Hazret Ebu Ubejde në Luftën e Jermukut dhe Çlirimin e Bejtul-Mekdesit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Hazret Ebu Ubejde në Luftën e Jermukut dhe Çlirimin e Bejtul-Mekdesit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hutben e kaluar po ju tregoja rreth Hazret Ebu Ubejde r.a.. Sot do t’ju paraqes pjesën e mbetur.

Beteja e Jermukut dhe Ubejde bin el-Xherrahu r.a.

Jermuku është një vend që ndodhet në zonat periferike të Shamit dhe ky pikërisht është edhe shkaku i emërtimit të betejës së Jermukut. Lufta më e madhe që u zhvillua në Sham në vitin 15 pas hixhretit, ishte në luginën e Jermukut pranë lumit Jermuk.

Nën komandën e Bahanit, romakët sollën një ushtri madhështore prej afërsisht 150 mijë luftëtarësh, përballë muslimanëve që ishin rreth 30 mijë, ndër të cilët 1 mijë sahabë, prej të cilëve rreth 100 qenë sahabë të Betejës së Bedrit.

Hidhërimi i të krishterëve të Homsit nga largimi i drejtuesve muslimanë

Pas këshillimit, muslimanët përkohësisht tërhoqën mbrapsht ushtritë e tyre nga Homsi duke ua kthyer xhizjen (taksën) të krishterëve, pasi do të largoheshin përkohësisht nga mbrojtja e tyre. Pra, ata u merrnin xhizjen me kushtin e mbrojtjes së tyre në çdo aspekt dhe tani që po detyroheshin të largoheshin nga Homsi, ua kthyen mbrapsht gjithë xhizjen që ishte një shumë jashtëzakonisht e konsiderueshme. Të krishterët e Homsit u befasuan nga drejtësia e muslimanëve dhe pas largimit të tyre ata ngjiteshin nëpër çati të shtëpive tyre dhe qanin dhe luteshin për kthimin e drejtuesve muslimanë.

Për shkak të kësaj tërheqjeje të muslimanëve nga Homsi, romakët u bënë edhe më të guximshëm dhe mblodhën një ushtri gjigante për t’u vendosur nëpër çadra në Jermuk. Njëkohësisht, nga brenda, ata ishin edhe të frikësuar nga ndjenjat e larta të muslimanëve në besimin e tyre. Ndaj, shpresonin edhe kompromisin.

Emisari i romakëve bëhet musliman

Bahani, kryekomandanti i romakëve, dërgoi Xhorxhin si emisar të tij te ushtria e muslimanëve. Në momentin e mbërritjes së tij, muslimanët po falnin namazin e akshamit. Ai u ndikua shumë duke parë përulësinë dhe përgjerimet e muslimanëve dhe duke parë sexhdet e tyre përpara Zotit. Gjatë takimit ai i bëri disa pyetje Hazret Ebu Ubejdasë. Njëra prej tyre ishte:

Çfarë mendimi keni rreth Jezusit?

Hazret Ebu Ubejde bin el-Xherrahu i lexoi këto ajete të Kuranit të Shenjtë:

lufta e jermukut clirimi i bejtul mekdesitO ithtarët e librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe mos thoni për Allahun asgjë tjetër, përveç së vërtetës! Mesihu, Isai biri i Merjemes, sigurisht është vetëm i dërguar i Allahut dhe fjala e Tij, të cilën Ai ia dërgoi Merjemes dhe është një shpirt prej Tij. Andaj, besojeni Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe mos thoni “Tre!” Tërhiquni, se është mirë për ju! Sigurisht, Allahu është i Adhuruar i Vetëm. Ai është i pastër të ketë djalë. E Atij është çka gjendet në qiej dhe çka gjendet në tokë. Dhe Allahu është i mjaftueshëm si Rregullues.

Mesihut në asnjë mënyrë nuk i vjen keq të jetë rob i Allahut, po ashtu, as engjëjve të afërt. (Kurani i Shenjtë 4:172-173)

Xhorxhi kur e dëgjoi këtë mësim të Kuranit, brohoriti dhe tha pikërisht këto janë cilësi të Mesihut dhe tha se Profeti juaj është i vërtetë. Ai që kishte ardhur si emisar, u bë musliman. Nuk donte më të kthehej në ushtrinë e tij, por Hazret Ebu Ubejde i tha:

— Romakët do të të paragjykojnë për tradhti, ndaj duhet të kthehesh, por mund të kthehesh bashkë me emisarin tonë që do të vijë nesër tek ju.

Hazret Ebu Ubejde ushtrisë së të krishterëve i bëri thirrje për Islamin. U tregoi mësimet e Islamit për vëllazërinë, barazinë dhe virtytet e larta. Të nesërmen, Hazret Khalid bin Velidi shkoi te ta, por rezultati nuk qe pozitiv. Përgatitjet e luftës filluan.

Gratë muslimane gjatë luftës së Jermukut

Në fund të ushtrisë ishin gratë muslimane, të cilat u jepnin ujë ushtarëve, kujdeseshin për të plagosurit dhe gjithashtu nxisnin luftëtarët. Prej tyre ishin Hazret Esma e bija e Ebu Bekrit, Hazret Hind bint Atbe që ishte gruaja e Hazret Ebu Sufjanit dhe që pranoi Islamin pikërisht ditën e çlirimit të Mekës, Hazret Ummi Aban dhe gra të tjera.

Porosia e Hazret Ebu Ubejdasë për gratë muslimane

Hazret Ebu Ubejde r.a., përpara se të nisej beteja, iu drejtua grave muslimane dhe u dha:

O luftëtare! Shkulni gozhdët e çadrave dhe mbajini në duar! Mblidhni gurë në rrobat tuaja! Dhe nxisni muslimanët për luftë! Thuajuni: “Sot është dita e luftës dhe nuk duhet t’i tregoni shpinën armikut!” Nëse shikoni se muslimanët po e fitojnë luftën, qëndroni në vendet tuaja. Nëse shikoni që muslimanët po zmbrapsen, gjuajini nëpër fytyra me gozhdë dhe gurë dhe detyrojini të kthehen në fushëbetejë. Ngrini lart fëmijët tuaj dhe thuajuni muslimanëve: “Kthehuni në fushëbetejë dhe bini dëshmorë për familjet tuaja dhe për Islamin!

Porosia e Hazret Ebu Ubejdasë për burrat muslimanë

Më pas, Hazret Ebu Ubejde r.a. iu drejtua burrave muslimanë dhe u tha:

O robër të Allahut! Dilni përpara për të ndihmuar Allahun, Ai do t’ju ndihmojë ju dhe do t’jua forcojë këmbët! O robër të Allahut! Duroni, sepse durimi është mjet shpëtimi nga mohimi, mjet për të fituar pëlqimin e Zotit dhe për të larë turpin! Mos shkëputni radhët tuaja! Mos e bëni ju sulmin e parë! Tendosni shtizat, kapni fort mburojat dhe përkujtoni sa më shumë Zotin, që Ai ta plotësojë dëshirën e Tij.

Gjendja e ushtrisë së romakëve gjatë betejës së Jermukut

Pra, njëra prej porosive të tij ishte që muslimanët nuk duhet të bënin hapin e parë për të filluar luftën, por nëse ajo fillon, nuk duhet t’ia kthenin shpinën.

Ushtria e armikut kishte vendosur një kryq floriri përpara tyre. Shkëlqimi i armëve të romakëve po ua verbonte sytë muslimanëve. Romakët ishin të armatosur gjer në dhëmbë. Parzmoret e tyre të hekurta ishin nga koka gjer në këmbë. Atë ditë ata kishin vënë edhe pranga në këmbët e tyre për të treguar se në asnjë mënyrë nuk do të iknin nga fushëbeteja. Do të vrisnin, ose do të vriteshin. Priftërinjtë ua lexonin citimet e Ungjijve për t’i nxitur për luftë.

Filloi beteja e Jermukut

Ushtria e mohuesve u nis si një dallgë e madhe. Rreth 200 mijë ushtarë romakë iu vërsulën muslimanëve që ishin vetëm 30 mijë. Beteja filloi.

Në fillim, romakët po mbizotëronin dhe ata filluan t’i zmbrapsnin muslimanët. Fshehurazi ata kishin piketuar se cilët konsideroheshin “sahabë” në mesin e muslimanëve. Caktuan një çetë shigjetarësh, të cilët do të qëllonin një nga një pikërisht sahabët e Profetit. Ata e dinin se kur vriten njerëzit e mëdhenj të një ushtrie, pjesa tjetër e lëshon zemrën vetvetiu, pastaj edhe betejën. Shumë sahabë u vranë, shumë të tjerë u sulmuan nëpër sy dhe humbën shikimin.

Kërkesa e Ikremejasë ndaj Ebu Ubejde bin el-Xherrahut

Ikremeja, që qe djali i Ebu Xhelit, dhe që pranoi Islamin gjatë Çlirimit të Mekës. Atë ditë ai i kishte kërkuar Profeti Muhammed s.a.v.s. duke thënë:

— Lutju Zotit që të më mundësojë të shlyej gjynahet e mia!

Ditën e betejës së Jermukut, Ikremeja bashkë me disa shokë të tij shkoi te Hazret Ebu Ubejde dhe i kërkoi që sahabët kishin dhënë kontribute shumë të mëdha dhe se tani ishte koha e atyre që kishin ardhur më vonë dhe atyre t’u jepej mundësia që të fitonin shpërblime prej Zotit. Ikremeja i tha:

— Ne do të hyjmë në zemër të fushbetejës për të sulmuar pjesën kryesore të armikut dhe do të vrasim komandantët e krishterë.

— Është shumë e rrezikshme, u tha Hazret Ebu ‘Ubejde, sepse të gjithë të rinjtë që do të marrin pjesë në këtë aksion, do të vriten.

— Nuk ka rrugë tjetër, iu përgjigj Ikremeja dhe e pyeti – A ju pëlqen që ne të rinj të shpëtojmë, kurse sahabët të vriten?

Këta e kishin pranuar Islamin shumë vonë, por zelli i tyre për t’u sakrifikuar në rrugën e Allahut nuk ishte më pak se të tjerët. Ikremeja insistoi kërkesën e tij përpara kryekomandantit të ushtrisë së muslimanëve, që me 400 ushtarë, ata do të sulmonin qendrën e ushtrisë së armikut.

Më në fund, Hazret Ebu Ubejde ia pranoi kërkesën. Atëherë, Ikremeja sulmoi pjesën qendrore të ushtrisë së romakëve dhe e mundi, megjithatë, shumë nga djemtë e rinj nga radhët e musilmanëve ranë dëshmorë. Muslimanët i zmbrapsën romakët drejt hendeqeve të tyre, që ata vetë i kishin gërmuar. Ngaqë e kishin lidhur njëri-tjetrin me zinxhirë që të mos iknin nga fushëbeteja në asnjë rrethanë, kështu tok me njëri-tjetrin filluan të binin në hendeqe. Kur njëri binte në hendek, merrte dhjetë të tjerë me vete.

Bilanci i luftës së Jermukut

Shtatëdhjetë mijë ushtarë të romakëve, kështu në zmbrapsje e poshtë, ranë në lumin Jermuk dhe u mbytën. Njëqind mijë të tjerë u vranë nga muslimanët në fushëbetejë. Kurse nga radhët e muslimanëve, tre mijë prej tyre ranë dëshmorë. Ishte ky bilanci i betejës së Jermukut.

“I jepnin përparësi njëri-tjetrit, edhe pse në vështirësi” – Vëllazëria muslimane

Duke përshkruar atë që ndodhi në fund të luftës së Jermukut, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar a.s. thotë:

“Pasi mbaroi beteja, muslimanët nisën kërkimin e të rënëve, në veçanti Ikremanë dhe shokët e tij. Panë që Ikremeja dhe 12 të tjerë ishin ende të gjallë, por të plagosur rëndë. Një ushtar musliman shkoi tek Ikremeja dhe i tha se kishte sjellë një bidonë uji dhe ai të pinte nga pak. Ikremaja ktheu kokën nga Hazret Fazli, djali i Hazret Abasit, i cili gjithashtu ishte në gjendje të rëndë dhe i tha ushtarit që kishte sjellë ujin:

— Jepi Fazl bin Abasit së pari, pastaj ma sill mua nëse tepron!

Sedra nuk i lejonte Ikremejasë që të merrte një “privilegj” të tillë para atij, prindërit e të cilit kishin bërë sakrifica shumë të mëdha gjatë kohës së Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ai kishte një zell të rrallë të sakrificës, që nuk e lejonte të mbijetonte përpara se t’i sigurohej jeta fëmijëve të sahabëve të Profetit s.a.v.s..

Mbartësi i ujit menjëherë kaloi te Fazli, por Fazli i tregoi të plagosurin tjetër duke thënë

— Jepi ujin së pari atij, se ai ka më shumë nevojë se unë!

Muslimani kaloi tek i treti, por edhe ai nuk e pranoi të pinte dhe e kaloi te plagosuri i katërt. Kështu, me atë pak ujë që kishte sjellë ai, kaloi te muslimanë të ndryshëm të plagosur. Kur shkoi tek i fundit, ai kishte vdekur. Pastaj kontrolloi një nga një të gjithë që kishte takuar, edhe ata kishin vdekur. Në fund, erdhi tek Ikremeja, por edhe ai kishte dhënë shpirt.”

Hazret Ebu Ubejde bin el-Xherrahu vendosi paqe dhe lirinë e fesë në Sham

Banorët e Shamit u përkisnin feve të ndryshme, etnive dhe gjuhëve të ndryshme. Hazret Ebu Ubejde bin El-Xherrahu ka meritën që vendosi drejtësi dhe vëllazëri mes tyre. U mundësoi lirinë fetare. Ata që ishin me ndasi deri më parë, u dha frymën islame që të gjithë janë bijtë e Ademit dhe si të tillë vëllezër me njëri-tjetrin. Si qeniet njerëzore të gjithë janë të barabartë dhe askush nuk ka epërsi mbi tjetrin. Është tërësisht e gabuar akuza që u vishet muslimanëve të herëshëm se me demek i konvertuan në muslimanë me dhunë.

Hazret Ebu Ubejde r.a. u tregoi romakëve të Shamit lirinë e fesë, faktin që dallimi etnor është vetëm për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe, në këtë mënyrë, vendosi drejtësi dhe paqe midis tyre. Arabët që jetonin në Sham dhe që ishin të krishterë, falë modelit dhe përpjekjeve të Hazret Ebu Ubejdesë, e përqafuan Islamin. Pra, ata u bënë muslimanë për shkak të tabligut ose davasë [thirrjes] dhe duke parë modelin e mirë dhe jo me imponim. Siç ju kam thënë edhe më përpara, edhe romakët dhe të krishterët u ndikuan jashtëzakonisht shumë duke parë modelin e mirë të drejtuesit musliman, siç ishte Hazret Ebu Ubejde bin El-Xherrahu r.a.

Vdekja e Hazret Ebu Bekrit r.a. pak para se të mbaronte lufta e Jermukut

Pak ditë para se të përfundonte lufta e Jermukut, Kalifi i Parë i Profetit, Hazret Ebu Bekri r.a. ndërroi jetë dhe Hazret Omeri u zgjodh Kalifi i Dytë. Hazret Omeri r.a. e ngarkoi pikërisht Hazret Ebu Ubejdanë me udhëheqjen e ushtrive, si dhe qeverisjen e Shamit.

Në kohën kur Hazret Ebu Ubejde r.a. mori letrën e Hazret Omerit r.a. me porositë e lartpërmendura, lufta ishte e ndezur fort, ndaj, ai nuk ua tregoi njerëzve mesazhin e Kalifit të ri. Këtë kur e mori vesh Hazret Khalid bin Velidi, i cili ishte kryekomandant në atë kohë, e pyeti Hazret Ebu Ubejdanë se përse e kishte mbajtur të fshehtë mesazhin e Kalifit të kohës.

— Armiku ishte përballë dhe nuk doja të të prishja zemrën, iu përgjigj Hazret Ebu Ubejda r.a. Khalid bin Velidit.

Kur muslimanët e fituan betejën e Jermkut, ushtria e Khalidit vendosi të kthehej në Irak. Khalidi qëndroi pranë Hazret Ebu Ubejdes r.a. pak kohë para se të nisej. E kur po nisej, u tha njerëzve:

— Gëzohuni sepse udhëheqësi juaj është i besueshmi i këtij umeti, pra Hazret Ebu Ubejde r.a.!

— Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që tha se Khalid bin Velidi është njëra prej shpatave të Allahut, u tha njerëzve Hazret Ebu Ubejde r.a..

Me këto ndjenja vëllazërie dhe respekti të ndërsjellë u ndajë të dy udhëheqës muslimanë. I tillë duhet të jetë standardi dhe takvaja e besimtarit. Ata nuk synonin famë dhe nuk jetonin për t’u dukur e as për të kërkuar poste. I vetmi qëllim i tyre ishte pëlqimi i Zotit të Madhërishëm dhe vendosja e mbretërisë Hyjnore. Këta njerëz janë modele për ne. Çdo përgjegjës në Xhemat, madje çdo anëtar i Xhematit duhet t’i ketë parasysh këto gjëra.

Çlirimi i Bejtul Mekdesit dhe kontributi i Hazret Ebu Ubejde bin el-Xherrahut r.a.

Në çlirimin e Bejtul Mekdesit Hazret Ebu Ubejde r.a. ka kontribute. Ushtria muslimane nën komandën e Hazret ‘Amr bin el-‘Asit marshoi drejt Palestinës. Kur triumfuan qytetet e Palestinës dhe arritën ta rrethonin Bejtul Mekdesin, aty mbërriti edhe ushtria e Ebu Ubejdes.

Vizita e Hazret Omerit r.a. në Palestinë

Të krishterët u lodhën nga rrethimi i hekurt dhe propozuan një pakt kompromisi, në të cilin një kusht ishte që vetë Hazret Omeri, Kalifi i Islamit, të vinte dhe të bënte marrëveshjen e paqes. Hazret Ebu Ubejde r.a. ia dërgoi mesazhin Hazret Omerit, i cili, duke caktuar Hazret Aliun emir të Medinës, u nis nga Medina. Në muajin Rebiul-evel të vitit 16 h., Hazret Omeri r.a. mbërriti në Xhabie, një fshat në periferi të Damaskut, ku udhëheqësit muslimanë e mirëpritën.

— Ku është vëllai im? I pyeti Hazret Omeri r.a..

— Për kë e keni fjalën, o Prijësi i besimtarëve? E pyetën ata.

— Për Ebu Ubejden, iu përgjigj ai.

Shtëpia e Hazret Ebu Ubejdesë r.a.

Ndërkohë, Hazret Ebu Ubejde r.a. i hipur mbi një deve erdhi për ta takuar dhe përshëndetur Kalifin e Kohës. Hazret Omeri r.a. i porositi të gjithë të largohen dhe vetë shkoi në shtëpinë e Ebu Ubejdes r.a.. Një shpatë, një mburojë, një qilim dhe një pjatë, ishin gjithçka që gjendej në atë shtëpi.

— Të kishe mbledhur gjësend për shtëpi, o Ebu Ubejde! I tha Hazret Omeri r.a.

— O Prijësi i besimtarëve, iu përgjigj Ebu Ubejde r.a. — Sendet e tjera do të më joshin dhe unë do të anoj nga lehtësitë, ndaj nuk dëshiroj të kem pranë gjëra të tilla.

Ezani i Hazret Bilalit r.a.

Atë ditë ndodhi një ngjarje mbresëlënëse që ju kam treguar në hutben time rreth Hazret Bilalit r.a.. Hazret Bilali r.a. nuk thërriste më ezanin pas vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.. Kur erdhi koha e namazit, njerëzit i kërkuar Hazret Omerit r.a. që ai ta porosiste Hazret Bilalin për të kënduar ezanin. Hazret Bilali r.a. e zbatoi porosinë. Të gjithë u përlotën duke dëgjuar ezanin e tij. Ai që qau më shumë se të gjithë ishte pikërisht Hazret Omeri r.a., sepse ezani i Bilalit ia kujtoi kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s..

Përpjekja e fundit e romakëve

Për përpjekjen e fundit të romakëve shkruhet: Në në vitin 17 h., romakët bënë përpjekjen e fundit për ta rifituar Shamin nga muslimanët. Persët, kurdët, beduinët dhe të krishterët nga Shami i veriut, El-Xhezira, Iraku i veriut dhe Armenia, i kërkuan Herakliut që t’i ndihmonte ata kundër muslimanëve. Ata propozuan për një ushtri prej tridhjetë mijë ushtarësh.

Ndonëse një pjesë e madhe e El-Xhezirës deri atëherë kishte rënë në dorë të Hazret Sa’d bin Ebu Vekasit, megjithatë, ai ende nuk kishte mbizotëruar beduinët e asaj zone. Gjithashtu, forca detare e Cezarit Romak po vijonte të ishte në fuqi. Cezari pa situatën optimale dhe menjëherë sulmoi muslimanët me një flotë detare gjigante. Edhe fiset beduine mblodhën ushtrinë e tyre dhe rrethuan Homsin. Disa qytete të Shamit të veriut gjithashtu shpallën kryengritje.

Në këtë situatë, Hazret Ebu Ubejde r.a. i shkroi Hazret Omerit për të dërguar përforcime. Hazret Omeri r.a. menjëherë porositi Hazret Sa’d bin Ebi Vekkasin të dërgonte përforcime nga Kufa. Duke zbatuar porosinë, Hazret Sa’d bin Ebi Vekkasi nga Kufa dërgoi një ushtri nën komandën Kaka bin ‘Amrit. Por edhe pasi erdhën përforcimet, numri i ushtrisë së romakëve ishte shumë i lartë në krahasim me ushtrinë muslimane.

Hazret Ebu Ubejde r.a. iu drejtua me shumë patos ushtarëve muslimanë dhe u tha:

“O muslimanë! Ai që do të qëndrojë i palëkundur sot, nëse do të jetojë, do të marrë sundimin dhe pasurinë dhe nëse do të vdesë, do të jetë dëshmor. Unë dëshmoj se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se ai që vdes në kohën kur nuk ka qenë idhujtar, patjetër do të hyjë në xhenet.”

Të dyja ushtritë u ndeshën. Romakët u lëkundën shumë shpejt. Duke shpëtuar veten ata u larguan në drejtim Merxhud-Debjaxhit, një grykë që ndodhet në zonat kufitare të Shamit, dhjetë milje larg qytetezës ???. Pas asaj dite, Cezari nuk pati më guxim të marshonte drejt Shamit.

Murtaja në Sham

Taun ‘Amvas është një vend që gjendet në rrugën nga Ramla për në Bejtul Mekdesit përgjatë miljes së gjashtë. Sipas librave të historisë vendi quhet Taun ‘Amvas për arsye se pikërisht nga këtu kishte filluar murtaja [Taun do të thotë murtajë]. Sëmundja mori jetë njerëzish në mënyrë të panumërt. Sipas disave viktimat ishin rreth 25 mijë.

Kjo ngjarje përmendet në një rrëfim të Buhariut. Hazret Abdullah bin Abasi r.a., tregon:

Kur Hazret Omeri mbërriti në vendin e quajtur Surg, atje u takua me prijësin e ushtrive, Hazret Ebu Ubejden si dhe shokët e tij.

Surg është një fshat i Tebukut që ndodhet në zonat kufitare të Shamit dhe të Hixhazit dhe që është 13 net larg Medinës. Në librat e vjetër të historisë kështu përshkruhej distanca dhe kjo mund të jetë rreth një mijë milje.

“Largohemi nga një kader i Allahut për të shkuar te kaderi tjetër i Tij”

Sidoqoftë, kur Hazret Omeri r.a. u takua me ta, ata e njoftuan se murtaja ishte përhapur në Sham. Hazret Omeri thirri muhaxhirët e parë për t’u këshilluar sesi do të vepronte në këtë situatë. Por muhaxhirët dhanë mendime të ndryshme. Disa kishin mendimin se Hazret Omeri r.a., nuk duhej të kthehej në Medinë, kurse disa të tjerë thoshin se në ushtrinë me të cilën ai kishte ardhur kishte edhe sahabë të Profetit Muhammed s.a.v.s., dhe nuk është e denjë që t’ua rrezikonte jetën duke hyrë në zonën e epidemisë.

Hazret Omeri r.a. i ktheu mihaxhirët dhe thirri ensarët dhe u këshillua me ta. Edhe ata dhanë mendime të kundërta, sikur muhaxhirët.

Pastaj, ai i ktheu edhe ensarët dhe mblodhi kurejshët e moshuar që kishin pranuar Islamin gjatë çlirimit të Mekës dhe pastaj kishin ardhur në Medinë. Ata njëzëri e këshilluan:

– Merrni këta njerëz dhe kthehuni andej nga keni ardhur dhe mos hyni në zonën e epidemisë.

Hazret Omeri r.a. njoftoi vendimin për kthim. Atëherë Hazret Ebu Ubejde r.a. e pyeti:

– A mund t’i ikni kaderit të Allahut [caktimit të Allahut]?

– O Ebu Ubejde, iu përgjigj Hazret Omeri r.a., – Sikur ta thoshte dikush tjetër këtë fjalë dhe jo ti! Po, ne po i ikim kaderit të Allahut për të shkuar po te kaderi i Tij [caktimi i Tij].

Pra, Hazret Omeri r.a. i tha Hazret Ebu Ubejdes se po largohej nga një kader i Allahut për të shkuar atje ku përsëri është kaderi i Allahut. Më pas, Hazret Omeri r.a., e shpjegoi me një shembull duke thënë:

– Në qoftë se ke një tufë devesh dhe të shkosh në një luginë, njëra pjesë e së cilës të jetë e gjelbëruar dhe tjetre e thatë, a nuk është e saktë se nëse i kullot devetë në pjesën e gjelbëruar kjo do të jetë nga kaderi i Allahut dhe nëse i kullot ato në pjesën e thatë, edhe kjo do të jetë nga kaderi i Allahut?!

Rrëfimtari thotë, ndërkohë erdhi Hazret Abdurrahman bin Eufi, i cili nuk qe atje për shkak të ndonjë angazhimi.

– Unë e di zgjidhjen e këtij problemi, tha Abdurrahman bin Eufi. – Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: “Kur dëgjoni se diku është përhapur një epidemi, mos shkoni atje; dhe nëse epidemia është përhapur në vendin ku jetoni ju, mos u largoni nga atje.”

Hazret Omeri r.a. falënderoi Allahun dhe u nis për t’u kthyer.

Në lidhje me këtë murtajë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. ka thënë:

“Hazret Omeri r.a., kur mbërriti në Sham, aty ishte përhapur murtaja, e cila është e njohur si Taun ‘Amvas. Hazret Ebu Ubejde r.a. dhe ushtria muslimane e mirëpriti Kalifin e kohës. Atëherë sahabët e këshilluan se ngaqë zona e Shamit ishte e prekur nga epidemia, ai duhej të kthehej.

Hazret Omeri ua pranoi këshillën dhe vendosi të kthehej. Hazret Ebu Ubejde r.a. insistonte shumë të jashtmen ose formën. Kur e dëgjoi vendimin e Hazret Omerit r.a., ai pohoi:

اتفرّ من القضاء؟

– A po i largohesh caktimit të Allahut?

افرّ من قضاء اللہ الی قدر اللہ

– Po largohem nga caktimi i Allahut për të shkuar te kaderi i Allahut. Iu përgj Hazret Omeri r.a..

Pra, Hazret Omeri r.a. e shpjegoi se Allahu i Madhërishëm ka lënë edhe caktim të veçantë, edhe caktim të përgjithshëm dhe të dyja caktimet i takojnë Atij dhe jo tjetërkujt dhe se Hazret Omeri nuk po largohej nga caktimi i Allahut, por po shkonte te caktimi i dytë i Allahut.

Librat e historisë pohojnë gjithashtu se Hazret Omeri mblodhi njerëz të ndryshëm për t’u këshilluar. Ndër të tjera, ai i pyeti se çfarë bëjnë banorët e Shamit, pasi atje edhe më përpara kishte rënë epidemi. Ata i thanë se kur përhapet murtaja, njerëzit shpërndahen [nëpër male], derisa sëmundja e humb fuqinë.

Hazret Omeri r.a., i tregoi Hazret Ebu Ubejdes pikërisht këtë që ai që shkon në zona të hapura ku ka ajër të pastër dhe shpëton nga sëmundja, vepron sipas kaderit të Allahut. Në këtë rrethanë, Hazret Omeri r.a., nuk shkelte asnjë caktim të Zotit të Madhërishëm, përkundrazi, nga caktimi po kalonte te kaderi i Tij. Me fjalë të tjera, ai po shkonte nga caktim i veçantë i Allahut te caktimi i Tij i përgjithshëm.

Shqetësimi i Hazret Omerit për Hazret Ebu Ubeden gjatë murtajës

Hazret Omeri r.a. u kthye në Medinë, megjithatë, ishte tejet i shqetësuar nga murtaja. Një ditë, ai i dërgoi letër Hazret Ebu Ubejdes me mesazhin:

“Kam një punë të rëndësishme me ty, andaj, kur ta marrësh këtë letër, nisu menjëherë për në Medinë. Nëse e merr letrën natën, mos prit mëngjesin dhe nëse e merr në mëngjes, mos prit deri në darkë.”

Kur e mori letrën Hazret Ebu Ubejda r.a., tha:

“Unë e njoh nevojën e Prijësit të besimtarëve. Allahu e mëshiroftë Hazret Omerin! Ai dëshiron ta mbajë atë, që nuk është i destinuar të qëndrojë.”

Pra, ai e kuptoi se përse po e thërriste atë. Ai i ktheu përgjigje me këto fjalë:

“O Prijësi i besimtarëve! E kuptova dëshirën tuaj. Mos më urdhëro të kthehem dhe më lejo të qëndroj këtu. Jam një prej ushtarëve muslimanë dhe dua të qëndroj këtu për ta takuar atë që është e caktuar nga Allahu. Nuk mund t’i shmangem asaj.”

Hazret Omeri r.a., kur e mori këtë përgjigje të letrës së tij, filloi të qante. Muhaxhirët që ishin ulur aty, e pyetën:

– Mos ka ndërruar jetë Ebu Ubejda, o Prijësi i besimtarëve?

– Jo, por ndoshta do të ndërrojë jetë, iu përgjgj Hazret Omeri r.a..

Atëherë, Hazret Omeri i shkroi sërish Hazret Ebu Ubejdes duke thënë:

Nxirrni muslimanët nga ajo zonë dhe çojini në një vend të shëndetshëm.

Sëmundja e Hazret Ebu Ubejdes r.a.

Sa herë që ndonjë ushtar musliman binte dëshmor për shkak të murtajës, Hazret Ebu Ubejde qante dhe i lutej Allahut që të pranohej si dëshmor. Në një rrëfim thuhet se në atë kohë ai bënte këtë dua:

“O Allah! Familja e Ebu Ubejdes a nuk ka ndonjë pjesë në grupin e dëshmorëve?!”

Një ditë, Hazret Ebu Ubejdes iu shfaq një puçërr e vogël në gisht. Ai tha:

– Shpresoj që Allahu do të japë bereqet në këtë puçërr të vogël dhe kur ka bereqet, edhe një gjë e vogël bëhet e madhe.

Arbaz bin Sarije tregon:

Kur Hazret Ebu Ubejde r.a. u sëmur nga murtaja, unë shkova tek ai. Ai më tha – Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që tha se dëshmor është edhe ai që vdes nga murtaja, edhe ai që vdes nga sëmundja e barkut, edhe ai që vdes duke u mbytur në ujë, edhe ai që vdes nëse i bie çatia e shtëpisë.

Kur Ebu Ubejdes r.a. i erdhi momenti i fundit, u tha njerëzve:

“Po ju lë një testament. Nëse e pranoni, do të përfitoni. Testamenti është: falni namazin, jepni zekatin, agjëroni gjatë muajit të Ramazanit, jepni sadakanë, bëni Haxhin dhe Umrenë, porositni njëri-tjetrin për të mira, jini dashamirës të autoriteteve tuaja dhe mos i mashtroni ata! Të mos ndodhë që gratë t’ju largojnë ju nga detyrat tuaja. Nëse njeriu do të jetojë edhe për një mijë vjet, prapëseprapë një ditë ai ka për t’u larguar nga kjo botë, ashtu siç po largohem unë. Allahu ka caktuar vdekjen për bijtë e Ademit. Çdo njeri do të vdesë. I mençur është ai që qëndron i përgatitur për vdekjen. Jepini selamin tim Prijësit të besimtarëve [Kalifit të kohës] dhe thojini se kam përmbushur të gjitha porositë e tij.”

Varri i Hazret Ebu Ubejdes r.a.

Më pas Hazret Ebu Ubejde r.a. shtoi:

“Sipas vendimit tim, këtu më varrosni.”

Kështu që, varri i Hazret Ebu Ubedes r.a. gjendet në Bejsan të Jordanisë. Sipas disa rrëfimeve të tjera, Hazret Ebu Ubejde bin el-Xherrahu r.a. po shkonte nga Xhabije për në Bejtul-Mekdes për të falur namaz. Rrugës i erdhi momenti i vdekjes. Ka edhe një rrëfim tjetër që thotë se ai ndërroi jetë në Fehl të Shamit dhe varri i tij është afër Beit She’anit.

Gjatë sëmundjes vdekjeprurëse, Hazret Ebu Ubejde r.a. caktoi Hazret Muadh bin Xhebelin përfaqësues të tij. Pas vdekjes së Hazret Ebu Ubejdes r.a., Hazret Muadhi u tha njerëzve:

Sot u nda nga ne ai që në mesin tonë ishte më i pastri nga zemra, më i çiltri ndaj njerëzve, më i dashur dhe më dashamirës i tyre. Lutuni që Allahu e mëshiroftë sa më shumë atë!

Hazret Ebu Ubejde bin el-Xherrahu r.a. ndërroi jetë në vitin 18 h, në moshën 58-vjeçare.

Bujaria dhe sinqeriteti i Hazret Ebu Ubejdes r.a.

Një herë Hazret Omeri r.a. i dërgoi 4000 dërhemë dhe 400 dinarë dhe porositi postierin ta shikonte Ebu Ubjden si do t’i përdorte këto para. Kur postieri ia çoi parat Hazret Ebu Ubejdes r.a., ai të gjitha i shpërndau mes njerëzve.

Postieri kur u kthye ia tregoi gjithë ngjarjen Hazret Omerit. Ai e falënderoi Allahun që Ai ka lënë në Islam njerëz të tillë si Ebu Ubejde.

Njëherë Hazret Omeri r.a. u tha shokëve të tij: Më thoni cilat janë dëshirat tuaja? Dikush tha – Dua që shtëpia ku po rrimë të mbushet me flori dhe unë ta shpenzoj atë në rrugën e Allahut. Dikush tjetër tha – Do të doja që kjo shtëpi të mbushej me xhevahire dhe diamante dhe unë t’i shpenzoja ato në rrugën e Allahut.

Hazret Omeri r.a. tha: “Kërkoni edhe më shumë.” “Nuk ju kuptojmë o Prijësi i besimtarëve”, i thanë shokët. Ai tha: Kurse unë do të doja që kjo shtëpi të mbushej me njerëz si Ebu Ubejde bin el-Xherrahu, Muadh bin Xhebeli, Salim Meula, Ebu Hudhejfe dhe Hudhejfe bin Jemani. Sa fatlumë janë këta që edhe në këtë dynja kërkuan pëlqimin e Allahut të Madhërishëm, edhe në botën tjetër do të gjejnë pëlqimin e Ti.

Me kaq po e mbaroj përmendjen e Hazret Ebu Ubejde bin el-Xherrahut r.a..

Xhenaze

[Pas kësaj, Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi se pas namazit të së xhumasë, do të udhëhiqte disa xhenaze. Gjithashtu, ai tregoi cilësitë e larta të këtyre të ndjerëve, të cilët ishin besimtarë jashtëzakonisht të përkushtuar. Xhenazet që u falën sot ishin:

  1. Dëshmori  Prof. dr. Neimuddin Khetek nga Peshawar i Pakistanit, të cilin e vranë për shkak të besimit fetar të tij, pra sepse ishte anëtar i Xhematit Musliman Ahmedia. Ai ra dëshmor më 5 tetor 2020, në moshën 56 vjeçare.
  2. Osama Sadik, student i Xhamia Ahmedia i Gjermanisë.
  3. Prof. Selim Ahmed Meliku që ndërroi jetë më 24 shtator 2020 në moshën 87 vjeçare. Shërbeu si profesor në universitete të Anglisë. Pasi doli në pension, shërbeu në Xhamia Ahmedia të Anglisë. 

Për të ditur ngjarje interesante nga jeta e këtyre besimtarëve të ndjerë, ju lutem ndiqni videon]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp