Betejat e Medainit dhe Xhelules | Ngjarje të hollësishme nga jeta e Hazret Omerit r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Betejat e Medainit dhe Xhelules | Ngjarje të hollësishme nga jeta e Hazret Omerit r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Po vijon tema rreth Hazret Omerit r.a. dhe së fundmi po diskutoheshin betejat që janë zhvilluar gjatë periudhës së Kalifatit të tij.

Lidhur me fitoren mbi qytetin Medain, Hazret Mirza Bashir Ahmedi në veprën e tij, Siret Khatemun-Nebijjin ka shkruar se Allahu i Madhërishëm e kishte paralajmëruar të Dërguarin e Tij s.a.v.s. për këtë ngjarje. Ai shkruan:

Gjatë mihjes së hendekut, doli një gur i madh, që nuk thyhej dot. Sahabët kishin tri ditë që nuk kishin futur gjë në gojë, dhe ata po rraskapiteshin nga pafuqia. Më në fund, ata e lajmëruan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe e njoftuan se kanë hasur një gur të madh, i cili nuk po thyhej në asnjë mënyrë. Për të duruar urinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vënë një gur mbi bark, megjithatë ai menjëherë erdhi në vend. Ai mori një kazëm, dhe me emrin e Allahut e goditi fort gurin. Përplasja e kazmës me gurin lëshoi një shkëndijë dhe Profeti s.a.v.s. hodhi thirrje të fuqishme Allahu Ekber dhe tha: “Mua më janë dorëzuar çelësat e mbretërisë së Sirisë dhe betohem në Allah! Kështjellat e kuqe të Sirisë janë para syve të mi”. Goditja i kishte shkaktuar gurit shumë pak dëm. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha gurit një goditje tjetër. Përsëri, përplasja e hekurit lëshoi një shkëndije tjetër dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lëshoi thirrjen Allahu Ekber me zë të lartë dhe shtoi: “Kësaj here, mua më janë dorëzuar çelësat e Persisë dhe po shoh kështjellat e bardha të Medainit”. Tashmë guri ishte dërrmuar pjesërisht. Ai tani e goditi për herë të tretë me kazmën. Goditja lëshoi edhe një herë shkëndije, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ngriti sloganin Allahu Ekber dhe tha: “Tani mua më janë dorëzuar çelësat e Jemenit dhe pasha Allahun, po shoh portat e Sanait”. Guri tashmë ishte copëtuar plotësisht dhe ishte shkulur nga vendi.

Sipas një transmetimi tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ngrinte tekbirin pas çdo goditjeje, dhe më vonë pas pyetjes së sahabëve, ai u kishte shpjeguar këto vizione. Pas largimit të kësaj pengese të përkohshme, muslimanët filluan sërish mihjen e hendekut.

Pamjet që i ishin treguar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kanë të bëjnë me botën e keshfit (vizionit). Edhe në atë kohë shtrëngimi dhe vështirësie, përmes pamjeve të fitoreve dhe shtrirjeve në të ardhmen, Allahu i Madhërishëm u ngjalli sahabëve frymë shprese dhe rehatie. Megjithatë, në realitet ajo ishte një kohë e vështirë dhe e mundimshme. Kur dëgjuan këto premtime të mëdha, hipokritët gjithashtu u tallën me muslimanët me fjalë thumbuese se në një anë ata nuk kanë fuqi të dalin nga shtëpitë e tyre, e në anën tjetër po ëndërrojnë për të pushtuar perandorinë romake e perse. Në dijen absolute të Allahut, të gjitha këto mirësi ishin dekretuar për muslimanët dhe një pjesë e këtyre premtimeve u përmbush ditëve të fundit të jetës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe pjesa më e madhe e profecive u konkretizua gjatë periudhave të kalifëve të tij dhe kështu u solli besim dhe qetësi muslimanëve.

Fitorja e Medainit

Profecia e një fitoreje ndaj Medainit, e cila i ishte premtuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., u përmbush përmes Hazret Sa’dit r.a. gjatë periudhës së Hazret Omerit r.a.. Pas fitores së Kadisijes, ushtria muslimane pushtoi Babiloninë, e cila ishte një qytet i lashtë në Irak. Pas fitores së Babilonisë, ata mbërritën në Kusa, e cila ndodhej pranë saj. Në Kusa, Nemrudi kishte prangosur Hazret Ibrahimin a.s. dhe vendi i burgimit të tij, ishte ruajtur akoma. Kur Hazret Sa’di mbërriti në Kusa, dhe vizitoi vendin, në të cilin Hazret Ibrahimi ishte ndaluar, ai recitoi ajetin e Kuranit:

وَتِلْكَ الْأَيَّامُ نُدَاوِلُهَا بَيْنَ النَّاسِ

Ditët e tilla Ne i ndërrojmë midis njerëzve. (Kurani Famëlartë 3:141)

Pas Kuses, ata erdhën në një vend, që e quanin Bohur Sir dhe që ishte pjesë e qytetit Medain, që shtrihej në bregun perëndimor të lumit Dexhla. Në këtë vend, gjendej edhe luani i Kisrasë. Kur ushtria e Hazret Sa’dit u afrua, ata e lëshuan luanin, i cili iu vërsul ushtarëve muslimanë. Hashim ibn Ebi Vekasi, vëllai i Hazret Sa’dit ishte komandanti i pararojës. Ai i dha një goditje të fuqishme bishës së egërsuar dhe e mbyti në vend.

Pastaj u zhvillua lufta e Medainit. Medaini ndodhet në jug të Begdadit, në buzë të lumit Dexhla. Meqë, aty ishin themeluar njëri pas tjetrit disa qytete, prandaj arabët e quanin këtë vend Medain, d.m.th. një grup qytetesh.

Medaini ishte kryeqyteti i Kisrasë, ku ndodheshin kështjellat e tij llamburitëse. Qytetin e Medainit e ndante vetëm lumi Dexhla nga muslimanët dhe persianët kishin rrëzuar të gjitha urat përgjatë lumit. Sipas Tarikhit të Tabariut, Hazret Sa’di urdhëroi për të siguruar varkat që i çonin muslimanët mëtanë lumit, por kundërshtarët kishin zaptuar të gjitha mjetet e lundrimit. Hazret Sa’di donte të kalonte lumin, por për shkak të dhembshurisë ndaj ushtarëve muslimane, ai nuk donte t’u impononte një urdhër të tillë. Atëherë, disa fshatarë u treguan mënyrën për të kaluar lumin nëpër va të gjerë, ku uji ishte i cekët. Megjithatë, Hazret Sa’di akoma nuk dha urdhër për kalimin e lumit. Gjatë kësaj kohe, lumit iu ngrit shtrati dhe kalimi u bë më i vështirë.

Një natë, Hazret Sa’di pa në ëndërr që kuajt e muslimanëve kanë zbritur në lumë dhe kanë kaluar shtratin, edhe pse ai ishte ngritur. Për të zbatuar ëndrrën, Hazret Sa’di mori vendim të prerë se do të kalonte lumin. Ai iu drejtua ushtarëve të tij dhe tha: O muslimanë! Armiku ka gjetur strehim në shtratin e lumit. Le ta kalojmë lumin me not. Pas këtyre fjalëve, ai shtyju kalin në lumë. Kur e panë muslimanët udhëheqësin e tyre në lumë, ata gjithashtu iu përgjigjën trimërisht thirrjes së tij, dhe nganë kuajt e tyre në lumë. Brenda pak çasteve, ushtarët kaluan lumin dhe zbritën mëtanë.

Persianët nuk u besonin syve, dhe kjo pamje e jashtëzakonshme u futi lemerinë. Ata bërtisnin të tmerruar dhe hallakateshin duke thënë: “دیوان آمدند دیوان آمد!” d.m.th. erdhën të çmendur, erdhën përbindsha”. Muslimanët vazhduan marshimin përpara dhe shumë shpejt pushtuan të gjitha kështjellat e qytetit dhe të Kisrasë. Para se të mbërrinte ushtria muslimane në Medain, Kisraja kishte nisur familjen e tij larg, prandaj muslimanët nuk gjetën ndonjë kundërshtim të madh.

Në këtë mënyrë, u përmbush profecia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilën ai kishte treguar në luftën e Ahzabit gjatë mihjes së hendekut, duke përplasur gurin me kazëm se po shikonte kështjellat llamburitëse të Medainit.

Kur Hazret Sa’di i gjeti kështjellat të zbrazëta e të shkretuara, ai recitoi ajete të mëposhtme të sures ed-Dukhan:

كَمْ تَرَكُوا مِن جَنَّاتٍ وَعُيُونٍ ۝

وَزُرُوعٍ وَمَقَامٍ كَرِيمٍ ۝‎

وَنَعْمَةٍ كَانُوا فِيهَا فَاكِهِينَ ۝‎‏

كَذَٰلِكَ ۖ وَأَوْرَثْنَاهَا قَوْمًا آخَرِينَ ۝

Eh, sa e sa kopshte dhe burime i lanë ata, sa ara të mbjella dhe ndërtesa fisnike, dhe sa begati, në të cilat kënaqeshin! Kështu, Ne ua lamë trashëgim ato një populli tjetër. (Kurani Famëlartë 44:26-29)

Hazret Sa’di dha urdhër për grumbullimin e thesarit dhe sendeve të tjera të çmuara. Në këtë thesar, dalloheshin mijëra sende, që ishin ruajtur si kujtime nga mbretërit e kaluar, mburojat, parzmoret, armët, kurorat, veshjet mbretërore, një kalë prej arit i cili kishte samar të argjendtë, gurë të çmuar si rubin e smeraldi, një deve të argjendtë, me shalë prej floriri, dhe me një gungë të gdhendur me rubin të çmuar. Në këto plaçka përfshihej një dysheme, të cilën persianët e quanin behar. Sipërfaqja e saj ishte prej arit, ndërsa pemët ishin prej argjendit dhe frutat prej gurëve të çmuar.

Ushtarët muslimanë kishin një nivel shembullor integriteti, ndershmërie dhe sinqeriteti, saqë ata grumbulluan të gjitha këto sende, dhe i dorëzuan çdo gjë eprorit të tyre. Kur u vendosën këto sende në dysheme, i gjithë vendi shkëlqente dritë. Ndershmëria e ushtarëve i la përshtypje të thellë Hazret Sa’dit r.a. dhe ai kishte thënë: Këta ushtarë që nuk morën asgjë nga thesari për veten e tyre, kanë treguar se me të vërtetë ata gjenden në shkallë shumë të lartë drejtësie.

Plaçkat u ndanë sipas rregullave dhe një e pesta e tyre u dërgua drejt oborrit të Kalifatit. Sendet e çmuara dhe kujtimet nga antikiteti ishin dërguar në një mënyrë që arabët të shikonin madhështinë e persianëve dhe të dëshmonin fitoret dhe lulëzimin e Islamit.

Kur këto sende u vendosën për Hazret Omerin, ai gjithashtu shprehu habinë mbi ndershmërinë dhe integritetin e lartë të ushtarëve. Në Medinë jetonte një njeri i pashëm e shtatlartë, të cilin e quanin Muhellim. Hazret Omeri urdhëroi që veshjet e mbretit Nosherva t’i jepeshin atij. Këto veshje dalloheshin nga njëra-tjetra, pasi shërbenin për raste të ndryshme. Ai një e nga një provonte ato veshje. Banorët e Medinës ishin mahnitur pas bukurisë së tyre. Në fund, u shpërnda edhe dyshemeja që quhej Behari.

Lufta e Xhelules

Lufta e Xhelules u zhvillua në vitin 16 hixhri. Pas fitores së Medainit, persianët ishin grumbulluar në Xhelula dhe ata kishin nisur përgatitje hakmarrje ndaj muslimanëve. Sipas urdhrit të Hazret Omerit, Hazret Sa’di nisi një çetë prej 12 mijë ushtarësh nën drejtimin e Hashim ibn Utbasë për ballafaqimin e ushtrisë persaine. Xhelula është qyteti i Irakut dhe ndodhet në rrugën që lidh Begdadin me Khurasanin. Këtu u zhvillua një luftë midis muslimanëve dhe persianëve. Pas mbërritjes, muslimanët bënë rrethimin e qytetit. Ky rrethim zgjati disa muaj, gjatë të cilit, persianët dilnin nga qyteti dhe bënin sulme ndaj ushtarëve muslimanë. U zhvilluan 80 ndeshje të tilla.

Muslimanët i shkruan Hazret Omerit hollësitë e fitores së Xhelules. Ata i shkruan se Hazret Ka’ka’ ka ngritur një kamp në Halvan dhe i kërkuan leje për të ndjekur ushtritë jo-arabe. Hazret Omeri nuk e pranoi këtë kërkesë, por si përgjigje u shkroi se kishte dëshirë të ngrihej një mur midis vargmaleve të Irakut e Iranit, dhe kështu as persianët dhe as arabët nuk guxonin të hynin në territorin e njëri-tjetrit. Ndër të tjerash, ai shkroi: “Për ne territori bujqësor i Irakut është i mjaftueshëm. Në vend të plaçkave, unë i jap epërsi mbrojtjes së muslimanëve”.

Sipas një transmetimi, Hazret Sa’di dërgoi një të pestën e plaçkave dhe sendeve të arit e të argjendit dhe të veshjeve përmes Kazai ibn Amr Loli dhe dërgoi disa robë lufte me anë të Ebu Mufezir Esvedit. Ndërsa, në një transmetim tjetër është përmendur se e pesta e plaçkave të luftës ishte dërguar përmes Kazait dhe Ebu Mufezirit ndërsa për të shënuar këto, ata i shoqëronte Zijad ibn Ebu Sufjani, i cili merrej me kontabilitetin dhe i shënonte të gjitha hyrje dalje nëpër regjistra të posaçme.

Kur plaçkat ishin mbërritur në Medinë, pranë Hazret Omerit r.a., Zijadi bisedoi me të dhe e njoftoi hollësisht rreth tyre. Hazret Omeri e pyeti: “A mund të rrëfeni këto hollësi edhe përpara muslimanëve?” Zijadi iu përgjigj: “Betohem në Allah! Në gjithë rruzullin tokësor, nuk i trembem askujt më shumë se ju. Nëse kam arritur t’ju rrëfej hollësitë e këtyre luftërave, përse nuk mund t’ua rrëfej këto detaj dikujt tjetër. Kështu Zijadi qëndroi në foltore përpara muslimanëve dhe ua përshkroi hollësitë e luftës. Ai gjithashtu përmendi bëmat e muslimanëve, zhvillimet e luftërave si dhe rrethanat që rezultuan në fitimin e plaçkave etj. Ai gjithashtu u tha: Muslimanët kërkojnë leje për të ndjekur kundërshtarin e për të përparuar më tej”. Në fillim, Hazret Omeri vlerësoi fjalimin e tij dhe tha: “Ky është një orator i zoti”. Zijadi iu përgjigj: “Me anë të shfaqjes së trimërisë, ushtria jonë na ka dhuruar aftësinë e folurit”.

Është përmendur në një transmetim tjetër që kur i dorëzuan Hazret Omerit r.a. një të pestën e plaçkës, ai u tha: “Kjo pasuri është kaq e madhe, saqë nuk ka shtëpi në Medinë, e cila mund ta përmbajë atë, prandaj nuk do të vonoj në shpërndarjen e saj”.

Hazret Abdurrahman ibn Aufi dhe Abdullah ibn Erkemi i bënin rojë kësaj pasurie, që ishte grumbulluar në oborrin e xhamisë. Në mëngjes, Hazret Omeri erdhi në xhami bashkë me muslimanë të tjerë. Kur iu hoqën mbulesën pasurisë së plaçkës dhe Hazret Omeri pa sende të çmuara dhe gurë të rrallë si rubin e smerald, ai u emocionua dhe lotët i binin rrëke. Hazret Abdurrahmani i tha Hazret Omerit: O Prijës i Besimtarëve! Përse po çani. Pasha Allahun! Në këtë moment, njeriu duhet të falënderonte Zotin”. Hazret Omeri iu përgjigj: Betohem në Allah! Asgjë nga këto nuk më ka mallëngjyer, por kur Allahu u dhuron këto mirësi ndonjë populli, atyre u shtohen gjithashtu smira, inati e zilia. Kur popullit i shtohet smira, ata nxjerrin armë kundër njëri-tjetrit.

Kjo pikë është shumë e rëndësishme që tërheq vëmendjen tonë dhe na shtyn të bëjmë istikfar. Ne shohim sot përmbushjen e këtyre fjalëve. Pasuria materiale u ka shtuar muslimanëve vetëm smirë e inat. Ne shikojmë vendet muslimane pikërisht në këtë gjendje, pavarësisht a gëzojnë apo jo pasurinë e naftës. Po ashtu në nivelin individual, hasim rënien e druajtjes ndaj Zotit.

Gjatë luftës së Medainit, mbreti i Persisë Jezdexher bashkë me familjen dhe shërbëtorët e tij, ishte nisur drejt Halvanit. Kur mësoi për humbje në luftën e Xhelules, ai nisi nga Halvani dhe mbërriti në Ze. Për mbrojtjen e Halvanit, ai caktoi disa çeta ushtarake nën udhëheqjen e një oficeri të nderuar, Khusro Shenum. Ndërkohë, Hazret Sa’di kishte vendosur të qëndronte në Xhelua, dhe ai kishte porositur Ka’ka që të përparonte drejt Halvanit. Kur Ka’Ka mbërriti në “Kasre Shirin” i cili ndodhej vetëm 3 milje para Halvanit, ai u ndesh me ushtrinë e Khusro Shunumit. Në këtë ballafaqim, Khusru pësoi një disfatë të turpshme dhe u largua nga fusha e betejës. Ka’Ka’ pushtoi Halvanin dhe lajmëroi për paqe. Udhëheqësit e vendeve filluan të dyndeshin në Halvan dhe u zotuan për mbështetjen e Islamit.

Fitorja e Masebzanit

Në lidhje me fitoren e Masebzanit, është përmendur që Hazret Hashim ibn Utba, i cili kishte udhëhequr ushtritë muslimane në luftën e Xhelulës, tashmë ishte kthyer në Medain. Hazret Sa’di gjithashtu ndodhej në Medain, kur ai u njoftua se një ushtri perse nën drejtimin e Azin ibn Hormuzanit po përparonte përmes zonës fushore dhe donte të ndeshej me ushtrinë muslimane. Hazret Sa’di menjëherë i përcolli këto zhvillime Hazret Omerit r.a., i cili dha urdhër që një çetë të udhëhiqej nga Darar ibn Khatabi dhe forcat e pararojës të sulmojnë nën drejtimin e Ibn Hezilit, Abdullah ibn Vehb Rasibit dhe Muzarib ibn Falah Uxhliuit.

Kështu ushtria muslimane gjithashtu nisi të marshonte për t’u ndeshur me persianët. Ata u ballafaquan afër fushës së Masebzanit dhe lufta u zhvillua në vendin Hendef. Persianët pësuan një humbje të rëndë, ndërkohë muslimanët vazhduan përpara duke pushtuar qytetin Masebzanin. Qytetarët gjithashtu po linin shtëpitë e tyre, por Hazret Zarar ibn Khattabi u bëri thirrje që të jetonin me paqe në qytetin e tyre. Qytetarët e pranuan këtë thirrje dhe u kthyen në shtëpitë e tyre.

Beladri ka shënuar disa transmetime në lidhje me fitoren e Masebzanit. Sipas një transmetimi, Hazret Ebu Musa el-Esha’riu pas kthimit nga lufta e Nehavendit, kishte pushtuar këtë qytet pa bërë ndonjë luftë.

Fitorja e Khuzistanit

Khuzistani është një provincë e Iranit. Para se të pranonte Islamin, Hermezani ishte guvernatori i Khuzistanit. Ky vend dhe banorët e tij quheshin Khuz. Në Khuzistan përfshihet territori rreth Ehvazit, si dhe toka midis vargmaleve të Persisë, Besrasë, Vasit dhe Esfehanit.

Duke synuar disa avantazhe ushtarake, Hazret Omeri r.a. në 14 hixhri, hapi frontin e dytë në Irak. Ai dërgoi një çetë të vogël nën udhëheqjen e Utbe ibn Gezvanit dhe vendosi një repart ushtarak që më vonë do të shndërrohej në qytetin Besra. Kjo ushtri jo vetëm që arrinte fitore ndaj kundërshtarëve dhe po pushtonte vendet përreth, por po jepte gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në fushatën ushtarake në Irak, pasi ajo nuk po lejonte që ushtritë persiane, të cilat vazhdimisht po mësonin lajmet e humbjes dhe rënies së lidhjes së tyre ushtarake, megjithatë nuk po arrinin të jepnin ndonjë mbështetje të fuqishme në nivel të lartë.

Siç po duket, qëllimi kryesor i vendosjes së ushtrisë në këtë rrugë ishte ndërprerja e kanalit të furnizimit e forcimit ushtarak, si dhe asgjësimi i sulmeve të mundshme ndaj ushtrisë muslimane.

Kryekomandanti i kësaj ushtrie kishte shkuar në Hixhaz për të kryer Haxhin si dhe për të takuar Hazret Omerin. Në mungesë së tij, Hazret Omeri r.a. i kishte besuar frenat e këtij fronti Hazret Mugireh ibn Shubasë. Kur Hazret Mugejreh ishte akuzuar për një shkelje morale, dhe Hazret Omeri e kishte shkarkuar nga detyra dhe e kishte thirrur në Medinë për shqyrtimin e akuzës, ai e kishte zëvendësuar Mugejreh me Hazret Ebu Musa el-Eshariu si kryekomandant. Pas hetimit, u vërtetua që akuza ishte e pabazë. Burimet nuk përputhen në lidhje me vitin e kësaj ngjarje, megjithatë janë përmendur 16 apo 17 hixhri.

Ushtria muslimane ishte angazhuar tërësisht në veprimet ushtarake dhe muslimanët shënuan fitore ndaj qytetit të njohur të Khuzistanit, Ehvaz. Historiani Tabari ka shënuar këtë ngjarje në vitin 17 hixhri, por ai gjithashtu ka sugjeruar se kjo fitore mund të kishte ndodhur në vitin 16 hixhri. Lidhur me këtë fitore, ai ka shkruar që kryetari i muslimanëve ishte Utbe ibn Gezvani, por Beladriu ka sqaruar që Ehvazi dhe fitoret e mëvonshme ishin arritur pas kthimit të Hazret Utbe ibn Gezvanit dhe nën udhëheqjen e Hazret Mugejra ibn Shu’basë dhe Hazret Ebu Musa el-Esh’ariut. Ai gjithashtu ka shkruar që Hazret Mugejreh kishte arritur fitore në Ehvaz. Në fillim, kryetari i Ehvazit, Behrozi u ballafaqua me ushtrinë muslimane, por më vonë ofroi armëpushim. Pak më vonë, kur Hazret Mugejreh e zëvendësoi Ebu Musa el-Esh’ariu, Behrozi shkeli marrëveshjen dhe shpalli kryengritjen. Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu doli për t’u ndeshur me të, dhe pas një beteje, arriti të pushtonte qytetin. Kjo ngjarje kishte ndodhur në 17 hixhri.

Në luftën e Ehvazit, ushtria muslimane kishte zënë si rob lufte një numër të madh njerëzish, por me urdhrin e Hazret Omerit ata u lanë në gjendje të lirë. Teberiu ka shkruar që persianët gjithmonë përdornin dy rrugë, për të mësyrë ushtrinë muslimane. Në këtë dy rrugë, Nehri dhe Menaziri ishin qendrat e veprimtarisë guerile të ushtrisë persiane. Muslimanët e zgjeruan pushtetin e tyre edhe në këto dy vende.

Nëse vërejmë, do të shikojmë se muslimanët gjithmonë kanë sulmuar vetëm ato qytete dhe vende, që shërbenin si qendra për veprimtarinë partizane ndaj tyre, dhe përdoreshin si qendrat e luftërave guirele ndaj muslimanëve.

Beladriu ka shkruar që Ebu Musa el-Esh’ariu kishte triumfuar Nehr Tereh, bashkë me Ehvazin, ndërsa pas rënies së Ehvazit, ai përparoi drejt Menazirit, dhe rrethoi qytetin. Lufta ishte ashpërsuar. Gjatë këtij rrethimi, një ditë një trim musliman, i cili quhej Muhaxhir ibn Zijad, duke qenë i agjërueshëm, doli për t’u ndeshur me kundërshtarët. Ai kishte ndërmend të binte dëshmor në rrugë të Allahut. Vëllai i tij, Rabiu e njoftoi kryekomandantin Ebu Musa el-Esh’ariun se Muhaxhiri po shkonte në luftë, duke qenë i agjërueshëm. Hazret Ebu Musa bëri një njoftim që çdo njeri që agjëron, ose të ndërpresë agjërimin ose të mos shkojë në luftë. Muhaxhiri, kur e dëgjoi njoftimin, prishi agjërimin me një gllënjkë uji dhe tha: “Unë po bëj këtë vetëm për shkak të urdhrit nga Kryetari, ndryshe nuk po ndiej etje aspak”. Ai i ngriti armët dhe ra dëshmor duke luftuar me kundërshtarin. Banorët e qytetit, ia prenë kokën dhe e varën mbi kangjellat e larta të kështjellës.

Rrethimi po shtyhej. Ebu Musa el-Esh’ariu, ndoshta sipas urdhrit të Hazret Omerit, e la një çetë nën udhëheqjen e Rabiut, vëllait të Muhaxhirit, për rrethimin e Menazirit, dhe vetë u nis drejt qytetit Sus. Rabiu, pas një lufte të ashpër, pushtoi qytetin dhe shumëkënd i zuri si robërit e luftës, por pas urdhrit të Hazret Omerit r.a. ata që të gjithë u lanë në gjendje të lirë.

Në anën tjetër, Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu përparoi drejt qytetit Sus. Në fillim banorët luftuan fort, por më vonë pas rrethimit të qytetit, u ngujuan brenda. Por, kur u përballën me mungesën e furnizimit, ata dorëzuan armët.

Mir Mahmud Ahmed sahibi në studimin dhe analizën e tij, është shprehur që Teberiu dhe Beladriu kanë mosmarrëveshje të shumta në qëndrimet e tyre. Kjo mosmarrëveshje ndoshta buron nga ngatërresa që gjendet midis fitoreve të para të muslimanëve në këtë territor dhe ngjarjeve të tradhtisë dhe kryengritjes së udhëheqësve persianë dhe si rrjedhojë ndërhyrja e dytë ushtarake të palës muslimane. Pra, ai është i mendimit se zhvillimet ushtarake në këtë rajon, synonin vetëm vendosjen e paqes.

Lufta “Ramhormoz” dhe “Shushtor”

Mbreti pers Jezdexheri, i cili pas luftës së Xhelules, duke kaluar nga Zej, kishte shkuar në Isteher. Ai akoma nuk kishte pranuar humbjen dhe po nxiste njerëzit kundër muslimanëve. Ai po bënte çdo përpjekje për të dërguar një ushtri në Khuzistan, ku muslimanët kishin arritur fitore të mëdha. Arsyeja e dytë që kishte ndezur flakët e luftës në këtë rajon, ishte veprimtaria ushtarake e një komandanti pers Heremzan kundër muslimanëve.

Heremzani kishte marrë pjesë në luftën e Kadisijes dhe pas humbjes ishte kthyer në vendin e tij, dhe tashmë përmes luftës guerile po bënte sulme të vazhdueshme ndaj muslimanëve. Pas fitores së muslimanëve në qytetin Xhelule, persianët u mobilizuan në Ramhormoz nën udhëheqjen e Heremzanit.

Ramhormozi ishte një qytet i famshëm, i cili ndodhej në afërsi të Khozestanit. Duke ndjekur urdhrin e Hazret Omerit, Hazret Sa’d ibn Ebi Vekasi emëroi Nu’man ibn Mukerrin komandantin e ushtrisë dhe e nisi prej Kufes, ndërkohë e nisi Hazret Ebu Musa el-Esh’ariuu nga Besra. Ai gjithashtu porositi që kur të bashkohen këto dy ushtri, Ebu Sebre ibn Romi do të jetë kryekomandanti i tyre.

Kur Hormuzani mësoi për çetën e Numan ibn Mukerrinit, ai doli për t’u ballafaquar me të. Pas një ndeshje të ashpër, Hormuzani pësoi humbje, dhe iku në drejtim të Tusterit. Ky është gjithashtu një qytet i madh, dhe distanca e tij nga Khozestani ishte një ditë udhëtimi. Hormuzani u ngujua brenda qytetit. Ushtria muslimane nën drejtimin e Hazret Ebu Sebres, ngushtoi unazën e rrethimit rreth qytetit, i cili zgjati për disa muaj. Ushtria persiane shpesh bënte sulme dhe pastaj kthehej në qytet dhe mbyllte portat. Në këtë mënyrë, gjatë rrethimit, persianët kryejnë 80 aksione ushtarake. Në aksionin e fundit, muslimanët u kundërpërgjigjën me një goditje të ashpër. Kur rrethimi i qytetit kaloi në fazën vendimtare, dy persianët i njoftuan muslimanët se si mund të hynin brenda qytetit përmes kanalit të shkarkimit, dhe kështu mund të triumfonin mbi qytetin. Në këtë mënyrë, muslimanët arritën të hynin në qytet.

Lidhur me këtë, Ebu Hanife Dinaveri autori i Ekhbarit-Tival ka shkruar që rrethimi nga muslimanët ishte zgjatur. Një natë, një person i nderuar i qytetit erdhi te Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu dhe i ofroi të ndihmonte për të pushtuar qytetin, në këmbim të mbrojtjes së familjes dhe pasurisë së tij. Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu i siguroi mbrojtje. Në “Futuhul Buldan”, është përmendur se ky njeri gjithashtu kishte pranuar Islamin. Ai i kishte thënë Hazret Ebu Musa el-Esh’ariut: “Dërgoni dikë me mua, që ta informoj për çdo gjë se si mund të hynin muslimanët në qytet”. Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu zgjodhi Esh’as ibn Aufin, prej fisit Benu Sh’uban për këtë detyrë.

Ata kaluan nëpër një përrua dhe pastaj përmes një tuneli hynë në qytet. Ai e mbuloi Esh’as ibn Aufin me një çarçaf dhe e porositi që ta ndiqte nga pas sikur të ishte shërbëtori i tij. Në këtë mënyrë, ai e shoqëroi rreth e përqark qytetit. Më në fund, ai e solli te porta kryesore e qytetit, të cilën e ruante një njësi rojtarësh. Ai e solli atë edhe te Hormuzani, i cili gjendej në një kuvend, në hyrje të kështjellës së tij. Pasi i kishte treguar të gjitha këto, ai e solli Esh’athin sërish në kampin e muslimanëve nga e njëjta rrugë.

Esh’athi i rrëfeu Hazret Ebu Musa el-Esh’ariunt gjithë informacionin. Ai i tha: “Nëse më jepni 200 trima, ne do t’i vrasim rojat e portës kryesore dhe do ta hapim që të hyni brenda”.

Kështu, Esh’ath ibn Aufi bashkë me ushtarët muslimanë hyri në qytet duke kaluar nëpër rrugë të fshehur. Ata i mësynë rojtarët duke i zënë në befasi dhe hapën portat e qytetit. Ushtria muslimane marshoi brenda qytetit duke ngritur parullën Allahu Ekber. Sa i dëgjoi parullat ushtarake, Hormuzani me vrull vrapoi brenda kështjellës së tij, e cila gjendej brenda qytetit. Muslimanët e rrethuan kështjellën nga jashtë. Nga kulla e kështjellës, Hormuzani deklaroi: “Në farashën time, kam treqind shigjeta. Derisa nuk e kam lëshuar shigjetën e fundit, askush nuk mund të më prekë. Unë nuk u trembem pasojave, se si do të më ndaloni”. Muslimanët e pyetën se çfarë dëshironte ai. Ai u tha: Unë dorëzoj armët vetëm me një kusht, që çështjen time le të gjykojë vetë Omeri. Muslimanët ia pranuan kushtin dhe Hormuzani hodhi armët dhe iu dorëzua atyre.

Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu e nisi Hormuzanin nën mbikëqrjen e Hazret Enes ibn Malikut dhe Ahnab ibn Kejsit. Kur ky karvan mbërriti në Medinë, ata i dhanë Hormuzanit mantelin mbretëror prej mëndafshi, që mbante punim prej floririt. Ndonëse ishte një rob lufte, por ata i veshën mantelin madhështor. Që Hazret Omeri të kuptonte gjendjen e tij, ata i vunë në kokë kurorën e tij prej xhevahiresh. Me këtë gjest, donin të tregonin se kishin kapur një udhëheqës kaq të madh. Kur pyetën për Hazret Omerin, njerëzit u thanë se ai ndodhej në xhami. Kur mbërritën në xhami, Hazret Omeri ishte shtrirë në dysheme dhe po pushonte duke vënë kokën mbi çallmën e tij.

Hormuzani pyeti: Ku është Omeri? Njerëzit iu pëgjigjën se ai po pushonte. Atëherë, Hazret Omeri ishte i vetëm në xhami. Hormuzani sërish pyeti: Ku janë rojat dhe shërbëtorët e tij? Ata iu përgjigjën se atij nuk i nevojiten rojat, shërbëtorët, këshilltarët apo shkruesi. Hormuzani u shpreh sakaq “Sigurisht, ky njeri më ngjan si një profet”. Ata i thanë: “Ai nuk është profet, por sigurisht ndjek rrugën e tyre”, Nga biseda e njerëzve, Hazret Omerit i doli gjumi. Ai pyeti: A është ky Hormuzani? Njerëzit i vërtetuan mendimin. Hazret Omeri i hodhi një vështrim Hormuzanit dhe veshjes së tij dhe tha: “Unë strehehom tek Allahu nga zjarri dhe i kërkoj ndihmë”. Pjesëtarët e delegacionit i thanë: Ky është Hormuzani. Ju mund të bisedoni me të. Hazret Omeri tha: Jo asnjë mënyrë. Unë nuk do të bisedoj me të, derisa ai të heqë veshjet dhe stolitë e tij. Sipas porosisë së Hazret Omerit, ata larguan mantelin dhe stolitë e tjera mbretërore.

Hazret Omeri filloi bisedën dhe i tha: A ke parë pasojën e tradhtisë dhe pabesisë? (Arsyeja e kësaj lufte ishte tradhtia dhe pabesia e tij). Ai iu përgjigj: Në kohën e injorancës, kur Zoti nuk ishte me asnjërin nga ne, ne kemi gëzuar epërsi mbi ju. Por, meqë ju gëzoni mbështetjen e Zotit, prandaj tashmë na keni mbizotëruar.

Hazret Omeri iu përgjigj: “Në kohën e injorancës, na keni mbizotëruar, sepse ishit të bashkuar, ndërsa ne ishim të përçarë”. Pastaj pyeti: Ju keni shkelur marrëveshjen në mënyrë të përsëritur dhe keni bërë pabesi. Si e arsyetoni sjelljen tuaj? Hormuzani iu përgjigj: Druhem se ju do të më ekzekutoni para se të përgjigjem. Hazret Omeri i tha: Nuk keni pse ta keni frikë. Hormuzani i kërkoi ujë për të pirë, që e sollën në një gotë të vjetër. Atëherë Hormuzani I tha: Unë nuk do ta pranoj kurrë të pi ujë nga një gotë e tillë, madje më mirë të vdes nga etja”. Kur i sollën një gotë, që i shkonte për shtat statusit të tij, ai i kapi me duar që dridheshin dhe tha: “Kam frikë që do të më mbysni, në kohën kur jam duke pirë ujë”. Hazret Omeri i siguroi se askush nuk do ta prekë atë, derisa ai të ketë shuar etjen. Duke dëgjuar këtë, ai derdhi ujë në dysheme. Ai ishte i zgjuar. Duke ditur që nëse uji është kusht dhe muslimanët nuk e shkelin fjalën e tyre, ai refuzoi të pinte ujë. Hazret Omeri urdhëroi për ta shërbyer atë me ujë dhe urdhëroi që ai të mos ekzekutohej si i etur. Sigurisht, për shkak të shkeljes së marrëveshjes, tradhtisë dhe zhvillimit të luftës me muslimanët, ai e meritonte këtë dënim. Hormuzanit tha: Unë nuk isha i etur, vetëm desha të siguroja mbrojtje në këtë mënyrë.

Më vonë Hormuzani pranoi Islamin dhe zgjodhi të jetonte në Medinë. Hazret Omeri r.a. i kishte caktuar një ndihmë mujore prej dy mijë.

Ikd el-Ferid përmend se kur Hormuzanin e sollën para Hazret Omerit r.a. si rob lufte, ai e ftoi për të pranuar Islamin., por Hormuzani refuzoi këtë ftesë. Atëherë Hazret Omeri dha urdhër për ta dënuar me vdekje. Para se të ekzekutohej, ai i tha: “O Prijës i Besimtarëve! Ju lutem më lejoni të pi ujë”. Hazret Omeri dha urdhër për t’i sjellë ujë. Kur e mori tasin, për të pirë ujë, ai e pyeti Hazret Omerin: “A më siguroni jetën derisa të pi ujë?” Hazret Omeri ia pranoi kërkesën. Hormuzani menjëherë derdhi ujë në dysheme dhe tha: “Tani përmbushni fjalën tuaj”. Hazret Omeri i tha: “Unë të jap pak afat dhe shoh se si vepron gjatë kësaj periudhe”.

Kur rojet e larguan shpatën e tyre, Hormuzani u shpreh menjëherë: “Esh-heu el-la ilahe il-lAllahu vehdehu la sherike lehu ve esh-hehu enne Muhammaden Abduhu ve resuhulh” Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe Muhammedi është i robi dhe i Dërguari i Tij”. Hazret Omeri e pyeti Hormuzanin: Përse nuk kishe pranuar Islamin përpara? Ai iu përgjigj: O Prijës i Besimtarëve! Kisha frikë që njerëzit do të thonë se unë kam pranuar Islamin nga frika e shpatës”.

Pastaj, Hazret Omeri këshillohej me Hormuzanin në lidhje me fushatën ushtarake në Iran dhe respektonte mendimet e tij. Më vonë ai ishte bërë dhe këshilltari i Hazret Omerit.

Hormuzani gjithashtu dyshohej si konspirator në atentatin ndaj jetës së Hazret Omerit. Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka hedhur poshtë këtë pretendim dhe në shpjegimin e sures el-Kasas, ka thënë:

“Një herë e sollën një musliman te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili kishte vrarë një jomusliman, ndërkohë ky i fundit duke hyrë në marrëveshje me muslimanët, ishte një qytetar në shtetin musliman. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pas shqyrtimit të këtij rasti, i dha dënimin me vdekje dhe tha: Unë nuk e shkel marrëveshjen dhe i qëndroj besnik fjalës së dhënë.

Në Teberani gjejmë një transmetim rreth Hazret Aliut r.a. se një herë një musliman vrau një dhimmi dhe Hazret Aliu r.a. dha urdhër për ta ekzekutuar atë. (dhimmi është një jo-musliman i cili paguan taksën e xhizjes dhe në këmbim shteti islamik i garanton lirinë e besimit dhe i mbron jetën, nderin dhe pasurinë.)

Disa persona mbështeten në hadith, لَا يُقْتَلَ مُسْلِمٌ بِكَافِرٍ se një musliman nuk mund të vritet për vrasjen e një jo-muslimani. (Sunen ibn Maxha, hadith numër 2659) Fjalia vijuese e këtij hadithi mban këto fjalë: وَلاَ ذُو عَهْدٍ فِي عَهْدِهِ d.m.th. një njeri i cili është i mbrojtur përmes marrëveshjes, nuk mund të vritet. Kjo pjesë e hadithit zgjidh këtë çështje. Nëse pranojmë që ky hadith deklaron se një musliman nuk mund të vritet për vrasjen e një jo-muslimani, atëherë edhe pjesa e dytë e hadithit duhet të kishte kuptimin që një njeri që është i mbrojtur nga marrëveshja nuk mund të vritet si hakmarrje për një jobesimtar, megjithatë askush nuk e mbështet këtë kuptim.

Në fakt, fjala Kafir e përdorur në tekstin e hadithit nënkupton një mohues agresor i cili bën sulm të armatosur e jo një mohues i zakonshëm, prandaj është thënë që jo vetëm një musliman por edhe një dhimmi jomusliman, nuk mund të vritet si hakmarrje për vrasjen e një mohuesi agresor e luftëtar.

Nëse i hedhim një vështrim jetës dhe praktikës së sahabëve, ne arrijmë në përfundim se ata vrasjen e një jomuslimani e dënonin me vdekje, njësoj si vrasjen e një muslimani. Në Teberi, përmendet ngjarja e vrasjes së Hormzuanit, të rrëfyer nga i biri i tij Kumazbani. Ai rrëfen:

“Hormuzani ishte një udhëheqës pers dhe ndiqte fenë zoroastriane. Pas ngjarjes së vrasjes të Hazret Omerit r.a., Hormuzani qe një prej atyre, që ishte dyshuar për këtë komplot. Kur djali i Hazret Omerit, Ubejdullahu dëgjoi këto thashetheme, ai u fry nga inati dhe pa asnjë hulumtim, shkoi dhe vrau Hormuzanin. Ai besonte se iranianët që jetonin në Medinë, kishin lidhje të ngushta me njëri-tjetrin. Është rregulli i përgjithshëm që nacionaliteti i njerëzve shfaqet më shumë, kur ata jetojnë në vende të huaja. Një ditë Ferozi, vrasësi i Hazret Omerit takoi babanë tim. Ferozi kishte një hanxhar, të cilin e kishte mprehur nga të dyja anët. Babai im ia mori hanxharin dhe e pyeti se për çfarë e përdorte ai atë hanxhar në këtë vend? D.m.th. ky është një vend paqësor, andaj pse i duhej të mbante armët me vete. Ai iu përgjigj se e përdorte për t’i ngarë devetë. Ndërkohë, ata po bisedonin, dikush i pa dhe kur u martirizua Hazret Omeri r.a., ai dha dëshmi se kishte parë Hormuzanin duke e mbajtur në dorë hanxharin e Ferozit.

Kur Ubejdullahu, djali i vogël i Hazret Omerit mësoi këtë, ai e vrau babanë tim. Kur Hazret Osmani u zgjodh si Kalif, ai më thirri mua dhe më dorëzoi Ubejdullahun, i cili ishte i lidhur. Hazret Osmani më tha: O djali im! Ky është vrasësi i babait tënd dhe ti ke më shumë të drejtë ndaj tij se ne. Andaj, shko dhe vrite. Unë e mora me vete dhe dola jashtë qytetit. Çdonjeri që më takonte në rrugë, nuk ballafaqohej me mua, por thjesht bashkohej me mua. Ata më bënin vetëm një kërkesë, që ta lija Ubejdullahun në gjendje të lirë. Unë u drejtova të gjithë musliamanëve dhe u thashë se kisha çdo të drejtë ta vras atë . Ata më thanë se sigurisht unë kisha të drejtë dhe pastaj filluan ta qortonin Ubejdullahun se vërtet ai kishte bërë një veprim të pështirë. Unë i pyeta: A keni të drejtë ta lironi atë me forcë? Ata më thanë: Jo, asesi. Pastaj, filluan prapë ta qortonin Ubejdullahun se ai kishte vrarë pa të drejtë babanë tim. Atëherë, për hir të Zotit dhe për hir të njerëzve të pranishëm, unë e lirova Ubejdullahun. Muslimanët brohoritën nga gëzimi dhe më ngritën në supe. Pasha Allahun, ata më sollën deri në shtëpi duke më mbajtur në supet e tyre dhe nuk më lanë të shkelja këmbët në tokë”.

Ky transmetim vërteton se praktika e sahabëve ishte gjithashtu e tillë se ata vrasësin musliman të një jo-muslimani e dënonin me vdekje dhe pavarësisht armës që është përdorur në vrasje, akti i vrasjes do të dënohet me vrasje. Ky transmetim gjithashtu vërteton se autoriteti kompetent për ndalimin e kriminelit dhe për t’i dhënë atij dënimin, është vetëm administrata shtetërore.

Ndonëse në këtë rast, personi e kishte pranuar Islamin, por po të ishte edhe jo-musliman, ai do të trajtohej njësoj dhe vrasja e një-jomuslimani do të dënohej njësoj sikur vrasja e një muslimani, veçanërisht nëse ai ishte një qytetar i mbrojtur nga marrëveshja.

Hazret Osmani urdhëroi kapjen e Ubejdullah ibn Omerit dhe për të ekzekutuar dënimin, ai ia dorëzoi atë djalit të Hormuzanit. Megjithatë, asnjë nga pasardhësit e Hormuzanit nuk e paditi Ubejdullahun e as nuk e arrestuan.

Këtu është e nevojshme të sqarohet që nëse a është e drejtë t’i dorëzohet vrasësi familjes së të vrarit, që ajo ta ekzekutojë atë, apo dënimi duhet ekzekutuar vetëm nga organi ligjvënës. Le të dihet se kjo është një çështje elementare, dhe Islami e ka lënë të lirë. Pra, çdo popull mund të zgjedhë mënyrën që i përshtatet dhe i përgjigjet më së miri kulturës dhe traditës së tyre. Padyshim, në rrethana të veçanta, secila nga këto mënyra mund të jenë të dobishme,

Kjo temë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Namazet e xhenazes

Tani do t’ju përmend disa anëtarë të cilët kanë ndërruar jetë dhe do të udhëheq namazin e xhenazes për ta.

  1. znj. Sjeda Nesim Sa’id nga Pakistani ka ndërruar jetë në moshën 88 vjeçare
  2. Daud Sulejman Butt sahibi nga Gjermania ka ndërruar jetë në moshën 46 vjeçare.
  3. Zahide Pervin nga Sialkot, Pakistan ka ndërruar jetë në moshën 61 vjeçare.
  4. Rana Abdul Vehid sahib nga Londra ka ndërruar më 26 qershor 2021.
  5. Haxhi Mir Muhammad Ali sahib, ish-kryetar i Xhematit Ahmedia Bangladesh ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare.
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp