
Edhe Profeti Muhammed s.a.v.s. kur pa që mekasit kishin vendosur ta sulmonin fizikisht, por në asnjë mënyrë të mos e dëgjonin, atëherë u drejtua për në Taif, qytet i cili gjendej afërsisht 95 kilometra në juglindje të Mekës dhe që njihej për kultivimin e frutave dhe për bujqësinë e tij. Edhe ky qytet nuk ishte më pak idhujtar se Meka. Idhulli i famshëm, Seualati, i vendosur në Qabe, i përkiste pikërisht Taifit, të cilin për ta vizituar, arabët vinin nga vise të largëta. Përveç kësaj, shumë nga banorët e tij kishin lidhje farefisnore me mekasit dhe shumë nga kopshtet që gjendeshin midis dy qyteteve ishin prona të mekasve.
Kur mbërriti në Taif Profeti Muhammed s.a.v.s., krerët e qytetit filluan t’i vinin për ta takuar, por asnjëri nuk u tregua i gatshëm për ta pranuar mesazhin e tij. Edhe njerëzit ndoqën modelin e krerëve të tyre dhe e shpërfillën mesazhin e Zotit. Një profet i papërkrahur dhe i pandihmuar, kështu do t’u dukej ai njerëzve materialistë. Ata ishin mësuar t’u bindeshin armëve dhe ushtrive. Pëshpërimat rreth Profetit qysh herët ishin përhapur edhe në Taif.
Kur banorët e panë atë duke përhapur mesazhin në zonat kryesore të qytetit, të shoqëruar vetëm me Zejdin, e jo me ushtri ose masa njerëzish, atëherë të verbrit nga zemra, që nuk e dalluan se përpara tyre fliste një profet i Zotit, e pandehën për njeri të bezdisshëm e të përzënë dhe menduan që është mirë ta lëndonin e ta shqetësonin, që t’u hynin në qejf krerëve të popullit. Një ditë u mblodh gjindja. Ata zgjodhën ca vagabondë dhe morën ca qen, i mbushën pëqinjtë e pelerinave të tyre me gurë, iu vërsulën egërsisht të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. E sprapsën, i vërshuan gurë dhe e përzunë pa mëshirë nga qyteti. Profetit iu gjakosën këmbët. Zejdi u plagos rëndë duke e mbrojtur atë. Por, mizorët nuk u qetësuan dhe i ndoqën ata të dy disa kilometra edhe jashtë qytetit, derisa ata arritën në shkëmbinjtë e kodrave që ishin jashtë Taifit.
Nga frika se Zoti i Madhërishëm do të shfaqte zemërimin e Tij ndaj tyre, gjatë rrugës, Profeti shikonte drejt qiellit dhe me shumë dhimbje lutej:
“O Zot, fali këta njerëz, se nuk dinë se çfarë po bëjnë”.[1]
I plagosur, i dërrmuar dhe i përzënë nga njerëzit e pashpirt, Profeti s.a.v.s. mori strehë në një vresht që u përkiste dy krerëve të Mekës, të cilët gjendeshin aty. Edhe këta ishin armiqtë e vjetër dhe të egër të tij, por ndoshta të prekur nga fakti se një banor i Mekës u keqtrajtua nga banorët e Taifit, ose ndoshta ato ishin momentet kur u mbinte fara e mirësisë, ata mbushën një tas me rrush, ia dhanë Adasit, skllavit të tyre, për t’u shërbyer mysafirëve të plagosur.
Adasi ishte një i krishterë nga Niniva. Ai ia dha rrushin, ndërsa Profeti s.a.v.s. e mori duke thënë:
“Në emër të Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”.
Atij iu kujtuan vagëllimthi mësimet fetare të krishterimit. Seç kishte një ndjenjë që përpara tij gjendej një profet i Zotit, që flet ashtu siç flisnin profetët izraelitë. Profeti e pyeti: “Nga vjen ti?”. “Nga Niniva”, u përgjigj ai. Profeti tha: “Junusi (Jona) a.s. i biri i Amitatit, që ishte nga Niniva qe një njeri shpirtmirë. Edhe ai ishte profet i Zotit si unë”. Pastaj, Profeti s.a.v.s. i tregoi për fenë e tij. Habia e Adasit ia zgjoi kërshërinë, kërshëria e shtyu në besim dhe vetëm në disa çaste, skllavit i lotuan sytë. E përqafoi fort Profetin s.a.v.s. dhe filloi t’i puthte duart dhe këmbët.[2]
Pasi u lirua nga Adasi, Profeti s.a.v.s., duke iu drejtuar Zotit, u lut:
O Zoti im, Ty të ankohem për dobësinë time, për mungesën e mjeteve të mia dhe për shpërfilljen e njerëzve ndaj meje. O Mëshiruesi i të gjithë mëshiruesve, je Zoti i të varfërve e të dobëtëve. Je edhe Zoti im. Te kush do të më lësh mua? Te të panjohurit, që më përzënë nga çdo vend, apo tek armiqtë, që janë të fuqishëm kundër meje në vendin tim? Nëse nuk je zemëruar me mua, nuk shqetësohem fare nga armiqtë. Mëshira dhe Mbrojtja Jote janë më të shtrenjta për mua. Kërkoj strehimin nën dritën e fytyrës Sate. Je Ti, që zhduk errësirat nga bota dhe mundëson paqe në këtë dhe në atë botë. Të mos më përfshijnë zemërimi dhe pakënaqësia Jote. (Je aq i Mëshirshëm saqë) edhe nëse i zemërohesh dikujt, shpejt i buzëqesh. Sundim dhe fuqi s’ka kush tjetër përveç Teje.[3]
Pas kësaj lutjeje, Profeti u nis drejt Mekës. Rrugës qëndroi në një vend, të quajtur Nehla. Pas një pushimi disaditësh, mori rrugën e Mekës. Por, sipas traditës arabe, ai nuk mund të ishte më qytetar i Mekës, sepse nga ajo ishte larguar për shkak të mosmarrëveshjeve. Mekasit kishin të drejtën për ta pranuar apo jo Profetin s.a.v.s.. Për këtë arsye, ai i dërgoi një kumtesë Mutam bin Adiut, njërit prej krerëve të qytetit: “Dëshiroj të hyj në Mekë. A mund të më lejosh sipas traditës arabe?”. Edhe pse ishte armik i rreptë i Profetit, Mutami ishte një njeri me karakter. Ai sakaq mori djemtë dhe të afërmit e tij, të cilët u rreshtuan të armatosur në oborrin e Qabes dhe i dërgoi mesazh Profetit, që ai të hyjë në Mekë. Profeti hyri në qytet, bëri tevaf rreth Qabes. Mutami, djemtë dhe të afërmit e tij erdhën me shpata të ngrehura për ta përcjellë Profetin Muhammed s.a.v.s. deri në shtëpi.[4]
Kjo nuk ishte ndonjë strehë, sepse pas kësaj ngjarjeje, Profetit s.a.v.s. vazhduan t’i bëheshin mizori dhe Mutami asnjëherë nuk e mbrojti atë. Ky ishte vetëm lejimi i hyrjes së tij në Mekë në mënyrë ligjore.
Sakrificën dhe qëndresën e pashembullt që tregoi Profeti Muhammed s.a.v.s. gjatë udhëtimit në Taif, edhe kundërshtarët e Islamit nuk arritën ta anashkalojnë. Në biografinë e Profetit Muhammed, të shkruar nga Sir Uilliam Muri (Sir William Muir), autori pohon:
“Në këtë udhëtim të Muhammedit (s.a.v.s.) që ishte drejt Taifit, ka diçka fisnike dhe heroike: një njeri i vetmuar, i përbuzur dhe i refuzuar nga njerëzit e tij shkon përpara me guxim, në emër të Zotit, si Jona[5] që shkoi në Ninevë, dhe i bën thirrje një qyteti idhujtar për pendesë dhe për mbështetjen e misionit të tij. Kjo hedh një dritë të fortë mbi besimin e tij të fuqishëm në origjinën hyjnore të zërit të tij”.[6]
Meka sërish hapi dyert e dhunës dhe përbuzjes. Vendlindja e tij sërish filloi t’i përngjante si skëterrë Profetit të Zotit. Por, me qëndresë e me guxim, ai vazhdoi t’u përcillte njerëzve mësimet e Zotit. Në qoshet e rrugicat e Mekës dukshëm ngriheshin tashmë zërat:
“Zoti është një”, “Zoti është një”.
Ai vazhdonte t’u jepte mësime kundër idhujtarisë mekasve, butësisht dhe dashamirësisht. Njerëzit i iknin, por ai u shkonte pas. Njerëzit edhe pse kthenin kokën, ai nuk ndalej së thëni fjalët e tij. E vërteta po gdhendej pak nga pak. Ata pak muslimanë që kishin mbetur në Mekë, që nuk kishin mërguar në Abisini, e përhapnin mesazhin e Islamit te rrethi i ngushtë, te të afërmit, miqtë, shokët dhe fqinjët e tyre. Atyre që u ndriçohej zemra me besim, haptas deklaronin fenë e tyre dhe u bashkoheshin vëllezërve të tjerë, për t’u goditur dhe për t’u bërë ballë vështirësive bashkë me ta. Por, kishin mjaft që edhe pse e dëshmuan dritën e së vërtetës, nuk gjenin guxim ta pranonin. Ata prisnin ditën kur të vendosej mbretëria e Zotit në tokë, që të hynin paqësisht në të.
[1] Buhariu, Kitab bedaul-khelk, bab hadithil-gar.
[2] Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 62-63.
[3] Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 61-62.
[4] Tabkat ibni Sa’ad, vëll. I, Bejrut, 1985, f. 212.
[5] Profeti Junusas.
[6] Muir Willium, Life of Muhammad, Edinburgh, 1923, f. 112-113.