Hazret Omer ibn el-Hattabi r.a. dhe marrëveshja e Hudejbijes | pjesa IV
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Hazret Omer ibn el-Hattabi r.a. dhe marrëveshja e Hudejbijes | pjesa IV

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hutbet e fundit, është folur mbi jetën e Hazret Omer ibn el-Hattab r.a. në lidhje me pjesëmarrjen e tij nëpër luftëra dhe beteja të ndryshme.

Beteja Hamra-ul-Esed

Pas luftës së Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye në Medinë ndërsa ushtria mosbesimtare mori rrugën drejt Mekës. Por, pak më vonë ai u lajmërua se kurejshët po marshojnë sërish drejt Medinës. Atëherë, Profeti s.a.v.s. bashkë me sahabët u nis drejt vendit që quhej “Hamra-ul-Esed”. Ky vend ndodhej 8 milje larg nga Medina.

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka përshkuar këtë betejë në veprën e tij “Siret Khatemun Nebijjin”. Unë citoj një pjesë nga ky përshkrim. Ai shkruan:

Në dukje, ushtria e Kurejshëve ishte nisur në rrugën drejt Mekës, megjithatë kishte frikë që ky veprim të mos ishte vetëm një përpjekje për t’i shkujdesur muslimanët dhe për t’i shtyrë në gjendje të papërgatitur dhe ata të bënin ndonjë sulm në befasi, andaj atë natë sahabët bënin rojë në Medinë dhe mbikëqyrën në mënyrë të veçantë banesën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Në mëngjes doli që kjo frikë nuk ishte e pabazë. Në kohën e sabahut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori lajmin që ushtria e mosbesimtarëve kishte ndaluar vetëm pak milje larg Medinës dhe krerët kurejshë po akuzonin njëri-tjetrin se ata as nuk kishin vrarë Muhammedin (s.a.v.s.), as nuk kishin robëruar gratë muslimane dhe as nuk kishin plaçkitur shtëpitë e tyre. Madje, ata thoshin se derisa ata mbizotëronin dhe kishin mundësi për të shfarosur muslimanët, përse i kishin lënë pa bërë asgjë, vetëm se të fuqizoheshin prapë. Kemi akoma mundësi, të kthehemi dhe të sulmojmë Medinën dhe të shfarosim muslimanët përgjithmonë. Një grup ishte i mendimit se të kënaqeshin me aq sa kishin arritur, dhe të ktheheshin drejt Mekës, ndryshe fitorja e arritur mund të shndërrohet në humbje. Megjithatë, në fund të këtij debati, mbizotëroi mendimi i atyre që ishin mbushur me frymën e hakmarrjes dhe kurejshët që të gjithë u pajtuan për të ecur drejt Medinës.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. sa mësoi këto zhvillime në kampin e kurjeshëve, ai menjëherë lajmëroi muslimanët për t’u përgatitur për luftë. Ai gjithashtu urdhëroi që në këtë ekspeditë ushtarake do të dilnin vetëm ata që kishin marrë pjesë në luftën e Uhudit.

Sipas një transmetimi tjetër, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për vendimin e kurejshëve, ai i thirri menjëherë Hazret Ebu Bekrin dhe Hazret Omerin dhe i njoftoi me zhvillimet e fundit. Ata të dy sugjeruan për të ndjekur armikun. Luftëtarët e Uhudit, shumica e të cilëve ishin plagosur në luftë, lidhën plagët e tyre dhe iu bashkuan thirrjes së Profetit s.a.v.s.. Sipas rrëfimeve, muslimanët ishin aq të frymëzuar dhe mbushur me gëzim, sikur një ushtri e pathyeshme, e cila pas një fitore të madhe, del në ndjekjen e ushtrisë armike.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Hamra-ul-Esed, pasi kishte ecur 8 milje nga Medina. Dita kishte kaluar dhe po binte errësira e mbrëmjes, andaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. urdhëroi për t’u ndaluar atje. Ai gjithashtu porositi sahabët për të vënë zjarr në pika të ndryshme rreth kampit musliman. Brenda pak çasteve, e gjithë fusha e Hamra-ul-Esedit u ndriçua nga pesëqind vatrat e zjarrit. Kjo pamje ishte kaq madhështore saqë krijonte përshtypje të thella për çdo kalimtar.

Ndoshta me shumë gjasë, me këtë rast, kryetari idhujtar i fisit Khuza‘ah me emrin Ma‘bad u paraqit para të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) dhe shprehu ngushëllimet e tij për ata që kishin rënë në Uhud. Pastaj ai vazhdoi rrugën.

Të nesërmen kur arriti në vendin “Rauha”, gjeti ushtrinë e Kurejshëve të vendosur atje dhe ata po zhvillonin përgatitje për t’u kthyer në Medine. Ma‘bedi shkoi menjëherë tek Ebu Sufjani dhe i tha: “Çfarë keni planifikuar? Për Zotin, unë sapo kam lënë pas ushtrinë e Muhammedit (s.a.v.s.) në Hamra-ul-Esed, dhe nuk kam parë kurrë një ushtri kaq të pathyeshme. Ata janë aq të frymëzuar për shkak të humbjes në Uhud sa që do t’ju shkatërrojnë që në momentin e parë. Ebu Sufjani dhe pasuesit e tij u frikësuan aq shumë nga këto fjalë të Ma‘bedit, saqë braktisën idenë e kthimit në Medine dhe nxituan menjëherë për në Mekë.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi se ushtria kurejshe kishte ikur në këtë mënyrë drejt Mekës, ai falënderoi Allahun dhe tha: “Kjo është madhështia e Zotit që Ai ngjall frikë në zemrat e mosbesimtarëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndroi 2-3 ditë të tjera në Hamra-ul-Esed para se të kthehej në Medinë.

Beteja “Beni Mustelik”

Beteja Beni Mustelik u zhvillua në shaban, 5 hixhri. Kjo betejë ishte e njohur edhe si Gazva Muraisi. Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahib e përshkruan këtë ekspeditë me këto fjalë:

“Kundërshtimi i Kurejshëve filloi të merrte një formë më të rrezikshme nga dita në ditë dhe përmes komploteve të tyre, ata tashmë kishin nxitur shumë fise kundër Islamit dhe Profetit të Islamit. Megjithatë, armiqësia e tyre tashmë u kishte krijuar një kërcënim të ri. Fiset e Hixhazit, të cilat deri më tani ruanin marrëdhënie të mira me muslimanët, tashmë për shkak të nxitjes së kurejshëve filluan të ngriheshin kundër muslimanëve.

Benu Mustelik, një degë e fisit të njohur Khuza‘ah mori për sipër këtë punë dhe filloi të mobilizohej në mënyrë që të sulmonte Medinën. Kryetari i këtij fisi, Harith ibn Ebi Darar vizitoi fiset e tjera të asaj krahine dhe i bashkoi ata për këtë qëllim.

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) mori lajmin për këtë zhvillim, si një masë paraprake, ai dërgoi sahabin e tij Burejdeh ibn Husejb (r.a.) drejt fisit Benu Mustelik në mënyrë që të mblidhte informacion. Profeti s.a.v.s. e porositi të kthehej sa më shpejt dhe ta njoftonte nga zhvillimet e fundit. Kur Burejda (r.a.) shkoi atje, ai zbuloi se me të vërtetë aty ishte grumbulluar një tufë e madhe njerëzish të cilët po bënin përgatitje të mëdha për një agresionin të armatosur ndaj Medinës. Ai u kthye menjëherë dhe ia rrëfeu Profetit s.a.v.s. atë që kishte parë.

Sipas zakonit të tij, si një masë parandaluese, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i nxiti sahabët të niseshin drejt vendbanimit të Benu Mustelikut. Një numër i madh i sahabëve iu përgjigjën thirrjes së Profetit s.a.v.s. për t’iu bashkuar atij në këtë ekspeditë. Madje, hipokritët gjithashtu morën pjesë në një numër kaq të madh, saqë nuk kishin qenë kurrë më parë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. caktoi Hazret Ebu Dherr Gefariun dhe sipas disa transmetimeve të tjera Hazret Zejd bin Harithen (r.a.) si Kryetari i Medinës pas tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dalë për këtë luftë në muajin Shaban të 5 hixhri.

Në ushtrinë muslimane, kishte vetëm tridhjetë kuaj, mirëpo devetë ishin në një numër disi më të madh. Ushtarët muslimanë udhëtonin me këta kuaj dhe deve me radhë. Gjatë udhëtimit ata rastësisht ndaluan një spiun të mosbesimtarëve, i cili u zu rob dhe u paraqit para Profetit (s.a.v.s.). Pas hetimit, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u sigurua se ai ishte me të vërtetë një spiun, Profeti (s.a.v.s.) u përpoq të zbulonte diçka në lidhje me jobesimtarët, por ai refuzoi të jepte ndonjë informacion. Meqenëse sjellja e tij ishte e dyshimtë, sipas ligjit zakonor të luftës, Hazret Omeri (r.a.) e ekzekutoi atë.

Pas kësaj, ushtria muslimane vazhdoi të marshojë përpara. Kur fisi “Benu Mustelik” mësoi për mbërritjen e ushtrisë muslimane kaq pranë dhe morën lajmin për ekzekutimin e spiunit të tyre, ata u frikësuan shumë. Synimi i tyre aktual ishte që të realizonin një sulm të befasishëm mbi qytetin e Medinës, por për shkak të largpamësisë dhe vigjilencës së Profetit (s.a.v.s.), situata kishte marrë tjetër kahje. Ata u frikësuan jashtëzakonisht shumë dhe fiset e tjera që kishin dalë në mbështetje, u trembën kaq shumë nga fuqia e Zotit, saqë ato menjëherë u tërhoqën mbrapa dhe u kthyen në vendet e tyre. Megjithatë, sa i përket Benu Mustelikut, kurejshët i kishin indoktrinuar kaq fort dhe i kishin dehur kaq thellë me armiqësinë ndaj muslimanëve saqë ata nuk pranuan ta shmangnin luftën dhe këmbëngulën për t’u ndeshur me ushtrinë muslimane me tërë forcën.

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) mbërriti në Murejsi’, i cili ndodhej midis Mekës dhe Medinës, dhe ishte pranë kampit të Benu Mustelikut. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) urdhëroi muslimanët ngritjen e kampit. Pas rregullimit të gradave dhe shpërndarjes së flamujve, etj., Profeti i Shenjtë (sa) udhëzoi Hazret Omerin (ra) që të ecte përpara dhe t’i njoftonte Benu Mustelikut që edhe tani nëse hiqnin dorë nga armiqësia e tyre ndaj Islamit dhe t’i nënshtroheshit sundimit të Profetit (s.a.v.s.), atyre do t’u jepej paqe dhe muslimanët do të ktheheshin sërish në Medinë.

Megjithatë, ata e refuzuan këtë thirrje me kokëfortësi dhe shpallën përgatitje për luftë. Madje është shkruar se shigjeta e parë, që ishte qëlluar në këtë konflikt, ishte lëshuar nga ushtari i fisit të tyre. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pa armiqësinë e tyre, ai urdhëroi sahabët të hidheshin gjithashtu në sulm (pasi armiku tashmë e kishte filluar luftën). Për ca kohë të dy palët vërshuan shigjetat në drejtimin e njëri-tjetrit, dhe pastaj i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) urdhëroi sahabët të fillonin një sulm të rrufeshëm. Si rezultat i këtij sulmi të papritur, jobesimtarët u tërhoqën nga pozitat e tyre. Muslimanët i rrethuan me kaq shkathtësi, saqë i gjithë fisi i tyre u detyrua të dorëzohej. Kjo luftë, e cila mund të përshkallëzohej në një përmasë të rrezikshme, përfundoi me një bilanc jashtëzakonisht të vogël, pra me 10 viktimë nga radhët e mosbesimtarëve dhe një nga ushtria muslimane.

Përgjigjja ndaj akuzës se muslimanët kishin sulmuar në befasi

Në veprën “Jeta dhe karakteri i Vulës së Profetëve”, Hazret Mirza Beshir Ahmed Sahib shkruan:

“Është gjithashtu e nevojshme të përmendet se ekziston një transmetim në lidhje me këtë betejë në Sahih el-Buhari, ku thuhet se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) kishte urdhëruar për të sulmuar Benu Mustelikun në një kohë kur ata nuk ishin të përgatitur dhe kishin çuar kafshët te burimi për të pirë ujë. Por, nëse e analizojmë me kujdes, do të gjejmë se nuk ka asnjë kontradiktë midis rrëfimit të historianëve dhe këtyre haditheve, pasi këto dy transmetime kanë të bëjnë me dy kohë të ndryshme. Kjo do të thotë, kur ushtria muslimane mbërriti pranë vatrës së Benu Mustelikut, në atë çast ata nuk kishin menduar se muslimanët mund të mbërrinin kaq shpejt (edhe pse ishin në dijeni se ushtria muslimane do të mbërrinte). Ata ishin relativisht të qetë dhe në një gjendje të shkujdesur e të paorganizuar. Ishte pikërisht kjo situatë të cilën e ka përshkuar Buhariu. Megjithatë, kur kuptuan se muslimanët kishin mbërritur, ata u rreshtuan në çetën e tyre sipas organizimit të mëparshëm dhe u përgatitën për të luftuar. Historianët kanë përmendur këtë gjendje të dytë. ‘Alama Ibn Haxheri dhe dijetarë të tjerë i kanë interpretuar këto dy transmetime të ndryshme në këtë mënyrë, dhe pikërisht ky sqarim duket më i saktë.”

Një zënkë midis sahabëve

Gjatë kthimit nga ekspedita e Beni Mustelikut ndodhi një ngjarje e cila është transmetuar në Sahih Muslim. Hazret Xhabir ibn Abdillah (r.a.) tregon: “Ne ishim me të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) në një ekspedite (dmth. në ekspeditën e Beni Mustelik) kur njëri prej Muhaxhirëve qëlloi dikë nga mesi i ensarëve në shpinë. Ensariu u thirri ensarëve ndërsa muhaxhiri u bëri thirrje muhaxhirëve (d.m.th. të dy thirrën për ndihmë popullin e tyre). I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) u njoftua me këtë çështje. Pasi dëgjoi këtë zhurmë, ai tha: “Ç’janë këto thirrje të periudhës së injorancës?” Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut! Njëri nga burrat muhaxhirë goditi njerin prej ensarëve në shpinë”. Profeti (s.a.v.s.) tha: ‘Hiqni dorë nga veprime të tilla. Mos u merrni me kësisoj marrëzish dhe veprime të pakuptimta (d.m.th. të ziheni për çështjet kaq të vogla është e kotë).

Qëndrim dashakeq i Abdullah ibn Ubejit

Abdullah ibn Ubeji i cili ishte i pranishëm në këtë moment, dëgjoi këto fjalë dhe tha: Kësaj here, ai muhaxhir ka arritur të qëllojë ensariun, edhe nëse është një shuplakë, por betohem në Allah, kur të kthehemi në Medinë, sigurisht që më i ndershmi i Medinës do ta dëbojë (MeazAllah) më të poshtrin”. Hazret Omeri (r.a.) shkoi te Profeti dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Më jepni leje që t’ia pres kokën këtij hipokriti”. Profeti (s.a.v.s.) i tha: Lëreni atë, ndryshe njerëzit do të thonë se Muhammedi paska vrarë shokët e tij.

Detajet e kësaj ngjarjeje janë përmendur edhe në veprën “Jeta dhe Karakteri i Vulës së Profetëve”. Unë nuk do ta citoj këtë fragment, pasi është përmendur më parë. Sidoqoftë, në Sirah Ibn Hisham përmendet që në ditët e tij të fundit, sa herë që Abdullah ibn Ubeji, shprehte mendim për ndonjë çështje, populli i tij e quante si jashtëzakonisht përtac. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) mësoi për gjendjen e tij, ai i tha Hazret Omerit (r.a.): “O Omer! Atë ditë kur më kishe kërkuar leje për ta ekzekutuar atë, po të kisha dhënë leje, njerëzit do të zemëroheshin dhe do të përdridhnin buzët. Por tani nëse i urdhëroj të njëjtët njerëz, të cilët më parë do të kishin kundërshtuar vrasjen e tij, tashmë do ta bënin me gatishmëri. Vetëm për shkak të durimit dhe vetëpërmbajtjes dhe daljes së realitetit, mbështetësit e Abdullah ibn Ubejit sot kanë dalë kundër tij, madje po t’u them tani për ta vrarë atë, ata vetë mund ta kryejnë këtë akt”.

Hazret Omeri tha: “Betohem në Allah! Tani e di se vendimi i të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) ishte më i drejtë dhe më i bekuar se mendimi im”.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të udhëhiqte xhenazen e kreut të hipokritëve Abdullah ibn Ubej, Hazret Omeri iu drejtua dhe tha: A nuk ju ka ndaluar Allahu faljen e xhenazeve të hipokritëve? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: Mua më është dhënë e drejtë për të zgjedhur. Daç të kërkoj falje për ta, daç mos e kërkoj. Kështu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. drejtoi namazin e tij të xhenazes, por më vonë kur Allahu e ndaloi në mënyrë kategorike, Profeti s.a.v.s. nuk udhëhoqi kurrë namazin e xhenazes për ndonjë hipokrit.

Një sqarim në lidhje me namazet gjatë betejës së Handekut

Ebu Selema transmeton nga Hazret Xhabir ibn Abdillah se në ditën e Betejës së Handekut, Hazreti Omeri (r.a.) erdhi pasi kishte perënduar dielli dhe nisi të qortonte mosbesimtarët kurejshë. Ai tha: “O i Dërguar i Allahut! Sot nuk arrita të falja namazin e iqindisë, ndërsa tani dielli gati po perëndon”. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) tha: “Pasha Zotin! Edhe unë nuk e kam falur”. Më pas u ngritëm dhe shkuam në But’han, e cila është njëra prej luginave të Medinës. Atje, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) mori abdes dhe ne gjithashtu morëm abdes për namaz. Ne falëm namazin e iqindisë, ndërsa dielli kishte perënduar, dhe pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. udhëhoqi namazin e akshamit”. Ky transmetim është marrë nga Buhariu.

Ka transmetime të ndryshme në lidhje me temën se sa namaze kishin falur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sahabët pas luftës se Handekut. Në një transmetim, Hazret Xhabiri (r.a.) thotë: “Në ditën e Betejës së Handekut, Hazret Omeri (r.a.) i qortoi jobesimtarët dhe tha: ‘Unë nuk arrita të falja namazin e Iqindisë deri sa kishte perënduar dielli. Pastaj ai shkoi në But’han dhe fali iqindinë pasi të perëndonte dielli, dhe më pas ai fali namazin e Akshamit”.

Ky transmetim gjendet gjithashtu në Buhari, ndërkohë në transmetimin mëparshëm ishte përmendur se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ishte gjithashtu me të.

Hazret Aliu (r.a.) ka transmetuar se në ditën e Betejës së Handekut, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) tha: “Allahu i mbushtë shtëpitë dhe varret e mohuesve me zjarr pasi ata na imponuan luftën dhe nuk na lanë të falnim Salat al-Vusta, (d.m.th. namazin e mesëm) derisa dielli kishte perënduar”. Këtë transmetim e ka shënuar Imam Buhariu në sahihun e tij.

Pastaj Ebu Ubejdeh ibn Abdillah transmeton nga autoriteti i babait të tij se në ditën e Handekut, idhujtarët e penguan të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) të kryente katër namaze, madje kaloi dhe një pjesë e natës aq sa dëshironte Allahu. Transmetuesi më tej thotë se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e porositi Hazret Bilalin për të thirrur ezanin. Më pas e porositi për të kënduar ikametin dhe drejtoi namazin e drekës. Pastaj porosit për të thirrur ikametin dhe drejtoi namazin e iqindisë. Pastaj e porositi Bilalin për të kënduar ikametin dhe drejtoi namazin e akshamit. Pastaj e porositi për të thirrur ikametin dhe drejtoi namazin e jacisë.”

Ky transmetim është përmendur në Musned Ahmed ibn Hanbel.

Mesihu i Premtuar (a.s.) i ka quajtur të gjitha këto transmetime si të dobëta, përveç njërit në të cilin përmendet se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka falur vetëm namazin e iqindisë afër përfundimit të kohës së caktuar. Ai gjithashtu ka rrëzuar pretendimin e një prifti të krishterë, Fateh Masih, sipas të cilit i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) kishte falur katër namaze pas kohës së tyre të caktuar. Mesihu i Premtuar (a.s.) deklaroi:

“Ky dyshimi juaj djallëzor për të pretenduar se katër namaze ishin bashkuar gjatë kohës kur gërmohej handeku, në të vërtetë zbulon nivelin e njohurisë suaj, sepse fjala që është përdorur (në hadith) është “Kada“. O njeri i paditur! Termi ‘Kada’ do të thotë falja e namazit dhe jo lënia e tij.

Termi ‘Kada’ nuk vlen kurrë për rastin kur dikush ka humbur një namaz. Nëse dikush e humbet plotësisht namazin e tij, përdoret fjala ‘Faut’, d.m.th. është humbur namazi. Ishte për këtë arsye që ne kemi shpallur një çmim prej 5000 rupish sepse ekzistojnë njerëz kaq të përciptë që ngrenë akuza kundër Islamit, ndërkohë nuk dinë as kuptimin e termit ‘Kada’. Një njeri i tillë, i cili nuk mund të përdorë fjalët në kontekstin e duhur, si mundet të kritikojë çështje të thella?

Sa i përket pretendimit se katër namaze ishin falur bashkërisht gjatë kohës kur gërmohej handeku, i përgjigjem këtij pretendimi naiv duke thënë se Allahu i Madhërishëm ka thënë se nuk ka vështirësi në fe d.m.th. feja nuk mban porosi kaq detyruese që e çojnë njeriun në shkatërrim. Prandaj, në rast nevojash apo në gjendje të jashtëzakonshme, Ai ka urdhëruar për të bashkuar apo për të shkurtuar namazet. Megjithatë, nuk ka asnjë hadith autentik që thotë se atë ditë katër namaze ishin falur bashkërisht. Në fakt, në komentimin e Sahih Buhariut, el-Feth’ul Bari, është përmendur se vetëm një namaz d.m.th. namazi i ikindisë ishte falur në kohën, kur dielli pothuajse perëndonte”.

Mesihu i Premtuar (a.s.) i drejtohet kundërshtarit dhe thotë:

“Po të ishit këtu para meje, do t’ju kisha pyetur transmetimin që keni cituar për bashkimin e 4 namazeve, a është një transmetim autentik?”

Me fjalë të tjera, namazet e drekës dhe të iqindisë mund të falen së bashku, po ashtu namazet e akshamit dhe të Jacisë mund të falen bashkërisht. Në të vërtetë, ekziston një transmetim i dobët, sipas të cilit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sahabët kishin falur 4 namaze bashkë pra, drekën, iqindinë, akshamin dhe jacinë. Megjithatë, transmetimet e tjera autentike e hedhin poshtë këtë transmetim të veçantë. E vetmja gjë që vërtetohet është se vetëm namazi i iqindisë ishte falur në kufi të përfundimit të kohës së tij.

Roli i Hazret Omerit r.a. në marrëveshjen e Hudejbijes

Në lidhje me rolin e Hazret Omerit (r.a.) në marrëveshjen e Hudejbijes përmendet që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) thirri Hazret Omerin (r.a.) në mënyrë që ta dërgonte atë te paria e kurejshëve dhe t’i informonte ata se përse Profeti s.a.v.s. dëshironte të shkonte në Mekë. Hazret Omeri (r.a.) erdhi dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Unë u frikësohem kurejshëve për jetën time sepse ata janë në dijeni për armiqësinë time ndaj tyre. Përveç kësaj, asnjëri nga fisi im, Benu Adij nuk ndodhej në Mekë, që të më sigurojë ndonjë mbrojtje”.

Në këtë mënyrë, Hazret Omeri (r.a.) tregoi pak ngurrim.

Sipas një transmetimi tjetër, Hazreti Omeri (r.a.) shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Nëse dëshironi, unë prapë mund të shkoj tek ata”. Por Profeti (s.a.v.s.) nuk tha asgjë. Hazret Omeri (r.a.) pastaj tha: “Unë do t’ju tregoj për dikë të cilin e respektojnë dhe vlerësojnë kurejshët më shumë se mua. Ai është Osman ibn Afani (r.a.)”. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri Hazret Osmanin (r.a.) dhe e dërgoi te Ebu Sufjani dhe krerët e tjerë Kurejsh, me qellim që ai t’i informonte ata se Profeti (s.a.v.s.) nuk kishte ardhur me ndonjë qëllim luftarak. Përkundrazi, ai kishte ardhur për të kryer tevafin e Qabesë dhe për të nderuar shenjtërinë e tij. Detajet e kësaj ngjarjeje janë përmendur në lidhje me jetën e Hazret Osmanit r.a.

Ngjarja prekëse e Ebu Xhendeilt

Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahib (r.a.) ka shkruar:

“Teksa po hartoheshin kushtet e traktatit, aty u shfaq papritmas Ebu Xhendeli, i lidhur me pranga dhe zinxhir. Këtë djalosh e kishin burgosur banorët e Mekës, pasi ai kishte pranuar Islamin dhe ushtronin dhunë dhe tortura ndaj tij. Ebu Xhendeli qe djali i Suhejl ibn Amrit, të cilin kurejshët e kishin dërguar si përfaqësues i tyre dhe për të udhëhequr bisedimet me Profetin s.a.v.s.. Kur kishte mësuar Ebu Xhendeli se ka ardhur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaq pranë Mekës, ai disi i shpëtoi burgimit të Kurejshëve dhe akoma i lidhur në pranga, fytas dhe mbytas mbërriti në Hudejbije. Rastësisht, ai mbërriti atje në një kohë kur babai i tij po përcaktonte kushtin: “Çdo njeri që pranon Islamin nga banorët e Mekës dhe u bashkohet muslimanëve, do të rikthehet në Mekë”.

Ebu Xhendeli u hodh para muslimanëve dhe me shumë dhimbje u bëri thirrje: “O muslimanë! Unë po duroj këto mundime e tortura, thjesht sepse kam pranuar Islamin. Ju lutem, më shpëtoni për hir të Zotit!” Duke parë një pamje kaq të dhembshme, muslimanët u përpëlitën nga dhimbja, por Suhejli gjithashtu qëndroi kokëfortë mbi kushtet dhe iu drejtua Profetit (s.a.v.s.): “Në bazë të këtij traktati, kjo është kërkesa ime e parë që të na ktheni Ebu Xhendelin”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Por, akoma nuk është finalizuar marrëveshja”.  Suhejli tha: “Nëse ju nuk do të na ktheni, konsideroni këtë traktat të shpërbërë”. Që të zgjidhte situatën, i Dërguari i Allahut tha: “Mos e përfillni kaq shumë këtë rast. Lëreni Ebu Xhendelin të vijë me ne, në shenjë mirësie dhe dashamirësie”. Suhejli tha: “Jo, kurrsesi.” Profeti i Shenjtë (s.a.) tha: “Suhejl! Mos u trego aq kokëfortë dhe pranoje kërkesën tonë”. Suhejli vazhdoi këmbënguljen dhe tha: “Unë nuk do ta pranoj këtë në asnjë mënyrë”.

Ebu Xhendeli, i cili po dëgjonte këtë bisedë, përsëri bëri një thirrje: “O muslimanë! A kështu do të dorëzohet vëllai juaj musliman përsëri te idhujtarët, pasi ka hequr vuajtje dhe tortura kaq të rënda?” Është e habitshme se në atë kohë Ebu Xhendeli nuk iu drejtua të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) për ndihmë e mbrojtje, përkundrazi, ai u bëri apel muslimanëve të thjeshtë. Ndoshta ai e dinte se pavarësisht sa shumë i dhimbsej mjerimi i tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kurrë nuk do të lejonte që marrëveshja të mbetej peng nga diçka.

Sidoqoftë, Ebu Xhendeli besonte se muslimanët, për shkak të sedrës dhe indinjatës së tyre në atë kohë, do të arrinin ndonjë zgjidhje për lirinë e tij, kur kushtet dhe nenet e marrëveshjes ishin akoma duke u transkriptuar. Megjithatë, ndonëse muslimanët ishin mbushur me indinjatë dhe zemërim, ishte e pamundur që ata të shprehnin diçka kundër dëshirës së Profetit s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndroi i heshtur për pak çaste, e pastaj tha me mallëngjim: “O Ebu Xhendel! Përmbahu durimit dhe ki besim në Zot, sepse Ai me siguri do të gjejë ndonjë rrugëdalje për çlirimin tënd dhe të muslimanëve të tjerë të dobët. Në këtë kohë, ne jemi të detyruar të pajtohemi me rrethanat, sepse ne tashmë kemi biseduar një marrëveshje me banorët e Mekës dhe nuk mund të veprojmë në kundërshtim me të”.

Muslimanët po shikonin këtë skenë me indinjatë dhe sedrën fetare. Zemra u pikonte gjak dhe ishin shumë të mërzitur, megjithatë për shkak të respektit ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ata qëndruan të heshtur.

Mësoni më shumë rreth marrëveshjes së Hudejbijes

Reagimi i Hazret Omerit ndaj marrëveshjes së Hudejbijes

Por përfundimisht, Hazret Omeri (r.a.) nuk mundi ta duronte këtë. Ai erdhi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e pyeti me një zë të dridhur: “A nuk jeni ju i Dërguar i vërtetë i Allahut?” Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: “Po, sigurisht që jam”. Omeri e pyeti: “A nuk jemi ne në të vërtetë, dhe armiku ynë në gënjeshtër?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: “Po, me të vërtetë ashtu është”. Omeri tha: “Pse atëherë duhet ta pranojmë këtë poshtërim në çështjen e fesë sonë të vërtetë?” Duke parë gjendjen e Hazretit Omerit (r.a.), Profeti (s.a.v.s.) i dha një përgjigje të shkurtër: “Shiko Omer! Unë jam i Dërguari i Allahut. Unë e kuptoj vullnetin e Zotit dhe nuk mund të veproj kundër tij. Vetëm Ai është mbrojtësi dhe ndihmësi im”. Por indinjata e Hazret Omerit (r.a.) nga çasti në çast vetëm po përshkallëzohej. Ai u shpreh: “A nuk kishit thënë që ne do të bënim Tevaf rreth Qabes?” Profeti i Shenjtë (s.a.) tha: “Po, sigurisht e kam thënë, por nuk kam thënë se Tevafin do të bënim patjetër këtë vit?” Omeri (r.a.) tha: “Jo, nuk e keni thënë këtë”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Atëherë bëhu i durueshëm. Në dashtë Zoti! Ju patjetër do të hyni në Mekë dhe do të bëni Tevafin e Qabes”.

Sidoqoftë, i pushtuar nga emocionet, Hazret Omeri (r.a.) nuk u bind. Meqë, ai i druhej madhështisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Hazret Omeri u largua prej tij dhe shkoi te Hazret Ebu Bekri (r.a.). Në këtë gjendje emocionuese, ai i shtroi përsëri të njëjtën pyetje Hazret Ebu Bekrit (r.a.), i cili iu përgjigj në të njëjtën mënyrë si Profeti s.a.v.s.. Sidoqoftë, Hazret Ebu Bekri (ra) e këshilloi atë dhe tha: “O Omer! Shiko këtu! Përmbahu dhe kontrollo veten! Mos lejo që të lirohet lidhja me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Pasha Zotin! Ky njeri, të cilit i kemi dhënë besëlidhje, është pa dyshim i vërtetë”.

Hazret Omeri (r.a.) ka thënë se për shkak të gjendjes emocionale dhe ndjenjave të forta, ai ishte shprehur kështu, por më vonë, ai kishte ndjenjë keqardhjeje. Madje, për të shlyer pasojat e kësaj dobësie si një formë pendimi, ai kreu shumë veprime vullnetare. P.sh. dha sadaka për bamirësi, agjëroi, fali namaze nafile dhe madje liroi skllevër, në mënyrë që të hiqej e të pastrohej kjo njollë dobësie nga vetja e tij.

Një përshkrim emocional i kësaj ngjarjeje nga Hazret Kalifi IV

Hazreti Kalifi IV i Mesihut të Premtuar (Allahu e mëshiroftë) ka mbajtur një fjalim me rastin e Xhelsa Salanës, në periudhën para kalifatit. Unë do t’ju citoj një pjesë (të fjalës) në lidhje me këtë ngjarje. Ai thotë:

“Nuk ka dyshim se klithma e dhimbjes që shpërtheu nga zemra e Hazret Omerit (r.a.) në formën e një pyetjeje, ishte ndjerë edhe në zemrat e shumë sahabëve të tjerë. Dhimbjet dhe ndjenjat që Omeri i kishte shprehur në fjalë, nuk ishin vetëm ndjenjat e tij, por të tillat mendime ishin mbyllur nëpër qindra zemra dhe vlonin me forcë. Por guximi i Hazret Omerit (r.a.) për t’i shprehur ato ndjenja, ishte një gabim kaq i rëndë saqë mbeti si një brengë, për të cilin ai u pendua tërë jetën dhe kurrë nuk e harroi atë. Për ta shlyer atë, ai agjëroi, bëri shumë ibadete, bëri bamirësi dhe i lagi sexhadet me lutje të ngashëryera e istigfar të pandërprerë, por prapëseprapë zjarri i pendimit dhe keqardhjes nuk u shua kurrë.

Ankthi i ndjerë në kohën e marrëveshjes së Hudejbijes ishte i përkohshëm, të cilin shumë shpejt mëshira hyjnore e kishte ndërruar në qetësi e ngazëllim. Megjithatë, ankthi që ajo pyetje e nxituar i kishte ngjallur zemrës së Omerit, u shndërrua në një plagë të përhershme, që nuk u shërua kurrë. Ai gjithmonë shprehej me mall dhe dhimbje që sikur të mos shtronte kurrë atë pyetje.

Unë shpesh mendoj se kur Hazret Omeri dergjej në shtrat dhe midis grahmave të vdekjes bënte këtë lutje: لا علي ولا علي  O Zot! Unë nuk të kërkoj asnjë shpërblim për veprat e mira. Të lutem, më fal të gjitha gabimet. Kur ai bënte këtë lutje, një gabim do ta pikëllonte më shumë se çdo gabim tjetër, dhe me siguri ai do të ketë përfytyruar gabimin që kishte ndodhur në fushën e Hudejbijes.

Si ishte gjendja e zemrës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kur ai shikonte ankthin dhe pikëllimin në sytë e sahabëve të tij, gjatë kohës kur hartoheshin kushtet e marrëveshjes, këtë e dinte vetëm Zoti i Tij i dashur dhe miku më i shkëlqyeshëm. Megjithatë, përmes këtyre tri fjalive të thjeshta që dolën nga gjuha e tij e bekuar, si përgjigje ndaj pyetjes së Hazret Omerit (r.a.), ai dha një mesazh të pasur, për ata që mendojnë”.

Në kohën kur hartohej marrëveshja e Hudejbijes midis muslimanëve dhe kurjeshëve të Mekës, pergamena mbi të cilën ishin shkruar kushtet e traktatit përmbante dhe nënshkrimin e Hazret Omeri (r.a.). Lidhur me këtë, Hazret Mirza Bashir Ahmad sahibi (r.a.) ka shkruar:

“U hartuan dy kopje të kësaj marrëveshjeje dhe si dëshmitarë, disa njerëz të nderuar nga të dyja palët vunë nënshkrimet e tyre mbi të. Nga muslimanët ishin Hazret Ebu Bekri (r.a.), Hazret Omer ibn el-Hattab (r.a.), Hazret Osmani (r.a.), Hazret ‘Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), Hazret Sa’d ibn Ebi Vekasi (r.a.) dhe Hazret Ebu ‘Ubejda (r.a.). Pas përfundimit të marrëveshjes, Suhejl ibn ‘Amri mori një kopje të saj dhe u nis drejt Mekës, ndërsa kopja tjetër mbeti me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.”.

Allahu e quan marrëveshjen e Hudejbijes “një fitore madhështore”

Lidhur me udhëtimin e kthimit nga Hudejbija, gjejmë këtë përshkrim në veprën “Jeta dhe Karakteri i Vulës së Profetëve”:

“Pas therjes së kurbaneve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. urdhëroi kthimin në Medinë. Në momentin e kthimit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte kaluar pak a shumë 20 ditë në Hudejbije. Në rrugën e kthimit, kur mbërriti në Kura el-Ghamim afër ‘Usfanit (Usfani ndodhet 103 km nga Meka dhe Kura al-Ghamim është një luginë që gjendej 8 milje larg Usfanit) kishte rënë errësira e natës. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi për të mbledhur sahabët dhe u tha: “Këtë natë, më është zbritur një sure, të cilën e dua më shumë se çdo gjë të kësaj bote. Ajo vijon kështu:

إِنَّا فَتَحْنَا لَكَ فَتْحًا مُّبِينًا۝‏
لِّيَغْفِرَ لَكَ اللَّهُ مَا تَقَدَّمَ مِن ذَنبِكَ وَمَا تَأَخَّرَ وَيُتِمَّ نِعْمَتَهُ عَلَيْكَ وَيَهْدِيَكَ صِرَاطًا مُّسْتَقِيمًا۝
وَيَنصُرَكَ اللَّهُ نَصْرًا عَزِيزًا ۝

Këto ishin ajete 2,3 dhe 4 të sures Feteh. Ajeti 28-të i sures vijon kështu:

لَّقَدْ صَدَقَ اللَّهُ رَسُولَهُ الرُّؤْيَا بِالْحَقِّ ۖ لَتَدْخُلُنَّ الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ إِن شَاءَ اللَّهُ آمِنِينَ مُحَلِّقِينَ رُءُوسَكُمْ وَمُقَصِّرِينَ لَا تَخَافُونَ

Ne të kemi dhënë ty një fitore madhështore, që të fillojmë një periudhë të re për ty, në të cilën Allahu të mbulojë të gjitha dobësitë, qofshin të mëparshme ose të ardhshme, dhe që Ai ta plotësojë dhuntinë e Tij ndaj teje dhe të udhëzojë ty në rrugën e suksesit. Me siguri, Allahu do të të dhurojë ty një ndihmë të fuqishme.

Me të vërtetë Allahu e përmbushi ëndrrën që Ai i kishte treguar të Dërguarit të Tij. Ai u tha: Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë në gjendje paqeje e sigurie. Ju do të therni kurbanet tuaja për hir të Allahut, do të rruani kokën ose do ta qethni atë, dhe nuk do të keni kurrfarë frike. Pra nëse do të hynit në Mekë këtë vit, nuk do të kishit hyrë në paqe, përkundrazi do të hynit me luftë dhe gjakderdhje. Por, meqë Zoti në ëndërr kishte treguar një hyrje paqësore, prandaj si rezultat i kësaj marrëveshjeje, Ai ka krijuar kushtet e paqes, dhe së shpejti do të hyni të sigurte në Xhaminë e Shenjtë, ashtu siç Zoti kishte shfaqur në ëndërr, dhe ashtu ndodhi.

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) u lexoi këto ajete sahabëve, meqenëse në zemrat e disave ishte akoma ndjenja e hidhërimit për shkak të marrëveshjes së Hudejbijes, ata u befasuan duke menduar se ndonëse po ktheheshin të dështuar, Zoti po i përgëzon për fitore. Disa sahabët të nxituar madje kishin thënë: “A fitore qenka kjo që po kthehemi të dështuar, kur nuk na është lejuar as të kryenim Tevafin rreth Qabes?” Kur këto fjalë arritën te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ai shprehu pakënaqësi të madhe. Ai mbajti një fjalim të shkurtër por të fuqishëm, dhe tha: “Ky është një kundërshtim i pakuptimtë, sepse po të reflektoni do të shikoni se marrëveshja e Hudejbijes është me të vërtetë një fitore madhështore. Ata Kurejshë, që deri tani ishin zotuar për të luftuar kundër nesh, vetë e kanë braktisur konfliktin dhe kanë lidhur një marrëveshje paqeje me ne dhe na kanë premtuar se vitin e ardhshëm ata do të çelin dyert e Mekës për ne. Ne po kthehemi me paqe e siguri, duke qenë të mbrojtur nga ligësitë e Kurejshëve, dhe duke nuhatur aromën e fitoreve të ardhshme. Prandaj, me të vërtetë, kjo është një fitore madhështore. A e keni harruar se si këta kurejshë hidheshin në sulm kundër jush në Uhud dhe Ahzab? Toka, me tërë shtrirjen e saj, ishte ngushtuar për ju dhe sytë ju ishin ngurtësuar, dhe ju dridheshit nga frika. Ndërsa sot, po këta kurejshë kanë lidhur marrëveshjen e paqes me ju”.

Sahabët iu përgjigjën: “O i Dërguar i Allahut! Tashmë e kemi kuptuar. Ne nuk mund ta kuptonim atë që rrok largpamësia juaj. Tashmë e kemi kuptuar që kjo marrëveshje është me të vërtetë një fitore madhështore për ne”.

Para këtij fjalimi të të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.), Hazret Omeri (r.a.) ishte gjithashtu në një gjendje pikëllimi dhe brengosje. Këtë ngjarje e ka rrëfyer vetë ai. Ai thotë: “Gjatë kthimit nga Hudejbija, kur po udhëtonim natën, një herë iu afrova të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Unë iu drejtua dhe u mata të thosha diçka, por ai nuk foli. U përpoqa për herë të dytë dhe të tretë që të flisja me të, por vazhdoi heshtje. Heshtja e të Dërguarit ë Allahut s.a.v.s. më pikëlloi jashtëzakonisht shumë. Unë i thashë vetes: O Omer! Ti je shkatërruar tani se iu drejtove tri herë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ai nuk t’u përgjigj asnjëherë. Unë dola përpara gjithë ushtrisë muslimane dhe vrisja mendjen për të kuptuar arsyen e heshtjes së Profetit s.a.v.s.. Më zuri frika se mos vallë zbritej ndonjë ajet kuranor për mua. Isha në labirintin e mendimeve, kur papritmas dëgjova një thirrje. Dikush përmendi emrin tim dhe njoftoi: “I Dërguari i Allahut ka thirrur Omer ibn Hattabin!” Unë i thashë vetes: “Sigurisht, ka zbritur ndonjë ajet kuranor për mua”. Kështu, në këtë gjendje frike, u nxitova te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. E përshëndeta dhe qëndrova pranë tij. i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më tha: “Sapo më është shpallur një sure e tillë, të cilën e dua më shumë se çdo gjë të kësaj bote”. Pastaj, ai recitoi ajetet e sures el-Fet’h. Unë e pyeta: “O i Dërguar i Allahut! A me të vërtetë kjo marrëveshje qenka një fitore për Islamin?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Po, me të vërtetë kjo është fitorja jonë”. Hazret Omeri r.a. gjithashtu gjeti qetësi e ngushëllim nga kjo përgjigje. Kështu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye në Medinë.

Hazret Musleh Mo’udi (r.a.) ka thënë:

“Me rastin e marrëveshjes së Hudejbijes, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) bëri paqe me idhujtarët e Mekës. Megjithatë, kjo marrëveshje u ngjalli sahabëve kaq shumë ankth, saqë një person i kalibrit të Hazret Omerit (r.a.) shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tha: ‘O i Dërguar i Allahut! A nuk ju kishte premtuar Allahu i Madhërishëm se ne do t’i bënim tevaf Qabes apo a nuk është caktuar fitorja për Islamin?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: “Sigurisht që po”. Hazret Omeri i tha: “Atëherë, përse kemi pranuar marrëveshjen, duke qenë të nënshtruar”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s tha: “Padyshim, Zoti i Madhërishëm na kishte premtuar se ne to bënim tevaf, por nuk kishte thënë se tevafin do ta bënim pikërisht këtë vit”.

Kjo temë po vazhdon akoma, prandaj In-sha-Allah do të vijojë kjo temë edhe në të ardhmen.

Namazi i Xhenazes

Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) tha se ai do të udhëhiqte namazin e xhenazes në mungesë për disa persona, të cilët kanë ndërruar jetë kohët e fundit:

  1. Melik Muhamed Jusuf Salim sahibi, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare në Pakistan. Nga 1963 deri 1985 I ndjeri kishte shërbyer si drejtor i departamentit të transkriptimit.
  2. Shuajb Ahmed sahibi nga Kadiani, Indi ka ndërruar jetë në moshën 56 vjeçare. Ai kishte shërbyer më shumë se 33 vjet në cilësi të ndryshme.
  3. Maksud Ahmad Bhatti, një misionar nga Kadiani, Indi ka ndërruar jetë në moshën 52 vjeçare. I ndjeri kishte shërbyer 30 vjet në xhemat dhe po shërbente si Kadiu Qendror.
  4. Xhaved Ikbal sahibi nga Fejselabadi, Pakistan, ka ndërruar jetë në moshën 66 vjeçare.
  5. Mediha Nevaz, bashkëshortja e Nevaz Ahmed sahibi, një misionar në Gana, Afrikë ka ndërruar jetë në moshën 36 vjeçare.

Allahu i mëshiroftë këta të ndjerë dhe ua lartësoftë gradat shpirtërore në xhenet! Allahu u dhëntë durim dhe forcë familjarëve dhe u mundësoftë të përjetësojnë cilësitë dhe virtytet e të ndjerëve! Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp