Zubejr ibn Avami r.a., Sahabi i Profetit Pj. 2
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Zubejr ibn Avami r.a., Sahabi i Profetit Pj. 2

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të shehadetit dhe el-Fatihasë Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) recitoi ajetin:

الَّذِينَ اسْتَجَابُوا لِلَّـهِ وَالرَّسُولِ مِن بَعْدِ مَا أَصَابَهُمُ الْقَرْحُ ۚ لِلَّذِينَ أَحْسَنُوا مِنْهُمْ وَاتَّقَوْا أَجْرٌ عَظِيمٌ ۝

Ata që iu përgjigjën me pohim Allahut dhe të dërguarit, pasi që kishin marrë plagë (dhe) prej tyre që janë mirëbërës dhe patën druajtje (ndaj Zotit), kanë shpërblim të madh. (Ali-Imran 3:173)

Në vazhdë të ciklit të jetës së sahabëve të Bedrit, më duhej të vazhdoj historinë e mbetur nga jeta e Hazret Zubejr ibn Avamit r.a.. Për sa i përket ajetit që kam recituar, Hazret Aisheja r.a. i kishte thënë Urvas r.a.: O nipi im! Paraardhësit e tu Zubejri dhe Ebu Bekri ishin ndër ata sahabë që janë përshkruar në këtë ajet. Në luftën e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mbetur i plagosur ndërsa idhujtarët tashmë ishin larguar nga fusha, megjithatë ai parandjeu që armiku mund të hidhet sërish në sulm. Andaj, Profeti s.a.v.s. u dha porosi sahabëve për t’i ndjekur idhujtarët. Brenda pak çasteve, 70 sahabë iu përgjigjën thirrjes së Profetit s.a.v.s.. Sipas transmetimit të Buhariut Ebu Bekri dhe Zubejri gjithashtu iu përgjigjën thirrjes së Profetit s.a.v.s., edhe pse ata ishin të plagosur në luftë.

Në Sahihun e Muslimit, kjo ngjarje është shënuar si vijon: Hishami transmeton nga babai i tij, që Hazret Aisheja r.a. i kishte thënë: “Pasardhësit e tu ishin ndër ata sahabë të cilët iu përgjigjën thirrjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. edhe pse ishin lënduar gjatë luftës.

Hazret Aliu r.a. ka thënë: “Unë me veshët e mi e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që Talhai dhe Zubejri do t’i jenë fqinjët atij në xhenet”. Hazret Sa’id ibn Xhubejri r.a. gjithashtu ka thënë: “Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri, Hazret Osmani, Hazret Aliu, Hazret Telhai, Hazret Zubejri, Hazret Sa’ad, Hazret Abdurrahmani dhe Hazret Sa’id ibn Zejdi ndodheshin në një pozitë kaq të lartë, saqë ata luftonin përpara të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ndërsa gjatë adhurimit i qëndronin mbrapa.

Hazret Abdurrahman ibn Ahnasi r.a. transmeton se njëherë ai ndodhej në xhami, kur erdhi dikush, i cili foli diçka rreth Aliut dhe shprehu fjalë fyese për të. Këto fjalë po i dëgjonte Sa’id ibn Zejdi r.a. i cili u ngrit dhe tha “Pasha Allahun, kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që do të hyjnë në xhenet, të cilët janë:

  1. Hazret Ebu Bekri r.a.
  2. Hazret Omeri r.a.
  3. Hazret Osmani r.a.
  4. Hazret Aliu r.a.
  5. Hazret Telhai r.a.
  6. Hazret Zubejri ibn Avami r.a.
  7. Hazret Sa’ad ibn Ebi Vekasi r.a.
  8. Hazret Abdurrahman ibn ‘Aufi r.a.
  9. Hazret Ebu Ubejdah ibn el-Xherrah r.a.

Nëse keni dëshirë, mund t’ju tregoj dhe emrin e personin e dhjetë”. Të pranishmit u shprehën njëzëri që t’u përmendej edhe emri i dhjetë. Hazret Sa’id ibn Zejdi r.a. nuk tha asgjë dhe mbajti heshtje. Por, sahabët e pranishëm përsëritën kërkesën e tyre. Pas këmbënguljes së tyre, ai u përgjigj ngadalë “Sa’id ibn Zejdi”. Ky hadith është përmendur edhe në hutben e mëparshme lidhur me jetën e Hazret Talhait r.a..

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar a.s. ka përshkruar emrat e shkruesve të Kuranit Famëlartë dhe ka shtuar që sa herë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. merrte shpallje, ai menjëherë porosiste sahabët për ta ruajtur shpalljen në shkrim. Sipas burimeve, numri i personave, të cilët i kanë shërbyer të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. si shkrues të Kuranit Famëlartë, ishte pesëmbëdhjetë dhe ata janë:

  1. Zejd ibn Thabiti
  2. Ubej ibn Ka’abi
  3. Abdullah ibn Sa’ad ibn Ebi Serehu
  4. Zubejr ibn Avami
  5. Halit ibn Sa’id ibn ‘Asi
  6. Haban ibn Sa’id el-‘Asi
  7. Hanzela ibn Rab’i el-Esediu
  8. Mu’ikib ibn Ebi Fatime
  9. Abdullah ibn Erkem Ez-Zuhri
  10. Sherxhil ibn Hasana
  11. Abdullah ibn Revaha
  12. Ebu Bekri
  13. Hazret Omeri
  14. Hazret Osmani
  15. Hazret Aliu

Sa herë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. merrte shpalljen e Kuranit, ai thërriste dikë prej këtyre sahabëve, për të shkruar pjesën e zbritur.

Hazret Enes ibn Maliku r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte lejuar Zubejr ibn Avamin për të veshur këmishën prej mëndafshi, meqë kishte të kruara.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi kufijtë për ndërtimin e shtëpive në Medinë, ai i caktoi Hazret Zubejrit një truall të madh, madje ai i dha atij edhe një kopsht hurmash. Hazret Kalifi i Dytë r.a. ka përshkruar këtë ngjarje të dhurimit të tokës nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me këto fjalë:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha Hazret Zubejrit pronësinë e një trualli kaq të madh nga pronat e shtetit, saqë si kufiri i fundit u caktua vendi, ku u ndal kali i Hazret Zubejrit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte porositur të ngiste kalin e tij derisa të lodhej e ndalej. Kur kali u rraskapit, aq sa nuk ecte më, Hazret Zubejri r.a. hodhi frenat me forcë, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi që ajo do të ishte vija ndarëse e pronës së tij.

Kuajt indianë gjithashtu mund të vrapojnë pa ndalim për milje të tëra, ndërsa kuajt arabë janë më të dalluar për fuqinë e tyre. Nëse zëmë që kali mund të kishte vrapuar 4-5 milje, kjo sipërfaqe duhet të jetë e barabartë me 8100 hektarë tokë.

Imam Jusufi (732-798) në veprën e tij “Kitabul Haraxh” shkruan që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte dhuruar Hazret Zubejrit r.a. një truall toke, ku gjendeshin edhe disa rrënjë hurmash. Dikur, kjo tokë ishte nën pronësinë e fisit hebre Benu Nedir dhe aty ndodhej fshati Xherf. Kjo tokë ndodhej në drejtim të Sirisë dhe 3 milje larg nga Medina.

Kur krahasojmë hadithe të tjera me mendimin e Imam Ebu Jusufit, arrijmë në përfundimin që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte dhuruar Hazret Zubejrit truallin e lartpërmendur me rrënjë hurmash, ndërkohë ai ishte pronari i një fshati. Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte dhuruar atij truallin duke llogaritur me distancën që mund të kapërcente kali i Zubejrit.

Urva ibn Zubejri r.a. transmeton se Mervan ibn Hakami i ka treguar që kur në Medinë u përhap sëmundja e hemorragjisë nga hunda, Hazret Osman ibn Affani r.a. gjithashtu kishte aq shumë hemorragji saqë sahabët e këshilluan për të mos shkuar në haxh. Në këtë gjendje, ai shkroi testamentin e tij. Gjatë kësaj kohe, dikush nga kurejshët e takoi Hazret Osmanin r.a. dhe duke arsyetuar me gjendjen e rëndë shëndetësore, e këshilloi për të caktuar dikë si kalif. Hazret Osmani r.a. e pyeti: “A kanë thënë muslimanët për këtë?” dhe ai iu përgjigj me pohim. Kur Hazret Osmani e pyeti: “Kë duan të zgjedhin kalif?” ai nuk i tha asgjë. Ndërkohë, i erdhi një person tjetër, i cili me gjasë ishte Harithi. Ai gjithashtu i tha Osmanit r.a. për të caktuar dikë si kalif. Kalifi e pyeti atë: “A i kanë thënë njerëzit për këtë?”, dhe ai ia ktheu me pohim. Hazret Osmani e pyeti: “Kë duan të zgjedhin kalifin pas meje?” Por ai nuk u përgjigj dhe mbajti heshtje. Kur Hazret Osmani i tha: Ndoshta ata duan të zgjedhin Zubejrin si kalif, ky person mbështeti mendimin e tij. Hazret Osmani gjithashtu tha: Pasha Zotin që zotëron jetën time! Hazret Zubejri është më i miri ndër ata, sepse atë e ka dashur edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Hazret Zubejr ibn Avami r.a. ka transmetuar që njëherë nisi një mosmarrëveshje midis tij dhe një sahabiu ensar i cili kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, lidhur me kanalin ujitës, pasi ata të dy e përdornin për të ujitur arat e tyre. Gjatë kësaj mosmarrëveshje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte gjithashtu i pranishëm, dhe ai për ta mbyllur këtë çështje vendosi që së pari Zubejri të ujiste arën e tij dhe pastaj ta lejonte ujin për fqinjin e tij. Por ensariut, nuk i erdhi mirë kjo zgjidhje dhe ai i tha: O i Dërguar i Allahut! Ju keni dhënë vendimin për Zubejrin pasi ai është djali i hallës. Kur dëgjoi këto fjalë, Profetit s.a.v.s. iu ndryshua krejtësisht ngjyra e fytyrës dhe ai iu drejtua Zubejrit dhe i tha: O Zubejr! Ujite arën tënde derisa uji të mbushet deri në majën e vijës ndarëse”. Në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha Zubejrit të drejtën e plotë, ndërsa përpara ai kishte dhënë vendimin në të cilin ai i kishte dhënë sahabiut ensar më shumë të drejtë. Por, kur ensariu shprehu pakënaqësi mbi vendimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai i dha Zubejrit r.a. të drejtën e plotë, duke mos kursyer asgjë. Hazret Zubejri r.a. besonte se ajeti i mëposhtëm ishte zbritur pikërisht në këtë kontekst:

فَلَا وَرَبِّكَ لَا يُؤْمِنُونَ حَتَّىٰ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لَا يَجِدُوا فِي أَنفُسِهِمْ حَرَجًا مِّمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا تَسْلِيمًا ۝

Jo! Pasha Zotin tënd! Ata nuk kanë besuar, derisa nuk të marrin ty si gjykatës në çështjet që kanë shkaktuar grindje midis tyre, më pas, të mos gjejnë asnjë ngushtim në shpirtin e tyre nga gjykimi yt e të tregohen plotësisht të bindur.  (en-Nisa 4:66)

Hazret Zubejri r.a. ka transmetuar lidhur me ajetin:

ثُمَّ إِنَّكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ عِندَ رَبِّكُمْ تَخْتَصِمُونَ ۝

Pastaj, në Ditën e Gjykimit, ju do të grindeni para Zotit tuaj!  (Ez-Zumer 39:32)

Ai rrëfen se pas zbritjes së këtij ajeti, ai e pyeti Profetin s.a.v.s. dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! A bëhet fjalë këtu për mosmarrëveshjet dhe konfliktet tona për çështjet materiale? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbështeti mendimin e tij. Pastaj zbriti ajeti:

ثُمَّ لَتُسْأَلُنَّ يَوْمَئِذٍ عَنِ النَّعِيمِ ۝

Pastaj, atë Ditë, me siguri ju do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)! (Et-Tekathur 102:9)

Hazret Zubejri r.a. pyeti: O i Dërguar i Allahut! Për cilët dhuntitë do të japim llogarinë ne, pasi në këtë botë gëzojmë vetëm ujë dhe hurma? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Të dini se koha e këtyre mirësive do t’ju vijë shumë shpejt. Sot jeni në vështirësi, por dashtë Allahu, do të gëzoni edhe ditë të mira”.

Habesi ibn Haliti r.a. rrëfen se këtë hadith i kishte përcjellë një zotëri nga Mosuli, i cili është një qytet i njohur i Sirisë. Për shkak të numrit të madh të banorëve dhe sipërfaqes që mbulonte, ky qytet gëzonte një rëndësi dhe famë të veçantë në shtetet muslimane. Mosuli ndodhej në afërsi të Nenvas dhe pranë bregut të lumit Dexhla dhe 222 milje larg Bagdadit.

Habesi ibn Haliti rrëfen se ai zotëri i vinte nga qyteti Mosul dhe kishte udhëtuar disa herë së bashku me Hazret Zubejr ibn Avamin r.a.. Njëherë Hazret Zubejri r.a. kishte nevojë për t’u larë dhe ai më porositi për të mbajtur një mbulesë përpara tij, që të bënte gusul. Ai ngriti çarçafin dhe Hazret Zubejri nisi të lahej. Teksa po lahej, këtij zotërie i shkuan sytë në trupin e tij, dhe ai vuri re që nuk kishte asnjë pjesë të trupit, që nuk kishte gjurmët e plagëve të shpatës. Ai i tha Hazret Zubejrit: Pasha Allahun! Në trupin tuaj, i kam parë shenjat kaq të thella të plagëve, që nuk i kam parë kurrë në jetën time. Hazret Zubejri iu përgjigj atij dhe tha: Me gjithë mend a i ke parë plagët e mia? Pasha Allahun! Këto plagë i kam marrë duke luftuar në rrugë të Allahut përkrah të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Hazret Osmani, Hazret Mikdadi, Hazret Abdullah ibn Mas’udi dhe Hazret Abdurrahman ibn ‘Aufi i kishin lënë amanet Hazret Zubejr ibn Avamit që t’i ruante pasuritë e tyre dhe të kujdesej për familjen e tyre. Meqë Hazret Zubejri kishte mundësi, ai nuk harxhonte paratë e tyre, përkundrazi shpenzonte paratë e tij mbi familjet e tyre. Ai nuk kishte aspak dëshirë për paratë e tyre.

Sipas rrëfimeve, Hazret Zubejri r.a. kishte afërsisht një mijë skllevër, të cilët i dorëzonin të ardhurat nga prodhimet bujqësore nga toka e tij. Por, Hazret Zubejri r.a. nuk ua merrte asgjë dhe gjithçka u jepte të tjerëve si sadaka.

Muti’ ibn Esvedi r.a. transmeton se ka dëgjuar Hazret Omerin r.a. duke thënë që Hazret Zubejri është një ndër shtyllat e besimit.

Abdullah ibn Zubejri r.a. transmeton se kur babai im Hazret Zubejri doli në luftën e Xhemelit, ai më thirri dhe unë u qëndrova pranë tij. Ai më tha: O biri im! Sot do të vritet ose zullumqari ose i shtypuri. Më duket se do të martirizohem duke qenë i shtypur. Unë brengosem vetëm për borxhin tim. A mendon se do të mbetet diçka nga pasuria ime, pas shlyerjes së borxhit? Pastaj i tha: O biri im! Të lutem shite tokat e mia, për të shlyer borxhin. Unë bëj testament për një të tretën e pasurisë. Nëse edhe pas shlyerjes së borxhit mbetet diçka nga pasuria, le të ndahet një e treta e saj midis fëmijëve të tu.

Hishami ka thënë që djemtë e Abdullah ibn Zubejrit ishin moshatarë me vëllezërit e tij Hubejb dhe Ibad. Hazret Abdullah ibn Zubejri r.a. kishte 9 vajza.

Hazret Abdullah ibn Zubejri r.a. transmeton se njëherë babai i tij e porositi dhe tha: O biri im! Nëse nuk arrin të shlyesh borxhin tim, kërkoji ndihmë kujdestarit tim”. Abdullah ibn Zubejri thotë: “Unë nuk e kuptova se kush ishte kujdestari i tij, prandaj e pyeta për këtë dhe ai më tha: Kujdestari im është Allahu. Sa herë që hasja ndonjë vështirësi lidhur me borxhin, unë jam lutur me këto fjalë: O Kujdestari i Zubejrit! Laje borxhin e Zubejrit”, dhe Allahu i Madhërishëm gjithmonë ka siguruar mjete për shlyerjen e borxhit.

Hazret Zubejr ibn Avami r.a. kishte rënë dëshmor. Si trashëgimi ai nuk kishte lënë asnjë pasuri, përveç disa tokave që i kishte në pronësi. Ai kishte lënë 11 shtëpi në Medinë, 2 shtëpi në Basra dhe nga 1 shtëpi në Kufa dhe Egjipt.

Përse kishte mbetur në borxh ai? Sepse, njerëzit i sillnin paratë e tyre si amanet për ruajtje. Por, Hazret Zubejri kishte frikë që ai mund t’i harxhonte ato dhe kështu mund t’i sillte dëm. Prandaj, ai i konsideronte ato para si hua, dhe në rast nevojash, ai i përdorte për veten. Në këtë mënyrë, kur i pranonte paratë e tjerëve, ai i sqaronte njerëzit se po i merrte paratë e tyre si borxh, dhe ishte i detyruar t’i shlyente ato.

Hazret Zubejr ibn Avami r.a. nuk arriti kurrë të jetonte në kushte të mira si pasanik, edhe pse shërbente në mbledhjen e taksave apo kryente detyra të tjera financiare. Ai bëri xhihad në rrugën e Allahut duke luftuar në çdo betejë përkrah të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., Hazret Ebu Bekrin, Hazret Omerin dhe Hazret Osmanin, por nuk mundi të begatohej përmes tyre.

Hazret Abdullah ibn Zubejri r.a. ka thënë se njëherë ai llogariti krejt borxhin e tij, dhe ai ishte 2 milion e 200 mijë dinarë. Hazret Hakim ibn Hizami r.a. takoi Abdullah ibn Zubejrin r.a. dhe e pyeti se sa ishte borxhi i vëllait të tij d.m.th. të Hazret Zubejr ibn Avamit? Hazret Abdullah ibn Zubejri r.a. nuk deshi t’ia tregonte shumën, prandaj ai i tha që shuma e borxhit ishte 100 mijë. Hazret Hakim ibn Hizami i tha: Për Zotin! Nuk po shoh që ke pasuri të mjaftueshme për të shlyer borxhin. Nëse nuk arrin ta paguash këtë shumë, kërkomë ndihmë. Unë do ta shlyej borxhin.

Hazret Zubejr ibn Avami r.a. kishte blerë Gabbën me një vlerë prej 170 mijë dirhamësh, dhe djali i tij Abdullah ibn Zubejri arriti ta shiste atë kundrejt 1 milion e 600 mijë dirhamësh. Ai njoftoi që çdokush i cili i kishte dhënë borxh Zubejrit, të mbërrijë në këtë tokë që quhej Gabbah, për të marrë paratë e tij.

Hazret Abdullah ibn Xhaferi r.a. i kishte dhënë Zubejrit 400 mijë dirhamë si hua. Ai i tha Abdullah ibn Zubejrit që nëse donin, ai mund t’ia falte këtë shumë, për ndryshe mund të vononin pagimin e saj. Por, Hazret Abdullah ibn Zubejri r.a. nuk pranoi asnjë prej ofertave të tij. Atëherë Hazret Abdullah ibn Xhaferi i kërkoi një truall nga pronat e Zubejrit dhe Hazret Abdullah ibn Zubjeri r.a. u pajtua me këtë propozim dhe i piketoi tokën duke vënë kufijtë në përputhje me vlerën e borxhit.

Përfundimisht, mbetën vetëm 4½ pjesë nga trualli që duhet të shiteshin për të shlyer borxhin. Hazret Abdullah ibn Zubejri r.a. shkoi për të takuar Hazret Mu’avijen, i cili gjendej në praninë e Amru ibn Osmanit, Mundhir ibn Zubejrit dhe Ibn Zum’ait. Hazret Mu’avija e pyeti Abdullah ibn Zubejrin: Sa i kishte vënë çmimin Gabbës? Abdullah ibn Zubejri r.a. u përgjigj që çdo pjesë kushtonte njëqind mijë dirhamë. Hazret Mu’avija e pyeti: dhe sa ara i kishin mbetur? Ai u tregoi se i kishin mbetur tani 4½ ara nga trualli. Mundhir ibn Zubejri tha: Një arë e blej unë për 100 mijë dirhamë. Amru ibn Osmani tha: Një pjesë e marr unë për 100 mijë drihamë. Ibn Zum’a tha: Një pjesë e blej unë për 100 mijë dirhamë. Hazret Mu’avija pyeti: Tani sa porcione kanë mbetur akoma? Hazret Abdullah ibn Zubejri u përgjigj: 1½. Hazret Mu’avija i tha: atëherë unë paguaj 150 mijë dirhamë për atë pjesë. Abdullah ibn Xhaferi gjithashtu i shiti Hazret Mu’avijes truallin e tij kundrejt 600 mijë dirhamësh. Në këtë mënyrë, sipas fjalëve të Hazret Zubejr ibn Avamit r.a., Allahu ia mundësoi shlyerjen e borxhit, duke i mundësuar mjetet financiare përmes shitjes së tokës.

Kur Hazret Abdullah ibn Zubejri mbylli shlyerjen e krejt borxhit të Hazret Zubejr ibn Avamit r.a., fëmijët e Hazret Zubejrit kërkuan ndarjen e trashëgimisë midis tyre. Hazret Abdullah ibn Zubejri u tha: Pasha Allahun! Unë nuk do të ndaj trashëgiminë e tij, derisa të bëj njoftimin për borxhin e tij për 4 vjet radhazi. Në këtë mënyrë, çdo vit, gjatë ditëve të haxhit, Hazret Abdullah ibn Zubejri r.a. bënte njoftim për hanxhinjtë dhe lajmëronte që çdo person, i cili mund t’i kishte dhënë borxh Hazret Zubejrit r.a., mund ta kontaktonte atë për shlyerjen e detyrimit. Kur kaluan 4 vjet, ai ndau trashëgiminë midis fëmijëve të Hazret Zubejrit r.a.. Meqë Hazret Zubjeri r.a. kishte lënë katër gra, prandaj 1/8 e shumës totale u nda në katër pjesë dhe secila prej tyre mori hisen e saj, me një shumë prej 1 milion e 100 mijë dirhamë. Madje, pas ndarjes së krejt pasurisë, secila nga bashkëshortet e tij fitoi prapë 1 milion e 100 mijë dirhamë. Sipas një transmetimi, vlera totale e trashëgimisë së Hazret Zubejrit r.a. kapte shumën prej 35 milion e 200 mijë dirhamë. Ndërsa, sipas Sufjan ibn Uejan, kjo shuma kapte vlerën prej 40 milion dirhamësh. Hisham ibn Urva ka transmetuar nga babai i tij që vlera e trashëgimisë së Hazret Zubejrit r.a. ishte 52 milion apo 51 milion dirhamësh. Urva gjithashtu ka shtuar që Hazret Zubejri r.a. kishte tokë në Egjipt, në Aleksandri dhe në Kufe si dhe kishte disa banesa në Basra. Ai kishte të ardhura edhe nga pronat që kishte në Medinë. Në këtë mënyrë, iu shlye krejt borxhi, dhe pronat u ndanë midis trashëgimtarëve.

Mutarifi ka shkruar që njëherë ne i thamë Hazret Zubejrit: O Ebu Abdullah! Përse keni ardhur këtu? Ju keni humbur një kalif, madje ai u martirizua, ndërsa tashmë po i kërkoni gjakun?  Hazret Zubejri r.a. iu përgjigj: Në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, ne recitonim këtë ajet kuranor:

وَاتَّقُوا فِتْنَةً لَّا تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنكُمْ خَاصَّةً

Druhuni nga sprova që nuk do t’i zërë vetëm ata që bënë padrejtësi mes jush. (El-Enfal 8:26) Pra, kjo sprovë do të jetë e përgjithshme dhe do t’i zërë të gjithë pa përjashtim. Megjithatë, kurrë nuk na kishte shkuar mendje, që kjo sprovë do të na godiste ne.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar ngjarjen e zgjedhjes së Hazret Aliut r.a. me këto fjalë. Ai shkruan:

“Pas martirizimit të Hazret Osmanit dhe përkeqësimit të situatës kaotike brenda muslimanëve, sahabët që gjendeshin në Medinë e shtyjnë Hazret Aliun të pranonte bejatin e muslimanëve. Në anën tjetër, disa keqdashës që nxisnin vetëm çrregullimin në vend, nxituan drejt Hazret Aliut dhe i thanë që situata e krijuar mund të shkaktojë përmbysjen e shtetit islamik, andaj për të larguar frikën dhe për të vendosur paqen dhe stabilitet ai duhet t’ua merrte bejatin muslimanëve. Në këtë mënyrë, kur e shtyjnë për të marrë bejatin, ai pas disa herë refuzimeve, pranoi këtë përgjegjësi dhe nisi të merrte bejatin e besimtarëve. Në atë kohë, disa sahabë të shquar, nuk gjendeshin në Medinë dhe disa prej tyre u detyruan të bënin bejat me forcë.

Lidhur me Hazret Telhain dhe Hazret Zubejrin rrëfehet se Hakim ibn Xhebla dhe Malik ibn Eshteri ishin nisur drejt tyre. Ata i drejtuan shpatet dhe detyruan Telhain dhe Zubejrin për të bërë bejat, madje i thanë që të zgjedhin midis bejatit të Hazret Aliut r.a. ose vdekjes. Sipas disa rrëfimeve, ata ushtruan dhunë ndaj tyre dhe i sollën duke zvarritur barbarisht për tokë. Sigurisht, një bejat i tillë në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet besëlidhje e vërtetë. Edhe gjatë bejatit, Hazret Telhai dhe Hazret Zubejri u shprehën se po bënin bejat me kushtin që Hazret Aliu të hakmerrej kundër vrasësit e Hazret Osmanit r.a.. Por, më vonë kur ata konstatuan që Hazret Aliu nuk po nxiton në hakmarrjen e vrasjes së Hazret Osmanit, ata u distancuan nga bejati, e më pas u larguan nge Medina dhe u vendosën në Mekë.

Një grup prej atyre, të cilët kishin orkestruar dhe realizuar vrasjen e Hazret Osmanit, e bindën Hazret Aishen për të shpallur xhihad për hakmarrjen e gjakut të Hazret Osmanit. Hazret Aisheja shpalli xhihadin dhe u bëri thirrje sahabëve për t’u bashkuar me të. Hazret Telhai dhe Hazret Zubejri gjithashtu iu bashkuan thirrjes së Hazret Aishes dhe si rrjedhojë u zhvillua një betejë e ashpër, e cila njihet në histori me emrin lufta e Xhemelit (ose lufta e devesë) midis Hazret Aliut dhe Hazret Aishes, Hazret Telhait e Hazret Zubejrit.

Hazret Zubejri ishte tërhequr nga lufta, qysh në fillim të konfliktit, pasi kishte dëgjuar një profeci të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nga goja e Hazret Aliut r.a.. Ai ishte betuar se nuk do të luftonte kundër Hazret Aliut dhe ai pranoi që kishte gabuar në trajtimin e çështjes. Në anën tjetër, Hazret Telhai gjithashtu kishte dëshmuar bindje të plotë në udhëheqjen e Hazret Aliut. Sipas rrëfimeve pas përfundimit të luftës, Hazret Telhai po përpëlitej në fushën e betejës nga dhembjet e plagëve. Kur një ushtar kaloi pranë tij, Hazret Telhai e pyeti se cilit grup i përkiste ai. Kur ushtari iu përgjigj se i përkiste grupit të Hazret Aliut, ai i dha dorën dhe i tha: Dora jote është dora e Aliut dhe unë bëj sërish bejatin e Aliut mbi dorën tënde.

Sipas burimeve, Hazret Zubejri kishte rënë martir pas kthimit nga lufta e devesë. Ai ishte tërhequr nga lufta, pasi kishte kuptuar gabimin dhe kishte ndierë keqardhje për vendimin e tij për të luftuar me Hazret Aliun. Në fakt, Hazret Aliu i kishte kujtuar një profeci të Profetit s.a.v.s. dhe i kishte thënë: “Të betohem në Allah! A nuk e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë se do të luftosh me mua duke bërë shkelje ndaj meje”. Hazret Zubejri menjëherë kishte kujtuar atë fjalë dhe ai vendosi të tërhiqej nga lufta dhe për të mos luftuar kundër Hazret Aliut. Kjo ngjarje është rrëfyer imtësisht në lidhje me historinë e Hazret Telha ibn Ubejdullahut. Kjo tregon që gjithë ngatërresën dhe situatën e pështjelluar, i kishin ndezur hipokritët dhe çrregulluesit dhe sahabët ishin futur në këtë ngatërresë për shkak të keqkuptimeve të tyre. Megjithatë, ajo që kishte ndodhur, ishte plotësisht e padrejtë dhe e gabuar.

Harb ibn Ebul Esvedi ka thënë që kishte takuar Hazret Aliun dhe Hazret Zubejrin në luftën e devesë. Hazret Zubejri po kthehej vrullshëm me kalin e tij, duke qarë radhët e ushtrisë, kur papritmas i doli përpara djali i tij Abdullah ibn Zubejri. Ai e pyeti: O babë! Çfarë ka ndodhur? Hazret Zubejri i tha: Hazret Aliu më ka kujtuar një hadith, të cilin e kisha dëgjuar vetë me veshët e mi prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai më kishte thënë: Ti do të luftosh kundër Aliut dhe do të jesh zullumqar me kauzën tënde. Andaj, nuk dua të luftoj kundër tij. Abdullah ibn Zubejri i tha: Por o bab! Ke ardhur që t’i pajtosh njerëzit dhe Allahu do të ndihmojë ty në këtë detyrë. Hazret Zubejri i tha: Por, jam betuar se nuk do të kthehem në fushë betejë. Djali i tij i tha: O babë! Jep shpagim për shkeljen e betimit, dhe liro robin tënd Xherxhes megjithatë mos u largo nga fusha, derisa Allahu t’i pajtojë zemrat e njerëzve. Sipas transmetuesit të këtij hadithi, Hazret Zubejri liroi skllavin e tij Xherxhes dhe nuk u largua nga fushëbeteja. Por, kur armiqësia midis të dyja grupeve u përshkallëzua, Zubejri kalëroi tutje dhe u largua prej vendit. Ai kishte ndërmend të kthehej në Medinë, prandaj ai lëshoi frerin dhe kalëroi me shpejtësi. Por, kur mbërriti në vendin Sefvan, i cili ndodhej afër qytetit Besra, e takoi një person me emrin Bekr, i cili u përkiste fisit Benu Mexhashe’. Ai i tha Hazret Zubejrit “O dishepull i të Dërguarit të Allahut! Ku po shkoni? Ju jeni mbrojtur këtu dhe asnjeri nuk mund t’ju afrohet. Unë mbaj përgjegjësi për këtë. Bekri iu bashkua Hazret Zubejrit dhe e shoqëroi atë. Pak më vonë, ai takoi Ahnef ibn Kajsin dhe e njohu me Hazret Zubejrin. Ahnefi i tha që muslimanët janë ndarë në dy grupe. Ata po kacafyten me njëri-tjetrin dhe shpatat e tyre po pikojnë gjakun e muslimanëve, ndërsa ky (d.m.th. Hazret Zubejri) po shkoka ta takojë djalin dhe familjen. Kur Umejr ibn Xhermuzi, Fezala ibn Habisi dhe Nufejli dëgjuan këto fjalë, ata nisën me vrull në ndjekjen e Hazret Zubejrin dhe arritën ta kapnin atë bashkë me një karvan. Umejr ibn Xhermuzi e sulmoi nga mbrapa dhe qëlloi me shtizë, duke e plagosur lehtë. Hazret Zubejri, i cili ishte hipur në kalin e tij Dhul-Khimar, sulmoi Umejerin në vetëmbrojtje. Kur Ibn Xhermuzi ndjeu frikë për veten, ai u thirri shokëve për ndihmë. Ata të dy sulmuan njëkohësisht Hazret Zubejrin, dhe e martirizuan atë.

Sipas një transmetimi, Hazret Zubejri doli përpara vrasësit të tij dhe e mbizotëroi atë. Por, kundërshtari i tij i kërkoi falje duke u betuar në Allah dhe Hazret Zubejri ndaloi menjëherë. Por, ai përsëriti të njëjtin veprim disa herë dhe në fund arriti t’i shkaktonte Zubejrit plagë të rëndë. Hazret Zubejri e mallkoi atë, sepse ai i kërkonte falje në emër të Allahut, por vetë kishte bërë agresion duke shkelur fjalën e dhënë. Pas martirizimit, Ibni Xhermuzi shkoi te Hazret Aliu r.a. dhe i paraqiti kokën dhe shpatën e Hazret Zubejrit. Hazret Aliu r.a. ia mori shpatën dhe tha: Pasha Allahun! Me këtë shpatë, Allahu i kishte larguar merakun dhe shqetësimin të Dërguarit të Tij s.a.v.s., por sot ajo gjendej në thertoren e vdekjes dhe trazirës.

Ibni Xhermuzi i kërkoi leje Hazret Aliut për të hyrë brenda. Roja e lajmëroi Hazret Aliun se Ibni Xhermuzi, i cili ka vrarë Hazret Zubejrin kërkon leje për të hyrë brenda. Hazret Aliu i tha: Vrasësit të Hazret Safijes dhe Hazret Zubjerit i shkoftë shpirti në xhehenem. Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që çdo profet shoqërohet nga dishepujt e tij dhe dishepulli im është Zubejri.

Hazret Zubejrin e varrosën në luginën Siva dhe Hazret Aliu dhe sahabët e tjerë çanin pranë varrit të tij. Mosha e tij, në kohën e martirizimit ishte 64 vjeç, ndërsa sipas transmetimeve të tjera ai ishte 66 apo 67 vjeç.

Për Atiken ibn Zejdin, e cila ishte bashkëshortja e Hazret Zubejr ibn Avamit, njerëzit kishin përhapur fjalën se ai që synon të vdesë si dëshmorë, le të martohet me të. Në fillim ajo ishte martuar me Abdullah ibn Ebu Bekrin, i cili ra dëshmor. Pastaj ajo u martua me Hazret Omer ibn Hattab r.a., i cili gjithashtu u martirizua dhe u nda prej saj.

Hazret Atika kishte thurur vargje të mëposhtme mbi vdekjen e Hazret Zubejrit:

غَدرُ اِبن جرموزٍ بفارسِ بهمةٍ        يومَ اللّقاءِ وكان غير معرّدِ

يا عمرُو لَو نَبَّهْتَهُ لَوَجَدتَهُ            لا طائِشاً رعشَ الجنان ولا اليدِ

شَلّتْ يمينُك إن قتلتَ لمُسلِماً         حَلَّت عليك عقوبةُ المُتَعَمَّدِ

ثَقِلَت اُمُّك هل ظفرت بمثله          فِيمَنْ مَضَى فِيْمَا طَرُوحٌ فَتَقْتَدِى

كَم غمرةٍ قَد خاضَها لم يثنهِ            عَنها طِرَادُكَ يا ابن فَقْعِ القَرْدَدِ

O Ibn Xhermuz! Ti ke tradhtuar atë kalorës trim, i cili kurrë nuk do të merrte rrugën e arratisë.

O Amr ibn Xhermuz! Nëse do ta kishe lajmëruar për qëllimin tënd, nuk do ta gjeje kurrë të paaftë e të dobët, të cilit i dridhen duart dhe i rrëqethet zemra. Ty të thaftë dora sepse ke derdhur gjakun e një muslimani. Ty të takon dënimi i një vrasje të qëllimshme. Në këtë botë kalimtare, në të cilën ti gdhin mëngjeset dhe ngrys netët, a ke arritur fitore ndaj dikujt që i ngjan atij. O ti që nuk duron dot as një dhimbje të vogël, Zubejri nuk tërhiqej nga fushëbeteja, pavarësisht sa përshkallëzohej gjendja e luftës. O njeri me fytyrë të bardhë! Goditja jote e shtizës nuk mund t’i sillte atij asnjë dëm.

Sipas dëshmisë që është shënuar në “Tabakatul Kubra”, kur Ibn Xhermuzi i kërkoi leje Hazret Aliut për të hyrë brenda, ai nuk deshi ta takonte atë. Ibn Xhermuzi i tha: A nuk qe Zubejri prej ngatërrestarëve dhe çrregulluesve? Hazret Aliu i dha një përgjigje atypëratyshme dhe tha: Të thaftë goja! Unë besoj që Telhai dhe Zubejri do të jenë prej atyre, për të cilët Allahut i Madhërishëm ka thënë:

وَنَزَعْنَا مَا فِي صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّ إِخْوَانًا عَلَىٰ سُرُرٍ مُّتَقَابِلِينَ ۝

Ne do t’ua heqim çfarëdo urrejtje (qoftë) në kraharorët e tyre. Do të jenë të ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane. (el-Hixhr 15:48)

Hazret Zubejri kishte bërë disa martesa në periudha të ndryshme dhe kishte pasur shumë fëmijë prej tyre. Emrat e bashkëshorteve dhe fëmijëve të tij janë si në vijim:

  1. Asma bint Ebu Bekri r.a. nga kjo martesë i lindën Abdullahu, Urva, Mundhiri, Asimi, Hatixhe e madhe, Umul Hasan Aisheja.
  2. Umi Halit r.a., nga kjo martesë i lindën Haliti, Amru, Habiba, Sauda, Hindi.
  3. Zubab bint Hanif, nga kjo martesë i lindën Mus’abi, Hamzai, Ramala.
  4. Zejneb Umi Xhafer bint Mursed, nga kjo martesë i lindën Ubejda dhe Xhaferi.
  5. Umi Kelthum bint Ekve’, nga kjo martesë i lindi Zejnebja
  6. Hilal bint Kajsi, nga kjo martesë i lindi Hatixheja e vogël.
  7. Atika bint Zejd r.a.

Me këtë përfundon historia e Hazret Zejd ibn Avamit r.a..

Në fund të hutbes, Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) përmendi shkurtimisht rreth disa personave, të cilët kishin ndërruar jetë kohët e fundit. Ata ishin:

  1. El-Haxhi Ibrahim Muba’i, Zëvendëskryetar i Xhematit Musliman Ahmedia i Gambias, ka ndërruar jetë më 10 gusht 2020, 86 vjeç
  2. Naim Ahmed Khan, zëvendëskryetar i Xhematit Musliman Ahmedia i Karaçit,
  3. Bushra Begum, nga Gjermania, ka ndërruar jetë më 19 korrik 2020, 74 vjeçe
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp