Kalifati dhe përgjegjësitë tona
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kalifati dhe përgjegjësitë tona

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Kalifati dhe përgjegjësitë tona

Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 28.05.2021.

(Pjesë të shkëputura nga hutbja. Për hutben e plotë, ju lutemi, ndiqni videon)

وعد اللّٰہ الذین اٰمنوا منکم وعملوا الصلحت لیستخلفنھم فی الارض کما استخلف الذین من قبلھم ولیمکنن لھم دینھم الذی ارتضی لھم ولیبدلنھم من بعد خوفھم امنا یعبدوننی لا یشرکون بی شیئا ومن کفر بعد ذلک فاولئک ھم الفٰسقون۔واقیموا الصلوة واٰتواالزکوة واطیعوا الرسول لعلکم ترحمون۔ وَ اَقِیۡمُوا الصَّلٰوۃَ وَ اٰتُوا الزَّکٰوۃَ وَ اَطِیۡعُوا الرَّسُوۡلَ لَعَلَّکُمۡ تُرۡحَمُوۡنَ.

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besuan dhe bënë të mira, se patjetër do t’i bëjë kalifë në tokë, ashtu siç i ka bërë kalifë ata që ishin para tyre dhe do t’ua përforcojë fenë që e ka pëlqyer për ta dhe do t’ua shndërrojë frikën në siguri. Ata do të më adhurojnë Mua dhe nuk do të shoqërojnë asgjë në adhurim me Mua. Kurse ata që tregohen mosmirënjohës edhe pas kësaj, pikërisht ata janë të pabindur. Mbajeni namazin, jepni zekatin dhe binduni të dërguarit, që të mëshiroheni.” (Kurani i Shenjtë 24:56 – 57)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

Është praktikë e Zotit, që kur ka krijuar njeriun në këtë tokë, që Ai i ndihmon profetët dhe të dërguarit e Tij duke u dhënë atyre fitore mbi të tjerët. Ai thotë:

کَتَبَ اللہُ  لَاَغْلِبَنَّ  اَنَا وَ رُسُلِیۡ

[“Allahu ka vendosur që Ai dhe profetët e tij do të triumfojnë”]

Këtu, triumf do të thotë plotësim i dëshirës së profetëve dhe të dërguarve, pra që të përmbushet fjala e Zotit dhe askush të mos ketë mundësi të luftojë me Të. Nga ana tjetër, Zoti i Madhërishëm me shenja të forta nxjerr në dritë vërtetësinë e të dërguarve të Tij dhe të vërtetën që ata dëshirojnë ta përhapin në botë, u jep mundësi që ta mbjellin farën e saj me duart e tyre.

Megjithatë, Ai nuk e lë atë farë të japë frytet e plota nga duart e tyre, por duke u dhënë vdekje në një moment të tillë që krijon përshtypje, sikur misioni i tyre dështoi, u jep mundësi kundërshtarëve t’i përqeshin e të tallen me ta. Dhe pasi të jenë ngopur së talluri, atëherë Allahu shfaq dorën e dytë të fuqisë së Tij dhe krijon ato mjete, përmes së cilave, misioni i tyre, që deri diku kishte mbetur i paplotësuar, të përsoset e të plotësohet deri në fund.

Me një fjalë, Zoti shfaq dy lloj fuqish: së pari, Ai e shfaq dorën e fuqisë së Tij përmes të Dërguarve të Tij dhe së dyti, pas vdekjes së të dërguarit, kur besimtarët përballen me vështirësi të mëdha, dhe armiku ndihet i fuqishëm, duke menduar se tani gjithçka ka përfunduar dhe është i bindur se tani ky Xhemat (bashkësi) do të zhduket nga faqja e dheut,  madje edhe vetë anëtarët e Xhematit fillojnë të frikësohen e të lëkunden, duke u ndier të dobët e të papërkrahur, madje disa të pafat prej tyre bëhen gati për t’u bërë renegatë, atëherë Allahu për të dytën herë e shfaq fuqinë e Tij madhështore dhe e merr Xhematin nën kujdesin e Tij, që ishte gati të rrëzohej. Ndaj, ai që duron deri në fund, e sheh këtë mrekulli të Zotit.

Kështu kishte ndodhur në kohën e Hazret Ebu Beker Sidikut r.a., kur vdekja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u konsiderua e parakohshme, shumë beduinë injorantë e braktisën fenë, madje edhe es-habët r.a. e Profetit, të goditur nga pikëllimi i vdekjes së tij, u bënë si të çoroditur. Atëherë, Allahu e ngriti Ebu Bekër Sidikun r.a. dhe e shfaqi për të dytën herë fuqinë e Tij. Kështu, duke e përmbushur premtimin e Tij të dhënë në Kuranin Famëlartë, Zoti e shpëtoi Islamin, që dukej se po rrëzohej. Ai thotë:

وَ لَیُمَکِّنَنَّ لَہُمْ دِیۡنَہُمُ الَّذِی ارْتَضٰی لَہُمْ وَ لَیُبَدِّلَنَّہُمۡ مِّنۡۢ بَعْدِ خَوْفِہِمْ اَمْنًا

Pas frikës, prapë Ne do t’i vendosim fort ata.

Mandej, ai tha:

Të dashur miq! Përderisa praktika e Zotit kështu ka qenë që nga fillimi, që Ai të shfaqë dy fuqi të madhështisë së Tij, në mënyrë që t’u shkatërrojë dy gëzime të rreme kundërshtarëve, atëherë nuk është e mundur që edhe kësaj radhe Zoti ta ndryshojë këtë praktikë të vjetër. Kështu që, mos u pikëlloni e as mos t’ju lëshojnë zemrat tuaja nga ajo që po ju them, sepse është e domosdoshme për ju ta shihni edhe fuqinë e dytë të madhështisë së Tij.

Ardhja e saj është më e mirë për ju, sepse ajo do të jetë e përhershme dhe nuk do të përfundojë deri në Ditën e Gjykimit. Por ajo fuqi e dytë nuk mund të ndodhë para se unë të largohem. Pasi unë të kem shkuar, atëherë Allahu do t’jua dërgojë juve fuqinë e dytë të madhështisë së Tij, që do të mbetet përgjithmonë me ju. Kështu është premtuar nga Allahu edhe në “Berahine Ahmedia” dhe ky premtim nuk është për mua, por është për ju, siç thotë Allahu:

Unë do ta bëj këtë Xhemat, që janë pasuesit e tu, mbizotërues mbi të gjithë të tjerët deri në Ditën e Gjykimit.

Pra, është e pashmangshme dita kur ju do ta shihni largimin tim, në mënyrë që, pas asaj, t’ju vijë dita e premtimit të përhershëm. Zoti ynë është Ai që mban premtimet e Tij dhe është shumë Besnik dhe shumë i Vërtetë. Ai do t’ju tregojë të gjitha ato që ju ka premtuar. Edhe pse këto janë ditët e fundit të botës dhe shumë fatkeqësi pritet të ndodhin, megjithatë, është e domosdoshme që kjo botë të vazhdojë të ekzistojë, deri sa të përmbushen të gjitha ato gjëra, të cilat Allahu jua ka premtuar.

Unë erdha nga Allahu si një manifestim i Fuqisë së Tij dhe jam mishërim i Fuqisë së Allahut. Pas meje do të vijnë persona të tjerë, që do të jenë manifestim i dytë i Fuqisë së Tij. Andaj, ju të gjithë së bashku, angazhohuni në lutje dhe priteni manifestimin e dytë të fuqisë së Tij.

Zgjidhet Kalifi i Parë pas vdekjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. 

Kështu që, sipas kësaj profecie të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., dhe sipas premtimit të Allahut që Ai i kishte bërë atij, që prej 113 vitesh ne po dëshmojmë përmbushjen e fjalëve të Allahut. Ata të cilët pas vdekjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. deklaronin se këtij Xhemati i është prerë koka, vetë atyre sot nuk u ka mbetur asnjë gjymtyrë e trupit. Disa përpjekje të tyre ju kam treguar pak më herët. Por ata u morën e edhe figurën e Hazret Kalifit të Parë të Mesihut të Premtuar.

Për shembull, Gazeta “The Curzon Gazzete” shkroi:

“Çfarë u ka mbetur tanimë ndjekësve të Mirzaut! Iu pre koka! Një njeri që është caktuar Imami i tyre (pra, e kishin fjalën për Hazret Kalifin e Parë), ai nuk di të bëjë gjë, por vetëm se ua lexon Kuranin në xhami.”

Por këta të lajthitur nga mendja nuk dinin që ishte pikërisht kjo detyrë madhore, për të cilën Hazret Ibrahimi a.s. iu lut Zotit që të shfaqte një të dërguar në pasardhësit e tij, dhe se ishte pikërisht Profeti Muhammed s.a.v.s. ai që solli këtë libër madhështor, pra Kuranin e Shenjtë, dhe është pikërisht ky Kuran, të cilin ai që e mëson dhe ua mëson të tjerëve bekohet në këtë botë dhe në tjetrën, dhe është pikërisht ky libër që për të përhapur mësimet e tij është dërguar Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dhe për ta vijuar pikërisht këtë mision filloi edhe sistemi i Kalifatit.

Sidoqoftë, pasi dëgjoi fjalët e tyre, Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar tha:

“Zoti më bëftë që kështu të vijoj t’jua lexoj Kuranin!”

Dhe këtë detyrë ai e kreu, dhe e kreu në mënyrën më të bukur. Kurse armiku që mendonte se ky Xhemat do të pësonte dobësi administrative dhe se së shpejti do të zhbëhej, pati në fatin e vet vetëm dështim e dëshpërim.

Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar dënoi me forcë mendimet e hipokritëve brenda Xhematit dhe të atyre që ishin anëtarë të Këshillit (Enxhuman) por që ngrinin krye kundër Kalifatit. Që në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh Kalif, ai tha:

“Tanimë çfarëdolloj mendësie keni, keni për detyrë të më ndiqni mua!”

Më pas një herë tjetër, ai mbajti një fjalim shumë emocional në xhaminë Mubarak dhe tha:

“Ju më keni lënduar kaq shumë me veprimet tuaja, saqë sot unë nuk kam qëndruar në atë pjesë të xhamisë që keni ndërtuar ju, por po qëndroj në pjesën që ka ndërtuar Mirzai im!”

E kishte fjalën për Hazret Mesihun e Premtuar. Ishte ajo pjesë që ishte që nga koha e hershme e Mesihut të Premtuar a.s., kurse pjesa tjetër ishte zgjeruar më vonë me kontributet e anëtarëve të Xhematit. Dhe ai thoshte se sot nuk më pëlqen të qëndroj në pjesën që keni ndërtuar ju, por në atë pjesë që i përkiste periudhës së parë të jetës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Në këtë fjalim ai vijoi:

“Unë kam vendosur që edhe Xhemati, edhe Këshilli do t’i binden Kalifit dhe do t’i shërbejnë atij. Këshilli do të ketë funksion për të këshilluar dhe në këtë aspekt është i rëndësishëm.”

Po kështu, Hazret Kalifi i Parë shtoi:

“Ai që tha se detyra e Kalifit është vetëm të marrë bejtin dhe se puna kryesore do ta bëjë Këshilli, duhet të pendohet. Zoti më tha mua – Nëse qoftë një njeri do të të braktisë ty, Unë do të të jap një xhemat të tërë në këmbim të tij.”

Më pas Hazret Kalifi i Parë vijoi:

“Thonë se puna e Kalifit është vetëm të drejtojë namazet, të shpallë nikahun dhe të marrë bejtin! Po, këtë punë mund ta bëjë edhe një mulla! Për çfarë ju duhet Kalifi atëherë?! Unë as nuk pështy në një bejt të tillë që thoni ju. Bejti është vetëm ai që bëhet për bindje të plotë dhe ku të pranohen të gjithë urdhrat e Kalifit pa përjashtim.”

Ishte ky fjalim i tij që ua shkatërroi planet hipokritëve nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ua mbylli gojën edhe kundërshtarëve, të cilët për atë që mendonin se ishte i plakur dhe nuk mund të bëhej organizator, e panë që kur foli me mbështetjen e Allahut, ua shuajti gjithë komplotin atyre, siç shuhet shkuma. Ata që bënë deklarata pompoze për rrëzimin e Xhematit, zunë të fshiheshin. Kurse anëtarët e sinqertë të Xhematit bënë betimin, pra bejtin, me një vendosmëri të palëkundur. Bota dëshmoi se si Xhemati vijoi rrugëtimin e tij drejt përparimeve.

Kalifi i Dytë r.a.

Më pas në mars të vitit 1914, kur Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar ndërroi jetë, Xhemati pati një tronditje tjetër. Ata anëtarë të Këshillit që tentuan ta shpallnin Këshillin si pasardhës kryesor të Hazret Mesihut të Premtuar por që u detyruan të heshtnin për shkak të Hazret Kalifit të Parë r.a., ngritën krye edhe një herë. Po kështu, edhe hipokritët filluan të ngrinin krye, por edhe Allahu i Madhërishëm shfaqi Dorën e fuqisë së Tij edhe një herë, duke e mbrojtur Kalifin mu sipas premtimit të Tij që Ai i kishte bërë Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

Këta anëtarë të Këshillit ndienin “rrezikun” se Xhemati do ta zgjidhte Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedin si Kalif të ardhshëm, andaj bënë të gjithë përpjekjet që të mos vijonte Kalifati. Ata donin që ai moment të kalonte pa zgjedhjen e Kalifit, qoftë përkohësisht. Por Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi mbajti një qëndrim shumë të qartë duke thënë se Kalifi do të zgjidhet patjetër, por ai gjithashtu u bëri të qartë

– Nuk kam fare dëshirë të bëhem Kalif, zgjidhni ju Kalif kë të doni, unë dhe i gjithë fisi im do të bëjmë bejtin në dorën e tij me zemër të sinqertë.

Por këta anëtarë të Këshillit që mendonin veten më të zgjuar, e shihnin rrezikun se anëtarët e Xhematit nuk do të vendosnin siç e mendonin ata, dhe kështu ata do të humbnin çdolloj pushteti. Përfundimisht, nuk e pranuan të shpallnin zgjedhjet për Kalifin.

Më në fund, vetë anëtarët e Xhematit, duke zbatuar porosinë e Hazret Mesihut të Premtuar, të përmendur në librin Testamenti, u mblodhën në xhaminë Nur (të Kadijanit). Në numër këta ishin rreth dy mijë veta. Që të gjithë unanimisht e zgjodhën Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedin si Kalif të tyre. Entuziazmi i tyre ishte aq i madh saqë hidheshin mbi njëri-tjetrin për të arritur te Kalifi i sapozgjedhur dhe për të bërë bejt në dorën e tij. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje thonë se duket sikur engjëjt po sillnin njerëz nga çdo anë që të bënin bejtin e Kalifit.

Duke e parë gjithë këtë, këta anëtarë të Këshillit zbrazën gjithë thesarin e Xhematit dhe u larguan nga Kadijani. Por bota e dëshmoi faktin se si Allahu i Madhërishëm e forcoi Xhematin edhe njëherë përmes Kalifatit. Periudha 52-vjeçare e Kalifatit të Birit të Premtuar është provë e madhe për të vërtetuar faktin se ai djalosh të cilin Allahu i Madhërishëm e ngarkoi me detyrën e Kalifatit, me çfarë shpejtësie e mori Xhematin drejt përparimeve madhështore.

Kurse ata që kishin zbrazur thesarin e Xhematit dhe që kishin pretenduar se në Kadijan së shpejti do të sundonin të krishterët, pasardhësit e tyre sot po dëshmojnë mbështetjen e Allahut të Madhërishëm me Kalifatin Ahmedia në atë mënyrë, që përmes këtij Xhemati shumë të krishterë po mblidhen nën flamurin e Mesihut të Muhammedit.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. hapi misione të reja në shumë vende të botës. Në kontinentin Afrikan misionarët e krishterë kishin humbur guximin as të qëndronin përpara misionarëve të Xhematit. Përfundimisht, u detyruan të pohonin në relacionet e tyre me shkrim që – Xhemati Ahmedia është një pengesë shumë e madhe në përhapjen e krishterimit.

Kështu që, ne kemi parë që ky Kalif me vullnet të hekurt falë mbështetjes dhe ndihmës së Allahut e drejtoi me sukses anijen e Xhematit nëpër stuhi të forta, qoftë në sulmin e planifikuar nga armiqtë kundër Kadijanit, qoftë në fushën e Tabligut, qoftë gjatë mërgimit të Kalifatit.

Kalifi i Tretë r.a.

Më në fund, sipas caktimit të Allahut të Madhërishëm, në nëntor të vitit 1965, Hazret Kalifi i Dytë r.a. ndërroi jetë dhe atëherë, Allahu i Madhërishëm ngriti Kalifin e Tretë dhe përmes Hazret Mirza Nasir Ahmedit, e nxori Xhematin edhe një herë nga frika në siguri dhe edhe njëherë ky Xhemat i Zotit vijoi të rrugëtojë drejt përparimeve të reja. U hapën shkolla dhe spitale në Afrikë. Xhemati filloi të njihej në një mënyrë të re jo vetëm në Afrikë, por edhe në pjesë të tjera të botës. Hazret Kalifi i Tretë udhëtoi për në Afrikë dhe kjo ishte vizita e parë e ndonjë Kalifi në këtë kontinent.

Në vitin 1974 shteti pakistanez filloi një fushatë të egër kundër ahmedianëve dhe miratoi ligjin që i shpallte ahmedianët si jomuslimanë. Atëherë Xhemati qëndroi i mbrojtur nën mburojën e Kalifatit dhe armiku dështoi në planet e tij për ta shkatërruar Xhematin. Ata që pretendonin se do t’i detyronin ahmedianët të dilnin rrugëve me sahanin në dorë për të lypur, u shkatërruan vetë, kurse Allahu i hapi Xhematit horizonte të reja edhe në aspektin ekonomik. Ata tentuan t’u mbyllnin mundësitë ekonomike anëtarëve të Xhematit, Allahu i Madhërishëm u hapi rrugë që ata të mërgonin jashtë ku u pasuruan më shumë se përpara.

Prandaj, ata ahmedianë që mërguan në Gjermani dhe në vende të tjera pas ngjarjeve të 74-së, dhe u pasuruan me bekimin e Allahut të Madhërishëm, duhet t’ua tregojnë fëmijëve të tyre sesi armiku kishte bërë një përpjekje për t’i shkatërruar dhe se si Zoti i Madhërishëm në saje të Kalifatit ua hapi rrugën dhe ata u pasuruan mijëra herë më shumë se që kishin më përpara.

Kalifi i Katërt r.a.

Në qershor të vitit 1982, ndërroi jetë edhe Hazret Kalifi i Tretë, atëherë Allahu i Madhërishëm përsëri përmbushi premtimin e Tij dhe duke caktuar Hazret Mirza Tahir Ahmedin si Kalif të Katërt, e shndërroi frikën e Xhematit në siguri dhe paqe. Armiku po shastisej duke parë përparimet e jashtëzakonshme të Xhematit. Ndaj, bëri një komplot të ri për ta gjymtuar tërësisht Kalifatin Ahmedia. Këtë herë të paditurit tentuan ta sulmonin kokën e Xhematit, por këta dritëshkurtër nuk e dinin sesi ishin planet e Zotit të Madhërishëm. Me një mbështetje të jashtëzakonshme Zoti i Madhërishëm bëri të mundur që Hazret Kalifi i Katërt të mërgonte nga Pakistani, pavarësisht nga pengesat e pakapërcyeshme të armiqve. Armiqtë thjesht mbetën duke i bërë sehir.

Pas këtij mërgimi, Zoti i dha horizonte të reja Xhematit gjatë periudhës së Kalifit të Katërt. Përmes satelitit mesazhi i Islamit të vërtetë, zëri i Kalifit të kohës dhe i Ahmediatit nisi të bënte jehonë jo vetëm nëpër shtëpitë e ahmedianëve, por edhe të të tjerëve. Në çdo vend të botës filloi të arrinte mesazhi. Zoti na hapi rrugë të reja të da’vasë. Në shumë shtete të botës u themelua Xhemati Ahmedia dhe njerëzit e atyre vendeve filluan të merrnin mësimet e Islamit të vërtetë. Kurani i Shenjtë u përkthye në dhjetëra gjuhë të botës.

Kalifi i Pestë (Allahu e ndihmoftë fuqimisht!)

Më pas, sipas caktimit të Allahut të Madhërishëm, në prill të vitit 2003 ndërroi jetë Hazret Kalifi i Katërt. Xhemati edhe njëherë u përballë me një tronditje. Kundërshtarët e Xhematit shihnin sërish një mundësi optimale për ta asgjësuar Ahmediatin, por Allahu i Madhërishëm premtimin që i kishte bërë Mesihut të Premtuar a.s. e përmbushi edhe këtë herë, duke e mbrojtur Xhematin në atë mënyrë që edhe disa hoxhallarë që janë kundërshtarë të Xhematit, nuk hezituan të pohonin – Ne e dimë që ju nuk jeni të vërtetë, por ju gëzoni dëshminë me vepra të Zotit të Madhërishëm. Por pavarësisht se ata e shikonin me sy se Zoti i Madhërishëm dhënka dëshmi me vepra për këtë Xhemat, nuk janë në gjendje ta pranojnë të vërtetën.

Zoti i Madhërishëm ua dëgjoi lutjet besimtarëve dhe ua shndërroi frikën në paqe e siguri dhe për herë të parë në historinë e Islamit, përmes Hazret Mesihut të Premtuar a.s., filloi periudha e Kalifit të Pestë. Në periudhën e parë të Islamit, Kalifët e Drejtë  ishin vetëm deri në katër, gjë që ishte edhe sipas profecisë së vetë Profetit Muhammed s.a.v.s.. Por tani që filloi periudha e Kalifit të Pestë përmes Hazret Mesihut të Premtuar a.s., edhe kjo është në përputhje me profecinë e Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s.. Pas ardhjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s., historia e Islamit hapi kapituj të rinj dhe Kalifati i Pestë është njëri prej tyre.

Kundërshtarët e Xhematit mendonin se drejtimin e Xhematit nuk është më në duart e sigurta, por si mund ta dinin vallë ata që drejtimin e vërtetë të këtij Xhemati është në dorën e Zotit të Madhërishëm. Sot shikimi ziliqar i kundërshtarëve po dëshmon zhvillimin e Xhematit më shumë se përpara. Prezantimi i Xhematit në arenën ndërkombëtare është bërë në një mënyrë të jashtëzakonshme në këtë periudhë. Kjo është e jashtëzakonshme në çdo shtresë dhe në çdo nivel. Unë jam një njeri shumë i dobët. I gjithë ky zhvillim nuk është fare për shkak të ndonjë merite timen. Xhemati Ahmedia po prezantohet nëpër kuvendet më të mëdha të botës dhe mes njerëzve në ndikim, dhe kjo po bëhet vetëm e vetëm me bekimet e Allahut të Madhërishëm dhe për shkak të premtimeve që Ai i kishte bërë Hazret Mesihut të Premtuar a.s., dhe për shkak të profecive që kishte bërë Profeti Muhammed s.a.v.s..

Çdo ditë ne shohim bekime të reja të Zotit të Madhërishëm. Publikimi i përkthimeve të Kuranit dhe i librave të Mesihut të Premtuar a.s. në gjuhë të ndryshme tanimë po bëhet masivisht.

Përmes kanalit tonë MTA, mesazhi i vërtetë i Islamit po arrin në çdo vend të botës. MTA më përpara ishte vetëm në një gjuhë dhe ishte vetëm një kanal, por tani po veprojnë pa pushim plot tetë kanale për të mbuluar vende të ndryshme të globit.

Tashmë kemi studio të MTA-së në shumë vende të botës. Kemi studio edhe në vende të ndryshme të Afrikës, në Amerikën e Veriut, në Europë etj.. Nëse shikojmë mjetet tona financiare, duket se ishte e pamundur e gjithë kjo.

Edhe përmes rrjeteve sociale mesazhi i Islam Ahmediatit po përhapet me shpejtësi. Nëse shteti i Pakistanit ka vendosur kufizime në mënyra të ndryshme ndaj veprimtarisë sonë, Allahu i Madhërishëm na mundësoi alternativa në vende të tjera të botës.

Po kështu, gjatë pandemisë së Covid-19 Allahu na mësoi një tjetër metodë për të forcuar lidhjen mes Kalifatit dhe anëtarëve të Xhematit, atë të takimeve online ose virtuale. Pra, takimet dhe mbledhjet po vijojnë të bëhen dhe anëtarët e Xhematit po marrin udhëzime drejtpërdrejt nga Kalifi i kohës. Unë duke qëndruar këtu në Londër, bëj takime me anëtarët e Xhematit herë të Afrikës, herë të Indonezisë, herë të Australisë e herë të Amerikës. Të gjitha këto po bëhen falë ndihmës së Zotit të Madhërishëm.

Detyra jonë

Prandaj, ne asnjëherë nuk duhet të harrojmë që për bekimet që Allahu i Madhërishëm po na i jep përmes Kalifatit, ne gjithmonë duhet ta përmbushim detyrën tonë në mënyrë që deri në ditën e kiametit të vijojmë të përfitojmë nga ky bekim, në përputhje me profecinë e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Allahu i Madhërishëm i ka premtuar Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për zhvillime të mëdha të Xhematit, dhe Allahu asnjë herë nuk e shkel premtimin e Tij, por për të përfituar nga këto premtime, ne duhet të luajmë rolin tonë. Ne duhet të bëhemi robër mirënjohës të Allahut dhe të përkulemi përpara Tij për ta falënderuar për bekimin që Ai i dha Xhematit në formën e Kalifatit dhe ky falënderim të jetë edhe me fjalë edhe me vepra. Kemi nevojë të jemi të gatshëm deri në frymën e fundit për ta përmbushur betimin që kemi bërë për bindjen e pakushtëzuar ndaj Kalifatit. Vetëm atëherë do të arrijmë të përmbushim detyrën tonë që edhe pasardhësit tanë të jenë të lidhur besnikërisht me Kalifatin.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha se bekimet e Allahut të Madhërishëm do të gëzojnë ata mes nesh, të cilët do të jenë të palëkundur në besim dhe që do të tregohen të gatshëm për të bërë çdo sakrificë. Kështu që, ai thotë:

“Mos mendoni se Zoti do t’ju lërë të prisheni. Ju jeni një farë që është mbjellë nga dora e Zotit në tokë. Zoti thotë se kjo farë do të shtohet, do të lulëzojë dhe nga çdo anë do të dalin degët e saj dhe do të bëhet një pemë e madhe. I bekuar është ai që beson fjalën e Zotit dhe nuk frikësohet nga sprovat që has në mes. Sepse edhe sprovat janë të domosdoshme, në mënyrë që Zoti t’ju sprovojë se kush është i vërtetë në deklaratën e tij e kush është gënjeshtar. Ai që do të lëkundet nga ndonjë sprovë, Zotin nuk mund ta dëmtojë aspak dhe fatkeqësia e tij do ta çojë atë deri në xhehenem. Për të, më mirë do të ishte të mos lindte. Por, të gjithë ata që do të durojnë deri në fund, edhe pse do të përballen me vështirësi tronditëse, ngjarje të stuhishme dhe popuj do t’i përqeshin e shpotitin, madje edhe bota do të sillet shumë e inatosur me ta, përfundimisht do të fitojnë dhe atyre do t’ju hapen dyert e bekimeve.

Zoti m’u drejtua mua dhe më tha që unë ta njoftoj Xhematin tim se ata që besuan në atë mënyrë, saqë në besimin e tyre nuk ka asnjë përzierje të kësaj bote dhe që nuk janë ndotur nga hipokrizia dhe frika, madje besimit të tyre të mos i mungojë asnjë nivel bindjeje, të tillët janë të pëlqyerit e Zotit dhe Ai thotë se vetëm të tillët janë ata, hapi i të cilëve është hapi i vërtetë.”

Dhe një vend tjetër, ai thotë:

“Zoti më thotë se shumë fatkeqësi do të ndodhin dhe shumë gjëma do të zbresin në tokë, disa do të ndodhin para vdekjes sime dhe disa më pas. Ndërkohë, Ai do ta bëjë këtë Xhemat të përparojë me gjithë fuqi, pak me dorën time dhe pak pas meje.”

Prandaj, Xhemati do të përparojë inshaAllah Te’ala. Allahu gjithmonë na bëftë të palëkundur! Allahu na mundësoftë të shohim me sytë tanë zhvillimin e plotë të këtij Xhemati! Allahu na bëftë të përmbushim betimet tona, në mënyrë që të arrijmë ta shohim përparimin e Xhematit gjatë jetës sonë! Adhurimet tona, namazet tona dhe veprat tona qofshin vetëm për të fituar pëlqimin e Zotit! Allahu na bëftë ta kuptojmë siç duhet rëndësinë e Kalifatit dhe t’i bëjmë edhe pasardhësit tanë ta kuptojnë këtë, në mënyrë që pasardhësit tanë deri në ditën e kiametit të vijojnë të përfitojnë nga ky bekim.

Thirrje për lutje

Edhe sot dua t’ju bëj thirrje për lutje. Lutuni për ahmedianët në Pakistan dhe për ahmedianët kudo ku po persekutohen. Po kështu, lutuni për muslimanët e shtypur kudo qofshin, në Palestinë dhe kudo. Allahu ua largoftë vështirësitë dhe ua lehtësoftë gjendjen. Allahu i bëftë ahmedianët të veprojnë siç duhet sipas mësimeve të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., të bëhen ahmedianë të vërtetë, kurse ata që ende nuk e kanë pranuar Mesihun e Premtuar, Allahu i bëftë edhe ata që ta njohin atë dhe të bëjnë bejtin e tij, në mënyrë që të arrijmë të shohim flamurin e Islamit të valëvitet në të gjithë botën, flamurin e Profetit Muhammed s.a.v.s. të valëvitet në të gjithë botën dhe njëshmëria e Zotit të vendoset në të gjithë botën!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp