Pjesëmarrja e Hazret Omer ibn Hattabit r.a. në beteja
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Pjesëmarrja e Hazret Omer ibn Hattabit r.a. në beteja

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të ta‘avudhit, bismilahut dhe sures el-Fatiha Hazret Kalifatul Masih V (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) tha:

Po trajtohej jeta e Hazret Omerit r.a.. Tani do t’ju përmend në lidhje me betejat dhe ekspeditat ushtarake në të cilat ai kishte marrë pjesë. Hazret Omer ibn Hattabi (r.a.) kishte marrë pjesë në të gjitha betejat me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. përfshirë Uhudin, Bedrin dhe Handekun. Po ashtu ai kishte marrë pjesë edhe në ekspeditat ushtarake, madje disa prej tyre i kishte udhëhequr si kryekomandant.

Gjatë betejës së Bedrit, numri i deveve që posedonin sahabët ishte 70. Për këtë arsye, çdo deve ndahej ndër 3 persona dhe secili prej tyre duhet t’i hipte radhazi. Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri dhe Hazret Abdurrahman ibn Aufi gjithashtu kishin vetëm një deve, së cilës i hipnin me radhë.

Pjesëmarrja në luftën e Bedrit

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dalë nga Medina për të marrë masat kundër karvanit tregtar të Ebu Sufjanit, i cili po kthehej nga Siria. Kur muslimanët mbërritën afër luginës së Zufranit, e cila ndodhej pranë luginës Sufra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi se kurejshët janë gjithashtu nisur nga Meka për mbrojtjen e karvanit të tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. njoftoi sahabët se një ushtri është nisur nga Meka dhe po marshon vrullshëm (drejt Medinës). Ai u kërkoi mendim sahabëve se si duhet të vepronin. A preferonin të ndesheshin me karvanin tregtar në vend të ushtrisë? Një grup iu përgjigj se do të donte të përballej me karvanin tregtar. Sipas një rrëfimi, një grup iu përgjigj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kështu: “Nëse do të na kishit përmendur se po nisemi për luftë, ne me siguri duhet të kishim marrë masat, kurse në fakt kemi dalë për karvanin tregtar”. Sipas një transmetimi, ata thanë: “O i Dërguar i Allahut! Ju duhet të synoni vetëm karvanin tregtar, dhe duhet t’i shmangeni ushtrisë armike”. Kur i Dërguarit i Allahut s.a.v.s. dëgjoi këtë mendim, ai mori tjetër fytyrë.

Hazret Ebu Ejubi ka thënë që kjo ngjarje gjithashtu nxiti zbritjen e këtij ajeti:

كَمَا أَخْرَجَكَ رَبُّكَ مِن بَيْتِكَ بِالْحَقِّ وَإِنَّ فَرِيقًا مِّنَ الْمُؤْمِنِينَ لَكَارِهُونَ
Ashtu siç Zoti yt të nxori nga shtëpia jote me vërtetësi, edhe pse një grup prej besimtarëve nuk e pëlqenin. (el-Enfal 8:6)

Në atë çast, u ngrit Hazret Ebu Bekri dhe mbajti një fjalim mbresëlënës. Pas tij, u çua Hazret Omeri, i cili gjithashtu bëri një bisede të ngrohtë. Pas tyre, u ngrit Mikdadi dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Ju lutem, marshoni përpara, drejt atij synimi, për të cilin jeni porositur nga Allahu. Me siguri, ne jemi me ju. Pasha Allahun! Ne kurrë do t’ju përgjigjemi siç bijtë e Izraelit i ishin përgjigjur Musait a.s.:

 فَٱذْهَبْ أَنتَ وَرَبُّكَ فَقَٰتِلَآ إِنَّا هَٰهُنَا قَٰعِدُونَ
Ata thanë: “O Musa! … Shko ti dhe Zoti yt dhe luftoni, kurse ne këtu do të rrimë. (el-Maideh 5:25)

Përkundrazi, ne do të luftojmë krah me krah bashkë me ju, derisa të japim frymën e fundit.

Çështja e robërve të luftës dhe mendimi i Hazret Omerit

Hazret Ibn Abasi r.a. tregon se kur pas luftës së Bedrit muslimanët kishin zënë disa mekasë si robë lufte, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i pyeti Hazret Ebu Bekrin dhe Hazret Omerin se çfarë mendonin në lidhje me robrit e luftës. Hazret Ebu Bekri i tha: O i Dërguar i Allahut! Ata janë kushërinjtë dhe të afërmit tanë. Sipas mendimit tim, ju duhet të kërkoni shpagimin në këmbim të lirimit të tyre. Kjo do të na shtojë fuqinë tonë kundër mosbesimtarëve. Madje, ndoshta kështu Allahu ua çel zemrën për Islamin.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti Omerin: O ibn Hattab! Si mendoni ju? Hazret Omeri iu përgjigj: O i Dërguar i Allahut! Pasha Allahun! Unë nuk pajtohem me mendimin e Ebu Bekrit. Sipas mendimit tim, ju duhet të dorëzoni ata dhe ne do t’u presim kokat. Akilin dorëzojini Aliut që t’ia presë kokën dhe mua dorëzojini filanin, i cili është i afërmi im që ta vras, pasi këta që të gjithë janë krerët dhe udhëheqësit mosbesimtarë. Por, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pranoi mendimin e Hazret Ebu Bekrit dhe refuzoi mendimin tim.

Të nesërmen, kur erdha tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., e pashë atë duke qarë bashkë me Hazret Ebu Bekrin. Unë e pyeta: ”O i Dërguar i Allahut! Çfarë ju ka emocionuar ju dhe mikun tuaj? Nëse ajo është diçka që më mallëngjen edhe mua, unë do të bashkohem me ju dhe nëse nuk më lotojnë sytë, të paktën do të bëj fytyrën të ndrysur e të zymtë”.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. m’u përgjigj: Arsyeja pse jam i mërzitur është se shokët e tu më kishin këshilluar se t’u jepja lirinë (mohuesve të zënë në luftë) në këmbim të shpagimit, por mua më është treguar se atyre u është avitur ndëshkimi më pranë se kjo pemë që gjendet këtu. Allahu i Madhërishëm ka zbritur dhe këtë ajet:

مَا كَانَ لِنَبِيٍّ أَن يَكُونَ لَهُ أَسْرَىٰ حَتَّىٰ يُثْخِنَ فِي الْأَرْضِ

Nuk i lejohet një profeti që të mbajë robër, pa bërë gjakderdhje në tokë. (el-Enfal 8:68)

Dy ajete më tutje, Allahu ka lejuar plaçkat e luftës për muslimanët.

فَكُلُوا مِمَّا غَنِمْتُمْ حَلَالًا طَيِّبًا ۚ ‎

Ndaj, hani të lejuarën e të pastrën nga ajo që ju vjen si plaçkë lufte. (el-Enfal 8:70).

Ky transmetim është marrë nga Sahihu i Muslimit.

Sqarimi i një keqkuptimi

Fjalët e para të këtij hadithi, që përshkruajnë se gjoja i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekri ishin të mallëngjyer dhe po qanin, kundërvihen nga tema që është përmendur në ajetet kuranore. Madje, fjalët e Kuranit e bëjnë hadithin më të paqartë e të turbullt. Megjithatë, shumica e veprave të historisë, biografisë si dhe komentuesit e Kuranit kanë përmendur këtë rrëfim se Allahu i Madhërishëm kishte shprehur zemërim pas vendimit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për lirimin e ushtarëve mohues në luftën e Bedrit, në këmbim të shpagimit si dhe kishte përkrahur mendimin e Hazret Omerit (r.a.).

Ata që janë marrë me jetëshkrimin apo historinë e Hazret Omerit (r.a.), kanë hartuar një kapitull të veçantë, në të cilin përmenden urdhrat e Kuranit, të cilat sipas tyre, ishin zbritur pas mendimit të Hazret Omerit (r.a.). Në këtë kontekst, ata gjithashtu përmendin këtë ngjarje që Allahu i Madhërishëm kishte pëlqyer mendimin e Hazret Omerit (r.a.) në lidhje me të burgosurit e luftës së Bedrit. Megjithatë, kjo çështje është e paqartë dhe ashtu siç kam thënë, duket se biografët dhe komentuesit e Kuranit kanë keqkuptuar këtë ngjarje.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka komentuar këtë ngjarje dhe në një shënim të pabotuar, ai ka përjashtuar këto rrëfime dhe shpjegimi i tij duket më i arsyeshëm dhe i logjikshëm. Duket sikur ata, në përpjekjen e tyre për të ngritur pozitën e Hazret Omerit (r.a.) kanë trilluar një transmetim ose kanë keqkuptuar këtë ngjarje. Hazret Musleh Mo’udi r.a. ka komentuar ajetin 68 të sures el-Enfal dhe ka thënë:

“Para Islamit, në Arabi kishte traditë, e cila fatkeqësisht vazhdon të ekzistojë edhe sot në disa vende të botës, që edhe nëse nuk zhvillohej një luftë apo konflikt i armatosur, njerëzit kapeshin si rob lufte dhe etiketoheshin si skllevër. Ajeti në fjalë e shfuqizon një doke kaq të urryer e prapanike dhe shpall qartësisht se arrestimi i personave nga pala kundërshtare mund të lejohet vetëm në ato rrethana kur është zhvilluar një luftë. Derisa nuk është zhvilluar një luftë e tillë, nuk lejohet as robërimi i njerëzve. Këtij ajeti i janë atribuuar disa komente të gabuara. Është thënë që kur muslimanët kishin zënë disa nga mekasit si rob lufte, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kërkoi mendimin sahabëve në lidhje me fatin e tyre. Hazret Omeri r.a. ishte i mendimit që ata duhet të ekzekutoheshin, ndërsa Hazret Ebu Bekri r.a. ishte i mendimit që ata duhet të liroheshin në këmbim të një fidjes (shpagimit).

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte pëlqyer mendimin e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Kjo çështje është përmendur gjithashtu në ajetin 68 të sures el-Enfal që nuk i lejohet Profetit të mbajë robër pa bërë një luftë të përgjakshme në tokë.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. gjithashtu ka përshkruar këtë ngjarje se mendimi i Hazret Ebu Bekrit (r.a.) nuk përputhej me mendimin e Hazret Omerit r.a., megjithatë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte pëlqyer mendimin e Hazret Ebu Bekrit dhe u dha lirim ushtarëve të zënë në këmbim të fidjes. Megjithatë, është thënë që kur zbriti ky ajet, sikur Allahu e kishte qortuar të Dërguarin e Tij dhe kishte shprehur mospëlqim ndaj veprimit të tij. Pra, robërit e luftës duhet të ekzekutoheshin dhe ai nuk duhet t’ua pranonte shpagimin.

Tri argumente kundër një interpretimi të gabuar

Ky është përmendur në Tefsir et-Teberi, por Hazret Musleh Mo’udi r.a. e ka quajtur këtë shpjegim të gabuar.

  • Së pari, deri në atë kohë, nuk ishte zbritur asnjë porosi hyjnore sipas së cilës të ndalohej lirimi i robërve të luftës në këmbim të fidjes, prandaj nuk mund të fajësohej i Dërguari i Allahut a.v.s. për veprimin e tij.
  • Së dyti, përpara kësaj ngjarjeje, i Dërguari i Allahut a.v.s. kishte liruar dy persona në këmbim të fidjes në Nekhla, dhe Allahu nuk kishte shprehur pakënaqësinë ndaj veprimit të Profetit s.a.v.s..
  • Së treti, vetëm dy ajete më poshtë, Zoti i lejon muslimanët se çfarëdo që të gjejnë si plaçkë lufte, është e lejuar për ta për të ngrënë, dhe është e pastër. Është e palogjikshme që Zoti të shprehë pakënaqësinë ndaj marrjes së fidjes nga i Dërguari i Allahut a.v.s., ndërsa pasurinë që vjen si plaçkë lufte, ta quajë të lejuar dhe të pastër.

Prandaj, ky tefsir është plotësisht i gabuar. Kuptimi i vërtetë i këtij ajeti është kështu: Në këtë ajet, Allahu ka caktuar një parim të përgjithshëm se robërit e luftës mund të zihen vetëm në rast se zhvillohet një luftë normale dhe palës kundërshtare i është shkaktuar një disfatë e plotë, përmes goditjeve të forta.

Ndër komentuesit e Kuranit, Alama Imam Raziu dhe historiani i famshëm Alama Shibili Numaniu gjithashtu pajtohen me qëndrimin e Hazret Musleh el-Mo’udit r.a..

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. shkruan se pas mbërritjes në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kërkoi këshillë sahabëve në lidhje me robërit e luftës se si duhet vepruar me ta. Në përgjithësi, arabët kishin traditën për t’i vrarë robërit e luftës ose për t’i skllavëruar ata përgjithmonë. Por, të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nuk i pëlqente kjo traditë, ndërsa nuk kishte zbritur asnjë porosi hyjnore për këtë çështje. Hazret Ebu Bekri i tha: Në mendimin tim, ne duhet t’i lirojmë ata në këmbim të shpagimit, pasi ata janë vëllezërit dhe kushërinjtë tanë. Ndoshta, ndër ata do të jenë edhe ata që nesër i përkushtohen Islamit. Megjithatë, Hazret Omeri e kundërshtoi këtë mendim dhe tha: Në çështjen e fesë, nuk duhet t’u përmbahemi lidhjeve farefisnore, dhe për shkak të sjelljeve të tyre, ata vetë e kanë përligjur vrasjen e tyre. Prandaj, sipas mendimit tim, këta duhet të ekzekutohen, madje duhet të jepni urdhër që muslimanët vetë t’i vrasin të afërmit e tyre.

I shtyrë nga mëshira dhe dhembshuria e brendshme, i Dërguari i Allahut pëlqeu mendimin e Hazret Ebu Bekrit dhe vendosi kundër vrasjes së tyre. Ai gjithashtu dha urdhër që idhujtarët të cilët paguajnë shpagimin e tyre, do të fitojnë liri. Më vonë, zbriti gjithashtu një porosi hyjnore në mbështetje të vendimit të Profetit s.a.v.s..

Derisa urdhri hyjnor gjithashtu lejon marrjen e fidjes (shpagimit), duket krejtësisht e çuditshme përligjja e ngjarjes se gjoja i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekri po qanin, vetëm duke u bazuar në një hadith. Hazret Mirza Bashir Ahmedi gjithashtu ka shkruar që për secilin nga robërit e luftës, u ishte caktuar vlera e fidjes në varësi të gjendjes së tij, nga 1000 deri në 4000 dirham dhe kështu të gjithëve u ishte dhënë lirim.

Martesa e Hazret Hafsa bint Omerit

Në lidhje me martesën e Hazret Hafses, vajzës së Hazret Omerit është përmendur se bashkëshorti i saj kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe kishte ndërruar jetë pas kthimit nga lufta. Më vonë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte martuar me Hazret Hafsa.

Këtë ngjarje e ka rrëfyer hollësisht Hazret Abdullah ibn Omeri (r.a.) në një transmetim të Sahih Buhariut. Ai transmeton se Hazret Hafsa bint Omeri ishte martuar me Unejs ibn Hudhjefen. Ai ishte një ndër sahabët e Profetit s.a.v.s. dhe kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit. Ai kishte ndërruar jetë në Medinë dhe kështu Hazret Hafsa kishte mbetur e ve.

Hazret Omeri tregon: Unë e takova Osman ibn Afanin dhe i kam përmendur për Hafsen që nëse dëshironte ta martoja vajzën me të. Hazret Osmani më kërkoi pak kohë që të mendonte e të më kthente një përgjigje. Unë prita disa ditë dhe përfundimisht Hazret Osmani më tha: Unë kam arritur në përfundimin të mos martohem më.

Hazret Omeri vijon rrëfimin e tij dhe thotë: Mandej, takova Hazret Ebu Bekrin dhe i thashë: Nëse dëshironi, mund ta martoj Hafsen me ju. Ai nuk tha asgjë dhe nuk ktheu asnjë përgjigje. Mospërgjigjja e Ebu Bekrit më preku më shumë se refuzimi i Osmanit. Unë kam pritur disa ditë derisa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më çoi fjalën për martesë me Hafsën dhe unë e pranova menjëherë.

Pas ceremonisë së martesës, u takova me Hazret Ebu Bekrin, i cili më tha: Ndoshta ju ka ardhur keq nga moskthimi i përgjigjes nga ana ime. Kur më kishit folur për Hafsën, vetëm një gjë më kishte penguar nga kthimi i përgjigjes. Unë kisha mësuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte përmendur Hafsën (për martesë) dhe nuk doja të zbuloja të fshehtën e tij.

(Hazret Ebu Bekri ishte në dijeni se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte shprehur për martesë me Hazret Hafsa dhe ai nuk donte të ndante këtë sekret me dikë). Nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do ta refuzonte këtë lidhje, unë me siguri do ta kisha pranuar.

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi gjithashtu ka përmendur këtë ngjarje në librin e tij “Siret Khatemun Nebijjin”. Ai shkruan:

“Hazret Omer ibn Hattabi kishte një vajzë që quhej Hafsa. Ajo ishte martuar me Khunejs ibn Huzafa, i cili qe një sahab i devotshëm. Khunejsi kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe pas kthimit nga beteja, kishte rënë sëmurë dhe nuk arriti të mundte sëmundjen. Pas vdekjes së tij, babai i Hafsas, Hazret Omeri e zuri meraku për vajzën e tij, e cila ishte vetëm 20 vjeçare.

I shtyrë nga thjeshtësia dhe dëlirësia e tij, Hazret Omeri bisedoi me Osman ibn Afanin dhe i tha: Vajza ime Hafsa ka mbetur e ve. Nëse ju pëlqen, mund të martoheni me të. Por Hazret Osmani iu shmang këtij propozimi. Pastaj Hazret Omeri bisedoi me Hazret Ebu Bekrin, por ai gjithashtu nuk i ktheu asnjë përgjigje dhe ra në heshtje të plotë mbi këtë çështje.

Kjo gjë e pikëlloi Hazret Omerin dhe me dhembje të madhe ai shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe ia rrëfeu gjithçka. Profeti s.a.v.s. i tha: O Omer! Mos u mërzit! Në dashtë Allahu, Hafsa do të gjejë një bashkëshort më të mirë se Osmani dhe Osmani do të gjejë një bashkëshorte më të mirë se Hafsa.

Profeti s.a.v.s. kishte thënë kështu, sepse ai tashmë kishte vendosur të martohej me Hafsan, ndërsa vajzën e tij Umi Kulthum ta martonte me Osmanin. Hazret Ebu Bekri dhe Hazret Osmani, të dy ishin në dijeni për të, prandaj ata të dy e kishin refuzuar propozimin e Hazret Omerit.

Pak kohë më vonë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpalli martesën e vajzës së tij Umi Kulthum me Hazret Osmanin dhe më vonë ai gjithashtu i çoi fjalë Hazret Omerit, duke i kërkuar vajzën për bashkëshorte. Çfarë më shumë mund të priste Hazret Omeri? Ai e pranoi këtë lidhje me kënaqësi dhe në muajin Shaban, në vitin 3 pas hixhretit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me Hafsën.

Pas kësaj martese, Hazret Ebu Bekri i tha Hazret Omerit: Ndoshta ju ka mbetur hatëri nga ana ime. Në fakt, isha në dijeni për dëshirën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. por nuk mund ta zbuloja këtë të fshehtë pa lejen e tij. Megjithatë, po të kishte refuzuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s., unë me kënaqësi do ta kisha pranuar martesën me Hafsa.

Përse u martua i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me Hazret Hafsa r.a.?

Arsyeja pas martesës me Hafsën ishte që ajo ishte vajza e Hazret Omerit, të cilin sahabët e konsideronin njeriun më të nderuar pas Hazret Ebu Bekrit, dhe ishte prej njerëzve më të afërt të Profetit s.a.v.s.. Për të forcuar lidhjet reciproke, dhe për t’i lehtësuar pikëllimin Hazret Omerit, i cili ndiente një dhimbje të madhe nga vdekja e papritur e dhëndrit të tij Hazret Khunejs ibn Hudhafa, i Dërguari i Allahut s.a.v.s vendosi të martohej me Hafsa. Arsyeja e dytë ishte që numri i madh i bashkëshorteve, do të ndihmonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., në misionin e tij për të edukuar gjerësisht e lehtësisht gjysmën e shoqërisë njerëzore si dhe në përmbushjen e detyrës së përhapjes së mesazhit të Islamit.

Lufta e Uhudit dhe fitorja e shndërruar në humbje

Në lidhje me pjesëmarrjen e Hazret Omerit në luftën e Uhudit, ne dimë që sulmi i befasishëm nga Halit ibn Velidi i kishte tronditur radhën e muslimanëve, dhe ata nuk mundën të ngriheshin nga kjo goditje e rëndë. Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka përshkruar këtë ngjarje. Ai shkruan:

“Ushtria e Kurejshit kishte rrethuar muslimanët pothuaj nga të gjitha anët dhe sulmet e njëpasnjëshme po ngushtonin rrethimin e tyre. Megjithatë, muslimanët mund të fuqizoheshin përsëri, nëse nuk do të ndodhej një ngjarje.

Abdullah ibn Kamia qe një ushtar trim i kurjeshëve. Ai sulmoi Mus’ab ibn Umejrin, i cili mbante flamurin e ushtrisë muslimane dhe ia preu krahun e djathtë përmes një goditjeje të fortë të shpatës. Mus’abi menjëherë mbështeti flamurin me krahun tjetër dhe nuk e lejoi të rrëzohej. Ibn Kamia i doli përpara dhe ia preu dhe krahun tjetër. Mus’abi u mundua të mbante flamurin duke bashkuar krahët e cunguar dhe e ngjiti në gjoks. Ibn Kamia i dha goditjen e tretë dhe e martirizoi Mus’abin. Njëri prej sahabëve mbështeti flamurin dhe nuk e lejoi të rrëzohej. Megjithatë, meqë Mus’abi i ngjante të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për nga tiparet fizike, Ibn Kamia mendoi se ai kishte vrarë Muhammedin s.a.v.s.. Mund të jetë edhe kjo që Ibn Kamia e kishte trilluar këtë ngatërrim tinëzisht.

Sidoqoftë, pas rënies së Mus’abit, ai lëshoi thirrje se kishte vrarë Muhammedin (s.a.v.s.). Kjo thirrje, ua preu muslimanëve edhe shpresën e fundit dhe ata u hallakatën andej-këtej. Të tronditur nga lajmi, disa sahabë u arratisën nga fusha e betejës.

Ndarja e ushtrisë muslimane në tri grupe dhe çrregullimi i madh

Pra, ushtria muslimane ishte shpërndarë në tri pjesë:

  1. Pas lajmit të martirizimit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, një grup ishte arratisur nga fusha. Ky ishte grupi më i vogël, dhe ashtu siç është përmendur në Kuranin Famëlartë, Allahu i kishte falur ata, për shkak të besimit dhe përkushtimit të tyre.
  2. Grupi i dytë përbëhej nga sahabët që ndonëse nuk ishin arratisur, por lajmi i martirizimit të Profetit a.v.s. u kishte shkaktuar një dhimbje të rëndë dhe u ishin prerë të gjitha shpresat. Ata nuk shikonin asnjë kuptim në vazhdimin e luftës, andaj kishin lënë luftën dhe rrinin kokulur pranë fushëbetejës.
  3. Grupi i tretë po vazhdonte luftën pandërprerë. Disa prej tyre ishin të pozicionuar rreth të Dërguarit të Allahut a.v.s. dhe shfaqnin guxim dhe trimëri të rrallë. Pjesa më e madhe e muslimanëve zhvillonin luftim të paorganizuar dhe të përçarë. Sa mësonin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është i gjallë këta dhe sahabët nga grupi i dytë, fillonin të luftonin si të marrë dhe përqendroheshin rreth Profetit s.a.v.s..

Sidoqoftë, lufta ishte ashpërsuar dhe muslimanët gjendeshin përballë një sprove të rëndë e të vështirë. Shumë sahabë kishin humbur shpresën pas dëgjimit të lajmit për martirizimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe duke hedhur armët e tyre, ishin mënjanuar nga fusha e betejës.

Ngjarja emocionuese e martirizimi të Hazret Enes ibn Nezerit

Hazret Omeri r.a. ishte një prej atyre sahabëve, të cilët kishin ndërprerë luftën dhe ishin ulur në gjendje dëshpërimi. Teksa ishin ndenjur në këtë gjendje trishtimi, iu afrua një sahab Enes ibn Nezer Ensariu. Ai i pyeti se përse ishin ulur ata atje. Ata iu përgjigjën se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka rënë dëshmor, andaj nuk ka kuptim përse të vazhdonin luftën. Enesi u tha: Përkundrazi, tani është koha për të luftuar, që të gjejmë atë vdekje të lavdishme, që ka gjetur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Madje ç’kuptimi ka jeta pas tij? Pak më vonë ai e takoi Sa’d ibn Mu’adhin dhe i tha: O Sa’d! Më vjen aroma e xhenetit nga ky mal.

Me të thënë këto fjalë, Enesi hyri në radhën e kundërshtarëve dhe dha shpirtin duke luftuar trimërisht. Kur u gjet trupi i tij pas përfundimit të luftës, ai mbante më shumë se 80 plagë, dhe askush nuk e dallonte dot. Në fund, vetëm motra e tij ia njohu trupin përmes gishtit të tij.

Dëshmia e Profetit s.a.v.s. për njëshmërinë e Allahut

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. sapo kishte mbërritur në luginën poshtë malit, kur një çetë mosbesimtarësh, ku bënte pjesë dhe Halit ibn Velidi, iu vërsul atij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në atë moment bëri këtë lutje:

أللهم انه لا ينبغى لهم أن يعلونا
O Allah! Mos i lër këta të na afrohen.

Në atë moment, Hazret Omer ibn Hattabi së bashku me disa muhaxhirë, u ndesh trimërisht me idhujtarët dhe i shtyjnë ata jashtë luginës.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan:

Ebu Sufjani bashkë me shokët e tij iu drejtua qafës, ku ishin mbledhur muslimanët dhe u tha me zë të lartë: O muslimanë! A ka Muhammedi ndër ju? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ndaloi sahabët për të kthyer ndonjë përgjigje, kështu asnjëri prej tyre nuk u përgjigj. Pastaj ai thirri emrin e Ebu Bekrit dhe Omerit, por edhe tani askush nuk iu përgjigj sipas porosisë së prerë të Profetit s.a.v.s.. Kjo e inkurajoi Ebu Sufjanin dhe ai këlthiti plotë krenari se këta që të gjithë janë vrarë, sepse po të ishin të gjallë do të përgjigjeshin. Hazret Omeri nuk duroi dot dhe ai u përgjigj: O armik i Allahut! Ti gënjen. Ne të gjithë jemi të gjallë dhe Zoti do t’ju poshtërojë përmes nesh. Ebu Sufjani e njohu menjëherë zërin e Hazret Omerit dhe i tha: O Omer! Më thuaj të vërtetën, a është i gjallë Muhammedi akoma? Hazret Omeri i tha: Po. Ai është i gjallë dhe dëgjon çka flisni ju.

Ebu Sufjanit iu mek zëri, dhe pyeti me zë të ulët: Atëherë Ebu Kamea na paska gënjyer, sepse o Omer, ty të konsideroj më i besueshëm se ai”. Por, sërish ai lëshoi thirrje duke trashur zërin: أعل هبل أعل هبل “Lavdi i qoftë idhullit Hubul, Lavdi i qoftë idhullit Hubul!”. Sahabët nuk iu përgjigjën duke respektuar porosinë e mëparshme, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili u kishte dhënë porosi sahabëve për t’u mos përgjigjur kur ishte përmendur emri i tij, u prek duke dëgjuar emrin e idhullit në vend të Zotit. Ai u tha sahabëve: Përse nuk po i përgjegjeni. Sahabët i thanë: O i Dërguar i Allahut! Si duhet t’i përgjigjemi? Ai u tha: Thaju ألله أعلى و أجل “Allahu është më i Larti dhe më i Nderuari; Allahu është më i Larti dhe më i Nderuari”. Ebu Sufjani sërish lëshoi thirrjen: لنا العزى ولا عزى لكم  Ne kemi Uza si perëndi kurse ju s’keni Uzza. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha sahabëve: Thuaju: ألله مولانا ولا مولى لكم  Çfarë është Uza? Ne kemi Allahun si Mbrojtës dhe Mbikëqyrës, ndërsa ju nuk keni asnjë mbrojtës.

Pastaj, Ebu Sufjani tha: Lufta është si kovë, e cila herë ngrihet dhe herë bie poshtë. Andaj, humbjen e sotme ta merrni si hakmarrje për ditën e Bedrit. Sot do të gjeni disa trupa, të cilëve u është bërë musla (janë gjymtuar, d.m.th. u janë prerë disa pjesë të trupit). Unë nuk kam dhënë urdhër për këtë, por kur kam mësuar, nuk e kam konsideruar këtë si një veprim të papëlqyer. Midis nesh, na mbetet përsëri një luftë mot si sot, po në këtë fushë. Një sahab iu përgjigj me lejen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ia pranoi thirrjen.

Falja e Profetit s.a.v.s. për hipokritët dhe hebrenjtë e Medinës

Ebu Sufjani bashkë me ushtarët e tij zbriti poshtë dhe ushtria mekase u nis drejt Mekës. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Medinë pas luftës së Uhudit, hipokritët dhe hebrenjtë filluan të shprehnin gëzim dhe i qortuan muslimanët dhe u thanë: “Muhammedi (s.a.v.s.) po synon të bëhet mbret. Asnjë i dërguar nuk ka pësuar një disfatë kaq të rëndë, siç ka pësuar ai sot. Jo vetëm ai vetë, por edhe shokët e tij kanë mbetur të plagosur. Po të na kishit përkrahur, nuk do të vriteshin sot njerëzit tuaj në luftë”.

Hazret Omeri i kërkoi leje të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të luftuar me hipokritët, për fjalët e tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: A nuk dëshmojë ata se nuk ka të adhuruar përveç Allahut dhe unë jam i Dërguari i Allahut? Hazret Omeri iu përgjigj: Sigurisht, o i Dërguar i Allahut! Ata e dëshmojnë këtë, por shprehin edhe fjalë hipokrite. Ata dëshmojnë kështu, vetëm pasi i tremben shpatës. Por, tashmë ata vetë kanë nxjerrë brendësinë e tyre në pah dhe Allahu ka shfaqur inatin që mbajnë në shpirt. Andaj, ne duhet të hakmerremi për qëndrimet e tyre dhe t’i ndëshkojmë ata.  Megjithatë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Më është ndaluar të luftoj kundër atij, i cili ka deklaruar këtë dëshmi”.

Kjo temë do të vazhdojë edhe në vijim. Meqë më duhet të përmend për disa persona, të cilët kanë ndërruar jetë, andaj po e mbyll tani me keq.

Një thirrje për lutje për popullin palestinez

Por së pari, dua t’ju bëj thirrje për lutje. Unë kam thënë edhe në javën e kaluar që të luteni për popullin e shtypur palestinez. Ndonëse është arritur armëpushimi, historia na tregon se pas pak kohësh, armiku sërish me çfarëdolloj arsyeje apo preteksti ka ushtruar dhunë dhe mizori ndaj palestinezëve. Allahu e mëshiroftë popullin palestinez dhe u mundësoftë lirinë e vërtetë! Allahu i mundësoftë udhëheqës të guximshëm, largpamës dhe të urtë, të cilët nuk tremben nga fjala e drejtë dhe dinë të marrin të drejtën e tyre.

Po ashtu, lutuni edhe për ahmedianët që janë në shënjestër të dhunës e të padrejtësisë veçanërisht në Pakistan. Allahu i ruajttë ata!

Përmendja e disa anëtarëve që kanë ndërruar jetë

Në fund të hutbes, Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) përmendi shkurtimisht disa nga anëtarët e Xhamatit të cilët kohët e fundit kanë ndërruar jetë dhe drejtoi namazin e xhenazes në mungesë pas namazit të së Xhumasë:

  1. Kurejshi Muhammed Fazlullah sahibi, Nā’ib Nazir Ishā‘at (Z/V Drejtor i Botimeve në Kadijan (Indi), ndërroi jetë më 27 prill.
  2. Sjed Beshiruddin Ahmedi, misionar i xhematit në Kadian (Indi), ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare.
  3. Besharat Ahmed Hejder sahibi, një i dedikuar, djali i Fejz Ahmed Shana Sahibit nga Kadiani (Indi), ndërroi jetë në moshën 71 vjeçare.
  4. Muhamed Ali Khan sahibi, Amīr i rrethit Peshevar (Pakistan), ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare.
  5. Refi Khan Shahzada sahibi, ish Presidenti i Muhalla Darul Rahmat Sharki Raxhiki, Rabva (Pakistan), ndërroi jetë më 30 Mars në moshën 82 vjeçare.
  6. Ejaz Junus sahibi nga Australia ndërroi jetë më 24 mars në ujërat e përmbytjes.
  7. Mijan Tahir Ahmed sahibi, i cili më parë ka punuar në Vekālat Māl III, Rabva (Pakistan), ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare.
  8. Rafik Aftab sahibi i Mbretërisë së Bashkuar nderoi jetë muajin e kaluar në moshën 63 vjeçare.
  9. Zarina Akhtar, gruaja e Mirza Nasir Ahmed Sahib, profesor i Institutit Ahmedija të Teologjisë në Angli, ndërroi jetë muajin e kaluar.
  10. Hafiz Muhamed Akram sahibi ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare.
  11. Çaudri Nur Ahmed Nasir sahibi (nga Pakistani) ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare.
  12. Mahmud Ahmed Minhas sahibi nga Pakistani ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare.

Allahu u dhuroftë durim e forcë familjarëve të pikëlluar dhe i mëshiroftë të ndjerët dhe i faltë ata!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp