Marrëveshja e Hudejbijes
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics
marreveshja e hudejbijes

Profeti s.a.v.s. bashkë me një mijë e pesëqind sahabë r.a., niset për në Mekë

Gjatë kësaj periudhe, Profeti Muhammed s.a.v.s. pa një ëndërr, e cila përmendet në Kuranin Famëlartë me këto fjalë:

Me dëshirën e Allahut, ju patjetër do të hyni paqësisht në Xhaminë e Shenjtë (Qaben). Disa prej jush do të jenë me kokë të rruara e disa të qethura (gjatë Haxhit, haxhinjt duhet të rruajnë kokën ose të qethin). Nuk do të keni frikë nga askush. Allahu i Lartësuar e di atë që ju nuk e dini. Për këtë arsye, Ai ka planifikuar edhe një fitore tjetër, para se të të plotësohet kjo ëndërr, (fitore e cila do ta paraprijë fitoren që është treguar në ëndërr).[1]

Në këtë ëndërr, realisht, Zoti i Lartësuar i kishte treguar Profetit s.a.v.s. për triumfin mbi Mekën që do të bëhej në mënyrë paqësore. Por, Profeti s.a.v.s. kujtoi se Zoti i Lartësuar ndoshta e urdhëroi të vizitojë e t’i bëjë tevaf Qabes. Në fakt, pikërisht ky interpretim i gabuar prej tij, do të hapte shteg për fitoren e ardhshme, prandaj, Zoti i Lartësuar nuk ia tërhoqi vëmendjen për këtë. Profeti s.a.v.s. ua tregoi sahabëve ëndrrën e tij dhe i porositi ta shoqërojnë në këtë udhëtim. Por tha:

“Ne po shkojmë vetëm me qëllim që t’i bëjmë tevaf Qabes. Nuk duhet të bëni asnjë gjest e nuk duhet të thoni asnjë fjalë, që mund t’u shkaktojë pakënaqësi armiqve”.

Në të dalë të shkurtit, të vitit 628 e.s., Profeti s.a.v.s. me një mijë e pesëqind vizitorë u nis për në Mekë.[2] Një çetë prej njëzet ushtarësh qe pararojë, për të njoftuar në kohë muslimanët, në rast se ndiente ndonjë rrezik nga armiqtë.

Kur mekasit u njoftuan për vizitën e Profetit s.a.v.s., ata e fortifikuan Mekën dhe thirrën për ndihmë edhe fise të tjera që jetonin afër, megjithëse vetë feja e tyre u thoshte që askënd nuk duhet të pengonin për të bërë tevafin e Qabes dhe, edhe muslimanët nga ana e tyre, u kishin bërë të qartë mohuesve që ata do të vinin vetëm e vetëm për të vizituar Qaben, e jo për t’u grindur apo për të luftuar me ta. Kur Profeti s.a.v.s. iu afrua Mekës, ai u informua që kurejshët (mekasit) kishin veshur lëkura panterash, kishin mbledhur gratë dhe fëmijët e tyre dhe ishin betuar që ata nuk do ta lejonin Profetin s.a.v.s. të hynte.

Sipas traditës arabe, kur populli vendoste të sakrifikonte jetën, krerët e tij visheshin me lëkura panterash, traditë kjo që simbolizonte se tanimë nuk ka kohë për të vepruar me mend, por është koha që të vdesin me guxim e trimëri. Pak kohë pas mbërritjes së këtij lajmi, edhe forcat pararojë të mekasve u gjendën para muslimanëve, gjë që do të thoshte se e vetmja rrugë për të marshuar përpara ishte që t’i mposhtnin armiqtë me shpatë. Por Profeti s.a.v.s. e kishte marrë vendimin që në asnjë mënyrë nuk do të luftonte. Ai ngarkoi një udhërrëfyes të shkathët, që dinte fije për pe rrugët e pyllit, me detyrën që t’i çonte pelegrinët muslimanë nga rrugë të tjera deri në Mekë. Udhërrëfyesi e solli Profetin s.a.v.s. dhe muslimanët e tjerë deri në Hudejbija, një vend afër Mekës. Këtu deveja e Profetit s.a.v.s. nuk ecte më. Sahabët r.a. i thanë që të ndërronte devenë, ngase ishte lodhur. Por ai tha:

“Jo, deveja nuk u lodh, por dëshira e Zotit duket se është që ne të qëndrojmë në këtë vend. Unë nga këtu do t’u bëj kërkesë mekasve që të na lejojnë të bëjmë haxhin. Jam i gatshëm të pranoj çdo kusht të tyre”.

Deri në atë kohë, ushtria mekase po qëndronte larg Mekës duke pritur muslimanët dhe Profeti s.a.v.s., po të donte, mund të hynte në Mekë pa u ndeshur me ta. Por ai kishte vendosur që së pari do të përpiqej t’u kërkonte leje për të bërë tevaf rreth Qabes, ndërsa luftë kundër tyre të bënte vetëm në rast se mekasit do ta detyronin për këtë. Kështu, edhe pse rruga ishte e hapur, ai u vendos në Hudejbija. Shumë shpejt edhe ushtria mekase mori lajmin që Profeti s.a.v.s. ishte vendosur atje. Ajo u spraps në momentin e parë, për t’u rreshtuar sërish pranë Mekës.

I pari që erdhi për të negociuar me Profetin s.a.v.s. qe Bedili, që ishte një ndër udhëheqësit e Mekës, të cilit Profeti s.a.v.s. ia sqaroi ardhjen e tij, që kishte për qëllim tevafin rreth Qabes. E, në qoftë se mekasit i detyronin muslimanët për luftë, ata ishin të gatshëm. Pas Bedilit, erdhi Urva, një komandant mekas dhe njëherësh dhëndri i Ebu Sufjanit. Para Profetit s.a.v.s. ai i fyeu rëndë muslimanët duke thënë:

“Këtë tufë rrugaçësh që keni sjellë, mekasit assesi nuk do t’i lejojnë të hyjnë në qytetin e tyre”.

Përfaqësuesit vazhduan të vinin, njëri pas tjetrit dhe, më në fund, mekasit prerazi dërguan mesazhin e tyre:

“Këtë vit në asnjë mënyrë nuk mund t’ju lejojmë të bëni tevaf, sepse do të jetë fyerje për ne. Po, nëse do të vini mot, do t’ju lejojmë”.

Disa njerëz, që ishin nga fiset e afërta të Mekës, u kërkuan mekasve që t’i lejonin për të bërë tevafin e Qabes, sepse sipas tyre, nuk kishte arsye t’i ndalonin. Mirëpo mekasit nuk hoqën dorë nga ngulmimi i tyre, për shkak të të cilit fiset që jetonin jashtë Mekës, u ftohën me ta dhe deshën të distancoheshin duke u thënë që insistimi i tyre tregonte se ata donin vetëm sherr dhe nuk ishin paqedashës. Mekasit u trembën nga kjo dhe i siguruan se ata do të përpiqeshin të bënin marrëveshje me muslimanët. Kur Profeti s.a.v.s. e mori vesh këtë, ai dërgoi Osmanin r.a., që më vonë do të bëhej Kalifi i Tretë i tij, për të negociuar me mekasit. Osmani r.a. hyri në Mekë, ku kishte shumë njerëz të afërm, të cilët e rrethuan me gëzim. Ata i thanë që të bëjë tevafin e Qabes, ndërsa Profeti s.a.v.s. le të bënte vitin tjetër. Por, ai i refuzoi duke thënë:

“Nuk mund të bëj tevaf pa udhëheqësin tim”.

Besëlidhja e pemës

Negociatat midis tij dhe mekasve u zgjatën paksa, ndërkohë në Mekë, dikush me keqdashje përhapi lajmin që mekasit e vranë atë, lajm i cili erdhi deri te Profeti s.a.v.s.. Ai i mblodhi sahabët r.a. dhe tha:

“Jeta e përfaqësuesit mbrohet në çdo popull, por kemi dëgjuar që mekasit na e vranë Osmanin r.a.. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ne do të hyjmë forcërisht në Mekë”.

(Profeti fillimisht kishte vendosur të hynte paqësisht, por nga ndryshimi i situatës, ai e ndryshoi edhe vendimin):

“Le të bëjnë besëlidhje (bejt) me mua ata që dëshirojnë: nëse do të na duhet të marshojmë më tutje, ose ta triumfojmë Mekën, ose të vritet secili prej nesh në fushëbetejë”.

Me të lëshuar këtë njoftim Profeti s.a.v.s., që të gjithë një mijë e pesëqind pelegrinët, u kthyen në një mijë e pesëqind ushtarë. Ata hidheshin marrëzisht, njëri mbi tjetrin, për të bërë besëlidhjen sa më parë në dorën e Profetit s.a.v.s.. Kjo besëlidhje shënohet si një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme në historinë e Islamit dhe njihet si Besëlidhja e pemës. Kjo sepse në kohën kur u realizua ajo, Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte ulur nën një pemë. Më vonë, edhe pjesëmarrësi i fundit i kësaj besëlidhjeje që mbeti gjallë, rrëfente me krenari pjesëmarrjen e tij. Prej një mijë e pesëqind personave asnjëri nuk e kishte refuzuar besëlidhjen, në të cilën ishin zotuar se nëse armiku ua kishte vrarë përfaqësuesin e Islamit, ata patjetër do të gëzonin njërën prej dy alternativave: ta triumfonin Mekën para se të binte muzgu, ose të vriteshin duke luftuar. Por, muslimanët ende nuk ishin liruar nga betimi, kur Osmani r.a. u kthye te ta. Ai ua tregoi mesazhin e mekasve që thoshin:

“Umranë nuk do t’ju lejojmë ta bëni sivjet, por vitin e ardhshëm po”.

Ai gjithashtu raportoi që mekasit kishin caktuar edhe përfaqësuesit e tyre për të bërë marrëveshje me muslimanët. Pak kohë pas ardhjes së Osmanit r.a. Suhejli, një ndër krerët e Mekës, erdhi te Profeti s.a.v.s. për ta sjellë në jetë marrëveshjen, e cila u shkrua si në vijim:

Kushtet e marrëveshjes së Hudejbijes

“Në emër të Zotit, bëhet marrëveshje ndërmjet Muhammed ( s.a.v.s.) ibni Abdullahut dhe Suhejl ibni Amrit (përfaqësuesit të qeverisë mekase), kushtet e së cilës janë: luftës i jepet fund për dhjetë vjet. Ai që dëshiron t’i bashkohet Muhammedit ( s.a.v.s.) apo të bëjë marrëveshje me të, lejohet ta bëjë. Po ashtu, ai që dëshiron t’u bashkohet kurejshëve apo të bëjë ndonjë marrëveshje, lejohet ta bëjë.

Nëse ndonjë adoleshent apo i mitur që ka babanë të gjallë, shkon te Muhammedi ( s.a.v.s.) pa lejen e prindit apo kujdestarit, Muhammedi ( s.a.v.s.) do t’ia kthejë atë prindit apo kujdestarit të tij. E nëse ndonjë nga shokët e Muhammedit ( s.a.v.s.) shkon te kurejshët, kurejshët nuk do t’ia kthejnë atë Muhammedit ( s.a.v.s.).

Muhammedi ( s.a.v.s.) do të kthehet, pa hyrë në Mekë, sivjet. Megjithatë, vitin e ardhshëm ai dhe shokët e tij mund të vijnë në Mekë dhe mund të qëndrojnë për tri ditë për të bërë tevafin e Qabes, ndërkohë, kurejshët do të dalin jashtë qytetit e do t’i ngjiten kodrës. Por, kur Muhammedi ( s.a.v.s.) dhe shokët e tij do të hyjnë në Mekë, ata nuk duhet të kenë armë, përveç asaj që një udhëtar mban me vete, domethënë një shpatë të futur në këllëf”.[3]

Dy ngjarje interesante

Gjatë marrëveshjes ndodhën dy ngjarje interesante. Pasi ranë dakord të dyja palët për kushtet, Profeti s.a.v.s., duke diktuar fjalët e marrëveshjes, tha:

“Në emër të Zotit, të Gjithëmëshirshmit dhe Mëshirëplotit”.

Suhejli e kundërshtoi dhe tha:

“Ne e njohim Zotin, por nuk e njohim të gjithëmëshirshmin dhe mëshirëplotin. Marrëveshja po bëhet ndërmjet ne të dyve, andaj duhen respektuar fetë e ne të dyve”.

Profeti Muhammed s.a.v.s. e pranoi dhe më pas diktoi vetëm fjalët “Në emër të Zotit, bëhet marrëveshje…”.

Pastaj, Profeti s.a.v.s. kur tha fjalët

“marrëveshje ndërmjet Muhammedit të Dërguarit të Allahut dhe Suhejlit”,

Suhejli përsëri e kundërshtoi duke thënë:

“Po të të pranonim si të dërguar të Allahut, nuk do të kishim luftuar me ju!”

Profeti s.a.v.s. e pranoi edhe këtë dhe në vend të fjalëve “Muhammedi, i Dërguari i Allahut”, diktoi

“Muhammedi, i biri i Abdullahut”.

Ngaqë Profeti s.a.v.s. pranonte çdo gjë që i thoshin mekasit, sahabëve r.a. u digjeshin zemrat nga pikëllimi dha u nxehej gjaku nga zemërimi. Madje, Omeri r.a. erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut! A jemi të drejtë ne?”

“Po”, u përgjigj Profeti s.a.v.s.. Pastaj Omeri e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A nuk ju ka treguar Zoti që ne do të bëjmë tevafin e Qabes?” Profeti s.a.v.s. përsëri u përgjigj: “Po”. Omeri e pyeti: “Përse atëherë keni bërë këtë marrëveshje sot?” Profeti s.a.v.s. tha:

“Omer, Zoti i Lartësuar me të vërtetë më kishte thënë që ne paqësisht do të bëjmë tevafin e Shtëpisë së Zotit, por nuk më kishte thënë se do ta bëjmë patjetër sivjet. Ishte interpretimi im për ta bërë sivjet”.

Në këtë mënyrë, edhe sahabë të tjerë e kundërshtuan duke thënë se përse ishte pranuar kushti që nëse ndonjë djalë mekas do të bëhej musliman, atë do t’ia kthenin babait apo kujdestarit të tij, por mekasit nuk ishin të detyruar ta bënin të njëjtën gjë kur një musliman të shkonte tek ata. “Nuk ka asnjë problem në këtë kusht, u qe përgjigjur Profeti s.a.v.s., “çdokush që pranon Islamin, e pranon duke e konsideruar atë si të vërtetë, e jo si një zakon apo traditë. Një musliman, kudo që jeton, do ta përhapë dhe shpërndajë Islamin. Por, ai që largohet nga Islami, ç’të bëjmë me të duke e mbajtur me ne! Ai që kujton se feja jonë është e gabuar, ç’dobi do të na sjellë?!

Kjo përgjigje e tij është një përgjigje edhe për ata muslimanë të devijuar, të cilët mendojnë se ai që largohet nga Islami, Islami e dënon me vdekje. Po të ishte kështu, Profeti Muhammed s.a.v.s. patjetër do të këmbëngulte që mekasit t’ia kthenin çdo renegat të Islamit, në mënyrë që t’i jepte dënimin e merituar.

Sapo u hodhën nënshkrimet nga të dyja palët për ta vënë në jetë marrëveshjen, Zoti i Lartësuar krijoi rrethana që ajo të vihej në sprovë. Suhejli përfaqësonte mekasit në këtë marrëveshje dhe pikërisht djali i tij, Ebu Xhendeli, i plagosur dhe i lidhur me litarë, fytas e mbytas erdhi te Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Unë jam musliman me zemër, por ati im më ka bërë në këtë gjendje. Unë gjeta rastin të vija deri këtu, vetëm sepse edhe babai im erdhi këtu”.

Profeti s.a.v.s. akoma pa dhënë përgjigje, kur Suhejli tha se tashmë marrëveshja ishte bërë dhe se djalin e tij duhej t’ia dorëzonin. Muslimanët e shikonin me sy gjendjen e rëndë të Ebu Xhendelit. Ata assesi nuk mund t’ia kthenin vëllanë e tyre babait të tij, që ushtronte dhunë të rëndë mbi të. Menjëherë nxorën shpatat dhe vendosën ta shpëtonin nga kthimi i tij në një vend të skëterrshëm edhe sikur të vriteshin për ta arritur këtë synim. Edhe vetë Ebu Xhendli iu përgjërua Profetit s.a.v.s.:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Po ma shikoni gjendjen. A do t’i lejoni vetes që t’u kthehem këtyre mizorëve, që këta të ushtrojnë një dhunë akoma më të rëndë mbi mua?!”

Profeti s.a.v.s. i tha:

“Të dërguarit e Zotit nuk thyejnë marrëveshjet. O Ebu Xhendel, tashmë e kemi bërë marrëveshjen. Duro dhe mbështetu te Zoti! Ty dhe të rinjve të tjerë si ti, Ai Vetë do t’u hapë ndonjë rrugë shpëtimi”.[4]

Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Profeti s.a.v.s. u kthye në Medinë. Kur mbërriti atje, një tjetër djalë mekas i quajtur Ebu Nesir r.a. erdhi duke e ndjekur Profetin s.a.v.s.. Në zbatim të marrëveshjes, Profeti s.a.v.s. edhe atë e detyroi të kthehej andej nga kishte ardhur. Ai e zbatoi urdhrin, por gjatë rrugës për t’u kthyer, u përlesh me njerëzit që e kapën, madje vrau njërin prej tyre dhe më pas u arratis. Kur mekasit erdhën te Profeti s.a.v.s. dhe iu ankuan, ai u tha:

“Ne jua kishim kthyer njeriun tuaj. Nuk mund të mbajmë përgjegjësi që t’jua dorëzojmë sërish kudo e kurdo”.[5]

Pas pak ditësh u arratis edhe dikush tjetër nga Meka për në Medinë, kësaj radhe ajo ishte një grua. Të afërmit e saj gjithashtu erdhën në Medinë për t’i kërkuar Profetit që t’ia kthente mbrapsht. Por, ai tha që marrëveshja ishte për burrat, jo për gratë, ndaj nuk mund t’ua kthente këtë grua.[6]


[1] Kurani Famëlartë 48:28.
[2] Shoqërimi i 1500 njerëzve me Profetin s.a., tregon se para një viti, në betejën e Hendekut (Ahzabit), duhet të kishte më pak se kaq ushtarë. Sepse, numri i muslimanëve brenda vitit nuk mund të ndryshonte në mënyrë kaq drastike. Kështu që, historianët që kanë shkruar se ushtarët muslimanë gjatë betejës së Hendekut ishin tre mijë, kanë gabuar. E vërteta është që ata ishin vetëm një mijë e dyqind në atë kohë. (Autori)
[3]  Es-siratul-Halabija, vëll. III, Bejrut, 1320 Hixhri, f. 20-21; Siret Ibni Hisham, vëll. III, f. 18.
[4] Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 332-333.
[5] Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 337-338.
[6] Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 340.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp