
Gjatë kësaj periudhe, në Mekë u shënua një tjetër ngjarje e rëndësishme, që e tronditi qytetin. Omeri, që më vonë do të bëhej Kalifi i Dytë i Islamit, vazhdonte të ishte një ndër armiqtë më të egër dhe më të përbetuar të Islamit.
Një ditë, ai ndjeu se sa shumë përpjekje ishin bërë për ta zhdukur Islamin, por pa asnjë sukses. Vallë, pse mos ta vriste themeluesin e kësaj feje, në mënyrë që ta asgjësonte këtë sherr, përjetë?! Sa e pushtoi ky mendim, Omeri ngrehu shpatën, doli nga shtëpia dhe u nis në kërkim të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Rrugës u ndesh me një shok të tij, i cili u befasua kur e pa Omerin në këtë gjendje.
“Ku po shkon o Omer”, e pyeti ai. “Po shkoj ta vras Muhammedin (s.a.v.s.)”, ia ktheu ai. “Pas vrasjes së tij, a do të jesh i sigurt nga fisi i tij? Merru vesh së pari me njerëzit e shtëpisë sate. A e di që edhe motra dhe dhëndri yt janë bërë muslimanë? Ç’do të bësh me ta?”
Ky lajm Omerit i ra në kokë si një vetëtimë. Ai mendoi se si mund ta vriste Muhammedin, përderisa motra dhe dhëndri i tij kishin pranuar Islamin. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë atij së pari i duhej t’i qëronte hesapet me njerëzit e vet. Me këtë mendim ai u nis drejt shtëpisë së motrës. Kur mbërriti te dera, nga brenda dëgjoi dikë që recitonte diçka. Ishte Hebabi r.a. ai që ia recitonte Kuranin Famëlartë motrës dhe dhëndrit të Omerit.
Omeri hyri me vrull në shtëpi. Hebabi u fsheh diku sapo dëgjoi hapat e tij. Fatimja, e motra i fshehu mbishkrimet e Kuranit që recitoheshin. Ai hyri në dhomë dhe i zemëruar e pyeti: “Kam dëgjuar që keni ndërruar fenë!” Pastaj iu vërsul dhëndrit që e kishte edhe kushëri. Për ta shpëtuar burrin, Fatimja nxitimthi i doli përpara. Dora e Omerit që tashmë ishte ngritur dhe që nuk mund të ndalej, e sulmoi motrën në fytyrë dhe sakaq asaj filloi t’i rridhte gjak si rrëke nga hunda.
Fatimja e goditur mori guximin për t’i treguar Omerit: “Po, është e vërtetë që jemi bërë muslimanë, dhe ta dish që ne kurrsesi nuk mund të heqim dorë nga kjo fe. Ti bëj çfarë të duash!” Omeri ishte trim, por trimëria e tij nuk mbizotërohej nga dhuna. Duke parë një grua të lënduar prej tij, që ishte edhe e motra, ai ndjeu një pendesë të thellë në zemër. Për t’i kërkuar falje motrës, nuk gjeti ndonjë mënyrë tjetër, përveç se t’i thoshte: “Tregoma atë që po lexonit”. “Jo, nuk do të ta tregoj ty”, i tha Fatimja, “sepse do t’i prishësh mbishkrimet”. “Jo motër, besomë se nuk do t’i prish”, i siguroi ai. “Je i papastër. Lahu një herë, pastaj do t’i tregoj”, i kërkoi motra.
Nga pendesa e thellë, Omeri ishte i gatshëm të bënte çdo gjë. Edhe këtë kërkesë ia pranoi menjëherë. Kur erdhi i pastruar, Fatimja ia dorëzoi mbishkrimet e Kuranit Famëlartë. Ishin disa ajete të sures Taha, të cilat tani po i lexonte Omeri. Disa prej tyre ishin:
Kuptimi i këtyre ajeteve është:
Padyshim, Unë jam Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje. Prandaj, (o lexues), Mua më adhuro, fal namazin dhe ngjalle adhurimin ndaj Meje (së bashku me njerëzit e tjerë, jo adhurimin e zakoneve, por) adhurimin që manifeston Madhështinë Time (në botë). Mbaje mend, po afrohet çasti që do ta ngrejë këtë fjalë. Unë po bëj përgatitje për shfaqjen e saj dhe si rrjedhojë çdokush do të shpërblehet sipas veprave të tij.
“Sa e çuditshme dhe e pastër qenka kjo vepër!”,
u shpreh Omeri pa u përmbajtur kur i lexoi këto ajete. Duke e dëgjuar atë, edhe Hebabi doli nga atje ku qe i fshehur dhe tha: “Je fryt i lutjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..
Betohem për Atë Zot, që dje e kam dëgjuar duke bërë lutjen: O Zot, udhëzo drejt Islamit njërin nga të dy: Omer bin El-Hetabin ose Amr bin El-Hishamin”.
“Ku mund ta gjej Muhammedin?”,
e pyeti Omeri Hababin. Kur i treguan që ai gjendej në Darul Erkem, po me atë shpatë të zhveshur, ai u nis drejt tij. Kur mbërriti atje, trokiti në derë. Sahabët, që ishin të pranishëm aty, vështruan nga zgavra e derës dhe e panë Omerin me shpatë të zhveshur. Të frikësuar nga ndonjë sherr i mundshëm, ata nuk po ia hapnin derën. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i urdhëroi: “Hapeni!”. Omeri hyri brenda në të njëjtën gjendje. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i doli përpara dhe e pyeti:
“Me çfarë mendimi ke ardhur o Omer?”.
“Për t’u bërë musliman, o i Dërguar i Allahut s.a.v.s.”, iu përgjigj ai.
Profeti Muhammed s.a.v.s. thirri me zë të lartë:
“Allahu Ekber”, Allahu është më i Madhi,
dhe po kështu bënë gjithë sahabët e tij njëzëri, saqë ushtuan malet e Mekës,[2] duke përhapur në gjithë qytetin vetëtimthi lajmin që edhe Omeri u bë musliman. Tani, edhe ai do të trajtohej si sahabët e tjerë nga banorët e Mekës. Megjithatë Omeri, që më përpara krenohej duke bërë gjakderdhje, tani gjente kënaqësi duke marrë goditje. Vetë Omeri rrëfen:
“Pas pranimit të Islamit, jam pritur vetëm me goditje nëpër rrugicat e Mekës”.
[1] Kurani Famëlartë 20:15-16.
[2] Esadul-Gabah, vëll. IV, Rijad, 1286 Hixhri, f. 55.