Jeta e Sa'd ibn 'Ubades r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Sa’d ibn ‘Ubades r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Sa’d ibn ‘Ubade el-Ensariu r.a. | سَعْد بن عُبَادة

Kisha përfunduar hutben e fundit, duke folur mbi jetën e Hazret Sa’d ibn ‘Ubades r.a.. Këtë temë do ta vazhdoj edhe sot. Sa’di r.a. ishte një prej 12 nekibëve që ishin caktuar në kohën e besëlidhjes së dytë në Akaba. Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka vënë një shënim në veprën e tij Siret Khatimun Nebijjin. Ai shkruan:

“Sa’d ibn ‘Ubade ishte prej familjes Benu Sa’ideh të fisit Hazrexh. Ai ishte kryetar i mbarë fisit Hazrexh dhe prej sahabëve më të shquar të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në radhën e ensarëve. Ai ishte një prej atyre ensarëve, emrat e të cilëve ishin proposuar për kalifat pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai ndërroi jetë në periudhën e Kalifatit të Omerit r.a..

Kur Sa’d ibn ‘Ubada r.a., Mundhir ibn Amri r.a. dhe Ebu Dexhana r.a. pranaun Islamin nga Benu Sa’ida, ata shembën krejt idhujt e fisit. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mërgoi nga Meka dhe kaloi pranë fisit Benu Sa’ida në Medinë, Sa’d ibn ‘Ubada r.a., Mundhir ibn Amri r.a. dhe Ebu Dexhana iu lutën Profetit s.a.v.s. që ai të qëndronte në shtëpitë e tyre, përderisa ata ishin me pozitë, pasuri, fuqi dhe autoritet. Sa’d ibn ‘Ubada r.a. iu drejtua Profetit s.a.v.s. dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Nuk ka asnjëri në popullin që të ketë më shumë kopshte hurmash dhe puse uji se unë. Përveç begatisë, gëzoj autoritet dhe mbështetje të madhe. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: O Ebu Thabit! Liroje rrugën për devenë time. Sot ajo është nën urdhrin e Zotit dhe është e lirë të shkojë aty ku i pëlqen”.

Sa’d ibn ‘Ubada r.a. ishte nekib për Benu Sa’ida. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjen vëllazërore midis Sa’dit dhe Tulejb ibn ‘Umejrit r.a,, i cili kishte mërguar nga Meka në Medinë. Ndërsa sipas Ibn Is’hakut i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhej vëllazërore midis Sa’d ibn ‘Ubades dhe Ebu Dherr Geffarit r.a., por jo të gjithë e pranojnë këtë pikëpamje. Vakidiu nuk e pranon këtë sepse sipas tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Kishte vendosur lidhje vëllazërore midis sahabëve, para luftës së Bedrit, ndërsa Ebu Dherr Ghaffari r.a. ende nuk kishte mbërritur në Medinë, madje ai nuk kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, Uhudit dhe Handekut, dhe kishte mbërritur pas këtyre ngjarjeve.

Në Eus dhe Hazrexh nuk ekzistonte familje, përveç familjes së Dulejmit, që të ketë pasur katër breza që shquheshin njëri pas tjetrit për bujari. Pas Dulejmit, Ubadeja trashëgoi vetinë e bujarisë dhe pas tij Sa’di dhe pas Sa’dit djali i tij Kejsi vazhduan këtë traditë fisnike. Populli e kishte nëpër gojë ngjarje të shumta të bujarisë dhe fisnikërisë së Dulejmit dhe të pasardhësve të tij.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Medinë, Sa’d ibn ‘Ubada r.a. çdo ditë dërgonte një tas të madh me gjellë. Ky tas në shumicën e rasteve përmbante gjellë me mish dhe copëza buke dhe nganjëherë ndonjë gatim tjetër me bulmet, uthullë, vaj ulliri apo gjellë me dhjamë. Tasi që vinte shtëpia e Sa’d ibn ‘Ubades r.a. sillej me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. nëpër shtëpitë e bashkëshorteve të tij në varësi të radhës.

Në disa hadithe përmendet se Profeti s.a.v.s. ka pasur raste kur nuk kishte asgjë për të ngrënë për ditë të tëra. Ndoshta, gjatë këtyre ditëve Sa’di r.a. shpesh dërgonte ushqim në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Mundet se kjo gjendje duhet të ketë qenë në ditët e para të Profetit s.a.v.s. në Medinë. Por, ekziston dhe një mundësi tjetër që për shkak të bujarisë dhe dhembshurisë, Profeti s.a.v.s. u jepte gjithçka nevojtarëve, të varfërve apo edhe mysafirëve dhe nuk i mbetej asgjë në shtëpi.

Sipas një hadithi, të transmetuar nga Zejd ibn Thabiti r.a., kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndronte në shtëpinë e Ebu Ejub Ensariut r.a., nuk i erdhi asnjë dhuratë. Ushqimin e parë që e kisha çuar te Profeti s.a.v.s. ishte një tas me gjellë mishi, që përmante copëza buke dhe qumësht. Kur e vura para para tij, i thashë “O i Dërguar i Allahut! Kjo është dhuratë prej nënës sime”. Atëherë Profeti tha: “Allahu e bekoftë!” Pastaj ai ftoi sahabët e tij dhe ata iu bashkuan në gosti. Teksa po dilja nga dera, erdhi Sa’d ibn ‘Ubada r.a. me një kazan të madh, të cilin e mbante shërbëtori i tij mbi kokë.

Unë isha te dera e Ebu Ejub Ensariut r.a. Unë zgjata dorën për të ngritur mbulesën e kapakut, që të shikoja se çfarë mbante kazani. Ai mbante gatimin tradicional “Therid” me copëza të mëdha mishi. Ai shërbëtor e la atë para Profetit s.a.v.s.

Zejdi r.a. ka rrëfyer se ne jetonim nëpër banesat e Benu Malik ibn Nexharit. Dy apo tre veta nga ne, i sillnim bukë çdo ditë me radhë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai kishte banuar shtatë muaj në shtëpinë e Ebu Ejub Ensariut r.a.. Gjatë kësaj periudhe, çdo ditë, Profetit s.a.v.s. i vinin ushqime pandërprerë nga Sa’d ibn ‘Ubada r.a. dhe Esed ibn Zerara r.a.

Ky hadith tregon se Profetit s.a.v.s. i vinin ushqime nga familjet e ensarëve, vetëm gjatë shtatë muajve, kur ai banonte në shtëpinë e Ebu Ejub Ensariut r.a. Ndoshta, sahabët i dërgonin ushqim edhe pas kësaj periudhe, por jo në mënyrë aq të rregullt.

Zejdi r.a. rrëfen më tej se kur u pyet bashkëshortja e Ebu Ejub Ensariut r.a. për kohën kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. banonte në shtëpinë e tyre dhe që cili ishte ushqimi më i preferuar i Profetit s.a.v.s., ajo u përgjigj: “Nuk më kujtohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të ketë porositur për ndonjë ushqim të veçantë. Ai kurrë nuk shprehu mospëlqim apo vërejtje ndaj ushqimit që i servirej atij.

Zejdi r.a. transmeton se Ejubi r.a. ka thënë se një natë Sa’d ibn ‘Ubada r.a. dërgoi një tas me gjellë tradicionale “Tufejshel”. Ai e hëngri sa u ngop. Ejubi r.a. ka thënë se ai nuk e kishte parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që të hajë duke u ngopur. Më vonë edhe ne bënim të njëjën gjellë për të. Ne gjithashtu bënim “Haris” për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Ky është një gatim i famshëm që përgatitet me mish dhe grurë. Profetit s.a.v.s. i pëlqente ky gatim dhe në darkë ai shoqërohej nga 5 deri në 16 veta, në varësi të sasisë së ushqimit.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte banuar 7 muaj në shtëpinë e Ebu Ejub Ensariut r.a., ndërsa sipas Ibni Is’hakut Profeti s.a.v.s. kishte qëndruar në këtë shtëpi deri në muajin Safer të vitit të dytë pas hixhretit. Kjo tregon se Profeti s.a.v.s. kishte banuar në atë shtëpi, derisa u ndërtuan xhamia e tij dhe shtëpi të tjera rreth saj.

Ebu Ejub Ensariu r.a. kujdesej për ushqimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Për shkak të dashurisë dhe besnikërisë ndaj Profetit s.a.v.s., ai gjithmonë hante prej ushqimit që mbetej nga sofra e Profetit s.a.vs. Ndër sahabët e tjerë që dërgonin ushqim për Profetin s.a.v.s., shquhej kryetari i fisit Hazrexh Sa’d ibn ‘Ubade r.a.

Sipas transmetimit të Enesit r.a., Sa’d ibn ‘Ubada r.a. iu lut të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që ai të vizitonte shtëpinë e tij. Profeti s.a.v.s. ia pranoi ftesën dhe erdhi në shtëpinë e tij. Sa’di r.a. solli hurma, farë sesami dhe një tas qumështi për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Djali i Sa’dit r.a. Kejs ibn Sa’di gjithashtu ka rrëfyer këtë ngjarje. Ai tregon se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na erdhi në shtëpi, ai përshëndeti duke thënë “es-Selamu alejkum ve rahmatullah ve brakatuhu”. Por, babai im Sa’di u përgjigj me zë të ulët. Unë i thashë: A nuk do të lajmëroni të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për të hyrë brenda? Babai im më tha: “Le të na përshëndesë Profeti s.a.v.s. sa më shumë!” Ndërkohë, Profeti s.a.v.s. duke mos dëgjuar asnjë përgjigje, u mat të kthehej. Sa’d ibn ‘Ubada r.a. nxitoi pas Profetit s.a.v.s. dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Unë po dëgjoja kur na bënit selam, por përgjigjesha me zë të ulët, që të na bënit më shumë selam”. Kështu Profeti s.a.v.s. erdhi i shoqëruar nga Sa’di r.a. Profeti s.a.v.s. bëri gusl në shtëpinë e tij. Pastaj Sa’di r.a. i solli Profetit s.a.v.s. shafran dhe një mbulesë të lyer në të verdhë me bimën e Javersit të Jemenit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e mbështolli rreth trupit dhe tha: “O Allah! Mëshiroji dhe bekoji fëmijët e Sa’d ibn ‘Ubades!”

Sipas transmetimit të Enesit r.a. njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. priste te dera e Sa’d ibn ‘Ubades. Ai tha me zë të lartë “es-selamu alejkum ve rahmatullah”. Sa’di r.a. ia ktheu përgjigjen me zë shumë të ulët “ve alejkum us selam ve rahamtullah”, por Profeti s.a.v.s. nuk e dëgjoi atë. Kështu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e përshëndeti tri herë me selam, dhe Sa’d ibn ‘Ubada r.a. gjithmonë ia ktheu përgjigjen me zë shumë të ulët, që ai nuk mundi ta dëgjonte. Në fund, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye mbrapsht, por Sa’di e ndoqi nga pas dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! U flijofshin prindërit e mi për ju! Unë e kisha dëgjuar çdoherë me veshët e mi selamin tuaj. Ju kisha kthyer dhe përgjigje, por ju nuk dëgjuat zërin tim. Kisha dëshirë të fitoja lutjet tuaja për më shumë bekim e mëshirë”. Pastaj ai e shoqëroi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në shtëpinë e tij dhe e shërbeu me rrush të thatë. Pasi që përfundoi së ngrëni, Profeti s.a.v.s. u lut me këto fjalë: “Njerëzit e mirë hëngshin nga kjo sofër! Engjëjt e Allahut ju dërgofshin bekime e mëshirë pafund! Ju ardhshin agjëruesit për të çelur agjërimin!”

Sipas Ibn Sirinit, në të ngrysur banorët e Medinës ftonin për darkë dy apo tre njerëz nga Es’habus Sufa, të cilët rrinin ditë e natë pranë xhamisë së Profetit. Ndërsa, Sa’d ibn ‘Ubada r.a. ftonte tetëdhjhetë veta për darkë në shtëpinë e tij. Në përgjithësi këta muslimanë që njihen me epitet “Es’habus Sufa” kanë pasur raste kur kanë qenë pabukë. Megjithatë, sahabët në përgjithësi dhe Sa’d ibn ‘Ubada r.a. në veçanti kujdeseshin për nevojat e të varfërve dhe të atyre vëllezërve që rrinin në xhaminë e Profetit.

Kur kaloi një vit në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në muajin Safer, bëri një rrugë drejt Ebuas, i cili ndodhet 37 kilometra nga Meka pranë rrugës kryesore drejt Medinës. Ky është ai vend, ku ndodhej varri i Amines, nënës së Profetit s.a.v.s. Ngjyra e flamurit të Profetit s.a.v.s. qe e bardhë. Ai e caktoi Sa’d ibn ‘Ubaden r.a. si zëvendës apo kryetar të Medinës gjatë mungesës së tij. Emri tjetër i betejës së Ebuas është beteja “Vedan”.

Dallimi midis ‘Gazves‘ dhe ‘Sirjes

Në “Siret Khatimun Nebijjin”, gjejmë një shënim të rëndësishëm lidhur me betejën “Vedan”. Mirza Bashir Ahmedi r.a. shkruan:

“Praktika e të Dërguari të Allahut s.a.v.s. ishte e tillë që nganjëherë ai bëhej pjesë e ekspeditës, duke shkuar personalisht me sahabë, dhe nganjëherë dërgonte një ekspeditë ushtarake në drejtimin e një sahabiu. Historianët kanë cilësuar këto ekspedita me dy emërtime të ndryshme. Ekspedita ushtarake në të cilën i Dërguari i Allahut s.a.v.s. merrte pjesë personalisht, titullohet “Gazve” dhe ekspedita në cilën ai nuk merrte pjesë, quhet “Sirje” apo “Ba’th”. Megjithatë, le të dihet që këto dy lloj ekspeditash nuk kanë pasur domosdoshmërisht qëllime ushtarake. Madje, çdo udhëim, që ai ndërmori në periudhën e luftës, cilësohet si “Gazve”, edhe pse qëllim nuk ishte ndeshje me palën kundërshtare. Në të njëjtën mënyrë, çdo udhëtim që sahabët ndërmorën, sipas porosisë së Profetit s.a.v.s., cilësohet “Sirje” apo “Ba’th”, pavarësisht a përfundoi në ndeshje ushtarake apo jo. Disa njerëz për shkak të mosdijes, konsiderojnë se çdo “Gazve” apo “Sirje” kishte natyrë ushtarake, gjë që nuk është e saktë.

Tashmë e kemi thënë që leja për të bërë xhihad me anë të luftës mbrojtëse ishte shpallur në muajin Safer, në vitin e dytë pas hixhretit. Meqë, mbrojtja e muslimanëve kërkonte një veprim të menjëhershëm kundër intrigave vrastare dhe veprimeve e rrezikshme të kurejshëve, andaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bashkë me një grup muslimanësh brenda atij muaji mori rrugë në drejtim të Medinës. Para se të nisej nga Medina, ai e caktoi Sa’d ibn ‘Ubaden r.a. Kryetarin e fisit Hazrexh si zëvendës. Ai nisi udhëtim drejt Mekës nga jug-perëndim i Medinës dhe mbërriti në vendin “Vedan”.

Në këtë vend, banonin pjesëtarët e fisit Benu Zemra, i cili ishte degëzimi i fisit Benu Kenane. Në këtë mënyrë, ata ishin kushërinjtë e Kurejshve.

Me të mbërritur në këtë vend, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi negociata me kryetarin e fisit Benu Zemra, dhe me pëlqimin e të dy palëve u arrit një marrëveshje. Sipas kushteve të pajtuara, Benu Zemra do të ruante lidhjet miqësore me palën muslimane, dhe nuk do të hynte në aleancë me asnjë fuqi tjetër kundër muslimanëve. Po kështu, nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do t’i ftonte ata për ndihmë, ata duhet t’i përgjigjeshin menjëherë thirrjes së muslimanëve. Në anën tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në emër të muslimanëve nënshkroi se muslimanët do të ruajnin marrëdhëniet miqësore dypalëshe me Benu Zemra dhe në rast nevojash do t’u vinin në ndihmë.

Kjo marrëveshje u shkrua në mënyrë të rregullt dhe përfaqësuesit e dy palëve nënshkruan atë. Kështu, pas një mungese 15 ditore, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye sërish në Medinë.

Gezva “Vedan” njihet edhe me emrin Gezve Ubve, sepse qyteza Ubve ndodhej fare pranë Vedanit. Nëna e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kishte ndërruar jetë në Ubve.

Me anë të marrëveshjes me Benu Zemra, Profeti s.a.v.s. kishte synuar mbrojtjen nga Kurejshët e Mekës. Qëllimi kryesor i këtij misioni ishte parandalimi i veprimeve të rrezikshme të Kurejshit si dhe sheshimi i ndikimit helmues dhe armiqësor të Kurejshve në fise të ndryshme arabe.

Sqarimi lidhur me Pjesëmarrjen e Sa’d ibn ‘Ubades r.a. në Bedr?

Për sa i përket pjesëmarrjes së Sa’d ibn ‘Ubades r.a. në luftën e Bedrit, gjejmë dy mendime. Nëse Vakidiu, Medaini dhe Ibn Kalbiu mendojnë se Sa’d ibn ‘Ubada r.a. kishte marrë pjesë në Bedr, Ibni Is’haku, Ibn ‘Ukba dhe Ibn Sa’di i kundërvihen këtij mendimi. Megjithatë, një transmetim në Tebekatul Kubra, e qartëson këtë tymnajë lidhur me pjesëmarrjen e tij ose jo në Bedr. Sipas saj, Sa’d ibn ‘Ubada r.a. nuk kishte marrë pjesë në Bedr. Ai jo vetëm që po përgatitej për t’u nisur, por inkurajonte dhe ensarët për luftë duke i takuar nëpër shtëpi. Megjithatë, para se të nisej, e kishte kafshur një qen, dhe si pasojë ai nuk mundi të paraqitej në luftë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu ishte shprehur se ndonëse kishte munguar në fushëbetejë, Sa’di kishte dëshirë të madhe për t’u paraqitur. Kjo qe arsyeja që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte lënë Sa’dit r.a. pjesë në plaçkat e luftës.

Pjesëmarrja në luftën e Uhudit

Sa’d ibn ‘Ubada r.a. kishte marrë pjesë në Uhud, Handek dhe beteja të tjera bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Sipas një hadithi në “El-Mustadrak ales-Sahihejn” flamuri i ensarëve në luftën e Bedrit e mbante Sa’d ibn ‘Ubada r.a.

Para se të nisej në luftën e Bedrit, Sa’d ibn ‘Ubada r.a. i kishte dhuruar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. një shpatë me titullin “Adeb” dhe Profeti kishte marrë pjesë në luftë me këtë shpatë. Sa’d ibn ‘Ubada r.a. gjithashtu i kishte dhënë atij një gomar si dhuratë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte shtatë mburojë dhe njëra prej tyre quhej “Dhatul Fudul”. Kjo mburojë e kishte marrë këtë emër sepse ishte mjaft e madhe. Sa’d ibn ‘Ubada r.a. kishte dërguar këtë mburojë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pasi që ai ishte nisur drejt fushës së Bedrit. Kjo mburojë prej hekuri, ishte e njëjtë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte lënë te hebreu Ebu Sham si garanci, në këmbim të 30 sa’a, ose afërsisht 60 kilogram drithërave. Profeti s.a.v.s. kishte marrë këtë borxh për një vit.

Ibn Abasi ka transmetuar se flamuri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. e mbante Aliu r.a. ndërsa flamurin e ensarëve e mbante Sa’d ibn ‘Ubada r.a.. Kur lufta bëhej e ashpër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. luftonte nën flamurin e ensarëve. Kjo tregon se sulmi i armikut përqendrohej në pjesën e ensarëve, përderisa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndodhej atje.

Ngjarja me Abdullah ibn Ubej ibn Selulin

Osama ibn Zejdi r.a. ka transmetuar se një ditë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hipi në gomar, mbi kurrizin e të cilit, ishte vënë një copë pëlhure të punuar në Fadak. Ai e porositi Osamën të ulej mbrapa tij. Profeti donte të vizitonte Sa’d ibn ‘Ubaden r.a. i cili ishte i sëmurë. Ai në atë kohë banonte në lagjen e Benu Harith ibn Hazrexhit. Kjo ngjarje ka ndodhur para luftës së Bedrit.

Gjatë udhëtimit, ata kaluan pranë kuvendit të Abdullah ibn Ubej ibn Selulit. Ai akoma nuk e kishte pranuar Islamin. Në këtë ngjarje, Abdullah ibn Ubej ibn Seluli ishte treguar i pasjellshëm ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Lëvizja e gomarit ua pluhurosi rrobat njerëzve që uleshin pranë rrugës. Abdullah ibn Ubej e mbuloi fytyrën dhe u shpreh që të mos bëhej me pluhur. Profeti s.a.v.s. ndaloi gomarin dhe zbriti poshtë.  Ai i përshëndeti të pranishmit me selam, u bëri thirrje për Islam dhe ua lexoi ajetet e Kuranit. Abdullah ibn Ubej iu përgjigj Profetit s.a.v.s. se “Nuk ka fjalë më të mira se këto që keni thënë. Por, edhe nëse janë të vërteta, mos na bezdisni me fjalë të tilla’’.

Këtë ngjarje e kam rrëfyer edhe më parë në një hutbe.

Abdullah ibn Ravaha r.a. gjithashtu ndodhej atje. Ai tashmë kishte pranuar Islamin dhe dëgjonte këtë bisedë. Ai ndërhyri dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Përkundrazi, neve na pëlqen që të zbukuroni kuvendet tona me praninë tuaj dhe të na përcillni këto fjalë”. Kjo nxiti polemikë midis muslimanëve, hebrenjve dhe idhujtarëve dhe ata u fjalosën rëndë kundër njëri-tjetrit. Për pak sa nuk u kacafytën e u përleshën.

Profeti s.a.v.s. i uli gjakrat dhe vazhdoi udhën derisa mbërriti te Sa’ad ibn Ubada r.a. Ai e pyeti Sa’d ibn ‘Ubaden: O Sa’d! A ke dëgjuar atë që Ebu Hubabi më ka thënë sot?” Pra, ai pyeti për Abdullah ibn Ubejj ibn Selulin dhe ia rrëfeu gjithçka që kishte ndodhur. Sa’d ibn Ubada r.a. iu përgjigj: O i Dërguar i Allahut! Ju lutemi, mos ia përfillni fjalët dhe faleni atë për këtë gabim! Betohem në Allah, i Cili ju ka zbritur Libër dhe ju ka sjellë këtu me të vërtetën, banorët e këtij qyteti kishin vendosur t’i vinin kurorë dhe ta zgjidhnin udhëheqës. Por, kur Allahu nuk e pranoi këtë, ai tashmë po digjet përbrenda nga inati e smira”.

Profeti s.a.v.s. dëgjoi fjalët e Sa’adit dhe iu shmang Abdullah ibn Ubejj ibn Selulit. Profeti dhe sahabët e tij vazhduan të silleshin me durim e vetëpërmbajtje përballë fyerjeve të idhujtarëve dhe hebrenjve. Ata praktikonin sipas kësaj porosie:

Ju patjetër do të sprovoheni me pasuritë tuaja dhe me jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fjalë therëse nga ata, të cilëve u ishte dhënë libri para jush dhe nga ata që janë idhujtarë. Po duruat dhe patët druajtje (ndaj Zotit), kjo përnjëmend do të jetë një prej veprave shumë të guximshme.  (Kurani 3:187)

Prej ithtarëve të Librit ka shumë nga ata që, pasi ju të keni pranuar besimin, duan t’ju kthejnë sërish në mohim. Kjo për shkak të smirës që buron prej zemrave të tyre, edhe pse atyre u është bërë e qartë e vërteta. Andaj, falini dhe tolerojini, derisa Allahu të shfaqë vendimin e Tij. Allahu pa dyshim ka fuqi të plotë mbi çdo gjë që dëshiron. (Kurani 2:110)

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithmonë sillej me falje e tolerancë, ashtu siç e kishte porositur Allahu. Por përfundimisht, Allahu u dha leje muslimanëve për të luftuar në vetëmbrojtje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ndeshi Kurejshët në fushën e Bedrit dhe fuqia e Allahut i mposhti dhe shpartalloi krerët e tyre të mëdhenj. Kjo ngjarje mahniti Abdullah ibn Ubej ibn Selulin dhe ithtarët e tij idhujtarë. Kështu duke parë fitoren e muslimanëve në Bedr, ata vendosën të lidhnin besëlidhje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe të përqafonin Islamin.

Fjalët besimnxitëse të Sa’d ibn ‘Ubades r.a. para luftës së Bedrit

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori lajm për karvanin e Ebu Sufjanit i cili do të kalonte shumë pranë Mekës, ai u kërkoi mendim sahabëve lidhur me këtë çështje. Enesi r.a. ka transmetuar se në fillim Ebu Bekri r.a. mori fjalën dhe parashtroi mendimin e tij, por Profeti s.a.v.s. nuk i kushtoi shumë vëmendje. Pastaj, u ngrit Omeri r.a. për të dhënë këshilla për situatën që krijohej, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ia përfilli fjalën. Pastaj, fjalën e mori Sa’d ibn ‘Ubada r.a. dhe u shpreh në emër të ensarëve: O i Dërguar i Allahut! Si duket, doni ndonjë fjalë nga ne medinasit … Pasha Allahun, deti nuk është larg. Nëse na urdhëroni të kalërojmë kuaj në det, pa dyshim do ta bëjmë edhe këtë dhe askush nga ne nuk do të ngurrojë. Nëse na urdhëroni të mësymë “Berkul Kimad”, qytetin e Jemenit, që kërkon pesë ditë udhëtimi dhe ndodhet pranë detit, ne me siguri do ta bëjmë edhe këtë”. Kur dëgjoi këto fjalë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u bëri thirrje njerëzve dhe ata u nisën drejt fushës së Bedrit.

Në fushën e Bedrit, disa njerëz nga ushtria e Kurejshve kishin ardhur për të mbushur ujë nga një burim. Muslimanët i rrethuan dhe i shoqëruan në kampin e tyre, për të marrë në pyetje. Ndër ata ishte një djalosh me ngyjrë nga Benu Haxhaxhi. Meqë muslimanët fillimisht kishin njohuri vetëm për karvanin apo ushtrinë e Ebu Sujfjanit, andaj sahabët e hetonin atë djalosh për të zbuluar të dhënat lidhur me Ebu Sufjanin dhe karvanin e tij. Pas pyetjeve të sahabëve, ai përgjigjej se nuk kishte dijeni për Ebu Sufjanin, megjithatë Ebu Xhehli, ‘Utba, Shejba dhe Umeja ibn Halfi ishin aty. Duke dëgjuar këtë, sahabët e rrihnin dhe ai menjëherë thoshte: “Tani do t’ju them të vërtetën. Edhe Ebu Sufjani është atje”. Por sa e ndërprisnin rrahjen, ai prapë jepte të njëjtën përgjigje se nuk kishte haber për Ebu Sufjanin, por Ebu Xhehli, ‘Utba, Shejba dhe Umeja ibn Halfi ndodhen në kampin e kurejshve pranë Bedrit. Sahabët prapë e rrihnin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. po falte namaz dhe dëgjonte këtë bisedë. Ai ndërpreu namazin dhe tha: Pasha Allahun! Kur ai ju rrëfen të vërtetën, ju e rrihni, dhe kur gënjen, ju e ndërprisni rrahjen. Ky djalosh ju ka treguar të vërtetën.

Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Kjo është fusha e Bedrit. Këtu do të vritet filani dhe këtu do të bjerë filani. Ai përmendi dhe emrat e prijësve kurejshë që do të binin pre të muslimanëve. Sipas transmetuesit të kësaj ngjarje, prijësit e kurejshve ranë në fushë beteje krejt njësoj, siç kishte paralajmëruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s., në vendet e përcaktuara, paasnjë ndryshim më të vogël.

Sa’d ibn ‘Ubada r.a. në luftën e Uhudit

Një ditë para luftës së Uhudit, në mbrëmjen e së premtes, Sa’d ibn Mu’adhi r.a., Usejd ibn Hudejri r.a. dhe Sa’d ibn ‘Ubada r.a. qëndronin të armatosur deri në dhëmbë jashtë xhamisë së Profetit në Medinë dhe kishin bërë rojë tërë natën.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli nga Medina, ai i hipi kalit, vuri hark në sup dhe mori shtizë në dorë. Sa’d ibn Mu’adhi dhe Sa’d ibn ‘Ubada r.a. vraponin para tij me mburojë ndërsa sahabët e tjerë qëndronin në të djathtë e në të majtë të Profetit s.a.v.s..

Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka përshkruar gjendjen e luftës së Uhudit me këto fjalë:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli nga Medina pas namazit të iqindisë, me ushtri të madhe muslimanësh. Krerët e fiseve Eus dhe Hazrexh Sa’d ibn Mu’adhi dhe Sa’d ibn ‘Ubada rendnin para kalit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ndërsa sahabët e tjerë marshohin nga e djathta, nga e majta dhe mbrapa tij. Sa’d ibn ‘Ubada r.a. ishte prej atyre sahabëve që qëndruan besnikërisht e trimërisht pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Kur Profeti s.a.v.s. u kthye në Medinë nga lufta e Uhudit, ai zbriti nga kali dhe hyri në shtëpi duke u mbështetur në krahun e Sa’d ibn Mu’adhit dhe Sa’d ibn ‘Ubades r.a..

Ekspedita “Humraul Esed”

Ekspedita “Humraul Esed” ishte zhvilluar në muajin sheval të vitit 3 pas hixhretit. Pas kthimit nga lufta e Uhudit, ushtria kurejshe kishte zbritur në Roha, e cila ndodhej 58 k.m. larg Medinës. Këtu ata morën vendimin se meqë ata u kanë shkaktuar medinasve dëm të thellë, andaj nëse mësynin befasisht Medinën, muslimanët kurrë nuk mund të qëndronin para tyre.

Ndërsa, në anën tjetër i Dërguari i Allahut s.a.v.s. marshoi duke i ndjekur Kurejshët dhe mbërriti deri në “Humraul Esed”. Ky vend ndodhet afro 13 k.m. larg Medinës në drejtim të Dhul Halifes. Ai kishte parandjerë hapin e ardhshëm të Kurejshve. Kur ushtria kurejshe mësoi lëvizjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ajo u zmbraps menjëherë drejt Mekës. Në vend të tkurreshin në Medinë, muslimanët u hodhën në sulm ndaj tyre. Xhabir ibn Abdullah r.a. tregon se në luftën e “Humraul Esed” kishim marrë hurma të thjeshta për rrugë. Sipas tij, Sa’d ibn ‘Ubada r.a. mori 30 deve dhe hurma që mjaftonin deri në Humraul Esed.

Ekspedita e Benu Nezirit

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte zhvilluar ekspeditën “Benu Nezir” në vitin 4 të hixhretit, dhe kishte rrethuar fortesat e hebrenjve të fisit “Benu Nezir” për 15 ditë. Përfundimisht, ata ishin detyruar të mërgoheshin në drejtim të Hajberit. Kur muslimanët fituan plaçkat në këtë luftë, Profeti s.a.v.s. thirri Thabit ibn Kejsin dhe e porositi për të ftuar popullin e tij. Thabit ibn Kejsi r.a. e pyeti: O i Dërguar i Allahut! A keni fjalë për fisin Hazrexh? Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: Jo, lajmëroni krejt ensarët të vijnë këtu. Kështu Thabit ibn Kejsi r.a. u thirri fiseve Eus dhe Hazrexh që të vijnë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Bujaria dhe dhembshuria e ensarëve ndaj vëllezërve muhaxhirë

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në fillim madhëroi Zotin, pastaj përmendi virtyet dhe mirësitë e ensarëve ndaj muhaxhirëve se si kishin strehuar në shtëpitë e tyre dhe u kishin dhënë epërsi mbi nevojat e tyre. Pastaj ai i pyeti: Nëse dëshironi, dua të ndaj plaçkat e Benu Nezirit në mënyrë të barabartë midis jush dhe muhaxhirëve. Në këtë mënyrë, muhaxhirët do të vazhdojnë të banojnë në shtëpitë tuaja, po ashtu do të mbeten në fuqi lidhjet vëllazërore midis jush.

Por nëse dëshironi, do t’u jap këto pasuri vetëm muhaxhirëve dhe rrjedhimisht ata duhet të lëshojnë shtëpitë tuaja dhe do të shfuqizohen edhe rregullat e mëparshme, që u jepnin të drejta të veçanta.

Kur dëgjoi propozimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Sa’d ibn Mu’adhi r.a. dhe Sa’d ibn ‘Ubada r.a. iu përgjigjën njëzëri: O i Dërguar i Allahut! Ju lutemi, jepuni këto plaçka vëllezërve tanë muhaxhirë. Por ata le të qëndrojnë në shtëpitë tona, njësoj si më parë. Nuk kemi nevojë për asgjë nga këto plaçka. Vëllezërit tanë muhaxhirë do të gëzojnë të drejtat e tyre, njësoj siç kanë pasur deri më sot”. Ensarët gjithashtu mbështetën vendimin e krerëve të tyre dhe u përgjigjën njëzëri: O i Dërguar i Allahut! Ne pajtohemi me këtë dhe i bindemi këtij vendimi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. përshëndeti vendimin e tyre duke thënë: O Allah! Mëshiroji ensarët dhe djemtë e tyre!

Çdo pasuri apo të mira materiale që Allahu i fali të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai ua kaloi muhaxhirëve. Profeti s.a.v.s. nuk u dha asgjë ensarëve, përveç dy sahabëve, të cilët kishin gjendje të ngushtë financiare, Sehl ibn Hanifi r.a. dhe Ebu Dexhana r.a.. Ai gjithashtu i dha Sa’d ibn Mua’dhit r.a. shpatën e Ebu Hakikut.

Sadakaja e Sa’dit ibn ‘Ubades r.a. nga ana e nënës

Nëna e Sa’d ibn ‘Ubades r.a. quhej Humra bint Mesut r.a. e cila ishte ndër “sahabiat”. Ajo kishte ndërruar jetë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte angazhuar në luftën “Dometul Xhendel”. Kjo ekspeditë ishte zhvilluar në muajin Rabiul Evel në vitin 5 pas hixhretit, ndërsa Sa’d ibn ‘Ubada r.a. ishte bashkë me të në këtë udhëtim. Sa’di r.a. vetë e kishte njoftuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për vdekjen e nënës së tij dhe i ishte lutur për të udhëhequr namazin e xhenazes. Lajmi për vdekjen e saj kishte mbërritur një muaj më vonë.

Ibn Abasi r.a. ka transmetuar se Sa’d ibn ‘Ubada r.a. kishte pyetur të Dërguarin e Allahut lidhur me një zotim që kishte bërë nëna e tij, por që kishte vdekur pa e përmbushur atë. Profeti s.a.v.s. e porositi Sa’din për ta përmbushur zotimin nga ana e nënës.

Sa’id ibn Musejibi r.a. ka transmetuar që Sa’d ibn ‘Ubada r.a. erdhi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e njoftoi se nëna e tij kishte ndërruar jetë. Ajo nuk kishte bërë testament. A do t’i sjell dobi nëse jap sadaka nga ana e saj? Profeti s.a.v.s. u përgjigj: Po. Ai e pyeti: O i Dërguar i Allahut! Atëherë cila është sadakaja më e pëlqyer për ju? Ai u përgjigj: T’u japësh ujë njerëzve. (ndoshta për shkak të thatësirës, ujë ishte i mangët në atë kohë) Atëherë Sa’di r.a. hapi një pus dhe e vuri në shërbim të njerëzve. Ai tregoi se ky pus ishte në kujtim të nënës së tij.

Alama Ebu Tejeb Shemsul Hak Azimabadi në komentimin e “Ebu Davudit” ka shkruar që arsyeja përse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte porositur Sa’din r.a. për të furnizuar njerëzit me ujë ishte që, për shkak të thatësirës, uji gjendej me vështirësi. Meqë, uji është gjëja më jetike për jetën njerëzore, në krahasim me çdo gjë tjetër, prandaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e cilësoi si sadaka më të lartë. Jo vetëm për nevojat materiale, por edhe për nevojat fetare, nuk mund të mohohet rëndësia dhe dobishmëria e ujit. Në Kuranin Famëlartë, Allahu e ka quajtur ujin si një mirësi të madhe:

… dhe ne kemi zbritur ujë të pastër nga qielli. (el-Furkan 25:49)

Sigurisht, uji ishte një gjë e çmuar në Medinë. Për shkak të temperaturës së lartë, nevojës së madhe dhe mungesës së tij, uji konsiderohej diçka me vlerë të jashtëzakonshme. Edhe sot, uji konsiderohet një pasuri e madhe, dhe politika qeveritare synon mbrojtjen e burimeve ujore.

Sa’di r.a. jo vetëm që hapi një pus në ndihmë të qytetarëve, por bëri dhe vepra të tjera bamirëse.

Ibni Abasi r.a. ka transmetuar që nëna e Sa’d ibn ‘Ubades, i cili i përkiste Benu Sa’ida, kishte ndërruar jetë. Ai në atë moment, nuk gjendej pranë nënës, përkundrazi në një beteje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Prandaj shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha”O i Dërguar i Allahut! Nëna ime ka ndërruar jetë, dhe nuk kam qenë pranë saj. Nëse jap diçka në sadaka, a do t’i sjellë sevap asaj, vepra ime? Profeti s.a.v.s. iu përgjigj: po. Atëherë ai i tha Profetit: O i Dërguar i Allahut! Jini dëshmitar se kopshti im “Mihraf“ është sadaka nga ana e saj.

Sa’d ibn ‘Ubada r.a. dallohej për zemërgjerësinë dhe bujarinë e tij. Ai me anë të sadakasë dhe bamirësisë u vinte në nidhmë njerëzve të varfër dhe në nevojë.

Insha-Allah këtë temë do ta vijoj edhe në hutben e ardhshme.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp