Jeta e Hazret Uthman bin Afanit, Kalif i Tretë i Profetit a.s. | pjesa III
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Uthman bin Afanit, Kalif i Tretë i Profetit a.s. | pjesa III

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pjesa III

Ju tregoja për jetën e Hazret Uthman r.a. në xhumatë e mëparshme.

Beteja “Dhatur-Rika” dhe Hazret Uthman ibën Afani r.a.

Për sa u përket betejave të tij, përmendet edhe beteja e Dhatur-Rika. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis me një ushtri prej 400 sahabësh, e sipas një rrëfimi tjetër, prej 700 sahabësh, për në Nexhd për të sulmuar fiset e Gatfanit, Benu Thalebanë dhe Benu Muharibin. Në Medinë Hazret Uthmanin r.a. e caktoi si Emir, e sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Ebu Dher Gafariun r.a..

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Nexhd, në vendin e quajtur Nekhl e që quhet edhe Dhatur-Rika. Aty ishte gati një ushtri e madhe e kundërshtarëve për të luftuar kundër Profetit s.a.v.s.. Të dyja palët u rreshtuan ballë përballë, megjithatë, nuk u ndeshën. Njerëzit patën frikën nga njëri-tjetri. Ishte pikërisht kjo betejë kur për herë të parë u fal namazi i frikës.

Pse u quajt Dhatur-Rika ose Dhatu Rika kjo betejë?

[Beteja Dhatur-Rika do të thotë Beteja e leckave] Për sa i përket emërtimit të betejës Dhatur-Rika, thuhet se në këtë zonë kishte një pemë apo një mal që quhej Dhatur-Rika [me arnime ose lara lara], prandaj edhe beteja u quajt Dhatur-Rika.

Në një rrëfim që gjendet në Buhari, shkruhet:

Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu r.a. r.a. tregon: Ne u nisëm për një betejë bashkë me Profetin Muhammed s.a.v.s.. Në grupin tonë ishim 6 veta. Kishim vetëm 1 deve, të cilën hipnim njëri pas tjetrit.

Pra, nuk do të thotë se kishte 6 veta në gjithë ushtrinë, por gjashtë veta kishin vetëm 1 deve të përbashkët. Ai vijon:

Na u çanë këmbët. Mua të dyja këmbët më ishin çarë. Më ranë edhe thonjët. Lidhnim fasho dhe lecka në këmbë për të vijuar rrugën. Prandaj, kjo betejë u quajt Dhatur-Rika, domethën, beteja e leckave, pasi ato i lidhnim te këmbët.

Kur u zhvillua beteja Dhatu Rika?

Kam një shënim në lidhje me këtë betejë. Do tju lexoj edhe atë. Sipas librave të hostorisë dhe biografive, lufta Dhatu Rika u bë në vitin 4 h., kurse Imam Buhariu thotë se ajo u bë pas Luftës së Khejberit, pasi në Dhatu Rika mori pjesë edhe Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu r.a., i cili e pranoi Islamin pas Luftës së Khejberit. Prandaj, data më e mundshme e kësaj beteje është viti 7 h.

Çlirimi i Mekës dhe roli i Hazret Uthman bin Afanit r.a.

Çlirimi i Mekës që ndodhi në vitin 8 h.. Suneni i Nisait sjell një rrëfim të gjatë, në të cilin përmendet lista e atyre njerëzve, për të cilët Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte lëshuar vendimin të dënoheshin me vdekje. Hazret Mus’ab bin Sa’di rrëfen përmes babait të tij:

Ditën e Çlirimit të Mekës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u siguroi paqe të gjithë mohuesve me përjashtim të dy grave e katër burrave. Për këta të fundit, ai tha: Vritini të katërt, edhe nëse i gjeni të mbështjellë me Kisven (mbulesën) e Qabes. Këta katër ishin:

  1. ‘Ikreme bin Ebu Xhehli
  2. ‘Abdullah bin Khateli
  3. Mukis bin Subaba
  4. ‘Abdullah bin Sa’d bin Ebi Serh

Kur e zunë Abdullah bin Khatelin, ai e kishte kapur mbulesën e Qabes. Hazret Sa’id bin Hurejsi dhe Hazret Amar bin Jaseri iu vërsulën atij dhe Hazret Sa’idi e vrau. Mukisin e gjetën njerëzit në rrugë dhe e vranë. Ikremeja ishte arratisur drejt detit. Anijen e zuri furtuna. Udhëtarët thanë – Jini të ndershëm, sepse zotat tuaj nuk do të na shpëtojnë dot sot. Atëherë Ikremeja tha:

Për Zotin! Nëse më shpëton diçka në këtë det, ajo është ndershmëria dhe vërtetësia. Po kështu, edhe në tokë vetëm ndershmëria dhe vërtetësia do të më shpëtojnë. O Allah! Të betohem fort, nëse më shpëton nga kjo furtunë, do të shkoj te Muhammedi (s.a.v.s.), do të vë dorën time mbi dorën e tij dhe do ta gjej atë falës dhe bujar!

Më pas Ikremeja u kthye dhe e pranoi Islamin.

Abdullah bin Ebi Serh dhe Hazret Uthman bin Afani r.a.

Në lidhje me këtë ngjarje, rrëfimi më i famshëm është ai që tregon se Ikremejan e gjeti gruaja e tij përpara se ai të hipte në anije dhe e bindi të kthehej. Edhe këtë rrëfim do t’ju tregoj pak më poshtë. Sidoqoftë, rrëfimi që po diskutojmë është i Sunenit të Nisait, dhe ai vijon:

Për sa i përket ‘Abdullah bin Ebi Serhut, ai ishte fshehur tek Hazret Uthman bin Afani r.a.. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ftoi njerëzit të bënin bejatin në dorën e tij, Hazret Uthmani e solli atë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe tha:

– O i Dërguari i Allahut, pranoje edhe bejatin e Abdullahut!

Profeti s.a.v.s. ngriti kokën e pa tri herë atë dhe të tria herë e refuzoi. Më në fund e pranoi bejatin e tij. Më pas tha:

– A nuk kishit ndonjë burrë të mençur që ta vriste këtë, të cilit i refuzova bejatin?!

– Si mund ta dinim çfarë kishe në zemrën tënde, o i Dërguari i Allahut? E pyetën sahabët. – Pse nuk na bëre shenjë me sy që ta vrisnim atë?

– Profetit nuk i lejohet bëjë mashtrime me sy, iu përgjigj Profeti s.a.v.s..

Ky rrëfim vjen edhe në Sunen Ebu Davud. Mirëpo në Sunen Ebu Davud ka edhe një rrëfim tjetër, i cili nuk e ka këtë pjesë të fundit që flet për vrasjen e Abdullah bin Ebi Serhut. Rrëfimi në fjalë thotë:

Hazret Ibni Abasi tregon që Abdullah bin Sa’d bin Ebi Serh ishte shkrues i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Atë e devijoi shejtani dhe ai iu bashkua mohuesve. Ditën e Çlirimit të Mekës, i Dërguari i Allahut s.av.s. kishte lëshuar vendimin për vrasjen e tij. Hazret Uthman bin Afani kërkoi që ai të falej. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e fali.

Ka edhe një sqarim tjetër në lidhje me episodin që flet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. donte ta vriste atë, por nuk e vrau etj.. Duhet të dimë që fjalia që i referohet Profetit në rrëfmin e sipërm se Profeti u paska thënë sahabëve se derisa kishte vonuar pranimin e bejatin e tij, ata pse nuk e kishin vrarë atë, është një fjali jo shumë e besueshme. Sepse nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk donte t’ia pranonte bejatin dhe donte ta mbante në fuqi vendimin për vrasjen e tij, këtë lehtësisht mund t’ua thoshte sahabëve. Ai ishte fituesi, kryetari i shtetit dhe edhe vendimi për vrasjen e tij ishte i bazuar në drejtësi. Andaj, mundet që kjo pjesë e kësaj ngjarjeje është thjesht mendim i ndonjë prej rrëfimtarëve, i cili më vonë iu atribuua Profetit s.a.v.s.. Përveç kësaj, ky rrëfim nuk gjendet as në Buhari, as në Muslim. Kurse në Ebu Davud ku gjendet ky rrëfim, ka edhe një rrfëim tjetër nga Hazret Ibni Abasi, i cili nuk e përmend fare episodin në fjalë që ka të bëjë me vrasjen e tij.

Hazret Kalifi i Dytë, Biri i Premtuar, duke komentuar ajetin nr. 15 të sures El-Mu’minun, e përmend këtë ngjarje me këto fjalë:

Ky ajet lidhet me një ngjarje historike, të cilën është e udhës ta përmend këtu. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka pasur një shkrues të Kuranit që quhej Abdullah bin Ebi Serh. Kur Profetit s.a.v.s. i vinte ndonjë shpallje, e thirrte dhe e porosiste që ai ta shkruante atë. Një ditë Profeti s.a.v.s. po ia diktonte pikërisht këto ajete (ajetet e sures El-Muminun). Kur ai i diktoi ajetin:

ثُمَّ اَنۡشَاۡنٰہُ خَلۡقًا اٰخَرَ

“Më pas atë e bëmë një krijesë tjetër.”[1]

Abdullah bin Ebi Serhu papritmas tha:

فَتَبٰرَکَ اللّٰہُ اَحۡسَنُ الۡخٰلِقِیۡنَ

“Pra, vetëm Allahu zotëron bekimin, Krijuesi më i përsosur.”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha – Kështu është shpallja, shkruaje edhe këtë.

Ai fatligu nuk mendoi që kjo pjesë është përfundimi i natyrshëm i ajeteve që janë në kontekst, por mendoi që ishin fjalë goje të atij, të cilat i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i quajti shpallje. Dhe më pas ai mendoi që i Dërguari i Allahut s.a.v.s., me’adhAllah, kështu po e sajonte gjithë Kuranin e Shenjtë. Përfundimisht ai u bë apostat (renegat), pra e la Islamin dhe iku në Mekë.

Ditën e Çlirimit të Mekës, ndër ata për të cilët i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte lëshuar vendimin që do të vriteshin, ishte edhe Abdullah bin Ebi Serh. Por Hazret Uthman r.a. e kishte strehuar atë dhe ai aty ishte fshehur për tri ditë. Një ditë kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po ua merrte bejatin njerëzve, Hazret Uthmani e solli edhe Abdullah bin Ebi Serhun pranë tij dhe i bëri kërkesë që t’ia pranonte bejatin edhe atij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në fillim u tregua i rezervuar, por më pas ia pranoi bejatin. Kështu, Abdullah bin Ebi Serh u bë musliman edhe një herë.

Pranimi i Islamit nga Ikremeja

Ngjarja se si u bë musliman Ikremeja që përmendet në librat e historisë është pak më ndryshe nga ajo që ju tregova më sipër. Ikremeja djali i Ebi Xhehlit ishte ndër ata për të cilët i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte lëshuar vendimin që të dënoheshin me vdekje.

Ikremeja dhe babai i tij Ebu Xhehli e persekutonin shumë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe muslimanët e tjerë. Kur Ikremeja mori vesh që Profeti Muhammed s.a.v.s. ka vendosur që ai të vritej, u arratis drejt Jemenit. Gruaja e tij që tanimë ishte bërë muslimane, e ndoqi dhe e gjeti te porti detar, ndërsa ai mendonte të hipte në anije, dhe, sipas një rrëfimi tjetër, ai kishte hipur në anije. Ajo i tha Ikremejas:

O djalë i xhaxhait tim! Të kam ardhur prej atij njeriu që është bashkuesi më i madh ndër gjithë njerëzit, më i miri dhe më dashamirësi ndër të gjithë. Mos e shkatërro vetveten, sepse të kam sjellë garancinë e paqes.

Atëherë ai u kthye bashkë me gruan e tij dhe e pranoi Islamin dhe Islami i tij rezultoi shumë i bukur.

Në një rrëfim thuhet se kur Ikremeja erdhi te Profeti Muhammed s.a.v.s., tha:

O i Dërguari i Allahut! Gruaja ime më tha se më keni garantuar faljen?!

Po, iu përgjigj i Dërguari i Allahut, kjo është e vërtetë.

Ikremeja tha: Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Ai është i Vetmi, i Pashoq, dhe ti je robi dhe i Dërguari i Tij.

Ikremeja kishte ulur kokën i turpëruar. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

O Ikreme! Më kërko çfarë të duash, nëse kam mundësi, do ta plotësoj patjetër.

Ikremeja tha:

Lutu që Zoti të më falë çdo armiqësi që kam shfaqur ndaj teje dhe çdo fjalë të rëndë që të kam thënë!

Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u lut:

“O Allah, fali të gjithë armiqësitë që ai më ka bërë mua, dhe fali lëndimet që ai më ka bërë mua.”

Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u gëzua shumë dhe e mbuloi atë me çarçafin e vet dhe tha:

Mirëseardhje atij që vjen në gjendje besimi e mërgimi!

Ikremeja më vonë do të llogaritej një ndër sahabët më të famshëm në historinë e Islamit. Ardhja e Ikremejas në Islam plotësoi profecinë që Profeti Muhammed s.a.v.s. ua kishte treguar sahabëve. Në ëndërr ai kishte parë veten në xhenet, ku pa një bistak rrushi, të cilin e plqeu shumë. Për kë është ky rrush? Pyeti Profeti s.a.v.s. “Për Ebu Xhehlin” iu përgjigjën. Kjo nuk i pëlqeu Profetit dhe tha: Në xhenet nuk hyn përveç shpirtit besimtar, e si mund të vijë Ebu Xhehli këtu?!

Më vonë kur Ikremeja e pranoi Islamin, Profeti s.a.v.s. u gëzua dhe pohoi se ishte ky interpretimi i ëndrrës. Pra me Ebu Xhehlin nënkuptohej djali i tij, Ikremeja.

Beteja e Tebukut dhe bamirësia e jashtëzakonshme e Hazret Uthman bin Afanit r.a.

Beteja e Tebukut që u zhvillua në muajin rexhep të vitit 9 h., dhe ajo gjithashtu njihet si Xhejshul-Usra, dmth. Ushtria e skamjes. Në përgatitjen e kësaj ushtrie Hazret Uthmani r.a. pati mundësi të bënte sakrifica të mëdha financiare dhe ajo përmendet në historinë e Islamit.

Për përgatitjen e betejës së Tebukut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri thirrje për sakrifica financiare. Në atë kohë Hazret Uthmani r.a. kishte dhuruar gjithë karvanin e tij tregtar prej 100 devesh me të gjitha samaret dhe pajimet e tyre. Duke parë nevojat e betejës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri thirrje për her të dytë. Hazret Uthmani përgatiti 100 deve të tjera me samaret dhe pajimet e tyre dhe ia dhuroi kauzës së Islamit. Profeti s.a.v.s. bëri thirrje për herë të tretë. Hazret Uthmani r.a. dhuroi 100 deve të tjera për herë të tretë, sërish me të gjitha samaret dhe pajimet e tyre. Profeti s.a.v.s. zbriti nga minberi dhe tha:

ما علی عثمان ما عمل بعد ھذہ۔  ما علی عثمان معامل بعد ھذہ۔

“Nga sot e tutje çfarëdo që të bëjë Uthmani, nuk do të ketë asnjë pasojë! Nga sot e tutje çfarëdo që të bëjë Uthmani, nuk do të ketë asnjë pasojë!”

Përveç kësaj, Uthmani r.a. i dhuroi Profetit s.a.v.s. edhe 200 eukije ari.

Në një rrëfim tjetër thuhet se Hazret Uthmani erdhi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i dhuroi 1000 dinarë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke i prekur me dorë dinarët dy herë tha:

ما ضرَّ عثمان ما عمل بعد اليوم

 “Nga sot e tutje çfarëdo që të bëjë Uthmani, nuk do të ketë asnjë pasojë!”

Sipas një rrëfmi tjetër, atë ditë Hazret Uthmani dhuroi dhjetë mijë dinarë, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u lut për të:

غفر اللہ لک یا عثمان ما اسررت وما اعلنت وما ھو کائن الی یوم القیامة ما یبالی ما عمل بعدھا۔

Allahu të faltë, o Uthman, për çdo gjë që ke bërë fshehtas apo haptas dhe për çdo gjë që bëhet deri në ditën e kiametit! Pas kësaj, Uthamani nuk duhet të shqetësohet për asgjë.

Sipas një rrëfimi tjetër, për përgatitjet e betejës së Tebukut, Hazret Uthmani dhuroi 1000 deve dhe 70 kuaj. Një rrëfim tjetër thotë se me këtë rast i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Allahu të faltë çdo gjë, o Uthman, që ke bërë daç fshehtas, daç haptas dhe për gjithçka që do të ndodhë deri në ditën e kiametit! Pas kësaj vepre të tij, Allahu i Madhërishëm nuk do të zemërohet për asgjë që do të bëjë Uthmani.

Sipas një rrëfimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri këtë dua për Hazret Uthmanin:

اللھم ارض عن عثمان فانی عنہ راض۔

O Allah! Ji i kënaqur me Uthmanin, sepse edhe unë jam i kënaqur me të!

“Uthmani e bleu xhenetin!”, tha i Dërguari i Allahut s.a.v.s.

Duke treguar këtë ngjarje, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

“Disa herë sahabët shitën gjërat e shtëpisë për të plotësuar shpenzimet e luftës. Madje, nganjëherë ata shitën prona me qëllim që ato para të shpenzonin për dobi të tjerëve dhe t’ua plotësonin nevojat. Kështu, njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli përjashta dhe tha:

Ushtria jonë po niset për një ekspeditë, por besimtarët nuk kanë asgjë për të përballuar rrugën. A ka mes jush ndonjë që dëshiron të fitojë shpërblim.

Hazret Uthman r.a. sapo e dëgjoi thirrjen e Profetit s.a.v.s., u çua dhe solli arkën e tij dhe gjitha paratë që kishte ia dha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që ai t’ua plotësonte nevojat muslimanëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur e pa këtë, tha:

– Uthmani e ka blerë xhenetin!

Po kështu, njëherë po shitej një pus. Ato ditë muslimanët kishin vështirësi të madhe për ujin. Duke parë se po shitej pusi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri thirrje:

– A ka ndonjë që dëshiron të fitojë sevap?

– Ja ku jam o i Dërguari i Allahut, iu përgjigj Hazret Uthmani r.a.

Ai e bleu pusin dhe ua dhuroi muslimanëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. prapë e tha:

– Uthmani e ka blerë xhenetin!

Ngjashëm me këtë, edhe një herë tjetër i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha të njëjtat fjalë për Hazret Uthmanin r.a.. Pra, tri herë ndodhën situata të tilla dhe të tria herë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha për Uthmanin se ai e bleu xhenetin.”

“Kjo dora ime është dora e Uthmanit”, tha Profeti s.a.v.s.

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. pohon:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. disa herë tha për Hazret Uthmanin r.a. se ai e bleu xhenetin. Një herë tjetër, ditën kur ndodhi Marrëveshja e Hudejbijes, kur Profeti s.a.v.s. u mori besëlidhje muslimanëve dhe Hazret Uthmani r.a. nuk qe i pranishëm atje, Profeti s.a.v.s. vendosi njërën dorë të vet mbi dorën tjetër, duke thënë se kjo dora ime tjetër është dora e Uthmanit. Kështu që, Profeti s.a.v.s. e quajti dorën e vet si dorë të Hazret Uthmanit r.a..

Profecia e Profetit s.a.v.s. për Kalifatin e Uthman bin Afanit r.a.

Një herë tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“O Uthman! Allahu i madhërishëm ty do të të veshë një këmishë, të cilën hipokritët do të tentojnë ta heqin, por ti mos e heq atë!”

Pra, vetë Profeti Muhammed s.a.v.s. i thotë Hazret Uthmanit r.a. që ai të mos e lëshonte këtë këmishë dhe ata që do t’ia kërkonin Uthmanit heqjen e kësaj këmishe, do të ishin hipokritë. Kjo tregon se ata që luftuan kundër Hazret Uthmanit r.a. ishin hipokritë, sepse kështu qe vetë profecia e Profetit Muhammed s.a.v.s..

Hazret Kalifi i Tretë i Mesihut të Premtuar r.a. duke treguar sakrificat e Hazret Uthmanit r.a., tha:

Ishte kohë lufte. Muslimanët ishin në nevojë. Profeti Muhammed s.a.v.s. u tregoi nevojën sahabëve duke u bërë thirrje për sakrifica. Duke iu përgjigjur thirrjes profetike, Hazret Ebu Bekri r.a. solli gjithë pasurinë e tij. Hazret Omeri r.a. solli gjysmën e pasurisë së tij. Kurse Hazret Uthmani r.a. i tha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

– O i Dërguari i Allahut, të lutem prano prej meje që unë të përballoj shpenzimet e dhjetë mijë sahabëve.

Përveç kësaj, ai dhuroi 1000 deve e 70 kuaj.

Kontributi i Hazret Uthmanit r.a. gjatë Kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a.

Do t’ju tregoj se cili ishte roli i Hazret Uthmanit r.a. gjatë periudhës së Kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a., dhe cila ishte pozita e tij pranë Kalifit të kohës, Hazret Ebu Bekrit r.a.. Gjatë periudhës së Kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a., Hazret Uthmani ishte ndër ata sahabë që ishin anëtarë të Shurës (anëtarët e Këshillit), me të cilët Hazret Ebu Bekri r.a. këshillohej për çështjet më të rëndësishme.

Kur Hazret Ebu Bekri r.a. luftoi trazirën e apostatëve, menjëherë pas asaj vendosi të dërgonte ushtrinë për të luftuar kundër bizantinëve dhe përrreth. Ai u kërkoi sahabëve që ta këshillonin për çështjen në fjalë. Disa sahabë e këshilluan sipas mendimit të tyre. Hazret Ebu Bekri r.a. sërish u kërkoi mendimin. Atëherë Hazret Uthmani r.a. pohoi:

– Ju jeni dashamirës të besimtarëve. Mendimin që ju do ta quani të dobishëm për mbarë popullin, vendosni duke u treguar i qëndrueshëm, sepse ne nuk mund t’ju paragjykojmë ju.

Hazret Talha, Hazret Zubejri, Hazret Sa’di, Hazret Ebu Ubejda, Hazret Sa’d bin Zejdi dhe ensarë dhe muhaxhirë të tjerë të pranishëm thanë:

– Uthmani ka të drejtë. Vendosni atë që mendoni më mbarë. Ne do t’ju bindemi dhe as nuk do t’ju paragjykojmë.

Më pas Hazret Aliu mbajti fjalën. Pastaj, Hazret Ebu bekri u ngrit dhe mori fjalën. Lavdëroi Allahun siç i takon Atij, i dërgoi selavate të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe tha:

– O njerëz! Allauh i Madhërishëm ju ka bekuar përmes Islamit dhe ju ka nderuar përmes xhihadit dhe përmes kësaj feje, ju dha epërsi mbi të gjitha fetë e tjera. Prandaj, o robërit e Allahut! Përgatitni ushtrinë për të luftuar kundër Bizantëve në Sham.

Hazret Ebu Bekri r.a. u këshillua me sahabët edhe për të dërguar Hazret Avan bin Sa’idin si Guvernator të Bahrainit. Atëherë Hazret Uthman bin Afani tha:

– Dërgojeni atë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte caktuar si Guvernator për popullin e Bahrainit dhe i cili ishte bërë shkak që ata u bindën dhe e pranuan Islamin, sepse ai njeh shumë mirë edhe vendin, edhe popullin. Dhe ai është ‘Ala bin Hazremiu.

Atëherë Hazret Ebu Bekri r.a. vendosi të dëronte pikërisht ‘Ala bin Hazremiun në Bahrain.

“Allahu ka bërë dasmën e Uthmanit në xhenet”

Hazret Ibni Abasi r.a. tregon se gjatë kohës së Kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a., një herë nuk pati shira për një kohë të gjatë. Njerëzit shkuan te Hazret Ebu Bekri dhe thanë:

– Qielli nuk po lëshon shi dhe toka nuk po nxjerr të korra? Njerëzit po hasin vështirësi të madhe!

Hazret Ebu Bekri r.a. tha:

– Shkoni dhe bëni durim! Allahu i Madhërishëm do t’jua zgjidh hallin sot deri në mbrëmje.

Ndërkohë një karvan tregtar i Hazret Uthmanit r.a. që përbhej nga 100 deve, të ngarkuara me drithëra erdhi nga Shami në Medinë. Me të dëgjuar lajmin e mbërritjes së karvanit, njerëzit shkuan te shtëpia e Hazret Uthmanit dhe i trokitën në derë. Hazret Uthmani doli dhe pyeti se çfarë kërkonin. Njerëzit i thanë:

Ju e dini se po kalojmë thatësirën, qielli nuk po lëshon shi e toka nuk prodhon asgjë; njerëzit kanë vështirësi të madhe. Mësuam që juve ju paskan ardhur drithërat. Na i shitini neve dirithërat, në mënyrë që ne t’ua shpërndajmë të varfërve dhe nevojëtarëve.

Mirë, hyni brenda, dhe blini drithërat, iu përgjigj Hazret Uthmani atyre.

Këta muslimanë ishin edhe tregtarë. Hynë brenda dhe panë drithërat që kishin ardhur. Hazret Uthmani r.a. i pyeti:

– Nga çmimi që kam blerë drithërat në Sham, ju sa më shumë do të më jepni për t’i blerë këto?

– Nëse çmimi i blerjes është 10 dirhamë, ne do t’ju japim 12 dirhamë. Iu përgjigjën tregtarët.

– Por unë kam dikë që më jep një çmimi më të mirë se kaq, u tha Hazret Uthmani r.a.. Atëherë ata thanë – Mund t’ju japim 15 për 10 dirhamë. Hazret Uthmani tha – Por unë marr më shumë se kaq diku tjetër.

Atëherë tregtarët thanë: – O Ebu ‘Amri (nofka e Hazret Uthmanit)! Nuk ka ndonjë tregtar tjetër në Medinë përveç nesh. Kush qenka ky që ju jepka fitim kaq të madh?

Hazret Uthmani iu përgjigj:

– Allahu i Madhërishëm për 1 dirham më jep 10 dirhamë. Ai më shpërblen dhjetëfish. Po ju, a mund të më jepni më shumë se kaq?!

– Jo, i thanë ata.

Atëherë Hazret Uthmani tha:

– Duke sjellë dëshmitar Allahun e Madhërishëm, po i bëj sadaka gjithë drithërat midis nevojëtarëve.

Pra, Hazret Uthmani r.a. deklaroi se nuk do t’u merrte asnjë çmim për këtë.

Hazret Ibni Abasi thotë:

Natën kur ndodhi kjo ngjarje, pra kur këto drithëra u shpërndanë në mesin e nevojëtarëve, pashë në ëndërr të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Ai ishte hipur në një kalë jo arab dhe që ishte i madh dhe i shëndoshë. Veshjet e tij kishin dritë. Këpucët e tij kishin dritë dhe në dorë ai kishte një shkop drite. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. po nxitohej. I thashë:

– O i Dërguari i Allahut! Kam shumë dëshirë të të takoj dhe të flas me ty! Ku po shkon me kaq nxitim?

O Ibni Abas, m’u përgjigj i Dërguari i Allahut s.a.v.s., Uthmani ka bërë një sadaka dhe Zoti ia ka pranuar atij. Allahu ka bërë dasmën e Uthmanit në xhenet dha na ftoi edhe ne që të marrim pjesë.

Roli i Hazret Uthmanit r.a. gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a.

Do t’ju tregoj disa ngjarje që tregojnë se çfarë pozite ka pasur Hazret Uthmani r.a. gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a.. Kur Hazret Omeri r.a. u zgjodh Kalif, ai u kërkoi këshillë sahabëve kryesorë për rrogën e tij se sa duhet të vinte nga Bejtul-Mali (Arka). Hazret Uthmani i tha:

– Hani edhe vetë, dhe ushqeni edhe të tjerët.

Pra, sipas tij nuk kishte nevojë të përcaktonte një rrogë të caktuar, por të ushqehej dhe të ushqente edhe të tjerët. Kur muslimanët arritën fitore pas fitoreje dhe paraja filloi t’u vinte me bollëk, Hazret Omeri r.a. mblodhi sahabët për t’u këshilluar se si duheshin menaxhuar këto para. Atëherë Hazret Uthmani tha:

Po shoh që paratë u shtuan dhe janë të mjaftueshme për popullin. Nëse nuk do të mbledhim të dhënat e banorëve, që të dimë se kush e ka marrë pjesën e tij dhe kush nuk e ka marrë, kam frikë se do të hasim vështirësi. Mundet që disa njerëz të marrin ndihmën e tyre sociale dy herë. Andaj, duhet të krijojmë sistem dhe duhen mbajtur shënime.

Hazret Omeri r.a. vendosi sipas këshillës së Hazret Uthmanit dhe bëri regjistrimin e popullsisë. Më pas, çdokush merrte ndihmë sociale në bazë të rregullores.

Profeci të ndryshme për Kalifatin e Hazret Uthmanit r.a.

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte bërë një profeci në lidhje me Kalifatin e Hazret Uthmanit r.a.. Shkurtimisht ju tregova se Profeti s.a.v.s. i kishte thënë për këmishën dhe për hipokritët që do të tentonin t’ia heqnin. Rrëfimi vjen nga Hazret Ebu Bekri r.a., që:

Një ditë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: – A ka parë ndonjë ëndërr ndokush prej jush? Një njeri iu përgjigj:

Pashë një peshore që zbriti prej qiellit dhe në të u peshuan i Dërguari i Allahut dhe Ebu Bekri. Ti u peshove më i rëndë se Ebu Bekri. Më pas u peshuan Ebu Bekri dhe Omeri dhe Ebu Bekri doli më i rëndë. Më pas u peshuan Omeri dhe Uthmani dhe Omeri doli më i rëndë. Më pas peshorja u ngrit.

Pasi ia tregoi ëndrrën ai që e pa atë, ne vumë re pakënaqësi në fytyrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Një tjetër rrëfimtar thotë se Hazret Xhabir bin Abdullah tregon:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Mbrëmë një njeri i dëlirë pa në ëndërr që Allahu e bashkoi Ebu Bekrin me të Dërguarin e Allahut, Omerin me Ebu Bekrin dhe Uthmanin me Omerin.

Hazret Xhabiri vijon:

Kur ne u larguam nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., biseduam me njëri-tjetrin se njeri i dëlirë me siguri nënkupton vetë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe bashkimi i njërit me tjetrin do të thotë këta do të jenë kujdestarë të fesë, të cilën Allahu i Madhërishëm e vendosi përmes të Dërguarit të Tij s.a.v.s..

Hazret Sumre bin Xhundubi rrëfen:

Një njeri tha – O i Dërguari i Allahut! Pashë në ëndërr një kovë që po varej nga qielli. Së pari erdhi Ebu Bekri, i cili kapi të dyja dorezat e kovës dhe piu pak nga ajo. Më pas erdhi Omeri dhe edhe ai kapi të dyja dorezat e saj dhe piu nga ajo derisa u ngi. Më pas erdhi Uthmani dhe edhe ai kapi të dyja dorezat e saj dhe piu gjersa u ngi. Më pas erdhi Aliu, i cili kur i kapi të dyja dorezat e kovës, ajo u derdh, duke hedhur disa pika mbi Aliun.

Pra, kjo ëndërr ishte një shenjë që tregonte renditjen e Kalifëve që do të vinin njëri pas tjetrit dhe gjithashtu tregonte periudhën e vështirë të Hazret Aliut r.a. se sa pak ai do të mund të pinte nga kupa e Kalifatit.

Zgjedhja e Uthman bin Afanit r.a. si Kalif i Tretë i Profetit a.s.

Pas vdekjes së Hazret Omerit r.a., ishte ngritur një këshillë për zgjedhjen e Kalifit të Tretë. Në lidhje me këtë, Hazret Misver bin Mekhrema tregon:

Hazret Omer bin Hatabi r.a. akoma mbahej pas sulmit që i ishte bërë, njerëzit i kërkonin vazhdimisht që të caktonte dikë Kalif. Por ai refuzonte. Një ditë doli në minber, tha disa fjalë, e më pas tha: Nëse vdes unë, çështjen tuaj po u lë këtyre gjashtë vetave, prej të cilëve i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nda në gjendje, kur ai ishte i kënaqur me të gjitha ata. Ataj janë:

  1. Ali bin Ebi Talibi
  2. Zubejr bin ‘Avami
  3. Abdurrahman bin Aufi
  4. Uthman bin Afani
  5. Talha bin Ubejdullah dhe
  6. Sa’ad bin Maliku

Më pas, duke iu drejtuar këtyre, ai tha: Kujdes! Ju urdhëroj të vendosni me drejtësi dhe duke patur druajtje ndaj Allahut.

Ebu Xhaferi tregon se Hazret Omer bin Hatabi u tha anëtarëve të këshillit në lidhje me zgjedhjen e Kalifit: Këshillohuni me njëri-tjetrin. Nëse bëheni dy palë me vota të barabarta, këshillohuni prapë. Nëse ka vota katër me dy, zgjidhni atë që ka më shumë vota.

Zejd bin Eslemi rrëfen përmes babait të tij se Hazret Omeri tha:

Nëse votat do të jenë tre me tre, zgjidhni atë me të cilin qëndron Abdurrahman bin Aufi dhe atij binduni.

Abdurrahman bin Sa’id tregon:

Kur Hazret Omeri r.a. u plagos, ai tha:

O Suhejb! Namazin ti do të drejtosh për njerëzit për tri ditë. Këshillohuni për çështjen tuaj (pra, për çështjen e Kalifatit) dhe këtë po ua dorëzoj këtyre gjashtë vetave. Më pas kushdo që do t’ju kundërshtojë, vriteni.

Hazret Enes bin Maliku tregon:

Hazret Omeri i dërgoi mesazh Hazret Ebu Talhasë pak para se të ndërronte jetë dhe tha:

O Ebu Talha! Merr pesëdhjetë veta nga ensarët, nga populli yt, dhe shko te anëtarët e këshillit dhe mos iu nda për tri ditë, derisa ata të zgjedhin udhëheqës njërin prej tyre. O Allah bëhu Ti Pasardhës i tyre pas meje!

Is’hak bin Abdullah tregon:

Hazret Ebu Talha së bashku me shokët e tij mbërriti gjatë kohës kur po përgatitej varri i Hazret Omerit dhe më pas qëndroi me anëtarët e këshillit. Më pas, kur anëtarët e këshillit i dorëzuan çështjen e tyre Abdurrahman bin Aufit duke thënë se ai të zgjedhë udhëheqës cilindo ta pëlqejë, atëherë Hazret Ebu Talha qëndroi rojë te shtëpia e Hazret Abdurrahman bin Aufit, derisa Hazret Abdurrahman bin Aufi bëri bejatin në dorën e Hazret Uthmanit.

Hazret Selma bin Ebu Selma rrëfen përmes babait të tij:

Hazret Abdurrahman bin Aufi ishte i pari që bëri bejatin e Hazret Uthmanit. Më pas, Hazret Aliu bëri bëjatin e Hazret Uthmanit.

Omer bin Umejra, skllavi i liruar i Hazret Omerit, tregon përmes gjyshit të tij:

Kam parë që së pari Hazret Aliu bëri bejatin e Hazret Uthmanit. Më pas gjithë të tjerët e bën bejatin e tij.

Sahihu i Imam Buharit sjell ngjarjet e sëmundjes së fundit të Hazret Omerit dhe këshillat e tij për anëtarët e Këshillit dhe për Kalifin e ardhshëm. Aty shkruhet:

Kur iu afrua koha e vdekjes Hazret Omerit, njerëzit i thanë:

O Emiri i besimtarëve! Bëni testamentin. Caktoni Kalif dikë.

Unë nuk gjej dikë të denjë për të qenë Kalif, përveç atyre njerëzve të pakët, para të cilëve ndërroi jetë Profeti Muhammed s.a.v.s., ndërkohë që ai ishte i kënaqur me ta. Më pas, Hazret Omeri caktoi disa sahabë që janë:

  1. Hazret Aliu,
  2. Hazret Uthmani,
  3. Hazret Zubejri,
  4. Hazret Talha,
  5. Hazret Sa’di dhe
  6. Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi.

Dhe gjithashtu tha:

“Edhe ‘Abdullah bin Omeri do të jetë me ju, por ai nuk do të ketë të drejtën e Kalifatit.”

Ju kam treguar edhe më parë këtë rrëfim, sidoqoftë këtu do t’ju tregoj përmbledhtas.

“Kur përfundoi varrimi, mblodhën ata të cilët i kishte caktuar Hazret Omeri.  Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi tha: Çështjen tuaj dorëzouani tre njerëzve midis jush.

Hazret Zubejri tha: Unë po ia dorëzoj të drejtën time ‘Aliut.

Hazret Talha tha: Unë po ia dërzoj të drejtën time Uthmanit.

Hazret Sa’di tha: Unë po ia dërzoj të drejtën time Abdurrahman bin Aufit.

Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi u tha Hazret Aliut dhe Hazret Osmanit: Nga ju të dy, ai që tërhiqet, ne ia dorëzojmë të drejtën tonë dhe Allahu dhe Islami do të jenë mbikëqyrës i tij. Ai do të caktojë vetëm atë për të cilin mendon se është më i miri, pra tek Allahu i Madhërishëm.

Kërkesa e ‘Abdurrahman bin ‘Aufit i bëri pafjalë të dy sahabët. Pra, ata nuk dhanë asnjë përgjigje. Më pas Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi u tha: A ma dorëzoni mua ju këtë çështje, ndërkohë që Allahu është Mbikëqyrësi im, dhe unë të zgjedh më të mirin prej ju të dyve, duke mos lënë asnjë mangësi në këtë zgjedhje?

Pra, ai u tha që atë ta bënin drejtues të këshillit. Së pari, atyre u kërkoi që njëri prej tyre të bëhej drejtues, mirëpo ata e refuzuan. Më pas ai jo vetëm që u tërhoq nga e drejta për t’u zgjidhur, por mori drejtimin e këshillit, duke i premtuar se do të bënte zgjedhjen me drejtësi dhe nën mbikqyrjen e Allahut.

“Po” i thanë ata të dy.

Më pas ‘Abdurrahman bin ‘Aufi mori përdore njërin prej të dyve dhe u manjanua me të për të biseduar vetëm për vetëm dhe i tha:

Ke lidhje farefisnore me Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe ke një pozitë edhe në Islam, gjë që e di edhe ti. Allahu është Mbikëqyrësi yt. Më jep përgjigje nëse unë të caktoj ty si Prijës, a do të bësh drejtësi me çdo kusht? Dhe nëse e bëj Osmanin Prijës, a do t’i bindesh atij dhe a do të zbatosh urdhrat e tij?

Pra kjo tregon se ai e pyeti së pari Hazret Aliun.

Pastaj, Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi mori tjetrin (pra, tani Hazret Uthmanin r.a.) dhe e pyeti të njëjtën gjë në të njëjtën mënyrë.

Pasi mori betim të fortë prej të dyve, i tha Osmanit: Zgjatmë dorën! Dhe bëri bejatin (besëlidhjen) në dorën e tij. Atëherë edhe Hazret Aliu bëri bejtin e tij. Anëtarët e shtëpisë erdhën dhe edhe ata bënë bejatin e tij.[2]

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke përshkruar vdekjen e Hazret Omerit r.a. dhe zgjidhjen si Kalif të Hazret Uthmanit r.a., thotë:

Kur u plagos Hazret Omeri dhe ai ndjeu që i erdhi koha e fundit, caktoi gjashtë njerëz që ata të zgjedhin Kalif njërin prej tyre. Këta gjashtë persona ishin:

  1. Hazret Osmani,
  2. Hazret Aliu,
  3. Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi,
  4. Hazret Sa’d bin Vakasi,
  5. Hazret Zubejri dhe
  6. Hazret Talha.

Gjithashtu, ai përfshiu në këshill edhe Hazret Abdullah bin Omerin (të birin), por e përjashtoi nga e drejta për t’u bërë Kalif. Hazret Omeri gjithashtu i porositi që brenda tri ditësh të marrin vendimin. Suhejbin e caktoi imamin për të drejtuar namazet gjatë kësaj periudhe tri-ditore. Mbikëqyrës të këshillit e caktoi Mikdad bin Esvedin dhe e porositi që ai të detyronte të gjithë të mblidheshin për vendimmarrje dhe vetë të merrte shpatën e të rinte rojë te dera. Dhe tha: Ai që zgjidhet me shumicë, të gjithë të bëjnë bejtin e tij. Nëse ndokush kundërshton, të vritej. Por nëse ndahen në dy palë me tre anëtarë secila, atëherë do të jetë Kalif ai, të cilin e cakton Abdullah bin Omeri prej tyre. Nëse nuk pajtohen me vendimin e tij, të bëhet Kalif ai që mbështetet nga ‘Abdurrahman bin ‘Aufi.

Të pesë sahabët u këshilluan, sepse Talha nuk gjendej në Medinë. Diskutimi u zgjat por pa rezultat. Më në fund, Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufi tha:

— Kush dëshiron të tërhiqet?

Kur nuk foli askush, ai vetë tha: Së pari unë po tërhiqem (nga e drejta për t’u bërë Kalif). Më pas, Hazret Osmani tha të njëjtën gjë. Atë e ndoqën edhe dy të tjerë dhe mbeti vetëm Hazret Aliu. Ai i mori premtim Hazret ‘Abdurrahman bin ‘Aufit që nuk do të lërë mangët asgjë në vendimmarrje. ‘Abdurrahman bin ‘Aufi bëri betimin. Kështu e gjithë çështja iu dorëzua ‘Abdurrahman bin ‘Aufit. Për tri ditë ai shkoi derë më derë në Medinë, pyeti burrat dhe gratë se cilin prej këtyre ata mendonin të denjë për të qenë Kalif. Ata zgjodhën Hazret Osmanin dhe ai u bë Kalif.

Allama ibn Sa’di shkruan: Bejatin e Hazret Uthman bin Afanit e bënë më 29 dhul-hixhe të vitit 23 h., ditën e hënë.

Ibni Sebra tregon se kur Hazret Uthmani u zgjodh si Kalif, Hazret Abdullah bin Mesudi tha:

“Zgjodhëm më të mirin prej atyre që kishin mbetur dhe nuk bëmë asnjë mangësi në zgjedhjen e tij.”

Fjalimi i parë i Hazret Uthmanit pasi u bë Kalif

Ka rrëfime në lidhje me fjalimin e parë që mbajti Hazret Uthmani r.a. pasi u bë Kalif. Ismail bin Ibrahim bin Abdurrahman bin Abdullah bin Ebu Rabia Mekhzumiu rrëfen përmes babait të tij:

Kur njerëzit bënë bejatin e Hazret Uthmanit, ai doli mes tyre dhe mbajti një fjalim, në të cilin, pasi e lavdëroi Allahun e Madhërishëm, tha:

O njerëz! Puna në hapat e parë do të jetë e vështirë (pra, u tha se jam fillestar dhe në fillim do të kem të vështirë ta bëj këtë detyrë). Do të vijnë ditë të tjera pas kësaj dite të sotshmes. Nëse do të mbetem i gjallë, inshaAllah, do të mbaj fjalim siç duhet përpara jush. (Pra, u tha po mbaj një fjalim të shkurtër, por në ditë të tjera do t’ju flas më mirë, dhe vijoi) Unë nuk jam orator, por Allahu i Madhërishëm do të më mësojë.

Bedër bin Uthmani përmes xhaxhait të tij rrëfen:

Kur anëtarët e Këshillit bënë bëjatin e Hazret Uthmanit, ai doli jashtë në gjendje që ishte më i pikëlluar ndër të gjithë. Më pas erdhi te minberi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe iu drejtua njerëzve. Lavdëroi Allahun e Mdhërishëm, i dërgoi selavate të Dërguarit të Allahut dhe tha:

Pa dyshim, ju jetoni në një shtëpi, të cilën do ta braktisni një ditë, pra kjo botë dhe ju jeni në afatet e fundit. Prandaj, bëni vepra të mira sa më shumë përpara se t’ju vijë vdekja. Pa dyshim, vdekja është duke ju rrethuar ju dhe ajo do t’ju sulmojë si armik ditën ose natën.

Kujdes! Bota është e zbukuruar me mashtrime, andaj, jeta juaj e kësaj bote nuk duhet t’ju mashtrojë ju dhe mashtruesi i madh, pra djalli, nuk duhet t’ju mashtrojë në lidhje me Allahun. Merrni mësim nga ata që kanë kaluar. Përpiquni maksimalisht dhe mos u bëni të pavëmendshëm, sepse Allahu i Madhërishëm nuk është i pavëmendshëm ndaj jush. Ku janë ato toka dhe banorët e saj, të cilët e kishin çarë tokën dhe e kishin populluar dhe përfituan prej saj për një kohë të gjatë?! Toka a nuk i nxori përjashta?!

Prandaj, edhe ju hidheni tej e tutje dynjanë aty ku Allahu i Madhëridshëm e ka hedhur dhe kërkoni Ahiretin, sepse Allahu i Madhërishëm shembullin e Ahiretit e dha si shembulli më i mirë dhe tha:

وَ اضۡرِبۡ لَہُمۡ مَّثَلَ الۡحَیٰوۃِ الدُّنۡیَا کَمَآءٍ اَنۡزَلۡنٰہُ مِنَ السَّمَآءِ فَاخۡتَلَطَ بِہٖ نَبَاتُ الۡاَرۡضِ فَاَصۡبَحَ ہَشِیۡمًا تَذۡرُوۡہُ الرِّیٰحُ ؕ وَ کَانَ اللّٰہُ عَلٰی کُلِّ شَیۡءٍ مُّقۡتَدِرًا ﴿۴۶﴾ اَلۡمَالُ وَ الۡبَنُوۡنَ زِیۡنَۃُ الۡحَیٰوۃِ الدُّنۡیَا ۚ وَ الۡبٰقِیٰتُ الصّٰلِحٰتُ خَیۡرٌ عِنۡدَ رَبِّکَ ثَوَابًا وَّ خَیۡرٌ اَمَلًا ﴿۴۷﴾

Këto janë ajetet e sures El-Kehf, ku Allahu thotë:

Jepu  atyre shembullin  e  jetës  së  kësaj bote që është si i ujit  që zbritëm  prej qiellit,  me të cilin  u  përzije bimësia e tokës,  atëherë ai u  bë  byk,  që e merrnin  erërat.  Allahu është i Plotfuqishëm  mbi çdo  gjë. Pasuria dhe fëmijët  janë bukuria e  jetës  së kësaj bote dhe veprat  e mira që  mbeten  janë më të mira  në shpërblim  pranë Zotit  tënd  dhe më  të  mira  në  shpresë.[3]

Pas kësaj, të gjithë njerëzit u nxituan vrullshëm për të bërë bejatin e tij.

Fitoret e muslimanëve gjatë Kalifatit të Uthman bin Afanit r.a.

Do t’ju tregpoj për fitoret që muslimanët arritën gjatë Kalifatit të Hazret Uthmanit. Gjatë Kalifatit të Hazret Uthmanit, Allahu i Madhërishëm u dha fitore në këto zona:

  • Fitorja në Afrikije, Algjeri dhe Maroku i sotëm
  • Fitore në Andaluzi (Spanjë), në vitin 27 h..
  • Fitore në Qipro në vitin 28 h.
  • Fitore në Tibristan në vitin 30 h.
  • Fitore në Suvari, fitore në Armeni dhe fitore në Khurasan në vitin 31 h.
  • Ekspeditë ushtarake drejt Perandorisë Bizantine
  • Fitore në Talikan, Kherjab, Xhevazan dhe Tekharistan
  • Ekspedita në Belkh Kherad në vitin 32 h.
  • Përveç këtyre, përmendet gjithashtu që pikërisht gjatë Kalifatit të Hazret Uthmanit, feja Islame mbërriti edhe në Indi.

Disa të dhëna të këtyre fitoreve janë si vijon:

Fitorja e Afrikijes (Algjeria dhe Maroku)

Në vitin 27 h., Hazret Uthmani dërgoi Hazret Abdullah bin Ebi Serhun me dhjetë mijë ushtarë në drejtim të Afrikijes. Afrikija do të thotë zonat e Algjerisë dhe të Marokut të sotëm. Atje Allahu i Madhërishëm u dha fitore muslimanëve.

Fitorja e Andaluzisë në vitin 27 h.

Për sa i përket Spanjës, Hazret Uthamni r.a. urdhëroi Abdullah bin Nafi bin Husejn Fehriun dhe Abdullah bin Nafi bin Abdi Kejs Fehriun që të marshonin nga Afrikija në Andaluzi. Ata e zbatuan urdhrin dhe Allahu i Madhërishëm u dha fitore muslimanëve në Andaluzi.

Fitorja e Qiprosë

Qipron e fituan në vitin 28 h. Kurse Ebu Mehsheri pohon që Qipron e fituan në vitin 33 h., dhe sipas disave të tjerë, Lufta e Qipros u zhvillua në vitin 27 h.. Tarhikh Tabri dhe Bidaje ven-Nihaje, që të dy e përmendin fitoren e Qipros në ngjarjet e vitit 28 h..

Ndër sahabët që morën pjesë në Luftën e Qiprosë ishin Hazret Ebu Dher Gafariu, Hazret ‘Ubade bin Samiti dhe gruaja e tij Hazret Umi Haram bin Melhani, Hazret Mikdadi, Hazret Ebu Davudi, Hazret Shedad bin Aufi.

Qiproja është një ishull në perëndim të Shamit, i pasur me pemë e miniera. Gjatë Kalifatit të Hazret Uthmanit r.a., me lejen dhe urdhrin e tij, Emir Muavije drejtoi komandën e ushtrisë muslimane, e cila e rrëzoi Qipron.

Profecia për rënien dëshmore të Umi Haram bin Melhanit u përmbush në Luftën e Qipros

Në këtë luftë kishte marrë pjesë edhe Hazret Umi Haram bin Melhani, së cilës i Dërguari i Allahut i kishte dhënë profeci kohë më parë se ajo do të binte dëshmore në një luftë të tillë. Gjatë kthimit nga lufta, një kafshë u sollë për të. Duke hipur në të ajo u rrëzua, nga e cila iu thye kocka e qafës dhe ajo ra dëshmore.

Përmendja e Hazret Uthmanit do të vijojë inshaAllah.

Thirrje e përsëritur për lutje për ahmedianët e persekutuar në Pakistan

Edhe sot ju bëj thirrje të luteni për ahmedianët e Pakistanit. Allahu ua lehtësoftë situatën! Allahu u mundësoftë edhe ahmedianëve të Pakistanit të bëjnë lutjet siç duhet, të përmirësojnë gjendjen e tyre shpirtërore, të forcojnë lidhjen e tyre me Allahun e Madhërishëm! Allahu ua ktheftë sa më shpejt këto ditë të errëta në dritë dhe na mundësoftë edhe neve t’i shohim ahmedianët e atjeshëm duke praktikuar lirshëm detyrat e tyre!

LEXONI:


[1] Kurani i Shenjtë 23:15.
[2] Sahih Buhari, Kitab Fadail es-habun-Nebi s.a.v.s., bab kis-setul be’ah, nr. Hadithit 3700.
[3] Kurani i Shenjtë 18:46-47.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp