Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në vazhdë të ciklit të hutbeve mbi historinë e sahabëve të Bedrit, sot do të flas rreth jetës së Hazret Ebu Ubejdeh ibn el-Xherrahut r.a..

Hazret Ebu Ubejde Ibn el-Xherrah r.a.

Emri i tij i plotë ishte ‘Amir ibn ‘Abdullah dhe i ati i tij quhej Abdullah ibn Xherrah. Megjithatë, ai njihej më shumë nga nofka e tij Ebu Ubejdeh dhe si epitet lidhet me gjyshin e tij nga babai Xherrah ibn Hilali. Nëna e tij quhej Umejme bint Ghenem. Hazret Ebu Ubejda i përkiste familjes Benu Harith ibn Fihr të fisit Kurejsh.

Në bazë të rrëfimeve, Hazret Ebu Ubejda përshkruhet si një burrë shtatlartë, i hajthëm nga trupi dhe i hequr nga fytyra. Në luftën e Uhudit, i ishin thyer dy dhëmbët e përparmë, duke nxjerrë kanxhët e përkrenares, që ishin ngulur në fytyrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Hazret Ebu Ubejda r.a. kishte mjekër të rrallë të cilën e lyente ai me ngjyrë. Ai kishte bërë disa martesa, por kishte pasur fëmijë vetëm nga dy bashkëshorte. Ai kishte dy djem që quheshin Jezid dhe Umejr.

Hazret Ebu Ubejda r.a. ishte një prej atyre dhjetë sahabëve që quheshin “Ashra Mubashra” pra që ishin përgëzuar me xhenet nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Qysh në këtë jetë. Ai ishte një ndër ata kurejshë që dalloheshin për moralin e lartë dhe sjelljen e shkëlqyer e dinjtoze. Hazret Ebu Ubejda r.a. kishte pranuar Islamin si rezultat i përpjekjeve të Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe ishte personi i nëntë, i cili kishte përqafuar Islamin, në një kohë, kur muslimanët ende nuk ishin strehuar në Dare Irkam.

عن أَنس: أَنه قال: “لِكُلِّ أُمَّةٍ أَمينُ وأَمِينُ هَذِةِ الأُمَّة أَبُو عُبيْدَة بْنُ الجَرَّاحِ”

Hazret Enes ibn Maliku r.a. ka transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Çdo popull ka një besnik dhe besniku i këtij umeti është Ebu Ubejda ibn el Xherrahu”.

Sipas transmetimit të Sahihut të Buhariut dhe të Muslimit disa njerëz nga Jemeni, ndërsa sipas një rrëfimi të Imam Muslimit, disa banorë të Nexhranit erdhën te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe iu lutën për të dërguar dikë që mund t’ua mësonte fenë. Në një transmetim tjetër përmendet se ata i kishin kërkuar një njeri besnik, i cili mund t’ua mësonte fenë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ishte përgjigjur kërkesës së tyre duke thënë: “Sigurisht, do t’ju dërgoj një njeri besnik, i cili do ta përmbushë detyrë më së miri”. Pastaj ai e kapi Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrah përdore dhe tha: ھذا امین لھذہ الامۃ “Ky është besniku i këtij umeti”.

Hazret Ebu Hurejra r.a. transmeton se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Sa të shkëlqyer janë Ebu Bekri, Omeri, Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu, Usejd ibn Hudejri, Thabit ibn Kajs ibn Shemmasi, Mu’adh ibn Xhebeli dhe Mu’adh ibn Amr ibn Xhemuhu”.

Sipas një transmetimi që gjendet në Sahihun e Imam Muslimit, njëherë dikush e pyeti Hazret Aishen r.a. që po të emëronte i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dikë pasardhës të tij, kush do të ishte ai sipas saj? Ajo iu përgjigj: “Hazret Ebu Bekri”. “Dhe pas Ebu Bekrit?” e pyetën të pranishmit. Ajo u tha: “Hazret Omeri”. Ata e pyetën: “Pas Omerit?” Ajo u përgjigj: “Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu”.

Në një transmetim tjetër, Abdullah ibn Shekiku e pyeti Hazret Aishen r.a. se kë e donte më së shumti i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndër të gjithë sahabët e tij? Hazret Aisheja r.a. iu përgjigj: Hazret Ebu Bekrin. Ai pyeti sërish: Po, kush ishte pas Ebu Bekrit?” Ajo tha: Hazret Omeri. Pyetësi i tha sërish: Po, kë e donte më shumë pas Hazret Omerit? Ajo i tha: Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahun r.a.. Kur ai shtroi të njëjtën pyetje sërish, Hazret Aisheja r.a. mbajti heshtje, dhe nuk i ktheu asnjë përgjigje.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka shkruar në veprën e tij “Siret Khatemun Nebijjin”. Ai shkruan:

“Hazret Aisheja r.a. e çmonte Ebu Ubejden kaq shumë, saqë ajo thoshte që nëse do të ishte i gjallë Ebu Ubejda në kohën kur ndërroi jetë Hazret Omeri r.a., ai me siguri do të zgjidhej Kalif”. Sipas një transmetimi, Hazret Omeri r.a. kishte thënë para se të ndërronte jetë: “Nëse do të jetonte sot Hazret Ebu Ubejda, unë me siguri do ta kisha emëruar Kalifin dhe nëse Zoti im do të më pyeste se përse e kisha emëruar atë si Kalif, do t’i kisha thënë Atij se e kam emëruar Ebu Ubejden si pasardhës, sepse kam dëgjuar të Dërguarin Tënd s.a.v.s. se Ebu Ubejda është besniku i këtij umeti”.

Kur Hazret Ebu Ubejda pranoi Islamin, i duhej të duronte shtypjen dhe dhunën nga babai i tij. Si pasojë e përndjekjes, ai mori rrugën e mërgimit drejt Abisinisë.

Sipas transmetimit, kur Hazret Ebu Ubejda bëri hixhret nga Meka dhe mbërriti në Medinë, duke e parë atë, i shkëlqeu nga gëzimi fytyra e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Hazret Omeri doli përpara dhe e përqafoi me mall.

Muakhat ose Lidhjet vëllazërore

Në fillim, Hazret Ebu Ubejda qëndroi te Hazret Kulthum ibn Hademi. Në lidhje me Muakhat ose vëllazërinë e tij, gjejmë rrëfime të ndryshme. Sipas disave, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte lidhur me Hazret Salimin, skllavin e liruar të Hazret Ebu Hudhejfes r.a.. Ndërsa sipas burimeve të tjera, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjen e tij vëllazërore me Hazret Muhammed ibn Meslemen ose me Hazret Sa’ad ibn Mu’adhin r.a..

Pjesëmarrje në beteja dhe vrasja e babait në luftën e Bedrit

Hazret Ebu Ubejda r.a. shoqëroi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në të gjitha betejat e tij si në Bedr, Uhud etj. Në luftën e Bedrit, Hazret Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu r.a. ishte 41 vjeç. Në këtë luftë, Hazret Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu r.a. kishte dalë duke përfaqësuar ushtrinë muslimane, ndërsa babai i tij Abdullah ibn el-Xherrahu kishte dalë në përkrahje të palës mosbesimtare. Gjatë ndeshjes së dy ushtrive, këta babë e bir rastisën të përballeshin me njëri-tjetrin. Babai i tij, po tentonte vazhdimisht për të goditur të birin, ndërsa Ebu Ubejda po mundohej t’u shmangej goditjeve. Megjithatë, babai i tij nuk shfaqte asnjë tërheqje, përkundrazi me këmbëngulje bënte çmos për të mbytur djalin e vet. Ebu Ubejda gjithashtu kishte mundësi ta qëllonte babanë e tij për vdekje, por ai mundohej t’i shmangej atij. Ai nuk po e qëllonte dhe evitonte goditjet e tij. Por, kur ai kuptoi se babai i tij nuk po i shqitej, atëherë bindja ndaj Zotit mbizotëroi lidhjen e gjakut dhe Ebu Ubejda u detyrua ta vriste babanë e tij.

Besnikëria shembullore për Profetin s.a.v.s.

Në luftën e Uhudit, Abdullah ibn Kamia qëlloi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. me një gur kaq fort, saqë ai u gjakos në fytyrë dhe dhe iu thyen dhëmbët e përparmë. Duke parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në këtë gjendje, Ebu Kamia lëshoi një thirrje “Ja ku jam Ibn Kamia”. Profeti s.a.v.s. pastroi gjakun nga fytyra dhe e mallkoi atë për këtë veprim. Transmetuesi i kësaj ngjarje ka shtuar që Allahu bëri që një cjap i egër iu vërsul atij duke e goditur vazhdimisht me brirët e tij të mprehtë, saqë ia copëtoi trupin.

Hazret Aisheja r.a. ka rrëfyer këtë ngjarje me këto fjalë. Ajo rrëfen se Hazret Ebu Bekri r.a. i kishte thënë:

“Në luftën e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u qëllua me një gur dhe goditja qe kaq fatale, saqë i theu kanxhat e përkrenares, dhe ato ishin ngulur në fytyrë. Unë nxitova te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe pashë që në të njëjtën kohë, dikush tjetër po rendte vrullshëm drejt tij, gjoja po fluturonte. Unë bëra lutje se o Allah! Bëje këtë njeri burimin e gëzimit, si për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. po ashtu për ne. Kur mbërrita te Profeti s.a.v.s., zbulova se ai ishte Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu i cili kishte mbërritur para meje.

Ai m’u drejtua mua dhe tha: “O Ebu Bekr! Ju betohem në Allah, më lëreni t’i nxjerrë këto kunja nga fytyra e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s”. Atëherë unë e lejova dhe ai e kapi njërën prej dy gozhdëve të përkrenares me dhëmbët e tij, dhe meqë ato ishin ngulur thellë në fytyrë, i duhet ta tërhiqte me kaq forcë, saqë ai u rrëzua nga shpina. Ai ia doli por edhe atij i doli një dhëmbë. Pastaj ai shtrëngoi gozhdën e dytë me dhëmbët dhe e nxori me gjithë forcë, dhe prapë iu thye dhëmbi tjetër i përparmë”.

Në luftën e Uhudit, Hazret Ebu Ubejdah ibn el-Xherrahu r.a. ishte ndër ata pak sahabë, të cilët qëndruan besnikërisht pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kurse ishte shpërndarë krejt ushtria muslimane.

Marrëveshja e Hudejbijes ishte nënshkruar në muajin Dhil Ka’da të 6 hixhri. U përpiluan dy kopje të dokumentit dhe përfaqësuesit e dyja palëve nënshkruan atë. Ndër firmëtarët e këtij traktati në palën muslimane, ishin Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri, Hazret Osmani, Hazret Abdurrahman ibn Aufi, Hazret Sa’ad ibn Ebi Vekasi dhe Hazret Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu kishte dërguar Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahun në ekspedita të shumta ushtarake.

Ekspeditat ushtarake të Hazret Ebu Ubejdes r.a.

Ekspedita Dhul Kises

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nisur këtë ekspeditë ushtarake në muajin Rebiul Akhir të vitit 7 hixhri. Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka përshkruar hollësitë e këtij misioni në këto fjalë. Ai shkruan:

“Në fund të muajit Rebiul Akhir, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi Hazret Muhammed ibn Meslemen drejt vendit Dhul Kisa. Ky vend ndodhej 24 milje larg nga Medina dhe banohej nga fisi Benu The’leba.

Hazret Muhammed ibn Meselma r.a. bashkë me 10 shokët e tij mbërriti atje në darkë dhe zbuloi që 100 të rinjtë e këtij fisi ishin në gjendje gatishmërie. Pala kundërshtare ishte dhjetë herë më e madhe në krahasim me numrin e sahabëve, megjithatë Hazret Muhammed ibn Meslema r.a. urdhëroi shokët e tij për t’u rreshtuar. Po të ishte qëllimi i tyre ndeshja ushtarake, ata kurrë nuk do të kishin ardhur në numër kaq të vogël, megjithatë ata qëlluan shigjeta tërë natën ndaj pozicioneve të njëri-tjetrit. Por, me zbardhjen e ditës, mohuesit iu vërsulën muslimanëve. Një grusht sahabësh nuk mund t’i bënte ballë kundërshtarit, i cili ishte më i madh në numër, dhe brenda pak çasteve, përveç Hazret Muhammed ibn Meslemes, të gjithë sahabët kishin dëshmorë. Mohuesit e lanë të lirë, duke e pandehur si të vdekur, por ata ia morën rrobat.

Ndoshta, Hazret Muhammed ibn Meslema r.a. do të pësonte të njëjtin fat, po të mos kishte kaluar rastësisht një musliman pranë tyre. Ai e njohu menjëherë Muhammed ibn Meslemen dhe e vuri në deve dhe e solli në Medinë.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për këtë ngjarje ai zgjodhi Ebu Ubejda ibn el-Xherrahun, një sahab i shquar kurejsh, për hakmarrjen e Muhammed ibn Meslemes kundër fisit Dhul Kissa. Meqë, tashmë ishte bërë i njohur plani i fisit Benu The’elba për të sulmuar rrethinat e Medinës, prandaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi një njësi ushtarake prej 40 sahabësh të përgatitur. Profeti s.a.v.s. u dha porosi për të udhëtuar gjatë natës dhe për të mbërritur në Dhul Kisa në mëngjes.

Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu r.a. veproi sipas porosive të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe iu vërsul fisit Benu The’leb mu në kohën e sabahut. Sulmi i befasishëm e gjeti kundërshtarin të papërgatitur, dhe pas një ndeshje të shkurtër, ata u strehuan në kodrinat përreth. Hazret Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu përvetësoi plaçkat e luftës dhe u kthye në Medinë. Kjo lëvizje ushtarake ishte realizuar si hakmarrje ndaj tyre.

Ekspedita “Dhatus Selasil”

Kjo ekspeditë njihet në histori si “Dhatus Selasil” sepse ushtarët kundërshtarë kishin lidhur veten në zinxhir, nga frika që mos shpërndaheshin dhe të luftonin të rreshtuar. Një tjetër arsye e këtij emërtimi i atribuohet një burimi që quhej es-Selsil. Sipas gojëdhënave të ndryshme, kjo ekspeditë ishte zhvilluar në vitin 7 apo 8 pas ngjarjes së hixhretit. Sipas burimeve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mësuar që fisi Benu Kaza’a po kërdiste plane për të sulmuar Medinën.

Për ta prishur këtë plan, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi 300 sahabë ensarë e muhaxhirë me 30 kuaj nën udhëheqjen e Hazret Amr ibn Asit r.a. drejt tyre. Ky vend ndodhej në largësinë e 10 ditë udhëtimi. Kur Hazret Amr ibn ‘Asi mbërriti atje, ai menjëherë i dërgoi një mesazh të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të dërguar më shumë ndihmë ushtarake, pasi armiku ishte më i madh në numër. Menjëherë pas marrjes së mesazhit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi njëqind ushtarë ensarë dhe muhaxhirë nën komandën e Hazret Ebu Ubejda ibn el-Xherrahut, dhe e porositi për të vepruar me bashkërendim të plotë me Hazret Amr ibn ‘Asin r.a. dhe për t’iu shmangur çdo mosmarrëveshje me të.

Kur kjo njësi u bashkua me trupat ushtarake të udhëhequr nga Hazret Amr ibn ‘Asi, u ngrit çështja se kush do të udhëhiqte ushtrinë e bashkuar muslimane. Ndonëse, Hazret Hazret Ebu Ubejda e meritonte drejtimin e ushtrisë nga grada dhe njohuria e tij, por kur Hazret Amr ibn ‘Asi shprehu dëshirën për të udhëhequr ushtrinë muslimane, Hazret Ebu Ubejda e pranoi këtë propozim me kënaqësi. Ai e bëri këtë duke zbatuar porosinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., i cili e kishte porositur për t’iu shmangur çdolloj konflikti dhe mosmarrëveshje me Hazret Amr ibn ‘Asin r.a.. Madje, ai luftoi trimërisht nën komandën e Hazret Amr ibn ‘Asit dhe e mposhti armikun.

Kur ai u kthye në Medinë, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për bindjen e tij, ai u shpreh me këto fjalë: “رحمه الله ابا عبيدة“ Allahu e mëshiroftë Ebu Ubejden për këtë bindje dhe nënshtrim!”

Ekspedita Sejf el-Behr

Ekziston një dallim midis termave سرية Serija dhe غزوة Gazva. Serijat quhen ato ekspedita ushtarake, të vogla apo të mëdha, në të cilat i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk kishte marrë pjesë. Ekspedita Sejf el-Behr ishte zhvilluar në vitin 8 hixhri pranë zonës bregdetare. Kjo ekspeditë është njohur në histori edhe me emrin Xhejshul Khabt. Arsyeja e këtij emërtimi qëndron në mungesën e ushqimit, e cila i kishte detyruar sahabët të mbijetonin me gjethe pemësh. Khabt në arabisht do të thotë heqja e gjetheve.

Imam Buhariu r.a. ka shënuar këtë ngjarje në sahihun e tij. Ai shkruan:

“Hazret Xhabiri r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na dërgoi me një mision ushtarak. Ne ishim treqind kalorës dhe Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu ishte komandanti ynë. Ne kishim detyrë për të vëzhguar lëvizjen e një karvani tregtar të kurejshve. Nuk kishim leje për të zhvilluar ndonjë lëvizje ushtarake.

Ne qëndruam gati 15 ditë në bregdet dhe kishim vështirësi për të siguruar ushqimin. Në mungesë të ushqimit, u detyruam të përdornim gjethe për mbijetesë”.

Këto ekspedita nuk kishin gjithmonë si qëllim veprime ushtarake, megjithatë nganjëherë në disa raste ato ktheheshin në përleshje të ashpra. Në këtë mënyrë nga termi Serja nënkuptojnë ato ekspedita që kishin natyrë paqeruajtëse a ushtarake, në të cilat nuk ishte i pranishëm i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Ai vijon rrëfimin e kësaj ekspedite dhe thotë: “Ndërkohë që ishim në këtë gjendje që detyroheshim për t’u ushqyer me gjethe, kur një ditë papritmas deti nxori në breg një peshk të madh, të cilin e quanim Anber. Për shkak të pamundësisë për t’u kthyer sërish në ujë, kjo balenë ngordhi në bregdet. Ne u ushqyem me mishin e saj për plotë 15 ditë dhe me dhjamin e saj i lyenim trupat tonë. Nga ushqimi i bollshëm, ne u shëndoshëm prapë ashtu siç kishim qenë.

Hazret Ebu Ubejda mori një prej brinjave të saj dhe e ngriti vertikalisht, pastaj ai thirri ushtarin më të gjatë dhe e bëri të qëndronte pranë saj. Më vonë, një ushtar tjetër që ishte hipur në deve, kaloi përmes brinjave të peshkut.

Hazret Xhabiri r.a. shton që ata thernin tri deve përditë dhe kishin vepruar kështu për tri ditë radhazi, derisa Hazret Ebu Ubejda e ndaloi therjen e tyre.

Amr ibn Dinari ka thënë që Ebu Salih Zekvani i kishte thënë që Kajs ibn Sa’adi i kishte thënë babait të tij se edhe ai ishte pjesëtar i këtij misioni. Për shkak të urisë, Hazret Ebu Ubejda r.a. e kishte lejuar therjen e deveve. Sa herë që detyroheshin nga uria, Hazret Ebu Ubejda r.a. na jepte leje për të therur devenë. Meqë, ato deve shërbenin për udhëtim, andaj më vonë ai ndaloi rreptësisht nga therja e tyre.

Në një transmetim tjetër që është përcjellë nga Hazret Xhabir ibn Abdullahu, i cili ka thënë që: “Ne kishim dalë për të marrë pjesë në ekspeditën e Xhejshul Khabt. Hazret Ebu Ubejda r.a. ishte caktuar kryetari ynë. Ne po përballeshim me mungesën e ushqimit, kur papritmas deti nxori në breg një peshk të ngordhur. Peshku ishte kaq i madh saqë ne kurrë nuk kishim parë një të tillë. Ne jemi ushqyer prej mishit të tij për 15 ditë. Hazret Ebu Ubejda r.a. i mori një brinjë dhe ajo ishte kaq e madhe, saqë një kalorës kaloi poshtë saj.

Ibn Xherixhi ka përcjellë që Ebu Zubejri i ka thënë atij, që ai kishte dëgjuar nga Hazret Xhabiri se Hazret Ebu Ubejda u kishte thënë që të hanin prej mishit të tij, edhe pse kishte dalë i ngordhur në breg. Kur ne u kthyem në Medinë, ne i rrëfyem këtë ngjarje të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se si një peshk i ngordhur kishte dalë në breg dhe që jemi ushqyer me të. Profeti na dëgjoi pastaj na tha: “Sigurisht, ju duhet të ushqeheshit me riskun, që Zoti kishte nxjerrë për ju. Allahu ju kishte mëshiruar për shkak të gjendjes suaj, prandaj përdorimi i këtij mishi nuk përbën asnjë dëm. Madje, nëse ju ka mbetur diçka prej atij mishi, na qerasni edhe ne”. Atëherë, dikush prej tyre i dha Profetit s.a.v.s. një copë prej mishit dhe ai hëngri prej tij.

Hazret Sjed Zejnul Abidin Veliullah Shah sahibi ka lënë një shënim mbi ngjarjen e ekspeditës Sejful Behr. Ai shkruan:

“Serija Sejful Behr, e cila përndryshe quhet Khabt, është prej atyre ekspeditave, që nuk kishin për qëllim ndonjë ndeshje ushtarake. Përkundrazi, kjo ekspeditë, e cila përbëhej nga treqind ushtarë ensarë dhe muhaxhirë, kishte për qëllim ruajtjen e karvanëve tregtarë. Kjo serija e cila ndryshe njihet si lufta Seful Behr, drejtohej nga Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu. Meqë karvanët tregtarë përdornin rrugën që kalonte pranë Detit të Kuq, andaj ishte ngritur një kullë e mbrojtjes. Fjala Sejf do të thotë breg, prandaj kjo ekspeditë kishte marrë emrin Serija Sejful Behr.

Ibni Sa’di ka përshkruar këtë ngjarje nën titullin “Serijatul Khabt” pasi Khabti do të thotë pemë. Për shkak të sosjes së burimeve ushqimore, ushtarët muslimanë ishin detyruar të mbijetonin duke konsumuar vetëm gjethet e pemëve. Sipas Ibni Sa’dit kjo ngjarjeje kishte ndodhur në vitin 8 hixhri. Kjo ngjarje përkon me periudhën e marrëveshjes së Hudejbijes. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke vepruar me largpamësi, kishte dërguar këtë ekspeditë ushtarake si një masë mbrojtëse në vendin Sejful Behr. Qëllimi i kësaj ekspedite ushtarake ishte të ngrihej një pike vëzhguese për të shmangur çdolloj ndeshje apo fërkimi me karvanin tregtar të kurejshëve që kthehej nga Siria dhe kështu t’i mos jepej palës kurejshe ndonjë shkas për të shkelur marrëveshjen.

Meqë ishte koha e paqes, për shkak të marrëveshjes së Hudejbijes, të nënshkruar midis muslimanëve dhe kurejshëve, prandaj një fërkim i vogël mund të përdorej si shkas, për të rrëzuar marrëveshjen reciproke.

Ibn Sa’adi gjithashtu ka shkruar që ky vend ndodhet në një distancë prej 5 ditë udhëtimi. Në këtë mënyrë, kjo ekspeditë nuk kishte parasysh asnjë objektivë ushtarake, përkundrazi ajo synonte t’u siguronte mohuesve një kalim të sigurt.

Siç kam shpjeguar edhe më lartë, kjo ishte një përpjekje e sinqertë për të vendosur paqen, duke mbrojtur dhe armikun. Edhe më vonë, ngjarjet vërtetuan se ishin mosbesimtarët të cilët kishin shkelur kushtet e marrëveshjes, dhe kjo përfundoi me fitoren e Mekës.

Hazret Ebu Hurerja r.a. transmeton se në ditën e fitores së Mekës, erdhi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe hyri në qytet. Ai në njërën anë kishte caktuar Hazret Zubejr ibn el-Avamit si komandant i ushtrisë, ndërsa për krahun tjetër e kishte caktuar Hazret Halit ibn Velidin r.a.. Përveç tyre, ai kishte caktuar Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahun si komandant të këmbësorisë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nënshkruar një marrëveshje me banorët e Behrejnit në kushtin që do të paguanin xhizjen. Profeti caktoi Hazret ‘Ala ibn Hizremi si kryetar i tyre dhe dërgoi Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahun për të mbledhur xhizjen prej tyre. Kur Ebu Ubejda u kthye në Medinë bashkë me paratë e xhizjes, banorët e Medinës, të cilët tashmë e kishin mësuar për ardhjen e tij nxituan për të falur namazin e sahabut. Pas përfundimit të faljes, i Dërguar i Allahut s.a.v.s. u hodhi një vështrim të pranishmëve dhe u tha me një buzëqeshje “Duket se keni marrë vesh që Ebu Ubejda ka sjellë diçka. Atëherë gëzohuni dhe shpresoni për atë që është më mirë ju. Unë nuk ju frikësohem për vobektësi, përkundrazi druhem që bota t’ju bëhet e begatshme dhe ju të silleni me lakmi e babëzi të tepruar dhe ajo do t’ju çojë drejt shkatërrimit.

Çdokush duhet ta mbajë parasysh këtë porosi profetike. Sot jemi dëshmitarë që sa më shumë muslimanët shtohen në pasuri e begati materiale, përfshirë dhe liderët e tyre politikë, aq shumë u rritet dëshira për këtë dynja. Ndonëse, ata përmendin Zotin, epërsinë i japin prapë pasurisë dhe shkëlqimit të kësaj dynjaje. Prandaj, sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut ne gjithmonë duhet të shqyrtojmë gjendjen tonë dhe nuk duhet të lejojmë të neglizhojmë besimin tonë për shkak të kësaj pasurie.

Në vitin 10 hixhri, Hazret Ebu Ubejda udhëtoi drejt Mekës për haxh, bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Kur Profeti s.a.v.s. ndërroi jetë, njerëzit nisën të ziheshin me njëri-tjetrin lidhur me formën e varrit, pra të ishte me lehed (pra me një kanal që gërmohet anash, në të cilin mbahet trupi) ose të ishte i zakonshëm. Hazret Abasi dërgoi njerëz për të thirrur Ebu Ubejde ibn el-Xherrahun dhe Hazret Ebu Talhain dhe vendosi që këtë çështje do të zgjidhte ai që do të vinte i pari prej këtyre dyve. Hazret Ebu Ubejda bënte varre pa lehed, siç ishte tradita e mekasve, ndërsa Hazret Ebu Talhai bënte varre me lehed, sipas zakonit të medinasve. Personi i cili kishte dalë për të gjetur Ebu Talhain e gjeti atë, por personi i cili duhet të gjente Ebu Ubejde ibn el-Xherrahun, nuk e gjeti dot atë. Kështu, kur erdhi Hazret Ebu Talhai, ai përgatiti varrin e të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. me lehed, sipas traditës medinase.

Menjëherë pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nisi një mosmarrëveshje midis sahabëve ensarë dhe muhaxhirë në lidhje me çështjen e Kalifatit. Hazret Imam Buhariu ka shënuar këtë ngjarje në sahihun e tij. Ndonëse, këtë ngjarje e kam cekur edhe më parë, në lidhjen me jetën e një sahabiu, por është e udhës, nëse përmendet sërish në lidhje me Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahut.

“Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ensarët u mblodhën në shtëpinë e Sa’ad ibn Ibades. Ai sugjeroi që një kryetar të zgjidhej prej tyre dhe një nga mesi i muhaxhirëve. Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri dhe Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu e takuan atë. Në fillim, Hazret Omeri mati të thoshte diçka, por Hazret Ebu Bekri e ndaloi atë.

Hazret Omeri kishte thënë që në atë çast, ai dëshironte të ligjëronte, pasi kishte përgatitur një fjalim të shkëlqyer dhe i pëlqente të përcillte idenë e tij me gojëtari dhe elokuencë. Ai kujtonte se ndoshta Hazret Ebu Bekri nuk mund të shprehej aq bukur. Por, kur Hazret Ebu Bekri nisi të fliste, ai mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm me kaq qartësi dhe rrjedhshmëri saqë mbizotëroi çdo fjalë tjetër. Në këtë fjalim, Hazret Ebu Bekri tha “Ne muhaxhirë jemi kryetarë ndërsa ju ensarë jeni këshilltarë”. Hazret Ebu Habab ibn Mundhiri kundërshtoi këtë dhe tha: “Ne nuk do ta pranojmë këtë në asnjë mënyrë. Një udhëheqës do të zgjidhet nga ju dhe një prej nesh”. Hazret Ebu Bekri nuk e pranoi këtë dhe tha: “Ne jemi kryetarë dhe ju jeni këshilltarë, sepse kurejshët gëzojnë epërsinë mbi gjithë popullin arab”. Pastaj ai sugjeroi dy emra, Hazret Omer dhe Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu dhe u bëri thirrje për të zgjedhur njërin prej tyre si kalif. Hazret Omeri ndërhyri dhe tha: “Jo. Ne do të lidhim bejat në dorën tuaj, sepse ju jeni prijësi ynë dhe jeni më i miri prej nesh. Ju jeni më i dashuri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”. Me të thënë këto fjalë, Hazret Omeri i shtrëngoi duart dhe lidhi bejat me të. Menjëherë pas tij, edhe të tjerët lidhën bejat me Hazret Ebu Bekrin r.a..

Kjo ngjarje tregon pozitën e lartë të Hazret Ebu Ubejdes në sytë e Hazret Ebu Bekrit, saqë ia sugjeroi emrin për detyrën e Kalifit. Po ashtu, është cekur pak më parë se Hazret Omeri kishte thënë që nëse do të jetonte Hazret Ebu Ubejda, ai do ta kishte emëruar atë si kalif, sepse ai, sipas fjalëve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishte besniku i këtij umeti.

Kur po debatohej mbi çështjen e kalifatit, Hazret Ebu Ubejda iu drejtua ensarëve dhe tha: O grupi i ensarëve! Ju jeni të parët që keni ofruar ndihmë, por mos vallë bëhene të parët për të mbjellë përçarje e ndasi.

Kur Hazret Ebu Bekri u zgjodh kalif, ai dërgoi Hazret Ebu Ubejden si kryekomandant i ushtrisë muslimane drejt Sirisë. Ai gjithashtu i besoi detyrën e drejtorisë së financës.

Hazret Ebu Bekri e kishte nisur Hazret Ebu Ubejden drejt Sirisë në vitin 13 hixhri, si kryekomandanti i ushtrisë muslimane, ndërsa Hazret Omeri pas zgjedhjes së tij në detyrën e kalifit, e kishte liruar Hazret Halit ibn Velidin nga detyra e kryekomandantit dhe e kishte zëvendësuar me Hazret Ebu Ubejden.

Fitoret e muslimanëve në Siri

Në vitin 13 hixhri, ushtria musilmane nisi aksionin ushtarak ndaj Perandorisë Romake duke hapur disa fronte. Komandanti i njërës prej këtyre njësive ishte Jezid ibn Ebu Sufjani. Ai hodhi në sulm nga pjesa lindore e Jordanisë. Sherxhil ibn Hasana i cili drejtonte njësinë tjetër, sulmoi nga Belkaja. Njësia e tretë kryesohej nga Amr ibn Asi, i cili marshoi në Siri nga Palestina. Njësia e katërt udhëhiqej nga Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu, i cili përparonte nga Homsi. Hazret Ebu Bekri kishte dhënë direktivë që pas bashkimit të të gjitha njësive ushtarake muslimane, Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu do të ishte komandanti i përgjithshëm për mbarë ushtrinë muslimane.

Çdo njësi përbëhej nga katër mijë ushtarë, kurse njësinë që udhëhiqte Hazret Ebu Ubejde el-Xherrahu kishte tetë mijë ushtarë.

Para se të niseshin këto njësi nga Medina, Hazret Ebu Bekri iu drejtua komandatëve të tyre: “Mos e çoni veten në gjendje të vështirë e as shokët tuaj mos i futni në siklet. Kurrë mos u zemëroni me popullin dhe shokët tuaj. Këshillohuni me ta dhe veproni me drejtësi. Rrini larg nga mizoria dhe zullumi, sepse njeriu mizor kurrë nuk e arrin suksesin. Nëse ndesheni me armikun, mos ia tregoni kurrë shpinën, sepse Allahu i Madhërishëm ka thënë se ai që do të tregojë shpinën atë ditë, do të tërheqë zemërimin e Tij dhe ai do të përfundojë në xhehenem. Përjashtimin e bëjnë ata që ndërrojnë vendin vetëm si taktikë luftarake ose dëshiron t’u bashkohet shokëve të tij. Allahu ka thënë qartësisht në ajetin 17 të sures el-Enfal: “Ai që ua kthen atë ditë shpinën, jo si lëvizje lufte ose si përpjekje për t’u bashkuar me një njësi (të vet), do të kthehet me zemërimin e Allahut dhe vendi i tij do të jetë xhehenemi. Sa vendkthim i keq është ai!” Të dini! Nëse mbizotëroni armikun, mos e vrisni asnjë fëmijë, plak apo grua, madje as kafshët mos i mbytni. Mos tradhtoni dhe kurrë mos u bëni të parët për të shkelur marrëveshjen! “

Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu pushtoi qytetin Mab dhe arriti një marrëveshje me banorët e qytetit mbi kushtin e xhizjes. Pastaj, ai përparoi drejt Xhabijes dhe zbuloi që një ushtri e madhe romake ishte në gjendje gatishmërie. Duke i llogaritur rrethanat, ai menjëherë shkroi Hazret Ebu Bekrit dhe i kërkoi forcimin ushtarak. Hazret Ebu Bekri dërgoi një mesazh Hazret Halit ibn Velidit, i cili ishte angazhuar në fushatën e Irakut, dhe e porositi që të linte gjysmën e ushtrisë nën komandën e Musne’ ibn Harithit dhe të nisej menjëherë për të ndihmuar Hazret Ebu Ubejden. Hazret Ebu Bekri gjithashtu i kishte shkruar Hazret Ebu Ubejdes që ndonëse ai (Ebu Ubejda) qe më i përgatitur dhe më i aftë, ai e ka caktuar Halitin si kryekomandant i krejt ushtrisë. Përmbajtja e plotë e kësaj letre është si në vijim:

“Nga robi i Allahut Atik ibn Ebu Kahafa drejtuar Ebu Ubejde ibn el-Xherrahut

(Atiku qe emri i tij i vërtetë, ndërsa babai i tij quhej Ebu Kahafa)

Paqja e Allahut qoftë mbi ty! Unë i kam besuar Halitit udhëheqjen e ushtrisë në Siri, andaj, mos e kundërshtoni dhe tregojini bindje të plotë. Unë ju kam caktuar mbikëqyrës mbi të. Unë jam në dijeni për aftësinë dhe epërsinë tuaj ndaj tij, megjithatë jam i mendimit se Halit ibn Validi është më i aftë në strategjinë ushtarake. Allahu më udhëzoftë mua dhe ju në rrugën e drejtë!”

Kjo ishte letra e Hazret Ebu Bekrit që ia drejtoi Hazret Halit ibn Velidit. Pas marrjes së kësaj letre, Hazret Halit ibn Velidi i shkroi Hazret Ebu Ubejdes:

“Paqja e Allahut qoftë mbi ju! Kam marrë një urdhër nga Hazret Ebu Bekri për të përparuar drejt Sirisë, dhe më ka ngarkuar me udhëheqjen ushtarake. Betohem në Allah! Unë kurrë nuk kam kërkuar një përgjegjësi të tillë, as nuk ka qenë kjo dëshira ime. Ju do të vijoni me detyrën e mëparshme, dhe ne nuk do t’ju kundërshtojmë dhe nuk do të marrim asnjë vendim duke ju anashkaluar. Ju jeni udhëheqësi i muslimanëve, dhe ne pranojmë epërsinë tuaj dhe nuk mund të privojmë veten nga këshillat dhe porositë tuaja”.

Vini re këtë sjellje të shkëlqyer prej besimtarit se si ata dy shfaqën një përulësi dhe bindje shembullore.

Lufta “Exhnadejn”

Kjo luftë u zhvillua në muajin Xhemadiul Evel, vitin 13 hixhri. “Exhnadejn” është një qytezë në rrethina të Palestinës, ku ishte zhvilluar beteja e madhe e muslimanëve kundër 100 mijë ushtarëve romakë. Sipas burimeve, këtë ushtri e udhëhiqte vetë Teodori, i cili ishte vëllai i Çezarit Hereklius. Ushtria muslimane që përbëhej nga 35 mijë ushtarësh kishte shënuar një fitore madhështore ndaj 100 mijë ushtarëve romakë. Pas fitores së Exhnadejnit, muslimanët e vunë rrethimin ushtarak ndaj armikut. Ngjarja e rrethimit është përshkruar si më poshtë:

Damasku është kryeqyteti i Sirisë dhe është një prej vendbanimeve më të vjetra në botë. Muslimanët rrethuan këtë qytet në muajin Muharrem të vitit 14 hixhri dhe ngujuan palën kundërshtare brenda fortesë. Ky rrethim tashmë kishte kaluar 6 muaj dhe pesë komandantë muslimanë ishin mbledhur rreth e përqark kështjellës me ushtritë e tyre.

Hazret Ebu Ubejda ishte caktuar në portën lindore të kështjellës, ndërsa Hazret Halid ibn Velidi gjendej në anën e kundërt, përballë portës perëndimore. Po ashtu komandantë të tjerë, ndodheshin përpara portave të tjera qytetit. Ushtarët romakë herë pas herë dilnin nga portat për ndonjë aksion ushtarak, por prapë ktheheshin në qytet, duke i mbyllur portat. Ata shpresonin për ndonjë ndihmë nga Çezari, por gatishmëria e muslimanëve ua kishte ndërprerë çdo mundësi të tillë.

Një natë po zhvillohej një festë brenda qytetit. Atmosfera festive dhe manifestimet përkatëse nuk kishte angazhuar vetëm banorët por edhe rojat kufitarë gjithashtu poargëtoheshin në këto veprimtari. Hazret Halit ibn Velidi bashkë me shokët e tij, kapërceu murin e kalasë dhe hapi portën kryesore. Banorët e qytetit kishin parë që ushtria muslimane po hynte nga njëra portë, prandaj ata nxituan për të bërë një marrëveshje me Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahun r.a., i cili ndodhej në krahun tjetër të qytetit. Hazret Halit ibn Velidi nuk ishte në dijeni të kësaj marrëveshje, prandaj ai vazhdonte të luftonte me romakët. Banorët shkuan prapë tek Ebu Ubejda dhe iu lutën armëpushim nga Halit ibn Velidi.

Hazret Ebu Ubejde ibn el-Xherrahu dhe Hazret Halit ibn Velidi u takuan me njërin-tjetrin në mes të qytetit, dhe ata vendosën për të vijuar marrëveshjen e armëpushimit, pasi Hazret Ebu Ubejda kishte pranuar atë.

Fitorja e qytetit “Fehel”

Fehel është një qytet i Sirisë. Pas fitores së Damaskut, kur ushtritë muslimane marshuan përpara, ata mësuan që romakët janë koncentruar në Bejsan dhe po bëjnë përgatitje për të bërë një sulm vendimtar e të befasishëm. Muslimanët gjithashtu ngritën çadrat përballë tyre. Kryekomandanti romak dërgoi përfaqësuesin e tij për të biseduar një marrëveshje për paqe. Kur negociatori romak hyri në anën muslimane, ai u çudit duke parë komandantët, oficerët e shtabit të përgjithshëm, kapitenët, togerët dhe  ushtarët e thjeshtë, të gjithë duke ulur bashkë, pa asnjë dallim apo trajtim të veçantë. Duke mos kuptuar këtë, ai pyeti: Cili nga ju është kryekomandanti? Të pranishmit bënë me dorë te një person i zakonshëm dhe i thjeshtë, i cili ishte ndenjur në tokë. Përfaqësuesi romak iu afrua dhe pyeti: A me të vërtetë ju jeni kryekomandanti i kësaj ushtrie? Hazret Ebu Ubejda konfirmoi këtë. Përfaqësuesi romak i bëri një ofertë dhe propozoi që nëse muslimanët do të pranonin për t’u zmbrapsur, secili ushtar do të shpërblehej me dy monedha floriri, kryekomandanti me një mijë dinarë ndërsa Kalifi do të merrte dy mijë dinarë. Hazret Ebu Ubejda e përjashtoi këtë ofertë kategorikisht dhe i tha: “Nuk kemi ardhur deri këtu për të fituar pasurinë, por kemi ardhur për të ngritur fjalën e Allahut”. Përfaqësuesi romak u largua nga kampi musliman, duke i kërcënuar me pasoja të rënda.

Kur Hazret Ebu Ubejda shikoi këtë sjellje të tij, ai menjëherë u dha urdhër ushtarëve për t’u përgatitur për luftë. Të nesërmen, nisi lufta e ashpër midis të dyja ushtrive. Hazret Ebu Ubejda, i cili gjendej në qendër të ushtrisë muslimane, zhvilloi taktikat luftarake në një mënyrë mjaft strategjike, dhe si rezultat, muslimanët pavarësisht numrit të vogël, shënuan një fitore madhështore ndaj romakëve. Pas kësaj fitoreje, sundimi i muslimanëve shtrihej deri në Jordani.

Pas fitores së Fehelit, Hazret Ebu Ubejda marshoi drejt Homsit, i cili qe një qytet i famshëm i Sirisë dhe përbënte një pikë strategjike nga pikëpamja luftarake e politike. Ushtria musliane kaloi përmes “Balbik-ut” qytetit të lashtë të Libanit, i cili ndodhej 3 ditë udhëtimi nga Damasku. Banorët e këtij qyteti, i cili dikur njihej si qendra e idhullit Bal, parashtruan kërkesën për një marrëveshje, e cila u pranua me kushtin e pagimit të taksës. Hazret Ebu Ubejda nuk zhvilloi asnjë veprim ushtarak ndaj tyre, dhe pas pajtimit të tyre për të paguar xhizjen, u dha liri të plotë për të praktikuar fenë e tyre.

Pas rënies së këtij qyteti, muslimanët vijuan marshimin e tyre drejt Homsit dhe vuri rrethimin e qytetit.  Në këtë fushatë ushtarake, Hazret Ebu Ubejda shoqërohej nga Hazret Halit ibn Velidi. Meqë banorët e Homsit kishin varur shpresa prej ndihmës ushtarake të Çezarit, andaj në fillim ata shpallën gatishmërinë luftarake, por më vonë kur iu shuan shpresat, ata lëshuan armët dhe kërkuan armëpushim. Hazret Ebu Ubejda pranoi propozimin e tyre dhe nënshkroi një marrëveshje me ta, dhe përmes saj, ua siguroi jetën e pasurinë dhe i garantoi për mbrojtjen e faltoreve dhe banesave të tyre. Nëse ata donin të qëndronin në fenë e tyre, duhet t’ua paguanin muslimanëve xhizjen apo haraçin, si njëlloj detyrimi apo takse.

Fitorja e “Ladhkijes”

Pas rënies së Homsit, muslimanët përparuan drejt Ladhkijes, i cili ishte një qytet bregdetar dhe konsiderohej në zonën periferike të Homsit. Ushtria muslimane rrethoi qytetin, megjithatë ata kishin marrë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse. Banorët e qytetit kishin grumbulluar rezerva të ndryshme jetike, prandaj ata u trembeshin vështirësive të rrethimit.

Megjithatë, Hazret Ebu Ubejda gjeti një ide gjeniale për të shënuar fitore ndaj tyre. Një natë, ai u dha urdhër ushtarëve për të hapur gropa në fushë dhe për t’i mbuluar ato me kashtë. Të nesërmen, muslimanët hoqën rrethimin dhe u tërhoqën, duke u dhënë përshtypje kinse ata po ktheheshin në Homs.

Banorët e qyteti shprehën gëzim se kishin fituar çlirimin nga rrethimi dhe hapën portat e qytetit. Atë natë, Hazret Ebu Ubejda u kthye sërish me ushtrinë e tij, dhe ushtarët u fshehën në ato gropa. Të nesërmen, kur u çelën portat e qyetit, muslimanët menjëherë bënë një sulm të befasishëm dhe shënuan fitore ndaj tyre. Këtë temë do ta trajtoj edhe në vijim. InshAllah

Një thirrje për lutje

Gjatë këtyre ditëve, bëni shumë lutje për ahmedianët e Pakistanit. Allahu i ruajttë ata nga sherri i klerikëve dhe të autoriteteve shtetërorë! Vala e kundërshtimit sërish ka kapluar krejt vendin. Mbrojtësit e ligjit, jo vetëm që nuk e njohin drejtësinë, madje po e nëpërkëmbin paturpësisht. Ndoshta për të shpëtuar veten apo për të zgjatur pushtetin politik, ata po u binden verbërisht hoxhallarëve. Por, ata janë lajthitur sepse nuk dinë që kjo sjellje do të vulosë shkatërrimin e tyre. Ne kemi përballuar vështirësitë dhe sprovat edhe më parë, prandaj dashtë Allahu, me ndihmën e Tij, do ta kapërcejmë edhe këtë fazë. Por, nëse ata nuk heqin dorë nga prapësitë e tyre, i pret vetëm shkatërrimi.

Andaj, ahmedianët duhet të bëjnë shumë lutje që Allahu i Madhërishëm t’ua largojë këtë vështirësi. Ahmedianët që jetojnë në Pakistan, në veçanti dhe ata që jetojnë jashtë, por që kanë ardhur nga Pakistani, në përgjithësi, duhet të forcojnë lidhjen e tyre me Zotin, me qëllim që të vijë më shpejt ndihma dhe mbështetja e Allahut, dhe ahmedianët e Pakistanit të gjejnë çlirim nga hallet e tyre. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp