Historia e sahabëve të Bedrit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Historia e sahabëve të Bedrit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Jezid ibn Thabit el-Ensariu r.a. | يَزِيدُ بنُ ثَابِت الأَنْصَارِيّ

Jezid ibn Thabiti r.a. Ishte një sahab bedriu. Ai vinte nga familja Benu Malik ibn Nexhar të fisit Hazrexh të ensarëve. I ati i tij quhej Thabit ibn Zahak dhe e ëma quhej Navar bint Malik. Jezidi r.a. ishte vëllai i madh i Zejd ibn Thabitit. Jezid ibn Thabiti r.a. Ishte i martuar me Dubajja bint Thabit dhe kishte marrë pjesë në Bedr dhe Uhud. Ai kishte rënë dëshmor në vitin 12 pas hixhretit, në luftën Jemama, në kohën e Ebu Bekrit r.a., ndërsa sipas transmetimit tjetër, ai ishte qëlluar me shigjetë në fushëbeteje, dhe ndërroi jetë gjatë kthimit.

Jezid ibn Thabiti r.a. ka transmetuar se ata ishin në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, teksa kaloi një xhenaze. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngrit nga vendi dhe sahabët gjithashtu u ngritën duke ndjekur sjelljen e Profetit s.a.v.s.. Ata nuk u ulën derisa nuk kishte kaluar xhenazja.

Kjo ngjarje është përmendur më hollësisht në një transmetim tjetër po nga Jezid ibn Thabiti r.a.. Ai rrëfen se ishte ndenjur me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe sahabë të tjerë, ndërsa u shfaq një xhenaze. Sa e pa i Profeti a.s. ai menjëherë u ngrit në këmbë. Sahabët gjithashtu brofën nga vendi dhe nuk u ulën derisa funerali u zhduk plotësisht. Jezidi r.a. shton në këtë transmetim duke thënë: “Pasha Allahun! Nuk besoj se Profeti a.s. ishte ngritur rastësisht për ndonjë qëllim tjetër. Ajo ishte xhenazja e një burri apo gruaje hebre. Ne gjithashtu nuk i pyetëm arsyen përse ishte ngritur nga vendi”.

حدثنا خارجة بن زيد، عن عمه يزيد بن ثابت قال: “خرجنا مع رسول الله صَلَّى الله عليه وسلم إِلى البقيع، فرأَى قبرًا جديدًا، فقال: “مَا هَذَا”؟ قالوا قبر فلانة ـــ مولاة فلان ـــ ماتت ظهرًا وأَنت قائل، فكرهنا أَن نوقظك فقام النبي صَلَّى الله عليه وسلم وصَفَّ الناس خلفه، وكبرّ عليها أَربعًا، وقال: “لاَ يَمُوتَنَّ أَحَدٌ مَادُمْتُ بَيْنَ أَظْهِرُ كُمْ إِلاَّ آذَنْتُمُونِي”. قال: وأَظنه قال: “إِنَّ صَلَاتِي لَهُ رَحْمَةٌ”

Në një transmetim tjetër në Sunen Nisai, Jezid ibn Thabiti r.a. është transmetuar duke thënë që ata dolën bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në varrezën “Baki”. Ai vuri re një varr të ri dhe pyeti: Kujt është ky varr? Të pranishmit i thanë se ishte varri i filanes, skllaves së filan fisit. Ajo kishte vdekur dje në mesditë. Nuk deshëm t’ju prishim gjumin e drekës. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u drejtua nga kibleja, dhe porositi sahabët të vihen në rresht pas tij. Ai bëri tekbir katëherë (d.m.th. udhëhoqi namazin e xhenazes pranë varrit) dhe pastaj iu drejtua sahabëve: “Derisa jam në mesin tuaj, mos ndodhë që dikush të ndërrojë jetë dhe ju të mos më njoftoni”. Pastaj tha: “Namazi im është mëshirë për të (d.m.th. për të vdekurin). (Sunen Nisai, nr. 1995)

Po ashtu, ky transmetim është përmendur në Muslim dhe Sunen Ebu Daud ndërsa në Ibni Maxha gjendet me hollësi të tjera.

حَدَّثَنَا أَبُو بَكْرِ بْنُ أَبِي شَيْبَةَ، حَدَّثَنَا هُشَيْمٌ، حَدَّثَنَا عُثْمَانُ بْنُ حَكِيمٍ، حَدَّثَنَا خَارِجَةُ بْنُ زَيْدِ بْنِ ثَابِتٍ، عَنْ يَزِيدَ بْنِ ثَابِتٍ، وَكَانَ، أَكْبَرَ مِنْ زَيْدٍ قَالَ خَرَجْنَا مَعَ النَّبِيِّ ـ صلى الله عليه وسلم ـ فَلَمَّا وَرَدَ الْبَقِيعَ فَإِذَا هُوَ بِقَبْرٍ جَدِيدٍ فَسَأَلَ عَنْهُ فَقَالُوا فُلاَنَةُ ‏.‏ قَالَ فَعَرَفَهَا وَقَالَ ‏”‏ أَلاَ آذَنْتُمُونِي بِهَا ‏”‏ ‏.‏ قَالُوا كُنْتَ قَائِلاً صَائِمًا فَكَرِهْنَا أَنْ نُؤْذِيَكَ ‏.‏ قَالَ ‏”‏ فَلاَ تَفْعَلُوا لاَ أَعْرِفَنَّ مَا مَاتَ فِيكُمْ مَيِّتٌ مَا كُنْتُ بَيْنَ أَظْهُرِكُمْ إِلاَّ آذَنْتُمُونِي بِهِ فَإِنَّ صَلاَتِي عَلَيْهِ لَهُ رَحْمَةٌ ‏”‏ ‏.‏ ثُمَّ أَتَى الْقَبْرَ فَصَفَّنَا خَلْفَهُ فَكَبَّرَ عَلَيْهِ أَرْبَعًا ‏.‏

Jezid ibn Thabiti r.a. ka thënë: “Ne bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. shkuam në varrezën “Baki”. Ai vuri re një varr të ri dhe pyeti: Kujt është ky varr? Ata thanë: Ky është varri i filanes, skllaves së filanit. Ai e njohu atë dhe pyeti: Përse nuk më njoftuat për të? Të pranishmit thanë: Ju po pushonit në drekë, po ashtu ishit i agjërueshëm. Nuk deshëm t’ju shqetësojmë. Ai u tha: Mos bëni ndonjë veprim pa dijeninë time! Derisa jam i gjallë në mesin tuaj, nuk duhet të ndodhë që dikush vdes dhe unë nuk kam ditur për të. Namazi im është mëshirë për të vdekurin. Pastaj ai iu afrua varrit, dhe na porositi për të qëndruar në rreshta pas tij dhe recitoi katër tekbire. (Ibni Maxha, nr. 1595)

حَدَّثَنَا مُحَمَّدُ بْنُ الْفَضْلِ، حَدَّثَنَا حَمَّادُ بْنُ زَيْدٍ، عَنْ ثَابِتٍ، عَنْ أَبِي رَافِعٍ، عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ ـ رضى الله عنه ـ أَنَّ أَسْوَدَ ـ رَجُلاً أَوِ امْرَأَةً ـ كَانَ يَقُمُّ الْمَسْجِدَ فَمَاتَ، وَلَمْ يَعْلَمِ النَّبِيُّ صلى الله عليه وسلم بِمَوْتِهِ فَذَكَرَهُ ذَاتَ يَوْمٍ فَقَالَ ‏”‏ مَا فَعَلَ ذَلِكَ الإِنْسَانُ ‏”‏‏.‏ قَالُوا مَاتَ يَا رَسُولَ اللَّهِ‏.‏ قَالَ ‏”‏ أَفَلاَ آذَنْتُمُونِي ‏”‏‏.‏ فَقَالُوا إِنَّهُ كَانَ كَذَا وَكَذَا قِصَّتَهُ‏.‏ قَالَ فَحَقَرُوا شَأْنَهُ‏.‏ قَالَ ‏”‏ فَدُلُّونِي عَلَى قَبْرِهِ ‏”‏‏.‏ فَأَتَى قَبْرَهُ فَصَلَّى عَلَيْهِ‏.‏

Ebu Hurejra r.a. ka transmetuar se një grua me ngjyrë shërbente si pastruese e xhamisë (së Profetit). Ajo ndërroi jetë dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk u njoftua për vdekjen e saj. Kur Profeti a.s. nuk e pa për disa ditë radhazi, ai e pyeti se çfarë i kishte ndodhur asaj. Sahabët i thanë: O i Dërguar i Allahut! Ajo ka ndërruar jetë”. Ai tha: “Përse nuk më lajmëruat?” Ata iu përgjigjën duke treguar historinë e saj. Ai u tha: “Më tregoni varrin e saj”. Ai shkoi te varri dhe fali namazin e xhenazes. (Buhariu, nr. 1337)

Inxhazul Haxhxha i cili është komentimi i veprës Sunen Ibni Maxha, autori shkruan se rrëfimi i mësipërm i referohet një gruaje me ngjyrë, e cila fshinte xhaminë e Profetit s.a.v.s.. Sipas Imam Bejhkiut, ajo quhej Umi Mehxhan, ndërsa Ibni Menda e ka përmendur me emrin Kherka dhe e ka cilësuar ndër sahabijat e Profetit s.a.v.s. Ndoshta emri i saj ishte Kherka, ndërsa Umi Mehxhan ishte nofka me të cilën ajo njihej.

Muavvidh ibn Amr ibn el-Xhemuh r.a. | مُعَوِّذ بن عَمْرو بن الجَمُوح الأَنصاري السَّلَّميّ

Muavvidhi r.a. vinte nga familja Benu Xheshem të fisit Hazrexh të Ensarëve. Babai i tij quhej Amr ibn Xhemuh ndërsa nëna e tij ishte Hind bint Amru.

Muavvidhi r.a. kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit së bashku me dy vëllezër të tij Muadh dhe Khallad. Ai gjithashtu qe i pranishëm në betejën e Uhudit. Babai i Muavvidhit r.a. Amr ibn Xhemuh r.a. është i njëjti sahab, të cilin djemtë e tij nuk e kishin lënë të luftonte në Bedr, meqë ishte i çalë dhe ecte drejt. Këtë ngjarje e kam rrëfyer më parë, prandaj këtu do t’i referohem asaj vetëm shkurtimisht.

Kur u afrua koha për luftën e Uhduit, Amr ibn Xhumuhu r.a. u tha djemve të tij se derisa nuk e kishin lënë të luftonte në Bedr, ai ka vendosur të shkojë patjetër tani në betejën e Uhudit, dhe që ata nuk mund ta ndalonin më. Djemtë u munduan mjaft për ta bindur atë se ishte i çalë, prandaj nuk ishte i obliguar për pjesëmarrje në luftë, por Amr ibn Xhumuhu nuk pranoi asnjë fjalë. Ai shkoi te Profeti dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Djemtë e mi po më ndalojnë të shkoj në luftë për shkak të problemit në këmbë, ndërsa unë kam dëshirë të madhe për të shkuar në xhihad. Profeti s.a.v.s. i tha: Allahu ju ka dhënë leje, prandaj nuk ju obligohet xhihadi. Megjithatë, duke parë dëshirën e tij të flaktë, edhe Profeti s.a.v.s. i dha leje.

Amr ibn Xhumuhu r.a. siguroi të gjitha mjetet e luftës dhe bëri këtë lutje: “O Allah! Më mundëso të vdes dëshmor. Mos më lër të kthehem disfatë dhe i dështuar!” Me të vërtetë, Allahu ia plotësoi dëshirën dhe ai ra dëshmor në luftën e Uhudit. Pas rënies së tij si martir, gruaja e tij Hind vuri trupin e tij dhe të vëllait të saj Abdullah ibn Amr mbi një kalë. Më vonë, këta të dy u varrosën një të njëjtin varr.

Sipas një transmetimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë se ai e kishte parëAmr ibn Xhumuhun në xhenet duke ecur çalë.

Bishr ibn el-Berâ el-Hazrexhi r.a. | بشر بن البَرَاء بن مَعْرور الأنصاريّ

Për Bishr ibn el-Berā përmenden dy referenca të ndryshme. Sipas njërit ai kishte lidhje me familjen Benu Ubejd ibn Adi të fisit Hazrexh të Ensarëve, ndërsa sipas një burimi tjetër ai i përkiste fisit Benu Selma. I ati i tij quhej Bara ibn Ma’rur ndërsa e ëma Halida bint Kejs. Babai i Bishrit, Bara ibn Ma’ruri ishte ndër 12 përfaqësues që ishin caktuar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Hazret Bara r.a. ishte përfaqësues i fisit Benu Selma. Ai kishte ndërruar jetë vetëm një muaj para se të mërgonte i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në Medinë. Pas mbërritjes, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte lutur te varri i tij dhe kishte udhëhequr namazin e xhenazes për të. Hazret Bishri kishte marrë pjesë në besëlidhjen e dytë të Ukabasë bashkë me babanë e tij.

Bishr ibn Bara r.a. konsiderohej si një prej shigjetarëve më të shquar ndër sahabët e Profetit s.a.v.s. Kur Vakid ibn Abdullahu r.a. mërgoi nga Meka në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi lidhjen e tij vëllazërore me Bishr ibn Bara r.a. Ai gjithashtu kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, Uhudit, Handekut, Khejberit si dhe në marrëveshjen e Hudejbijes.

Abdurrahman ibn Aufi r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “O Benu Nezele! Kush është kryetari juaj?” (Në disa transmetim në vend të Benu Nezeles është përmendur Benu Seleme.) Ata u përgjigjën: Xhed ibn Kejsi. Ai pyeti: Përse e pranoni si kryetar? Ata u përgjigjën: ne e kemi pranuar si kryetar se është më i pasur ndër të gjithë. Megjithatë, ne nuk e pëlqejmë atë se ka një të metë të madhe. Ai është tepër koprrac dhe i dorështrënguar. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: A ka të metë më të madhe se koprracia? Pra, ai nuk ishte i denjë për të qenë kryetar, derisa ishte koprrac. Ata e pyetën: O i Dërguar i Allahut! Atëherë, kush duhet të jetë prijësi ynë? Profeti s.a.v.s. u tha: Bishr ibn Bera ibn Ma’ruri është kryetari juaj. Në një hadith, transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë: Kryetari juaj është Bishr ibn Bera ibn Ma’ruri, i bardhë, me flokë kaçurrele.

Bishr ibn Bera r.a. ishte martuar me Kubejsa bint Sejfi dhe nga kjo martesë u lindi një vajzë me emrin Alia. Bashkëshortja e tij Kubejsa kishte gjithashtu pranuar Islamin duke bërë bejt me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.

Ibni Abasi r.a. ka transmetuar se para se të vinte i Dërguari i Allahut s.a.v.s., hebrenjtë luteshin për fitore ndaj fiseve Eus dhe Hazrexh, përmes ndërmjetësimit së profetit. Pra, ata luteshin për fitore, në emër të atij profeti të madh, i cili pritej të shfaqej. Megjithatë, kur Zoti e dërgoi këtë profet në mesin e popullit arab, ata dolën mohues, dhe kundërshtuan atë, që vetë kishin predikuar deri tani.

Njëherë, Muadh ibn Xhebeli, Bishr ibn Beraja dhe Daud ibn Selma u thanë hebrenjve: O grup Jehud! Kini frikë Allahut dhe bindjuni Islamit! Deri tani kërkonit fitore ndaj nesh në emër të një profeti me emrin Muhammed që duhet të vinte, ndërkohë ne ishim të zhytur në idhujtari. Ju na tregoni se koha ka ardhur dhe të gjitha shenjat janë plotësuar për shfaqjen e atij profeti. Tani, kur ky Profet tashmë ka ardhur, i keni kthyer shpinën atij. Përse nuk e besoni tani? Selman ibn Mushkem ishte kryetari i fisit Benu Nezir të hebrenjve si dhe përgjegjës i arkës së tyre. Ai qe bashkëshorti i Zejneb bint Harithit, gruaja e cila në luftën e Khejberit, i kishte shtruar Profetit s.a.v.s. mish të helmuar në një gosti. Selam ibn Mushkemi po dëgjonte këto fjalë, ai u përgjigj: “Ai nuk është absolutisht ai profet, për të cilin ju kishim folur, po ashtu ato shenja që pretendon ai për vërtetësinë e tij, ne nuk i njohim ato”.

Atëherë Allahu shpalli këtë ajet kuranor:

وَلَمَّا جَاءَهُمْ كِتَابٌ مِّنْ عِندِ اللَّـهِ مُصَدِّقٌ لِّمَا مَعَهُمْ وَكَانُوا مِن قَبْلُ يَسْتَفْتِحُونَ عَلَى الَّذِينَ كَفَرُوا فَلَمَّا جَاءَهُم مَّا عَرَفُوا كَفَرُوا بِهِ ۚ فَلَعْنَةُ اللَّـهِ عَلَى الْكَافِرِينَ ﴿﴾

 “Dhe kur u erdhi prej Allahut një Libër, vërtetues i atij (mësimi) që ata e kishin, ndonëse deri më parë ata luteshin për ndihmë kundër mohuesve, pra, kur u erdhi ai që ata e njihnin, e mohuan. Mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!” (el-Bekare 2:90)

Zubejr ibn Avami r.a. ka transmetuar se kur ndryshoi kryekëput situata në luftën e Uhudit, unë gjendesha pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ne të gjithë ishim të befasuar me mendje të hallakatur. Ishim të tronditur dhe të frikësuar. Në këtë gjendje të rrezikshme, Zoti na zbriti një përgjumje dhe një dremitje të ëmbël. Secilit prej nesh, i ishte varur koka duke u kotur. Pasha Allahun! Më dukej sikur po dëgjoja zërin e M’uta ibn Kushejrit në ëndërr. Ai po thoshte: “Po të kishim mundësi për të vendosur, ne kurrë nuk do të donim të vriteshim këtu në këtë mënyrë”.

M’uta ibn Kushejri ishte një sahab prej ensarëve, i cili kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, Uhudit dhe besëlidhjen e Ukabasë. Unë e mësova përmendësh këto fjalë të ëndrrës. Allahu i Madhërishëm gjithashtu përshkroi këtë gjendje të luftës në Kuran, me këto fjalë:

ثُمَّ أَنزَلَ عَلَيْكُم مِّن بَعْدِ الْغَمِّ أَمَنَةً نُّعَاسًا يَغْشَىٰ طَائِفَةً مِّنكُمْ ۖ وَطَائِفَةٌ قَدْ أَهَمَّتْهُمْ أَنفُسُهُمْ يَظُنُّونَ بِاللَّـهِ غَيْرَ الْحَقِّ ظَنَّ الْجَاهِلِيَّةِ ۖ يَقُولُونَ هَل لَّنَا مِنَ الْأَمْرِ مِن شَيْءٍ ۗ قُلْ إِنَّ الْأَمْرَ كُلَّهُ لِلَّـهِ ۗ

Pas brengës, Ai ju zbriti përgjumje qetësuese, që kaploi një grup prej jush, kurse një grup tjetër ishin ata që shqetësoheshin vetëm për jetën e tyre. Kishin mendim të padrejtë rreth Allahut, mendim prej injorance. Thoshin: “A na takon edhe neve ndonjë pjesë në vendimmarrje?” Thuaju: E gjithë vendimmarrja është e Allahut“. (ali-Imran 3:155)

Ka’b ibn Amr el-Ensariu r.a. ka transmetuar se në luftën e Uhudit, unë së basku me 14 luftëtarë të fisit tim gjendesha pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kur na zuri një përgjumje të ëmbël, e cila na qetësonte shpirtin. Edhe pse ndodheshim në mes të fushëbetejës, ajo përgjumje na qetësonte zemrat. Nuk kishte asnjëri prej nesh, të cilit nuk i dëgjoheshin gërhitje të mbytura. Kjo përgjumje ishte aq e rëndë, saqë Bishr ibn Bera ibn Ma’ruri lëshoi shpatë në tokë, dhe ai nuk e vuri re, edhe pse ushtria kundërshtare ishin hedhur në mësymje.

Në këtë ajet fjala arabe e përdorur për përgjumje është نُعَاس. Hazret Kalifi IV r.a. ka zbërthyer nuancat kuptimore të kësaj fjale në një ndër ligjëratat e tij. Fjala أَمَنَةً نُّعَاسًا përmban disa kuptime, por mund të themi në mënyrë të përmbledhur se ajo nënkupton atë gjendje qetësie dhe prehjeje pas një pikëllimi të thellë, që mund të përkufizohet si gjumë. Pra, Zoti u zbriti një përgjumje të tillë, që përmbante qetësi e paqe. Ndonëse, fjala نُّعَاسًا gjithashtu nënkupton atë gjendje, kur koka e njeriut varet e ndenjur dhe merr një sy gjumë, por këtu bëhet fjalë për atë gjendje të ndërmjetme që ekziston midis gjumit e zgjimit. Para se të bjerë në gjumë, njeriun e zë një gjendje kalimtare, në të cilën të gjitha gjymtyrët gjejnë qetësi e prehje, dhe kjo gjendje qetësie të thellë, kur zgjatet për një kohë të gjatë, shndërrohet në gjumë.

Nëse njeriu ecën në rrugë në këtë gjendje, ai nuk rrëzohet, por para se të hasë ndonjë pengesë, bëhet i vetëdijshëm dhe i shmanget asaj. Ndërsa, duke qenë në gjumë, njeriu nuk i kontrollon më gjymtyrët e tij.

Ndoshta, Bishr ibn Beran r.a. e kishte kapluar ky lloj gjumi i thellë. Megjithatë, ishte një gjendje qetësuese që i zbriti atij në fushëbeteje. Në këtë gjendje, atij i ishte lehtësuar kapja e shpatës, e cila rrjedhimisht u rrëzua përtokë. Prapëseprapë, njeriut menjëherë i kthehet vetëdija dhe ai zgjohet përnjëherë.

Allahu i Madhërishëm në këtë ajet ka përshkruar atë gjendje prehjeje e qetësie që i ngjante gjumit, por nuk ishte i thellë si gjumi, që njerëzit të mos kishin kontroll mbi gjymtyrët e tyre. Pra, kjo gjendje u jepte prehje por nuk ua priste forcat.

Në Buhari, Ebu Telha r.a. ka transmetuar se në ditën e Uhudit na kishte zënë një përgjumje e tillë, saqë shpata gati më rrëzohej nga dora, ndërsa unë vazhdimisht e shtrëngoja më fort.

Ky hadith gjithashtu hedh dritë se ajo gjendje nuk i përngjante gjumit të thellë, që mjetet dhe armët t’u binin nga dora, apo ata vetë të rrëzoheshin përdhe. I kishte zënë një gjendje përgjumje, megjithatë ishin të vetëdijshëm. I kishin mbajtur mjetet e tyre me kujdes, dhe nuk i linin të lëshoheshin nga duart. Duket se kjo gjendje kishte ekzistuar për një kohë të gjatë.

Në një transmetim tjetër, në Tirmidhi, në kreun e komentimit të Kuranit, Ebu Telha r.a. ka thënë se në ditën e Uhudit, kur u hodha shikim të tjerëve, pashë që çdo njeri kishte rënë në dremitje, dhe përkulej mbrapa mburojës së vet. Sahabët ishin të rraskapitur nga stërlodhja dhe pagjumësia, dhe Allahu përmes kësaj gjendjeje përgjumje, u kishte zbritur qetësi e prehje. Kjo ishte një shfaqje e përgjithshme që nuk kufizohej për ndonjë individ të caktuar.

Hazret Kalifi IV r.a. në shpjegimin e këtij ajeti është shprehur se të gjithë luftëtarët muslimanë, që ishin të angazhuar në luftë përkrah të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kishin përjetuar një fenomen shpirtëror që u ishte zbritur nga qielli dhe i kishte zënë çdokënd.

Ata ishin të këputur fizikisht dhe u duhej pashmangshëm një pushim për t’u rifreskuar. Ata nuk kishin kohë për të fjetur, por nevoja e pushimit ishte kolektive. Prandaj, rënia e krejt popullit në përgjumje a dremitje në mes të luftës, duke u ballafaquar me sulmet e armikut, është padyshim një mrekulli e jashtëzakonshme. Kjo nuk është absolutisht ndonjë rastësi, por një ngjarje e çuditshme që u shfaq me lejen e Zotit për t’i qetësuar ata.

Ditën kur u zhvillua lufta e Khejberit, Bishr ibn Bera ibn Ma’ruri r.a. ishte me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. kur një grua hebre u kishte shtruar mish të helmuar në një gosti. Sa e kishte gëlltitur kafshatën, Bishrit iu ndryshua ngjyra. Periudha e sëmundjes së tij kishte zgjatur një vit, gjatë së cilës, ai hoqi dhimbje të fortë. Gjatë kësaj sëmundjeje, ai nuk mund të kthehej në ijë pa pasur ndihmë prej të tjerëve. Ndërsa sipas një rrëfimi tjetër, helmi ishte vdekjeprurës, e ai nuk mundi të mbijetonte dhe pas pak u nda nga jeta.

Nëna e Bishr ibn Berasë r.a. u pikëllua pamasë nga vdekja e djalit. Ajo shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tha: O Profet! Vdekja e Bishrit do të shkatërrojë Benu Selmanë. A mund të njohin të vdekurit njëri-tjetrin? A mund t’i përcillet selam Bishrit? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjgij! Pasha Allahun, në dorën e të Cilit gjendet jeta ime, ashtu sikur zogjtë dallojnë njëri-tjetrin, po ashtu banorët e xhenetit njohin njëri-tjetrin. Pra, nëse arrin të dallojë banorin e xhenetit, ajo mund t’i përcillte selam Bishrit.

Në një transmetim, shtohen edhe këto fjalë që kur dikush nga Benu Selma gjendej në shtratin e vdekjes, nëna e Bishrit e takonte dhe i thoshte: O filan, paqja e Allahut qoftë mbi ty! Ai i përgjigjej: Qoftë edhe mbi ty! Pastaj ajo thoshte: Përcilli selamin tim Bishrit. Pra, ajo i jepte këtë porosi çdokujt nga fisi Benu Selma, që ishte në prag të vdekjes.

Nga pyetja e saj se a mund të njohin të vdekurit njëri-tjetrin, kuptohet se ajo ishte pikëlluar nga ndarja e djalit, prandaj donte t’i përcillte selam e përshëndetje nëpërmjet njerëzve që ishin në prag të vdekjes.

Sipas një transmetimi, motra e Bishrit e takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në sëmundjen e tij, në të cilën ai ndërroi jetë. Profeti s.a.v.s. i tha: Unë ndiej sikur po më priten venat për shkak të kafshatës që kisha ngrënë me vëllain tënd në Khejber.

Kalifi i Dytë r.a. gjithashtu ka komentuar këtë ngjarje. Ai shkruan:

“Një grua hebre i pyeti sahabët e Profetit s.a. se cila pjesë e mishit i pëlqente Profetit më së shumti. Sahabët i treguan që Profeti s.a. hante me kënaqësi mishin e shpatullës.

Ajo theri një kec dhe poqi ca qebapë mbi gur dhe më pas i përzjeu me helm, sidomos pjesët e shpatullës, për të cilin sahabët r.a. i kishin thënë që Profeti s.a. e pëlqente. Pas perëndimit të diellit, pas faljes së mbrëmjes, kur Profeti s.a. u kthye te tenda e tij, pa që një grua qëndronte ulur aty. “Me se mund të të ndihmoj?”, e pyeti Profeti s.a. “O Ebul Kasim, të kam sjellë një dhuratë”, u përgjigj ajo. Profeti s.a. porositi një sahab që ishte aty, që t’i pranonte gjërat që kishte sjellë ajo. Kur Profeti s.a. u ul në sofër për të ngrënë darkë, bashkë me ushqimet e tjera, kishte edhe mish keci të pjekur. Profeti s.a. mori një kafshatë prej mishit. Pastaj sahabi i tij Beshir ibni el-Berau ibni el-Me’ruri gjithashtu hëngri një copë nga ai.”

Në librat e historisë, emri i Bishr ibn el-Beraut r.a. është përmendur si Beshir ibn el-Bera. Prandaj Kalifi i Dytë r.a. ka shënuar emrin Beshir ibn el-Bera, i cili i referohej Bishr ibn el-Beraut.

“Kur edhe sahabët e tjerë të pranishëm zgjatën duar për të marrë mishin e pjekur, Profeti s.a. sakaq tha: “Mos e hani, sepse kjo shpatulle më tha që mishi është i helmuar”.

Kjo është një shprehje arabe. Kjo nuk do të thotë se Profeti a.s. kishte marrë ndonjë shpallje. Ai në fakt kishte zbuluar se mishi ishte i helmuar. Shpatulla nuk kishte folur asgjë, përveçse Profeti s.a.v.s. kishte diktuar menjëherë se mishi kishte helm. Fjalia pasardhëse e shtjellon këtë dyshim. Edhe në Kuranin Famëlartë përmendet një ngjarje nga jeta e Musait a.s., dhe përshkruhet për një mur i cili donte të shembej. Kjo shprehje nënkupton që murit i ishin shfaqur shenjat e shembjes. Prandaj, kjo shprehje arabe është përdorur në të njëjtin kuptim. Ai rrëfen këtë ngjarje më tej:

“Beshiri r.a. tha: “Pasha Atë Zot që ju dha nder, edhe unë ndjeva që kishte helm në kafshatën time. Desha ta hidhja, por mendova se mos do t’ju vinte keq dhe mos do t’ju prishja darkën. Kur ju e gëlltitët kafshatën, edhe unë e gëlltita, edhe pse në zemër lutesha të mos e hanit atë”. Beshiri r.a. u sëmur vetëm pas pak kohe dhe, siç thuhet në disa rrëfime, ai ndërroi jetë aty në Khejber, ndërsa ka edhe transmetime që pohojnë se ai mbeti sëmurë për disa ditë dhe pastaj ndërroi jetë. Profeti s.a. mishin ia hodhi një qeni, që ngordhi pasi e hëngri. Atëherë Profeti s.a. e thirri atë grua dhe e pyeti nëse vërtet e kishte helmuar mishin. “Kush të tha?” e pyeti ajo. Profeti s.a. ende po mbante shpatullën e kecit në dorë. “Kjo ma tregoi” i tha Profeti s.a.. Gruaja e kuptoi që Profetit iu zbulua sekreti dhe ajo e pranoi që vetë e kishte helmuar mishin. Profeti s.a. e pyeti: “Çfarë të shtyu të bëje një veprim kaq të ulët?” Ajo tha: “Keni luftuar me popullin tim dhe janë vrarë të afërmit e mi. Mendova që të të jepja ushqim me helm, që, nëse do të ishe batakçi, ne do të të hiqnim qafe, e nëse vërtet do të ishe profet i Zotit, atëherë Vetë Zoti do të të shpëtonte”. Profeti s.a. e fali kur e dëgjoi arsyetimin e saj dhe, edhe pse meritonte padyshim dënimin me vdekje, nuk e ndëshkoi. Kjo ngjarje tregon se si Profeti s.a. i falte edhe ata që tentonin ta vrisnin atë dhe ia martirizonin shokët. Realisht, ai dënonte dikë vetëm atëherë, kur jeta e atij personi do të bëhej shkak i shumë trazirave në të ardhmen”.

(Jeta e Muhammedit s.a., f. 210-212)

Megjithatë, është krijuar një përshtypje, e cila drejtohet gjithashtu si një akuzë se gjoja i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte ndërruar jetë si pësojë e këtij helmi. Shumë historianë, autorë dhe biografë kanë ngritur këtë çështje, madje disa nuk ngurrojnë për t’i dhënë atij gradën e dëshmorit.

Me të vërtetë, kjo është një çështje që nuk ka bazë. Qendra e hulumtimit kanë dërguar një shënim që vlen të lexohet këtu. Ata shkruajnë:

“Qofshin veprat e historisë, biografisë apo të hadithit, të gjitha janë në pajtim se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kurrsesi nuk kishte ndërruar jetë nga helmimi. Çdokush që mbështet mendimin e lartpërmendur, gjoja Profeti s.a.v.s. kishte ndërruar jetë nga helmi, është i painformuar ose i gabuar. Duhet ditur që ngjarja e helmimit, kishte ndodhur në kohën e betejës së Khejberit, e cila ishte zhvilluar në fund të vitit 6 apo fillimit të vitit 7 pas hixhretit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. jetoi për katër vite të tjera pas kësaj ngjarjeje. Ai kaloi një jetë të plotë dhe të gjallë. Mori pjesë në ekspeditë ushtarake, dhe nuk u duk asnjë mangësi në adhurim apo angazhime të tij të përditshme. Asnjë njeri i mençur nuk mund mendojë se shfaqja e etheve dhe dhembja e fortë në kokë pas katër viteve, që e çuan deri në vdekje, ishin pasoja e atij helmimi“.

Faktikisht, e gjithë kjo katrahurë, buron nga keqkuptimi i një hadithi që gjendet në Buhari dhe në libra të tjerë. Sipas këtij hadithi, Aisheja r.a. ka thënë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në sëmundjen e tij të fundit, më thoshte se o Aishe! Unë gjithmonë kam hequr dhembjen nga ushqimi që kishte ngrënë në Khejber, ndërsa tani më duket sikur më çahen venat nga helmi”. Duke u nisur nga ky hadith, muslimanët, dijetarët, komentuesit e Kuranit dhe dijetarët e hadithit kanë përfunduar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte ndërruar jetë nga kjo dhembje. Pastaj, ata vijojnë duke thënë që në bazë të këtij përfundimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mund të cilësohet si dëshmor, edhe pse ky transmetim nuk mbështet në asnjë mënyrë një përfundim të tillë.

Në këtë hadith, përmendet vetëm për dhembjen trupore që kishte hequr i Dërguari i Allahut s.a.v.s., se të gjithë e dinë se në situata të caktuara, sëmundje, dhimbje apo plagë të vjetra rishfaqin veten.

Sipas transmetimeve, mishin e helmuar që i ishte shtruar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., nuk e kishte gëlltitur ai, veçse e kishte mbajtur në gojë për një kohë shumë të shkurtër. Po të pranohet se ai e kishte gëlltitur mishin, prapë jeta e tij e gjallë dhe aktive, e përgënjeshtron tezën se kishte vdekur ai nga helmimi.

Megjithatë, dëmi që kishin pësuar mëlçia apo zorrët, nga helmimi, ishte shumëfishuar gjatë kohës së sëmundjes. Atij gjithashtu i ishte shfaqur një plagë në fyt, e cila e mundonte nganjëherë gjatë kapërcimit të ushqimit.

Kjo ngjarje është ruajtur hollësisht në librat e haditheve. Sipas fjalëve të hadithit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte diktuar se mishi kishte helm, prandaj ai i kishte ndaluar sahabët nga ngrënia dhe thirri atë grua e cila tregoi se po të ishte një i dërguar i vërtetë prej Zotit, ai do të shpëtonte, ndryshe ata do të hiqnin qafe prej tij. Hadithet gjithashtu tregojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte shpëtuar këtë atentat, madje sipas rrëfimeve, ajo grua kishte pranuar Islamin.

Pra, derisa hebrenjtë dëshmojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte shpëtuar këtë atentat dhe e quajnë këtë ngjarje një mrekulli, është absurde të pranohet ky mendim se gjoja ai kishte ndërruar jetë nga helmimi. InshAllah, ngjarje të tjera do të trajtohen gjatë ditëve në vazhdim.

Në fund të hutbes, Huzuri a.b.a. rrëfeu shkurtimisht jetën e dy anëtarëve të ndjerë, xhenazja e të cilëve, ai udhëhoqi pas namazeve:

  1. Nesir Ahmed nga Raxhenpur, Pakistan, ndërroi jetë më 21 nëntor 2019, në moshën 63 vjeç
  2. Ataul Karim Mubashar nga Kanadaja, ndërroi jetë më 13 nëntor 2019 më moshën 75 vjeç.
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp