Beteja e Jermukut | Historiku dhe ngjarjet mbresëlënse nga Lufta e Jermukut
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Beteja e Jermukut | Historiku dhe ngjarjet mbresëlënse nga Lufta e Jermukut

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 17.09.2021.)

أَشْھَدُ أَنْ لَّا إِلٰہَ اِلَّا اللّٰہُ وَحْدَہٗ لَا شَرِیْکَ لَہٗ وَأَشْھَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُہٗ وَ رَسُوْلُہٗ۔أَمَّا بَعْدُ فَأَعُوْذُ بِاللّٰہِ مِنَ الشَّیْطٰنِ الرَّجِیْمِ۔

بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (١)  ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ(٢) ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (٣) مَٰلِكِ يَوۡمِ ٱلدِّينِ (٤) إِيَّاكَ نَعۡبُدُ وَإِيَّاكَ نَسۡتَعِينُ (٥) ٱهۡدِنَا ٱلصِّرَٰطَ ٱلۡمُسۡتَقِيمَ (٦) صِرَٰطَ ٱلَّذِينَ أَنۡعَمۡتَ عَلَيۡهِمۡ غَيۡرِ ٱلۡمَغۡضُوبِ عَلَيۡهِمۡ وَلَا ٱلضَّآلِّينَ (٧)

Në vazhdë të ngjarjeve që ndodhën gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a., sot do të flas për Betejën e Jermukut.

Kur ndodhi Beteja e Jermukut?

Ka rrëfime të ndryshme për sa i përket datës se kur ndodhi kjo betejë. Njëri rrëfim pohon që ajo u zhvillua në vitin 15 h., sipas disave, ajo u zhvillua në vitin 13 h., përpara çlirimit të Damaskut.

Kurse sipas një burimi tjetër, lajmi i parë i fitores që i erdhi Hazret Omerit, ishte pikërisht ai i betejës së Jermukut, ndërkohë që kishin kaluar vetëm 20 ditë nga vdekja e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Por sipas disave, ky lajm i parë ishte për fitoren e Damaskut.[1]

Sidoqoftë, më e saktë duket se lajmi i parë ishte për fitoren e Damaskut. Dëshmitë tregojnë që beteja e Jermukut ndodhi pikërisht gjatë Kalifatit të Hazret Omerit r.a..

Bizantinët pasi u mundën dhe pasi u larguan nga Damasku dhe Homsi, shkuan në Antakja, e cila ishte një qytet kufitar i Shamit. Iu përgjëruan Herakliut për ndihmë duke thënë se arabët e kishin shkatërruar gjithë Shamin.

Dallimi thelbësor mes ushtrisë bizantine dhe ushtrisë muslimane

Herakliu u kërkoi bizantinëve të dërgonin në oborrin e tij mbretëror disa burra të mençur të tyre. Kur ata erdhën, ai i pyeti:

– Si nuk mund të luftoni dot me arabët, kur ata janë më të paktë në numër dhe më të dobët në armatime?

Përfaqësuesit bizantinë e ulën kokën nga turpi. Nuk foli askush përveç një plaku të tyre me përvojë, i cili tha:

– Arabët janë më të lartë në moral se ne. Ata natën adhurojnë, dhe ditën agjërojnë. Nuk i bëjnë padrejtësi askujt dhe, ndër ta, të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë.

Kurse ne dehemi e dëfrehemi. Bëjmë imoralitet, nuk i përmbushim zotimet dhe u bëjmë padrejtësi të tjerëve. Këto gjëra bëjnë që puna e tyre është me pasion dhe ka qëndresë, kurse jona e zbrazët nga pasioni dhe nga qëndresa.

Mbreti Cezar në fakt kishte marrë vendimin për ta lënë Shamin, por grupet e të krishterëve nga çdo provincë e nga çdo qytet, i vinin për t’i kërkuar ndihmë. Cezari u prek në sedër, dhe vrullshëm mori vendimin që do ta përdorte gjithë forcën e perandorisë për t’i mundur arabët.

Ai dërgoi urdhëresa në Romë, Kostandinopojë, El-Xhezira [Mesopotamia e Epërme], dhe gjetkë, që ushtritë nga çdo anë të bashkohen në Antakja në një kohë të caktuar. Gjithashtu, u shkroi edhe drejtuesve të të gjitha qarqeve që të mblidhnin burra sa më shumë të ishte e mundur dhe t’i nisnin për luftë.

Me mbërritjen e këtyre urdhëresave, ushtri të shumta u dyndën drejt Antakjasë. Ushtria ishte e shtrirë aq gjerë sa nuk mund ta rrokte dot syri njeriut.

Miqësia e ngushtë e të krishterëve të Homsit me musilmanët

Prijësit e vendeve, të cilat i kishte fituar deri atëherë Hazret Ebu Ubejde bin el-Xherrahu r.a., ishin miqësuar jashtëzakonisht shumë me të dhe me muslimanët, për shkak të drejtësisë dhe mirësjelljes së tyre. Kjo lidhje e tyre e ndërsjellë ishte bërë aq e fortë, saqë pavarësisht se nuk ishin bashkëfetarë me muslimanët, ata vetë kishin caktuar spiunë për të sjellë informacione nga ushtria kundërshtare.

Fjalimi prekës i Hazret Ebu Ubejdesë r.a. përpara oficerëve muslimanë

Falë këtyre informacioneve, kur Hazret Ebu Ubejdeja r.a. u njoftua për zhvillimet e ushtrisë kundërshtare, ai mblodhi të gjithë oficerët e ushtrisë së tij dhe mbajti një fjalim shumë prekës përpara tyre. Ai tha:

– O muslimanë! Zoti ju sprovoi vazhdimisht, dhe ju çdo herë ia keni dalë sprovës. Për këtë arsye, Zoti gjithmonë ju ndihmoi dhe ju bëri fitues. Tani armiku juaj po vjen me mjete kaq të forta luftarake, saqë edhe toka po dridhet prej tyre. Tregomëni se çfarë mendimi keni ju.

Jezid bin Ebu Sufjani, që ishte vëllai i Emir Mu’avijes, u ngrit dhe tha:

– Mendimi im është që ne të lëmë në qytet gratë dhe fëmijët, dhe vetë të rreshtohemi si ushtri jashtë qytetit. Njëkohësisht, t’i dërgohen letra Halid bin Velidit dhe ‘Amri ibnil-’Asit që të vijnë nga Damasku dhe Palestina për të na ndihmuar këtu.

Edhe ky rrëfim tregon që deri atëherë Damasku kishte rënë në duar të muslimanëve.

Shurahbil bin Hasana tha:

– Është e vërtetë që në këtë moment çdokush duhet të japë lirshëm mendimin e tij, dhe se ajo që tha Jezidi, e tha, pa dyshim, nga dashamirësia, por unë nuk e kam të njëjtin mendim. Banorët e qytetit janë të krishterë. Ka mundësi që gjatë luftës ata të ushqejnë urrejtje për ne, dhe të na i dorëzojnë Cezarit gratë dhe fëmijët, që ai t’i vrasë ata.

Hazret Ebu Ubejdeja r.a. iu përgjigj:

– Kemi një strategji për këtë. Ne mund t’i dëbojmë të krishterët nga qyteti, që gratë dhe fëmijët tanë të jenë të sigurt.

Shurahbili sërish u ngrit dhe tha:

– O prijës! Ti nuk ke asnjë të drejtë të bësh diçka të tillë, sepse ne u kemi dhënë fjalën të krishterëve që ata mund të jetojnë lirisht në qytet. E si mund ta thyejmë premtimin e dhënë?

Hazret Ebu Ubejdeja r.a. e pranoi gabimin. Megjithatë, nuk u vendos dot se si duhet të vepronin. Edhe pjesëmarrës të tjerë dhanë mendime të tyre që të qëndronin në Homs dhe të prisnin përforcime. Por Ebu Ubejdeja tha:

– Nuk kemi kaq shumë kohë në dorë.

Largimi i muslimanëve nga Homsi për në Damask

Më në fund u vendos që muslimanët ta linin qytetin e Homsit dhe të shkonin në Damask, ku do të gjenin edhe Halid bin Velidin, dhe se edhe kufirin arab do ta kishin më afër prej atje.

Muslimanët ua kthejnë të krishterëve e hebrenjve të Homsit gjithë xhizjen që u kishin marrë

Pasi u mor vendimi, Hazret Ebu Ubejdeja r.a. thirri oficerin e financës Habib bin Muslimanë, dhe i tha:

– Ne u merrnim xhizje (taksë) të krishterëve me kushtin që do t’i mbronim ata nga çdo armik. Tani vetë gjendja jonë është e brishtë dhe, si të tillë, ne nuk mund të marrim përsipër përgjegjësinë për t’i mbrojtur ata. Prandaj, gjithë taksën që kemi mbledhur deri më tani, duhet t’ua kthejmë atyre. Thuaju që ne vazhdojmë të kemi lidhje miqësore me ta, por ngaqë nuk mund t’i mbrojmë më, po ua kthejmë taksën e tyre.

Taksa që ishte mbledhur deri atëherë ishin qindra mijëra monedha vendase, dhe muslimanët që të gjithë ua kthyen të krishterëve.

Ky gjest u bëri shumë përshtypje të krishterëve. Ata qanin me lotë dhe luteshin: Zoti ju sjelltë sërish sa më shpejt!

Hebrenjtë ishin edhe më shumë të ndikuar. Ata thoshin:

– Për Tevratin! Për sa kohë të jemi gjallë, Cezari nuk mund ta marrë Homsin!

Më pas, ata i mbyllën portat e qytetit dhe vendosën roje në çdo cep.

Ebu Ubejdeja r.a. e bëri këtë sjellje jo vetëm me banorët e Homsit, por edhe me të gjitha provincat që ishin fituar deri atëherë. Ai u shkroi drejtuesve të të gjitha provincave që t’ua kthenin banorëve paratë e xhizjes.

Më në fund, Ebu Ubejdeja r.a. (bashkë me ushtrinë e tij) u nis për në Damask. Ai e njoftoi Hazret Omerin r.a. për të gjitha zhvillimet. Fillimisht Hazret Omeri u brengos pasi dëgjoi që muslimanët e lanë Homsin nga frika e bizantinëve, por kur mësoi që vendimi ishte marrë njëzëri nga të gjithë oficerët e ushtrisë, u qetësua dhe tha:

– Me siguri, Allahu i bashkoi muslimanët në këtë vendim për një arsye.

Disa burime të historisë tregojnë që ishte pikërisht Hazret Omeri ai që e porositi Hazret Ebu Ubejdanë që t’ua kthente taksën të krishterëve, pasi nuk ishin në gjendje t’i mbronte më ata. Ai i dërgoi përgjigjen e letrës Ebu Ubejdasë duke thënë:

– Po ju dërgoj Se’id bin ‘Amirin. Megjithatë, fitorja dhe humbja nuk varen nga numri i ushtarëve në ushtri.

Ebu Ubejdeja mbërriti në Damask dhe mblodhi të gjithë komandantët për t’u këshilluar. Jezid bin Ebi Sufjani, Shurahbil bin Hasana, Muadh bin Xhebeli dhanë mendime të ndryshme. Ndërkohë mbërriti lajmëtari i ‘Amri ibnil-Asit me letrën e tij, ku ai thoshte:

– Në provincat e Jordanisë ka plasur rebelim i përgjithshëm dhe lajmet për ardhjen e bizantinëve kanë shkaktuar tronditje të madhe. Largimi juaj nga Homsi krijoi një humbje të madhe të ndikimit tonë.

Ebu Ubejdeja r.a. i dërgoi përgjigje duke thënë:

– Ne nuk e lamë Homsin nga frika, por me qëllim që armiku të dilte nga vendet e tij të sigurta, dhe po kështu edhe ushtritë muslimane që janë të përhapura në vende të ndryshme, të mblidheshin diku.

Ai gjithashtu i shkroi:

– Ju mos lëvizni nga vendi. Unë do të vij atje për t’ju takuar.

Të nesërmen, Ebu Ubejdeja r.a. u nis nga Damasku për të hyrë në zonat e Jordanisë, dhe mbërriti në Jermuk.

Ku ndodhet Jermuku?

Jermuku ishte një ultësirë në zonat periferike të Shamit, ku kalonte edhe lumi i Jordanisë. Këtu Ebu Ubejdasë iu bashkua edhe ‘Amr bin el-Asi. Ky vend për betejën e ardhshme ishte më e përshtatshme, sepse ishte zona më e afërt me kufirin arab. Gjithashtu, ultësira vijonte deri në Arabi, gjë që i lejonte muslimanët, që në rast rreziku, të zmbrapseshin sa të mundeshin.

Gjendja e brishtë e muslimanëve në Betejën e Jermukut

Ende nuk kishin mbërritur përforcimet, të cilat Hazret Omeri r.a. i kishte nisur nën komandën e Se’id bin ‘Amirit. Nga ana tjetër, muslimanët ndienin frikë nga afrimi i orëpasorshmëm i bizantinëve. Ebu Ubejdeja dërgoi një lajmëtar drejt Hazret Omerit duke thënë:

– Bizantinët po vijnë përmes tokës e detit. Vrulli i tyre është aq i madh, saqë ngado që kalojnë, po i bashkohen edhe priftërinjtë e tyre, që kurrë nuk dilnin nga vetmia.

Kur Hazret Omeri e mori letrën, mblodhi muhaxhirët dhe ensarët dhe ua lexoi. Sahabët zunë të qanin në mënyrë të pakontrolluar dhe i thanë fuqishëm:

– O Emiri i Besimtarëve! Na lejoni t’u bashkohemi vëllezërve tanë që të flijohemi për ta. Nëse, larg qoftë, ata vriten, as ne nuk kemi motiv për të jetuar.

Muhaxhirëve dhe ensarëve vrulli sa vinte u shtohej. Abdurrahman bin Eufi tha:

– O Emiri i Besimtarëve! Na drejtoni ju si kryekomandant që të shkojmë në luftë.

Sahabët e tjerë të pranishëm e kundërshtuan këtë mendim. Në fund u vendos që të dërgohen përforcime shtesë.

– Deri ku ka ardhur ushtria e armikut? e pyeti Hazret Omeri lajmëtarin.

– Tri ose katër ditë udhëtimi larg Jermukut.

Hazret Omeri shumë i pikëlluar tha:

– Fatkeqësisht, në kaq pak kohë, s’mund të dërgojmë ndonjë ndihmë!

Megjithatë, ai shkroi një letër shumë prekëse drejtuar Ebu Ubejdesë dhe i tha lajmëtarit që ta lexonte vetë me zë të lartë në secilin rresht të ushtrisë, dhe i tha t’u thoshte

– Omeri ju bën selam!

– O muslimanë! Luftoni me zjarr e me hekur dhe vërsuluni armikut, o zemërluanë! Çajini kokat me shpatat tuaja dhe duhet që ata të jenë si milingona në sytë tuaj dhe numri i tyre i madh nuk duhet t’ju frikësojë aspak. Mos u brengosni për ata që ende nuk ju janë bashkuar.

Ditën kur lajmëtari kishte mbërritur te ushtria, të njëjtën ditë, për çudi, mbërriti edhe Se’id bin ‘Amiri me një mijë ushtarë. Muslimanët u ndien shumë të fuqishëm. Filluan përgatitjet me vendosmëri të hekurt.

Muadh bin Xhebeli që qe një sahab me pozitë shumë të lartë, u caktua komandat i anërojës së djathtë. Kabas bin Eshimi në anërojën e majtë. Hashim bin ‘Atbasë iu besua përgjegjësia e komandantit të këmbësorisë. Ai e ndau këmbësorinë e tij në katër pjesë, duke e mbajtur njërën prej tyre pranë vetes, dhe për tri të tjera caktoi si oficerë Kejs bin Hubejra, Mejsere bin Mesruku dhe ‘Amr bin Tufejli. Këta tre ishin të famshëm për trimrinë e tyre në të gjithë Arabinë, dhe për këtë arsye zotëronin titullin Farisul-’arab (Kalorësi arab).

Përballja e madhe

Andej edhe bizantinët dolën me përgatitje madhështore. Ushtria e tyre ishte më shumë se dyqind mijë. E kishin ndarë në njëzet e katër rreshta, përpara të cilëve, priftërinjtë me kryq në duar i ngërmonin për luftë.

Një duel përpara betejës

Kur ushtritë u gjendën përballë njëra-tjetrës, një Bitrik nga ushtria e bizantinëve doli përpara dhe deklaroi se do të luftonte vetëm. (Bitrik ishte një titull nderi).

Mejsera bin Mesruku rendi kalin e tij për t’iu përgjigjur. Halid bin Velidi pasi pa që kundërshtari ishte shumë i fortë, e ndaloi Mejseranë dhe më pas hodhi shikimin te Kejs bin Huvejra. Kejsi menjëherë doli përpara duke kënduar vargje lufte.

Kejsi iu vërsul si rrufe në atë mënyrë, që Bitriku nuk pati kohë as për të rregulluar armët. Shpata e Kejsit e çau më dysh kundërshtarin e tij, duke e rrëzuar atë nga kali. Muslimanët menjëherë brohoritën “Allahu Ekber!” Halid bin Velidi e mori si ogur të mirë dhe tha:

– Në dashtë Zoti, fitorja është jona!

Bizantinët e krishterë kishin caktuar ushtri më vete për secilën trupë ushtarake të Halidit, por secila prej tyre u mund përpara muslimanëve. Përfundimi atë ditë ishte që beteja u shty për ditën tjetër.

Negociatat për pajtimin

Natën bizantinët vlerësuan që po e humbnin betejën. Bahani, Kryekomandanti i tyre i mblodhi kryetarët dhe u tha:

– Arabët lakmojnë pasurinë e Shamit. Më e udhës është që t’u japim lakminë e pasurisë dhe të floririt, që ata të largohen që këtu dhe të mos vijojnë duke luftuar me ne.

Të gjithë ranë në ujdi për këtë mendim. Të nesërmen, ata dërguan lajmëtarin e tyre te Ebu Ubejdeja me porosinë që të dërgojnë ndonjë oficer të nderuar te ta për të negociuar për kushtet e pajtimit. Ebu Ubejdeja zgjodhi Halidin për këtë detyrë.

Lajmëtari i të krishterëve u bë musliman | Ngjarje mbresëlënëse

Lajmëtari që kishte ardhur nga bizantinët quhej Xhorxh. Historianët e gjuhës urdu i kanë përmendur emrin Xhorxh, por arabët e quajtën Xherxhe. E sqarova për arabisht folësit. Sidoqoftë, në kohën kur ai mbërriti te muslimanët, kishte rënë muzgu i mbrëmjes. Pas pak do të fillonte namazi i akshamit. Mijëra muslimanë u përgatitën për falje me një rregullsi të paparë dhe thanë “Allahu Ekber”. Lajmëtari i pa tejet i befasuar se me çfarë qetësie, përqendrimi dhe respekti, ata adhuronin Zotin e Madhërishëm. Kur përfundoi namazi, i bëri disa pyetje Ebu Ubejdasë. Ndër to ishte edhe kjo:

– Çfarë besimi keni rreth Jezusit?

Ebu Ubejdeja r.a. i lexoi ajetet e Kuranit të Shenjtë si vijon:

إِنَّ مَثَلَ عِيسَىٰ عِندَ ٱللَّهِ كَمَثَلِ ءَادَمَۖ خَلَقَهُۥ مِن تُرَابٖ ثُمَّ قَالَ لَهُۥ كُن فَيَكُونُ (٦)

يَـٰٓأَهۡلَ ٱلۡكِتَٰبِ لَا تَغۡلُواْ فِي دِينِكُمۡ وَلَا تَقُولُواْ عَلَى ٱللَّهِ إِلَّا ٱلۡحَقَّۚ إِنَّمَا ٱلۡمَسِيحُ عِيسَى ٱبۡنُ مَرۡيَمَ رَسُولُ ٱللَّهِ وَكَلِمَتُهُۥٓ أَلۡقَىٰهَآ إِلَىٰ مَرۡيَمَ وَرُوحٞ مِّنۡهُۖ فَـَٔامِنُواْ بِٱللَّهِ وَرُسُلِهِۦۖ وَلَا تَقُولُواْ ثَلَٰثَةٌۚ ٱنتَهُواْ خَيۡرٗا لَّكُمۡۚ إِنَّمَا ٱللَّهُ إِلَٰهٞ وَٰحِدٞۖ سُبۡحَٰنَهُۥٓ أَن يَكُونَ لَهُۥ وَلَدٞۘ لَّهُۥ مَا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَمَا فِي ٱلۡأَرۡضِۗ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ وَكِيلٗا (٢٧١) لَّن يَسۡتَنكِفَ ٱلۡمَسِيحُ أَن يَكُونَ عَبۡدٗا لِّلَّهِ وَلَا ٱلۡمَلَـٰٓئِكَةُ ٱلۡمُقَرَّبُونَ۔

“Sigurisht, shembulli i Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit, të cilin Ai e krijoi prej dheu dhe më pas tha: “Bëhu!”, dhe ai bëhet.”[2]

O ithtarët e librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe mos thoni për Allahun asgjë tjetër, përveç së vërtetës! Mesihu, Isai biri i Merjemes, sigurisht është vetëm i dërguar i Allahut dhe fjala e Tij, të cilën Ai ia dërgoi Merjemes dhe është një shpirt prej Tij. Andaj, besojeni Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe mos thoni “Tre!” Tërhiquni, se është mirë për ju! Sigurisht, Allahu është i Adhuruar i Vetëm. Ai është i pastër të ketë djalë. E Atij është çka gjendet në qiej dhe çka gjendet në tokë. Dhe Allahu është i mjaftueshëm si Rregullues.

Mesihut në asnjë mënyrë nuk i vjen keq të jetë rob i Allahut, po ashtu, as engjëjve të afërt.”[3]

Përkthyesi ia përktheu ajetet e Kuranit, kurse Xhorxhi, pra lajmëtari, në mënyrë të vetvetishme brohoriti:

– Unë dëshmoj se pikërisht këto janë cilësitë e Jezusit dhe, gjithashtu dëshmoj se Profeti juaj është i vërtetë.

Me të pohuar këtë, ai tha Shehadetin dhe u bë musliman. Nuk donte më të kthehej te populli i tij. Por duke menduar që bizantinët do të paragjykonin për pabesi, Hazret Ebu Ubejdeja e detyroi Xhorxhin të kthehej dhe të vinte sërish së bashku me delegacionin musliman që do të shkonte te bizantinët të nesërmen.

Halid bin Velidi, lajmëtari musliman në ushtrinë bizantine

Të nesërmen Halid bin Velidi vizitoi ushtrinë e bizantinëve. Bizantinët kishin bërë të gjitha parapërgatitjet për t’i treguar lajmëtarit musliman fuqinë e jashtëzakonshme që ata zotëronin. Të dyja anët e rrugës rreshtat e ushtarëve dukeshin sa nuk mbaronin, të gjithë të armatosur gjer në dhëmbë. Por Hazret Halidi i pa me shpërfillje dhe eci me krenari mes tyre, sikur të ishte një luan përpara bagëtive.

Kur mbërriti te çadra e Bahanit, Bahani doli për ta pritur e respektuar Halidin. E solli brenda dhe e uli pranë vetes. Bisedimet filluan nëpërmjet përkthyesit. Pas një diskutimi të shkurtër, Bahani mori fjalën dhe mbajti thuajse një ligjëratë. Pasi lavdëroi Jezusin, përmendi emrin e Cezarit dhe tha me mburrje

– Mbreti ynë është mbreti i të gjithë mbretërve!

Përkthyesi ende nuk e kishte mbaruar përkthimin e kësaj fjalie që Halidi e ndërpreu:

– Kështu mund të jetë mbreti juaj, por udhëheqësi ynë nëse mendon të jetë mbret qoftë për një çast, ne do ta largonim atë.

Bahani përsëri mori fjalën dhe vijoi të përshkruante madhështinë e mbretërisë së tij. Ai tha:

– Arabët erdhën në vendin tonë dhe ne gjithmonë u jemi treguar miq. Mendonim që bamirësitë tona do t’i bënin mirënjohës të gjithë arabët, por kundër pritshmërisë sonë, paskeni sjellë ushtri në vendin tonë dhe doni që të na dëboni ne nga vendi ynë.

Por ju nuk e dini që shumë popuj përpara jush synuan të njëjtën gjë, por kurrë nuk patën sukses. Nuk ka popull më injorant se ju! Jeni të pacivilizuar dhe nuk keni as mjetet ushtarake, por prapëseprapë keni guxuar që të na sulmoni ne!

Megjithatë, duam t’jua falim edhe këtë gabim. Nëse shkoni andej nga keni ardhur, ne do t’i japim secilit oficer tuajit dhjetë mijë dinarë shpërblim, kurse ushtarëve nga një mijë dinarë, dhe këmbësorëve të thjeshtë nga njëqind.

E vërteta ishte që ata kishin mbledhur një ushtri gjigante kundër muslimanëve, por kur panë që nuk po mundeshin përpara tyre, ua vendosën kushtet. Sidoqoftë, pasi mbaroi ligjëratën Bahani, u ngrit Halidi dhe mori fjalën. Pas lavdërimit të Zotit dhe përmendjes së të Dërguarit të Allahut, ai tha:

– Nuk ka dyshim që jeni shumë të pasur dhe keni pushtet të fuqishëm. Ne gjithashtu e dimë se çfarë sjellje keni pasur me fqinjët tuaj arabë. Por kjo nuk qe ndonjë mirësi nga ana juaj, përkundrazi, një mjet për t’i konvertuar ata në fenë tuaj. Rrjedhimisht ata arabë sot janë në rreshtat tuaj për të luftuar kundër nesh.

Edhe kjo është e vërtetë që ne ishim një popull i varfër, nevojtar dhe endacak. Kemi qenë të dhunshëm dhe injorantë deri në atë shkallë, që i forti ynë e shtypte të dobëtin. Kemi qenë vazhdimisht të përfshirë në vëllavrasje.

Por Zoti na mëshiroi dhe na dërgoi një Profet nga gjiri ynë. Ai ishte më i pastri, më i nderuari dhe më bujari prej nesh. Ai na mësoi Njëshmërinë e Zotit dhe na mësoi që nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut dhe se Ai nuk ka as grua e as fëmijë, përkundrazi, Ai është Një dhe i Vetëm. Profeti ynë gjithashtu na porositi që ne të paraqesim mësimet tij përpara çdo vendi të botës. Kushdo që i pranon ato, me të ne jemi vëllezër; dhe kushdo që nuk i pranon ato por që është i gatshëm të japë xhizjen, atij ne i jemi mbrojtës; kurse ai që nuk pranon asnjërën nga këto dy, do të përballet me shpatën tonë.

Sapo e dëgjoi xhizjen, Bahani psherëtiu. Duke vështruar te ushtria e tij, tha:

– Ne nuk e japim xhizjen, por e marrim. Këta ushtarë mund të vdesin, por nuk do t’ju paguajnë xhizjen.


LEXONI:


Shkurt, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Halidi u çua dhe u kthye.

Përgatitjet për betejën përfundimtare me bizantinët

Atëherë filluan përgatitjet për ndeshjen përfundimtare, pas së cilës, bizantinët kurrë nuk do të merrnin veten. Pasi Halidi u largua prej tyre, Bahani mblodhi kryetarët e tij dhe u tha:

– Siç e keni parë, arabët pretendojnë që derisa ju nuk do të bëheni vartës të tyre, nuk jeni të mbrojtur nga sulmi i tyre. A e pranoni skllavërinë ndaj tyre?

– Ne vdesim, por kurrën e kurrës nuk mund ta pranojmë poshtërimin! Iu përgjigjën kryetarët njëzëri.

Të nesërmen në mëngjes, romakët (lindorë) dolën me një vrull e patos të tillë, që edhe muslimanët mbetën të habitur. Duke e parë këtë, Halidi e ndryshoi strategjinë që arabët zakonisht e ndiqnin në luftë, dhe renditi ushtrinë në mënyrë të re.

Halidi e ndau gjithë ushtrinë, që ishte tridhjetë a tridhjetë e pesë mijë ushtarë, në tridhjetë e gjashtë pjesë, duke vendosur rreshtat e ushtarëve me një rregullsi të përpiktë. Mesfushën ia dorëzoi Ebu Ubejdasë. Anërojën e djathtë ‘Amr bin ‘Asit dhe Shurahbilit, ndërsa anërojën e majtë Jezid bin Ebu Sufjanit.

Përveç kësaj, për secilën pjesë zgjodhi oficerë ata që ishin të njohur për trimërinë dhe për aftësinë e tyre luftarake. Caktoi edhe oratorë, të cilët do të ngjallnin te ushtarët ndjenja lufte kundër armiqve. Ndër këta të fundit ishte edhe Ebu Sufjani. Ai dilte përpara ushtarëve dhe u thoshte:

– Ju jeni mbrojtësit e Arabisë dhe ndihmëtarët e Islamit! Kurse ata janë mbrojtësit e Bizantines dhe ndihmëtarët e idhujtarisë. O Allah! Kjo është një nga ditët e Tua! O Allah, sot ndihmoji robërit e Tu!

‘Amr bin ‘Asi u thoshte:

– O njerëz! Ulni shikimet, Uluni mbi gjunjët, ngrehini ushtat dhe rreshtohuni në mënyrë të palëkundur! Kur armiku juaj do të fillojë sulmin, jepini kohë gjersa ai të arrijë në perimetrin e majave të shigjetave tuaja. Atëherë, vërsuluni porsi luanë mbi ta. Për Zotin e Madh që gëzohet nga drejtësia dhe shpërblen për të, dhe që zemërohet nga gënjeshtra dhe e ndëshkon për të! Unë jam njoftuar që muslimanët do të çlirojnë fshat pas fshati dhe do të rrëzojnë kështjellë pas kështjelle. Ne do ta çlirojmë edhe këtë vend! Andaj, mos u frikësoni nga numri i tyre. Po të jeni të palëkundur, këta do të shpërndahen nga frika sikur zogjtë e pulës.

Ushtria muslimane

Muslimanët nuk ishin më shumë se tridhjetë e pesë mijë ushtarë, por që të gjithë ishin të zgjedhur. Një mijë prej tyre ishin sahabë, të cilët e kishin parë me sy fytyrën e bekuar të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Njëqind prej tyre ishin ata që luftuan së bashku me Profetin s.a.v.s. në luftën e Bedrit. Vetëm nga fisi Ezd, që ishte një nga fiset e famshme arabe, kishte më shumë se dhjetë mijë ushtarë. Kishte një numër të madh ushtarësh edhe nga fisi Himjer. Kishte trima të shquar nga fiset Hamdan, Kheulan, Lehm, Xhuzam etj..

Një tjetër karakteristikë e kësaj beteje ishte që në të morën pjesë edhe gratë muslimane, të cilat edhe luftuan trimërisht. Nëna e Emir Mu’avijes, Hazret Hinda r.a., gruaja e Ebu Sufjanit, e cila e kishte pranuar Islamin [në kohën e Profetit s.a.v.s.], në këtë betejë vraponte duke sulmuar armikun dhe bërtiste me të madhe – Vritini këta të parrethprerë!

Po kështu, e bija e Ebu Sufjanit, motra e Emir Mu’avijes që quhej Xhuvejrije, bashkë me burrin e vet, doli me një xhemat për të luftuar kundër bizantinëve dhe gjatë një përplasjeje të fuqishme, ra dëshmore. Mikdadi që kishte një zë shumë të lartë, ecte përpara ushtrisë dhe recitonte ajetet e sures El-Anfal për të nxitur luftëtarët për xhihad.

Andej bizantinët ishin aq të vrullshëm saqë tridhjetë mijë të tyre kishin vënë pranga nëpër këmbë, dhe e kishin lidhur me njëri-tjetrin, në mënyrë që as të mos u shkonte mendja për t’i ikur fushëbetejës.

Bizantinët e bënë sulmin e parë

Bizantinët e bënë sulmin e parë. Kolona e dyqind mijë ushtarëve filloi të vinte me gjithë fuqi. Mijëra priftërinj me kryqe nëpër duar brohorisnin dhe madhëronin Jezusin. Duke e parë pajimet e tyre luftarake kaq të rënda, një musliman në mënyrë të pakontrolluar u shpreh:

– Allahu Ekber! Sa ushtri e madhe qenka kjo!

– Pusho! Tha Hazret Halidi r.a. duke i bërtitur, – Për Zotin! Po t’i kisha mirë këmbët e kalit tim, unë patjetër do të thosha që edhe dyfish qofshin të krishterët!

Kështu që, të krishterët e bënë sulmin në mënyrë shumë të fuqishme. Ata vinin bashkë me rrebesh shigjetash.

Gratë muslimane ua ngjallin sedrën muslimanëve të mundur

Muslimanët qëndruan të palëkundur deri vonë, por sulmi ishte kaq i fortë saqë anëroja e djathtë e muslimanëve u detyrua të mënjanohej. U zmbraps batërdishëm. Ushtarët e mundur duke u shtyrë mbërritën deri te çadrat e grave muslimane. Ato iu zemëruan shumë duke parë këtë gjendje të tyre. Shkulën drunjtë e çadrave dhe iu bërtitën:

– O të paburrë! Po na u afruat këtej, do t’jua çajmë kokën me këta dru!

Hinda, gruaja e Ebu Sufjanit, me shkop në dorë po ecte përpara. Edhe gratë e tjera e ndoqën atë. Tek pa burrin e vet që po ia mbathte, Hinda i hodhi shkopin në drejtim të kalit të tij duke i bërtitur:

– Ku po shkon?! Kthehu në fushëbetejë sa më parë!

Kjo ngjarje përmendet edhe në një rrëfim tjetër, ku thuhet:

Hinda me shkop në dorë iu vërsul Ebu Sufjanit dhe i bërtiti:

– Pasha Zotin! Ke qenë shumë i fortë për të kundërshtuar fenë e vërtetë dhe për të mohuar të Dërguarin e Allahut! Sot e ke mundësinë të flijohesh duke e mbrojtur pikërisht fenë e vërtetë dhe duke marrë pëlqimin e të Dërguarit të Allahut, që të dalësh faqebardhë përpara Zotit!

Ebu Sufjani u prek në sedër. Ngrehu shpatën dhe e ktheu kalin për të hyrë edhe një herë tjetër në fushëbetejë.

Një tjetër grua muslimane trime po këndonte këto vargje për t’u dhënë kurajë ushtarëve muslimanë:

یَا ہَارِبًا عَنْ نِسْوَۃٍ تَقِیَّاتٖ
فَعَنْ قَلِیْلٍ مَا تَرٰى سَبِیَّاتٖ
وَلَا حَظِیَّاتٍ وَلَا رَضِیَّاتٖ

O ti që u ikën besimtareve të devotshme!
Së shpejti do t’i shohësh ato të robëruara
As të kënaqura, e as të pëlqyera

Duke parë këtë situatë, Muadh bin Xhebeli që ishte një prej prijësve të anërojës së djathtë, u hodh nga kali dhe tha:

– Unë do të luftoj me këmbë, megjithatë, nëse ndonjë trim dëshiron të luftojë duke përdorur kalin tim, le ta marrë.

Vetë djali i tij iu përgjigj:

– Po, unë mund të luftoj më mirë duke kalëruar.

Kështu që, të dy babë e bir u hodhën mes vorbullës së luftës dhe luftuan me trimëri. Muslimanët që po lëkundeshin, shumë shpejt u ringritën në këmbë. Haxhaxhi, që qe prijësi i fisit Zebide, marshoi përpara bashkë me pesëqind ushtarët e tij, dhe arriti t’i pengonte të krishterët të cilët deri më tani vetëm po i zmbrapsnin muslimanët.

Fisi Ezd, megjithatë, gjithmonë u tregua i palëkundur edhe pse ishte në anërojën e djathtë. Të krishterët e përqendruan gjithë sulmin te ta, por ata ishin kthyer në një mal që nuk lëvizte nga vendi. Lufta po bëhej kaq e përgjakshme saqë gjymtyrët e njerëzve po binin sa andej e këtej, por trimat sypatrembur vijonin të qëndronin.

‘Amr bin Tufejli që ishte prijësi i fisit të vet, tundte shpatën e tij duke çjerrë rreshtat e armikut dhe duke u bërtitur njerëzve të tij:

– O ezdë! Ju nuk duhet të jeni ata që njollosin muslimanët!

Ai arriti të rrëzonte luftëtarë të mëdhenj të armiqve dhe në fund edhe vetë ra dëshmor duke luftuar.

Hazret Halidi r.a. ende nuk e kishte sjellë përpara ushtrinë e tij. Për të bërë një sulm të beftë, ai papritmas u hodh mbi bizantinët duke ua çorientuar rreshtat.

Kush betohet që të vdesë si një dëshmor?

Ikremeja, i biri i Ebu Xhehlit, rendi kalin përpara dhe bërtiti:

– O të krishterë! Unë që kam luftuar dikur kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., a mund të zmbrapsem sot duke luftuar me ju?!

Pas kësaj, i hodhi një shikim ushtrisë së vet dhe tha:

– Kush betohet që të vdesë si një dëshmor?

Katërqind veta dolën dhe u betuan për vdekje. Njëri prej tyre ishte edhe Derar bin Ezdi. Këta luftuan me një qëndresë kaq të fortë, saqë thuajse të gjithë prej tyre u copëtuan në fushëbetejë. Trupin e Ikremesë e gjetën poshtë një pirgu të të rënëve. Ende po merrte frymë. Halidi r.a. e vendosi kokën e tij në prehrin e vet, i hodhi pak ujë në fyt dhe tha:

– Për Zotin! Omeri e kishte gabim kur mendonte se ne nuk do të binim dëshmorë!

Kështu që, Ikremeja r.a. dhe shokët e tij ranë dëshmorë, por vetëm pasi ua shkatërruan mijëra ushtarë bizantinëve.

Sulmet e Halidit r.a. ua thyen fuqinë edhe më shumë. Përfundimisht, bizantinët u detyruan të tërhiqeshin. Halidi r.a. vijoi t’i zmbrapste dhe arriti deri te Droungariosi, kryekomandanti i të krishterëve. Droungariosi dhe oficerë të tjerë mbuluan sytë e vet, në mënyrë që ata sy nëse nuk e shikonin fitoren, të mos e shikonin as humbjen.

Mu në kohën kur në anërojën e djathtë po luftohej me zjarr e me hekur, Ibni Kenatiri që qe oficeri i anërojës së djathtë bizantine, sulmoi anërojën e majtë të muslimanëve. Muslimanët në këtë pjesë, fatkeqësisht, shumicën e ushtarëve e kishin nga fiset Lehm dhe Gessan, të cilët vinin nga zonat periferike të Shamit dhe që prej një kohe të gjatë ishin taksapagues të Perandorisë Bizantine. Këta që jetuan nën kërbaçin e bizantinëve, u thyen shumë shpejt që në sulmin e parë të tyre. Pra, pavarësisht se ishin muslimanë, por frika e dikurshme ua theu këmbët. Po të mos kishin treguar guximin edhe oficerët e tyre, kjo pjesë e ushtrisë së muslimanëve do t’i paraprinte humbjen e betejës.

Trimëria e oficerëve muslimanë në anërojën e majtë

Edhe këtej, bizantinët po i ndiqnin të larguarit muslimanë, dhe arritën deri te çadrat e grave. Gratë muslimane dolën përjashta duke e parë këtë situatë të brishtë, por u treguan aq trime sa arritën të krijonin pengesë kundër tyre.

Ushtria edhe pse po thyhej, oficerët e muslimanëve po vijonin të rrëfenin trimëri. Ndër ta ishin Kubath bin Eshjemi, Se’id bin Zejdi, Jezid bin Ebu Sufjani, ‘Amr bin ‘Asi, Shurahbil bin Hasana dhe burra të tjerë.

Kubathit po i thyheshin shpatat dhe shtizat nga përplasjet e forta, por ai sypetrit nuk dinte të ndalej. Sapo i thyhej ndonjë armë, bërtiste:

– A ka ndonjë që të më japë armë mua që i jam betuar Zotit që vetëm vdekja mund të më largojë nga fushëbeteja?

Ushtarët muslimanë menjëherë i zgjasnin shpata ose shtiza, dhe Kubathi sërish ndërsehej te armiqtë.

Ebul-A’ver u hodh nga kali dhe duke iu drejtuar batalionit të vet tha:

– Durimi dhe qëndrueshmëria na japin nder në këtë dynja, dhe mëshirë në botën tjetër! Kujdes, mos e humbni këtë pasuri!

Se’id bin Zejdi ishte i ulur në gjunjë, i zemëruar. Kur bizantinët erdhën përpara tij, ai iu vërsul si një luan dhe ua rrëzoi komandantin e pararojës së tyre.

Jezid bin ebu Sufjani, vëllai i Mu’avijes, po luftonte me burrëri të madhe. Rastësisht aty kaloi babai i tij, Ebu Sufjani, i cili po i nxiste ushtarët muslimanë. Kur e pa djalin, i tha:

– Bir, çdo ushtar yni po rrëfen trimëri. Ti je oficer dhe të takon të tregohesh burrë më shumë se ushtarët. Do të jetë turp për ty nëse qoftë një ushtar e provon veten më trim se ti.

Shurahbili ishte në një situatë të habitshme. Ishte rrethuar në të gjitha anët nga bizantinët, dhe në mes ai po qëndronte si një mal, dhe këndonte këtë ajet të Kuranit të Shenjtë:

إِنَّ ٱللَّهَ ٱشۡتَرَىٰ مِنَ ٱلۡمُؤۡمِنِينَ أَنفُسَهُمۡ وَأَمۡوَٰلَهُم بِأَنَّ لَهُمُ ٱلۡجَنَّةَۚ يُقَٰتِلُونَ فِي سَبِيلِ ٱللَّهِ فَيَقۡتُلُونَ وَيُقۡتَلُونَۖ

Allahu ua bleu besimtarëve jetët dhe pasuritë e tyre, duke u siguruar xhenetin. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, andaj, vrasin dhe vriten.[4]

Ai bërtiste me të madhe:

– Ku janë ata që duan të bëjnë tregti me Allahun dhe duan të qëndrojnë me Allahun?!

Fitorja e jashtëzakonshme e muslimanëve

Çdokush që ka dëgjuar zërin e Shurahbilit, në mënyrë të vetvetishme u kthye në fushëbetejë, derisa ushtria që po mundej, u ringrit në këmbë. Shurahbili bashkë me këta burra luftoi me zjarr e me hekur kundër bizantinëve dhe arriti t’u krijonte pengesë të pakapërcyeshme.

Nga ana tjetër, gratë dolën nga çadrat dhe u thoshin nga mbrapa – Po u lëkundët në fushëbetejë, nuk do të na shihni më.

Të dyja palët e ushtrisë peshoheshin herë të barabartë, e herë në favor të bizantinëve.

Ndërkohë, Kejs bin Hubejre, të cilin Halidi r.a. e kishte caktuar me një pjesë të ushtrisë si praparojë për anësoren e majtë, doli përpara dhe bëri një sulm të beftë. Romakët (lindorë) bënë gjithçka që mundej, por nuk iu përgjigjën dot këtij sulmi. Rreshtat e tyre u çorientuan dhe u zmbrapsën nga frika.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Se’id bin Zejdi bëri një sulm të ri nga mesfushorja. Bizantinët vetëm po zmbrapseshin, derisa përfunduan te bregu i lumit në fund të fushëbetejës. Shumë shpejt lumi i vogël do të mbushej me trupat e tyre. Fushëbeteja u zbraz. Dhe në këtë mënyrë, Allahu i Madhërishëm u dha fitore madhështore në këtë luftë të rëndësishme.

Fisi i tij gjithnjë krenohej për këtë ngjarje

Ka një ngjarje mbresëlënëse që ndodhi gjatë kësaj lufte. Kur lufta ishte në kulmin e vet, Habas bin Kejsi që qe një luftëtar i paepur, po luftonte me trimëri të madhe. Ndërkohë, dikush nga radhët e armiqve e goditi me shpatë në këmbë, duke ia këputur krejtësisht. Vrulli i Habasit ishte aq i madh saqë as nuk e ndjeu gjymtimin. Pas pak çastesh, zuri ta kërkonte këmbën. Më vonë, fisi i tij gjithnjë krenohej për këtë ngjarje.

Bilanci i luftës së Jermukut

Se sa ushtarë bizantinë u vranë në këtë betejë, ka rrëfime të ndryshme. Sipas Tabariut dhe Ezdiut, të rënët e tyre ishin më shumë se njëqind mijë. Biladheriu shkruan shtatëdhjetë mijë.

Për sa u përket muslimanëve, tre mijë të tyre ranë dëshmorë, ndër të cilët ishin edhe Ikremeja, Dirar bin Ezver, Hisham bin ‘Asi, Aban bin Se’id, etj..

Cezari ndodhej në Antakja kur atij i erdhi lajmi i humbjes. Menjëherë filloi përgatitjet për të ikur në Kostandinopojë. Tek po largohej, iu drejtua Shamit dhe tha:

– Lamtumirë, o Sham!

Ebu Ubejdeja i shkroi lajmin e fitores Hazret Omerit r.a. dhe dërgoi gjithashtu një delegacion të vogël në të cilin ishte edhe Hudhejfe bin Jemani. Hazret Omeri r.a. kishte shumë net pa gjumë duke pritur lajmin nga Jermuku. Sapo e mori lajmin e fitores, ra në sexhde duke falënderuar Zotin e Madhërishëm.[5]

Ky ishte një shembull që asnjë mbret tjetër në gjithë historinë e botës nuk e ka treguar

Ushtria muslimane u detyrua të largohej përkohësisht nga Homsi për shkak të luftës së Jermukut, dhe musilmanët për këtë arsye ua kishin kthyer banorëve të Homsit edhe xhizjen që u kishin marrë. Duke e përmendur këtë ngjarje, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

Kur sahabët r.a. u përballën me Perandorinë Bizantine dhe, në marshim e sipër, e çliruan edhe Jerusalemin, i cili është një vend i shenjtë i të krishterëve. Më pas, ata e vijuan marshimin edhe më tej.

Të krishterët duke parë që qendra e tyre fetare kishte rënë në duart e muslimanëve, vendosën të bënin një përpjekje të fundit për t’i larguar muslimanët prej atje. Ata shpallën xhihadin fetar në të katër anët dhe ngjallën një vrull të fuqishëm në mesin e të krishterëve. Mblodhën ushtri të mëdha për të bërë një sulm përfundimtar kundër muslimanëve.

Në krahasim me të krishterët, muslimanët ishin të papërfillshëm në numër. Andaj, duke e parë numrin e tyre të madh, muslimanët vendosën të tërhiqeshin përkohësisht nga disa vende. Kryekomandanti musliman i shkroi një letër Hazret Omerit r.a. që armiku është shumë i madh në numër, kurse ata qenë shumë pak dhe se ndeshja do të rezultojë në asgjësimin e ushtrisë së muslimanëve. Andaj, i kërkuan leje që të tërhiqeshin nga disa vende me qëllim bashkërendimi të forcave të tyre duke i përqendruar në një zonë sa më të kufizuar.

Ai gjithashtu i kërkoi Hazret Omerit r.a. se çfarë duhej të bënte me taksën që u merrnin banorëve vendas gjatë qeverisjes në këto zona. Hazret Omeri r.a. i ktheu përgjigje duke thënë:

“Kufizimi i frontit të luftës dhe tërheqja e forcave muslimane për këtë qëllim nuk është e ndaluar sipas mësimeve të Islamit, por mos harroni që ju u keni marrë taksën (xhizjen) banorëve të atyre vendeve me kushtin që ushtria muslimane do t’i mbrojë ata. E tani që ushtria muslimane po tërhiqet, do të thotë se ajo nuk është në gjendje t’i mbrojë. Andaj, është e nevojshme që t’ua ktheni gjithçka që u keni marrë në formë takse.

Në zbatim të urdhrit të Hazret Omerit r.a., kryekomandanti i ushtrisë muslimane thirri tregtarët, çifligarët dhe banorët e tjerë të këtyre zonave dhe ua ktheu taksën që u kishte marrë, duke thënë – Kjo taksë u mor prej jush me kushtin që ushtria muslimane do t’ju mbronte ju, por ne e ndiejmë veten të dobët përballë armikut dhe detyrohemi të tërhiqemi përkohësisht, andaj, nuk mund t’ju mbrojmë dot ju dhe, për këtë arsye, po jua kthejmë paratë tuaja.

Ky ishte një shembull që asnjë mbret tjetër në të gjithë historinë e botës nuk e ka treguar. Mbretërit kur detyrohen të lënë ndonjë vend, marrin gjithçka munden prej atje, në vend që t’ua kthejnë banorëve paratë e marra. Ata mendojnë që meqë ky vend do të jetë në dorën e një pushtuesi tjetër, le ta zhvatim sa më shumë. Dhe ngaqë nuk do të qëndrojnë më atje, nuk kanë as frikë sesi do t’i kujtojnë banorët. Edhe sikur të jetë një pushtet i mirorganizuar, maksimumi, i tërheq forcat e tij pa shkaktuar shumë dëme. Por ajo që bëri ushtria muslimane, që kur është krijuar bota, ka ndodhur vetëm në kohën e Hazret Omerit r.a..

Madje, fatkeqësisht, një shembull të tillë nuk shohim as te ata që erdhën më vonë, që një sundimtar duke braktisur një vend, t’ua ketë kthyer banorëve të atij vendi taksën ose xhizjen që u ka marrë.

Shembulli i ushtrisë së muslimanëve bëri një ndikim kaq të fortë te të krishterët, saqë gra e burra të krishterë dilnin nga shtëpitë e tyre dhe qanin me lot dhe luteshin për kthimin e muslimanëve, pavarësisht nga fakti që kundërshtarët e muslimanëve në këtë betejë ishin vëllezër dhe bashkëfetarë të të krishterëve, pavarësisht nga fakti që gjeneralët, kolonelët dhe oficerët bizantinë ishin sivëllezër të tyre, dhe pavarësisht nga fakti që Perandoria Bizantine e kishte shpallur luftën si një luftë fetare.”[6]

Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. zotëronte mjaft mirë historinë. Sipas tij, muslimanët së pari e pyetën Hazret Omerin për taksën dhe vetëm pas kësaj ua kthyen banorëve xhizjen që ata kishin paguar.

Duke përmendur sakrificën e Ikremesë në këtë betejë, Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. thotë:

“Në luftën e Jermukut që u zhvillua gjatë kohës së Hazret Omerit r.a. kur jeta e sahabëve ishte në rrezik dhe muslimanët po vriteshin me shumicë, atëherë Hazret Ebu Ubejdeja bin El-Xherrahu r.a., Kryekomandanti i muslimanëve bëri thirrje:

– Dua që të dalin disa trima që edhe pse mund të jenë të paktë në numër por që të luftojnë për jetë a vdekje për të krijuar ndikim të fuqishëm kundër ushtrisë bizantine.

Hazret Ikremeja r.a. ishte ai që doli dhe i kërkoi Hazret Ebu Ubejdesë:

– Më lejoni të zgjedh disa burra, dhe unë bashkë me ta, do të sulmojmë në zemër të ushtrisë së armikut dhe do të përpiqemi t’ua rrëzojmë Kryekomandantin.

Në atë kohë Kryekomandanti bizantin po luftonte fuqishëm. Mbreti i kishte premtuar që do të martonte vajzën e tij me të, në rast se ai do ta fitonte betejën kundër muslimanëve, dhe gjithashtu, do t’i jepte pushtet mbi gjysmën e pasurisë së tij. Lakmia për pushtet e bëri që ai të vinte në fushëbetejë jo vetëm me ushtrinë mbretërore, por edhe personale. Edhe ai vetë u kishte premtuar shpërblime të majme ushtarëve të tij. Për këtë arsye, edhe ushtarët bizantinë po luftonin me mish e me shpirt. Gjatë betejës, ky Kryekomandant po qëndronte në zemër të ushtrisë së tyre.

Hazret Ikrimeja r.a. mori rreth katërqind ushtarë dhe bëri një sulm të fuqishëm. Një prej shokëve të tij arriti ta sulmonte Kryekomandantin duke e rrëzuar atë nga kali. Në fushëbetejë ishin qindra mijëra njerëz, kurse këta ishin katërqind burra muslimanë. Andaj, përballja nuk qe e lehtë. Ata e vranë Kryekomandantin, gjë që shkaktoi panik në radhët e armiqve. Megjithatë, një mori ushtarësh iu vërsulën muslimanëve. Përveç disave, të gjithë ranë dëshmorë.

Dymbëdhjetë prej tyre ishin të plagosur rëndë. Musilmanët pasi e fituan betejën, filluan kërkimet për të rënët e tyre. Ndër këta dymbëdhjetë të plagosur, ishte edhe Hazret Ikremeja r.a.. Një ushtar musliman iu afrua dhe i afroi bidonin e ujit për të pirë. Ikremeja po shikonte që pranë tij Fadli r.a., i biri i Hazret ‘Abbasit r.a. gjithashtu ishte i plagosur rëndë. Ikremeja r.a. i pohoi:

– Nuk më lejon ndërgjegjja që ata të cilët e ndihmuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në kohë vështirësie kur unë isha kunërshtari i tij i rreptë, të vdesin unë të shpëtoj veten. Jepja ujin Fadlit më së pari! Nëse mbetet prapë, më sill edhe mua.

Muslimani shkoi pranë Fadlit r.a., por edhe ai e drejtoi te një i plagosur tjetër duke thënë – Çoja ujin atij se ai është në gjendje më të rëndë se unë.

Muslimani shkoi tek i plagosuri i tretë, por edhe ai e drejtoi te një tjetër duke pohuar se ai është më në nevojë se unë.

Secili prej këtyre ushtarëve refuzoi të merrte ujin për t’i dhënë përparësi tjetrit. Kur muslimani mbërriti tek i plagosuri i fundit, ai kishte ndërruar jetë. Kur u kthye tek Ikremeja r.a., edhe ai kishte dhënë shpirt. Po kështu, kishin rënë dëshmorë të gjithë të plagosurit. Te secili prej tyre që ai u kthye për t’i dhënë ujë, kishte ndërruar jetë.”[7]

Ky ishte rezultati i kësaj lufte dhe kështu Allahu i Madhërishëm u dha fitore muslimanëve. Sidoqoftë, kjo temë do të vijojë edhe në të ardhmen, inshaAllah.[8]

LEXONI:

Referancat

[1] Ibn Asakir, “Tarikh Dimeshk el-Kebir”, vëllimi II, shtëpia botuese: “El-Fikr”, Bejrut 1995, fq. 141-143.
[2] Kurani i Shenjtë, Ali Imran 3:60.
[3] Kurani i Shenjtë, En-Nisa 4:172-173.
[4] Kurani i Shenjtë, Et-Teube, 9:111.
[5] Shibli Nu’mani, “El-Faruk”, shtëpia botuese “Darul-isha’at”, Karaçi 1991, fq. 119-130.
Ebur-Rebi’ el-Kel-la’i, “El-Iktifau bima tadam-menehu megazi Resulull-llahi veth-thelathetul-khulefai”, vëllimi II, shtëpia botuese: “El-Kutub el-’ilmijje”, Bejrut 1420 h. / 1999, fq. 271.
El-Vakidi, “Futuh esh-Sham”, vëllimi I, botues: “El-Mektebe et-Teufikijje”, Egjipt 2008, fq. 242.
Muhammed ibn Xherir et-Taberi, “Et-Tarikh”, vëllimi II, shtëpia botuese: “El-Kutub el-’ilmijje”, Bejrut 1987, fq. 338.
Maulana Sanaullah Shuxha’ Abadi, “Tarikh-e-Islam ki bahadur khavatin”, botues: “Mektebe Umer Faruk”, Karaçi 2011, fq. 116.
Ibn Kethir, “El-Bidaje ven-Nihaje”, vëllimi IX, pjesa VIII, kapitulli: “Fadl dhikru fi shej’in min fadailuhu”, shtëpia botuese: “El-Hixhr”, Kajro 1998, fq. 560.
[6] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Khutubat-e-Mahmud”, vëllimi XXIV, fq. 15-17.
[7] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Her Ahmadi auret Ahmadijjat ki sadakat ka eik zanda nishan hai”, “Envarul-’ulum”, vëllimi XXVI, fq. 229-231.
[8] Gazeta “Al-Fazl International”, 8 tetor 2021, fq. 5-9.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp