Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përmbledhja e hutbes së xhumasë të mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 15.11.2019.

Hazret Kalifi i Pestë a.b.a. tha: “Hutben e fundit mbi jetën e sahabëve të Bedrit, e kam mbajtur në Gjermani. Gjatë kësaj hutbeje kam trajtuar jetën e Abdullah ibn Abdullah ibn Ubejj ibn Selulit, dhe e kisha mbyllur duke folur mbi babanë e tij Abdullah ibn Ubej ibn Selul. Këtë temë do të vijoj edhe në këtë hutbe”.

Në betejën e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke pranuar këshillën e të rinjve, kishte vendosur për të luftuar jashtë Medinës. Fillimisht Abdullah ibn Ubej ibn Seluli iu bashkua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me 300 ushtarë të tij. Por, sa mbërriti në rrëzën e malit Uhud, ai tradhtoi dhe u kthye mbrapsht në Medinë duke thënë se gjoja Muhammedi s.a.v.s. nuk ia kishte marrë parasysh mendimin. Sipas tij, dalja nga Medina dhe zhvillimi i luftës jashtë qytetit barazohej me vetëvrasje, dhe kështu ai nuk mund të çonte veten në këtë shkatërrim.

Qysh prej fillimit Abdullah ibn Ubej ibn Seluli sillej me hipokrizi dhe hipokriti është gjithmonë frikacak, prandaj në këtë situatë hipokrizia e tij doli në shesh. Pas tërheqjes së ushtarëve të tij, numri i muslimanëve mbeti vetëm shtatëqind. Megjithatë, pas nisjes së luftës, muslimanët e thyen ushtrinë armike dhe kishin pothuaj triumfuar, kur, për shkak të mosbindjes ndaj porosisë së Profetit s.a.v.s. dhe dezertimit të grykës së malit, muslimanët pësuan një humbje të thellë.

Huzuri tha që sjellja e Abdullah ibn Ubej ibn Selulit në situatën pas luftës u ashpërsua akoma më shumë. Ai tashmë kishte nisur të përhapte fjalë fyese dhe shpifje të ulëta ndaj Profetit s.a.v.s. dhe muslimanëve të tjerë. Këto ngjarje gjithashtu hedhin dritë mbi karakterin e djalit të tij Abdullah ibn Abdullah r.a. dhe spikatin dashurinë e tij ndaj Islamit dhe të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Me të vërtetë, Abdullahu r.a. nuk do të kursente asgjë për t’iu kundërvënë babait të tij, nëse ky i fundit sulmonte Islamin apo fyente Muhammedin s.a.v.s..

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. në veprën e tij “Siret Khatemun Nebijjin” ka përshkruar sjelljen fyese të grupit hipokrit. Ai shkruan:

“Pas betejës së Uhudit, hebrenjve dhe hipokritëve të Medinës u doli frika që i kishte kapluar pas luftës së Bedrit, dhe Abdullah ibn Ubej ibn Seluli dhe ithtarët e tij tashmë bënin fyerje dhe thoshin hapur fjalë tallëse. Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shmangej atyre, por në vend që të ndërgjegjësoheshin nga butësia e Profetit, ata u trimëruan akoma në ligësi dhe biseda të pahijshme.

Në vitin 5 pas hixhretit, duke u kthyer nga lufta e Mustalik-ut, Profeti s.a.v.s. vendosi të ndalej për disa ditë në Merisi. Emri i këtij vendi lidhej me një burim, që mbante të njëjtin emër. Gjatë qëndrimit në këtë vend, ngjau diçka e shëmtuar, e cila kishte mundësi të nxiste një konflikt të përgjakshëm ndër muslimanët. Por, largpamësia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ndikimi i tij i thellë shpëtoi muslimanët nga përshkallëzimi i fitnes dhe pasojat e saj të rrezikshme. Ndodhi që një shërbëtor i Omerit r.a. me emrin Xhuhxha shkoi te burimi Marisi për të mbushur ujë, dhe rastësisht aty erdhi një person që quhej Sinan nga aleatët e Ensarëve, po për të mbushur ujë. Këta dy ishin njerëz të pagdhendur e të paedukatë dhe vinin nga shtresa e ulët e shoqërisë. Ata u fjalosën me njëri-tjetrin dhe puna arriti gjer në zënkë. Xhuhxha e goditi Sinanin, ndërsa ky i fundit filloi të ulërinte fort dhe thërriti fisin e vet duke thënë: O grup i Ensarëve! Ejani dhe ndihmomëni se më qëlloi dhe më rrahu. Duke parë atë që bënte Sinani, edhe Xhuhxha bëri thirrje popullit të tij: O Muhaxhir! Ejani! Më ndihmoni!. Sa dëgjuan këto thirrje, Ensarët dhe Muhaxhirët të dy nxituan drejt burimit me shpata të zhveshura. Brenda pak çasteve aty u grumbullua një turmë e madhe. Disa djelmosha të papjekur kishin gati sulmuar njëri-tjetrin nëse nuk do të ndërhynin në kohë disa muslimanë të matur dhe të urtë nga radha e Ensarëve dhe Muhaxhirëve. Ata i ndanë grupet, ua qetësuan gjakrat dhe i pajtuan me njeri-tjetrin.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi këtë ndodhi, ai e përshkroi këtë si shfaqje e injorancës dhe shprehu pakënaqësi mbi atë kishte ngjarë. Ndonëse, u shmang një situatë e padëshirueshme, kreu i hipokritiëve Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, i cili gjendej në këtë ekspeditë ushtarake, sa dëgjoi për këtë ngjarje, tentoi të nxiste pështjellim e trazira. Ai dhe shokët e tij i nxitën njerëzit kundër Profetit dhe muslimanëve mekasë duke thënë se ishte faji i tyre që u kishin dhënë mbrojtje muslimanëve të papërkrahur, ndërsa sot ata janë bërë mbizotërues. U duhej të tërhiqeshin menjëherë nga mbështetja ndaj tyre, që ata të ktheheshin prapë në Mekë. Ai nuk u ndal me kaq, madje në fund deklaroi paturpësisht:

يَقُولُونَ لَئِن رَّجَعْنَا إِلَى الْمَدِينَةِ لَيُخْرِجَنَّ الْأَعَزُّ مِنْهَا الْأَذَلَّ ۚ

“Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që i nderuari do t’i dëbojë të mposhturin nga ajo!” (el-Munafikun 63:8)

Për shkak të kësaj ngjarjeje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi Omerin r.a. për të njoftuar njerëzit për marshim drejt Medinës. Ishte koha e drekës dhe Profeti s.a.v.s. kishte zakon të niste marshim gjithmonë në freskinë e agimit. Ai gjithmonë i shmangej lëvizjes ushtarake në piskun e vapës, derisa udhëtimi në atë kohë të ditës ishte tejet i mundimshëm dhe i vështirë. Megjithatë, për shkak të situatës së krijuar, ai vendosi që ushtria muslimane të nisej menjëherë drejt Medinës.

Në atë çast, Usejd ibn Hudejr el-Ensariu r.a., një ndër liderë të shquar të fisit Aus, shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Ju zakonisht nuk urdhëroni për të marshuar në këtë kohë. Çfarë ka ndodhur që keni dhënë urdhër për të lëvizur në drekë? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: O Usejd! A nuk e ke dëgjuar atë që ka thënë Abdullah ibn Ubej? Ai ka thënë se kur të mbërrijnë në Medinë, i nderuari apo i fuqishmi do të dëbojë të mposhturin. Usejdi iu përgjigj sakaq: O Profet! Është e vërtetë, por nëse doni, ju mund ta dëboni Abdullahun nga Medina. Pasha Allahun! Nderi dhe madhështia ju takojnë juve, e jo atij. Sigurisht ai është i poshtëruar. O i Dërguari i Allahut! Ju e dini se para se të mbërrinit në Medinë, Abdullah ibn Ubej ibn Seluli gëzonte respekt dhe populli i tij kishte menduar ta zgjidhte atë si mbret, por plani dhe përpjekjet e tij përfunduan në disfatë të plotë. Për këtë arsye ai vepron nga smira ndaj jush. Mos u kushtoni asnjë rëndësi pallavrave të tij dhe shmangeni atij!

Pas pak kohe erdhi djali i Abdullah ibn Ubej ibn Selulit. Ai njihej si Hubab, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte vënë emrin Abdullah. Ai ishte ndër shokët më besnikë të Profetit s.a.v.s. Ai takoi Profetin dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Kam dëgjuar se keni ndërmend të vendosni ekzekutimin e babait tim, për shkak të fyerjeve dhe komploteve të tij të rrezikshme. Nëse ashtu keni vendosur, atëherë më jepni leje, që t’ia pres kokën babit tim, dhe t’ju sjell këtu menjëherë. Por, ju lutem, mos ia jepni këtë detyrë dikujt tjetër. Druhem që ndonjë ndjenjë prej gjendjes së injorancës të zgjohet në nënvetëdijen time dhe të hakmerrem kundër vrasësve të babait tim. Në këtë mënyrë, do të përfundoj në xhehenem, edhe pse synoj të fitoj pëlqimin e Zotit tim. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjoi fjalët e Abdullahut r.a., ai e sqaroi se nuk kishte absolutisht asnjë dëshirë për të bërë një gjë të tillë, madje e siguroi se do të sillej gjithmonë me mëshirë dhe dhembshuri ndaj babait të tij.

Megjithatë, Abdullah ibn Abdullah ibn Ubej r.a. ishte fryrë aq shumë kundër babait të tij, saqë kur ushtria muslimane u kthye në Medinë, ai ia preu rrugën dhe i tha: Pasha Allahun! Nuk do të të lejoj të kthehesh në Medinë, derisa nuk pranon se Muhammedi s.a.v.s. është më i nderuari dhe ti je i poshtër. Abdullah ia kërkoi këtë me aq shumë ngulm, saqë Abdullah ibn Ubej ibn Seluli u detyrua të pranonte këtë, dhe vetëm atëherë ia liroi rrugën.

Përveç kësaj, hipokritët kishin bërë një shpifje të rëndë që njihet si ngjarja e Ifkut. Trilluesi i kësaj shpifje ishte po Abdullah ibn Ubej ibn Seluli.  Pasi e sqaroi këtë ngjaje, Huzuri tha, Profeti savs iu drejtua Sahabëve dhe në lidhje me Abdullah ibn Ubej ibn Selulin tha: “Kush do të hakmerret me atë njeri, i cili më ka lënduar për bashkëshorten time. Pasha Allahun! Unë nuk kam parë kurrë asgjë të keqe në gruan time. Ata gjithashtu kanë bërë shpifje kundër një personi, të cilit i kam gjetur fisnikëri. Ai kurrë nuk ka hyrë në shtëpinë time pa qenë unë”.

Aisheja r.a. rrëfen se një ditë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më pyeti direkt për këtë akuzë. Unë i thashë: Pasha Allahun! Unë e di se keni dëgjuar ato fjalë që po përhapin njerëzit dhe po më akuzonin për diçka. Nëse them që jam e pafajshme dhe nuk kam bërë asgjë të keqe, dhe Zoti është dëshmitar po them të vërtetën, ju prapë nuk do të më besoni mua, sepse tashmë kjo shpifje është përhapur gjithkund, dhe ndoshta do të më konsideroni të nadershme. Pasha Allahun! Unë nuk shoh asnjë shembull të ngjashëm për mua dhe ju, përveç atij të babait të Jusufit a.s. i cili kishte thënë:

فَصَبْرٌ جَمِيلٌ ۖ وَاللَّـهُ الْمُسْتَعَانُ عَلَىٰ مَا تَصِفُونَ

“Andaj, (s’më mbetet veçse) durim i bukur! Vetëm Allahut mund t’i kërkohet ndihmë për atë që tregoni”. (Jusuf 12:19)

Aisheja r.a. rrëfen: Unë recitova këtë ajet dhe shkova në shtratin tim duke shpresuar se Allahu do t’ia shpallte Profetit s.a.v.s. pafajësinë time. Pasha Allahun! I Dërguari i Allahut s.a.v.s. as nuk ishte ngritur nga vendi dhe askush nga familja ime nuk ishte larguar, që ai aty për aty mori një shpallje. Ai përjetoi po atë mundim që kalonte gjatë zbritjes së shpalljes. Ai djersitej aq shumë saqë edhe në netët e dimrit, i kullonin djersët çurkë.

Kur iu largua gjendja e shpalljes, një buzëqeshje e ëmbël rrëzohej në fytyrën e tij. Ai tha: “O Aishe! Falënderoje Allahun sepse Ai të ka shfajësuar”. Nëna ime më tha të shkoja te Profeti. Unë i thashë: “Jo, kurrsesi. Pasha Allahun! Unë nuk do të ulem pranë tij e as nuk do ta falënderoj atë. Unë do të falënderoj vetëm Allahun”.

Shpallja të cilën e kishte marrë Profeti s.a.v.s. ishte:

إِنَّ الَّذِينَ جَاءُوا بِالْإِفْكِ عُصْبَةٌ مِّنكُمْ ۚ لَا تَحْسَبُوهُ شَرًّا لَّكُم ۖ بَلْ هُوَ خَيْرٌ لَّكُمْ ۚ لِكُلِّ امْرِئٍ مِّنْهُم مَّا اكْتَسَبَ مِنَ الْإِثْمِ ۚ وَالَّذِي تَوَلَّىٰ كِبْرَهُ مِنْهُمْ لَهُ عَذَابٌ عَظِيمٌ ﴿١١﴾

Me të vërtetë, ata që kanë shpifur, janë një grup prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. (En-Nur 24:12)

Hazuri vazhdoi më tej duke thënë që edhe pse kreu i hipokritëve nuk hoqi dorë nga prapësitë dhe dredhitë e tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili ishte mëshirë për të gjitha botët, shfaqi sjelljen shembullore ndaj tij.

Kur Abdullah ibn Ubej ibn Seluli vdiq, djali i tij Abdullahu r.a. shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe iu lut për të udhëhequr namazin e xhenazes. Ai gjithashtu u lut që Profeti s.a.v.s. t’i dhuronte një prej këmishëve të tij, që të përdorej si qefin. Profeti s.a.v.s. ia pranoi kërkesën dhe i dha një këmishë të gjatë.

Sipas një transmetimi tjetër, kur vdiq Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, djali i tij Abdullahu r.a. ia kërkoi Profetit këmishën e tij, që të mbështillej si qefin mbi trupin e babait të tij. Ai gjithashtu shprehu dëshirën që Profeti s.a.v.s. të udhëhiqte namazin e xhenazes dhe të lutej për faljen e tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha një këmishë dhe porositi që të lajmërohej kur të jenë përfunduar obligimet e xhenazes. Kur doli Profeti s.a.v.s. për të udhëhequr xhenazen, Omeri r.a. i doli përpara dhe tha: “Por, Allahu ju ka ndaluar nga xhenazja e hipokritëve”. Profeti a.s. u përgjigj: “Mua më është dhënë e drejta për të zgjedhur se të bëj istikfar për të ose jo”. Kështu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. udhëhoqi namazin e tij të xhenazes. Por, më vonë kur nëpërmjet shpalljes u ndalua kategorikisht falja e xhenazes për hipokritët, Profeti s.a.v.s. ndërpreu këtë praktikë.

Sjellja e Profetit s.a.v.s. në momentin e varrimit të Abdullah ibn Ubej ibn Selulit tregon zemërgjerësinë dhe mëshirën e tij. Ndoshta Profeti s.a.v.s. i bëri këtë mirësi për shkak të djalit të tij Abdullah r.a., i cili gjithmonë u tregua besnik dhe me sedër të madhe për Islamin dhe Profetin s.a.v.s., dhe mbrojti jo vetëm fenë e tij por u tregua i ashpër dhe i vendosur para babait të tij.

Hazuri tha, Me këtë ngjarje, përfundon historia e Hazret Abdullahut r.a. Në të ardhmen, do të rrëfej historinë e sahabëve të tjerë.

Në fund të hytbës, Hazuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) e informoi Xhematin për vdekjen e trishtuar të anëtarëve të mëposhtëm:

  1. E ndjera Amatul Hafiiz Sahiba, bashkëshortja e Mevlana Muhamed Umar Sahib nga Kerala, Indi.
  2. I ndjeri Çaudri Muhamed Ibrahim Sahib, ish menaxher dhe botues i revistës mujore Ansarullah, Pakistan.
  3. I ndjeri Raxha Mesut Ahmed Sahib, i biri i Raxha Muhamed Navaz Sahib nga Pind Dadan Khan, Pakistan.
  4. E ndjera Salihe Anvar Abro Sahiba, bashkëshortja e të ndjerit Envar Ali Abro Sahib nga Sindh, Pakistan.
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp