrisja që të gjithë. Nuk kam asgjë për t’ju dhënë juve. Ikni që këtu!

Më pas, ai porositi një kovë prej dheu dhe duke ia dhënë muslimanëve u tha:

Këtë merreni nga ana jonë!

Dhe lëshoi urdhrin që emisarët muslimanë të dëboheshin nga Medaini. Asim ibën Amri e mori dheun dhe ia solli Hazret Sa’dit dhe i tha:

Kemi sjellë një lajm të mirë! Allahu i Madhërishëm na dhuroi çelësat e Iranit!

Pas kësaj ngjarjeje, për disa muaj me radhë, kishte qetësi në të dyja anët. Më pas, Rustemi qëndroi me ushtrinë e tij në Sabat dhe në kundërshtim të urdhrit të Jazdegirit, tentoi të largohej nga lufta. Nga ana tjetër, njerëzit vazhdimisht i dërgonin mesazhe mbretit që t’i mbronte dhe se përndryshe ata do t’u nënshtroheshin arabëve.

Më në fund, Rustemi u detyrua t’i kundërpërgjigjej dhe ushtritë iraniane marshuan nga Sabati dhe u vendosën në Kadisije. Kur po dilte Rustemi nga Sabati, ushtria e tij përbëhej nga njëqind e tridhjetë mijë ushtarë dhe ata kishin edhe tridhjetë e tre elefantë. Iu deshën katër muaj kësaj ushtrie për të bërë udhëtimin nga Medaini në Kadisije.

Pasi u vendos në Kadisije, Rustemi të nesërmen analizoi ushtrinë muslimane dhe i bëri propozim të ktheheshin. – Le të bëjmë kompromis, dhe kthehuni andej nga keni ardhur, u tha Rustemi muslimanëve.

– Ne nuk kemi ardhur për kërkim të botës materiale, por synojmë vetëm ahiretin, iu përgjigjën muslimanët.

Rustemi u kërkoi muslimanëve që të dërgonin përfaqësues të tyre në oborrin e tij për të negociuar. U shtruan tapeta të bukura e të shtrenjta në oborrin e tij dhe u bënë përgatitje të mëdha për të pritur përfaqësuesit muslimanë. Për Rustemin vunë një fron të praruar me ar, duke e mbuluar atë me një tapet dhe jastëk të qëndisur me fije të arta.

I pari që shkoi nga ana e muslimanëve ishte Hazret Rebi’ ibën ‘Amiri. Kur hyri në sallën e Rustemit, ai kishte në dorë një ushtë, të cilën e mbështeste në tokë në çdo hap që bënte. Maja e ushtës e shponte tapetin vende-vende. Pasi u afrua te Rustemi, u ul në dysheme dhe nguli ushtën në tapet. Hazret Rebiu parashtroi tri pika përpara Rustemit:

Pranoni Islamin dhe ne do të largohemi dhe nuk do të ndërhyjmë as në shtetin tuaj; ose pranoni të na jepni xhizjen, ne do t’ju mbrojmë; e nëse nuk e pranoni asnjërën nga këto dy, ditën e katërt ne do të ndeshemi me ju. Ne nuk do të fillojmë luftën gjatë tri ditëve, por nëse do ta filloni ju, edhe ne do t’ju përgjigjemi.

Ditën tjetër, Hazret Sa’di dërgoi Hudhejfe ibën Muhsinin, i cili ia përsëriti Rustemit të njëjtat pika që i kishte thënë Hazret Rebiu. Ditën e tretë, Hazret Mugira ibën Shiba shkoi te Rustemi. Si dy paraardhësit e tij, kur edhe ai ia përmendi Rustemit Islamin, xhizjen ose luftën, Rustemi iu përgjigj:

Ju do të vriteni patjetër!

Hazret Mugira i tha:

Ai që do të vritet mes nesh, do të shkojë në xhenet, kurse ai që do të vritet mes jush, do të shkojë në xhehenem. Ata që do të mbeten të gjallë mes nesh, do të jenë më të suksesshëm se ju.

Rustemi u trondit nga fjalët e Hazret Mugirës dhe tha:

Pasha diellin! Nuk do të lindë dielli sërish, dhe ne do t’ju kemi vrarë ju të gjithë!

Edhe pas Hazret Mugirës, Hazret Sa’di dërgoi disa muslimanë të mençur te Rustemi, të cilët u kthyen deri në mbërmje. Më pas, Hazret Sa’di porositi muslimanët të merrnin pozicionet e tyre në fushëbetejë, dhe i dërgoi ushtrisë iraniane mesazhin – Duhet ta kapërceni ju urën.

Muslimanët e kishin marrë urën deri atëherë, andaj, iranianëve iu desh të ndërtonin urë mbi lumin Etik.

– Nesër ne do t’i shtypim muslimanët, tha Rustemi duke e kaluar urën.

Një shoqërues i tij, që ndoshta besonte në Zot, tha

– Në dashtë Zoti!

Por Rustemi iu përgjigj

– Edhe sikur të mos dojë Zoti, ne do t’i shtypim ata! (Meadh’Allah!)

Muslimanët kishin mbaruar rreshtimin e tyre të ushtrisë, ndërkohë Hazret Sa’din e kishte zënë një sëmundje dhe i kishte dalë plagë në trupin e tij. Ai vuante nga nervi shiatik dhe ato ditë as nuk ulej dot. Rrinte i shtrirë barkas, duke mbajtur një jastëk poshtë gjoksit. I kishin përgatitur një dhomë në lartësi, nga e cila mund ta shikonte edhe ushtrinë. Hazret Sa’di caktoi Khalid ibën ‘Ereftanë zëvendës të tij. Hazret Sa’di iu drejtua muslimanëve dhe i nxiti për xhihad, dhe ua kujtoi fitoren prej Allahut.

Dita e parë e Betejës së Kadisijes

Forcat e ushtrisë perse ishin në breg të lumit Etik, i cili del nga lumi Eufrat, kurse ushtritë muslimane ishin përgjat murit të Kudejsit dhe hendekut. Kudejsi ndodhet në afërsi të Kadisijes, një milje larg lumit Etik. Në ushtrinë iraniane kishte tridhjetë mijë ushtarë të tillë që ishin të lidhur me zinxhirë në atë mënyrë që të mos kishin mundësi për t’u arratisur nga fushëbeteja.

Hazret Sa’di porositi muslimanët të lexonin suren El-Anfal. Kur u recitua surja, muslimanët patën qetësinë shpirtërore. Pas faljes së namazit të drekës, filloi beteja mes muslimanëve dhe iranianëve. Ata arritën t’i dëmtonin shumë muslimanët. Hazret Asimi thirri shigjetarët e zotë të fisit Benu Temim dhe u tha – Qëlloni drejtuesit e elefantëve me shigjetat tuaja. Po kështu, ai u tha ushtarëve trima që të shkonin pas elefantëve dhe t’ua pritnin samarët. Më pas, nuk mbeti asnjë elefant me drejtues dhe me samar. Lufta vijoi pak kohë edhe pas perëndimit të diellit.

Ditën e parë të betejës, pesëqind muslimanë të fisit Benu Esed ranë dëshmorë. Kjo ditë quhet Jeumun Armas.

Dita e dytë e Betejës së Kadisijes

Ditën tjetër, në mëngjes, Hazret Sa’di i varrosi të gjithë dëshmorët dhe të plagosurit ua dorëzoi grave për mjekim e kujdes. Ndërkohë erdhën edhe përforcimet e muslimanëve nga Shami. Hazret Hashim ibën Utbe ibën Ebu Vekkasi ishte udhëheqësi i këtyre përforcimeve. Pjesën e parë të tyre e drejtonte Hazret Ka’ka’ ibën Amri. Duke udhëtuar me shpejtësi, ai u bashkua me ushtrinë në Irak që në mëngjes të ditës së dytë të betejës, e cila do të quhej Jeumun Egvath.

Ka’kau bëri zgjuarsinë që batalionin e tij e ndau në shumë pjesë, secilën nga 10 ushtarë, dhe çdo pjesë udhëtonte duke mbajtur pak largësi me njëra-tjetrën. Çdo herë kur një njësi prej 10 ushtarësh i bashkohej ushtrisë muslimane në betejë, ngrinte sloganin e tekbirit, gjë që i jepte përshtypje armikut që muslimanëve po u vinin vazhdimisht përforcimet. Hazret Ka’kau vetë mbërriti me grupin e parë. Me të mbërritur, ai u dha selam muslimanëve dhe lajmin e mirë të mbërritjes së ushtrisë dhe u tha:

O njerëz! Bëni atë që bëj unë!

Duke thënë këtë, ai sfidoi iranianët për luftë duele. Komandanti i shquar iranianëve Bahmen Xhazevija doli për duelin. Hazret Ka’kau e vrau gjatë dyluftimit. Musilmanët u gëzuan shumë nga kjo fitore. Hazret Ebu Bekri kishte thënë për Hazret Ka’kaun

– Ushtria që lufton me Ka’kaun, është e destinuar të mundet.

Atë ditë, iranianët nuk luftuan dot me elefantët e tyre, pasi një ditë më parë muslimanët ua kishin thyer samarët, dhe ushtarët iranianë mbetën të zënë duke i rregulluar. Këtej muslimanët bën një lëvizje të zgjuar. I veshën devetë e tyre me rroba të shumta duke ua fshehur trupin dhe qafat, dhe i ngarkuan në atë mënyrë që ato ngjanin si elefantë. Kudo që shkonin këto deve, i trembnin kuajt e iranianëve, njësoj siç trembeshin kuajt e muslimanëve një ditë më parë.

Nga mëngjesi deri në drekë, kalorësit e të dyja palëve luftuan me njëri-tjetrin. Pasdite filloi luftë e përgjithshme, që vijoi deri në mesnatë. Kjo dita e dytë quhet Jeumun Egvath, e cila shënoi fitore për muslimanët.

Dita e tretë e Betejës së Kadisijes

Ditën e tretë që në mëngjes, të dyja ushtritë ishin të pozicionuara sërish. Ishte një ditë e përgjakshme. Dy mijë muslimanë ranë dëshmorë, kurse iranianët patën dhjetë mijë të vrarë. Muslimanët i varrosnin të rënët e tyre dhe të plagosurit ua dorëzonin grave për mjekim dhe kujdes, kurse trupat e të rënëve iranianë ishin të lënë në fushëbetejë. Natën iranianët i kishin rregulluar samarët e elefantëve. Këmbësoria po i ruante elefantët, megjithatë, sot elefantët nuk shkaktuan dot dëmin që kishin shkaktuar ditën e parë.

“Më hiqni qafe nga elefanti i bardhë i iranianëve”,

u dërgoi mesazh Hazret Sa’di Hazret Ka’kaut dhe Hazret Asimit. Kështu që, ata të dy e sulmuan me shigjeta në sy të elefantit të bardhë, i cili duke u shkalluar e rrëzoi drejtuesin e vet. Ia prenë feçkën dhe me një breshëri shigjetash e detyruan të binte përtokë.

Pas kësaj, muslimanët e tjerë sulmuan një tjetër elefant në të njëjtën mënyrë, pra duke e shigjetuar në sytë e tij. Ai filloi të vraponte dhe herë kalonte në ushtrinë e muslimanëve, të cilët e shponin me ushtat e tyre, dhe herë kalonte në ushtrinë e iranianëve dhe, edhe ata e shponin me shigjeta. Më në fund, ky elefant që e quanin Exhreb, vrapoi drejt lumit Etik. Edhe elefantët e tjerë e ndoqën atë, dhe u hodhën në lumë, duke u shkatërruar bashkë me drejtuesit e tyre. Ndeshja vijoi deri para perëndimit të diellit. Kjo ditë u quajt Jeumun ‘Emas.

Pas namazit të jacisë, ushtritë u ndeshën edhe një herë. Thuhet se nga përplasja e shpatave, fushëbeteja i ngjante një hekurishteje ku kovaçi e rreh dhe e pret hekurin pa pushim. Hazret Sa’di kaloi gjithë natën zgjuar dhe duke iu lutur Zotit. Arabët dhe joarabët nuk e kishin parë më parë një natë të tillë. Deri të nesërmen në mëngjes, muslimanët ende ishin plot me patos. Ata dolën triumfues edhe këtë herë.

Mëngjesi që pasoi do t’i linte që të gjithë të lodhur, për shkak se askush nuk bëri dot gjumë tërë natën. Kjo natë u quajt Lejletul-herir. Herir në gjuhën arabe do të thotë pëshpëritje ose zë shumë i ulët dhe i ngadaltë, sikur dëgjon kur qëllon një shigjetë, ose kur rrotullon mokrën e mullirit. Arsyeja e emërtimit të natës, sipas historianëve, ishte që muslimanët atë natë i pëshpëritnin njëri-tjetrit. Edhe Tabari shkruan që arsyeja e emërtimit të natës Lejletul-herir ishte që muslimanët atë natë deri në mëngjes luftuan me trimëri, por njëkohësisht nuk i flisnin me zë të lartë njëri-tjetrit.

Dita e katërt e Betejës së Kadisijes

Ditën e katërt lufta vijoi deri në mesditë. Iranianët po zmbrapseshin, ndërkohë, muslimanët e sulmuan Rustemin, i cili vrapoi në drejtim të lumit Etik. Në momentin kur u hodh në lumë, një musliman i quajtur Hilal, e zuri, e tërhoqi zvarrë te bregu dhe e vrau. Më pas, ai njoftoi me zë të lartë

– Ejani tek unë! E kam vrarë Rustemin!

Muslimanët e rrethuan dhe brohoritën duke ngritur sloganin e tekbirit. Lajmi i rënies së Rustemit u përhap, rrjedhimisht persët u arratisën të mundur. Muslimanët i ndoqën dhe një pjesë e vranë dhe një pjesë e robëruan. Kjo ditë quhet Jeumun Kadisije.

Këtej në Medinë, Hazret Omeri çdo mëngjes dilte jashtë qytetit, dhe udhëtarëve që vinin, u kërkonte ndonjë lajm për ushtrinë muslimane. Kur lajmëtari mbërriti me lajmin e fitores së muslimanëve, ai nuk e njihte me fytyrë Hazret Omerin r.a.. – Allahu i mundi idhujtarët! Ia dha lajmin lajmëtari. E Hazret Omeri zuri të vraponte në këmbë bashkë me lajmëtarin që ishte hipur në deve, dhe të dy shkonin në drejtim të qytetit dhe ndërkohë gjatë rrugës, Hazret Omeri r.a. e pyeste për detaje të tjera. Në momentin që lajmëtari hyri në Medinë, njerëzit menjëherë iu drejtuan Hazret Omerit:

– Selam, o Prijësi i Besimtarëve!

Lajmëtari u habit dhe e pyeti se përse nuk i kishte treguar se ai pikërisht ishte Kalifi i Kohës.

– Nuk ka asnjë gjë, vëllai im! Iu përgjigj Hazret Omeri r.a..

Hazret Omeri: Zemërgjerësia maksimale ndaj iranianëve, ndaj edhe atyre që kishin prishur marrëveshjen

Sidoqoftë, pas kësaj, Hazret Omeri r.a. e lexoi lajmin përpara njerëzve dhe mbajti një fjalim shumë prekës. Hazret Omeri lëshoi urdhër që ushtria të mbetej aty, të riorganizohej dhe t’u kushtonte vëmendje disa përmirësimeve.

Në letrën e tij, Hazret Sa’di i kishte kërkuar udhëzimin Kalifit të kohës duke treguar që në betejën e Kadisijes shumë nga ata që luftuan në krah të iranianëve, ishin edhe të tillë të cilët kishin patur marrëveshje me muslimanët. Madje disa prej tyre pretendonin që mbretëria iraniane i kishte sjellë me zor në luftë dhe shumë prej tyre ishin të drejtë në pretendimin e tyre. Po kështu, në zonën ku u bë lufta, kishte shumë banorë të cilët ishin zhvendosur prej atje dhe kishin kaluar në tokat e iranianëve dhe tani ata po ktheheshin në vendet e tyre.

Për t’i zgjidhur këto çështje, Hazret Omeri mblodhi këshillin. Pas mbledhjes vendosi:

  • Ata të cilët kishin bërë marrëveshje me muslimanët dhe që e përmbushën atë, duke mos shkuar në anën e armikut dhe duke mos luftuar kundër muslimanëve, respektojeni me besnikëri të plotë marrëveshjen.

  • Ata të cilët nuk kishin bërë ndonjë marrëveshje me muslimanët, por mbetën në vendet e tyre dhe nuk shkuan në anën e armikut dhe nuk luftuan kundër jush, edhe me ta silluni në të njëjtën mënyrë si me ata me të cilët keni lidhur marrëveshjen.

  • Ata të cilët pretendojnë që mbretëria iraniane i solli me zor në luftë, dhe nëse pretendimi i tyre rezulton të jetë i drejtë, edhe me ta silluni me mirësi.

  • Kurse ata që rezultojnë gënjeshtarë në pretendimin e tyre që mbretëria iraniane t’i ketë sjellë me zor në luftë, marrëveshja juaj e mëparshme me ta është shfuqizuar, pasi ata iu bashkuan armikut. Me ta, ta rinovoni marrëveshjen dhe t’i çojini në vendet e tyre të sigurta.

  • Kurse ata që nuk kishin lidhur asnjë marrëveshje me ju, por që kishin lënë zonat e tyre për t’iu bashkuar armikut dhe për të luftuar kundër jush, nëse mendoni të arsyeshme, thirrini edhe ata që të jetojnë në ato toka duke ju dhënë xhizjen.

Pra, Hazret Omeri r.a. i porositi muslimanët të silleshin me butësi deri në maksimum.

  • Por nëse ata nuk kthehen dhe vijojnë të luftojnë kundër jush, edhe ju vazhdoni të luftoni me ta.

Këto porosi u sollën mbarësi banorëve. Njerëzit u kthyen në tokat e tyre dhe panë një shembull të shkëlqyer të zemërgjerësisë muslimane. Sa e gjerë ishte shpirtmirësia e muslimanëve që i ftuan të banonin e të bashkëjetonin edhe ata të cilët i kishin prerë në besë në kohën më kritike, duke shkelur marrëveshjen dhe duke iu bashkuar armikut! Ndonëse vendimet që u kishin ardhur nga Medina u jepnin liri muslimanëve në daç të mos i ftonin njerëzit që i kishin prerë në besë, dhe në daç t’i ftonin për të banuar në këto toka, por historianët e dëshmojnë faktin që, muslimanët e zgjodhën të dytën. Të vetmin ndëshkim që u kishin dhënë njerëzve të tillë ishte që ata do të paguanin taksën më shumë sesa të tjerët, megjithatë, do të quheshin pronarë të tokave ku do të banonin.

Për sa i përket luftërave në Irak, Beteja e Kadisijes ishte vendimtare. Luftëtarët muslimanë treguan qëndresë të fortë edhe në rrethanat tejet të vështira, duke luftuar me burrëri të madhe me armikun. Historianët shkruajnë që më vonë Kalifi i kohës kur miratonte rrogat ose pensionet e njerëzve, pjesëmarrësit e Betejës së Kadisijes vlerësoheshin më shumë se të tjerët. Hazret Omeri r.a. u kishte çmuar sakrificën e tyre në Betejën e Kadisijes.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke përshkruar Betejën e Kadisijes në një vend, thotë:

Ishte koha e Kalifatit të Hazret Omerit r.a. kur Jazdegiri, nipi i Khusro Pervezit, erdhi në fron, dhe atëherë po bëheshin përgatitje të gjera të luftës kundër muslimanëve. Hazret Omeri r.a. dërgoi një ushtri nën komandën e Hazret Sa’d ibën Ebi Vekkasit. Hazret Sa’di zgjodhi Kadisijen për fushëbetejë dhe i dërgoi Hazret Omerit gjithë hartën e saj. Hazret Omeri e pëlqeu vendin, por njëkohësisht i tha – Para se të bëni luftë me mbretin e Iranit, keni për detyrë t’i dërgoni një trup ushtarësh si përfaqësues tuajin dhe ta ftoni atë për në Islam.

Hazret Sa’di e zbatoi urdhrin dhe dërgoi një delegacion për të takuar Jazdegirin. Kur delegacioni mbërriti në oborrin e Mbretit, ky i fundit i tha përkthyesit të vet – Pyeti se përse kanë ardhur dhe pse po bëjnë trazira në shtetin tonë? Prijësi i delegacionit Hazret Nu’man ibën Mekreni u ngrit dhe i përmendi mbretit caktimin e Profetit Muhammed s.a.v.s. si të Dërguar të Allahut dhe tha se pikërisht ai i kishte porositur ta përhapnin Islamin, duke ftuar të gjithë njerëzit e botës në fenë e vërtetë.

Jazdegiri u inatos shumë nga kjo përgjigje. – Ju që jeni të egër, cofëtinëngrënës, nëse ju ka goditur uria e mjerimi, unë mund t’ju furnizoj me kaq shumë ushqime, sa mund të hani duke qëndruar nëpër shtëpi gjithë jetën; po kështu mund t’ju jap veshje të shumta; merrini dhuratat prej meje dhe ikni që këtu. Pse doni të shkatërroni veten duke luftuar me mua?! U tha Mbreti muslimanëve.

Pasi Mbreti e mbaroi fjalën, u ngrit Hazret Mugira bin Zerara dhe i tha:

Gjithçka që keni thënë për ne është plotësisht e vërtetë. Ne me të vërtetë ishim një popull i egër, hanim ngordhësirën, gjarpërinj e zvarranikë të tjerë, por Allahu i Madhërishëm na bekoi dhe na dërgoi të Dërguarin e Tij për të na udhëzuar. Ne besuam në të dhe pranuam të gjitha porositë që ai na solli. Tani ne kemi ndryshuar në mënyrë revolucionare, dhe tanimë nuk i kemi më të metat që ju i përmendët. Andaj, nuk mund të lakmohemi më për gjërat tokësore. Lufta jonë me ju ka filluar. Vendimi do të merret në fushëbetejë.

Pra, thanë se lakmia për gjërat materiale nuk mund t’i pengojë ata nga thirrja për në rrugën e Zotit.

Jazdegiri kur e dëgjoi këtë përgjigje, u zemërua fort dhe porositi shërbëtorin të sillte një thes me dhe. Më pas e ftoi drejtuesin e delegacionit të muslimanëve të dilte përpara, dhe i tha – Përderisa e keni refuzuar propozimin tim, unë nuk kam asgjë për t’ju dhënë juve përveç dheut.

Sahabi i Profetit r.a. doli përpara me shumë seriozitet, e mori thesin, e ngarkoi në shpinën e vet, hipi në kalë dhe me një lëvizje të shpejt doli nga oborri mbretëror, por u tha shokëve të tij duke lëshuar një britmë – Fitore! Mbreti i Iranit me dorën e vet na e dorëzoi tokën e tij!

Kalorësit muslimanë i rendën kuajt dhe me shpejtësi të madhe u larguan nga toka e tyre. Mbreti kur e dëgjoi britmën e tyre, u trondit – Shpejt, gjejini ata dhe ma sillni prapë thesin e dheut! Qenka ogur i keq që unë vetë ua dorëzova tokën time! U tha ushtarëve të tij, por deri atëherë kalorësit muslimanë ishin larguar që atje. Ndodhi pikërisht ashtu siç e kishte thënë ky sahab. Brenda pak vitesh, i gjithë Irani do të binte në duart e muslimanëve.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. shkruan:

Si e arritën muslimanët këtë ndryshim madhështor në qeniet e tyre? E arritën duke ndjekur mësimin e Kuranit. Kurani i Shenjtë u solli një revolucion të madh në virtytet dhe në zakonet e tyre, ua asgjësoi jetën e tyre shtazore dhe i ngrit në lartësi karakteret dhe moralet e tyre. Andaj, revolucioni do të vijë vetëm duke i zbatuar mësimet e Kuranit të Shenjtë.

InshaAllah kjo temë do të vijojë edhe në xhumanë tjetër.

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp