Jeta e Musab ibn Umejrit r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Musab ibn Umejrit r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Mus’ab ibn Umejr el-Muhaxhiri r.a.

Sot, do t’ju rrëfej jetën e Mus’ab ibn ‘Umejrit. Ai i përkiste fisit Benu Abdiddar të Kurejshëve dhe njihej në përgjithësi me nofkën Ebu Abdullah, ndërsa rrallëherë si Ebu Muhammed. Babai i tij quhej ‘Umejr ibn Hashim ndërsa e ëma Khanas apo Hanas, e cila ishte një zonjë e pasur mekase. Prindërit e kishin rritur Mus’abin me shumë naze e përkëdhelje. Ata e vishnin me rrobat më të shkëlqyera e elegante. Mus’abi përdorte parfumin më të shtrenjtë që gjendej në Mekë. Ai ecte me këpucët që i vinin posaçërisht nga Hidrmaut, një vend bregdetar që ndodhej në lindje të Edenit. Këto këpuca bëheshin me porosi dhe përdoreshin vetëm nga shtresa e pasur e Mekës.

Bashkëshortja e Mus’ab ibn ‘Umejrit quhej Hemna bint Xhehsh, e cila ishte motra e Zejneb bint Xhehshit r.a. Bashkëshortes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Nga kjo martesë u lindi një vajzë që njihej me emrin Zejneb. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përkujtonte Mus’ab ibn ‘Umejrit, ai çmallej duke thënë se nuk kishte parë njeriun më të pashëm, më të hijshëm dhe të rritur me aq naze e përkëdhelje se sa Mus’abi.

Shpërngulja në Ebiseni dhe kthimi në Mekë

Mus’ab ibn ‘Umejri r.a. renditej ndër sahabë të shquar, të cilët kishin pranuar Islamin qysh në fillim. Ai e pranoi Islamin, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. predikonte akoma në shtëpinë e Erkemit. Për shkak të kundërshtimit nga e ëma dhe fisi i tij, ai e mbajti të fshehur përqafimin e Islmait dhe e takonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. fshehurazi. Një ditë Osman ibn Talhai e kapi mat duke falur namaz dhe menjëherë njoftoi nënën dhe farefisin e Mus’abit. Prindërit e izoluan në shtëpi por ai gjeti mundësinë për t’u arratisur. Ai mori udhën për në Ebiseni dhe kështu iu bashkua muslimanëve të tjerë që ishin shpërngulur në këtë vend. Pas pak kohe, kur këta muhaxhirë u kthyen në Mekë, Mus’ab ibn ‘Umejri r.a. ishte gjithashtu bashkë me ta. Kur nëna e tij shikoi gjendjen e tij të mjerueshme, hoqi dorë nga çdolloj kundërshtimi dhe u pajtua me dëshirën e djalit.

Vuajtja e përndjekja për shkak të Islamit

Mus’abi r.a. kishte nder të bënte dy hixhrete, një herë drejt Abisinisë dhe herën tjetër ndaj Medinës. Sa’d ibn Vekasi rrëfen se kishte parë Mus’ab ibn ‘Umejrin si në periudhën para Islamit, po ashtu pas pranimit të Islamit. Ai duroi aq shumë vuajtje dhe mundime për shkak të Islamit saqë lëkura e tij ndërrohej vazhdimisht, njësoj si gjarpër. Nëse i hiqej një shtresë lëkure, i shfaqej një tjetër. Ky ishte shembulli i tij në sakrificë dhe vetëmohim.

Mus’abi me rroba të arnuara

Një ditë Mus’ab ibn ‘Umejri r.a. shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., teksa ai kuvendonte me sahabët. Mus’abi kishte veshur rroba të grisura, të cilat i kishte qepur me arna lëkure. Ky djalosh që dikur vishej në rroba më të shtrenjta, tashmë pas pranimit të Islamit, mbështillej me rroba me arna. Sahabët kur e panë atë, menjëherë i ulën kokat, sepse as ata nuk ishin në gjendje t’i ofronin diçka Mus’abit.

Mus’abi ibn ‘Umejri r.a. e përshëndeti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe ai iu përgjigj me përzemërsi dhe shprehu fjalë të mira për të dhe ia ngriti lart meritat. Pastaj tha: “U gëzofshin lakmitarët me dynjanë e tyre! E kam parë Mus’abin, kur në Mekë nuk kishte njeri më të pasur dhe më të begatshëm se ai. Ai ishte fëmija më i dashur dhe më i përkëdhelur për prindërit e tij. Ndërsa sot, dashuria ndaj Zotit dhe të Dërguarit të Tij, e kanë transformuar në një gjendje krejt tjetër. Ai ka mohuar çdo rehati për pëlqimin e Zotit”. Sa’d ibn Vekasi r.a. ka thënë që Profetit i lotonin sytë, teksa ai kujtonte gjendjen e mëparshme të Mus’abit plot naze e rehati.

Si do të jetë gjendja juaj kur …..?

Aliu r.a. rrëfen se ishim me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., kur na erdhi Mus’ab ibn ‘Umejri. Ai kishte mbështjellë veten me një çarçaf të grisur, të cilin e kishte arnuar me lëkurë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa në këtë gjendje, ai u mallëngjye duke kujtuar kohën e tij të mëparshme të rehatisë dhe përkëdhelisë. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të pranishmëve u shtroi një pyetje: Si do të jetë gjendja juaj, kur dikush prej jush do të gdhijë në një veshje të re, dhe do të ngrysë në veshjen tjetër. (Pra, muslimanëve do të gëzonin aq shumë mbarësi, saqë do të ndërronin rrobat dy herë në ditë. Pastaj tha) Do t’i shtrohet gjellë në një tas, ndërsa do t’i hiqet tasi tjetër (d.m.th. ushqimi do të jetë i llojllojshëm dhe i bollshëm). Ju do të vendosni në shtëpitë tuaja perdet, sikur i vini Qabesë. Sahabët e pyetën: O i Dërguar i Allahut! A do të kemi më shumë mbarësi se tani? A do të kemi më shumë kohë për adhurim?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u përgjigj: Jo, përkundrazi ju jeni më mirë tani. Gjendja juaj aktuale, adhurimet tuaja dhe sjelljet tuaja janë shumë herë më të lartë se ato që do të kenë njerëzit në periudhën e mbarësisë.

Ngjarja e hixhretit

Mirza Bashir Ahmedi r.a. në veprën e tij “Siret Khatemun Nebijjin” ka përshkruar ngjarjen e hixhretit. Unë ju parashtroj këtë shënim, në mënyrë të përmbledhur. Ai shkruan:

“Sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., një grup besimtarësh, i përbërë nga 11 burra dhe 4 gra mori rrugën e mërgimit drejt Abisinisë. Kjo ngjarje ndodhi në muajin Rexhep, në vitin 5 pas shpalljes së Profetit. Në këtë grup, bënte pjesë dhe Mus’ab ibn ‘Umejri r.a.. Është e çuditshme që shumica nga këta refugjatë të parë u përkisnin fiseve të fuqishme të Kurejshëve të Mekës dhe shumë pak konsideroheshin njerëz të pafuqishme. Nga kjo, arrijmë në dy përfundime:

  1. Së pari, besimtarët që u përkisnin fiseve të fuqishme, nuk kishin mbrojtje e imunitet nga persekutimi i vazhdueshëm.
  2. Së dyti, besimtarët e pafuqishëm, ishin në gjendje aq të mjerueshme, saqë nuk kishin mundësi as për t’u shpërngulur nga Meka.

Kur mësuan se muslimanët ishin shpërngulur nga Meka, kurejshëve u hipi inati dhe ata u mbushën me mllef se viktima u kishte shpëtuar. Ata menjëherë u vunë në lëvizje dhe ndoqën gjurmët e emigrantëve, por para se të mbërrinin në bregdet, anija ishte nisur. Në një anë, kurejshët pësuan dështim në planin e tyre, ndërsa në anën tjetër muslimanët fituan liri nga zullumet e kurejshëve dhe një jetë me paqe e harmoni.

Në ngjarjen e bejtit të parë në Akaba, 12 persona nga Medina kishin lidhur besëlidhje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Kur u nisën për t’u kthyer në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shoqëroi Mus’ab ibn ‘Umejrin me ta, që t’i mësonte Kuranin dhe t’u jepte mësimet e Islamit. Në Medinë, ai njihej si recitues ose mësues.

Sipas një transmetimi tjetër, disa njerëz nga fiset Eus dhe Hazrexh, iu lutën të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të dërguar dikë nga Meka, që mund t’ua mësonte Kuranin. Profeti e zgjodhi Mus’abin për këtë detyrë dhe e porositi për të shkuar bashkë me ta në Medinë. Atje, Mus’abi u vendos në shtëpinë e Es’ed ibn Zuraras r.a. por më vonë ai u transferua në shtëpinë e Sa’d ibn Mu’adhit r.a..

Bara ibn ‘Azibi r.a. transmeton se të parët nga sahabët muhaxhirë të Profetit s.a.v.s. të cilët na mbërritën në Medinë ishin Mus’ab ibn ‘Umejri dhe Ibni Umi Mektumi. Menjëherë pas ardhjes së tyre në Medinë, ata na dhanë mësimin e Kuranit Famëlartë. Më vonë erdhën Amari r.a., Bilali r.a. dhe Sa’di r.a.. Omer ibn Hatabi r.a. gjithashtu mbërriti në Medinë me disa sahabët të tjerë, dhe nuk kaloi shumë që erdhi i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Unë nuk kam parë kurrë banorët e Medinës, aq të lumtur dhe të gëzuar, siç ishin në ardhjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Atë ditë djem dhe vajza të vogla nuk përmbanin dot gëzimin e tyre dhe thoshin plot hare “Ju jeni i Dërguar i Allahut dhe keni ardhur si mysafir”.

Mus’abi fillon thirrje ndaj Islamit në Medinë

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. na ka sjellë më shumë njohuri për jetën e Mus’ab ibn ‘Umejrit r.a.. Ai shkruan:

“Ata që pranuan Islamin në shtëpinë e Erkemit, konsiderohen të parët. Një ndër të njohurit prej tyre është Mus’ab ibn ‘Umejri. Ai ishte prej fisit Benu Abdidar dhe ishte një djalë shumë i pashëm dhe tërheqës. Ai gëzonte respekt në mbarë fis. Ishte pikërisht ky djalosh, i cili u dërgua si misionari i parë musliman në Medinë dhe falë përpjekjeve të tij, Islami u përhap në Medinë.

Në një libër të historisë, përmendet që Mus’ab ibn ‘Umejri r.a. ishte muslimani i parë, i cili kishte udhëhequr namazin e xhumasë në Medinë, para hixhretit. Në besëlidhjen e dytë të Akabasë, Mus’ab ibn ‘Umejri i kishte kërkuar leje të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për namazin e Xhumasë. Pas marrjes së lejes, Mus’abi drejtoi namazin e parë të xhumasë në shtëpinë e S’ad ibn Hejthemes r.a. dhe 12 persona kishin marrë pjesë në të. Për ta shënuar këtë ditë, ai gjithashtu theri një kurban. Mus’abi r.a. ishte muslimani i parë i cili kishte drejtuar namazin e xhumasë.

Megjithatë, sipas një transmetimi tjetër, Ebu Umame Es’ed ibn Zurara kishte udhëhequr xhumanë e parë në Medinë.

Mus’abi r.a. bashkë me Es’ed ibn Zurara shkonte në lagje të ndryshme të Medinës dhe u bënte thirrje njerëzve ndaj Islamit. Shumë prej sahabëve të shquar, kishin përqafuar Islamin, nga përpjekjet e tij. Disa prej tyre janë: Sa’d ibn Mu’adhi, Abad ibn Bishri, Muhammed ibn Meslema, Usejd ibn Hudejr etj.

Usejd ibn el-Hudejri dhe Sa’d ibn Mu’adhi pranojnë Islamin

Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka përshkruar veprimtarinë e Mus’abit në përhapjen e Islamit me këto fjalë:

“Duke u nisur nga Meka, këta 12 muslimanë të rinj e kishin kërkuar Profetin s.a.v.s. që të dërgohej një mualim bashkë me ta, i cili t’u mësojë Islamin dhe t’i ftojë bashkëkombësit e tyre idhujtarë në Islam. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi Mus’ab ibn ‘Umejrin, një djalosh të devotshëm nga fisi Abdudar. Në atë kohë, misionarët musliman njiheshin si recitues ose مُقْرِئ mukriun, për derisa detyra e tyre kryesore ishte recitimi i Kuranit dhe ai ishte mënyra më e mirë për thirrje ndaj Islamit. Mus’abi gjithashtu u bë i njohur si “Mukriun” në Medinë.

Mus’abi r.a. pas mbërritjes në Medinë, gjeti strehimin në shtëpinë e Es’ed ibn Zurarës, i cili ishte muslimani i parë në Medinë dhe qe një figurë e ndershme e me ndikim në shoqëri. Mus’abi r.a. e ktheu atë shtëpi në qendrën e aktiviteteve misionare dhe nisi përmbushjen e detyrave me zell të madh. Meqë muslimanët në Medinë gëzonin jetën shoqërore dhe paqe e harmoni në krahasim me Mekën, prandaj pas sugjerimit të Es’ed ibn Zurarës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi Mus’ab ibn ‘Umejrin për të nisur namazin e Xhumasë në Medinë. Kështu nisi të ngjizej shoqëria muslimane në Medinë dhe falë mëshirës së Allahut, Islami u bë tema kryesore në çdo shtëpi. Fiset Eus dhe Hazrexh filluan të pranonin Islamin masivisht dhe në rastin më të mirë një fis i tërë përqafonte Islamin brenda një dite. Fisi Benu Abdil Esh’hel, i cili ishte pjesë e respektuar e fisit Eus të ensarëve, pranoi Islamin në një ditë të vetme. Sa’d ibn Mu’adhi nuk ishte kryetari i fisit Benu Abdul Esh’hel por lideri i mbarë fisit Eus.

Në fillim, kur diskutohej rreth Islamit në Medinë, Sa’d ibn Mu’adhi nuk e shikonte këtë me sy të mirë, madje ai vendosi ta ndalojë atë rreptësisht. Sa’di ishte kushëriri me Es’ed ibn Zurarën ndërsa ky i fundit kishte pranuar Islamin. Në fillim Sa’d ibn Mu’adhi nuk donte të ndërhynte në këtë mesele nga frika që mos ngatërrohen punët. Për t’iu shmangur prishjes së marrëdhënieve, ai foli me një të afërm Usejd ibn el-Hudejr dhe i tregoi se kishte rezerva ndaj Es’ed ibn Zurarës, derisa ai kishte pranuar Islamin, madje po ndihmonte në përhapjen e kësaj feje. Ai gjithashtu i tha për të ndaluar Mus’abin, sepse ai, sipas tij, po përhapte mosbesim në shoqëri. Po ashtu, ai i kërkoi që të paralajmëronte Es’ed ibn Zurarën se sjellja e tij është e gabuar.

Usejdi ishte prej krerëve të shquar të fisit Abdul Esh’hel dhe i ati i tij kishte qenë kryetar i mbarë fisit Eus në luftën e Bu’athit. Pas Sa’d ibn Mu’adhit, Usejdi gjithashtu gëzonte autoritet të lartë në fisin e tij. Kështu, sipas porosisë së Sa’dit ai takoi Mus’ab ibn ‘Umejrin dhe Es’ed ibn Zurarën. Në fillim ai iu drejtua Mus’abit dhe i tha plot inat: Përse po i çon njerëzit tanë në mosbesim? Po të lajmëroj për të hequr dorë nga veprimtaria jote, ndryshe pasojat do të jenë të rënda?” Para se t’i përgjigjej Mus’abi, Es’ed ibn Zurara i pëshpëriti në vesh “Ky është kryetar i fuqishëm i fisit të tij. Flisni me butësi e dashamirësi”. Mus’abi veproi sipas këshillës së tij dhe tha: “Ju lutem, mos u zemëroni! Urdhëroni këtu vetëm për pak çaste dhe dëgjoni me gjakftohtësi kërkesën tonë. Pastaj, jeni i lirë për të na gjykuar”. Usejdi ishte njeri i drejtë, dhe meqë kërkesa e Mus’abit ishte plotësisht e logjikshme, prandaj ai u ul pranë tyre. Mus’abi i recitoi një pjesë nga Kurani Famëlartë dhe me shumë dashamirësi i shpjegoi mësimet e Islamit. Fjalët e tij, i hyrën thellë në zemër dhe ai aty për aty pranoi Islamin. Ai gjithashtu tha që pas tij qëndron një njeri, i cili nëse pranon Islamin, i gjithë fisi i tij do të bëhet musliman. Ai premtoi se do ta dërgonte atë menjëherë për të biseduar rreth Islamit.

Usejdi u largua nga vendi dhe pak më vonë me pak plan, dërgoi Sa’d ibn Mu’adhin te Mus’abi dhe Es’edi. Sa’d ibn Mu’adhi doli përpara dhe i foli ashpër Es’edi ibn Zurarës: O Es’ed! Nuk është e drejtë që të përfitosh nga lidhjet farefisnore. Unë jam i heshtur vetëm për shkak të kësaj lidhjeje. Andaj, mos e keqpërdor këtë për qëllimet e tua!” Mus’abi i ftohu gjakrat duke folur me butësi e dhembshuri, njësoj sikur kishte bërë me Usejdin. Ai i tha: “Ju lutem, uluni këtu dhe na dëgjoni vetëm pak. Nëse ju duket diçka e papranueshme apo e padrejtë, ju keni plotësisht të drejtë për të përjashtuar atë”. Sa’di iu përgjigj: “Në rregull, kërkesa juaj është e drejtë”. Ai e vendosi shtizën për tokë dhe u ul bashkë me ta. Mus’abi njësoj i recitoi edhe atij disa pjesë nga Kurani Famëlartë dhe pastaj i shpjegoi bukuritë e mësimeve të Islamit në një mënyrë të mrekullueshme. Nuk vonoi shumë dhe Sa’di gjithashtu iu bind vërtetësisë së Islamit. Ai sipas sunetit, lau veten dhe pranoi Islamin duke recituar shehadetin. Pastaj, Sa’d ibn Mu’adhi dhe Usejd ibn el-Hudejri shkuan te populli i tyre. Sa’di iu drejtua popullit të tij dhe shtroi një pyetje: “O populli Abdul Esh’hel! Si më vlerësoni mua?” Ata iu përgjigjën njëzëri: “Ju jeni prijësi ynë. Ju jeni prijës dhe babai juaj ishte gjithashtu prijës. Ne ju besojmë plotësisht”. Sa’di u tha: “Atëherë, nuk kam asnjë lidhje me ju, derisa nuk besoni në Allah dhe në të Dërguarin e Tij”. Pastaj Sa’di u shpjegoi parimet dhe mësimet e Islamit. Nuk kishte mbaruar dita akoma, kur i gjithë fisi kishte pranuar Islamin. Sa’di dhe Usejdi nxorën vetë idhujt e fisit, dhe i shkatërruan me duart e tyre.

Sa’d ibn Mu’adhi dhe Usejd ibn el-Hudejri renditen ndër sahabë të shquar, ndërsa ndër sahabët ensarë, ata gjenden në shkallën më të lartë. Veçanërisht, Sa’d ibn Mu’adhi r.a. gëzonte të njëjtën pozitë në ensarët e Medinës, siç e kishte Ebu Bekri ndër sahabët muhaxhirë të Mekës.

Ky djalosh shquhej për sinqeritetin dhe besnikërinë e tij ndaj Islamit si dhe për dashurinë vetëmohuese ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai ishte shumë i zgjuar. Duke qenë kryetar i mbarë fisit, ai arriti atë pozitë të lartë, që gëzonin vetëm disa sahabë të zgjedhur. Fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilat ai shprehu në vdekjen e Sa’dit në lulen e rinisë, vulosin një të vërtetë madhore se “vdekja e Sa’dit ka tronditur Arshin e të Gjithëmëshirshmit”.

Kështu Islami u përhap dhe lulëzoi me shpejtësi në fiset Eus e Hazrexh. Hebrenjtë i shikonin me ankth këto zhvillime dhe shfaqnin frikë për të ardhmen.

Shumë njerëz pranuan Islamin nga përpjekjet dhe thirrjet e Mus’abit r.a.. Në vitin e 13 të shpalljes së Profetit, 70 Ensarë erdhën në Medinë. Ata ishin muslimanë ose dëshironin ta përqafojnë Islamin tani dhe kishin dëshirë të takoheshin me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në Mekë. Mus’ab ibn ‘Umejri r.a. e shoqëronte këtë grup.

Dashuria e madhe e Mus’abit ndaj Profetit s.a.v.s.

Nëna e Mus’abit, ndonëse ishte idhujtare, e donte pamasë djalin e saj. Kur mësoi për ardhjen e Mus’abit në Mekë, ajo menjëherë i dërgoi mesazin, që së pari duhet të vinte për ta takuar atë, e pastaj të shkonte diku tjetër. Mus’abi e njoftoi se derisa nuk ishte takuar akoma me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., andaj ai do të vinte vetëm pas takimit me Profetin. Në këtë mënyrë, ai takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., e njoftoi me lajme të rëndësishme dhe pastaj shkoi te nëna e tij.

Meqë Mus’abi së pari nuk kishte takuar nënën, ajo ishte mbushur me zemërim e inat, dhe sa e pa djalin, shfreu tërë duf kundër tij. Mus’abi i tha: “O nënë! Dua të të them diçka shumë të mirë, që jo vetëm do të të sjellë dobi, por do t’i japë fund kësaj mosmarrëveshje”. Ajo e pyeti plot habi: “Çfarë është ajo?” Mus’abi i tha: “Që të largohesh nga idhujtaria e të pranosh Islamin, dhe të besosh në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.”. Ajo ishte një idhujtare fanatike e si mund ta duronte këtë fjalë. Ajo bëri zhurmë dhe tha: “Betohem në yje, unë kurrë nuk do ta pranoj fenë tuaj”. Pastaj, ajo u bëri të afërmve shenjë me dorë për të kapur Mus’abin, por ai iku me shpejtësi.

Kjo temë, do të vijojë edhe në hutben e ardhshme. Por, meqë kam për të udhëhequr dy xhenaze, prandaj e ndërpres këtë temë deri në hutben e ardhshme, dhe tani do t’ju rrëfej diçka nga jeta e këtyre dy të ndjerëve.

Në fund, Huzuri foli për jetën dhe veprat e dy personave të ndjerë, namazin e xhenazes së të cilëve, ai drejtoi pas namazit të xhumasë:

  1. Malik Munever Ahmed Xhavejd nga Pakistani, i cili ka ndërruar jetë në Rabva, Pakistan më 22 shkurt në moshën 84 vjeçare.
  2. Prof. Munever Shamim Khalid nga Pakistani, ka ndërruar jetë më 16 shkurt në Rabva, Pakistan në moshën 81 vjeçare.
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp